Me skenar të Doruntina Bashës, Robert Budina e Akola Daja e me regji të Robert Budina kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji”, xhirime që për momentin janë duke u realizuar në Pogradec, shkruan KultPlus.
Bëhet e ditur se në këtë film me role kryesore janë përfshirë tre aktorë të mrekullueshëm si; Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj, kurse ky projekt filmim është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë Rumanisë e Kosovës me produksionet Rafilm- Avanpost, Redibis dhe Iliria Film./ KultPlus.com
Në botë kurdo që përmendet besa, dihet se fjala është për shqiptarët. Popull, ky i cili shquhet për këtë virtyt i cili është mbajtur në piedestal për shekuj me radhë.
Seriali “Besa” së fundmi është nominuar gjithsej shtatë herë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, përcjell KultPlus.
Seriali “Besa”, i cili ka të bëjë me Uros Peric një biznesmen i vogël nga Beogradi. Ai vret një vajzë të një bosi mafioz shqiptar në një aksident automobilistik. Për të shpëtuar familjen e tij, ai detyrohet të kryejë krime për mafian. serial, me fjalët e vet aktorëve i ka thyer barrierat ndërkulturore në Ballkan të cilat ndër vite thuajse arritën të prekin qiellin.
Në këtë serial marrin pjesë aktorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kroacia, Shqipëria, etj. Njëri ndër ta është edhe aktori i njohur Arben Bajraktaraj i cili është nominuar në një nga kategoritë më të rëndësishme në Festivalin e Filmit në Sarajevë, “Aktori më i mirë”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktori, teksa ai ka cilësuar ekipin e serialit “Besa”, fantastik.
“7 nominime për Besën në SFF 2022! Midis tyre, ‘Aktori më i mirë’ – thanks produksionit & cast&crew fantastik!!! Dashuri”, ka shkruar Bajraktaraj në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Edicioni i 6-të me radhë i festivalit të muzikës ‘Za Fest’, i cili do të mbahet në qytetin e Shkodrës, do të nis në fund të muajit korrik.
Datat 28-29 dhe 30 korrik do të jenë të rezervuara për festivalin ‘ZA’ i cili grumbullon një kast të madhe artistësh vendor dhe ndërkombëtarë.
Elina Duni ishte artistja e parë, emri i së cilës u bë i ditur për publikun ditë me parë. Elina Duni bashkë me bendin muzikor “Rob Luft” do të performojnë më 29 korrik.
Lylit është artistja tjetër që pritet të performoj në datën e njëjtë më 29 korrik. Në anën tjetër, kantautorja e muzikës italiane, Cristiana Verardo vjen me datë 30 korrik në Kalanë e Rozafës.
Data 28 mirëpret Linda Rukajn dhe Arben Bajraktarajn për të vazhduar me emra të tjerë artistësh.
Po ashtu, grupi i rock-ut “Jericho” do të performojë live në edicionin e ri të këtij festivali me datë 30 korrik. / KultPlus.com
Akorët si: Arben Bajraktaraj, Ejla Bavćić, Adrian Morina, Klaus Martini, Verona Koxha dhe Anja Drljević, me lojën e tyre madhështore, mbrëmë sollën premierën e një performance teatrore për shkrimtarin Peter Handke, i cili konsiderohet se me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish-Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e ‘tokës së djegur’, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’, shkruan KultPlus.
Çdo gjë gjeti fillimin kur dhe të pranishmit dalëngadalë po zinin vendin e tyre përbrenda hapësirës në Teatrin ‘Oda’ që mu në mes kishte të vendosur skenën e cila mund të shijohej nga të pranishmit në gjithsej tri anë të mundshme. Kur ora shënoi fiks 20:15, terri kaploi vendin përnjëherë. Ndërkaq, aktorët nisën lojën e tyre me një vështrim të thellë drejt publikut, me ç’rast të pranishmëve iu drejtohen disa kërkesa radhazi por më e rëndësishmja do të ishte: “Nëse keni lexuar librat e Peter Handke, largohuni nga teatri.”. Pasi që askush prezent nuk del jashtë, pritja e tyre përfundoi.
Shfaqja e cila po luhej në gjuhën angleze trajtoi baraspeshën delikate ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë shoqërore në teatër. Dhe ishte pikërisht dizajni i dritave nga Yann Perregau, që dukshëm të bënte që të përhumbeshe pas atmosferës së ftohtë që po portretizohej në skenë. Me një reflektor në ngjyrë të kaltër, shfaqja vazhdoi me dialogun ndërmjet Peter Handke dhe babit të tij, në lidhje me pyetjet e shumta të gazetarëve rreth Millosheviqit dhe se si Handke do të duhej të përgjigjej, e në këtë rast ai këshillohet që të thotë: “Preferoj letrën higjienike, një letër anonime me letër higjienike brenda, kundrejt pyetjeve tuaja boshe injorante.”
Përgjatë gjithë shfaqjes, tregohet thellësisht një injorim total ndaj gjenocidit në Srebrenicë. Pra, ndaj vrasjes gjenocidale të korrikut 1995 të më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në dhe rreth qytetit të Srebrenicës, gjatë Luftës së Bosnjës.
Duke marrë parasysh faktet të cilat shfaqeshin nëpërmjet titrave shqip, ku njëra ndër to thotë se në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”, kemi ndërlidhjen e tekstit të mrekullueshëm të shfaqjes nga Jeton Neziraj që kundërpërgjigjet me: “Peter Handke ka status shenjtori. Ai është orbita e Serbisë. Handke është Zot në Serbi, është Jezu Krisht…”. Pas përplasjes së disa fakteve para audiencës rreth ndodhive me Handken, shfaqja filloi me të vërtetë.
