“Unë dhe MIllosheviqi” filmi me skenar dhe regji të Arben Kastratit është filmi i vetëm shqiptar që ka mbledh kastë kaq të madhe të aktorëve të njohur botërisht.
Ky film po xhirohet tash e disa vjet, dhe përgjatë kësaj kohe ka sjell aktorët e famshëm si: Gerard Depardieu, Sir Tony Robinson, William Baldwin eMaria Grazia Cucinota kurse këto ditë po qëndron në Kosovë aktori i njohur amerikan Denis O’Hare i cili është duke xhiruar për filmin e Kastratit.
Nën strofullën e dramës dhe komedisë, ngjarja e filmit që ndodh në Kosovë, në Serbi, në Holandë dhe në Francë, flet për një periudhë të pasluftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental. E gjithë motoja “Heroi i vendit tim, është kriminel për vendin tjetër” dhe anasjelltas, ka frymëzuar edhe krijimin e personazhit kryesor.
Ky personazh, një shqiptar nga Kosova në rrethana të caktuara takon Millosheviqin dhe këto takime mes tyre shpjegohen në versione të ndryshme. “Unë dhe Millosheviqi” shpalos superioritetin e këtij personazhi ndaj Millosheviqit, pasi që ai e sheh veten si një person që ka triumfuar. Por dëshmitarë të tjerë, takimin mes tyre e shohin krejtësisht ndryshe. Është një ngjarje e filmit që ndodh në vitin 2003, atëherë kur e gjithë popullata kolektivisht ishin të lirë dhe në atë kohë kur qarkullonin dëftime nga më të ndryshme, heroi i këtij filmit po ashtu ka një dëftim të tijin që konsiderohet të jetë sa tragjik, aq edhe komik.
Filmi “Unë dhe MIllosheviqi” është film me skenar dhe regji të Arben Kastratit e producente Shqipe Kamberi. Filmi pothuajse është në fund të xhirimeve për të vazhduar më pas me realizim të filmit./ KultPlus.com
Pas Gerard Depardieu e Sir Tony Robinson që tashmë kanë kryer xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, në Kosovë tashmë ka ardhur edhe aktori tjetër i kastës së këtij filmi William Baldwin, shkruan KultPlus.
Mbrëmë është mbajtur konferenca për media për ardhjen në Kosovë të aktorëve të njohur, William Baldwin dhe Maria Grazia Cucinotta.
Me këtë rast, aktori i njohur amerikan, William Baldwin i cili tashmë është në sheshxhirim për katër ditë, deklaroi për KultPlus se Kosova gjithmonë ka qenë në vëmendjen e tij edhe para se ai të bëhej aktor.
“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri sa kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka kujtuar edhe kohën kur disa kosovarë pas luftës kanë falënderuar Zotin dhe SHBA-të. Ndërsa, ai tani thotë se është koha që Kosova të bëjë të njëjtën pasi që sipas tij, SHBA tani ndodhet në një rrëmujë.
“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tani unë them: faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi ne ata të cilët janë në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, thotë Baldwin.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendorë siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli, etj. / KultPlus.com
“Unë dhe Millosheviqi”, filmi i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Arben Kastratit me gjithë kastën e mrekullueshme të aktorëve të njohur si: Gerard Depardieu, Sir Tony Robinson, William Baldwin, Maria Grazia Cucinotta, Nathalie Boyer, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli e të tjerë, duket se po shkon drejt një rruge përpjetë, fundi i së cilës sinjalizon për një tjetër sukses të jashtëzakonshëm të kinematografisë kosovare, shkruan KultPlus.
Nën strofullën e dramës dhe komedisë, ngjarja e filmit që ndodh në Kosovë, në Serbi, në Holandë dhe në Francë, flet për një periudhë të pasluftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental. E gjithë motoja “Heroi i vendit tim, është kriminel për vendin tjetër” dhe anasjelltas, ka frymëzuar edhe krijimin e personazhit kryesor.
Ky personazh, një shqiptar nga Kosova në rrethana të caktuara takon Millosheviqin dhe këto takime mes tyre shpjegohen në versione të ndryshme. “Unë dhe Millosheviqi” shpalos superioritetin e këtij personazhi ndaj Millosheviqit, pasi që ai e sheh veten si një person që ka triumfuar. Por dëshmitarë të tjerë, takimin mes tyre e shohin krejtësisht ndryshe. Është një ngjarje e filmit që ndodh në vitin 2003, atëherë kur e gjithë popullata kolektivisht ishin të lirë dhe në atë kohë kur qarkullonin dëftime nga më të ndryshme, heroi i këtij filmit po ashtu ka një dëftim të tijin që konsiderohet të jetë sa tragjik, aq edhe komik.
Mbrëmë ishin fytyrat e shumta e të famshmëve nga industria e filmit, kulturës dhe politikës që ishin bërë së bashku për të festuar një rikthim të nevojshëm për vazhdimin e këtij filmi që po ngreh vëmendje të dallueshme tashmë edhe kur së fundmi dy aktorë të tjerë të njohur kanë arritur në Kosovë.
Pas aktorëve Gerard Depardieu dhe Sir Tony Robinson që tashmë kanë përfunduar xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi”, në Kosovë ka arritur aktori i famshëm që është pjesë kastës së këtij filmi, William Baldwin si dhe aktorja e njohur italiane Maria Grazia Cucinotta.
Fillimisht ishte regjisori dhe skenaristi i këtij filmit, Arben Kastrati ai i cili për KultPlus ka shpalosur detaje të mëtutjeshme që i përkasin këtij projekti filmik.
“Tema është e rëndomtë sepse jam munduar ta shkruaj me një thjeshtësi të kapshme dhe mu këtu ndoshta ka qëndruar sekreti i skenarit dhe pse i ka pëlqyer aktorëve të filmit. Kam pasur frikë se a do ta kuptojnë fillimisht dhe a do ta kuptojnë drejt skenarin e filmit sepse tema është universale, pra kemi lindjen dhe krijimin e një heroi aksidental. Por, filmi është kuptuar shumë qartë nga ta dhe personazhet e tyre, i kanë pëlqyer mjaft shumë, andaj dhe kanë vendosur të vinë por para së të vinë, ka qenë një problem i madh sepse nuk e kanë pasur idenë së ku ndodhet Kosova e pastaj kur kanë marrë informacione për Kosovën, nuk ka qenë shumë të hijshme dhe e kanë pasur njëfarë ndjenje të refuzimit për të ardhur dhe xhiruar në Kosovë. Unë pata qejf që ata të vinin këtu për dy arsye; një sepse ngjarja ndodh këtu dhe e dyta sepse kam dashur të bëjë diplomaci kulturore për këtë vend ngase këta janë njerëz që kanë autoritet të madh në gjithë botën”, thotë Kastrati.
Sipas tij, në fund të muajit maj, është xhiruar me aktorin anglez Sir Tony Robinson, dhe ai absolutisht pati refuzuar që të vijë në Kosovë për të xhiruar por pastaj pas plot telefonatash, Kastrati ka arritur që ta bind për të ardhur por kur ai erdhi, atij i ndërroi bindja dhe Kastrati thekson se tani mund të shihet se çfarë ai ka shkruar për Kosovën dhe mbi të gjitha, duke marrë parasysh se ai është një zë i fuqishëm në botë.
“Kam dashur ta ndërtoj një personazh interesant dhe të ndërtoj lojëra rreth tij. Po besoj që kam arritur ta ndërtoj bukur, me vetë faktin që gjithë këta aktorë kanë ardhur dhe që ende aktorë më të mëdhenj do të vijnë në shtator për të xhiruar. Në mënyrë që filmi të distribuohet në Amerikë, duhet të përmbyllet njëfarë kërkese që lidhet me përqindjen e madhe e të folurit anglisht, në mënyrë që të shfaqet nëpër kinema. Kështu që, unë atë kërkesë jam ardhur për ta plotësuar dhe e kam tashmë një para-kontratë me dy distributor shumë të njohur evropianë dhe amerikanë si dhe me një platformë televizive, andaj po shpresoj që do të realizohet shumë shpejt”, thotë ai.
“Për shkak të xhirimeve të filmit, është dashur që edhe vetë të merrem me parapërgatitjet të cilat janë shumë të dhimbshme, pa asnjë mbështetje, andaj ky proces është mjaft i dhimbshëm. Në anën tjetër, kur aktorët vinë këtu mendojnë që kushtet e punës janë të larta por nuk është e tillë, por që në fund të fundit ata kanë mirëkuptim dhe e shohin vetëm produktin final. Gjithashtu, aktorët janë shumë bashkëpunues të mirë dhe shumë të këndshëm”, shpalos Kastrati.
“Mbështetja e aktorit William Baldwin këto ditë, nuk ka të paguar. Ky njeri përpos mbështetjes në film, edhe në jetë më ka dhënë një mbështetje shumë të madhe. Ne jemi duke punuar së bashku edhe për dy projektet e radhës, të cilat po shpresoj që do t’i fillojmë vitin e ardhshëm, njëra pas tjetrës.”
Ndërkaq, është hera e parë që aktori i njohur ndërkombëtarisht, William Baldwin viziton Kosovën dhe ai tashmë do të jetë në sheshxhirim për katër ditë.
“Premisën e kësaj marrëdhënieje, të lidhur me historinë këtu me Millosheviqin, me atë që ndodhi në Bosnje dhe atë që ndodhi këtu në Kosovë, e ndoqa nga afër dhe thjesht mendova se historia që tregoi Arbeni me rrotullimin që ai e futi në histori, ishte shumë ‘vrasëse’, shumë tërheqëse, për të mos përmendur edhe kastin e mrekullueshëm. Unë kurrë nuk kam qenë në rajonin e Ballkanit më parë, por vetëm disa javë më parë për herë të parë kam qenë duke punuar në Beograd, tani duke punuar këtu në Kosovë dhe ne po shikojmë peizazhin veror nga këtu dhe dua të jem më shumë këtu”, thotë Baldwin për KultPlus.
Sipas tij, filmi përmban një histori shumë humane që ai beson se do t’ju prekë zemrën e njëkohësisht do të ju bëjë që të qeshni, gjithashtu.
“Mendoj se ajo që lidh të gjithë kastin është një vepër arti që krijoi regjisori. Mendoj se arsyeja kryesore pse të gjithë na tërhoqi materiali, është kasti i mrekullueshëm që është në këtë film. Është një cilësi unifikuese që paraqitet në temën e tregimit. Unë luaj si ish-kryeprokuror i Hagës dhe ne me Marinë punojmë së bashku sepse ajo në film po bën një profil psikologjik të personazhit që unë po përpiqem të ngre akuza dhe ky personazh bëhet së shpejti një figurë heroike bazuar në takimin e tij me Sllobodan Millosheviqin”, shpalos Baldwin.
Ai tutje ka përmendur edhe kohën kur NATO ka bërë ndërhyrje në Kosovë dhe për këtë ai mendon se ka kaluar pak kohë derisa SHBA-ja ka reaguar.
“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, thotë ai.
“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tani them: faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi ne ata të cilët janë në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni.”
Ndërsa, aktorja e njohur italaine Maria Grazia Cucinotta për KultPlus shpjegoi procesin e punës me aktorin William Baldwin.
“Ne jemi duke punuar së bashku dhe më pëlqen shumë sepse William është shumë i dobishëm pasi ne xhirojmë në anglisht që nuk është gjuha ime. Sigurisht mendoj se kur futesh vërtet në personazh, është një moment kur bënë punë jashtë dhe veprimit dhe ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me veten, por me ndarjen e emocioneve, ndjenjave dhe mendimeve”, thotë ajo.
Sipas saj, lufta në Kosovë për të është e lehtë për t’u mbajtur mend sepse vendet tona janë kaq afër.
“Ne jemi shumë afër dhe ishte kudo në lajme, kështu që kishim kaq shumë njerëz që vinin edhe në Itali. Kur një rajon është kaq afër, ka ekzistuar gjithmonë ajo frika se diçka e tillë mund të ndodhë edhe me ne. Jam shumë e lumtur tani që gjithçka po rilind dhe është një ndjenjë e këndshme të jem këtu. Filmi është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar atë që është tani, ky vend”, thotë Grazia Cucinotta.
“Tani e di të vërtetën time, e di realitetin.”
Shqipe Kamberi, producente e këtij filmi artistik të metrazhit të gjatë ka thënë për KultPlus se për momentin, filmi është duke u xhiruar në Prishtinë, pastaj do të rikthehen sërish në Gjirokastër për xhirime të tjera si dhe pjesa e fundit do të jetë në Holandë.
