Arben Bala, aktori shqiptar që u bë pjesë e gashtë serialeve ndërkombëtare brenda vitit

Ishte seriali norvegjez “Countrymen”, prodhim i regjisori shqiptar Izer Aliu, i cili u cilësua si një nga 13 serialet më të mira ndërkombëtare gjatë vitit 2021, që aktorin shqiptar Arben Bala e solli me një ndër rolet kryesore në këtë serial.

Ky rol, Arbenin e solli në një frymë ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim dhe i dha aktorit edhe çmimin për aktorin më të mirë në Festivalin e Filmit në Kanë. Kjo si duket ishte dritarja e suksesit, pas të cilës fshiheshin edhe shumë të tjera që secila priste të jepte shkëlqimin e saj, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë edhe për pesë seriale të tjera që ishin rezervuar për aktorin shqiptar. Një angazhim i madh brenda vetëm një viti, por që aktorit Bala i dha një ndër eksperiencat më të bukura në jetë dhe sfidat u tejkaluan lehtësisht sepse dëshira e madhe për të qenë pjesë e këtyre serialeve u konsideruar një sfidë e bukur për të.

Aktori Arben Bala, i cili tashmë ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Norvegji, në një intervistë për KultPlus, ka rrëfyer më shumë për sukseset e tij e sidomos përgjatë këtij viti.

“Gjithçka nisi para një viti me serialin “Countrymen” dhe çmimin në Cannes. Ky serial më hapi dyert e suksesit më tej, ku më pas u angazhova në disa seriale norvegjeze. Pas “Countrymen”, u bëra pjesë e serialeve si: “Kjære landsmen”, “Crypto kings”, “Gangs og Oslo”, “Pörny” dhe “Nede”, ku angazhimi im në këto seriale më dha një eksperiencë të mahnitshme”, thotë Bala.

Nga gjithë këto projekte, Bala veçon serialin “Nede” i cili sipas tij po bën bujë të madhe në Viaplay dhe poashtu është nominuar në festivalin Cannes.

“Të jesh pjesë e gjithë këtyre projekteve brenda një viti, nuk është e lehtë, sepse është e qartë se unë si aktor i huaj më duhet të punoj edhe më shumë për të bindur norvegjezët sepse kjo është një industri mjaft e vështirë. Përparësitë e kësaj janë se sa më mirë që përfshihem në rol aq më të mëdha janë shanset për mua për t’u përfshirë në projekte të tjera”, thekson Bala.

Përderisa çmimet nuk kanë munguar si në Francë, Kanadë, Amerikë dhe shtetet skandinave, Bala thotë që në Kosovë nuk ka marr shumë vëmendje seriali dhe as ai personalisht si aktorë dhe këtë e arsyeton me faktin se seriali nuk është shfaq për publikun kosovar.

Sa i përket projektet në Kosovë, Bala thotë që ende nuk ka diçka zyrtare, por që ato ndërkombëtare nuk po i mungojnë. Tashmë ai ka nënshkruar edhe tri kontrata të reja për vitin e ardhshëm dhe që është në bisedime edhe për projekte të tjera. / KultPlus.com

Arben Bala, ndër aktorët triumfues në Kanë: Jam krenar që jam shqiptari i parë fitues i një çmimi kaq të madh

Këtë javë u ndanë çmimet në Festivalin Ndërkombëtar të Serive në Kanë. Ndër serialat që bënë bujë në këtë festival ishte edhe seriali ”Countrymen” i realizuar nga regjisori shqiptar Izer Aliu, pjesë e të cilit ishte edhe aktori Arben Bala. Ishin këta dy shqiptarët, që ditën e djeshme morën vëmendjen e mediave botërore, si personazhet që triumfuan në këtë festival prestigjioz, shkruan KultPlus.

Seriali dramatik “Countrymen” arriti të marrë dy çmime të rëndësishme; për performancën e kastit të ansamblit të tij (aktorët më të mirë) dhe çmimin “High-School Best Series” (seria më e mirë nga juria e të rinjve).

