Sfida me artin, anatemimi i Alije Vokshit dhe mungesa e kritikës

Alberina Haxhijaj

Në Galerinë Kombëtare sot është mbajtur paneli i dytë diskutues “Arti feminist në Kosovës-tabutë dhe sfidat” në kuadër të ekspozitës “Perceptime: Burrneshat”. Ky panel u moderua nga Zana Hoxha ndërsa në të morën pjesë artistja Arbana Hajredinaj, artisti Lorik Sylejmani si dhe themeluesja e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti.

Vepra më e vjetër nga artistet kosovare e ekspozuar të “Burrneshat” është portreti “INA” nga Alije Vokshi. Artisti Lorik Sylejmani i cili artisten Vokshi e ka teze, solli për të pranishmit një histori të shkurtë të rrugëtimit të kësaj artiste e cila për shkaqe shëndetësore nuk arriti që të ishte e pranishme. Rrugëtimi i saj dëshmon rëndësinë që ka mbështetja e familjes, neglizhencën e institucioneve ndaj kësaj artiste si edhe arsyet prapa mungesës së artisteve, grave të përfaqësuara në art.

E lindur në një familje të shkolluar, Alije Vokshi njihet si artistja që merr rrugën për në Beograd për të përfunduar studimet, gruaja e parë që voziti makinë në Prishtinë, të cilën në protestat e 81-shit e vendosi para ushtrisë serbe si barrikadë për të mbrojtur studentët e saj dhe të tjerët që protestonin. “Një burrneshë e kohës së saj”, thekson Sylejmani. Një grua e cila nuk e kalonte kohën e mbyllur në atelienë e saj për të punuar, por që udhëtoi nëpër fshatra të Kosovës e veçanërisht në Dukagjin, për të portretizuar rrudhat dhe çdo pjesë të fizionomisë së shqiptarëve të asaj anë.

Sylejmani theksoi se artistja Alije Vokshi ka mbetur një emër i panjohur për shumë njerëz, pasi që ajo ka qenë e anatemume nga kolegët e saj në fakultet, por edhe jashtë këtij institucioni. E vetmja herë kur ajo ka pasur një përfaqësim të denjë ka qenë ekspozita me rastin e 50-të vjetorit të karrierës së saj, kuruar nga vet Sylejmani. Vokshi e cila ka pasur ekspozita jashtë vendit ku gëzoi respekt, e sidomos në Paris, në Kosovë ajo edhe në monografinë e parë nuk është paraqitur denjësisht, duke e shtuar pranë emrit të saj një fotografi bardh dhe zi.

Artistja Alije Vokshi

“Ajo zgjedhet studente e dalluar në Beograd, ndërsa specializimin e përfundon në Paris. Kur kthehet në Kosovë fillon punën si asistente në Fakultetin e Arteve dhe aty fillojnë peripecitë nga ana e kolegëve. Ajo me gjithë atë bagazh dhe punë të cilën e ka pasur, anatemohet deri në skajshmëri, pasi që kishte mendime të kundërta dhe për 16 vite e lënë si asistente për shkak të bindjeve të saj. Ajo ka qenë edhe është një nga personat që veçohet si person shumë i drejtë dhe kjo edhe i ka kushtuar. Në fakultet ka punuar deri 5 vite më parë kur edhe ka dalë në pension”, tregoi Sylejmani duke theksuar se artistja edhe pas pensionimit ka vazhduar punën e saj deri së fundi, kur i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

I rritur në një familje të shkolluar ku gratë ishin të shkolluara dhe kishin studiuar në fusha të ndryshme, përmendim këtu se nëna e artistit ka studiuar për gjuhën angleze, Sylejmani thekson se nuk e ka ndjerë dallimin gjinor në familje të tij dhe kjo e ka bërë që edhe të mos bëjë ndarje të tilla as në shoqëri. Sipas tij, në esencë të gjithë i kanë problemet e njëjta si gratë ashtu edhe burrat, mirëpo janë disa ura të cilat duhet që ti kalojnë për të arritur deri të një qëllim. Ai u shpreh se disa mund ti konsiderojnë gratë si më të brishta, mirëpo, sipas tij ai ka takuar gra që janë më burra sesa vet burrat në kuptimin intelektual, qasjes edhe shtytjes profesionale. Mirëpo, sa i përket grave dhe punës së tyre në art ai është shprehur se në Kosovë nuk ka ekzistuar një lëvizje e artit feminst, mirëpo ka artistë të cilat përmes punëve të tyre kanë prekur këtë aspekt, duke përfshirë këtu edhe artistet pjesëmarrëse të ekspozitës “Burrneshat”.