“Bëhet fjalë për një rrëfim të pasluftës në Kosovë për një njeri i cili aksidentalisht bëhet hero, pra për heroin aksidental. Skenari i mirë bën bashkë emra të mëdhenj, pra Arbeni nuk e ka pasur të vështirë t’i bind këta yje. Disa prej tyre e kanë xhiruar filmin, disa prej tyre janë ende në xhirime dhe disa nga ta do të xhirojnë më vonë, pra ata janë intriguar nga skenari i mirë dhe një pjesë e filmit veçse është mbaruar në Tiranë dhe në Gjirokastër me aktorin francez Gerard Depardieu. Ato filmime i kemi bërë para tri viteve dhe për shkak të pandemisë është dashur të ndërpriten sepse ka pasur shumë paqartësi se si do të bëhet puna. Mirëpo tash kanë rifilluar në maj të këtij viti me aktorin Sir Tony Robinson, një aktor i madh anglez dhe tash për momentin na ka ardhur një yll hollivudian William Baldwin si dhe një yll tjetër italian siç është Maria Grazia Cucinotta. Ata janë këtu në Prishtinë dhe jemi duke bërë xhirime tash e disa ditë për të vazhduar tutje me yje të tjerë, duke shpalosur kështu edhe detaje të tjera në vazhdim e sipër”, shpalos Kamberi.
Sipas saj, qëllimi kryesor është që filmi të dalë bukur dhe mirë ashtu siç është parashikuar edhe nga regjisori dhe skenaristi, Arben Kastrati.
“Unë besoj që e kemi brumin shumë të mirë dhe kemi një kastë fenomenale andaj po besoj që yje më të mëdhenj të kinematografisë ndërkombëtare nuk kanë shkelur në Kosovë më herët e sidomos në një projekt filmik. Pra, pritshmëritë tona është që filmi të del mirë dhe pastaj të ec edhe nëpër festivale në mënyrë që edhe t’i hap rrugë Kosovës sepse është e dëshmuar tashmë që Kosova prodhon filma të mirë”, përfundon ajo.
“Unë dhe Millosheviqi” pritet të mbarojë dikur rreth stinës së vjeshtës. Ndërkaq, postproduksioni do të vazhdojë në muajin nëntor, e krejt në fund do të vijë edhe radha e festivaleve, me shpresën për shumë suksese të njëpasnjëshme që potencialisht do t’i arrijë ky film. / KultPlus.com
Pas Gerard Depardieu e Sir Tony Robinson që tashmë kanë kryer xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, në Kosovë sapo ka ardhë edhe aktori tjetër i kastës së këtij filmi William Baldwin, shkruan KultPlus.
Shqipe Kamberi, producente e këtij filmi artistik të metrazhit të gjatë ka njoftuar ekskluzivisht për KultPlus se Baldwin sapo ka ardhë në Kosovë.
“Aktori i njohur ndërkombëtarisht sapo ka ardhë në Prishtinë. Ai do të jetë në sheshxhirim për katër ditë” ka thënë Shqipe Kamberi, e cila ka shtuar se në këtë film që ka realizuar xhirime në Shqipëri dhe Kosovë, po marrin pjesë aktorë të famshëm ndërkombëtarë, që është risi për kinematografinë kosovare që të përfshihen kaq shumë aktorë të njohur në një film të Kosovës.
Kamberi ka thënë se këtë kastë të mrekullueshme i ka bërë bashkë skenari i Arben Kastratit, të cilët i ka intriguar që të jenë pjesë e këtij projekti filmik, por edhe vetë Arben Kastrati që është edhe regjisor i këtij filmi.
Pas Baldwin, po këtë të diel, sipas Kamberit, në sheshxhirim do të vjen edhe aktorja e njohur Maria Grazia Cucinota.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental./ KultPlus.com
Po vazhdojnë xhirimet e filmit ‘Thank You Hague’ me aktorin Sir Tony Robinson i cili këto ditë po qëndron në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Regjisori dhe producenti, Arben Kastrati, ka arritur t’i rikthehet xhirimeve të filmit të tij “Thank you Hague” përkundër vonesës 3-vjeçare që ndodhi si pasojë e pandemisë, e cila ka ndryshuar nga protokollet e zakonshme deri në rutinën e përditshme.
Regjisori Arben Kastrati deklaroi për KultPlus se si rezultat i pandemisë, është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, pasi disa prej xhirimeve veçse janë realizuar.
“Është një film të cilin e kam filluar para 3 viteve, por për shkak të pandemisë është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, e tani po e vazhdoj, xhirimet me Sir Tony Robinson, e më pas edhe me emra të tjerë të mëdhenj si John Rhys-Davies, Sir Tony Robinson, Claudia Gerini, Patsy Kensit. Po besoj që xhirimet do t’i përfundojmë deri në korrik, ndërsa më pas të vazhdojmë edhe me montazh”, deklaroi ai.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendor, siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Ylber Bardhi, Adriana Matoshi etj./ KultPlus.com
Në pamje të parë, realizimi i një filmi mund të duket si një gjë shumë e lehtë për t’u bërë. Gjithçka që duhet të bëni është të mendoni për një ide, të shkruani skenarin, të kontaktoni aktorët dhe të rregulloni gjithçka nga xhirimet deri tek realizimi. Megjithatë, shkopi magjik nuk është i pranishëm kur ju bëni gjëra komplekse, siç është edhe pjesa e realizmit të një filmi. Regjisori dhe producenti, Arben Kastrati, ka arritur t’i rikthehet xhirimeve të filmit të tij “Thank you Hague” përkundër vonesës 3-vjeçare që ndodhi si pasojë e pandemisë, e cila ka ndryshuar nga protokollet e zakonshme deri në rutinën e përditshme, shkruan KultPlus.
Fytyrat e të famshmëve nga bota e industrisë së filmit, kulturës dhe politikës po mblidheshin për të kaluar kohën së bashku dhe për të festuar rikthimin e xhirimeve të këtij filmi.
Regjisori Arben Kastrati deklaroi për KultPlus se si rezultat i pandemisë, është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, pasi disa prej xhirimeve veçse janë realizuar.
“Është një film të cilin e kam filluar para 3 viteve, por për shkak të pandemisë është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, e tani po e vazhdoj, xhirimet me Sir Tony Robinson, e më pas edhe me emra të tjerë të mëdhenj si John Rhys-Davies, Sir Tony Robinson, Claudia Gerini, Patsy Kensit. Po besoj që xhirimet do t’i përfundojmë deri në korrik, ndërsa më pas të vazhdojmë edhe me montazh”, deklaroi ai.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendor, siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Ylber Bardhi, Adriana Matoshi etj.
Sa i përket pjesës se kur do të jetë i gatshëm për t’u paraqitur nëpër kinema të ndryshme botërore, Kastrati beson se viti i ardhshëm do të jetë edhe viti kur ky film do të dalë në publik.
“Nuk e kam me rëndësi në çfarë date të dalë filmi, sigurisht nuk del këtë vit, por po shpresoj që të jetë i gatshëm vitin e ardhshëm të kompletohet. Qëllimi kryesor është që filmi të shfaqet në arenën ndërkombëtare, në Kosovë ekziston pak optimizëm që do të shfaqet. Nuk kam mbështetje e as nuk kam marr ndonjë mbështetje nga institucionet këtu, unë dua që t’i bëjë Kosovës një nder pasi është shteti i imi”.
Ndërkaq, një nga protagonistët e filmit dhe aktori i njohur britanik, Sir Tony Robinson, është shprehur shumë krenar për bashkëpunimin e tij me Kastratin.
“Këta janë munduar që të më sjellin në Kosovë për një kohë të gjatë, njësoj edhe realizimi i filmit pati shtyerje për shkak të pandemisë. Kohë pas kohe mendoja se kjo gjë do të dështojë por ishte pikërisht Beni që insistoi që filmi të bëhej, nuk e kam njohur atë që nga fillimi. Megjithatë, besimi ynë te njëri tjetri po shtohej dhe pritshmëritë për realizimin e filmit gjithashtu po rriteshin”.
Kjo është hera e parë që Robinson viziton Kosovën, derisa ai ndanë me KultPlus edhe histori se si njerëzit në Mbretëri të Bashkuar kanë paragjykime për njerëzit nga Ballkani.
“Kjo është hera e pare që unë po vizitoj Kosovën dhe ndjehem shumë mirë për këtë gjë. Në përgjithësi ne këtu në Mbretërinë e Bashkuar kemi një lloj injorance për Ballkanin, gjë të cilën e kemi ndjerë qysh nga shekulli 19-të. Ne dimë shumë pak për Kosovën, e dimë vetëm pjesën e luftës, e kjo gjë është shumë e keqe. Nuk dimë asgjë tjetër, kemi bërë gjithçka që të ndihmojmë Kosovën por si një shtet ne kemi humbur kujtesën tonë dhe ta shohësh Kosovën duke bërë emër të madh nëpër botë është ndjenjë e mrekullueshme”.
Aktori britanik ka shtyrë regjisorët kosovar që të realizojnë sa më shumë filma për të treguar historitë e tyre të jashtëzakonshme të cilat ky vend i ka.
“Sipas mendimit tim, artistët kosovarë kanë një qëllim të përbashkët, ta paraqesin historinë e shtetit të tyre sa më mirë që mundën. E di që është e vështirë që të sigurojnë fondet, të realizojnë filmin, por neve na duhen filma që paraqesin historinë e këtij shteti. Njerëz nga e gjithë bota janë të interesuar që të dëgjojnë histori të reja. Njerëzit sot nuk dijnë se çfarë marrëdhënie ka Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar, rolin e Tony Blair në luftë dhe shumëçka tjetër”.
I pyetur në qoftë se filmi do të udhëtojë nëpër botë, Robinson thotë se në qoftë se regjisori nuk e mendon këtë gjë nga fillimi atëherë kjo gjë është e kotë, për çfarë po e bën filmin atëherë.
“Unë mendoj që për një aktor, më e rëndësishmja është ta shohësh skenarin dhe të thuash se, po unë mund ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, e di se aftësitë e mia përkojnë me këtë skenar dhe do ta luajë si duhet. Është një bonus shtesë që me këtë projekt, përpos rolit, kam dashur që të ngre zërin e Kosovës nëpër botë. Është e kotë që unë të jap ndonjë mesazh të veçantë për kineasit në Kosovë, por ajo se çfarë mund të them është që në qoftë se jeni duke kërkuar një aktor britanik atëherë unë jam super i gatshëm për t’iu ndihmuar”.
Ai premton se do të angazhohet pafundësisht që të ngrijë edhe më shumë zërin se Kosova është një vend i veçantë dhe nuk ka si tregim vetëm pjesën e luftës.
“Sot po shijojmë një natë të mirë, kam takuar njerëz të veçantë dhe është ndjenjë e mirë të rrethohesh me njerëz të tillë. Jam gjithashtu shumë i impresionuar dhe i inspiruar nga njerëzit këtu. Pjesa tjetër që do të bëjë në vazhdim është se, në fund do të kthehem në Angli dhe do t’iu them njerëzve wow, unë vizitova Kosovën, le të vazhdojmë të bëjmë më shumë filma”.
Aktorja e cila shënoi rikthimin e saj në film, Blerta Syla Surroi, ka thënë për KultPlus se ndjehet shumë e lumtur që po merr pjesë në një projekt kaq të madh.
“Unë isha pjesë e xhirimeve të pjesës së parë të filmit që fatkeqësisht na u ndërpre për shkak të pandemisë, e sot ndjehem shumë e lumtur që jam këtu duke festuar rifillimin e xhirimeve të skenave të mbetura”.
Të punosh me një njeri me renome botërore sikurse Sir Tony Robinson, sipas aktores, është një tjetër nder i madh.
“Ndjehem edhe shumë e nderuar që të jem këtu edhe me aktorin Anthony Robinson. E përgëzoj Benin për punën shumë të lodhshme që ka bërë, jam e lumtur për projektin e gjithashtu edhe për Benin. Uroj që xhirimet të shkojnë në mënyrën më të mirë dhe i uroj filmit suksese nëpër festivale botërore”.
Sarah Walkin, si pjesë e stafit të Sir Tony Robinson, thotë për KultPlus se kjo është hera e parë që ata bashkëpunojnë me dikë nga Kosova.
“Kosova ka famë të madhe nëpër botë sa i përket pjesës së kinematografisë, kështu e shoh unë. Ka shumë histori të cilat janë paraqitur edhe në televizor, Kosova ka qenë nëpër televizion shumë shpesh”.
Walkin rrëfen se pjesa e skenarit është momenti kyç kur edhe ata vendosën që të merrnin pjesë në këtë film.
“Arbeni na gjeti neve dhe na dërgoi skenarin, ne na pëlqeu ajo se çfarë pamë dhe vazhduam që të bashkëbisedojmë. Në fakt, ne mendonim se ky film nuk do të ndodhte, por në fund megjithatë ai do të realizohet. Pandemia goditi gjithë botën dhe sigurisht në Britani çdo gjë u mbyll të paktën për një kohë, askush nuk mund të punonte. Me kalimin e kohës, projektet vazhduan që të realizoheshin. Të gjithë njerëzit duhej që të bënin lëshime, nuk ishte as faji i producentëve, ne duhej të ishim të durueshëm në kohë të tilla dhe në fund arritëm edhe bashkëpunimin. Në qoftë se nuk do të ndodhte ky bashkëpunim në kohëra të jashtëzakonshme, shumë projekte do të dështonin”, tha ajo mes tjerash.
