Kastrati: Një popull që vetes i drejtohet në shumës, ndërsa bashkëbiseduesit në njëjës, ka mungesë elementare të dijes dhe arsimimit

Bujar Meholli

Artistët shqiptarë që vitet e fundit kanë ndjekur dinamikat e jetës kulturore shqiptare janë vënë para një paradoksi, në të cilin po u përpoqe të jesh vetvetja dhe ta bësh artin tënd, o do të lihesh krejt anash, mbuluar nga pluhuri i harresës, o medoemos do të pengohesh gjatë punës tënde. Fatkeqësisht tash e sa kohë, artistët, ata të vërtetit që përpiqen t’i ndryshojnë gjërat për të mirë pengohen e izolohen nga institucionet sikur në një nekropol. Pra, cili është shkaku i tërë kësaj situate vallë? 

Një shtet funksional investon në zhvillimin e jetës kulturore, për ta pasur shoqërinë e shëndoshë, sepse nuk ka jetë pa art, rrjedhimisht as shoqëri. Kultura shqiptare parë në përgjithësi gjatë viteve të fundit duket sikur ende s’i ka bërë vendin lirisë së shprehjes dhe hapjes, por sikur ka mbetur ende në njëfarë strehe diakronike.

Në shoqërinë kosovare, të jesh artist nuk është aspak e lehtë. Që të trasohet rruga drejt karrierës do të duhej një gjendje më e mirë sesa kjo që e ka pllakosur vendin, ku ekonomia e tregut është në situatë të vështirë, sikurse fuqizimi i artistëve përmes financimeve. Ndaj, mund të thuhet se ky sistem s’është tjetër veçse kaotik, nën të cilin shumë artistë siç është Arben Kastrati, ngelin të dëshpëruar. Sepse sistemi i ndërtuar në këtë mënyrë, artistët i vë në luftë për mbijetesë, derisa në anën tjetër vazhdon ripërtypja nga publiku.

Për të diskutuar rreth kësaj anomalie që mbretëron tash e sa kohë, vjen në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus artisti poliedrik Arben Kastrati, i cili bart pas vetes një bagazh të pasur artistik.

Aktor, regjisor, skenarist, shkrimtar e producent filmi është profili i tij. Mes një karriere të gjatë të ndarë mes ekranit televiziv, skenës së teatrit e letërsisë, Arben Kastrati është shquar për sensin e rebelizmit kundrejt sistemeve. Si një shpirt i lirë, ai ka luftuar e lufton për lirinë, ndaj Kastrati është vënë kundër padrejtësive sociale dhe lënies anash të njerëzve adekuat. Koncepti bazë i artit të tij, ka lirinë e të shprehurit. Por duke parë ndër vite zhvillimet socio-politike, Kastrati është i dëshpëruar me anarkinë, që sipas tij, është instaluar në vend dhe në institucionet kulturore.

“Grupet e interesit e kanë dëshmuar që nuk dinë të bëjnë asgjë, ndërsa unë nuk kam fuqi për të bërë ndërrime, por fuqinë e fjalës së lirë nuk mund të ma ndalë askush për ta gjykuar këtë trend negativ”, e nis ai bisedën.

Brenga e Kastratit është se njerëzit e ditur po lihen anash nga institucionet, madje ai konkludon se është krijuar njëfarë urrejtje patologjike ndaj tyre.

“Njerëzit e ditur të këtij vendi duhet të thirren, madje të luten nëse është nevoja, që të vijnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit. Ka njerëz të ditur në këtë vend, por fatkeqësia është se ata nuk duhen. Përkundrazi. Ka një urrejtje patologjike ndaj njerëzve të ditur, qoftë në ekonomi, mjekësi, shkencë, sport e kudo. Është njëfarë rezistence e madhe ndaj njerëzve të ditur, që ata mos kontribuojnë në vendimmarrje”, thotë ai duke vazhduar:

“Ka një degradim aq fyes ndaj dijes, saqë kur përmendet një intelektual, asocohet në diçka të keqe, asocohet në njeri të keq, të shëmtuar. Thjesht, njeriun e ditur e kanë shpërfytyruar”.

Tërë kjo situatë sipas tij s’është veçse trend i degradimit, i cili po del të jetë i thellë dhe ndikues në jetën kulturore kosovare.

Ky sistem i instaluar i të paditurve, i mbanë larg njerëzit e ditur, të cilët nuk i imponohen atyre, sepse janë të paditur. Drejt të diturve, mungojnë ofertat, që t’i marrin institucionet në duar dhe ta bëjnë vendin, sipas tij.

“Ekziston mënyra, por s’ka dëshirë dhe vullnet”, thotë Kastrati, teksa përmend të rinjtë që kanë kryer shkollimin nëpër Universitete prestigjioze por që anashkalohen. Në vend të tyre,  tash e njëzet vjet, mbështeten njerëz jo të duhur.

“Kjo shoqëri ka minimum 400-500 të rinj që kanë kryer shkolla në Universitete të prestigjioze botërore. Atyre duhet t’ju bëhet ofertë, që të vijnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e vendit. Por, ardhja e tyre do të sillte rregull, e rregulli ua ngushton hapësirat për vjedhje e manipulime, udhëheqësve të paditur politik të institucioneve”.

