Piktori, Arben Kurti hap ekspozitën e radhës me qindra piktura të peizazhit natyror

Në hollin  e Pallatit  të Kulturës “Sadi Halili” të Librazhdit është çelur të këtë shtunë ekspozita e piktorit të mirënjohur  Arben Kurti ku të  pranishëm ishin me qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme,  piktorë , artistë si edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ,Arbjan Mazniku , Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën ,Taulant Balla, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ,Bora Muzhaqi ,Kryetari i Bashkisë Librazhd ,Mariglen Disha. si edhe personalitete të tjera të shquara vendase e të huaja.

Vizitorët e shumtë dhe ministrat i vlerësuan  pikturat e ekspozuara dhe i cilësuan ato  jashtëzakonisht të bukura .Pejsazhet e mrekullueshme të natyrës të sjella në piktura në këtë ekspozitë ishin mjaft mbresëlënëse për vizitorët .Vetë piktori Arben Kurti  e cilësoi hapjen e ekspozitës në hollin e Pallatit të Kukturës , “Sadi Halili” si një moment të rëndësishëm për karrierën e tij në këtë fushë të cilës ai i është përkushtur që kur ishte 5 vjeç.Rregullisht kam filluar të pikturoj  që nga mosha 10 vjeç tregon piktori Arben Kurti.

Në klasën e 5 -të  në vitin 1980 u regjistrova në kursin e pikturës pranë  Shtepisë së Pionierit në Librazhd  .Aty hodha hapat e para dhe mjaft të sigurta drejt të ardhmes dhe merita është e profesorit të pikturës ,Sami Roçi.Që nga ajo kohë  nuk  i jam ndarë  pikturës  , por edhe piktura nuk më është ndarë më kurrë mua. E them

me shumë sinqeritet që nuk mund të rri dot pa pikturën. Prindërit e mi ,sidomos nëna ime ,Lytfie Kurti më ka mbështetur fuqishëm dhe ka sakrifikuar shumë që unë ta ndiqja ëndrrën time .

Konkurova në vitin 1984 për në shkollën artistike por  nuk fitova edhe pse isha cilësuar ndër më të mirët mes konkuruesve .I trishtuar dhe i lënduar shpirtërisht që nuk arrita të siguroja mundësinë e shkollimit në degën e pikturës ,qëndrova edhe një vit në shtëpi dhe vijova përgatitjet  për të qenë i suksesshëm  vitin tjetër dhe konkurova në Liceun Artistik të Tiranës por edhe atje nuk fitova për dy pikë. I zhgënjyer nga mungesa e seriozitetit të jurisë në vlerësimin real të konkuruesve  hoqa dorë nga përpjekjet për të studiuar për pikturë dhe u rregjistrova  në  Gjimnazin ” Ibrahim

Muça” të qytetit të Librazhdit , një gjimnaz i cili ka nxjerrë personalitete të shumta  në çdo fushë ndër vite .Gjatë kohës së Gjimnazit   kisha vështirësi në gjetjen e bazës materiale por gjithmonë më ka qëndruat pranë dhe më ka ndihmuar shumë profesori im i nderuar ,piktori Sami Roci. Me ndryshimin e sistemit , pas vitit 1990 sigurimi i bazës  materiale nuk ishte më problem dhe puna ime me pikturën ka ecur shumë mirë .Gjatë periudhës pas përmbysjes së sistemit komunist krahas ushtrimit të  aktivitetit privat , diplomimit në Ekonomi ,natyrisht i jam përkushtuar edhe pikturës çdo ditë në kohën e lirë. Shpesh herë punoj  edhe natën , madje jo rrallë edhe deri në orë 5 – 6  të mëngjesit kur  gjatë ditës  nuk gjeja kohë.