Aktori tjetër nga Kosova, Xhevdet Doda, është gjithashtu pjesë e këtij projekti që nga fillimi i xhirimeve të para.
“Jam prej fillimit në këtë projekt dhe kur e kam lexuar skenarin fillimisht e rolin që më është ofruar jam ndjerë i gatshëm që të punojë menjëherë. Puna me Benin është e jashtëzakonshme, ky rol gjithashtu më ka mundësuar që të takohem me aktorë me renome botërore”, tha ai për KultPlus.
Arsyeja kryesore pse ky film është vonuar ka të bëjë pikërisht me pjesën se pandemia e ka penguar zhvillimin e tij, e për këtë Doda thotë se pjesën e karantinës dhe pandemisë në përgjithësi e ka shfrytëzuar duke shikuar filma, e sidomos filma të cilat brenda tyre kanë aktorë të rinj dhe jo shumë të njohur nëpër botë.
“Unë mendoj që kinematografia e Kosovës është një lloj “turshie” që po vjen. Sukseset e saja nuk janë si pasojë e fatit ose diçka e tillë, sukseset janë të natyrshme pasi është bërë punë e madhe. Megjithatë, vazhdoj të besoj se suksese edhe më të mëdha do të vijnë së shpejti”.
Industritë e filmit në të gjithë botën kanë shënuar ulje e ngritje të vazhdueshme në dy vitet e fundit, e bashkë me to kanë ndodhur edhe shumë dështime, por jo në këtë rast.
Të bësh filma nuk do të thotë që thjesht të lidhësh një aparat fotografik mbi një aktor, dhe ta drejtosh atë në fytyrën e tyre e t’i ndjekësh gjatë filmit, nuk është ajo çfarë është krijimi i filmave, nuk është ajo për të cilën bëhet fjalë. Regjisori, skenaristi dhe kinematografi amerikan, William Eubank, ka thënë se të bësh një film është sikurse të ndërtosh një orë, sepse një orë është kaq e vogël dhe mund të vendosësh shumë gjëra brenda saj dhe të gjitha pjesët duhet të punojnë vërtet së bashku. /KultPlus.com
Gerard Depardieu, Maria Grazia Cucinotta e Jeroen Krabbe janë yjet e kinematografisë botërore që tashmë kanë përfunduar një pjesë të konsiderueshme të xhirimeve të filmit “Faleminderit Hagë”, që për titull pune kishte emërtimin “Unë dhe Millosheviqi”, film ky me skenar dhe regji të Arben Kastratit, shkruan KultPlus.
Skenari i filmit i cili i përket zhanrit dramë-komedi e që ngjarjen e ka të vendosur mes Kosovës, Serbisë, Francës dhe Holandës, xhirimet e deritanishme i ka realizuar në Shqipëri dhe Austri, dhe pjesa e mbetur do të realizohet në Austri, Rumani dhe Shqipëri.
Arben Kastrati, regjisori i filmit i cili është shprehur të jetë shumë i kënaqur për kastën e mrekullueshme, por edhe mënyrën se si është nxjerrë deri më tash ky film, ka thënë për KultPlus se filmi është është bashkëprodhim mes Austrisë, Francës, Italisë dhe Amerikës.
“Për shkak të pandemisë, xhirimet e disa skenave të pakta të mbetura, kemi qenë të detyruar që ti shtyjmë deri më tani. Skenat e pakta të mbetura të filmit, do të xhirohen në Austri, Rumani dhe Shqipëri, sapo të na mundësohet të xhirojmë në eksterier”, ka thënë Kastrati.
Ndërkohë, përpos aktorëve të lartpërmendur, në këtë film me rolet e tyre janë përfshirë edhe John Rhys-Davies, Sir Tony Robinson, Claudia Gerini, Patsy Kensit, Xhevdet Doda, Blerta Syla Surroi etj…
Arben Kastrati poashtu ka njoftuar se filmi “Faleminderit Hagë” ka pas kujdes edhe në përzgjedhjen e producentëve, duke përfshirë ata shqiptarë e ndërkombëtarë, dhe ky projekt filmik tashmë ka tre producentë: Shqipe Kamberi, Thomas Bogner dhe Marius Hanganutiu.
Ndërkohë, përderisa është duke u punuar intensivisht për përfundimin e këtij filmi, që montazhin do ta realizojë në Austri, kurse postproduksionin në Los Angeles, Arben Kastrati ka njoftuar se tashmë producentët e filmit kanë filluar të ndajnë me ndjekësit edhe skena të filmit, e që po shpërndahen nëpërmjet faqes zyrtare të filmit, e që sipas tij, premierën do ta ketë në një ndër festivalet më prestigjioze në botë. Filmi “Faleminderit Hagë”, është film i bazuar në ngjarje të vërtetë. / KultPlus.com
Kryelajmi i djeshëm, shpërblimimi i trefishtë në Sundance Film Festival për filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit, nuk u trajtua fare. As nuk u trajtua nga institucionet, as nga b-analistët e përnatshëm televiziv, as nga gazetarët, as nga kandidatët për deputet, as nga liderët politikë, madje edhe pse është kohë fushate.
Lajmi, u trajtua nga e gjithë bota. Një lajm jo i rëndomtë që vie nga Kosova, sepse ishte lajm i mirë. Por, ja që ne nuk rrojmë në botë. Ne jetojmë të veçuar brenda botës sonë primitive.
Aq sa u trajtua lajmi për një arritje të jashtëzakonshme, aq rëndësi ka arti dhe kultura në këtë vend të pazakontë. Ky është një vend i turpshëm, me liderë të turpshëm, që marrin vendime të turpshme.
Në këtë vend, më shumë rëndësi ka mendimi primitiv i një hajni të ardhshëm institucional, se krijimi i një artisti.
Sa turp. Madje edhe për një vend primitiv, si ky, në të cilin ne rrojmë vetëm fizikisht./ KultPlus.com
Të të drejtohem me: “I dashur Arben”, nuk më je i dashur. Të të drejtohem me: “I nderuar Arben”, është mëse qesharake, sepse të nderuar nuk mund të të quaj assesi, as unë dhe askush nga komuniteti besoj.
Të të drejtohem me: “Z. Arben”, vetëm zotëri nuk je. E dimë të gjithë ne, se ti e ke kompleks të përjetshëm origjinën tënde; se ti vjen nga – bagëtia dhe bujqësia. Ti nuk bën përjashtim nga shumica e udhëheqësve të institucioneve, prandaj mos u shqetëso.
E di që nuk shqetësohesh, sepse ti nuk je shqetësuar për dëmet kolosale dhe të pariparueshme që i ju ke shkaktuar kineastëve dhe kinematografisë. Nuk shqetësohesh as që e vjedh rregullisht buxhetin e QKK-së në baza vjetore.
Nuk shqetësohesh që bënë borde dhe juri tërësisht në shërbim tëndin vetanak. Nuk shqetësohesh që je partner në kompani që fiton çdo vit projekte të financuara nga juritë tua që ndajnë paratë nga buxheti i QKK-së. Nuk shqetësohesh që ke lëndë në gjykatë. Nuk shqetësohesh sepse të mbronë politika, konkretisht një politikan mjeran, që ka nevojë për përqindjen që siguron nga veprimtaria jote.
Nuk shqetësohesh, sepse shqetësimi është virtyt i njerëzve të edukuar dhe të arsimuar dhe jo i origjinës tënde – bagëtisë dhe bujqësisë. Kur kinematografia udhëhiqet nga – bagëtia dhe bujqësia, një vend i tillë është i mbaruar. Sepse çobenjtë (shumësi i çoban), që përfshinë dhe politikanin tënd protektor, fatkeqësisht udhëheqin pothuajse me të tëra instutucionet vitale të vendit, dhe i trajtojnë njerëzit me mentalitetin e udhëheqjes së kafshëve. Bagëtia dhe bujqësia i kanë rregullat e veta. Dhe ti e di mirë këtë fakt. Se vjen nga bagëtia dhe bujqësia.
Shpresa se një ditë do të bëhet mirë, ka kohë që na është shuar. Mjeranët si Arbeni dhe protektori i tij politikan, kanë kontribuuar në shurajen e shpresës. E dinë këtë fakt, prandaj nuk bezdisen nga ligjet. Sepse i vetmi ligj i mirë-instaluar në këtë vend, është – papërgjegjësia. Për këtë soj, drejtësia është është në shërbim të tyre. Drejtësia gjenë zbatim vetëm për të dobtit.
Ambicia jote, është ambicie e njeriut të uritur. Ti do të fitosh shumë, sepse ke frikë se mos kthehesh në origjinë, se mos kthehesh tek – bagëtia dhe bujqësia. Kthimi në origjinë, atje prej nga dikur ëndërroje ardhjen në qytet vetëm për vizitë, do të do të ishte i papërballueshëm. Do të ishte kthim me fatalitet.
Ja që ti e dëshmove që: erdhe, shikove dhe fitove. Soji juaj, jeni të fituar, vlerësuar nga këndvështrimi i juaj. Vlerësuar nga këndvështrimi im, dëmi që i keni shkaktuar këtij vendi, është i pariparueshëm. Ju keni mungesë të organit vital, të quajtur ndërgjegje (nëse ndërgjegjia mund të quhet organ). Mungesa e ndërgjegjes, ju bënë të lumtur, vetëm sepse jeni të plotësuar materialisht. Ky “virtyt”, është motiv bazë i sojit tuaj, që vjen nga uria e vazhdueshme që ju karakterizon. Ju jeni të uritur. Ju jeni shumë të uritur.
Dikur, njerëzit edhe pse të uritur, i karakterizonte dinjiteti, që ju gjithashtu e keni të munguar. Dashuria për atdheun, ishte karakteristikë e të gjithëve. Tani, dashuria për atdheun është konvertuar në mundësi për tu pasuruar. Dhe është karakteristikë e njerëzve të uritur pa dinjitet. Sot, ndjenjë për shtetin kanë vetëm të mirë-edukuarit dhe të mirë-arsimuarit. Fatkeqësisht, ata që duan të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit janë të paktë dhe kanë kufizime të përhershme, sepse nuk janë të uritur. Sot, shteti është ekskluzivitet i të uriturve.
Unë nuk ndjejë urrejtje për ty. Unë nuk mund të kem urrejtje për një përfaqësues të dinjitetshëm të sojit tënd. Për dikë si puna jote, unë kam vetëm përbuzje. Sinqerisht, ndjejë keqardhje për mjerimin tënd. Sepse më shkaton neveri të skajshme, një mjeran me post. Ti je një i mjerë parekselancë. Në mjerimin tënd, ti gjenë motiv për të qenë i lumtur me punën tënde madhore, vjedhjen konstante. Me jargavitjen, poltronizmin dhe servilizmin, që të karakterizojnë, e shtynë mirëqenien tënde. Fundja, pse duhet ti të përbësh dallim nga të tjerët? Vjedh sa të mundesh se nuk të bezdis njeri.
Njeriu nuk lë pas vetes konton bankare trashigimi, por lë veprat. Veprat që do të shënohen në CV-në tënde, janë jargavitja, plotronizmi dhe servilizmi i skajshëm. Mjer ti për veten tënde dhe projeksionin tënd mbi fitimet joligjore përmes kinematografisë. Ty të solli politika. Dhe politika do të të rrënojë, ditën që nuk do të kenë nevojë për shërbimet tua. Deri atëherë, shijoje pozitën dhe mundësitë që të ka dhënë ky vend, se shtet nuk mund ta quaj. Se shteti ka ligje dhe rregulla…
Në këtë vend, ku zotëron bagëtia dhe bujqësia, unë nuk dua të krijoj. Heq dorë nga krijimi.
Pa asnjë respekt për ty dhe sojin tënd.
Ky shkrim është opinion i Arben Kasratit dhe nuk paraqet qëndrimet e KultPlus. / KultPlus.com
Historikisht, shqiptarët nuk kanë pasur vetëm mungesë budallallëku. Madje në çdo etapë kohore, e kanë pasur me tepri.
Kjo gjë tani (që dikur e quanim Atdhe), përmbanë sasira të mëdha të degjenerimit politik. Dhe kuantitet papërgjegjësie kolektive. Kjo gjë tani, është rezultat i paaftësisë tonë për t’u zhvilluar. Në këtë gjë tani, ne rrojmë të poshtëruar. Prandaj, kudo që ne vemi, bartim me vete sasira të mëdha turpi, që na mveshin politikanët tanë. Unë trajtohem me turp, për shkak të identitetit tim. Unë trajtohem i pshtirë, për shkak të origjinës sime. Jo për shkak të individualitetit tim, por për shkak të përkatësisë time. Sepse kjo gjë tani (që dikur e quanim Atdhe), është bërë strehë e marrisë.