“Unë nuk shoh jetë kulturore në Kosovë, sepse nuk e shoh artin me dioptrinë e institucioneve por me sytë e mi. Ka tentativa individuale, mirëpo fatkeqësisht, ato nuk gjejnë mbështetje institucionale, sepse mbështeten vetëm vartësit e politikës. Ky sistem ka lëshuar rrënjë të thella dhe është vështirë të zhbëhet”, thotë Kastrati për projektet kulturore. .

Duke biseduar për këtë sistem dhe ndërtimin e jetesës, Kastrati kritikon Kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin, i cili, sipas tij, nuk merret me problemet e shumta të kryeqytetit por me politikat nacionale që s’i takojnë.

“Këtu është anarki totale, duke u nis nga gjuha që përdoret në rrugë, ndërtimet që bëhen vend e pa vend, komunikacioni i tmerrshëm, ndotjet e të gjitha llojeve etj. Kemi një kryetar komune që shpeshherë më duket se ka karakter bipolar, flet diçka tjetër e vepron diçka tjetër, Kur e dëgjoj teksa flet Shpendin, kam përshtypjen që flet për një qytet të tij imagjinar. Në vend që të merret me problemet e pafundme të qytetit, ai merret me politikë nacionale dhe globale, flet për Japoninë e Kinën sepse këtu i ka kryer të gjitha punët, i kanë mbet vetëm problemet globale me i zgjidh”, shprehet ai, ndërkohë që ironizon me ekzekutivin.

“Ne qeveritë po i zgjedhim çdo stinë, e patëm një në vjeshtë, në dimër s’patëm (se bënte ftohtë), mandej bëmë një qeveri në pranverë, tani e kemi qeverinë e verës, në shtator do ta zgjedhim qeverinë e vjeshtës…Të gjitha qeveritë kanë besim të gabuar. Qeveritë krijohen për t’i shërbyer popullit dhe jo populli t’ju shërbej anëtarëve të qeverive”.

“Mënyra e ndërtimit të jetesës, ka shkuar përtej primitivizmit. Ne si popull jemi primitiv sepse jemi të paedukuar dhe të paarsimuar. Jemi një  popull, që vlera e klerikut primitiv është më e çmuar se ajo e akademikut. Një popull, që vetes i drejtohet në shumës, ndërsa bashkëbiseduesit në njëjës… Po që se e pranojmë faktin që jemi shoqëri primitive, kemi gjasa të ecim tutje…”

“I riu i sotëm, që nga lufta e këndej, ka parë vetëm bërllok në TV dhe në realitet, korrupsion e krim të organizuar, prandaj ai mendon se kështu duhet ndërtuar jeta, se kështu duhet ndërtuar e ardhmja. Duhet shumë punë për t’i ndryshuar gjërat, por me njerëz të duhur arrihet; duhet të instalohen ligjet dhe mbi të gjitha, duhet të instalohet  përgjegjësia, sepse ky vend jeton në papërgjegjësi totale. Në këtë vend, ende s’është dënuar askush për asgjë, as për korrupsion as për keq qeverisje. Këtu shqiptohen vetëm dënime për komunikacion”, konkludon ai.

Duke vënë një paralele mes kësaj kohe dhe së shkuarës, për Kastratin, me gjithë vështirësitë e kohëve të shkuara dhe atë pak liri që njerëzit kishin, e kanë shfrytëzuar maksimalisht, derisa në ditët e sotme lirinë e kanë shëmtuar.

“Kohë më parë s’kemi pasur liri për me kriju, por sot këtë liri, e kemi, e kemi të shëmtuar. Atëherë atë pak liri e kemi shfrytëzuar maksimalisht, ndërsa sot, këtë shpërfytyrim, e quajnë  liri, në të cilën na mohohet çdo e drejtë njerëzore dhe krijuese”.

“Mua, Qeveria e Kosovës m’i ka ndaluar xhirimet e filmit, jo Qeveria e Beogradit. Kolegët e mi, artistët e krijuesit janë bërë njësh me Qeverinë, që ta ndalojnë një projekt filmi. A ka gjë më të turpshme. Koha ka për ta vërtetuar kush ka pasur të drejtë. Me fondet që nuk janë të shtetit, s’kanë asnjë të drejtë të më ndalojnë krijimin, ashtu siç unë s’kam asnjë detyrim ndaj tyre. Në rastin tim, është shteti ai që do të fitonte. Por, ky shtet, në mënyrën më tinëzare, ashtu si edhe personazhet politike të tij, m’i ndaluan xhirimet 6 ditë përpara se të filloja me xhirime, në mënyrë që të dështoja. Megjithatë, e xhirova filmin në Shqipëri dhe Maqedoni Veriore dhe nuk dështova. Materiali i xhiruar filmik, është fantastik.  Yjet kinematografike kanë pranuar të vinë, sepse e kanë pëlqyer skenarin, të cilin QKK-ja e ka mohuar,  për shërbime politike”, thekson ai.

Tutje, Kastrati për lexuesit e KultPlusit rrëfen ardhjen e aktorit të madh Gérard Depardieu për të luajtur në filmin e tij “Unë dhe Millosheviqi”, teksa shpreh indinjatën me institucionet dhe mediat rreth etiketimeve që ia kanë veshur atij vet dhe aktorit francez.