Vitet e fundit i jam bashkuar  Kolonisë  së Piktorëve me të cilët kemi qenë në aktivitetet e zhvilluara disa herë në Pogradec ,në Maliq, në Korçë ,”Ditet e Mios” dhe kudo në Shqipëri dhe jashtë saj . Ndërkohë që rrjetet sociale na kanë mundësuar  që të prezantohem me disa Portale Arti nga të cilët kam marrë  vleresime pozitive nga qindra  piktorë , koleksionistë pikturash dhe dashamirës arti nga Shqiperia dhe jashtë saj.Kam qene i ftuar nga mjaft koloni piktorësh  që janë  organizuar në Shqipëri dhe jashtë  saj.Jam ndjerë mjaft mirë me pikturën dhe kam

hapur dhjetra ekspozita jo vetëm në Librazhd ku jetoj, por  edhe në Kryeqytet dhe qytete të tjera.Piktori Arben Kurti gjatë gjithë karrierës së tij ka preferuar  më së shumti  ti përkushtohet hedhjes në telajo të natyrës piktoreske e të mrekullueshme të fshatrave të Librazhdit  dhe jo vetëm .Në dukje pikturat e tij janë shumë të thjeshta por janë edhe shumë  origjinale.

Shumica e tyre  janë një abstragim i ëmbël i natyrës dhe i shumëllojshmërisë së bukurisë së trevës së Librazhdit ku fshatrat Dardhë, Steblevë, Xhyrë e Lugina e Shkumbinit janë dashuria e tij më e madhe .Piktori Arben Kurti  është padyshim piktori i  peisazheve natyrore më të bukura të Shqipërisë.  Natyra e bukur e ka “përndjekur” artin e tij gjatë gjithë karrierës si piktor.Stilet e pikturimit janë të ndryshme , por piktori librazhdas Arben Kurti krahas pejsazhit, preferon edhe portretin dhe gjini të tjera të artit.

Por në më të shumtat e ekspozitave ai ka zgjedhur të paraqitet para publikut, kryesisht me peisazhe. Gjithsesi, ky lloj kufizimi në këtë gjini, kompensohet nga larmia e teknikave të përdorura prej tij në punime në vaj, akuarele, grafikë ku motivet  dhe ngjyrat duken gjithmonë origjinale.Punimet e tij në pikturë janë kryesisht të përmasave mesatare por nuk mungojnë edhe ato me përmasa të vogla e të mëdha.Ndërsa stilet e pikturimit janë në raste të veçanta edhe të ndryshme dhe  piktori librazhdas  krahas pejsazhit  ,preferon edhe portetin  dhe  gjini të tjera të artit.

Në të ardhmen e afërt ai ka planifikuar hapjen e ekspozitave të tjera me piktura të reja me pejsazhe nga destinacionet më të bukura turistike të Shqipërisë. Për ekspozitën e rradhës ai ka kohë që e ka filluar punën dhe dëshiron që ajo të jetë një ekspozitë speciale ku do të ftohen edhe mjaft miq e kolegë piktorë vendas e të huaj .Është për tu vlerësuar fakti që pikturat e pejsazhit të artistit librazhdas Arben Kurti  janë vlerësuar në shumë vende dhe janë bërë pjesë e koleksioneve të artit nga dashamirësit e pejsazhit .Dhe me të drejtë të gjithë piktorin Arben Kurti e identifikojnë me nofkën e këndshme “Piktori i Pejsazhit”./balkanweb/ KultPlus.com

Dhe kur zemra të të rënkojë, mos u dorëzo…

Poezi nga Arben Duka

Dhe kur zemra të të rënkojë si traktor i vjetër,
E tym të të shpërndajë ngado,
Dhimbje zinxhirësh ti do kesh patjetër,
Por ti mos ik, dhe mos u dorëzo!

Dhe kur këmbët të të rëndohen porsi shkëmbi,
Dhe një hap të mos hedhësh dot si njeri,
Dhe kur gjer në shpirt dhimbja të të dhëmbi,
Ti mos u dorëzo, përsëri!