Kjo gjë tani (që dikur e qunim Atdhe), është shndërruar në zonë të lirë përgjegjësise, në të cilën glorifikohet marria dhe vlerësohet paaftësia. Prandaj, shqiptari i sotëm, ka nevojë për më shumë ilaçe se sa për arsim.
****
Përditshmërisë sonë klaustrofobike, së cilës patologjitë dhe difektet i janë shndërruar në vlera, i është shtuar edhe zhdukja e parimeve morale, për t’u zëvendësuar me interesa partiake. Njëmendësia e klasës politike shqiptare, edhe pse e falementuar moralisht, edhe pse e përçarë, e ndërurryer dhe e armiqësuar skjashmërisht me njëra tjetrën, është e bashkuar në luftën ndaj emrave të paktë të përvetshëm parimorë të ngelur, me qëllim që t’i diskreditojë. Është i frikshëm brutaliteti me të cilin partia-institucioni i lufton njerëzit parimorë të përvetshëm.
Dyshimi skajshmërisht i frikshëm (që na ka ndjellë politika) i të qenit i panevojshëm, bënë që individi i sotëm të heqë dorë “vullnetarisht” nga parimet, të ç’bëjë personalitetin e tij, që t’i shërbej partisë-institucionit në këmbim të ekzistencës.
Nga të tëra frikërat, më e trishta është përndjekja nga politika shqiptare për të shuar idealistët. Dhe më e frikshme se vet frika është, servimi i profesionistëve dhe njerëzve të ditur në ushqim për masën. Është turp i shumfishtë, servimi i njerëzve të ditur, në argëtim për masën. Për t’i argëtuar dhe ngopur intriguesit, të pabesët, njerëzit më amoral që rrojnë dhe e udhëheqin këtë gjë tani (që dikur e quanim Atdhe). Këto janë veprime diabolike të krerëve të partive-institucione. Politikanët shqiptarë, në këtë gjë tani (që dikur e qunim Atdhe), as pendesë as turp nuk provojnë prej kohësh.
Animoziteti partiak ndaj mendimit të lirë është shndërruar në qëllim prioritar i të jargosurve të përhershëm partiak. Shembulli që të jargosurit partiakë dërgojnë në popull me këto veprime, është trishtues. Dëshira e frikshme për ta shuar njeriun me parime, është shembull i trishtë se si vendi gradualisht por sigurt, po shkon drejt ç’bërjes së lirisë dhe vendosjes së totalitarizmit.
Ankthi kombëtar, në këtë degjenrim politik në të cilin rrojmë, ngelet shndërrimi i ndërmarrjeve të frikshme joqeverisëse në institucione legjitime. Devalvimi i të jargosurve partiakë, ka arritur shkallë të lartë trishtimi. Instalimi i papërgjegjësisë, në këtë gjë tani (që dukur e quanim Atdhe), i ngjanë një ligësie të madhe dhe jo një gjëje që pretendon të jetë – shtet.
****
Si ndodhi humbja e dhimbshme e dashurisë për atdheun, tani më dihet. Si ndodhi kalimi nga dashuria në urrejtje, për këtë gjë (që dikur e quanim Atdhe), gjithashtu dihet. Kush na e voshi atdheun? E kemi mëse të qartë!
Si mund të transformohet njeriu në një gjendje të tillë, që të mos ndjejë asgjë?!!!
Të ndjejë vetëm neveri, për këtë gjë tani (që dikur e quanim Atdhe)! Të ndjejë urrejtje ndaj çdo gjëje që përfaqëson kjo gjë tani (që dikur e qunim Atdhe)?!
Askush më, nuk rron në atdhe. Njerëzit ka kohë që janë shkëputur nga atdheu dhe vetëm fizikisht qëndrojnë në këtë gjë tani (që dikur e quanim Atdhe)!
Atdheu ishte një e shkuar e bukur. Atdheu ishte një ëndërr e bukur. Atdheu ishte një motiv i bukur. Atdheu ishte një ideal i bukur. Atdheu ishte.
Kjo gjë tani, që na mbulon me turp, vetëm atdhe nuk është. Kjo gjë tani, na bënë të ndihemi të turpëruar. Kjo gjë tani, na bënë të ndihemi të ofenduar. Kjo gjë tani, që dikur e quanim – Atdhe, është.
Ikja, na ngelet mundësia e vetme për ta mundur poshtrimin tonë. Unë kam nevojë për më shumë se për këtë gjë tani. Kam nevojë për atdhe. Sepse aty, mund të krijojë. Unë jetoj për të krijuar. / KultPlus.com
Regjisori Arben Kastrati ka reaguar ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe ndaj Qendrës Kinematografike të Kosovës duke ju bërë thirrje që në konkursin e shpallur nga QKK të hiqet pagesa prej 100 euro, kusht ky i vënë për aplikim, shkruan KultPlus.
Ky lirim nga pagesa po kërkohet për shkak të situatës së rënduar ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
Sipas Kastratit ky lirim nga pagesa është ndërmarrë nga të gjitha dikasteret tjera në të gjitha vendet e botës.
“Kërkesë
Që në Konkursin e shpallur nga QKK për aplikim, të hapur deri më 31 Gusht të vitit 2020, të hiqet pagesa prej 100 eurosh, i vënë kusht për aplikim, për shkak të situatës së rënduar ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Një veprim i tillë lirues, është ndërmarrë nga të gjitha dikasteret tjera, në të gjitha vendet e botës. Një veprim i tillë, duhet të ndërmerret edhe nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës”, ka thënë Kastrati. / KultPlus.com
Përditshmërisë sonë të vogël klaustrofobike, në të cilën patologjitë dhe defektet janë shndërruar në vlera, i është shtuar edhe lufta ndaj njerëzve të paktë parimorë, që sulmohen brutalisht dhe ndiqen verbërisht nga krerët e institucioneve.
Më e bukura nga të tëra zhgënjimet në RKS-në e pavarur, është shuarja e idealistëve nga politika shqiptare. Servimi i idealistëve dhe parimorëve në ushqim për intriga, pabesi, amoralitet, është shndërruar në domosdo për krekrët e institucioneve dhe argëtim për qytetarët, tani më.
****
Klasa politike shqiptare është e falementuar nga morali dhe parimet. Edhe pse e përcarë, e ndërurryer dhe e armiqësuar skjashmërisht me njëra tjetrën, njëmendësia politike shqiptare së fundmi është bashkuar me një qëllim, të luftojë emrat e paktë të përvetshëm parimorë, me qëllim diskreditimin e personaliteteve të tyre.
Brutaliteti me të cilin emrat e përvetshëm që forcërisht mbrojnë parimet, luftohen si nga partia amë ashtu edhe nga krerët e institucioneve shtetërore, është e frikshme. Zhdukja e parimeve morale, për t’u zëvendësuar nga interesat politike, është shndërruar në luftë të kobshme.
Shembulli që klasa politike me këto veprime dërgon në popull, është trishtuese. Të kërkosh nga individi të heqë dorë vullnetarisht nga parimet, është sikur t’i kërkosh individit të c’bëjë personalitetin e tij.
Klasa politike po e mëson popullin se si të devijojë nga parimet bazike njerëzore, që të manipulohet, të shitet, të humbas parimet, të humbas vlerat, të humbas dinjitetin, të humbas moralin. Politikanët shqiptarë në RKS, as pendesë as turp nuk provojnë prej kohësh.
****
Kryetari i vendit, duhet të jetë figurë unifikuese, thuhet në Kushetutën e Kosovës. Kryetari i shtetit në të cilin rroj, një i paditur i certifikuar, mirret profesionalisht me thashethëme, me shpifje nën brez dhe me intriga primitive, për ta diskerdituar oponentët politikë me parime. Është poshtruese për qytetarin të dëgjojë të tillë niveli edukate, dijeje dhe intrige nga Kryetari i vendit.
Dëshira e frikshme për ta shuar njeriun me parime, ashtu sic i shuan idealistët, është shembull i trishtë se si vendi gradualisht por sigurt, po shkon drejt c’bërjes së lirisë së shprehjes dhe vendosjes së totalitarizmit.
Frika më e madhe, ngelet moskundërshtimi i instalimit të totalitarizmit. Ndërsa ankthi kombëtar, ngelet shndërrimi i ndërmarrjeve të frikshme dhe shuarja e vlerave njerëzore në argëtim.
Devalvimi i dinjitetit politik dhe njerëzor në këtë vend, ka arritur shkallë të lartë trishtimi.
Mire se erdhët në emisionin tuaj të preferuar: “Përrallë”.
Protagonist i përrallës sonë të mbrëmjes, është Hashim Thaci. Përralla me Hashimin, është përralla juaj më e pëlqyer. Ritransmetimi i përrallës me Hashimin, vie nga kërkesat tuaja të vazhdueshme.
****
Naratori:
Na ishte njëherë një djalë. Quhej Hashim. Hashimi jetonte në Brojë. Edhe pse Broja nuk gjindet as në Google Map, është fshat i njohur në Kosovë. E Kosova është shtet i pavarur, falë djalit të quajtur – Hashim.
Kur lindi Hashimi, edhe pse ishte djalë, u habit i gjithë fshati?! Fshati u habit sepse Hashimi lindi i dobët shumë dhe i gjatë. Edhe pse i gjatë, ai nuk hecte. Përpos që nuk hecte, ai edhe nuk fliste. Prindërit, të brengosur që djali Hashim nuk po hecte dhe as nuk po fliste dhe koha që të regjistrohej në shkollë kishte ardhur, e dërguan për vizitë tek doktori i fshatit më të madh në rrethinë, i cili pasi që e kontrolloi, konstatoi që Hashimi nuk kishte asnjë parregullësi në zhvillim. Përkundrazi, ai kishte një organ më të zhvilluar nga të tjerët: e kishte trurin të madh, edhe pse e kishte kokën të vockël. Prindërit nuk kishin pse të shqetësoheshin, sepse ai ishte plotësisht i shëndoshë. I tillë kishte qenë dhe i madhi Lenin, që nuk kishte hecur deri në moshën pesëvjecare, sepse truri i kishte rënduar shumë se shtati, duke ia mundur barazpeshën…
Doktori, u sygjeroi prindërve, ta dërgonin fenomenin Hashim për egzaminim të mëtejmë në Prishtinë. Por, Prishtina ishte larg, shumë larg, shumë, shumë larg…
Vitet kalonin dhe Hashimi nuk fliste. I ati, e mori Hashimin dhe e dërgoi për vizitë tek hoxha i fshatit. Hoxha, sapo e pa Hashimin, shau mjekun që s’kishte dijeni, dhe konstatoi që djali ishte shumë mirë. Djali Hashim fliste, por nuk arrinin t’a dëgjonin. Pas vizitës, hoxha e bekoi Hashimin dhe e veshi me aftësi të vecanta. Kur po dilte, e uroi të bëhej President. Urimi i hoxhës do ta zinte si tutkall.
Pas bekimit të Hoxhës së fshatit, Hashimi mori fuqi të pazakonta. Kaluan vite. Hashimi u rrit, u zgjat shumë, u bë i fortë si celik, nxirrte flakë nga goja dhe tym nga hundët. Kohën e kalonte në shkollë dhe në arë duke ruajtur lopët. Një pasdite me lopët, u sulmua nga një ujk gjigand. Hashimi e kapi ujkun për fyti, i shau t’ëmën, e shtrëngoi fort dhe e cau në mes. Britmën e ujkut e dëgjoi i gjithë Ballkani. Trimëria e tij, e shndërroi në mit. E gjithë bota, fliste vetëm për veprën e Hashimit.
Një ditë prej ditësh, teksa Hashimi po ruante lopët, intuita i tha që kishte një libër nën një shkëmb të madh. I fortë sic ishte, e ngriti shkëmbin lartë në ajër, e nxorri librin, ndërsa kur shkëmbi ra në vend, e dridhi gjithë globin duke shkaktuan ca tërmete dhe cunami të frikshëm…
Hashimi i lexoi të dy vëllimet e “Historia e Popullit Shqiptarë” me një frymë, se kishte veti të pazakonta. Qau. Dhe qau shumë kur kuptoi se c’po hiqte populli shqiptarë nga armiqtë. Sepse në Brojë, nuk kishte parë asnjë armik. Armiqtë, e kishin të ndaluar të hynin në Brojë.
I bekuar nga hoxha i fshatit sic ishte dhe i paisur me aftësi të pazakonta, i vetëm, i luftoi pushtuesit deri në clirim.
Armiqtë shtien në drejtim të Hashimit me vite dhe pa ndalë. Ai, i vecantë sic ishte, i kapte plumbat e pushkëve me dhëmbë dhe gjylet e topave me pëllëmbë, ndërsa helikopterët dhe avionët i rrëzonte me grushta. Ndërsa i shtypte armiqtë me shkëmbinjë, të cilët ua hidhte me pëllëmbët e duarve. Edhe pse i vetëm, e fitoi cdo betejë.
I vetëm, i mundi të tërë armiqtë e shqiptarëve dhe e shkëputi Kosovën nga kthetrat e ujqërve. I la gojëhapur jo vetëm armiqtë, por edhe miqtë.