“The Handke Project”, hyri në thelbin e detajeve nga më të ndryshmet. Përmendet se si Peter Handke fitoi 50,000 euro nga çmimi “Ibsen Award” në Norvegji dhe se si ai me ato para deshi të ndërtojë një pishinë në Hoçën e Madhe që ndodhet 10 kilometra larg nga Krusha e Madhe, duke anashkaluar mundësinë për t’i ndihmuar refugjatët sirian në Austri, për të ndërtuar memorialin e gjenocidit në Srebrenicë, për t’i ndihmuar të uriturit në Burundi e Somali dhe për t’i ndihmuar romëve të varfër në paralegjet e Beogradit. Por, në vend të tyre, në një vend të banuar me shqiptarë ku gjatë luftës së vitit 1999 forcat serbe të Millosheviqit vranë 205 fshatarë të pafajshëm, ai deshi të ndërtojë një pishinë.
Situata dhe atmosfera të ndryshme përshkojnë shfaqjen që vjen nën regjinë e Blerta Nezirajt. Ndërlidhja e humorit, ironisë dhe të vërtetës po krijonte edhe të qeshura në publik, siç ndodhi edhe me monologun: “Ju njoftojmë se përpos producentëve dhe aktorëve e të tjerëve të përfshirë në këtë projekt të teatrit evropian (a është evropian?), ne do të ndërmarrim hapa ligjor edhe ndaj personazheve fiktiv të shfaqjes (a janë fiktiv?), gazetarëve që shkruajnë pozitivisht për shfaqjen, por edhe ndaj publikut që vjen dhe e sheh këtë shfaqje. Me këtë rast, megjithatë, ju njoftojmë se nuk do të paditen këto kategori njerëzish: Veteranët serbë të luftërave në Bosnjë dhe Kosovë; Publiku evropian që Peter Handken e do me gjithë zemër; 8 mijë të vdekurit e Srebrenicës (a janë 8 mijë?). Nga padia do të lirohen edhe ata të cilët gjatë shfaqjes i kanë mbyllur veshët. Dhe ndërkohë që ju ca injorantë po pështyni mbi veprën e Handkes, njoftojmë botën se një grup intelektualësh e politikanësh evropian, kanë kërkuar nga UNESCO ta merr nën mbrojtje trashëgiminë letrare të Peter Handkes, që nënkupton marrjen nën mbrojtje të vlerave civilizuese, ezoterike, mbrojtje e botës idilike, mbrojtje e pikëpyetjes, mbrojtje e mbrojtjes, e kështu me radhë.”
Ndërsa, ato që vëreheshin në masë dhe po i jepnin një hijeshi unike lojës së aktorëve në skenë ishin edhe kostumet e tyre të krijuara nga Blagoj Micevski. Në pjesën kur performanca teatrore arrin tek historia e një fotografi i quajtur Jean, që qëllon të jetë burri i kryetares së Komitetit të çmimit Nobel, nëpërmjet veshjeve precize portretizohej një atmosferë e ngjashme me atë se çfarë konsiderohet të ketë ndodhur. “Jean” hyn me aparatin e tij fotografik dhe në studion e tij e fotografon një vajzë të re e cila është shkrimtare. Fillimisht ai e prek atë për qëllime artistike por tutje vazhdon t’i premtojë asaj famë e pse jo edhe çmimin Nobel dhe nëse jo kjo, atëherë një lexim në Forumin që financohet nga Fondacioni Nobel. Ky skandal konsiderohet të jetë përmbysur me një tjetër skandal siç është kur Peter Handke ka fituar çmimin Nobel për letërsi.
Tutje, shfaqet edhe krahasimi se si Handke ka përshkruar një ngjarje specifike dhe se si në të vërtetë ka ndodhur. Diku jo larg Srebrenicës, një grup paramilitarësh serb kanë zënë rob Ramo Osmanoviq, një burrë rreth të 40-tave. Djali i Ramës, Nermini së bashku me qindra boshnjak të tjerë, është duke u fshehur në pyll. Paramilitarët e nxisin Ramën ta thërret të birin që të zbres nga pylli sepse, siç i thonë, do të jetë i sigurt me serbët. Trupat e Ramës dhe të birit të tij, Nerminit, janë gjetur shumë vite pas luftës në varre masive. Ndërkaq, Handke këtë ngjarje e ka përshkruar në një mënyrë krejtësisht ndryshe duke potencuar se serbët me dashamirësi e kanë thirrur djalin e Ramës të zbresë nga mali për shkak të rrezikut nga kafshët e egra.
Kjo shfaqje është një fjalim. Është zëri i ngritur i viktimave në mënyrë që të kuptohet se ku është kufiri i letërsisë, ku është kufiri i lirisë krijuese dhe kur do të mund të kalohej ai kufi. Shkrimtari Peter Handke, me letërsinë e tij, aftësitë e tija letraro-stilistike për propagandë dhe për mohim si dhe vetë qëndrimeve të tij në një kohë të cilën po e jetojmë, i ka kaluar këto kufij qysh moti.
