“Mythodea”, homazh për 55 vjetorin e lindjes së skulptorit Arben Bajo

Arti ishte miti e Zoti ku falej skulptori Arben Bajo. Ekspozita e lënë në mes “Mythodea” titull i huazuar nga simfonia korale e kompozitori grek Vangelis vjen si homazh në 55 vjetorin e lindjes së tij në galerinë Fab.

Bashkëshortja Teuta e mbështjell me emocione, thotë se ky është amaneti i tij.

“Emocionet e Benit më mbeten që t’i jetoj unë. U përpoqëm që të realizonim ekspozitën e lënë në mes, ashtu siç donte ai. Dëshira ime ishte që të realizohet sot me 13 tetor, pasi përkon me 55 vjetorin e lindjes së tij”, tregon ajo.

“Renia e Pegasos”, rrëmben gjithë vëmendjen sapo shkel në galeri, Bajo ka realizuar një version monumental të figurës së Pegasos derdhur në allçi, me një simbol të fort  ekspozuar në formën e një instalacioni

“Nudoja është Penelopa e cila vajton për Pegasos”, thotë ajo.

E vështirë dhe emocionuese ka qenë ngritja e kësaj ekspozite edhe për dy miqtë e tij Ardian Kapon dhe Ermir Hoxhën.

Bajo shpaloset në dy dimensione, instikti dhe njeriu, ku edhe nudot i ka eksperimentuar me veten, i cili  shfaqet herë si Odiseu e herë si Herkuli.

“Është ekspozita më emocionuese që kam kuruar.  Me Benin kam qenë cdo ditë në kafe, në shkollë, në studio. Qëllimi i kësaj ekspozite është edhe mbajtja gjallë e memories artistike. Ai do të mbahet mend gjatë për shenjën e fortë  në skulpturën  modern të 30 viteve të fundit.

Mitet e botës antike ishin muzë për të. Orfeu, personazhi legjendar pajisur me aftësi muzikore në versionin e Bajos, ngjitet si me magji mbi një platformë vertikale thekson Hoxha.

Aty, pranveror me lir në dorë dhe bimët dekorative mbi krye, djaloshi përhumbet në tingujt e muzikës.

Projekt tjetër madhor është realizimi i një ekspozite retrospektiv si dhe një album me gjithë krijmtarin e Arben Bajos, si shenjë dominuese e skulpturës moderne në 30 vitet e fundit. /abcnews.al/ KultPlus.com

Hapet ekspozita“ Prekja”, prezantohen si homazh veprat e Bajos e Arapit

Fill pas mbylljes së Galerisë Kombëtare për shkak të rikonstruksionit për dy vite, hap dyert Galeria e Tiranës. Drejtori i saj Abaz Hado, i cili ka drejtuar më herët edhe Galerinë Kombëtare pranon se përkimi i këtyre dy momenteve nuk është thjeshtë rastësor, por strategji.

Sipari i këtij institucioni nis me ekspozitën ” Prekje” si homazh për dy artistë të cilët humbën jetën nga Covid 19, piktorin Mustafa Arapi dhe skulptorin Arben Bajo. Qëllimi kryesor është për të prekur pavdeksinë e artistit.

Mustafa Arapi megjithëse gjerësisht njihet si mjeshtër i restaurimit të veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës, kjo është njëra anë, pasi potenca e tij si piktor është e pamohueshme. Forcën më të madhe krijuese e ka te grafikat, ku elementet ikonografike ndihen lehtë në krijimtarinë e Arapit, por duke ruajtur me mjeshtëri veçantinë e tij thekson Hado.

Në sallën e bardhë prezantohen 20 grafika , të cilat lëvizin mes ëndrrës dhe realitetit testament artistik që na ka lënë pas mjeshtri Arapi.

Krahas penelave përdorur prej tij, e heshtur tashmë rri edhe violina pasion i artistit që me tingujt e saj thyente heshtjen e studios si dhe i jepte alegri takimeve mes miqve.

Teksa shtegton në galeri, ndalesh te dhoma gri, dedikuar krijimtarisë së të ndjerit skulptorit Arben Bajo. Sallën e mbizotëron nudoja elegante dhe melankolike një krijim i veçantë dhe i dashur për skulptorin.