Erdhi në Prishtinën e cliruar dhe për një periudhë fare të shkurtër kohore; studioi, diplomoi, magjistroi, doktoroi, specializoi, instaloi parajsën dhe fitimtarë u kthye në Brojë, vendlindjen e tij. Mori lopët dhe doli në arë, duke e lënë Kosovën e cliruar në duart e askushëve, që ishte gabimi i tij i parë dhe i vetëm. Prishtina, brenda dy muajve pa Hashimin, humbi cdo gjë, përfshi dhe asfaltin. Nuk ishte cilësia e dobët e asfaltit, por aciditeti që përmbanin pështymat e të ardhurve. E tretën asfaltin me pështyma acidike. Prishtina mbeti kryeqyteti i vetëm në botë, pa asfalt.
Ndërkohë, një betejë e re u hap nga pështyesit. Ishte betejë politike. Sa më i suksesshëm që bëhej Hashimi, aq më shumë armiqë krijonte. Filluan ta fyejnë armiqtë duke e quajtur intrigant, katundar, filozof i Brojës etj…Hashimi nuk merrej me kundërshtarët politikë, ca partizanë këmbëpërmbikëmbës, që e kishin lënë Prishtinën pa asfalt. Ai po e shijonte kurorën, edhe pse e rëndë ishte kurora.
Një ditë, teksa po shëtiste në arë dhe po e përgatiste kundërsulmin ndaj oponentëve politikë, intuita i tha të nxirrte një libër nga shkëmbi. Që të mos e dridhte globin sërish, e ngriti shkëmbin me njërën dorë, dhe me tjetrën dorë e nxorri librin, katërqind e tetëdhjetë e katër faqet e të cilit, i lexoi për katërmbëdhjetë minuta, sepse Hashimi ishte bekuar nga hoxha i fshatit dhe kishte veti të pazakonta. Nga ai libër mësoi shumë. U edukua, u arsimua, u vetëdijësua. Mësoi të ishte i sinqertë, të mos bënte intriga, të mos i shante kundërshtarët, të mos punonte pas shpinës së tjerëve, të mos pështynte në asfalt. Ai, iu përmbajt këtyre parimeve, në vazhdim.
U kthye në Prishtinë, dhe për një kohë të shkurtër, Hashim Thaci u bë Kryeministër. Ai mbante të drejtën e bërjes së shtetit. Kosova mund të ishte vetëm: Thaciste ose e vdekur. Kur konstatoi që Kosovën e cliruar po e humbisnin, mori vendime në dëm të vetes, për t’i ndihmuar vendit. E dezinfektoi nga tanët dhe udhëhoqi gjithë proceset deri në pavarësi.
Pas pavarësisë, vendosi të merrte një pushim të gjatë, dhe t’ia plotësonte dëshirën hoxhës, dhe u bë President. Nga mirëqenia që solli, gjysma e populates u bënë këngëtarë. Vetëm aty ku ka mirësi këndohet.
Tani, fëmijë të dashur, pas njëzetë vjetësh, djaloshi i dikurshëm Hashim, ka vendosur ta heq barrën nga supet dhe të na lë jetim. Pas udhëheqjes së të gjitha proceseve, ka vendosur të rroj i lumtur, duke hequr dorë me vetëdëshirë nga dija.
Ne, do të na mungojë Hashimi dhe bëmat e tij heroike dhe historike. Por, ne duhet ta pranojmë vendimin e tij. Kolektivisht të pikëlluar, do ta përcjellim për në Brojë, duke mbyllur një kapitull, sa madhështor aq edhe të dhimbshëm.
Shpresojmë të mos ngrejë ndonjë shkëmbë dhe të gjejë ndonjë libër tjetër, sepse do ta privonte nga pensionimi. Edhe pse rikthimi i tij eventual, për ne, do të ishte domethënës.
****
Fëmijë të dashur
Këtu i erdhi fundi, ritransmetimit të përrallës tonë për sonte.
Natën e mirë, të dashur fëmijë. Gjumë të ëmbël. Flini të qetë. Gjithmonë, ju mbronë djaloshi – Hashim. /KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, i kam takuar të gjithë liderët politikë, në përfundim të tubimeve përkujtimore apo partiake, por asnjëherë të vetme në një shfaqje teatrore. Asnjëherë.
Ashtu sic në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, liderët partiakë nuk kishin shkuar asnjëherë, të shijonin shfaqjet, të vlerësonin kushtet në të cilat punonin aktorët dhe stafi i teatrit dhe as të konstatonin gjendjen e godinës! Ashtu sic asnjëherë, as andej dhe as këtej, nuk kishin pyetur për gjendjen e aktorëve?
Pse liderët partiakë, zgjodhën një godinë kulture, të zhvillonin “betejën e madhe”?! Cila është rëndësia e “fitores së madhe” mbi një godinë kulture? Është impakti që sjell arti.
Nuk dua të flas për godinën e Teatrit Kombëtar. Dhe as nuk e mar të drejtën ta gjykojë vendimin. Mbrojtja e godinës është kompetencë dhe përgjegjësi e bashkisë. Dua të flas për aktorët, viktimat e mendësisë së tyre, që në vend të mbrojtjes së dinjitetit, u rreshtuan në mbrojtje të interesave të partive politike. Si produkt i politikës, ne nuk e jetojmë jetën, por e shtyjmë jetën. Është pikërisht politika, fajtore për gjendjen e padinjitetshme të artistëve. Aktorët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk protestuan kundër politikës, por iu bashkangjitën politikës. Servilizmi që shfaqin ndaj politikës, është i pamoralshëm dhe jonjerëzor. Nuk ka gjë më të pshtirë se kur artistët e teatrit mbrojnë artistët e politikës. Është e pafjalë, renditja me vetëdëshirë e artistëve në mbrojtje të interesave partiake, në dëm të tyre.
Ne nuk meritojmë të mbajmë emrin e profesionit që ushtrojmë. Të qenit artist, është nder dhe privilegj. Ndërsa ne, me lehtësi të papërballueshme, e përdhosim emrin që mbajmë, në këmbim të shijimit të jetës që na e ofron politika, për shërbime. Suksesi që ofron arti mund të jetë i varfër, por shijon. Fundja, arti është përcaktimi ynë. Në atë përcaktim, duhet të rrojmë me dinjitet.
Mund të kriojmë edhe pa godinë, por edhe në godinë luksoze. Por, nuk mund të kriojmë pa njëri tjetrin. Krijimi na siguron pavdekshmëri. Politika na siguron pavdekshmëri, në marri./KultPlus.com
Kanalet tona televizive, përnatshëm transmetojnë debate. Në debate, prania e analistëve burra është e dukshme. Mungesa e analisteve, flet për një shoqëri patriarkale, në të cilën gratë janë të padenja për debat me analistët burra. Në shoqërinë tonë, të menduarit është ekskluzivitet i burrave. Ndërsa, mendimi i gruas, për burrin shqiptarë, është fyes.
Mes debate burrash, në kohën e përcaktuar për marketing, në televizione na shfaqen video porosi, në të cilat këshillohen gratë e dhunuara nga burrat, të lajmërojnë rastet e dhunës në numra pa pagesë. Përmbajtja e video porosisë, e dëshmon faktin që gratë janë të dhunuara.
Për shkak të varfërisë mendore të projektuesve të debateve televizive, që besojnë që të gjitha debatet duhet të jenë vetëm politike sepse politika sjellë shikueshmëri!!!! dhe në këtë garë televizive për shikueshmëri, pandemia për ne është e një rëndësie minore dhe një dukuri që assesi nuk i dëmton shqiptarët. Sepse madhështia mashkullore shqiptare, është më e fortë se cdo virus. Gratë nuk duhet të kenë frikë nga virusi, sepse kanë shqiptarë për burra.
Ne jemi të dënuar përjetësisht që përnatshëm të shikojmë debate politike. Nëse redaktorët dhe moderatorët e debateve, vendosin një ditë të ftojnë gra paneliste, le të ftojnë gra jo për shkak të përkatësisë gjinore, por për shkak të dijes me të cilën karakterizohen. Të mos ftohen gra të forumeve të partive politike që na dëftojnë mendimet e liderëve të tyre përkatës partiak, të cilët kanë shpikur “forumin e gruas” për të gënjyer vlerësimin që kanë për gruan. Vetë ekzistenca e forumeve të grave në partitë politike, dëftojnë një lloj diskriminimi modern. Nëse s’ka forume burrash në partitë politike, nënkupton që partitë politike janë ekskluzivitet i burrave. Ekzistenca e forumeve të grave, dokumenton një qasje privuese ndaj barabarësisë. Forumet e grave, janë një turp partiak, ku gratë mblidhen herë pas here, jo për të debatuar, por për të joshur votuese duke u ofruar lëngje dhe pjekurina të gatuara nga gratë në vështërsi.
Debatet politike televizive, tani më, i shikoj hera herës teksa ndërroj kanalet, por nuk i dëgjoj. Dëgjimi i gjithologëve panelistë për situatën politike në vend, është i dëmshëm për shëndetin. Prandaj, në këtë kohë pandemie, kujdesi i shtuar është obligim qytetaresk. Në këto emisione të përnatshme debatesh, të ftuarit mund të jenë burra, por jo edhe analistë. Shumica e tyre, janë: b-analistë. / KultPlus.com
Shumë vite më parë, kur ende isha ëndrrimtarë i thekur, dhe besoja që ishte cështje kohe kur do të përfundoja në Hollywood, takova Al Pacinon. Doja ta angazhoja në filmin tim të parë: “E di se kam pasur një titull më të mirë, por e kam harruar”. Takimet me Pacinon, i kam përshkruar në romanin tim, një roman, mbushur me zhgënjime.
Në 80 vjetorin e lindjes së Pacinos, po ja bashkangjes shkrimit, kapitullin në të cilin përshkruaj takimin me Pacinon, në version të shkurtuar.
****
…Regjinë e shfaqjes: “Solomon” nga Oscar Wilde, e kishte bërë, drejtoresha e “Actors Studio”, Znj. Estelle Parsons. Në shfaqje luanin: Al Pacino, Marisa Tomei, Dianne Wiest, etj.
Në mesditë, teksa po përgatisnin provën para shfaqjes së mbrëmjes, në skenë hyri Al Pacino.
Estelle më njftoi me Pacinon, të cilit ia dhurova romanin tim: “E di se kam pasur një titull më të mire, por e kam harruar”, që ishte i përkthyer në anglishte.
Pasi prova përfundoi dhe të tërë u larguan, hyra në skenë, pastaj në prapaskenë, të kërkoja romanin, sepse isha i bindur që Pacino duhet ta kishte hudhur diku. Nuk e gjeta askund.
Pasi përfundoi shfaqja, Dianne Wiest dhe unë, dolëm nga prapaskena e teatrit dhe ndezëm cigaret. Teksa po bisedonim dhe po shijonim nikotinën, dëgjuam turmën që po priste në acar, daljen e Pacinos. Një person na tërhoqi vëmendjen me zërin e tij, që bërtiti: “Mr. Pacino, I know you” (Z. Pacino, unë Ju njoh). “No, you don’t know me, you know my work” (Jo, ti nuk më njeh mua, ti e njeh punën time), ia ktheu Pacino, që e përshëndeti turmën me dorë, hyri në limo-n e tij, dhe u largua me shpejtësi. Konstatova se romanin nuk e kishte hedhur. Sa njerëz kishin mundësi t’a takonin Pacinon dhe t’i dhuronin libra?!
…Estelle, më pyeti në telefon, se a do të mund të gjeja kohë të nesërmen në ora trembëdhjetë, ta takoja Al Pacinon. Zëri i saj unik, më hoqi dyshimet se qe shaka.
…Apartamenti i Pacinos, qe në katin e njëzet e tetë të një ndërtese luksoze me pamje nga Central Park. Cdo gjë brenda, qe aq e bukur dhe e rregullt, sa që më krijoi jorehati. Në bibliotekë, ishin të rradhitura libra me kopertinë ngjyrë vishje, ndërsa në vitrinën ngjitur me bibliotekën, qëndronin: Golden Globes, Oscar-i dhe shumë statuja shpërblimesh të tjera.
Gëzimi që ndodhesha në apartamentin e tij, me gjithë ata aktorë të mëdhenj, më bënte të ndjehesha i vecantë. I vetmi njeri i deprimuar në atë apartament, ishte Pacinoja, sepse si aktor, nuk kishte se c’interpretonte më. S’kishte më skenarë joshës. Ndërsa rronte për të krijuar.