Atdhe Mulla
Shfaqja përmbyllet mahnitshëm me thirrjen si: “Fuck you Peter Handke, për marrëzinë, për padijen, për arrogancën, për mohimin e së vërtetës, e për mohimin e gjenocidit. Dhënia e çmimit Nobel është akt barbarie sepse para se të shpërblej një letërsi të mirë, ai çmim për Handken legjitimon vazhdimin e gjenocidit me mjete tjera.”
Po ashtu, krejt në fund kasta e aktorëve së bashku me të pranishmit, njëzëri përsëritin së bashku: “Fuck you Sllobodan Millosheviq, Fuck you Peter Handke, Fuck you Swedish Academy. Dhe të gjithë fashistët e tjerë si ju…fuck you.”
Ndërkaq, pa skenografinë nga Marija Kalabic, kompozitorin Gabirele Marangoni si dhe koreografinë nga Gjergj Prevazi, kjo shfaqje nuk do të kishte frymën reale që e pati mbrëmë. Duke nis qysh nga fillimi e deri në fund, ky gërshetim i këtyre tri elementeve kyçe solli një afërsi të pakrahasueshme mes publikut dhe të vërtetës që erdhi nëpërmjet “The Handke Project”.
Atdhe Mulla
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli dramaturgu Jeton Neziraj.
“Aventura e kësaj shfaqje filloi sonte por që pati një punë të gjatë gati dy vjeçare të përgatitjeve, inicimit të bashkëpunimeve, kontakteve me teatrot si dhe një pune gati dy mujore me prova intensive. Kam përshtypjen që këtu kemi luajtur para një publiku të konvertuar i cili e njeh temën dhe e ka parasysh edhe qasjen kritike, duke e pranuar atë. Është me rëndësi që kjo shfaqje do të luhet edhe përtej rajonit tonë. Pra, e fillojmë këtë aventurë me një temë që ka qenë aktuale por vazhdon me qenë edhe më aktuale tash në një kohë kur shumica e institucioneve evropiane të kulturës kanë vu linja të qarta të ndalesës për shumë artistë rus”, thotë Neziraj.
Sipas tij, personalitetet si Handke janë toleruar. Edhe pse ka pasur debate në kohën kur Handke është shpërblyer me çmimin “Nobel”, ai debat është humbur në atë mjegullën e madhe që është prodhuar gjatë asaj kohe.
“Qëndrimi jonë është i qartë, pra jemi kundër literaturës që është helmuese, kundër shkrimtarëve të cilët e përdorin autoritetin për të përçuar mesazhe helmuese dhe për të mohuar gjenocidin, si në rastin e Peter Handkes. Ne thjesht eksplorojmë temën dhe përpiqemi që të kuptojmë se ku është kufiri i letërsisë, ku është kufiri i asaj që quhet liri krijuese dhe kur mundet që ai kufi të kalohet. Handke me letërsinë e tij dhe qëndrimet e tij, i ka kaluar këto kufij dhe i ka shndërruar në njëfarë lloj makinerie të propagandës”, përfundon ai.
Atdhe Mulla
Ndërsa, aktori i mirënjohur shqiptar nga Parisi, Arben Bajraktaraj për KultPlus ka folur rreth dhimbjes së viktimave, që sipas tij nuk mund ta bart askush tjetër.
“Pikërisht ky Peter ka qenë në 95-tën, këtu në rrugë të Nënës Terezë, afër Ministrisë së Kulturës. Ka bërë promovim të librave në kohën kur neve na kanë shtypur, na kanë rrahur kur kemi kaluar një trotuar si dhe na kanë dënuar me nga dhjetë marka. Ky tipi tash jeton shumë larg meje në Paris, nuk është shumë larg. Nuk dua të gjykoj asgjë realisht, por negacionizmi që shfaqet është sikur të na thotë neve, shqiptarëve dhe boshnjakëve, viktima të vërteta të luftës, se si: “S’ka dert se ai është artist”. Ai nuk është artist. Unë ia kam nis t’i lexoj tri herë librat e tij dhe tri herë jam ndalur, jo për diçka, por ia kam nisur para se ai të bëhej anti-shqiptar dhe më është dukur shumë i mërzitshëm, i lodhshëm, i bezdisshëm. Handke është bërë i njohur duke i nënçmuar dhe duke i fyer shikuesit dhe kjo është konsideruar ‘art’. Por ne nuk jemi duke folur për artin. Jemi duke folur për dhimbjen e viktimave dhe dhimbja e viktimave është dhimbja e viktimave”, thotë Bajraktaraj.
“Dhimbja natyrisht i përket vetëm viktimave dhe dhimbjen e tjetrit nuk mund ta bart askush. Ne e dimë dhimbjen, e kemi dhimbjen tonë dhe kjo shfaqje është krijuar që të shkoj në Evropë për të thënë: “A mundeni që t’i hapni sytë pak?”.
Gjithashtu, aktori Adrian Morina në një prononcim për KultPlus ka thënë se s’ka pasur mundësi që të mos jetë në një projekt që dekonstrukton Peter Handken.
“Ka mbi një vit që jam në dijeni për “Hande Project” ndërsa për të bëmat e Handkes tash e sa vite. Ftesën e kam pranuar me shumë kënaqësi sepse më pëlqen teatri i angazhuar, teatri politik. Teatri ka lindur për të na i hap sytë. Në rastin e Handkes dhe “Handkëve të tjerë”, ngase çdo ditë e më tepër po rritet numri i tyre, kemi pasur nevojë që si artistë, jo vetëm të ia hapim sytë opinionit por kësaj radhe edhe “të ia nxjerrim sytë” publikut për rritjen e përditshme te fashistëve, ksenofobëve, neonazistëve, neofashistëve dhe te gjithë ‘Handkëve’ të tjerë.”
