Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.
Gili Hoxhaj
Bukuritë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ishin bashkuar në një hapësirë te vetme, në ekspozitën humanitare “Explore Kosovo”, që u hap sonte në Prishtinë, shkruan KultPlus. Kjo ekspozitë theksonte veçantitë artistike të katër fotografëve të shquar shqiptarë, të cilët kishin bashkuar punën e tyre me qëllim humanitar e artistik. Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami sollën fotografitë të cilat ngërthenin peizazhe, bukuria e të cilëve ishte theksuar me mjeshtëri të rrallë përmes aparatit të këtyre katër artistëve.
Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite. Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo” , ka qenë ide të cilën fotografi Bujar Gashie kishte bartur për shumë kohë me vete, ndërsa për ta sjellë edhe më të fuqishme këtë ekspozitë, ai kishte ftuar edhe tre kolegë të tjerë që t’i bashkohen me punimet e tyre artistike.
“Ka qenë një ide të cilën e kam pasur shumë më herët, por nuk kam dashur që ta sjellë i vetëm, kam dashur që në këtë ekspozitë t’i mbledh disa fotografë të cilët i japin forcë dhe ngjyrë ekspozitës dhe nuk besoj se këtë mund ta bënte dikush më mirë se Fahredin Spahija, Arben Islami Bujar Gashi dhe Arben Llapashtica. Kam gjetur përkrahje tek ta dhe tek vendi “Princi i Arbërit”, të cilët më kanë financuar në organizimin e ngjarjes në këtë hapësirë”, tha fotografi Gashi për KultPlus.
Vizitorët drejtonin sytë tek fotografitë, duke u takuar me veçantitë artistike të fotografëve, mirëpo pa u ndeshur me emrat e tyre. Vetëm ata që kishin shijuar edhe më parë punën e tyre, arrinin të identifikonin pronësinë e fotografisë. Kjo ekspozitë e cila ngërthente në vete gjashtëmbëdhjetë punime, numëronte katër punime nga secili autor. Ato nuk përmbanin një renditje strikte, që bënin publikun të kaloj nga një stinë në tjetrën, duke udhëtuar vizualisht në disa nga vendet më të bukura të Kosovës.
“Me këtë bashkëpunim, jemi si një trup i vetëm, si një fotograf që paraqet vlera. Pra, të mos ketë ndarje brenda ekspozitës, por që vizitorët vet t’i gjykojnë punimet”, shpjegoi Bujar Gashi për KultPlus.
Fotografi Fahredin Spahija tregoi për KultPlus se për ekspozimin e punës së tij në këtë ekspozitë fillimisht është tërhequr nga motivi humanitar dhe artistik, ndërsa në këtë ekspozitë ai shfaq edhe një lidhje shpirtërore me vendlindjen e tij.
“Natyrisht se kam përkrahur menjëherë ketë ekspozitë pasi që motivimi humanitar ishte shumë i fuqishëm dhe natyrisht që ne fotografët kemi edhe motivin artistik që ta hapim një ekspozitë më shumë që edhe publiku të vijnë publiku dhe ta shohin punën tonë. Këto dy motive ishin të mjaftueshme për ta ekspozuar punën time në këtë ekspozitë, ani pse unë nuk cilësohem si fotograf i peizazheve por meqë bëj herë pas herë peizazhe të dimrit, unë i hyra arkivit dhe u mundova të gjej katër peizazhe që unë i kam realizuar në Bjeshkët e Bajgores, prej nga unë edhe vij. Në këtë ekspozitë desha të sjellë diçka më personale dhe më intime, sepse janë pjesë që unë i kam vizituar si fëmijë dhe kënaqësitë e para me borë i kam përjetuar pikërisht në atë vend. Shpresoj që ashtu siç jemi bërë ne solidar me dhurimin e këtyre fotografive, të bëhet solidar edhe publiku dhe të blejnë të paktën një fotografi”, tha fotografi Fahredin Spahija.
Fotografi Arben Llapashtica, i cili po ashtu shquhet për stilin e tij të veçantë të fotografive tregoi për KultPlus se nuk do t’i reshtin përpjekjet që edhe më tutje të kontribuojnë në qëllime humanitare dhe në provimin e bukurisë së Kosovës.
“Për mua është hera e parë që marr pjesë në një ekspozitë të tillë dhe njëkohësisht është edhe kënaqësi shumë e madhe që t’i dhuroj fotografitë e mija për qëllime humanitare. Falënderoj Bujarin dhe kolegët e tjerë fotografë me të cilët sollëm një ekspozitë të përbashkët sonte, ndërsa do të mundohemi që edhe më tutje përmes punimeve tonë t’i shërbejmë po këtij qëllimi. Kështu me anë të punimeve tona të kontribuojmë në qëllime humanitare dhe njëkohësish t’i promovojnë edhe pjesët e bukura të Kosovës dhe ta sjellim sa më afër publikut edhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore”, tha fotografi Llapashtica.
Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”është një ekspozitë një ditore e cila qëndroi për tri orë e hapur në hotelin “Princi i Arbërit” në Prishtinë/ KultPlus.com