Historia e këtij seriali tejet të famshëm në Norvegji, ndjek katër burra myslimanë që lëvizin në një pjesë rurale të Norvegjisë dhe përfundojnë duke krijuar biznesin e parë të prodhimit të djathit hallall në Norvegji. ”Me humor të errët, të thyer shpesh për të zbuluar ndjenjat e brendshme të personazheve, “Countrymen” përpiqet të zhytet auditorin në një Norvegji moderne multikulturore, pa e marrë veten shumë seriozisht”, thekson revista Variety.

KultPlus ka kontaktuar aktorin Arben Bala, njëri nga fituesit e çmimit për aktorin më të mirë në këtë festival, i cili mes emocionesh të mëdha deklaroi të ndjehet tejet i lumtur, njëherit edhe shumë krenar që është shqiptari i parë fitues i një çmimi kaq të madh, duke theksuar tutje se krejt kjo ndjenjë rrjedh nga fakti i vlerësimit të shumë regjisorëve të mëdhenj, ndaj tij. ”Isha vërtet i befasuar dhe shumë i lumtur. Ky çmim do të thotë gjithçka për mua dhe dëshmon se unë mund të luaj gjithçka, jo vetëm një gangster siç kam bërë për 16 vite. Sigurisht se kam shpresuar për një çmim dhe me marrë një çmim kaq të madh për performancën time në aktrim është absolutisht fantastike”, ka deklaruar tutje Bala për KultPlus.

Ndër të tjera, Bala ka treguar se përgjatë 5 muajve të xhirimeve, ka ushtruar shumë si fizikisht po ashtu edhe psiqikisht. Përkundër faktit të situatës pandemike dhe kufizimet që vinin me këtë situatë, Bala ka bërë shumë vrapime e lexime të vazhdueshme deri në perfeksionimin e skenarit drejt xhirimeve finale të serisë.

”Të jeni të përulur dhe të hapur për bashkëpunim. Dije që gjithmonë ke diçka për të përmirësuar kështu që mos mendo se je më i miri shumë shpejt. Mësoni nga ata përreth jush dëgjoni dhe vëzhgoni”, është ky mesazhi që Bala ka dhënë për të gjithë ata që synojnë karrierë ndërkombëtare në cilen do fushë të artit.

Aktorët kryesorë në serial janë: Nader Khademi, Ayaz Hussain, Jonas Strand Gravli, Arben Bala dhe e sapoardhura Erika Strand Mamelund. Ndërsa, Łukasz Zamaro shërbeu si kinematograf i serialit.

“Countrymen” është prodhuar nga studio norvegjeze Rubicon. Kurse, ‘Banijay Rights’ është përgjegjës për shpërndarjen e tij. / KultPlus.com

Seriali ‘Countrymen’ shpërblehet me dy çmime në “Canneseries” të Francës

Nga fituesit kryesorë në Festivalin Ndërkombëtar të serive të Kanës, të mërkurën mbrëma seriali dramatik “Countrymen” arriti të marrë dy çmime të rëndësishme; për performancën e kastit të ansamblit të tij (aktorët më të mirë) dhe çmimin “High-School Best Series” (seria më e mirë nga juria e të rinjve), përcjell KultPlus.

Lajmin e bëri të ditur aktori i njohur shqiptar, Arben Bala përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Me shumë kënaqësi ju them se personazhet kryesore e “Countrymen” janë cilësuar aktorët më të mirë në botë. Faleminderit regjisorit tonë, Izer Aliu”, ka shkruar Bala.

Aktorët kryesorë në serial janë: Nader Khademi, Ayaz Hussain, Jonas Strand Gravli, Arben Bala dhe i sapoardhuri Erika Strand Mamelund. Ndërsa, Łukasz Zamaro shërbeu si kinematograf i serialit.