Sipas tij, ai nuk ka pasur si të mos jetë pjesë e këtij projekti që dekonstrukton një përbindësh ideologjik si Peter Handke.
“Një proces shumë i vështirë, me një tekst jo të zakonshëm për skenë, me një ‘regji-m’ me shumë kërkesa aktoreske. Procesi i hulumtimit ka qenë tepër i veçantë me një numër të madh bashkëpunëtorësh ndërkombëtarë të cilët e përcjellin, e kanë studiuar, kanë shkruar e paralajmëruar për Handken që 20-30 vite. Kjo e ka lehtësuar punën tonë si aktorë”, thotë ai.
Për të, është një kënaqësi e madhe që të punohet me Blertën dhe Jetonin, për shkak se ai ndjehet i përmbushur si aktor, pas çdo procesi.
“Guximi, energjia, besimi për të bërë teatër të vërtetë, më shtyn gjithmonë që të mos refuzoj ftesat për shfaqjet që i realizojnë”, thotë Morina.
“Sfidë e madhe ka qenë për të gjithë edhe gjuha angleze ngase për asnjërin prej nesh në ekip nuk është amtare. Por sfidat të ndihmojnë t’i shtysh kufijtë. Puna e palodhshme dhe përkushtimi i gjithë ekipit si edhe përgjegjësia për t’i dhënë një “flakaresh” Handkes, na ka mobilizuar edhe më shumë. Gjithë procesin e ka bërë edhe më të lehtë bashkëpunimi, dashuria dhe profesionalizmi i një kaste të jashtëzakonshme të aktorëve si: Beni, Ejla, Anja, Verona e Klaus, të cilët i falënderoj përzemërsisht”, përfundon ai.
Atdhe Mulla
Po ashtu, kritiku i artit Shkëlzen Maliqi për KultPlus tregoi rreth përshtypjeve të tij për këtë shfaqje.
“Më duket se teatri bashkëkohor gjithnjë e më shumë po bëhet i drejtpërdrejt dhe po flet për aktualitetet. Shfaqja është shumë e angazhuar dhe nuk është vetëm Handke në pyetje por edhe krejt proceset që po ndodhin tash viteve të fundit në botë. Shfaqja ka edhe vlera tjera që duhet të shquhen si: aktrimi dhe regjia. Ndërsa, Jeton Neziraj e ka përsosur këtë lloj të teatrit. Unë mund të them se kjo ekipë meriton ta ketë edhe një hapësirë të vetën pak më dinjitoze, sepse për gjërat e tjera gjinden edhe vetë, por vetëm duhet të ketë më shumë mirëkuptim nga qyteti i Prishtinës. Është kultura e pavarur në këto njëzet vite, ajo që na ka zbardhur neve fytyrën”, thotë Maliqi.
Shfaqja do të pasohet me një reprizë të radhës me 4 qershor, po në Teatrin Oda. Reprizat e radhës do të jenë me 6 qershor, në Teatrin Shqiptar në Shkup, me 7 qershor në Teatrin Adriana në Ferizaj, me 9 dhe 10 qershor në Teatrin Bitef në Beograd. Shfaqjet në Itali, Bosnjë e Hercegovinë, Gjermani dhe në vende tjera evropiane janë planifikuar nga korriku I këtij viti. Shfaqja do të luhet në gjuhën angleze.
The Handke Project është produksion teatror i Qendrës Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me Mittelfest & Teatro della Pergola (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës & Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit –MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë).
Kosovari që tashmë ka arritur suksese të shumta, e madje edhe ka pasur rol në dy nga filmat e Harr Potter, Arben Bajraktaraj, do të mirëpritet në ‘La boutique aux deux balais’, në Francë, shkruan KultPlus.
Arben Bajraktaraj ka portretizuar rolin e Antonin Dolohov në filmat ‘Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit’ dhe ‘Harry Potter dhe Shenjtorët e Vdekjes.’
Takimi me aktorin do të mbahet këtë të shtunë me datën 16 qershor, prej orës 10:00 e deri në 17:45.
Në njoftimin që është bërë nga ana e organizatorëve të këtij takimi theksohet se të gjithë ata që duan të bëjnë foto me aktorin dhe të marrin autograf nga ai duhet të paguajnë 20 euro. Kurse për të gjithë ata që duan të bëjnë një foto dhe të marrin një shkop magjik, të njëllojtë me ato në filmat e Harry Potter, duhet të paguajnë 50 euro./ KultPlus.com
Me leximin e ”Inkuizitori i madh” nga vepra e famshme ”Vëllezërit Karamazov” e shkrimtarit të madh rus, Dostojevskit, nën interpretimin e aktorit të njohur shqiptar Rexhep Mitrovica, filloi ngjarja e sotme që zinte vend në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ngjarje kjo që mbahej në kuadër të Kosovo Theater ShowCase.
Pas leximit të ”Inkuizitori i madh”, pjesa e dytë, vazhdoi me bashkëbisedimin në mes të Rexhep Mitrovicës dhe aktorit tjetër të njohur shqiptar, Arben Bajraktaraj, shkruan KultPlus.
