Padër Andon Harapi, kleriku që bëri kaq shumë për atdheun

“A e dini se çdo ndêrtese i vihen temelet n’dhé? Edhe pse n’vàrr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt’ e temelit t’njiasaj bînaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. Janë këto fjalë të qëndisuna me zemër të gatueme me prushin e atdhedashunisë dhe hirin e shenjt të shërbestarit, t’devotshmit të rrugës së vërtetë, diejtuesit, mendimtarit, shkrimtarit, veprimtarit politik dhe fratit françeskan Padër Anton Harapi

Sot 137 vite më parë më 5 janar 1888 lindi në Shirokë të Shkodrës, biri i Loros dhe i Çiles, Anton Harapi. I ati merrej me peshkim, të cilin e kishte traditë. Në fëmijëri bashkëmoshatarët e thërrisnin në emrin e pagëzimit, Gaspër. Që në moshë të re hyri në Kolegjin e Jezuitëve dhe më pas në Kolegjin Françeskan, që ishte dhe mbeti shtylla e traditës së mirëfilltë kombëtare shqiptare.

Rezultatet e shkëlqyera në shkollë i mundësuan të vijojë mësimet e larta në Salzburg, e pastaj në Schwaz e Villach të Austrisë, dhe më vonë vijoi studimet teologjike në Romë.

Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazese e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në lagjen Arra e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit L. von Berthold dhe Ismail Qemalit. Më 1916 në Dukagjin ra kolera, P. Antoni vajti si shërbetor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar drejtpërdrejt nga ana profilaksike kundër kolerës. Dy vitet e fundme të Luftës së Parë Botërore e gjeti famullitar në Grudë të Malcís së Madhe. Organizon menjëherë tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh dhe ua uli parinë në Shkodër që t’i dorëzonin memorandumin e përgatitur nga ai vetë në vitin 1918, komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me L. Gurakuqin dhe P. Gjergj Fishtën, harton një peticion të nënshkruar nga 200 përfaqësues të tre bajrakëve, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër, organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur: “Hot e Grudë ishin betue, Pa gjak malet mos me i l’shue”.

Në takimin që formoi grupin “Ora e Maleve”, nga fillimi i vitit 1923, merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve. Ishte bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, sëbashku me Ernest Koliqi të shoqërisë “Rozafat” dhe Zef Harapi e shoqërisë “Bogdani”

“Kur kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës, nuk kam pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë”, dëshmon nxënësi i tij P. Zef Pllumi.

Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte L. Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e Qershorit, me fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për do kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”. Botime të tija i gjejmë edhe në gazetat “Posta e Shqypnisë” dhe tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Gjatë vitit 1936 dërgohet në Korçë i kërkuar nga intelektualët e atij qyteti tek P. Fishta, si i njohur që ishte në shkallë kombëtare për shprehinë e tij të zhdërvjellët për një kuvend mbi vlerat, parimet, kulturën e krishterë dhe atdhetarisë. Më 1937 kreu shërbimin e fundit si famullitar në Bajzë të Shkodrës.

Përveç artikujve dhe studimeve në fushat e kulturës, artit, filozofisë dhe sociologjisë Atë Anton Harapi ka botuar edhe librat Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet (Shkodër 1925), Vlera shpirtërore (Shkodër 1936) dhe romanin psikologjik Andrra e Pretashit që më parë u botua në vazhdime në revistën Hylli i Dritës (1933-1940). Si vepër e plotë posthume u ribotua në Romë më 1959. Në vitet e fundit fondacioni Hylli i Dritës ka botuar një vëllim me veprat Vlera shpirtërore, Andrra e Pretashit dhe Valë mbi valë, që mund të porositet prej Kuvendit françeskan në Tiranë.

Siç ka vënë në dukje studiuesi Shpend Shpata, Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet është përkthim e veprës së pedagogut A.Herget, të cilin Anton Harapi ka ditur ti përshtasë moshës së re shqiptare, duke pasuruar pedagogjikën shqiptare me elemente të pedagogjisë botërore.

Vepra e dytë e Harapit, Vlera shpirtërore, ka pasur si qellim të dëshmonte se besimi katolik nuk është kundër diturisë e përparimit, as kundër aspiratave të njeriut, as kundër ndjenjave kombëtare.