“Gérard Depardieu e kanë etiketuar si spiun të Rusisë, agjent të Putinit, spiun të UDB-së,  e plotë idiotizma të tjerë, në vend që ta mbështesin, sepse një aktor i kalibrit të tij nuk ka xhiruar ende në Ballkan. E shanë, e etiketuan dhe tentuan ta bastardojnë personalitetin e tij. Sa që ai, më tha “Çfarë borxhi i kam Kosovës?”. Edhe mua më shanë dhe më quajtën tradhtarë. Por, unë tani nuk kam asnjë varësi prej tyre”.

Në mesin e kësaj zallamahie ku publikut i servohen gjëra pa vlera artistike, njeriu mund të bëhet i famshëm fare lehtë sepse i ofrohen mundësitë për një gjë të tillë. Kur flet për këto çështje, Kastrati është sarkastik, emisionet televizive i quan bërllok.

“Woody Allen thotë: Ne në LA nuk e gjuajmë bërllokun, e shndërrojmë në emisione televizive. Kjo thënie vlen këtu. I gjithë bërlloku konvertohet në programe televizive. S’kam durim me i pa sepse është humbje kohe, dhe shtim i dozës së nervozës”.

Ndaj dhe ka vendosur të heq dorë nga këto dhe jeton në botën e tij siç thotë:

“Jetën time dua t’ia kushtoj krijimit, Kam bërë shkëputje nga përditshmëria sepse kam një qëllim, të krijoj. Unë jetoj në Prishtinë, por realisht nuk jetoj në Prishtinë. Jetoj në botën time, sepse anarkia totale që mbretëron në përditshmërinë tonë, njeriun me një dije normale, e çmend”.

Kah fundi i kësaj bisede Arben Kastrati shpalos planet e tij për të ardhmen. Ai tregon se në muajin shtator duhej të fillonte një film dhe një serial me Netflixin, por që janë projektet janë pezulluar për shkak të pandemisë. Gjithashtu, Kastrati po përgatit një skenar filmi për një kompani të madhe amerikane, në të cilin do të luan një aktor i madh amerikan.

Preferencat e tij artistike dhe modelet që ai ka ndjekur gjatë karrierës së tij janë të shumta. Më të mirët sipas tij, janë ata artistë që punën e tyre e bëjnë me pasion.

“Sa i përket letërsisë, shkrimtarët Dostojevsky dhe Faulkner të preferuarit e mi. Natyrisht, ka dhe shumë shkrimtarë të tjerë që i lexoj me shumë kënaqësi, por këta dy i kam lexuar dhe rilexuar dhe më kanë fascinuar me qasjen e tyre ndaj personazheve dhe stilin e shkrimit”. Kurse në muzikë dhe film, thotë se ka shumë artistë që i bëjnë përshtypje. Flet për aktorët e tij të preferuar; Robert Duvall, Al Pacino, Jack Nicholson… Për muzikantin e tij të preferuar Tom Waits. Për një muzikant ai flet me shumë admirim.

“Ennio Morricone është një ndër të paktit gjeni, i cili fatkeqësisht iku. Më herët iku Umberto Eko, i cili në intervistën e tij të fundit, thoshte që e urrente njerëzimin. Unë nuk e urrej ende njerëzimin, por dua të kem kontakte sa më të pakta me njerëzimin. Unë kam një qenush, quhet Boo, i cili kur bënë ndonjë gabim, e qortoj duke i thënë: mos u bë njeri… /KultPlus.com

Arben Kastrati

Vdekja e gjeniut

Shkruan: Arben I. Kastrati

Ashtu siç Zoti krijoi gjenitë, ca gjeni krijuan vepra hyjnore.

Ashtu dhe gjeniu Ennio Morricone, krijoi vepra hyjnore. Emri i tij lidhet me filmat kult, të cilët koha nuk arriti ti “oksidonte”. Muzika që ka shkruar, jo vetëm i ka rezistuar kohës, por ka bërë vend në memorien kolektive.

“Prindërit nuk dëshironin që unë ti vuaja pasojat e tmershme që sillte realiteti. Prandaj, më zhvendosën nga realiteti dhe më vendosën të rroja në irealitet. Më vendosën të rroja në kinema, mes filmash. Jeta brenda në filma ishte utopike, ishte përrallore. Brenda në filma isha i mbrojtur. Jashtë filmave isha i privuar nga cdo e drejtë. Prandaj, jeta mes filmash kishte siguri, paqe dhe qetësi. Vetëm në filma isha i lirë. Vetëm në filma ishim të lirë.

Iu nënshtrova vullnetit të prindërve, duke u arratisur nga realiteti dhe duke u strehuar në filma. Me kohë, filmat m’u shndërrua në realitet ndërsa cdo gjë jashta saj ishte ireale. Për mua, bota jashta filmave ishte e gënjeshtërt. Bota brenda filmave u bë e vërtet”, them në romanin tim të fundit.