Edhe kur mesin të ta shtrëngojnë gjarpërinjtë,
Dhe të të kafshojnë e helmojnë ngado,
Dhe kur trupi të të ndizet si thëngjijtë,
Ti prapë mbahu, e mos u dorëzo !

Edhe kur koka të të gjëmojë si tërmeti,
Si miliona djaj të mbledhur ngado,
Sikur nga gjithçka të të mbetet veç skeleti,
Ti mbahu fort, dhe mos u dorëzo!

Kur të japësh dhe frymën e fundit,
E veç një grimë ajri të kesh në mushkëri,
Ti mos u jep prej lodhjes dhe mundit,
Dhe mos u dorëzo, përsëri!

Edhe kur të ta fusin trupin në tabut,
Dhe të të mbulojnë paq me dhè të zi,
Ti prapë thuaji vdekjes : – Ç’më ha një mut !
Mos u jep, dhe kthehu përsëri!

Pse policët serb i kishin mëngët e këmishave të gjata?

Arben Kastrati

Prishtina është vendbanimi më i shëmtuar që njeriu ka ngritur ndonjëherë, që nga fillet e ekzistencës së tij. Vetëm qytet nuk mund të quhet, e është kryeqytet. Prishtina është më e shëmtuar se vet fjala shëmti. Nuk ekziston mënyrë për t’a përshkruar shëmtinë e qytetit. Kërkohet dhunti dhe imagjinatë pjellore, për t’a përshkruar, e një afinitet i tillë përshkrimi letrar, nuk ekziston. Gjendjen e qyteteve tjera, as nuk e marr tundimin t’a shpjegoj.

Që kjo shëmti të degradoj dhe më shumë, u përkujdesën tanët, saktësisht, interesat e njerëzve të varfër. Ne paskemi qenë një tërësi e varfër, një tërësi e varfër shumë. Në lirinë tonë, e shpërfytyruan qytetin deri në atë masë, sa që tërësisht ia humbën identitetin; Prishtina nuk njihet më.

****

Brenda kësaj shëmtie, brenda këtij shpërfytyrimi rronë dhe njerëz të lumtur. Karakteristikë e njerëzve të lumtur që rronë në qytet, është mbidoza e naivitetit me të cilën karakterizohen.

Nuk ka arritje më të madhe për varfanjakët (e së shkuarës) se të rrojturit në qytet, aty ku primitivizmi është instaluar dhe është bërë normë jetese. Aty ku sot, sundon anarkia, kjo kënaqësi varfanjakësh.

Varfanjakët e dikurshëm, që erdhën në qytet me filozofi zvarranikësh, tani janë sundimtarë të pasur. Qyteti është mbushur me njerëz të mjerë, me njerëz të lumtur (mjerimi dhe mungesa elementare e dijes i bënë të lumtur). Varfanjakët e dikurshëm e kanë zaptuar qytetin dhe sundojnë pa mëshirë. Jemi dëshmitarë të primititivizmit kulmor, pislliqeve, dhunës, amoralitetit, egërsisë dhe pashpjegueshmërisë për t’u udhëqehur nga marria. Jemi dëshmitar të anomalive nga më të pabesueshmet.

Në këtë qytet, qytet i thënçin, vetëm qytetari nuk ka.

****

Sunduesit e tashëm, varfanjakët e dikurshëm, etrit e pasur të fëmijëve të çmendur të së sotmes, sapo i takonin policët serb që patrullonin në rrugë, ju afroheshin, i tërhiqnin për mëngësh dhe me një servilizëm të paparë ju luteshin: “Sedi pij nesto” (Ulu pi diçka). Dhe nuk dorëzoheshin deri sa policët serb të uleshin dhe të konsumonin gjithë ç’dëshironin. Nga insistimi i vazhdueshëm që varfanjakët i bënin policëve serb, duke i tërhequr, ua zgjasnin mëngët e këmishave.