…Pacino foli. Romanin tim e kishte lexuar me një frymë, i vetëm, në hotelin ku kishte qëndruar pas premierës së shfaqjes. Ndërsa, kapitulli ku përshkruaja kinemanë, e kishte impresionuar. Ai, nuk kishte lexuar roman, por kishte shikuar film. Kishte qarë dhe kishte qeshur. “It is such a beautiful sad story” (Është një dëftim dhembshurisht i bukur). You are very unique (Je shumë i vecantë). “Së shpejti do ta xhiroj”, iu përgjigja. Dhe përnjëherë, as vet nuk e di se si, i ofrova të luante në film. U mendua paksa, dhe tha se nuk kishte rol për të në filmin tim. “Unë jam naratori. Vi tek Ju dhe Ju rrëfehem, ndërsa në fund të dëftimit, ju thoni: “Get the fuck out of here”, i propozova. I pëlqeu dhe i pëlqeu shumë, propozimi im. “Por, unë nuk kam pesë million dollarë t’Ju paguaj”, ia ktheva. “Jo, miku im, është mbi pesëmbëdhjetë million dollarë, honorari im…“.
Qetësi. Askush nuk fliste. Pimë nga një gëllënkë kafe, pastaj foli Pacino: “Do të luajmë të gjithë, edhe Estelle, edhe Marisa, edhe Dianne, edhe unë, edhe të tjerët, dhe do të punojmë gratis”. Të gjithë pohuan, edhe pse Pacino nuk e pyeti asnjërën. Ky do të ishte kontributi i tyre, për veprën time të shkëlqyer.
Isha njeriu më i lumtur i planetit…
Pacino dhe unë, u takuam dhe disa herë të tjera. Kisha përshtypjen se tani e njihja prej vitesh dhe se qemë shokë, sepse kaluam nga Ju në Ti, edhe pse në anglishte “You” përdorej për të dyja vetat.
…Ai siguroi një milon dollarë nga një Kanal Televiziv Amerikan, që do ta mbante ekskluzivitetin e vizitës së Pacinos në Kosovë, dhe do ta dokumentonte filmikisht. Ndërsa Pacino, paratë nga realizimi i dokumentarit, do t’ia dhuronte komunitetit artistik në Kosovë, për të krijuar. Lajmi u bë publik dhe “mori dhenë”…
…Mëse tre muaj, jetova në Hotelin “New Yorker” në NYC, aty ku ishte xhiruar filmi: “King Kong”. King Kongu kishte ardhur në New York pas dashurisë, ashtu si dhe unë, por ai kishte ardhur pas dashurisë së një gruaje, unë pas dashurisë ndaj filmit. Ai qe vrarë. Unë duhej të largohesha sa më parë, që të mos vritesha aty, që të vritesha në shtëpi. Të vritesha tek rrënja.
Shkova tek varri i tim ati, preva barin, e pastrova gurin e mermertë dhe i dëftova se e kisha takuar Pacinon, Michael Corleone-n nga “Kumbara” i Francis Ford Coppola-s, film të cilin e kishim shikuar së bashku në Kinema Rinia 1.
E tërë bota mediale do të vërshonte në Kosovë. Këtë fakt e kishte të njohur Kryeministri që më gostiti me kafe dhe më premtoi, so do ta mbështeste ardhjen e Pacinos në Kosovë dhe realizimin e filmit. “Fundja, është nder për mua, për ty, për kombin, për vendin”, tha.
“Nuk kemi buxhet”, tha Ministri i Kulturës. Ai ishte shumë i paditur, do shtyente tutje, do të arrinte shumë. Ky vend, qe ndërtuar enkas për atë soj…
****
Në takimin tonë të fundit, kur dolëm nga Restaurant “Marseille”, para se të përshëndeteshim më the: “You are so God damn talented”. Po e citoj këtë fjali tënden, për të dëftuar që më ka mbajtur gjallë gjithë këto vite, mbushur me zhgënjim. Ëndërra për të punuar bashkë, nuk mu nda asnjëherë, por bashkëpunimi s’paska qenë i thënë.
Urime ditëlindjen, miku im. Pac fat, shëndet dhe skenarë të mirë në vitet në vazhdim. Jetofsh i lumtur. (Aq sa mund të jetë i lumtur një artist).
Kur isha fëmijë, prindërit më mësonin dhe udhëzonin të mos e pranoja Jugosllavinë, shtet timin. Të mos e pranoja Jugosllavinë, atdhe timin. Sepse ne rronim në Jugosllavi, padrejtësisht. Brenda kësaj padrejtësie, ne rronim të poshtëruar. Prandaj, unë u rrita me besimin që nuk kisha atdhe. Atdhe kisha, dhe quhej Shqipëri, por ja që në Shqipëri, jo vetëm që na ishte e ndaluar të shkonim, por na ishte e ndaluar edhe t’a shqiptonim.
Ndjenja e të jetuarit pa atdhe, përpos pakuptimësisë, sillte edhe trishtim.
Të gjitha kombet në Jugosllavi, quanin atdhe republikat e tyre, dhe Jugosllavinë.
Unë e refuzoja Jugosllavinë si atdhe timin, dhe ëndërroja atdheun që nuk e
kisha. Ndjenja e të qenit i paatdhe, më kishte krijuar një boshllëk brenda vetes.
Ishte e padrejtë, që brenda një fëmije paatdhe, të zinte vend një ndjenjë e
tillë boshllëku, në vend të përjetimit të kënaqësive ditore që zinin fëmijët e
përkatësive të tjera, që ua sillnin lojërat. Ata luanin, se kishin atdhe. Ata
ishin të lumtur, se kishin atdhe. Ndërsa unë, ndihesha i pambrojtur, ndihesha i
frikësuar. Në ëndrrat e mia, sado patetike që mund të tringëlloj fjalia në
vazhdim, atdheu ishte më i bukur se parajsa. Jo se e dija se ç ’ishte parajsa,
por ishte njësi matëse që iu mundësonte njerëzve të kësaj bote, që me imagjinatën
e tyre të përkufizonin vendin që ofronte kulmin e kënaqësisë, në botë tjetër.
Ashtu edhe unë, do të mund të kisha atdhe vetëm në një botë tjetër, sepse në
këtë botë, duke u bazuar në rrethanat që mbretëronin, as që bëhej fjalë të
rronim me atdhe. Ky, ishte fati ynë…
Shumë histori tragjike përjetuam që nga ajo kohë dhe deri kur u çliruam. Liria,
më dhuroi një ndjejë të munguar dhe pashpjegueshëm të mirë. Atë ndjenjë, nuk e
marr tundimin ta shpjegoj. Është diç, përtej. Ndjenja, përtej, vazhdoi të më
mbante përkundër shumë pakënaqësive ndër vite, deri sa e fituam atdheun,
Atdheun e fituam pa shkuar në botën tjetër. Parajsën e fituam, këtu. Ky ishte
fati ynë, ishte një mrekulli…
Pavarësia, dashurinë për kombin dhe atdheun m’a konvertoi në dhimbje.
Dhimbja, me kalimin e kohës, sa vinte e rritej. Ashtu siç rritej edhe ndjenja e
turpit, se kisha atdhe. Zhgënjimi mori përmasa gjigande. Ky ishte fati ynë, një
e vërtet, e trishtë…
Pas zhvillimeve të fundit politike, nuk kam asnjë ndjenjë për atdheun. Asnjë.
Pandjesinë për vendin ma instaluan, tanët. Tanët, ma hoqën dashurinë për
atdheun. Më lanë të paatdhe, sërish. Dhe kjo ndjenjë trishtimi, sërish, me hapi
një boshllëk, brenda vetes. Ky, ishte fati ynë, të udhëhiqemi nga, tanët…
Ndjesia e të qenit i huaj, brenda asaj c’ka mbetur nga atdheu, ka kohë që më ka kapluar. Unë, nuk mundem më ta quajë atdhe këtë vend, vetëm se kam shtëpinë. Fundja, “Shtëpi quaj vendin ku mbështes kokën” thotë Tom Waits, në një nga këngët e tij. Unë kam nevojë më shumë se për shtëpi. Kam nevojë për atdhe, e atdheu, mungon. Ashtu sikur dikur në fëmijëri, më ngelet ta ëndërroj atdheun, sërish. Ky, është fati im, s’e mbys dot trishtimin…/KultPlus.com
Skenari i filmit i përket zhanrit dramë-komedi. Ngjarja e filmit ndodhë në Kosovë, në Serbi, në Hollandë dhe në Francë. Filmi përbëhet nga një kast i mrekullueshëm aktorësh, përfshi: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Ellen Birgitte Winther, Blerta Syla, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj.
Skenari i filmit, që është vlerësuar nga figura madhore të
kinematografisë botërore, është mohuar nga Qendra
Kinematografike e Kosovës. Mbretëria e të paditurve institucional, përbëhet nga figura tragjike,
që
kanë
nivele të
frikshme të
intelegjencës.
Ata, kanë
lindur nga një
degjenerim (politik). Ata, në vazhdimësi, ushtrojnë kontroll politik në çdo lëmi. Përjashtim nuk përbënë as puna ime, që vazhdimisht vëzhgohet nga një ish-ministër,
poltronist profesionist. “Dežurni” i përhershëm i punës time, ka një obligim
të
vetëm,
ta eliminoj atë.
Ai është asistenti më i devotshëm i “shefit”. E “shefi”, është një paradox i frikshëm.
Një
pjesë
e madhe e filmit, do të xhirohej në ish kampin Gjerman të KFOR-it në Prizren, (Parku
Inovativ), që
administrohet nga Qeveria e Kosovës dhe Organizata Jo Qeveritare, GIZ.
Produksioni i filmit dhe përfaqësuesit e GIZ-it, pas vizitave, matjeve dhe
fotografimeve të lokacioneve (në kohëzgjatje prej një viti), ishin dakorduar
për të gjitha modalitetet, përfshi dhe datat e xhirimeve. E gjithë skenografia
e filmit ishte ndërtuar, në
bazë
të
parametrave të
lokacioneve të kampit, për ç’gjë, produksioni kishte marrë aprovimin dhe lejen
e xhirimit, paraprakisht.
Një
javë para fillimit të xhirimeve të filmit, Qeveria e Kosovës, kishte dërguar
një delegacion të sajë në zyrat e GIZ-it, takim ky që do të zgjaste përtej
orarit të punës. Qëllimi i vizitës së shpurës së Qeverisë së Kosovës ishte, që
përkundër marrëveshjes ekzistuese, t’i bindtte përfaqësuesit e GIZ-it, që me “vetëdëshirë”
t’i ndalonin xhirimet e filmit. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës, ju kishte
dërguar Letra (Proteste), Ambasadës së Gjermanisë dhe Ambasadës së Francës, përmes
së cilës i njoftonte qeveritë e shteteve përkatëse, që filmi:
““Unë
dhe Millosheviqi” nga Arben I. Kastrati, ishte: film antishqiptarë, kundër
shtetit të Kosovës, i financuar nga Rusia, konkretisht nga Presidenti i Rusisë,
Z. Vladimir Putin, ndërsa ndërmjetës na paskësh qenë, aktori i mirënjohur, Z. Gerard
Depardieu.”
Informacionin mbi epilogun e takimit dhe përmbajten e
letrave, m’a dëftuan
në telefon. Nuk besoja se ç’po dëgjoja. Ishte pasdite
dhe vendosa të
ndërmerja
një
mision të
pamundur, të
shpëtoja projektin. Në (atë)
pamundësi, kisha dy mundësi: të dështoja, ashtu siç kërkohej nga unë, ose të
vdisja duke provuar të kundërtën. Lajmërova Drejtorin më të mirë të Fotografisë
që ka sot kinematografia botërore, Z. Christian Berger, që së bashku me ekipin
e tij dhe pasijet (tani më të siguruara), të mos niseshin nga Viena për arsye
se: “…
Mora dhe habinë e tij të pabesueshme dhe u nisëm për
në Tiranë. Nuk kishim as lokacione, as skenografi, as ekip filmi, as aktorë, as
bileta avioni me destinim Tiranën. Kishim vetëm zotimin e Z. Depardieu (me
asistentët
e tij) se po vinte të
xhironte, siç ishim dakorduar.
Producentja e filmit Shqipja dhe unë, kishim gjashtë
ditë kohë dhe fare pak buxhet të sajonim ekipin dhe të ndërtonim të pamundurën, për të cilën duhen
ekipe të
tëra profesionistësh, vite kohë dhe shumë buxhet. Brenda gjashtë ditësh, duke
iu falenderuar miqëve tanë
në Tiranë dhe këmbëngulësisë sonë, sajuam të pamundurën
dhe i përfunduam xhirimet e planifikuara.
Kisha kohë që kisha humbur aftësinë për të gëlltitur
marrinë. Kisha kohë që kisha humbur aftësinë për të pranuar poshtrime
institucionale. Prandaj, atë
natë,
ju dërgova një letër personazheve kryesore të kësaj historie. Në përgjigjen
time, thuhet:
Pse duhet Qeveria e Kosovës, performanca
e së cilës është për t’u qarë me vajtojca, ta vlerësoj skenarin e filmit: “Unë
dhe Millosheviqi”?!!!!
Kush janë përfaqësuesit e specializuar në
Qeverinë e Kosovës që vlerësojnë skenarët e filmave dhe pse?!!!!