Në mesin e tyre është artistja Arbana Hajredinaj e cila ishte e pranishme në panel. Ajo përmes videos “30%” paraqet pozitën e grave, përfaqësimin e tyre në politikë, mirëpo shkon edhe përtej kësaj. Një punë që ka ardhur pas rastit në Parlamentin e Kosovës ku një deputet e ofendon një deputete.

“Vizatimi i fytyrave të ndryshme është e lidhur edhe me aspektin psikologjik por edhe politik sepse fatkeqësisht ajo fyerja në Parlament ka ndikuar negativisht në aspektin psikologjik të unë. Që nga ai momente nuk i kam dëgjuar seancat parlamentare deri sot, ku është në pyetje buxheti për institucionin ku unë punoj”, tregoi ajo duke theksuar se arti i saj është i fokusuar në tema sociale dhe në aspektin psikologjik. E tillë ka qenë edhe piktura e saj e parë e cila prek temën e braktisjes së fëmijëve të lindur nga gratë e dhunuara të Kosovës gjatë luftës, pikturë e cila akoma ngjallë emocione dhe e prek shumë artistën sa herë që diskuton për të.

Galeria Kombëtare e Kosovës- 30% nga Arbana Hajredinaj

Në anën tjetër themeluesja e KultPlus-it, gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti për të pranishmit tregoi se në fillim të punës së saj ajo ishte korrespondentja e vetme grua nga Gjilani, mirëpo kjo nuk e ka bërë që ta shoh këtë si pengesë, pasi që është bazuar çdo herë vetëm te puna. Madje,  një ndarje të tillë ajo nuk  e bënë edhe sot,  duke theksuar se në KultPlus lexuesit do të gjejnë njerëz të suksesshëm dhe që japin shumë për artin,  e të cilët nuk promovohen vetëm për shkak të gjinisë së tyre. Sipas saj, fakti që kultura zë vendin e fundit në lajme dhe vendoset në faqet e fundit të gazetave tregon më së miri për hapësirën që i jepet kulturës. “Konsiderojmë që KultPlus ka vendosë një standard të ri në mediet në Kosovë, pasi që profilizimi i KultPlus ka ndikuar në mënyrë direkte për një qasje tjetër ndaj artistëve dhe punës së tyre”, ka thënë ajo.

 Pajaziti, duke iu referuar të kaluarës,  atëherë kur edhe kishte pak gra nëpër medie, ka përmend faktin se tashti, për dallim prej atëherë, shumë prej medieve udhëhiqen nga gratë, por edhe numri i gazetareve nga vajzat dhe gratë është dukshëm i madh.

Në këtë panel është diskutuar edhe për mungesën e kritikës mbi artin, ku Pajaziti ka treguar edhe qasjen e saj mbi këtë cështje.

 “Jemi shumë të hapur për të pasur kritikë,  mirëpo jo nga gazetarët,  pasi që ata nuk mund të jetë kritik,  përderisa nuk kanë një shkollim adekuat për këtë. Kemi pasur herë pas herë interesim , mirëpo mungesa e financave e pamundëson pagesën e kritikëve, për të cilët kemi shumë nevojë, pasi që kritika e bënë një filtrim se çfarë është e mirë dhe çfarë jo. Ne jemi të hapur për të publikuar kritika, mirëpo duhet të jenë emra kredibil e që e dëshmojnë punën,  dhe jo për aso kritika që i përdorin vetëm për inate personale e që sjellin konflikte,  dhe të cilat nuk ndikojnë në të mirë të kulturës. Mirëpo, pavarësisht faktit se në KultPlus nuk kemi të kontraktuar ndodnjë kritik arti, vet promovimi i kulturës, prezantimi i emrave të suksesshëm në art ka bërë diferencën,  dhe në të njëjtën kohë ka orientuar lexuesit rreth zhvillimeve në vend e më gjerë” u shpreh Pajaziti.

Aktiviteti i radhës është me 5 shkurt duke filluar nga ora 10:30 në GKK, një diskutim dhe kafe së bashku me artisten Rudina Xhaferi. Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” si dhe diskutimet që po zhvillohen janë rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com