Në shumë nga ata filma në të cilët kam jetuar ndër vite, muzikën e ka shkruar, komponuar, aranzhuar dhe dirigjuar, Morricone. Shumë nga ata filma, identifikohen me muzikën e Morricone-s. Madje, si rrallë kompozitorë, apo sikur asnjë tjetër, arrijë ta dëgjojë dhe shijojë muzikën e Morricone-s, pa e shikuar filmin.

Kam pasur kënaqësinë ta dëgjoj maestro Morricone-n në koncert. Ndjesia që krijonte muzika e tij, ishte hyjnore. Ai të zhvendoste nga bota jonë. Të merte dhe të dërgonte në një botë tjetër. Përtej botës sonë. Të dërgonte në një lloj parajse. Nuk ishte parajsë mitologjike. As parajsë religjioze. Parajsa e Morricone-s ishte e vërtet. Ishte reale. Shijohej.

Koncerti kishte vetëm një të metë, kishte përfundim. Ndërsa dëshiroja të zgjaste pafundësisht. Ashtu sic njeriu dëshiron të rroj në parajsë, përjetësisht.

Në amfiteatër, për ta dëgjuar koncertin, kishin ardhur shumë kryetarë shtetesh, shumë kryeministra, shumë ministra, përfshi edhe ata nga kultura. Por, në në amfiteatër kishte vetëm një lider, dhe nuk ishte politik; ai ishte artist dhe quhej: Ennio Morricone.

E tërë vëmendja ishte vetëm tek Morricone. Prania e kryetarëve, kryeministrave, ministrave, ambasadorëve, nuk kishte asnjë peshë. Të tërë ishin inekzistent.

Aty e kam shijuar vogëlsinë e njeriut dhe madhështinë e njeriut; vogëlsinë e politikanit dhe madhështinë e artistit; inferioritetin e politikanit dhe qëndrimin e gjeniut.

Emrat e politikanëve nuk i mbaj në mend, por fytyrat e tyre inferiore po. Veprat e politikanëve nuk i mbajë në mend, por veprat e Morricone-s po.

Vetëm Arti i bën politikanët inferior. I bënë të përkulen para artistit.

(Tani e vërejta se cdo gjë tek unë është politizuar. As edhe një shkrim nuk arrijë ta përshkruaj, pa i veshur attribute politike. Madje as gjeniut Morricone. Politika na ka degjeneruar. Ju kërkoj ndjesë.)

Bota mbarë, do të duhej ta falenderonte Z. Morricone, që për dekada na sofistikoi duke na dhuruar kryevepra muzikore dhe që ndikoi në lartësimin e shijeve tona muzikore dhe filmike.

Morricone e ka krijuar parajsën. Shumë të gjallë, rronë cdo ditë në parajsë falë veprës së tij. Jam edhe unë në mesin e tyre. /KultPlus.com

Thaçi-Kurti

Shkruan: Arben I. Kastrati

Sa herë që dëgjojë intervistat e Z. Thaçi, më kujtohet një italian, që pasi kishte dalur nga një ligjëratë e Umberto Eko-s, kishte deklaruar: Sapo dëgjova një gjeni, dhe udhëhiqemi nga Berluskoni.

Ne ndoshta nuk kemi Umberto Eko, por “Berluskoni-n” që na udhëheqë, e kemi. Për dallim nga Berluskoni, Kryetari ynë, të shumtën e kohës e kalon duke shpifur, kritikuar dhe ofenduar oponentët politikë. Pjesën e mbetur të kohës, e kalon duke i thurrur lavde vetvetes.

Kur e dëgjoj Z. Thaçi të rendis sukseset, më krijohet përshtypja që në Kosovë, lopët e bëjnë Milka-n e gatshme, lumenjtë rrjedhin Moet, se pihej vetëm Kopi Luwak kafe në kohë të lirë dhe vetëm kohë të lirë kemi në mungesë të fuqisë punëtore, se i gjithë populli jemi intelektual, se Ana Karenina lexohej për njëzetë minuta, dhe Kosova do ti vë viza pjesës tjetër të botës që kërkon të vijë të punojë tek ne….

Z. Thaçi, është fenomen. Ai lehtësisht arrinë që cdo oponent politikë ta ulë në nivelin e tij. Në nivelin e tij, ai është i pamposhtur, dhe lehtësisht e mund cdo kundërshtarë.

Ai duhet duhet studiuar. Se si, me dijen që ka, arrinë të ngelet kryeprotagonist mëse njëzetë vjet rradhazi.

****  

Umberto Eko na mungon, por nuk na mungojnë figura të ditura. Mungojnë ofertat në drejtim të të diturve tanë. Meritokracia, doli të ishte e parëndësishme edhe për Z. Kurti. Ndodhi që Z. Kurti, ashtu sikurse edhe paraardhësit e tij, të kishte mëri pa arsye ndaj të diturve të këtij vendi.

Ta duash vendin, jo domosdoshmërisht duhet të jesh anëtar partie, Z. Kurti. Ndoshta pse janë të ditur, nuk mbajnë librezë partie?

Pritshmëria që nën udhëheqjen e Z. Kurti, lopët sërish do të bëjnë qumësht, se lumenjtë do të rrjedhin ujë, doli të ishte e pasaktë.