Kryevepra e Anton Harapit, Andrra e Prekashit, i kushtuar bashkëveprimtarit të tij të dashur Luigj Gurakuqi, ka vlerë të madhe dokumentare, etnografike, psikologjike dhe filozofike mbi jetën dhe idealet e shqiparëve të krahinës së Grudës, ku Harapi shërbeu si famulltar në vitet 1918-19. Në këtë vepër ai jep pamje nga jeta e tyre të përditshme por synimi i tij kryesor ka qenë thjesht kombëtar: fiset e Hotit dhe të Grudës, t¨mbetura jashtë kufirit politik të sotëm, janë thjesht shqiptare. ”Me veprën e përvuejtë të virtyteve shqiptare do ta ngrehim madhinë e kombit tonë” shkruan Harapi.

Me pushtimin e italianëve, Gjon Marka Gjoni ngarkohet nga paria e Shkodrës që të shkonte të bisedonte me kontin Çiano, më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe përkthyes ishte Patër Antoni.

Si njëri nga krerët e dërgatës së asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë Kushtetuese të Tiranës Pavarsinë e Shqipërisë, flamurin, gjuhën, shkollat… Në prill të vitit 1940 bëhet pjesë e Institutit Mbretëror të Shkencave dhe në vitin 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhërit Françeskan në Shqipëri.

Pas kapitullimit e Italisë, Mehdi bej Frashëri i propozon për t’u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Lartë të Regjencës. Duke qenë e papërputhshme me të qenurit e tij klerik, ngase mund ta çojë në firmosjen e dënimeve me vdekje, dhe se duhej leja e eprorëve, Harapi nuk e pranon ketë detyrë. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i jepte leje At Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Padër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte antar i Këshillit të Regjencës, por me kusht që mos të nënshkruante asnjë vendim vdekjeje.

Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, shprehej kështu: “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.

I plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher shkruan te Kujtimet e tij me vlerësim të madh për P. Antonit. Ishte fundi i qershorit të 1944 kur Nojbaher i hipën avionit për të fluturuar drejt Beogradit dhe At Antoni që i thotë se: “nuk mund ta duronte më politikën” dhe vajti me të.

Pas disa javësh qëndrim në Vienë e Tirol kthehet në Shqipëri.

Me arrdhjen në pushtet të komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, Lef Nosi, shkojnë në Shkodër dhe strehohen për disa ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin vetëm dy shtëpi.

Më 6 apo 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, Anton Harapi shpallet kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen duke mbetur pa varr.

I tillë ishte fundi i këtij kleriku, i tillë fund që do të nënshkruhej me gjak e me hekur nga komunizmi ndaj gjithë klerikëve, kësaj pasurie të gjatë dhe këtij visari vlerash dhe kontributesh. Ata ikën me Krishtin në gojë e Atdheun në zemër për të mbetur të përgjithmonshëm në kujtesën dhe detyresën për mirënjohje të gjeneratave./ KultPlus.com

Lamtumira pa lavdi e Fatos Arapit, poetit që lavdishëm i thuri hymne dashurisë

Albert Vataj

Më 11 tetor 2018, ndaloi zemra e Fatos Arapit, poetit që i mëkoi vargje përjetësie jetës, fjalë shpirti dhe rrahje pulsi dashurisë dhe atdheut. Sendërtoi tempullin e lartë fjalës poetike, me një ngulmim të thellë përjetimi, me atë ritëm dhe muzikalitet që është dhe do të mbetet melodike në ëndjen dhe dëshirimin tonë për dehje.

Poeti Fatos Arapi vdiq, pas një “vdekje” të vullnetshme pranie publike, e cila vjen me modernitetin përmes një mobilizimi mizor për të përjashtuar ata që shenjtëruan fjalën e shpirtit dhe lartësuan ndjenjën e përjetimit, dhe kurorëzuar tiranë në mbretërinë e hireve të komunikimit poetik. Erdhën ata, poetët e rinjë, ata që dilnin nga honet e narcizmit dhe mediokritetit, ata që cingërisin medieve për të zënë I’u dha lamtumirës, ashtu modestisht siç edhe jetoi, ashtu pa bujë e ceremoniale. Ndërroi banesë duke pranuar të ishin me të në këtë udhë të mbramë vetëm ata që vërtetë e deshën dhe e vlerësuan, ata që ju gjendën në të gjallë e nuk munguan në të sosur.