Rexhep Mitrovica, aktori shqiptar që lindi dhe jeton në Francë, në karrieren e tij numëron më shumë se 80-të role, ku ndër to ka interpretuar edhe role mjaft të rëndësishme në teatër si Hamletin, Orestin tek “Elektra”, “Mbreti Lir”, “Devocioni dhe kryqi”, “Don Zhuanin” etj.
Ndërsa fokusi i diskutimit të sotëm, ishte mbi karrierën e Rexhep Mitrovicës, kurse Arben Bajraktaraj ishte në rolin e intervistuesit. Rexhep Mitrovica fliste për eksperiencat e tij si aktor teatri. Tregonte për vështirësitë e kënaqësitë që vijnë si pasojë e të qenurit aktor. Ndër të tjerash, ai tregoi edhe për takimet me mjeshtërit e mëdhenj të skenës franceze si: Antoine Vitez, Claude Regis, George Lavaudant, Daniel Mesguich si dhe për shfaqjet Lorenzaccio. Për të cilat tregonte mundin e përkushtimin e madh kushtuar rolit të tij në këto shfaqje.
Kjo nuk është hera e tij e parë në Kosovë, ai për KultPlus dekalroi se para publikut shqiptarë ndjehet shumë më mirë se para atij francez. ”Unë jam aktor dhe gjithmonë e kam problem kur para publikut dal në formë të debatuesit dhe jo aktorit, mirëpo jam shumë i lumtur saherë që vi këtu, në Kosovë”, potencoi ai.
”Jam shumë i lumtur sepse publiku francez nuk më jep afinitetin sikurse publiku shqiptarë. Tek ju është një traditë e teatrit e cila është shumë e bukur”, vazhdoi tutje ai.
Arben Bajraktaraj, aktori shqiptar që ka qenë pjesë e filmave të huaj, kryesisht atyre francezë dhe amerikanë, për KultPlus tregoi se është thellësisht i prekur që kishte rastin të bashkëbisedonte me aktorin që ai e çmonte më së shumti. ”Isha shumë i prekur që isha para një aktori të tillë, si bashkëbisedues. Konsideroj veten me fat, pasiqë Rexhep Mitrovica është aktori të cilin e dua më së shumti. është një begatshmëri shumë e madhe e lojës dhe përjetimeve të Rexhepit, prej një roli në tjetrin, duke punuar me regjisorët më të mëdhenj që ka pasur Franca”, deklaroi ai për KultPlus.
Jeton Neziraj, i cili është edhe njëri prej organizatorëve të këtij ShowCase-i, u deklarua shumë i kënaqur me prezencën e mysafirëve të festivalit, duke pohuar që këta të fundit po ndahen të kënaqur nga shfaqjet dhe aktivitetet e këtij edicioni.
Ndërsa diskutimin e sotëm në mes të dy aktorëve e konsideronte si një mundësi të jashtëzakonshme për publikun. ”Të kesh Rexhep Mitrovicën para publikut për një diskutim, është një mundësi e rrallë dhe e jashtëzakonshme dhe për ata që ishin prezent ishte një mundësi shumë e mirë të dëgjonin një aktor fantasik si Rexhepi. ”, deklaroi ai për KultPlus.
Kjo ngjarje ishte e organizuar në bashkëpunim me kompaninë teatrore ”Lira” nga Parisi, ndërsa për kurator kishte Simon Pitaqaj. /KultPlus.com
Pra disa dite policia rrethoi Teatrin Kombëtar në Shqipëri për të nisur shembjen e tij, ndërsa artistë të shumtë që dolën në mbrojtje të teatrit u larguan me forcë.
Por, lufta e artistëve për të mbrojtur teatrin
po vazhdon në forma të ndryshme.
Nesër, më datë 1 gusht në kuadrin e Festivalit
për Mbrojtjen e Teatrit në sallën e Teatrit Kombëtar në orën 20:30 aktori Arben
Bajraktaraj do të interpretojë një tekst të Teki Dervishit nga “Shtëpia e
Sëmurë” dhe më pas aktori amerikan Bob Berkey do të performojë një pjesë
nga repertori i tij xhestikulativ.
‘Mos mungoni, beteja për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar vazhdon me Art!’, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Sonte në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 11-të të PriFest, janë ndarë çmimet në kategoritë kryesore për filmat pjesëmarrës. ku çmimi për aktorën dhe aktorin më të mirë, u dhuruan për Irena Cahanin dhe Arben Bajraktarin (Streha mes reve), përcjell KultPlus.
Çmimi për regjisorin më të mirë nga PriFest, u zgjodh Mahmut Fazil Çoskun, për filmin “Njoftimi”
Çmimi për aktorën më të mirë iu dha Irena Cahanit, në filmin “Streha mes reve”.
Çmimi për aktorin më të mirë iu dha Arben Bajraktarajt, në filmin “Streha mes “reve
Çmimi për arritje jetësore nga PriFest, iu dhurua Melihate Qenës dhe Selman Lokës
Çmimi për filmin më të mirë europian iu dhurua “Pasojat”, me regji të Darko Stante nga Sllovenia.
Çmimin për dokumentarin më të mirë e fitoi Rodrigo Areias “Frymarrja blu”, nga Portugalia
Fituesi i programit të konkurrencës së mesme është “Lëre vdekjen të jetë e gjallë” nga Uriel Jaouen Zrehn nga Franca
Fituesi i çmimit të jurisë FIPRESCI është “The Announcment” nga Mahmut Fazil Çoskun, nga Turkia
Fituesi i filmit më të mirë të studentëve është “Kafazi i ngjyrave” nga Daniel Reascos nga Ekuadori
Fituesi i çmimit të Jurisë së Mediave është Carlos Marques-Marcet “Ditët për të ardhur”, nga Spanja
Ndërsa Juria e Studentëve të Pavarur ka zgjedhur filmin “Let’s the death be alive”, nga Uriel Jaouen Zahern.