E saktë doli të ishte vetëm investimi në “dashurinë” e madhe për njëri tjetrin. Kryetari dhe Kryeministri, gjithë kohën e shpenzojnë për të kritikuar, akuzuar dhe (para)gjykuar njëri tjetrin. Që iso-t, ti vazhdojnë militantët partiak, tutje. Mënyra e sjelljes së militantëve partiak, më bënë të besoj që partitë tona politike janë kulte religjioze dhe jo parti parlamentare, anëtarët e së cilëve i nënshtrohen me devotshmëri udhëheqësve të kultit deri në vetsakrificë. Nevoja e liderëve partiak për të qenë të adhuruar, është e frikshme.

Niveli i komunikimit të dy instancave më të larta shtetërore, është i turpshëm dhe zhgënjyes, njëkohësisht. Çdo paraqitje publike fillon dhe mbaron me akuza dhe kudër akuza ndaj njëri tjetrit.  Sikur të dy këta protagonist të investonin në punë, kohën dhe mundin që investojnë në urrejtje patetike ndaj njëri tjetrit, vendi do të kishte një trajtim të dinjitetshëm, dhe jo trajtim të turpshëm siç që ka, kudo në botë.

****

Pritshmëria që kisha në veçanti për Z. Kurti, më është kthyer në zhgënjim. Pesëdhjetë ditë janë fare pak për të vlerësuar punën e tij, por janë mjaftueshëm për të konstatuar që mëritë personale të tij, ishin (dhe ngelën) prioritete të Qeverisë së vendit. Brenda mërive personale të së cilave, nuk ka të drejtë të na tërheqë edhe ne. Ashtu sic asnjëri nga të dy protagonistët, nuk ka të drejtë t’i trajtojnë mëritë personale, në emër të institucioneve që udhëheqin, qeverisë dhe presidencës.

****    

Nga ç’kam parë deri më tani, në politikëbërjen e Kosovës ka vetëm një politikan racional që e do Kosovën. Ai është Z. Nenad Rasic. Ai është politikani i vetëm (për aq sa mund ti besohet një politikani) të cilit më ngelet t’i besoj në Kosovë. Nëse Z. Rasic kandidon sërish, do ta ketë votën time. Dhe gjithë respektin tim. Nëse Z. Rasic nuk kandidon, unë nuk votoj më. Asnjëherë.

Se ju, shqiptarë të nderuar, ma keni bërë të pshtirë vendin, identitetin, profesionin. Dhe çdo gjë…  /KultPlus.com

Aj llov ju Hashim Thaçi

Shkruan: Arben I. Kastrati

Leximi i biografisë së Z. Thaçi në kohë pandemie, nuk është i preferuar. Sidomos për ata që e kanë tensionin e lartë të gjakut, sepse në libër ka shumë të pathëna.

****

Për herë të parë, Hashim Thaçin e kam njohur kur filluam “të rronim paralelisht”, apo siç thuhet në gjuhën tonë të bukur, të rronim “underground”. Ai ishte një djalë i hollë, i gjatë, i ndrojtur, fjalëpak. Mblidheshim, debatonim dhe merrnim vendime për mënyrën e organizimit të sistemit paralel arsimor të Kosovës.

Në atë kohë, ne mendonim dhe besonim që po bënim punë të mëdha. Doli që sistemi paralel të ishte dështim i madh. Sepse nga ai sistem, dolën gjenerata analfabetësh të diplomuar të së sotmes.

Pas shumë takimeve ilegale, Hashimi (se atëherë ashtu quhej) u zhduk. Që Z. Thaçi të shfaqej me uniformën e UCK-së. Akti i tij, na la pa fjalë. Ai po bënte detyrën që i takonte çdo qytetari, po luftonte të mbronte atdheun. Ndërkohë që ne të tjerët, ishim shndërruar në një shoqëri makiatopirëse, që vegjetonte dhe redaktonte politikën globale në kafenetë e tymosura…

Këto të dhëna janë të sakta dhe nuk gjinden në libër.

****

Djaloshi i gjatë, i ndrojtur dhe fjalë pak, e udhëhoqi luftën dhe paqen, thuhet!! Në libër nuk thuhet që, pa mëdyshje, Z. Thaçi u bë Kryepersonazh i Kosovës tridhjetë vjet radhazi. Ashtu siç nuk thuhet që, shumë njerëz, por shumë njerëz, të të gjitha shtresave, gjinive dhe profesioneve, i janë vardisur skajshmërisht shumë ndër vite, dhe vazhdojnë t’i vardisen paturpësisht edhe tani, madje edhe më shumë. Disa, shkuan aq larg, sa që e krahasuan me George Clooney-in e madje edhe me Geroge Washington-in. Siç nuk thuhet në libër që, Kryepersonazhi ynë, të gjithë servilët i ka shpërblyer me mirëqenie për kontributet e dhëna në servilizëm, e sidomos i ka shpërblyer ata që janë marrë me kurimin e imazhit të tij. 