Komedia e përplasjes së kulturës, e fundit nga prodhuesi kryesor norvegjez Rubicon (“Beforeigners”), tregon historinë e katër muslimanëve që lëvizin në një fermë në fshat dhe përfundojnë si themeluesit e biznesit të parë të prodhimit të djathit ‘Hallall’ në vend, pavarësisht nëse duan apo jo.

“Countrymen” është prodhuar nga studio norvegjeze Rubicon. Kurse, ‘Banijay Rights’ është përgjegjës për shpërndarjen e tij.

Seriali do të shfaqet nga botuesit kryesorë nordikë dhe nga ARTE në Francë dhe Gjermani./ KultPlus.com

Arben Bala bëhet aktori i parë shqiptar me rol kryesorë në një serial ndërkombëtar

Është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme, kryesisht në Norvegji. Aktori shqiptar, Arben Bala nuk i ka munguar as skenës shqiptare. Kur është fjala për filma aksion, Bala është ndër aktorët e parë që ju bie në mend regjisorëve, shkruan KultPlus.

Një projekt gjigant në Norvegji tashmë ka marrë hovin. Bëhet fjalë për serialin “Jordbrukerne” ku aktori Bala po bart mbi supet e tij rolin kryesorë.

Kjo njëherit e bënë atë si aktorin e parë shqiptarë me rol kryesorë në një serial ndërkombëtarë.

Aktori Arben Bala ka treguar për KultPlus se ky rol është ndër më të mëdhenjtë që ka pasur deri më tani dhe kjo padyshim që e bënë tejet të lumtur, por njëkohësisht gjithë këtë projekt e sheh edhe shumë sfidues.

“Xhirimet po shkojnë në formën më të mirë, kjo padyshim pasi që është një projekt gjigand dhe me një ekip tejet profesional. Nuk kam fjalë të përshkruaj sa i lumtur jam sepse ky rol është jashtëzakonisht i rëndësishëm për karrierën time. Jam duke marrë kritika shumë të mira për punën që po e bëj e kjo po shndërrohet në forcë e vullnet që të jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Bala për KultPlus.

Projekti është një seri dramë satirike prej 8×45 minuta, e cila do të transmetohet në NRK, dhe është prodhuar nga Rubicon.

Sipas aktorit, seriali bën fjalë për një grup fermerësh shumë të pazakontë në një fshat në Telemark. Katër burra lëvizin nga skaji lindor i Oslos në një fermë në Telemark. Ata presin të përballen me disa paragjykime dhe ksenofobi nga banorët e fshatit, por ndodh e kundërta. Në Telemark, ata gjejnë një bashkësi rurale shumë gjithëpërfshirëse që i mirëpret me krahë të hapur. Banda Oslo kështu përfshihet në një numër incidentesh në komunitetin lokal. Rezulton gjithashtu se ferma vjen me njëqind dhi për të cilët nuk ishin të përgatitur të ishin përgjegjës. Fermerët janë për gjetjen e kuptimit në jetën ku ju e prisni më pak, në një histori që sillet rreth bujqësisë, miqësisë dhe djathit.

Arben Bala është shumë aktivë edhe në rrjetet sociale. Në profilin e tij në Instagram ai sot ka publikuar një fotografi me simbolin e shqiponjës duke e shprehur dashurinë e tij për vendlindjen. Ai ka shkruar se suksesi më i madh për të është atëherë kur e bën krenarë popullin e tij.

“Çdo sukses timin ja dedikoj vendlindjes time. Kosova përherë në zemrën time. Sukseset mund të jenë të ndryshme, por suksesi më i madh për mu është kur e bëj popullin tim krenarë. Shqiptarë me ju e për ju gjithmonë! Stay tuned, projekte gjigande po vijnë”, ka shkruar Balaj.  