Çmimi në vlerë nga 1500 euro nga PriFest, i është dhënë Julian Mala dhe Harris Davis, për filmin “Vëllau im”.
Çmimi për Sound Post Production, në vlerë prej 10.000 euro, i dhuruar nga Audiohaus, ka shkuar për “Aisha” të Hanis Bagashov
Çmimi Video Post Production në vlerë prej 50.000 euro, i dhuruar nga In My Country Production, ka shkuar për “Gulizar” të Belkiz Bayrak
Çmimi për fituesin e çmimit Green Film është “Nature” nga Beatrice Shabanaj dhe Verona Berisha. /KultPlus.com
Gjithçka fillon me epilog.
Si fundi i përsëritur pafundësisht. I heqamës së këtij dheu, i heqamës të kësaj
cope qielli. Si Anton Pashku në çastin e shkrimit të dramës më intriguese të
dramaturgjisë së hershme kosovare që solli at më modernen e kohësisë së vet, në
një nga vendet më të harruara, më të shtypura e të lanuna mbas dore, siç do të thoshte Pashku, në një vend prapa
diellit, Liburn Jupolli me operën Gof merr rrezikun të na fus në shtegtimin e
tingujve rrallë të shprehur të kohës
sonë. Ku tingujt e butësisë mbështillen
me krrokamat e sorrave. Ulurima e ujqve
me cicërimën e zogut t’malit. Gjithnjë vihen në teh të kundërtat, e egra me të
butën, e trazuara me të qetën dhe dalë ngadalë rreziku që kanos bëhet gati i
pranueshëm, mësohemi të bashkëjetojmë me hatan para e hatan mbas, e krejt natyrshëm edhe përgjatë: vetë
hataja bëhet përditshmëri, marrim frymë
me të.
E në mjegullën e dendur,
gufojnë shpërthimet e Lulashit, njeriut të sëmurë, herë me dhimbje e herë me humor, duke i
përngjarë herë-herë një papagalli
robotik, sidomos kur flet për politikë.
Përderisa situata gjithnjë
e më shumë përshkallëzohet, zjarrmia prek kulmin dhe duhet të veprohet.
Shtrohet pyetja: të pritet a të mos pritet. Njëri thërret për revoltë e tjetri
në të kundërtën thërret për mosrevoltë.
« Sa më shumë që presim, aq më keq për të », thërret Lulani e në anën
tjetër: « Mos u ngut. Kurrë mos u ngut, » ia pret Lulua, « Ditët nuk mund të
hyjnë në thes !».
E në mes të zjarrmisë, orteku i mbrendshëm i Lulashit, « njeriut që nxorëm
prej varrit po ja ku e kemi lënë tash përmbi dhe, as gjallë as vdekur » (
metaforë e Pashkut për Kosovën e atëhershme që nuk ndryshon shumë me Kosovën e
sotshme), shkrihet në cicërrimë zogjshë.
Dëgjohen vetëm ata. Jemi në një oazë qetësie para shpërbërjes.
Muzika e Liburn Jupollit
na prek si të rrahurat e zemrës që herë përshpejtohen, e herë rrallohen aq
shumë, sa gati nuk ndihen më. Si elektrokardiogram, që po i ikën vija, dhe kur
mendojmë se ç’do gjë merr fund, gjithçka rifillon.
« As zogjtë, Lulan, as zogjtë, nuk mund të fluturojnë e jo më na që s’kemi krahë…».
(Kritikë nga Arben Bajraktaraj për operën “Gof” të kompozitorit Liburn Jupolli.)
Arben Bajraktaraj ka ardhur në Tiranë për premierën e filmit “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, dhe ka dhënë një intervistë për revistën “Bordo”
A ju bezdis fakti që shpesh ju identifikojnë me shqiptarin e keq?
Aktori nuk duhet gjykuar nga roli. Unë kam luajtur edhe role kriminelësh, por askush nuk ma ka bërë këtë pyetje, pse luajte rolin e një shqiptari. Një aktor serb luajti rolin e një shqiptari, ashtu si unë kam luajtur rolin e një kozmonauti rus apo të një doktori. Një rol mund të jetë filozof dhe vrasës, ndaj nuk duhet gjykuar aktori nga personazhi. Para së gjithash një aktor duhet të pranojë identitetin e tjetrit, duhet të kemi empati ndaj tjetrit. A është vrasës? Jo, sepse ne për këtë punë jemi, të veshim petkun e personazhit.
E njëjta gjendje ka qenë edhe për rolin e Besnikut?
Në malësi ishte fantastike, ajri i pastër, por edhe energjia që të jep ai vend janë unike. Ti zgjohesh dhe e gjen veten aty, i vetëm me Zotin. Roli i Besnikut ka pasur tre shtylla që në fillim: e para shtylla fizike që ka qenë e rëndësishme, e dyta shtylla psikologjike dhe e treta shtylla emocionale. Të treja kalojnë nga njëra në tjetrën sipas situatave. Ana fizike është e rëndësishme sepse duhet të përgatisësh trupin për të hyrë brenda. Edhe pse çdo aktor ka mënyrat e veta të përgatitjes fizike, ka një rregull kryesor: kur kamera është gati për xhirime, ti duhet të jesh një personazh, duhet të marrësh frymë me të, ndaj përgatitem shumë më përpara, bëj ushtrimet e mia, edhe kur nuk luaj. Duhet që të fle mjaftueshëm në mënyrë që të mos reflektohet lodhja në gjendjen time fizike.