****

Shumë vite më parë, në një tubim shqiptarësh në New York City, një nga pjesëmarrësit e filloi fjalimin e tij me një citat: sic ka thënë i madhi Xhorxh Vashinton Brixh, më mirë është mos me dhënë asnjë arsye se me dhënë një arsye të keqe…

Ashtu edhe George Washington Bridge ynë, si Kryepersonazh që ishte (dhe ngelet), në jetën e tij dha arsyet e tij, që ishin tri qullime: ta clirojë Kosovën, ta pavarësojë Kosovën, të bëhet kryeministër, të bëhet president, dhe e treta, të ngelet n’kurrige përjetësisht. Edhe duhet të ngelet. Mbetshi përjetë president, Z. President.  Askush nuk e meriton pushimin presidencial më shumë se Ju. Askush.

Këto të dhëna, nuk gjinden në libër.

****

I dashur President

Shpresoj ta lexosh këtë shkrim timin. Sepse kam shumë nevojë të ma mbështesësh një projekt. (Ose të ma gjesh një vend pune, kudo: qoftë në Ambasadën e Kosovës në Francë, qoftë në Ambasadën e Kosovës në Austri. Zgjedhjen po ua lë ta vendosni Ju. Sepse zgjedhjet Tuaja, asnjëherë nuk kanë qenë të gabuara).

Zoti President, më lejoni ta përfundoj këtë letër, duke thënë një të “vërtet sekrete”, që Ju, mbeteni idhulli im i përhershëm.

Faleminderit që ekzistoni.

Me respekt

Arben I. Kastrati

P.S.

Zoti President, mos më harroni. Sepse Ju dini të harroni nganjëherë. U thoni këshilltarëve t’jua kujtojnë shkrimin, sepse asnjë punë tjetër nuk bëjnë.

****

Dhe një gjë të fundit Z. President

Një shkrimin që kam pas shkruar dikur moti, për Ju!!! Më besoni që kam qenë i dehur. Nuk kam qenë vetja ime. Kam qenë dhe i manipuluar. Edhe sot e kësaj dite ndjejë turp për atë shkrim. Ju kërkoj falje qindra herë.

Ju jeni gjigand. Dhe brenda madhështisë Tuaj, Ju lutem të gjeni vend për t’më falur. Vetëm njerëzit e mëdhenj falin, do të thoshte Xhorxh Vashington Brixh.

Sa turp që kam. Sa shumë turp…

Me respekt…

****

Dhe një gjë të fundit Z. President por përfundimisht të fundit, dhe shumë të sinqertë:

Vazhdimisht dëgjojë njerëzit të thonë: “Ky është viti i fundit i Hashimit”. Unë vazhdoj t’ju them “besimtarëve optimist”, që vazhdimisht përsëriten duke thënë të njëjtën gjë, që njëzet vjet radhazi, Hashim Thaci nuk bie, sepse qëndron lart mbi ata të shumtë që ka vënë përfundi ndër vite.

Edhe mirë jau ke bërë.

****

Gati harrova. Albini ish pis. /KultPlus.com

Politikanët, Zotat e sotëm të shqiptarëve

Shkruan: Arben I. Kastrati

Karakteristikë e popujve të vegjël, është mburrja, pa arsye. Popujt e vegjël, mburren nga kompleksi që rrojnë vetëm sa për të dëshmuar ndodhitë. Sepse nuk mbahet mend t’i kenë sjellur të mira njerëzimit.

Kur i dëgjon shqiptarët të flasin, që do të thotë të mburren (sepse ne nuk flasim, vetëm mburremi), të krijohet përshtypja se jemi epiqendra e botës. Ne rritemi me dëftime se jemi një popull i vecantë, besnik, trim, bujar etj, dhe bëhemi besimtarë të mësimeve të gënjeshtërta.

Mosdija e tepërt që na karakterizon, na bënë të besojmë që jemi populli më intelegjent dhe më i ndritur në botë, ndërsa jetojmë të poshtëruar. Të mbytur nga varfëria, ne tallemi me intelegjencën dhe paaftësinë që i karakterizon (sipas besimit shqiptar) kombet e mëdha dhe të suksesshme të botës, që rrojnë dinjitetshëm. Kombe të cilat, (ne besojmë), e kanë vënë vendin tonë në listën e prioriteteve, për ta trajtuar.

Për shkak të mungesës së qytetarisë, ne nuk protestojmë kundër dëmeve të përditshme që na shkaktohen, por e pranojmë poshtrimin me lehtësi të papërballueshme. Mungesa e protestës, e arsyeton mënyrën tonë të jetesës. Që kur zgjohemi, qajmë për mënyrën poshtruese të jetës që bëjmë, ankohemi për keqbërjet institucionale, i japim zgjidhje politikës globale, tallemi me nivelin e intelegjencës së popujve të suksesshëm, ikjen e shohim zgjidhje, mburremi me dështimet tona, krenohemi me injorimin që i bëjmë suksesit të tjetrit, vetlavdërohemi dhe flejmë.

Vetlavdërohemi që jemi të papunë, vetlavdërohemi kur jemi protagonist të lëndëve gjyqësore, vetlavdërohemi kur presim në rradhë të gjata për t’i mar ndihmat sociale, vetlavdërohemi gjatë përjetimit të peripetive për të shkuar në Europë përmes rrugëve ilegale…

Ne i respektojmë vetëm politikanët që janë në pushtet, pavarësisht nivelit, dijes dhe intelegjencës me të cilin karakterizohen. Mjaftojnë të jenë në pushtet, që ta kenë respektin e tepruar, kushdo qofshin ata. Ne injorojmë cdo kë dhe cdo gjë, përpos interesit. Ne zgjedhim të kequdhëhiqemi me votën tonë, qëllimshëm, sepse besojmë që kequdhëheqja na mundëson të na bëjë të pasur. Mënyrë jetese e kemi zgjedhur patetizmin patriotik dhe servilizmit politik.