Kujtojmë që falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni deri më tani ka arritur të bëhet pjesë e shumë filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze. Talenti dhe puna e madhe, i hapën dyert e një prej institucioneve më të mëdha në Norvegji, ato të Teatrit Kombëtar Norvegjez në Oslo, duke u bërë kështu për tri vite rresht aktorë rezident i teatrit. Deri më tani Arbeni ka luajtur më shumë se 16-të filma dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër. / KultPlus.com

Publikohet traileri i filmit norvegjez ‘Gjengangere’, pjesë e tij edhe aktori shqiptar Arben Bala (VIDEO)

Jeta Zymberi

Aktori shqiptar Arben Bala i cili karrierën e tij po e zhvillon në Norvegji, tashmë ka arritur të shndërrohet në një aktor mjaft të pëlqyer atje, kjo pasi ai është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme, duke arritur tashmë në atë pikë saqë të jetë ndër aktorët më të kërkuar sidomos kur bëhet fjalë për filma aksion, shkruan KultPlus.

Në filma ai e luan pothuajse gjithmonë karakterin e njëjtë. Fizionomia ja imponon që të marr gjithmonë role në filma aksion si “bad guy”.

Një karakter të tillë Bala do ta sjellë edhe në filmin e ri i cili do ta ketë premierën më datë 27 tetor në Norvegji. Bëhet fjalë për filmin ‘Gjengangere’ ku Arbeni luan rolin e një udhëheqësi të mafias shqiptare dhe në film prezantohet si shqiptar.

“Ky është filmi i parë që është realizuar me të burgosur në Norvegji. Është film që paraqet jetën e të burgosurve, sfidat, problemet dhe marrëveshjet që realizohen brenda burgut. Në këtë film jemi tri grupe brenda burgut, grupi i shqiptarëve, ai pakistanez dhe norvegjez dhe secili grup e ka bosin e vet, unë e udhëheq grupin shqiptar. Në këtë burg unë jam një personazh që kam më shumë autoritet dhe të gjithë të rinjtë që vijnë aty paralajmërohen të kenë kujdes nga unë. Emri im në film është Mirush Osmani”, ka treguar aktori Bala për KultPlus.

Tashmë është lansuar edhe traileri i filmit, ku në disa sekuenca shihet edhe aktori shqiptar.

Falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni ka arritur të bëhet pjesë e filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze si: Reprise, Blodsbånd, Ulvenatten, Dagbok fra baksetet, Mano dhe Lillebror (NRK), Dino e të tjerë. Deri më tani ai ka luajtur 15 filma dhe tani është në xhirime për filmin e 16-të dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër. / KultPlus.com

Arben Bala: Për role ‘bad guy’ nuk ja zgjasë dorën askujt

Arben Bala, djali i cili qysh në moshën 13 vjeçare u largua nga Kosova për në Norvegji, për tu shndërruar atje në një aktor mjaft të pëlqyer, kjo pasi ai është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme atje, duke arritur tashmë në atë pikë saqë të jetë ndër aktorët më të kërkuar sidomos kur bëhet fjalë për filma aksion. Falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni ka arritur të bëhet pjesë e filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze si: Reprise, Blodsbånd, Ulvenatten, Dagbok fra baksetet, Mano dhe Lillebror (NRK), Dino e të tjerë. Talenti dhe puna e madhe, i hapën dyert e një prej institucioneve më të mëdha në Norvegji, ato të Teatrit Kombëtar Norvegjez në Oslo, duke u bërë kështu për tri vite rresht aktorë rezident i teatrit. E padyshim që kjo ishte një përvojë e paharruar për aktorin e që do të donte të zgjaste gjithë jetën. Arbeni në një intervistë për KultPlus, ka zbuluar shumë nga jeta e tij dhe përvoja si aktor.

Ndonëse u largua shumë i ri nga vendlindja, ai tregon se ato vite jetë në vendlindje i mjaftuan që në të të mbillet dashuria e madhe për këtë vend dhe për të mos i harruar asnjëherë traditat, gjuhën e zakonet shqiptare. Madje ai thotë se pasuria më e madhe e tij janë pikërisht këto vlera. Jetën si aktor në Norvegji ai e filloi falë kontakteve që i ka krijuar përmes shoqërisë, fillimisht i është dhënë një rol shumë i vogël por i cili ka mjaftuar që regjisorët të binden që ai ka talent për aktrim e sidomos për rolet në filmat aksion dhe kështu kanë filluar ftesat për role më të mëdha. Deri më tani Arbeni ka luajtur 15 filma dhe tani është në xhirime për filmin e 16-të dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër.