Nuk mundet kurrsesi të gjithëpranohej që një poet t’i jepej një ikje kaq tinzare sa kjo e Fatos Arapit, një lamtumirë me kaq pak ndere dhe respekt, një fashitje prej gjërave të të sotmes, kaq shqiptare.

Politika, e cila bëri lajmësin e keq, më mirë se ç’duhej, pati paftyrësinë të bënte edhe mënjanësin e një detyrese që kishte për Fatos Arapin, për poetin që mëkoi shpirtin e një epoke.

Ai, Fatos Arapi meritoi diçka më shumë se sa ju ofrua si e mbramja mundësi e vlerësimit dhe mirënjohjes. Nuk duhej lënë të ikte pa marrë me vete diçka që ishte e tija, përulësinë e një gjenerate që u dashurua dhe dashuroi me vargjet dhe lirikat e tij. As lule, as kurora, as marsh funebër, as kamera e as… asgjë, çfarë i detyrohet bujarisht çdo shoqëri baltimit të një shpirti në pragun e përjetësisë. U thanë fjalë ashtu me turravrap ditën e kobit. Nuk mungoi askush në këtë poter morte, madje as ata që nuk i’a kishin haberin se kush ishte ky Fatos Arapi. Shpengoi secili gojtarinë e vet, cakut të hidhërimit. Hapën syndyqet e kujtesës zejtarët e shtirjes dhe manipulimit, e lotin e teren në pendesën e fjalëve të pathëna. E nisën dhe e mbarun ditën e përmortshme me përshpirtje dhe ikën, duke marrë me vete atë grush dhe që dot s’ia hodhën mbi qivur.

E megjithatë ai iku, duke na lënë veprën si amanet i shpirtit që e farkëtoi me kaq përkushtim dhe ndjenj. Iku për të mbetur ai që njohëm përmes vargjeve, Fatos Arapi, poeti i dëshirueshëm, shpirti që mëkoi në çdo kraharor ëndrrën dhe dashurinë.

Iku një poet bashkë me gjethet nën renë e këtij qielli tetori, për të lënë te secili nga ne pengje të një ëndrre që do të na mbetet vetëm poezi.

Poet, të qoftë dheu i lehtë, e kujtesa e pashuar! Meritofsh shpërblimin e dritës së parajsës, shkrepëtimat e së cilave i ndeze me shpirtin tënd në poezinë që mbolle në ëndjet tona.

Poetë të kalibrit të Fatos Arapit vetëm vijnë, siç ai erdhi, për të mbetur te secili nesh, me fjalën e hirshme dhe shpirtin e ngrohtë, me tamëltimin dëshirues të pasionit dhe meditimin shkundullitës, të ngjitjes së fjalës dhe poezisë, lart, lart në Panteon, aty ku t’u ligjërojë gjeneratave dhe t’u thuri hymne pavdekësisë, përmes magjisë së pasionit./ KultPlus.com

Si s’të desha pak ma shumë

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”./KultPlus.com

Nuk mbyllem dot

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com

Mos eja në ëndërr

Poezi nga Fatos Arapi

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime

Nuk je Safua me zemër të brishtë.-
Ngopur me vdekjen e dashurisë
gjer në grykë, jam!
Edhe në gjumin e vdekjes
trembem nga britma ime
për ty.

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Mos e bëj shakanë e mbrëmshme.

Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?/ KultPlus.com

Deti

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije, që e qepte vetë gjyshja…

Ashtu, darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohte me rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjera të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhe – aradhe

Turfullonin

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë,
jelet e hakërryera dallgë-dallgë fushën e diellit fshinin.

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshpëronin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë…

Sytë u flakëronin.
Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.
Kur ja, me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjera të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…/

S’kam fuqi më as të trishtohem

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com

Po trokas në zemrën tënde

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Motiv arbëresh
Po trokas në zemrën tënde
hapma derën,zonja ime!
Kaloj pragun e hyj brenda…
Dua që të kem mbi krye
hapësirën erë yjesh;
të shikoj rrëketë qiellore
se si lozin gjithë dritëza
burimit të syrit tënd.
Dhe si luftëtar i varfër
që të mbështet kryet mbi gurë,
gjer të nisë lufta prapë,-
dua kokën ta mbështes
mu në gjoksin tënd prej dielli…

dhe të marr, moj, një sy gjumë./KultPlus.com