Sikur dhe Zoti të vinte dhe të zbriste në Prishtinë dhe të bënte një xhiro në Sheshin Nëna Tereze, paralelisht me një politikan shqiptar, nuk do ta përshëndeste askush. Shqiptarët nuk e shohin Zotin si shpëtimtarë, por e shohin politikanin. Është politikani, ai që e pamundëson ikjen. Nga ëndërrimtarët e shumtë që bëjnë xhiro të përditshme zhgënjyese, shfaqja e Zotit në Sheshin Nëna Tereze, do të komentohej me cinizëm: “Nuk e ka pranuar asnjë komb tjetër, prandaj ka ardhur tek ne”…”E gjeti të vinte tek ne të mburret”…”C’po mundohet me na tregu”…”T’kishte qenë i mirë, nuk do të kishte ardhur tek ne”…

Prandaj, Zoti rri lart në qiell, se ka frikë nga ata që vet i krijoi. Shqiptarët janë si vet shteti i tyre: Sui Generis”. “You can’t live with them, you can’t make them disappear”.

Mjerë ne, e mjerë ata që kanë punë me ne./ KultPlus.com

Një makiato shoqëri si kjo e jona, këtë fat meriton

Arben I. Kastrati


Dëmi më i madh nuk i është bërë Kosovës me vjedhje dhe skandale (siç pretendohet), por nga përjashtimi i njerëzve të ditur dhe zëvendësimi i tyre me çdo gjë përpos meritokracisë. Instalimi i njerëzve jomeritor në vende me përgjegjësi të lartë, është dëm i pariparueshëm. E gjitha është bërë për interesa partiake, që udhëhiqen nga individ që i kanë rezistuar skandaleve, aferave, gjykimeve, kohës…


Rrethanat me të cilat u trajtua meritokracija, bënë që të humbiste njerëzorja. Në mungesë të njerëzores, njeriu i sotëm u tjetërsua. Pasuria e individit, u shndërua në njësi matëse autoritative. Për pasojë, pasurimi individual u shndërrua në qëllim.
Pasuria me çdo kusht, u shndërruar në kauzë. Mënyra më e shpejtë e pasurimit në masë sigurohet lehtësisht përmes politikës. Prandaj, ky fakt, e ka bërë garën për pushtet, të frikshme. Për të fituar, kandidatët garojnë në premtimin e mrekullirave nga më imagjinativet.

Edhe pse fushatë elektorale tek ne bëhet çdo orë, çdo ditë dhe gjithe vitin, tani në prag të zgjedhjeve, në të gjitha kanalet televizive zhvillohen debate të përnatshme mes kandidatëve të partive dhe analistëve. Debatet karakterizohen nga joserioziteti i skajshëm me të cilën i qasen debatit, si përfaqësuesit politik ashtu edhe analistët politik. Në të vërtet, aty vetëm politikë nuk ka. Aty ka vetëm premtime dhe lëvdata. Epilogu i së cilave gjeneron me shumë mburrje nga  kandidatët, për të arriturat e së shkuarës, që nuk përkon me realitetin; njëzet vjet më parë, mëse një milion shqiptarë u rikthyen në shtëpitë e tyre që ditën e çlirimit, ndërsa sot, edhe pse të lirë, dhe me qeveri legjitime, mëse një milion shqiptarë duan të ikin edhe me më nxitim sesa që u kthyen njëzet vjet më parë.

Shumica e popullatës nuk voton bazuar në përmbajtjen e programeve partiake. Partitë e shumta partiake, tani më të etabluara, duke e ditur këtë fakt, i ndërtojnë programet e tyre partiake duke ua përshtatur dëshirave të qytetarëve. Programet e tyre janë po aq jo serioze sa edhe vetë përbërjet brendapartiake. Programet e tyre ofrojnë premtime magjike. Ashtu sikur cirqet dikur, që na premtonin mrekulli për shfaqjet e tyre, pasi mblidhnin inkasimet, linin pas erën e pakëndshme të vendqëndrimit dhe llomet e shumta që vinin nga posteret e grisur gjithandej qytetit.


Çdo dy vjet votojmë (asnjë qeveri nuk e ka përfunduar asnjë mandat katervjeçar) nga pakënaqësitë që marrim.Një makiato shoqëri si kjo e jona, shoqëri kjo intelektuale dhe me dije superiore, që në gjirin e saj ka me mijëra e dhjetëra mijëra magjistra e doktorë shkencash, këtë fat meriton. Është e turpshme kur dëgjon popullin të gjykojë të zgjedhurit e saj. Zgjedh përfaqesuesit e saj me votë, që pastaj të ankohet nga përfaqësuesit e vet legjitim. Këtë marri, as nuk e kam kuptuar ndonjëherë dhe as nuk kam për t’a kuptuar; të ankohesh nga liderët e vetëvotuar, është hipokrizi.