Varfanjakët vetëm dinjitet nuk kishin. Mungesë dinjiteti kanë edhe sot. Siç kanë mungesë ndërgjegjjeje. Janë në gjendje të shkatërrojnë çdo gjë për interesa individuale.

Duke e ditur që vetëdijësimi është diçka e huaj për këtë soj sundimtarësh dhe s’ka për t’u bërë pjesë integrale e tyre, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, degradimi do të vazhdoj dhe më tej. Deri ditën kur vet varfanjakët, do të largohen nga ky vend, të pasur. Se nuk do të mund të rronë në një vend të shkretë si ky.

Deri atëherë, do të duhet të tolerojmë dhe bashkëjetojmë me varfanjakët e dikurshëm, fëmijët e tyre dhe mungesën e zbatimit të ligjeve për atë kategori.

Trimat e së shkuarës, ata që “strehoheshin” nga dy policë serb (se frikë nuk kishin, tamam puna, se shqiptar dhe frikacak nuk ka), që mbanin rregull në një qytet të tërë, e kanë bartur trimërinë e tyre tek brezat pasardhës. Fëmijët e këtyre jargësve, janë sundimtarët e rinj të qytetit. Ata sundojnë me egërsi të paparë dhe janë mjerimi i ri.

Ashtu si dikur, banorët e sotëm vetëm brenda mureve të ndërtesave, përjetojnë një lloj lirie të shëmtuar. Brenda atyre mureve, banorët e qytetit, vazhdojnë të rronë të poshtëruar.

Mungesa e zbatimit të ligjeve, e ka bërë jetën në qytet, të pamundur. Mungesa e zbatimit të ligjeve, e ka bërë jetën në qytet, parajsë për këtë brez të mjerë.

Ikja është domosdo, për të shuar dhimbjet./ KultPlus.com

Ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së akademikut Arben Puto

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 100-vjetorin e lindjes së juristit, politologut, akademikut Arben Puto (1924-2016), çeli dje ekspozitën e cila sjell në vëmendje të lexuesit gjithë kontributin e tij në fushën e drejtësisë, të historisë dhe të diplomacisë shqiptare.

Arben Puto lindi në Gjirokastër. Ndoqi Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe pas mbylljes së tij vijoi në liceun “Châteaubriant” në Romë. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit përfundoi shkollën e mesme në Gjimnazin e Tiranës (1946) dhe kreu studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Moskës (1951).

Punoi në sektorin juridik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (1951–1957). Pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (1957–1990), ku ka dhënë lëndën e së Drejtës Ndërkombëtare. Ka marrë pjesë aktive në proceset demokratike pas viteve 1990, duke kryesuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit që nga krijimi (1990) dhe me ndërprerje deri në vitin 2000.

Kjo ekspozitë prezanton botimet e prof. Arben Puto ndër vite për çështjen e të drejtës, për historinë diplomatike të çështjes shqiptare, në shqip, anglisht dhe frëngjisht që ndodhen në koleksionet e BKSH-së.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së./atsh/ KultPlus.com

Të burgosurit politik nga vitet e 70’ta e deri në kohën e burgut të Dubravës mbrëmë “folën” në “Ora e Vdekjes”

Uranik Emini

Ndonjëherë, bota reale ofron narrativat më bindëse. “E vërteta është më e çuditshme se trillimi”, dhe skena mund të jetë vendi i përsosur për të treguar këto histori, pasi gjallëria shpesh shton një legjitimitet dhe element personal në shfaqje. Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm i historive të vërteta kanë hyrë në botën e teatrit, si dhe histori që pyesin se çfarë do të thotë të imagjinosh të vërtetën. Shfaqja “Ora e vdekjes” i ofroi publikut të mbledhur në Burgun Muze të Prishtinës një realitet të trishtë të të burgosurve politikë nga Shqipëria dhe Kosova nga vitet e 70-ta, deri në kohën e burgut të Dubravës, nga torturat e përditshme deri në vrasjet masive të njerëzve, shkruan KultPlus.