Jeta Zymberi

KultPlus: Jeni në proces të xhirimeve të filmit më të ri të Izer Aliut, dhe pikërisht kjo është edhe arsyeja që ju solli nga Norvegjia në Maqedoni, çfarë ndjesie keni që po xhironi në një film shqiptar, duke pas parasysh se një përvojë të tillë tashmë e keni në Norvegji?
Arben Bala: Para disa viteve kam thënë në një intervistë se ëndrra ime më e madhe është të luaj në një film shqiptar, dhe ja tani kjo ëndërr është plotësuar. Gjatë këtyre ditëve që jemi në xhirime, po mundohem ta shfrytëzojë kohën në maksimum duke qëndruar me ekipin të cilët janë të mrekullueshëm. Është ndjesi tjetër të xhirosh me njerëzit e vendit tënd. Për mua kënaqësia më e madhe është kjo koha gjatë xhirimeve sepse ato momente mbesin gjatë në memorien time. Këto momente ma zgjasin jetën. Jam aq i kënaqur këtyre ditëve saqë po fle shumë pak, duke dashur ta zë kohën.

KultPlus: Është filmi i parë shqiptar që po merrni pjesë, apo keni ndonjë rol tjetër edhe në projekte të tjera?
Arben Bala:
Ky është projekti i parë shqiptar në të cilin po marrë pjesë. Deri më tani kam qenë pjesë e filmave, serialeve dhe si aktor i tetarit në Norvegji. Por ky rol në filmin e regjisorit shqiptar Izer Aliu është i veçantë për mua. Në këtë film kam rol kryesorë bashkë me aktorët Naser Rafuna, Xhevdet Jashari, Astrit Alihajdari dhe Rina Krasniqi, me të cilët kemi arrit një bashkëpunim shumë të mirë dhe finalizimi besoj që do të jetë i mrekullueshëm.

KultPlus: Megjithatë, edhe pse Izer Aliu një regjisor shqiptar, ai punën e tij e zhvillon në Norvegji, që nënkupton që punën e tij e keni njohur prej atje, do ta pranoje një ofertë tjetër nga regjisorët shqiptarë që punojnë në trojet shqiptare?
Arben Bala:
Me Izerin jam njohur në Norvegji dhe kam qenë pjesë e filmave të Izerit edhe më herët. Kam shumë respekt për të dhe punën e mrekullueshme që bënë. Por, nëse edhe ndonjë regjisor tjetër shqiptar më bën ftesë për ndonjë film, padyshim që do e pranoja ftesën, madje me shumë kënaqësi. Por gjithmonë kam dëshirë të punoj me njerëz të thjeshtë dhe jo me mendjemëdhenj.

KultPlus: Në kastën e aktorëve të filmit të Izer Aliut, ka mjaftë aktorë të famshëm brenda për brenda Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë, i ke njohur më parë, apo ra ky film e u njohët?
Arben Bala:
Është hera e parë që jam takuar me këta aktorë dhe me të vërtetë po kemi raporte shumë të mira. Po kalojmë aq mirë me njëri tjetrin, sikur të kishim luajtur së bashku në filma që 20 vite. Jemi duke kaluar aq mirë saqë kam frikë se do të kalojë në depresion kur të kthehem në Norvegji.

KultPlus: Ndërkohë, ju keni mjaftë role në teatër, seriale e filma norvegjez, por jo të keni famë edhe në trojet shqiptare, pse gjithë kjo tërheqje?
Arben Bala:
Kam kontaktuar njëherë me një person që është aktor këtu në Kosovë, të cilit ja kam shpalosur një projekt timin, gjithashtu kam tentuar të flas me disa persona të botës së artit por nuk më kanë marrë seriozisht. Po mendojnë që ne që jetojmë jashtë bëjmë vetëm punë fizike, nuk po arrijnë ta kuptojnë që ka edhe persona që jetojnë jashtë dhe merren me art.