Ky popull, e ka mundësinë që çdo natë, në çdo kanal televiziv, të shikoj dhe vlërsojë se si asnjë përfaqësues politik nuk dallon nga tjeteri. Të shikoj kandidatët partiak se si e kanë perfeksionuar gënjeshtrën. Se si ankohen për jetën asketike që bëjnë në shërbim të popullit. Se si përfaqësuesit politik na fyejnë intelegjencën në baza ditore. Mjer ky popull me nivelin e tij dhe ofërtën zgjedhjore që ka.

Aq shumë ka degraduar gjendja, sa që një perspektivë optimiste është e largët. Gjendja reale e ka detyruar votuesin shumicë, ta pranoj degradimin. Rritja e vështirësive dhe lakmive, bënë që shqiptarët të vazhdojnë të ndjekin instiktin e interestit, të votojnë të njëjtat gabime. Rritja e votës degraduese është rritur frikshëm. Fatkeqësisht, sa më e turpshme partia, aq më shumë votues ka. Prandaj, në Kosovë fitojnë bindshëm partitë e korruptuara deri në palcë, sepse aty, tek ato parti, votuesi ka shpresë për t’u pasuruar. Ndërsa në anarki, gjenë mundësinë për t’u pasuruar pa pasoja. Prandaj, ky popull nuk meriton më shumë dhe më mirë se kaq. Prandaj, ankesat e popullit që vazhdimisht kërkon të ikë nga republika e tyre e pavarur, nuk kanë bazë.

 
Edhe në këto zgjedhje, si çdo herë, do të fitojnë gënjeshtarët më të mëdhenjë partiak. Unë nuk e fajësoj asnjë nga politikanët, deputët, ministrat, kryeministrat (dhe nuk e mar këtë të drejtë). E drejta për të gjykuar i takon prokurorisë. Por, një gjë e di me siguri, se në politikën shqiptare, fatkeqësisht, do të vazhdojnë të zgjidhen ata që e meritojnë./KultPlus.com

Gjuha zyrtare serbe ndaj shqiptarëve, tragjike apo diç përtej?

Arben I. Kastrati

Sa shumë energji shpenzojmë për mërinë dhe me sa pasion e trajtojmë atë. Ne nuk kemi prurje ideshë dhe nuk debatojmë me argumente. Ne vetëm garojmë se kush ofendon më shumë. Dhe kush është më i ofenduari.

Nuk e kuptoj dëshirën e përhershme serbe për armiqësi me shqiptarët. Nuk e kuptoj kënaqësinë që serbëve u dhuron ofendim. Ashtu siç nuk e kuptoj “superioritetin’ zyrtar serb, që vazhdon t’a ofendoj një popull që ka kohë që e ka humbur kompleksin e inferioritetit.

Kryeministrja e Serbisë, në dekaratën e saj acidike dhe skajshmërisht fyese, kishte përmbledhur në vetvete të gjitha llojet dhe mënyrat ekzistuese të urrejtjes për shqiptarët. Kjo deklaratë, ngjanë e ardhur jo nga një kryeministre e një “vendi demokratik”, por nga një asistente e djallit.

Por, kur Znj. Brnabic, flet në cilësinë e Kryeministres, e që kryesisht deklaratat politike janë mendime të kursyera nga sinqertiteti, ç’mendim kanë Serbët e rëndomtë për Shqiptarët?!!!!

Për herë të parë, nuk kam ndjerë asgjë. Në vend se të ndjeja hidhërim, ndjeva mëshirë për popullin serb. Kaq vite pas, ata nuk arrijnë t’i tejkalojnë dëftimet e trilluara! Ngelen peng të mitologjisë. Serbia, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për çmitizues. Kosova nuk mund të jetë vetëm serbe ose e vdekur.

Është e turpshme se ç’urretje mund të prodhoj Kryeministrja e një “vendi demokratik”, dhe ç’lavde i thurri populli i saj për këtë “vepër heroike”. Znj. Brnabic, me deklaratën e saj, ka zgjuar të gjithë demonët, duke zyrtarizuar rikthimin në “kosmet-mitologjinë e përhershme serbe”. Në atë të shkuar, ferri ishte i zbrazur, sepse të gjithë djajtë ishin këtu.

Me deklaratën e saj, i detyroi ata që deshën t’a harrojnë të shkuarën (për hirë të së ardhmes), që të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Znj. Brnabic, e udhëhequr nga “Filozofia e Pallankës”, çimentoi vazhdimin e urrejtjes me pasion. Ne do të vazhdojmë të shpenzojmë kohë, mund dhe imagjinatë duke projektuar asgjësimin e njëri tjetrit.

Mendimet tona të sinqerta për njëri tjetrin sollën luftrat e së shkuarës.  Nga deklaratat e Kryeministres së Serbisë, që sollën kënaqësi dhe urrejtje njëkohësisht, perspektiva jonë duket e largët. Deklaratat e Kryeministres së Serbisë, shkojnë përtej tragjikes. Njëzetë vite pas, realiteti mbetet ende i hidhur. Dhe serbët të njëjtë.

“Europa nuk i ndërron shtetet duke i kërcënuar ti okupoj ato: kërcënimi i tyre më i madh është t’i injoroj” Mark Leamand./KultPlus.com