****
Si u gjendët në filmin e Robert Budinës?
Në atë periudhë kam qenë me xhirime në Prishtinë. Roberti më dërgoi skenarin, pasi e kam lexuar jemi takuar dhe kam vendosur për të qenë pjesë e filmit. Nganjëherë në jetë vijnë disa role që nuk i pret, dhe unë nuk e prisja. Me disa role ke një identifikim të menjëhershëm, sepse tek Besniku ishin disa detaje që më pëlqyen. Personazhi im është shumë shpirtëror. Kur vjen në moshën 40 vjeçare, çdo mashkull e kërkon anën e tij shpirtërore. Unë kisha lexuar në këtë periudhë të gjithë librat e shenjtë dhe ky dimension spiritual që ka pasur personazhi ka qenë i madh, madje edhe heshtja e tij më ka prekur shumë. Këto kanë qenë pikat që më kanë dhënë menjëherë shenjë që duhet të kisha këtë rol. Po ashtu ishte një detaj tjetër që më tërhoqi, ishte roli i një bariu, duke më sjellë pranë fëmijërinë time. Sepse kur kam qenë fëmijë kam pasur fatin të shikoj ngjitjet në bjeshkë të bagëtive gjatë verimit dhe kjo ndihet edhe në film. Por sado që unë kam një lidhje emocionale, duhet që të mos teprohet me emocionet, duhet të mbaja distancë në çdo situatë.
Besniku është një burrë i fortë malësie, por i butë kur sheh aspektin shpirtëror?
Kjo është një klishe për burrat e malësisë, sepse në këto anë banorët janë besimtarë të devotshëm, përtej besimit të një feje. Ndoshta nga fakti që kanë qenë të izoluar, doemos janë të lidhur me natyrën më shumë se ne laikët. Personazhi kryesor është një malësor, por ama dimensioni i tij shpirtëror është unik. Edhe pse ai është një bari, raporti i tij spiritual është shumë i fortë. Kjo duket edhe me njerëzit që janë aty.V
Si ishte bashkëpunimi me aktorët e tjerë?
Jam shumë i kënaqur, me disa prej tyre kisha luajtur, me disa të tjerë jo. E rëndësishme është që u bëmë miq, kasti kanë qenë të mrekullueshëm, edhe fëmijët edhe banorët e Valbonës. Por çuditërisht edhe kafshët: dhitë që janë personazhe, kanë qenë të jashtëzakonshme. Është një detaj: ne po xhironim dhe ato duhet të bënin atë që donim, të na ndiqnin. Kam kaluar një kohë bashkë edhe me dhitë dhe ato mendonin sikur isha bariu i tyre.
****
Çfarë ju ka ndihmuar të mbani gjallë gjuhën shqipe?
Aktori është i lidhur fort me gjuhën. Edhe pse të gjithë filmat i kam bërë në gjuhë të huaja, edhe në gjuhë që nuk i di fare. Kam qenë në një shfaqje në Prizren dhe aty zbulova se duke folur shqip, çdo gjë më dukej më e lehtë. Sepse teknikën e vendosjes së zërit e kam më të lehtë në shqip. Aq më tepër që duhet të flas në dialektin e fshatit tim Isniq. Ne kemi një avantazh në gegnisht, sepse gjuha është shumë muskuloze, është ekspresive, imediate, ka tingëllimë.
Si u gjendët në filmin “Taken”?
Kam qenë pjesë e një audicioni i cili u bë në Paris të cilin e fitova. Kur ke përballë një aktor me përvojë si Liam Neeson ndihesh dyfish më i detyruar të jesh profesionist. Ky është një avantazh, sepse prej tij edhe mund të mësosh shumë. Edhe pse filmi nuk ka shumë fjalë, duhet të përfshihesha shumë në situatë. Me aktorët anglezë, të cilët jo rastësisht kanë fituar më shumë çmime Oscar, kishte një respekt të ndërsjelltë.
Keni luajtur edhe krah Zherard Depardie, si është të punosh me të?
Shumë thonë që është një aktor i vështirë, por me mua nuk ka ndodhur aspak kjo. Kemi kaluar shumë mirë, kemi kaluar shumë kohë bashkë dhe më ka dhënë edhe këshilla. Edhe pse secili ka teknikën e vet, ai më ka këshilluar shumë për të shmangur teknicitetin. Të bëhen gjërat sepse duhen bërë. Kjo është e vështirë, sepse ti duhet t’ia fillosh nga zero, duhet të përshtatesh.
****
A e ruani raportin me shqipen përmes përkthimit të autorëve shqiptarë?
Kam pasur disa eksperienca në përkthim bashkë me Teki Dervishi. Tani do të përkthej një dramë, por e kam më shumë si një pasion, qoftë nga shqipja në frengjisht dhe anasjelltas. Sepse përkthimi është një lloj interpretimi.
A ka ndonjë pasion tjetër që mbush jetën tuaj?
Merrem me meditim, me joga. Ndoshta është efekti i 40 vjeçarit. Më përpara merresha me artet luftarake por i kam lënë. E dua shumë poezinë, shkruaj. Shpesh me miqtë mblidhem dhe interpretoj. Bëj ato që themi ne: bëj ato që i kam për kokërr të qejfit…!
