Festivali i Aktrimit “Apollon” në edicionin e tij të 15-të

Festivali Mbarëkombëtar i Aktrimit “Apollon” nisi me një atmosferë të jashtëzakonshme, në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit. Kryebashkiaku Armando Subashi u shpreh se, shfaqja dramatike “7 Minuta”, me të cilën nisi ky festival, përcolli mesazhe të fuqishme sociale, duke emocionuar publikun.

“Një fillim mbresëlënës për një festival të pasur me art dhe emocion”, u shpreh Subashi.

Drama “7 Minuta”, me regji të Driada Dervishit, pati një kast prej 11 aktoresh, mes të cilave emra të njohur të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha.

Shfaqja teatrale trajtoi dinjitetin dhe të drejtat e punëtoreve të një fabrike tekstilesh. Shfaqja rrëfen një ditë pune dhe përpjekjet heroike të grave për të mos humbur të drejtat e tyre.

Në shtatë netë të Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit do të interpretojnë trupa profesioniste nga Shqipëria dhe Kosova. Ky festival në edicionin e tij të 15-të i dedikohet aktorit. Risi do të jenë çmimet “In Memoriam” për dy artistët simbol të teatrit Fatos Sela dhe Hajrie Rondo si dhe dy çmimet e karrierës./atsh/KultPlus.com

Fier, nis në ‘Bylis’ Festivali i Aktrimit Apollon, 30 artistë ngjiten në skenë në edicionin e 15-të

Sonte në mbrëmje në Teatrin “Bylis” në Fier, ka startuar Festivali i Aktrimit Apollon, i cili është në edicionin e 15-të të tij.

Në vigjilie të kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për Fierin, ku për 8 ditë e 7 net, arti skenik do të flasë nëpërmjet emrave më të spikatur të teatrit Kombëtar, kryebashkiaku Armando Subashi në konferencën për shtyp, ka pohuar se Festivali i Aktrimit Apollon, është finalizim i projektit “Për Teatrin” i nisur që në muajin shkurt dhe që përfundon në fund të Nëntorit ku përmes një thirrje publike, iu bë ftesë produksioneve më të mira teatrore në vend të cilat u përzgjodhën nga një juri prestigjoze.

Në këtë festival vijnë 5 shfaqje rivënie të teatrove të Durrësit, Tiranës, Prishtinës, teatro private dhe dy premiera, produksione të teatrit “ Bylis” ndërkohë për 7 net në skenë do të interpretojnë 30 artistë, si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Gaz Paja etj. Po sipas kryebashkiakut, ky festival i dedikohet aktorit dhe për këtë vit janë shtuar edhe çmimet, ndërsa risi do të jenë çmimet” In Memorium” për dy artistët simbol të teatrit Fatos Sela dhe Hajrie Rondo si dhe dy çmimet e karrierës.

Teatri “Bylis” vjen në këtë festival me dy produksione, një shfaqje rivënie “ Pacienti i Doktor Froid” dhe premierë “ Klinika në breg të detit”.
Ndërkohë për Subashin sfidë mbetet gjetja e aktorëve të rinj, mungesa e të cilëve, po pengon rikthimin në identitet të trupës së teatrit
“Bylis”./balkanweb/ KultPlus.com

Mbyllet Festivali i Teatrit në Fier ‘Apollon’ 2023, interpretuan aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia

Është mbyllur nata finale e Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit “ Apollon” 2023.

Teatri “ Bylis” në Fier u kthye për pesë ditë radhazi në destinacionin e artit skenik pasi edicionini 14-te i këtij festivali solli në skenën teatrore për 5 netë radhazi trupa të njohura teatrore nga Shqipëria, Kosova, e Kroacia, vepra të autorëve shqiptarë e të huaj kryesisht në gjininë e komedisë dhe monodramës, shfaqje të cilat nxjerrin në pah dhe trajtojnë probleme familjare dhe të shoqërisë që hasen më së shumti gjatë ditëve të sotme.

Juria e festivalit këtë vit kishte në përbërjen e saj aktorët e njohur Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci dhe Luli Bitri te cilët në natën finale ndanë edhe çmimet për kategoritë e përcaktuara: Aktorët joprotaginistë më të mirë u vlerësuan Mimoza Marjanaku dhe Indrit Cobani dhe aktorët protagonistë më të mirë Olta Daku dhe Mentor Zyberaj të cilët u shprehën mjaft të emocionuar për vlerësimin e jurisë prestigjioze.

Bashkëpunime të tilla të trupave teatrore janë të një rëndësie të veçantë është shprehur kryetari i jurisë, aktori i njohur Ndriçim Xhepa, teksa ka apeluar për më shumë vëmendje nga ana e qeverisë për artin e kulturën.

Ky festival erdhi ne qytetin e Fierit pas një periudhe ndërprerjeje me një kastë të njohur aktoresh të 9 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova e Kroacia, të cilët sollën para publikut artdashës fierak emocione të veçanta./topchanel/KultPlus.com