Ndalimi
i xhirimit të një filmi, dëfton që Qeveria e Kosovës përbëhet nga polic të mendimit
opozitar.
Në këtë sistem të quajtur Demokraci, që
është larg të qenit perfekt, por që e kemi zgjedhur vet, liria e të shprehurit,
është një nga garancitë themelore.
Skenari i filmit” “Unë dhe Millosheviqi”
nuk është kundër Kosovës, përkundrazi, është në të mirë të Kosovës. Prandaj, sikur ta
financonte Presidenti i Rusisë, Z. Vladimir Putin, siç pretendoni ju, do të
shkoja menjëherë në
Kremlin ta nënshkruaja kontratën, para gjithë mediumeve të botës. (P.S. – Nëse keni informacion që Z. Putin ende shpreh
interesim ta financojë filmin, jam i gatshëm të shkoj në Kremlin që sot dhe ta
nënshkruaj kontratën, gjithmonë, duke qenë transparent dhe në prani të mediumeve).
Akuza që më ka bërë Qeveria e Kosovës se
unë qenkam antishqiptar, është sikur të akuzosh Papën se është mysliman.
Z. Gerard Depardieu, të cilin padrejtësisht dhe qëllimisht e keni akuzuar
si të
deleguarin me mision nga Z. Putin, është aktor aq i vlerësuar botërisht, sa që s’kam
nevojë të bëjë biografin e tij. Ai duhej të vinte në Kosovë të xhironte, gjë që
do të përbënte lajm. Prandaj, mëse dyzetë mediumeve të vlerësuara ndërkombëtare,
kishin prenotuar ardhjen e tyre në Kosovë. Unë nuk u ktheva përgjigje
mediumeve, që ta mbaja arsyen e vërtet të zhvendosjes së xhirimeve, të fshehur.
Që ta ruaja Kosovën nga turpi.
Ish Ambasadori Françez në Kosovë, kur
kuptoi që krenaria Françeze, Z.
Depardieu do të vinte në Kosovë të xhironte, punën time e quajti, “nderë për
Kosovën”, sepse si rrallë
herë, një lajm i mirë nga Kosova, do të dërgohej në botë. Por, Kosova vendosi ta
dënonte dhe dëbonte, lajmin e mirë.
Z. Depardieu nuk erdhi në cilësinë e të
deleguarit të Z. Putin, por në cilësinë e aktorit, të xhironte skenarin që e
vlerësonte shumë. Ai erdhi, xhiroi, la gjurmët e madhështisë së tij dhe iku. Ai nuk i komentoi as
fyerjet shqiptare dhe as ofendimet serbe. Sepse qëndron lartë, shumë lartë mbi marritë primitive të të dyja palëve.
Përkundër faktit që një sërë politikanësh të
fuqishëm, të kamur, vendimmarrës, të frikshëm por të mjerë që merren me
pastrimin e njerëzve të kulturës dhe të dijes, dhe një numër i madh “artistësh”,
i bashkuan forcat kundër një projekti filmik. Filmi nuk dështoi. Dhe as që ka
për të dështuar. Dështuan të gjithë ata, që u mobilizuan ta ndalojnë filmin. Ata,
arritën të dëshmonin “artin” e tyre të madh që i karakterizon, vogëlsinë dhe mjerimin e
tyre.
“Quell
horreur”.
Kur ngjizen mjerimi dhe turpi, krijohet Qeveria e Kosovës, dhe “artistë” të shumtë. Shpresoj të mos shtohen. Sepse asgjë nuk vjen nga asgjëja. /KultPlus.com
Aktori i njohur francez, Gérard Depardieu, do të luajë në filmin “Milosheviçi dhe unë” të regjisorit Arben Kastrati, i cili ka zgjedhur qytetin e gurtë të Gjirokastrës për shesh xhirimi.
Lajmi u bë i ditur nga deputetja e Partisë Socialiste,
Mirela Kumbaro, e cila ka takuar aktorin e madh bashkë me kryetarin e bashkisë
së Gjirokastrës, Flamur Golemi.
“Në Gjirokastrën e historisë, të kulturës por edhe të
skenografisë gjithmonë e më të të kërkuar të kinemasë, mirëpritëm të famshmin
Gérard Depardieu, bashkë me kryetarin e bashkisë Flamur Golemi”, shprehet
Kumbaro.
Deputetja thekson se “gjëra të mira shumë po i ndodhin
Gjirokastrës që kulturën nuk e ka vetëm histori, por edhe frymë të ditës”.
Filmi i Kastratit është bashkëprodhim i regjisorit me
Francën dhe përbëhet nga një kast i shkëlqyer aktorësh, si: Gerard Depardieu,
Alessandra Martines, Pamela Boëen, Nathalie Boyer, Xhevdet Doda, Afrim
Kasapolli etj.
Ndërkohë në një intervistë të pak muajve më parë,
regjisori nga Kosova tregon se “përvoja profesionale dhe jetësore e
Depardieu-në, padyshim e bënë jashtëzakonisht të veçantë. Ai është shumë i
informuar me politikën globale. Natyrisht, ai kishte njohuri edhe për Kosovën.
Dhe për Milosheviçin”.
“Ngjarja e filmit ndodh në vitin 2003. Është periudha e pasluftës, kur e gjithë popullata kolektivisht ishim të dehur nga liria. Në atë periudhë kohore, qarkullonin rrëfime nga më të ndryshmet dhe Heroi i filmit tim, ka dëftimin e tij. Një dëftim sa tragjik aq edhe komik”, është shprehur regjisori Kastrati. /atsh / KultPlus.com
Është në vlugun e punëve për realizimin e filmit të metrazhit të gjatë “Unë dhe Millosheviqi”, me skenar dhe regji të Arben Kastratit. Në një intervistë të dhënë për KultPlus, Kastrati ka njoftuar se ngjarja e këtij filmi është vendosur në Kosovë, në vitin 2003. Ai poashtu ka njoftuar se tashmë ka marë konfirmimin e aktorëve të famshëm botërorë si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Nathalie Boyer që do të jenë pjesë e këtij filmi. Megjithatë, edhe përkundër gjithë kësaj kaste të famshme, Kastrati ka thënë se ende nuk ka marë nga institucionet një letër konfirmimi që do ti ndihmonte producentit për xhirimet e këtij filmi në lokacione të ndryshme të Kosovës.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Sapo keni bërë të ditur se jeni në prag të fillimit të xhirimeve të filmit “Unë dhe Millosheviqi”, ku jeni më saktë me përgatitjet? Arben Kastrati: Jam në parapërgatitje të filmit “Unë dhe Millosheviqi” që do të xhirohet në Kosovë, Francë dhe Holandë. Sapo jam kthyer nga Franca, ku isha për ta marrë konfirmimin nga Komuna e Parisit, që lejon, mbështet me logjistikë dhe infrastrukturë, xhirimet e filmit në Paris. Tani e pesë muaj, jam në pritje të një mbështetjeje të tillë nga institucionet tona…
KultPlus: Çfarë rrëfimi do të na shpalosë ky film? Arben Kastrati: Shpërbërja e Jugosllavisë rezultoi me luftëra, shpërbërja përfundoi me luftën në Kosovë. Pas përfundimit të luftërave, ne vazhdonim të urreheshim aq shumë, sa që i gëzoheshim fatkeqësisë së tjetrit.
Pas përfundimit të luftërave, të gjithë popujt, adhuronin heronjtë e tyre. Heronjtë e tyre, për ne ishin kriminel. Heronjtë që ne adhuronim, të tjerët i trajtonin si kriminel. Prandaj, “natyrshëm” lindi motoja: “Heroi i vendit tim, është Kriminel për vendit tjetër”. Dhe e kundërta. Këtë temë trajton filmi. Por, cilët ishin heronjtë e vërtet?!!!! Nëse kryepersonazhi i filmit nuk do
të ishte Hero, nuk do të ishte as Kriminel?!!!!
KultPlus: Pse bash ky titull? Arben Kastrati: Kryepersonazhi, një shqiptar nga Kosova, në rrethana të cilat nuk po i zbuloj tani, e takon Millosheviqin (ngjarja është e vërtet). Takimet mes tyre, shpjegohen në versione të ndryshme. Kryepersonazhi e dëfton takimin mes tyre si triumfator. Dhe është superioriteti i tij ndaj Millosheviqit, që e bënë atë që ta vendos veten para Millosheviqit: “Unë dhe Millosheviqi”. Të tjerët dëshmitarë, takimin mes tyre e dëftojnë, ndryshe! Cila është e vërteta e takimit mes tyre?!!!!
KultPlus: Ky film do të jetë ko-produksion me Francën dhe ka një kastë super të famshme, si arritët të mblidhni këtë kastë? Arben Kastrati: Filmi është bashkëprodhim me Francën. Tani për tani, është bashkëprodhim jo i Kosovës por, bashkëprodhim i imi me Francën. Filmi përbëhet nga një kast i shkëlqyer aktorësh, si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Nathalie Boyer, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj…
Për këtë kastë aktorësh, më kanë zili dhe vet francezët. Por, fatkeqësisht,
Kosova sikur nuk është e interesuar për ta ndihmuar realizimin e këtij
filmi. Pse?!!! Unë kam përgjigje, dhe është politike. Përfshi dhe mëri
personale…Kastën e mblodhi skenari. Dhe personazhet e shkruara bukur, thonë aktorët.
Aktorë të përmasave të tilla, nuk joshen me skenarë mediokër. Ata pranojnë të
luajnë vetëm aty ku shikojnë potencial. Fundja, unë as financiarisht nuk arrijë
t’i joshë.
KultPlus: Depardieu është një ndër aktorët që do të luaj në këtë film. Si e binde? Arben Kastrati: Depardieu, adhurohet nga francezët. Është idhulli i tyre. Është krenaria e tyre. Ai personifikon madhështinë franceze. Me ftesë të tij, Depardieu-në e takova në shtëpinë e tij në Paris, që ishte
një galeri arti, në të cilën vepra të artistëve më të mëdhenj botërorë, ishin
të ekspozuara. Ishte si të hyje në një “botë tjetër”. Në një botë ku as në
ëndërr, njeriu nuk mund ti mbledh gjithë ato vepra arti. Ishte mrekullia vet të
qëndroje pranë atyre punimeve. Ndjesia që të dhuronte ambienti, ishte një
perfeksion…
Depardieu është një person shumë i këndshëm, nikoqir parekselancë, super intelegjentë, dëftues i përkryer. E kam shijuar çdo moment në takimet me Depardieu. Në takimin e parë, diskutuam për skenarin, për rolin e tij. Dhe u deshtë fare pak kohë të përfundonim marrëveshjen, sepse u mirëkuptuam.
KultPlus: Kishte pas njohuri me herët për Kosovën, por edhe për Millosheviqin? Arben Kastrati: Përvoja profesionale dhe jetësore, Depardieu-në, padyshim e bënë jashtëzakonisht të veçantë. Ai është shumë i informuar me politikën globale. Natyrisht, ai kishte njohuri edhe për Kosovën. Dhe për Millosheviqin. Pas, trajtimit që i bëmë, vazhdimin e bisedës e fokusuam duke trajtuar politikanët, dhe arsyet që i shtyjnë shumë nga ata të bëhet të tillë siç bëhen…Ai kishte takuar shumë kryetarë shtetesh. Dhe shumë diktatorë…
KultPlus: Ndërkohë ju keni pjesë të kastës edhe aktorë të tjerë të njohur. Për kënd bëhet fjalë? Arben Kastrati: Pjesë e kastës së aktorëve, është edhe aktorja italo-franceze Alessandra Martines. Për zonjën Martines, skenaristë dhe regjisorë kanë shkruar skenare enkas. Ajo personifikon bukurinë, elegancën dhe dijen. Jam shumë krenar që ajo është pjesë e kastit të filmit. Aktorja amerikane Pamela Bowen, është përzierje e bukurisë dhe talentit,
gjithashtu. Aktorja franceze Nathalie Boyer është fantastike dhe më ka ndihmuar
shumë në përgatitje të filmit…
KultPlus: Ju jeni edhe skenarist i këtij filmi. Çfarë periudhe të Kosovës keni vendosur në këtë film? Arben Kastrati: Ngjarja e filmit ndodhë në vitin 2003. Është paslufta, kur e gjithë popullata kolektivisht ishim të dehur nga liria. Në atë periudhë kohore, qarkullonin dëftime nga më të ndryshmet. Dhe Heroi i filmit tim, ka dëftimin e tij. Një dëftim sa tragjik aq edhe komik…
KultPlus: Për këtë film ju nuk keni pas mbështetje shtetërore. A mendon se do të pendohen që nuk e mbështeten këtë projekt? Arben Kastrati: Gjithë ç’kam kërkuar në mënyrë zyrtare nga institucionet e Kosovës, është jo t’më ndihmojnë, por t‘mos më pengojnë. U kam kërkuar një letër të shkruar, në të cilën do ta mbështesin filmin me logjistikë. Që do të thotë, nëse duhet të bllokohet një rrugicë për disa orë xhirime për nevoja të filmit, të më mundësohet një gjë e tillë. Që producenti francez të ndjej siguri në investimin e tij. Por, fatkeqësisht, asnjë përgjigje nuk kam marrë ende…Liderët tanë institucional nuk janë penduar për gjëra shumë më të mëdha.