Arben Bajraktaraj është i rreptë me të rinjtë, por megjithatë ka një arsye pse ai bërtet, që ata të perfomojnë si duhet.
Të rinjtë në Kamboxhia, shtet në Azi, janë të talentuar kur vjen puna për performancë para publikut, por kanë frikë dhe ende nuk janë ballafaquar me të kaluarën e shtetit të tyre. Gjyshërit e tyre, prindërit e tyre, kanë vuajtur pasojat e një regjimi të fuqishëm. Në vitet 1975-1979, gati 3 milionë qytetarë në Kamboxhia kanë vdekur nga regjimi Khmer Rouge – i cili ushtroi një gjenocid në vend.
Shqiptari Arben Bajraktaraj është angazhuar që të rinjtë që kanë pasion teatrin dhe performancën të japin më të mirën e tyre. Në dokumentarin “Year Zero36”, i cili u dha këtë javë në një nga kinematë e Berlinit, e pasqyron rreptësinë por edhe profesionalitetin e Arbenit krahas të rinjve.
“Jam vetë me prapavijë nga një shtet ku ka pasur luftë e gjenocid dhe e kuptoj emocionin e këtyre të rinjve” tregon mes tjerash Bajraktaraj, një aktor i njohur tanimë jo vetëm në Francë por edhe në mbarë Evropën, sidomos në shtetet ku flitet gjuha franceze, shkruan KultPlus.
“Puna kërkimore në Kamboxhia rreth kujtesës ndërbrezore ( transgjeneratash) ka qenë punë e gjatë, e thellë dhe të ju them të drejtën shumë prekëse” tregon për KultPlus Bajraktari.
“Ndjeshmëria është një prej gjërave më të rëndësishme në procesin e krijimit. Duhet ti lëmë anash gjykimet tona për të zbuluar një pikturë të vërtetë të asaj se si e shohim botën. Për këtë, duhet të çlirohemi në tërësi” tregon Bajraktari.
Në Kamboxhia, ai vjen si trajner i trupës së të rinjve në bashkëpunim me Global Arts Corps.
Trupa, pasi bëhet gati për performancë, udhëton për në Ruandë, atje ku në kampin e refugjatëve jepet performanca e parë e trupës. Tanimë, të rinjtë futen thellë në role dhe nga një grup i amatorëve shndërrohen në aktorë. Me anë të aktrimit, ata e zbulojnë dhe ballafaqohen me të kaluarën e familjes së tyre, pjesën tjetër të identitetit.
Bajraktaraj, pjesë e dokumentarit i cili ende nuk ka përfunduar në tërësi, shihet se ka plot emocione për shkak të përvojë personale si një njeri me të kaluarën ku përfshihet lufta e gjenocidi.
Gjatë dokumentarit në fjalë, një prej valltarëve pëson një aksident që gati del të jetë fatal për të. Trupa pengohet nga shumë çështja drejt suksesit, por megjithatë ia del të formohet, me ndihmën e trajnerëve dhe regjisorit të dokumentarit, dhe vetë Arbenit.
Bajraktaraj ka studiuar në Slloveni, ndërsa ka luajtur në filmin “Heroi” dhe në “Woman who brushed off hear tears”, në mes plot filmave tjerë.
Dokumentari “Year Zero36” ende është ëork-in-progres, i papërfunduar. / KultPlus.com
Filmi me regji të Erenik Beqirit është shpërblyer me çmimin si filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë në Icelandic Horror Film Festival, shkruan KultPlus.
Ky film që prezantohet nëpërmjet lojës së aktorëve: Romir Zalla, Arben Bajraktaraj e Ema Andrea qysh prej premierës e deri më tashti numëron një numër të madh të çmimeve nga festival të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
‘Bon Appétit’ flet për një burrë i cili bredh nëpër tunelet e errëta të një ndërtese të braktisur derisa e gjen një tryezë që po e priste dhe kamerierin e gatshëm për ta shërbyer me darkën speciale të bërë vetëm me mish njeriu. Një sfidë për oreksin e tij./KultPlus.com
Në ditët më të nxehta të vitit, nga kurora më e lartë e natyrës shqiptare, do të kumbojë muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit, shkruan KultPlus.
Më 26 gusht, edicioni i parë i Zâ Festival mbledh në Theth kantautorët më të mirë të muzikës shqipe: Elina Duni, Shpat Deda e Vlashent Sata do të performojnë në të parin festival që i dedikohet trashgimisë natyrore të Alpeve Shqiptare.
“Shpirti i Zâ Festival është i gjithë thesari gojor i “Bjeshkëve të Nâmuna”. Në skenën e festivalit, aktori i njohur edhe në nivel ndërkombëtare Arben Bajraktaraj do të na rrëfejë gojëdhënat, tregimet, legjendat dhe përrallat e moçme, si trashgimia më e vyer e paraardhësve tanë në këto vise”, thuhet nga organizatorët.
Ky festival premton të krijojë atmosferën e duhur për të shijuar traditën dhe natyrën e rrallë të Thethit. Një event që zhvesh nga harresa bukuritë e paçmuara të Alpeve. Zâ Festival, Theth, 26 gusht – Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit. Festivali do të zhvillohet pranë Kishës në Theth.
Hyrja është e lirë për të gjithë pjesëmarrësit./KultPlus.com