Salla e kuqe bën thyerjen me prezantimin e veprave të autorëve të ndryshëm që kanë derdhur në penelata Tiranën ndër vite. Piktorë të brezave të ndryshëm pasqyrojnë pejsazhin dhe elementet etnografike të kryeqytetit. Veçohen punimet e Guri Madhit, Lec Shkrelit, Ismail Lulanit e Pandi Meles, duke ardhur deri te artistët bashkëkohorë si Ardian Isufi apo Helidon Haliti. /abcnews/KultPlus.com

Shtatë muaj pas vdekjes, Arben Bajo vlerësohet me titullin ‘Mjeshtër i madh’

Shtatë muaj pasi u shua skulptori Arben Bajo është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i madh”, me motivacionin:“Në vlerësim të cilësive të mëdha artistike, talentit të spikatur e të vyer në fushën e skulpturës bashkëkohore shqiptare. Skulptori që trajtoi me dashuri të veçantë figurën e njeriut dhe shënjoi ndjeshëm realitetin artistik vendas, me kontributin e tij qytetar, pedagogjik dhe intelektual”.

 “Ne miqtë e tij që ishim përditë me të, na duket akoma sikur nga momenti në moment do të rikthehet sërisht. Është e pabesueshme ende. Të paktën ky çmim, që i dha Presidenti i Republikës është një vlerësim i krijimtarisë së tij dhe pwr dimensionin e tij human edhe pedagogjik. Patjetër që kjo nuk mjafton për kalibrin e Benit, që shënoi kohën e vet si pak skulptorë”, thotë studiuesi i arteve pamore, Ermir Hoxha.

Veprat e artit që ruhen nga familja në studion e tij, sipas studiuesit duhet që të kenë vlerësimin e duhur dhe nga institucionet, të cilat duhet të kenë vullnet për hapjen e një muzeu privat apo shtetëror

 “Familja është treguar shumë e aftë për të ruajtur krijimtarinë e tij, ashtu siç ka qenë. Prandaj unë mendoj se Arben Bajo e meriton një muze privat apo shtetëror, kjo mund të jetë një nisëm e familjarëve apo miqve, por që duhet të gjejë mbështetjen e institucioneve. Qoftë për një lloj investimi apo edhe për zgjidhjen e kuadrit ligjor”, thotë Ermir Hoxha.

Portrete të personaliteteve shqiptarë, figura njerëzore, eleganca e nudove, hulumtim i botës së brendshme njerëzore përmes mitologjisë, instinktet kafshërore të mbështjella plot mjeshtëri me trupat njerëzor janë vetëm disa nga elementët për të cilët Ermir Hoxha vlerëson artistin bashkëkohor.

“Beni është një nga ata artistë që përkufizon më mirë skulpturën, nga ajo skulpturë e ngjizur në kohën e komunizmit me të gjithë parametrat tejet profesionale që ka pas, në përjetimin e kësaj skulpture në një fazë tranzitore për tre dekada”, përfundon Ermir Hoxha.

Vdekja kobzezë edhe e parakohshme, që erdhi nga Covid 19 në moshën 53-vjeçare i la Bajos dhe projekte pezull, të cilat miqtë artistë do t’i finalizojnë në të ardhmen përmes realizimit të një ekspozite personale./shqiptarja/ KultPlus.com

Malaj: Trishtim i madh humbja e mikut tim Arben Bajo, vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht

Sot ka humbur betejën me Covid19 artisti i njohur shqiptar Arben Bajo, për të cilin kolegët e miqtë nuk kanë hezituari së shprehuri ngushëllimet e tyre, shpesh duke treguar edhe eksperienca të përbashkëta me artistin, shkruan KultPlus.

Petrit Malaj, aktor dhe dekan i Universitetit të Arteve në Shqipëri, ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, ku ndër të tjera edhe e ka ngritur lart figurën e artistit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Malajt.

”Trishtim i madh humbja e kolegut dhe mikut tim Arben Bajo, ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri, ende nuk mund ta besoj.

Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë tek studentët dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që e pata një koleg, mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve!

Ngushëllimet më të sinqerta familjes!

U prehsh në paqe i dashur Beni!” shkruan Malaj në Facebook. / KultPlus.com

Kur e di se do të vdesësh

Poezi nga Teodor Keko

Në përkujtim të artistit Arben Bajo, KultPlus ju sjell këtë poezi të autorit të njohur Keko.

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.

Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim. / KultPlus.com

Apel për artistin Arben Bajo, ka nevojë për gjak nga një person që ka kaluar Covid19

Skulptori dhe pedagogu në Akademinë e Arteve të Shqipërisë, Arben Bajo, 53 vjeç ka nevojë urgjente për gjak, përcjellë KultPlus.

Apelin e bëjnë kolegët e tij artistë, të cilët thonë se Bajo është në gjendje të rëndë dhe i intubuar.

Skulptori 53 vjeçar ka nevojë për gjak A-NEGATIV nga një person që ka kaluar koronavirusin. / KultPlus.com