Njerëzit po pritnin që për herë të parë të vizitonin e të shihnin nga afër një shfaqje në Burgun Muze të Prishtinës, për të cilin para dy viteve ishte marrë vendimi që të shndërrohet në një muze.

Errësira, rikthimi në kohë dhe emocionet e frikës, si të ngulitura në kokën e shqiptarëve pushtuan të gjithë të pranishmit në muze, kur edhe nga hyrja e burgut u dëgjuan zërat e aktorëve të vendosur në qeli që po kërkonin ujë, njëri kërkonte bukë dhe madje kishte nga ata që donin të goditeshin me grusht, sepse kishte mall të rrihej dhe i dukej e çuditshme të kalonte një kohë të gjatë pa u rrahur.

Dy botë, shumë burgje e akoma më shumë shqiptarë të vrarë.

Gjatë diktaturës në Shqipëri, burgjet janë cilësuar pa dyshim si “hyrje në portat e ferrit”, një realitet i trishtë, rrëqethës dhe plot tragjedi mizore që paraqet edhe krimet e mëdha të asaj kohe kundër njerëzimit. E këto histori, aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti nën regjin e Ilir Bokshit dhe dramaturgët Ulpianë Maloku dhe Agnesa Mehanolli i prezantuan në mënyrë brilante me humor që në brendësi prezantonte torturat më të çuditshme, por që në realitet ato ndodhën, tortura që në rend të parë lanë pasoja të pariparueshme, dhe plagë që dhembin edhe kur qëllimi juaj i vetëm është përkëdhelja e tyre.

Edhe në Kosovë, gjatë kohës së pushtimit serb, në burgun e Dubravës vazhdimisht ideja parësore ishte transferimi i të burgosurve në burgjet e Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë (rreth viteve 1998, atëherë kur edhe NATO po bombardonte çarqet serbe). E gjitha kjo ndodhi pasi Serbia planifikonte gjithnjë që të burgoste sa më shumë të rinj shqiptarë nëpër burgje dhe të gjithë ata që ishin kundër regjimit, të vdisnin me pretekstin se nuk ishin të sjellshëm në burg, thyen rregullat ose edhe u lanë aty përgjithmonë, pasi ideali i tyre e lufta për liri përkonte në kundërshtim me atë që Serbia kishte në plan, e që ishte pikërisht pushtimi i Kosovës.

Pamja nga jashtë, e rrejshme nga brenda

Gjatë shfaqjes, Fatmiri nga Kosova (Adrian Morina) dhe Fatmiri nga Shqipëria (Arben Derhemi) gjenden në një situatë jetë a vdekje, në një urë që po gjuhej me armë nga pushtuesi serb, e Fatmiri nga Shqipëria kërkonte që të gjuhej në urë, ndërsa Fatmiri nga Kosova, i cili nuk dinte notë, i siguronte “homologut” të tij që kërcimi është ide e gabuar dhe në ujë është më lehtë të vdesësh.

Fatmiri nga Kosova dhe dashuria e pashtershme dhe shpesh herë e lindur natyrshëm për liderin e asaj kohe, Enver Hoxhën, e kishte detyruar atë që të vinte në Shqipëri vetëm e vetëm për të plotësuar ëndrrën e tij më të madhe, ta shihte nga afër dhe të besonte se figura e “ndritshme” e kombit shqiptar, Enver Hoxha ekziston në të vërtet.

Këtu fillon edhe polemika e madhe, kjo pasi Fatmiri nga Shqipëria ishte larguar nga ai vend, pasi aty po ndodhnin krime kundër njerëzimit për të gjithë ata që ishin kundër partisë së punës, madje edhe për ata që princip të jetës kishin punët e veta. Me shumë të shara, me shumë polemika, të dy u kapën nga regjimi serb, për të përfunduar në burg.