KultPlus: Mund të na përmendi për karakteret që luani në projekte të ndryshme në Norvegji?
Arben Bala:
Në filma e kam luajtur pothuajse gjithmonë karakterin e njëjtë. Fizionomia ime e imponon që unë të marr gjithmonë role në filma aksion si “bad guy” dhe për role të tilla të them të drejtën nuk ja zgjasë dorën askujt. Nga gjithë filmat që kam luajtur, do ta veçoja filmin ku kam luajtur me Steven Van Zandt, i cili njëherit është edhe kitaristi i Bruce Springsteen’s. Zandt ka luajtur në shumë filma hollivudian si dhe në serialin e famshëm ‘The Sopranos’.

KultPlus: Sikur të ishte në dorën tuaj, cilin karakter do ta luaje me shumë pasion?
Arben Bala:
Këtë karakter e luaj gjithmonë dhe tash është bërë pjesë e imja. Por nuk do të thotë që nuk luaj edhe role të tjera. Në filmin që jemi duke e xhiruar tani, kam një rol krejt tjetër. Në këtë rol paraqitem si një njeri më i tërhequr, një person që frikësohet shumë nga policët, rojtarët e në përgjithësi njerëzit me uniformë. Edhe këtë rol po e realizoj pa problem.

KultPlus: Por, nga përvoja e shumë artistëve shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, rolet që karakterizohen janë ato të kriminelëve, çfarë mendon që ju besohen këto role, se Ballkani karakterizohet si vend me potencial të kriminelëve, apo se ju vini nga Ballkani dhe mund ti sillni më mirë se askush tjetër?
Arben Bala:
Fatkeqësisht bota po na trajton si popull të tillë, po edhe ky paragjykim ka filluar të zhduket. Në rastin tim është fizionomia ime dhe talenti që kanë bërë të më besohen rolet e tilla.

KultPlus: Shqiptarët kanë mjaftë rrëfime që mund të shndërrohen në filma edhe të suksesshëm, cilin rrëfim do të doje ta ndaje më të tjerët?
Arben Bala:
Rrëfimin e jetës sime mendoj ta bëj film. Kam pasur një jetë shumë interesante dhe mendoj që po ta bëj film do të dal diçka tepër e mirë sepse aty përfshihet historia e një djali shqiptar që mendoj se do të ishte një histori tërheqëse. Unë e kam skenarin gati por jam ende në bisedime. Në Kosovë nuk mendoj që mund të gjej mbështetje, jam i bindur që nuk vij në rend këtu. Ndërsa në Norvegji ju ka pëlqyer shumë si ide dhe kam gjetur përkrahje por problemi është se ata po kërkojnë ti kenë të gjitha të drejtat e filmit, dhe unë aty nuk pajtohem sepse është jeta ime që do të shfaqet në atë film dhe dua të kem të drejtë mbi atë film. Filmin kam dëshirë ta bëjë shqip sepse historia ime është shumë interesante dhe vetëm në shqip mund ta ketë dinamiken e vërtetë.

KultPlus: Dhe për fund, çfarë e pret Arbenin pas përfundimit të xhirimit të filmit me regjisorin Izer Aliu?
Arben Bala:
Sapo ti përfundoj xhirimet me Izerin, do të kthehem në Norvegji sepse jam pjesë e një filmi të metrazhit të shkurtër i cili do të filloj xhirimet muajin tjetër. Është një projekt interesant pa dialog. Në këtë film jam në rolin kryesorë dhe do të luaj së bashku me aktorë tjerë shumë të famshëm. Ky është një rol shumë i rëndësishëm për karrierën time. Ndërsa më datë 27 tetor jepet premiera e filmit ‘Gjengangere’, pjesë e së cilit film jam edhe unë. / KultPlus.com