Kineastët e rinj shfrytëzojnë materialet arkivore të AQSHF

AQSHF, si një nga partnerët e projektit RECON, u ofroi katër kineastëve të rinj mundësinë për të bërë një film të shkurtër duke përdorur ekskluzivisht materiale arkivore të koleksioneve nga Kinemateka e Malit të Zi dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Një nga aktivitetet e projektit RECON ishte edhe bashkëpunimi rajonal për prodhimin e video-instalacioneve dhe filmave me metrazh të shkurtër duke përdorur material arkivor, pjesë të koleksioneve të dy arkivave. Dy artistë të rinj malazezë të përzgjedhur gjatë një thirrjeje të hapur, realizuan videoinstalacion dhe film me metrazh të shkurtër duke përdorur materiale filmike nga arkivi shqiptar, dhe anasjelltas; dy artistë të rinj shqiptarë punuan me materiale arkivore nga arkivi malazez dhe realizuan secili filmat e tyre me metrazh të shkurtër.

Sot Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të shfaqë filmat e projektit RECON: The Echo nga Dario Haruni, “Pse kështu?” me skenar dhe regji të Una Jovovic, “Lemons&Oranges” të Enxhi Nonit si dhe “…a poem a day keeps the war at bay” e Tamara Pavicevic.

Me këtë aktivitet synohet nxitja e bashkëpunimit rajonal, hulumtimi dhe studimi i arkivave e gjithashtu promovimi i historisë, kulturës dhe artit të dy vendeve./ KultPlus.com

“Kino Pishina”, një argëtim më shumë për kryeqytetasit

Mbrëmja e kaluar, në Aqua Park Tirana, ka qenë tejet argëtuese, me shfaqjen e filmit në pishinë.

“Kino Pishina” është bashkëpunimi më i ri mes Bashkisë Tiranë dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Agjencia e Industrisë Kreative organizoi shfaqjen e filmit shqiptar për fëmijë “Shpella e piratëve” mundësuar nga AQSHF.

Përveç imazheve të filmit, që ngjallin nostalgji, kënaqësia për të pranishmit ishte më e madhe pasi për herë të parë shijuan kinemanë mbi ujë. Organizatorët njoftuan se do të ketë të tjera netë të veçanta në vazhdim.

“Shpella e piratëve” u shfaq në mbrëmje rreth orës 20:00 dhe u shoqërua me muzikë e lojëra. Më herët, organizatorët kishin njoftuar se hyrja për në këtë festë, do të ishte falas dhe se pjesëmarrësit do të duhej të vinin me veshje të përshtatshme për të ndjekur filmin mbi dyshekët e ujit, në pishinë. /atsh / KultPlus.com

“Nga formati analog, tek ai digjital”, kinemaja si trashëgimi që duhet ruajtur

Një seminar 3-ditor trajnimi është duke u organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit me ndihmën e Fondacionit “Antonio Gramshi” (Fondazione Gramsci di Puglia), si pjesë e projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Puglias dhe Shqipërisë”.

Projekti është financuar nga Rajoni i Puljes, me qëllim forcimin e aftësive teknike në fushën e restaurimit, digjitalizimit, vlerësimit të trashëgimisë historike filmike, si dhe përfshirjen e publikut si pjesë aktive e saj.

Seminari me temë “Nga formati analog, te ai digjital – Kinemaja si trashëgimi që duhet ruajtur”, nisi sot dhe do të vazhdojë edhe në datat 6 e 7 korrik, në mjediset e AQSHF.

Fondacioni Gramsci di Puglia, rifilloi veprimtarinë e tij në Shqipëri, pas 3 vjet ndërprerjeje, për shak të pandemisë së COVID-19.

Punën e tij, fondacioni, do ta nisë me këtë seminar trajnimi në fushën e restaurimit dhe rivlerësimit të trashëgimisë kinematografike, për të vazhduar me tej me punë të tjera. Trajnuesi i këtij projekti të konsideruar si i pari i të tjerëve që do pasojnë, është Marco Lena, kërkues shkencor në Archives Audiovisuelle Senegal, ku ka ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë lokale. / KultPlus.com

Filmi “Vdekja e Kalit” bën hapjen e kinemasë së AQSHF-së për shfaqje sipas kërkesave

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka njoftuar se kinemaja e institucionit do të jetë në dispozicion të publikut për shfaqje në ekranin e madh të filmave në ditët dhe oraret e kërkuara nga publiku duke filluar nga e premtja, datë 6 maj 2022.

Programi ‘KINOJONË’ do të nisë me shfaqjen e filmit ‘Vdekja e Kali’ (Saimir Kumbaro 1992) në versionin e tij dixhital të restauruar, një shfaqje që ndodh paralelisht me shfaqjen në arte.tv (mars-qershor 2022), platformë që promovon kinematografinë europiane dhe që e ka shtrirjen territoriale në vendet e EU, EFTA, UK dhe Zvicër. Duke qenë se arte.tv nuk e mbulon territorin shqiptar dhe filmi i restauruar ‘Vdekja e kalit’ nuk mund të shihet nga publiku në Shqipëri, AQSHF do ta verë atë në dispozicion të publikut me shfaqje në sallën e kinemasë në AQSHF.

“Jemi të lumtur që arti dhe kultura mund të kapërcejnë kufijtë që vendos gjeopolitika dhe jemi krenarë që kinematografia shqiptare është tashmë pjesë e kinematografisë europiane duke u promovuar krahas 19 vendeve të tjera në programin ArteKino Classics në arte.tv.”, thuhet në njoftim.

‘Vdekja e Kalit’ (Saimir Kumbaro 1992), shfaqje e versionit të restauruar me introduksion mbi restaurimin dhe prezantime videosh para dhe pas restaurimit vjen më datë 6 maj në ora 18:00. Në këtë ngjarje do të jenë të pranishëm edhe artistët dhe autorët e filmit.

Në njoftim është bërë e ditur që çdo ditë pas datës 6 maj 2022, ju mund të dërgoni kërkesën tuaj për shfaqje në adresën [email protected] duke lajmëruar titullin e dëshiruar nga fondi i AQSHF-së si dhe datën dhe orarin e parapëlqyer. Stafi i AQSHF-së do t’ju kontaktojë për konfirmimin. / KultPlus.com