“Molla e ndaluar”

Një tjetër rast i pashpjegueshëm dhe ideja se ka ndodhur në të vërtet, të bën të çmendësh me atë se çfarë kanë kaluar shqiptarët nëpër kohë, e sidomos torturat që kanë kaluar të burgosurit nëpër burgje të regjimit.

Tefta Tasi e luajtur mjeshtërisht nga Albulena Bokshi, paraqet historinë e vërtet të një mësuese shqiptare, e cila ishte dënuar për arsye se kishte sharë mollat e “shtetit”, mollat e “Enverit”, e ky paraqet një krim, që sipas trupit gjykues, duhet të dënohet me 45 vjet, 35 në qoftë se pranon “fajësinë”.

“Fakti që kemi ardhur në burg e ka bërë shumë të veçantë shfaqjen. Fillimisht ka qenë e vështirë për tu ambientuar, për shkak të ndjenjës që ta jepte burgu, teatri është i vështirë por kjo është tjetër nivel”, thotë aktorja Albulena Bokshi në një intervistë për KultPlus, derisa rrëfen edhe gjithë procesin e provave, kalimit nga “kutia e teatrit” te realiteti i burgut.

“Këtu të kap një far tmerri. Ditën e parë kur kemi ardhë ka qenë edhe z. Emin, i cili ishte gjithashtu një ish i burgosur politik dhe na tregonte rrëfimet që kishte përjetuar, jo vetëm ai, por edhe shokët. E kam pasur problem ta kapërcej këtë tmerr për të ardhur deri te loja që e kemi sjell sonte. Ndjenjë me të vërtet e veçantë të performosh e të merresh me tema tona që shumë shpesh i kemi lënë pas dore. Nuk mund të them që nuk janë bërë shfaqje, por është bërë pak në drejtimin e tmerreve e historive të shqiptarëve”, thotë ajo.

Tutje, Bokshi foli edhe për rolin e saj, atë të Tefta Sasit.

“Personazhi im është një mësuese në Shqipëri, e cila është dënuar për një mollë. Ky është një rol që e veçojë shumë, sepse është barrë e madhe kur e ke historinë e vërtetë. Ne, artistët, bëhemi zëra të atyre që kanë kaluar këto përjetime. Gjatë procesit të provave, kur flitej edhe për Dubravën, personalisht e kam humbur axhën atje, dhe ka qenë shumë e vështirë ta kaloj këtë gjë. Ka momente kur kam qarë, në një far forme, plaga hapej përsëri. Gjithçka për rreth këtij burgu, të krijonte idenë se ka shumë histori brenda, ka shumë shpirt brenda këtij burgu dhe po shpresoj që shumë shpejt të hapet për vizitorët, dhe ata të vijnë e të kuptojnë se çfarë  tmerre kanë ndodhur në qendër të Prishtinës”, shprehet ajo.

Bokshi thotë se ishte e kënaqur me audiencën, edhe pse ishin disa ndërhyrje nga lartë, ku u shpërthyen disa fishekzjarre nga stadiumi, të cilat nuk ishin të planifikuar. “Po besoj që edhe publiku e kuptoj këtë gjë, edhe pse disa në fillim kishin menduar se janë pjesë e shfaqjes, ajo zgjati bukur shumë, por prap publiku nuk e humbi durimin. Po besoj që është bërë një punë e mirë ekipore, është bërë një dramë e re që ndoshta i ka munguar dramaturgjisë kombëtare”, përfundon ajo.

Në anën tjetër, regjisori Ilir Bokshi tha se vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar, kanë qenë të mëdha, por dëshira për të sjellë te publiku këto histori të cilat kanë ndodhur, ishte gjithashtu shumë e madhe.