Prandaj, ata nuk kanë për t’u penduar edhe nëse nuk do ta ndihmojnë apo
mbështesin filmin. Filmi për ata është diç e parëndësishme.
Ambasadori francez, në një rast më tha se unë po i bëja një nder të madh
vendit tim, duke sjellë aktorë të nivelit botëror. Punët e tyre në Kosovë do të
përcillen nga mediumet më të mëdha botërore, tha, dhe qasja ndaj Kosovës do të
ndryshoj në të mirë…
KultPlus: Sa besoni që ky projekt do të jetë një ndër projektet më të suksesshme të kinematografisë kosovare? Arben Kastrati: Besoj që kasti i aktorëve flet për suksesin që do të ketë filmi.
KultPlus: Filmi do të xhirohet në Kosovë, Francë dhe Holandë. Kur me saktë do të nisni me xhirime? Arben Kastrati: Xhirimet e filmit ishin paracaktuar për në muajin prill dhe maj. Por, për shkak të angazhimeve paraprake të aktorëve të sipërpërmendur, xhirimet e filmit janë shtyrë për në muajin shtator.
KultPlus: Është herët të flitet, megjithatë kur e parashihni premierën e filmit? Arben Kastrati: Shpresoj që filmi të jetë gati në dhjetor. Janë producentët ata që do të vendosin se kur dhe ku do ta shfaqim filmin.
KultPlus: Cilin treg jeni duke e synuar, festivalet apo kinematë? Arben Kastrati: Absolutisht që festivalet janë synimi ynë. Pastaj, ne kemi marrëveshje shitjeje dhe distribuimi me disa kompani. Ato do të merren me plasimin e filmit në treg.
KultPlus: Dhe për fund, a ka ndonjë befasi tjetër rreth këtij filmi që ende nuk e keni treguar? Arben Kastrati: Ka dhe shumë befasi të tjera. Por, do ti mbaj për vete edhe për pak kohë. /KultPlus.com
“Ndonjëherë, besoj se ne rrojmë vetëm që të arrijmë të dëshmojmë ndodhitë”, është një prej thënieve që ju shoqëron sapo të hapni faqet e para të romanit “I dashuri unë” të autorit Arben I. Kastrati, shkruan KultPlus.
I nominuar për “Çmimin Kadare”, romani i autorit Kastrati i cili është prezantuar edhe në Panairin e Librit në Tiranë, sonte vazhdoi rrugëtimin e tij në Prishtinë para një publiku të ngrohtë në një ambient poashtu të ngrohtë siç është Galeria “Monet”.
Ky roman shtrihet në periudhën e luftës në Kosovë, ku personazhi kryesor, i cili është edhe aktor, i ndjekur nga paramilitarët serb, hyn në kinemanë e qytetit të fshihet. Në arkivin e kinemasë, që kishte vite që nuk funksiononte, ai gjen shumë filma. Mbrëmjeve, kur NATO-ja bombardonte caqet militare serbe, ai ulej dhe shikonte filma. Duke shikuar filmat e arkivit të kinemasë, ai kujton të shkuarën, dhe kthen ngjarjet në retrospektivë.
Ndërsa sonte, në këtë promovim në kryeqytet, në mesin e të pranishmëve të cilët ishin në numër, autori mori fjalën për të rrëfyer pak nga libri por duke mos zbuluar shumë, sepse atë dëshironte të ja lente lexuesit.
“Në kohën kur personazhi e kthen kohën në retrospektive, fillon e tregon se çfarë kemi kaluar ne si popull gjatë tre brezave, prej brezit të gjyshërve tanë, prindërve tanë dhe brezi i ri. Gjatë atyre përshkrimeve ka ngjarje të larmishme dhe këtu realisht pasi kryhet lufta ai vazhdon të ngelet në kinema sepse mbetet i painformuar dhe ende nuk e di që është kryer lufta, dhe fundin po e ruaj për lexuesin”, është shprehur autori i cili tutje tregon se kjo është një ngjarje e bukur në mes të autobiografisë dhe fantazisë, ku nuk dihet se ku përfundon realiteti dhe ku e merr rrugën tutje imagjinata.
Ky roman i është kushtuar një personi të veçantë dhe shumë të dashur për Arbenin. Bëhet fjalë për nënën e tij e cila sonte ishte e pranishme, e lumtur dhe krenare për të birin. Madje romani edhe fillon me këtë dedikim: “Sime më, Zonjës Alide Vinca Kastrati”.
“Romanin ja kam kushtuar nënës sime. Edhe pse nëna ime tash është e pensionuar, ajo ka qenë 46 vjet mësuese dhe unë kam qenë nxënësi i saj më i vështirë”, është shprehur autori.
Në këtë promovim libri, i pranishëm ishte edhe shkrimtari Agim Vinca, njëherit daja i Arbenit. Vinca shprehi dëshirën të marrë fjalën dhe gjithçka e nisi me pak humor, duke thënë se Arbeni talentin e ka trashëguar nga dajët.
“Arbeni ka dell, ka imagjinatë, dhe i kombinon mirë dokumentaritetin dhe fiksionin, imagjinatën dhe proza kështu shkruhet, nuk shkruhet më si dikur, rrëfim në mënyrën dëftore, në një vend që nuk është askund dhe me personazhe që nuk kanë emra”, u shpreh Vinca për nipin Arbenin.
Autori, për të pranishmit zbërtheu edhe titullin e romanit “I dashuri unë”, për të cilin tha se personazhi i shkruan letër vetës.
Romani ka gjithsej XVI kapituj dhe ka diku rreth 361 faqe.
Krejt në fund të romanit, ju mund të hasni edhe thëniet si:
“I dashuri unë, Arben I. Kastrati
Pavarësisht dhimbjeve, ishte një jetë e bukur shumë. Të tillë e kishte bërë krijimi…
“I dashuri unë: Ti je i veçantë. Ngrije kokën lart, ec me krenari dhe kalo mbi çdo vështirësi…”
Me botues “Artini”, romani është adaptuar skenar filmi dhe xhirimet e filmit fillojnë në shtator të vitit 2019./KultPlus.com
“I dashuri unë” është romani i aktorit, regjisorit Arben I. Kastratit që është prezantuar në Panairin e Librit në Tiranë, roman i cili është nominuar edhe për çmimin Kadare, shkruan KultPlus.
Me botues “Artini”, ky roman shtrihet në periudhën e luftës në Kosovë, ku personazhi kryesor, i cili është edhe aktor, i ndjekur nga paramilitarët serb, hyn në kinemanë e qytetit të fshihet. Në arkivin e kinemasë, që kishte vite që nuk funksiononte, ai gjen shumë filma.
Mbrëmjeve, kur NATO-ja bombardonte caqet militare serbe, ai ulej dhe shikonte filma. Duke shikuar filmat, kujton ngjarjet kryesore politike, duke u kthyer në retrospektivë…
Romani është adaptuar skenar filmi dhe xhirimet e filmit fillojnë në shtator të vitit 2019./KultPlus.com
Marrëdhënia e Kryetarit të Prishtinës me qytetarët është marrëdhënie jo-estetike. Kohë më parë, Kryetari i Prishtinës, me nonshalancë dhe prepotencë të pakuptimtë, refuzoi të takonte investitorë potencial të ardhur enkas nga jashtë, të investojnë në infrastrukturën artistike dhe kulturore të qytetit.
Ndërkohe që gjatë orarit të punës, ai gjen kohë për t’u deklaruar për problemet partiake, për t’ju përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale, dhe për tu krekosur në intervistat e shumta. Sikur gjysma e energjisë së tij e shpenzuar në selinë partiake, rrjetet sociale dhe intervista të investohej në punë, do të arrinte të rregullonte ndonjë gjë të vockël të dukshme. Se të padukshmet përmirësime i shikon vetëm ai (dhe stafi i tij i afërt). Mua, Prishtina më duket si një qytet i mbarsur me tmerr.
Demagogu i përkryer Shpend, nuk sillet si kryetar komune por si Rock Star. Dhe këtij Rock Star-i, këtij kryetari të varur nga vëmendja, më duhet t’ia kujtoj disa fakte, që të zbres nga lartësitë e botës së tij imagjinare.
Shpend, në Prishtinën tënde imagjinare, të janë bërë njësh dëshira dhe imagjinata. Prishtina për të cilën flet ti, kur i referohesh të arriturave, është qytet imagjinar. Tmerrësisht bukur i përshkruar. Madje më ngjason me shtetin e presidentit aktual, ku çdo gjë është perfekte në këtë vend. Ju (ti dhe ai, Kryetari i Kosovës) silleni dhe veproni me një komoditet të tepruar. Në habitatet tuaja përkatëse, keni gjetur “gjërat” e munguara. Por, qytetarët s’kanë pse ua ushqejnë egot. Sepse qytetarët kanë preokupime madhore ekzistenciale, për të cilat ju (ti dhe ai, kryetari) s’keni dijeni.
Mjaft u krekose me refrenin tënd të tejpërsëritur për kungja dhe kifle. Është banalitet të gjesh strehë në një klishe. Deklaratat tua janë mizantropi vetëvlerësuese. Në Prishtinën tënde të arrirë, nuk arrin të ç’nervozohesh. Për pasojë, izolimi të bëhet përditshmëri.
Mjaft u solle si një superkryetar i një superkryeqyteti. Mjaft u solle si totem, qytetarët e së cilit duhet të të falen për “gjithë të mirat” që ua paske sjellë. Qytetarët nuk janë të detyruar të të adhurojnë. As të të trajtojnë si tabu. Përkundrazi, duhet të ti kujtojnë problemet e pafundme. Qytetarët e kryeqytetit e meritojnë një jetë më të dinjitetshme. Nuk përmirësohet cilësia e jetës duke i larguar investitorët dhe as nga deklarata tua optimiste. Unë habitem me cilësimet që ti i bën punës tënde, arritjeve tua, veprës tënde madhore. Ti ma ofendon inteligjencën, sepse më trajton si të paditur. Si miop. Që s’arrij të shikoj atë që shikon ti. Mjaft me këto mediokritete të rafinuara. Mjaft më me “brain pollution”. Ka kohë që ne kemi humbur aftësinë për t’i gëlltitur gënjeshtrat. Edhe “macchiato society” e qytetit është vetëdijesuar. Dëshmi janë rezultatet e fundit…
Mjaft u solle si Rock Star. Dil nga membrana jote dhe “ekzaminoje” qytetin. Shikoje se ç’gjendje është, në realitet. Ti, (me punën tënde) je kontribuues madhor i kaosit dhe anarkisë. Ti (me të arriturat tua) je kontribuuesi kryesor i dhimbjes konstante që na shkakton përditshmëria. Ti (me projektet tua madhore) je kontribuuesi më i madh i depresionit kolektiv. Ti (me eksperiencën tënde) je kontribuuesi kryesor i gjendjes se mjerë artistike dhe kulturore.
Por, ti për çdo mossukses ke arsyetim. Çdo “sukses” ia atribuon vetes. Paralelisht, je shndërruar në krekosës profesionist dhe vajtues profesionist. Duhet të jesh shumë naiv për të qenë i lumtur. Qeverisja jote, nëse mund të quhet qeverisje, quhet: zhgënjim dhe dëshpërim.
Ka kohë që je shndërruar në politikan profesionist, vetëm flet dhe asgjë s’punon. Ka kohë që e konsideron veten gjigant. Ti je një gjigant, por një gabim gjigant.
Besoj që e ke arritur moshën kur duhet të hysh në fazën e shqyrtimit të ndërgjegjes. Merr shembull kryeqytetet e rajonit dhe bëj krahasime. Zgjohu. Dil nga bota jote imagjinare në realitet. Dhe fillo nga pastrimi. Por, fillimisht nga pastrimi i mendjes tënde.
****
P.S.
Sa për të ta kujtuar. Ti nuk fitove se kishe program dhe do t’i sillje të mira Prishtinës. Ti fitove sepse qytetarët deshën ta ndëshkonin tjetrin, që pretendonte se do të vazhdonte të qeveriste me duar në xhepa. Sepse në zgjedhjet parlamentare, ti dhe partia yte FER, fituat pak mbi 1 %. Ti qëllove të ishte kundërkandidat në një moment të caktuar. Rrethanat të sollën në krye të Prishtinës. Që pastaj të na dënoje me të “arriturat” tua.
Arroganca di të të ndëshkoj. E provove. Fitorja jote e dytë është fitore e hidhur. Dhe nuk e pate atë buzëqeshje të gdhendur në fytyrë. Trete disa kilogram në pritje të rezultateve. (Dhe shumë të tjera ke për të tretur deri në fund, me këtë përbërje dhe këtë mentalitet…)