“Burgu i Prishtinës akoma nuk është akomoduar si muze, të gjitha këto që i shihni, nga pastërtia e burgut e deri te sjellja e ulëseve për t’u ulur sonte është dashur t’i bëjmë vetë, sigurisht me ndihmën e institucioneve në anën materiale. Gjërat në teatër bëhen më lehtë, sepse jemi të thirrur për ta bërë këtë punë. Tema e luftës dhe të burgosurve shqiptarë në periudha prej 1970 e tutje, e deri te burgu i Dubravës”, thotë ai, duke treguar se teksti është punuar me dy dramaturge të reja, me të cilat ai është shumë i kënaqur.

I pyetur nga KultPlus për vështirësitë dhe jetën jashtë habitatit normal, Bokshi tregon se profesionistët janë për këtë punë, duke shtuar se kishte shumë vështirësi nëpër të cilat kaluan.

“Jemi profesionistë dhe e përballojmë vështirësinë, por neve na ka ra shi çdo natë dhe e kemi pasur të vështirë këtë. Kemi qëndruar deri në 3 të mëngjesit dhe më të vërtet kishim frikë në qoftë se edhe mund të dështojë e gjithë shfaqja, kemi pritur edhe sot që të bie shi. Më (24 qershor) është premiera jonë, e sot e kemi quajtur si lloj para-premierë. Të gjitha ankesat që po i them, ose ato që munden me qenë vështirësi për ne, janë për faktin që kemi hyrë në një ambient të ri për ne. Kemi bërë punë fizike për tela, e shumë gjëra të tjera. Ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë më i lumtur, kjo për shkak të stresit që kemi pasur si ekip. Gjithashtu, me këtë kastë të aktorëve kam punuar edhe më herët, por për herë të parë jam duke punuar me kompozitorin Memli Kelmendi dhe është një ndjenjë shumë e veçantë, ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë regjisori i shfaqjes “Ora e Vdekjes”.

Aktori tjetër, Adrian Morina, i cili vazhdon të jetë në skenë për një kohë të gjatë, rrëfen për KultPlus se emocionet janë gjithnjë të pranishme përkundër viteve që kalojnë.

“Përpara, kur më thoshin se Istref Begolli ka shumë tremë në premierë, thosha si student se është e pamundur, ai ka më shumë se 40 vite në skenë, hala me emocione! Tani pas sa kohe që merrem me këtë punë, e shoh që për shkak të përgjegjësisë e punës që e ke bërë, është rrezik i madh që me punën e ardhshme mundesh me i rrëzu gjitha ato se çfarë i ke ndërtuar deri tani. Gjithmonë rritet përgjegjësia, emocionet, e gjithashtu gjithmonë edhe eksperienca e bën të vetën. Ti duhet të mundohesh që t’i kanalizosh të gjitha këto dhe t’i rikthesh në favor të shfaqjes. Unë provoj që të kryej detyrën time, si aktor, me përgjegjësi dhe të prezantoj punën e gjithë ekipit në formën më të mirë të mundshme. Emocionet janë të njëjta si në premierë, si në reprizën e 100-të”, thotë Morina.

Ambienti ndryshe dhe kalimi nga teatri në një vend tjetër, nuk është punë të cilën Morina nuk e kishte bërë më herët.

“Ishim të vetëdijshëm për ambientin ku kemi dalë. Kemi punuar deri vonë gati për çdo natë dhe për pjesën e ambientit kemi qenë të vetëdijshëm. Teatri nuk ka lind, në teatrin kuti qysh e shohim. Teatër bëhet kudo, në rrugë, në sofër, e gjithçka që të duhet është ekipa e mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi bërë këtë shfaqje. Gjithashtu, ne jemi aktiviteti i parë që është bërë në këtë ambient, e për këtë gjë jam shumë i gëzuar. Në Prishtinë e Kosovë ka shumë hapësira të cilat mund të kthehen në të mirë të kulturës. Ministria dhe Komunat duhet të jenë më zemërgjerë, dhe t’i ofrojnë aktorëve hapësira të tilla”, thotë Morina, duke shpresuar se në të ardhmen ambienti i Burgut Muze të ofrojë edhe ekspozita e shfaqje të ndryshme për gjithë vizitorët.

Puna me njerëzit që i njeh për një kohë të gjatë, sipas Morinës, është një gjë e mirë pasi mund të komunikosh me vetëm një shikim.

“Ka qenë kënaqësi e madhe që të punojmë me Benin për herë të parë, bashkëpunimet tona mes Kosovës dhe Shqipërisë po mungojnë shumë në aspektin e teatrit. Unë preferoj të punoj me regjisorë të cilët ndjehem, pasi ata tentojnë që të shtyjnë më përpara rolin tënd dhe nuk të lënë të mërzitesh. Puna me dramaturget ka qenë kënaqësi e madhe, kjo pasi ne vazhdimisht kemi pasur ankesa për dramën shqipe dhe mungesën e teksteve. Sot, përpos kësaj shfaqje ne sot e kemi të shkruar një dramë të re shqipe që mund të inskenohet nga të tjerët. Nëse ankohemi vazhdimisht, edhe nuk investojmë absolutisht në dramën tonë shqipe, atëherë e ardhmja e teatrit do të jetë mjaft e varfër”, thotë Morina, duke lavdëruar edhe ai punën e Memli Kelmendit, që solli një muzikë të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, vetë kompozitori Memli Kelmendi për KultPlus tha se ishte ndjenjë shumë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje, ku edhe na njoftoi me disa prej prapaskenave të shfaqjes.

“Puna që unë po e zhvilloj aktualisht sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në suksesin dhe zhvillimin e rrugëtimin tij profesional. Mbi të gjitha unë kam shkruar shumë muzika për teatër, janë mbi 30 shfaqje teatrale. Kam shkruar gjithashtu muzika për film të metrazhit të shkurtër dhe atij të gjatë. Fillimisht kur më ka ftuar ekipi, kemi dalur e kemi diskutuar me Ilirin. E kam parë që është një shfaqje delikate dhe për këtë gjë duhet të mendoj, pasi është një gjë që nuk e kam bërë deri tani. Natyrisht që në fillim kam shkruar muzikën, pastaj disa skica të tjera, por në momenti kur kam ardhur këtu te Burgu Muze, e kam parë që duhet të shkruhet krejt diçka tjetër, atmosfera këtu ka ndikuar që të vihet deri te ky rezultat e kjo muzikë, që nuk ka qenë e lehtë. Jam munduar që si kompozitor t’i plotësoj siç duhet detyrat e mija, e bashkërisht e kemi ndërtuar gjithë shfaqjen”, thotë Kelmendi.

Ai gjithashtu pati një falënderim të veçantë për Donika Rushitin dhe gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të shkruaj muzikë, atë që realisht di ta bëjë më së miri.

“Dua ta falënderoj një person që më ka ndihmuar shumë, janë vokalet e Donika Rushitit, të cilës i falënderohem përzemërsisht që brenda një periudhe të shkurtër ka ndikuar që ato të jenë kryesoret brenda shfaqjes. Unë do të vazhdoj që të punoj, detyra ime si kompozitor i pavarur është që të shkruaj muzikë. Jam tepër i lumtur që më është besuar puna ime si kompozitor në këtë shfaqje dhe gjithashtu më është lejuar përdorimi dhe veprimi i elementeve kompozicionle që unë kam dashtë e i ndërtu në bashkëpunim me regjisorin, e besoj që audienca sonte e ata që do të vijnë më pas po besoj që do ta shohin punën tonë që kemi ndërtuar”.

Shumësia e këndvështrimeve në këtë shfaqje u trajtua me rëndësinë që kërkohet, ku të gjithë aktorët u bënë bashkë për skenën e fundit të mbrëmjes dhe sollën me delikatesën më të madhe të mundshme, realitetin e hidhur të shqiptarëve nëpër burgjet e ndryshme ku kanë qenë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. /KultPlus.com