Shpend Ahmetit, demagogut parekselancë

Marrëdhënia e Kryetarit të Prishtinës me qytetarët është marrëdhënie jo-estetike. Kohë më parë, Kryetari i Prishtinës, me nonshalancë dhe prepotencë të pakuptimtë, refuzoi të takonte investitorë potencial të ardhur enkas nga jashtë, të investojnë në infrastrukturën artistike dhe kulturore të qytetit.

Ndërkohe që gjatë orarit të punës, ai gjen kohë për t’u deklaruar për problemet partiake, për t’ju përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale, dhe për tu krekosur në intervistat e shumta. Sikur gjysma e energjisë së tij e shpenzuar në selinë partiake, rrjetet sociale dhe intervista të investohej në punë, do të arrinte të rregullonte ndonjë gjë të vockël të dukshme. Se të padukshmet përmirësime i shikon vetëm ai (dhe stafi i tij i afërt). Mua, Prishtina më duket si një qytet i mbarsur me tmerr.

Demagogu i përkryer Shpend, nuk sillet si kryetar komune por si Rock Star. Dhe këtij Rock Star-i, këtij kryetari të varur nga vëmendja, më duhet t’ia kujtoj disa fakte, që të zbres nga lartësitë e botës së tij imagjinare.

Shpend, në Prishtinën tënde imagjinare, të janë bërë njësh dëshira dhe imagjinata. Prishtina për të cilën flet ti, kur i referohesh të arriturave, është qytet imagjinar. Tmerrësisht bukur i përshkruar. Madje më ngjason me shtetin e presidentit aktual, ku çdo gjë është perfekte në këtë vend. Ju (ti dhe ai, Kryetari i Kosovës) silleni dhe veproni me një komoditet të tepruar. Në habitatet tuaja përkatëse, keni gjetur “gjërat” e munguara. Por, qytetarët s’kanë pse ua ushqejnë egot. Sepse qytetarët kanë preokupime madhore ekzistenciale, për të cilat ju (ti dhe ai, kryetari) s’keni dijeni.

Mjaft u krekose me refrenin tënd të tejpërsëritur për kungja dhe kifle. Është banalitet të gjesh strehë në një klishe. Deklaratat tua janë mizantropi vetëvlerësuese. Në Prishtinën tënde të arrirë, nuk arrin të ç’nervozohesh. Për pasojë, izolimi të bëhet përditshmëri.

Mjaft u solle si një superkryetar i një superkryeqyteti. Mjaft u solle si totem, qytetarët e së cilit duhet të të falen për “gjithë të mirat” që ua paske sjellë. Qytetarët nuk janë të detyruar të të adhurojnë. As të të trajtojnë si tabu. Përkundrazi, duhet të ti kujtojnë problemet e pafundme. Qytetarët e kryeqytetit e meritojnë një jetë më të dinjitetshme. Nuk përmirësohet cilësia e jetës duke i larguar investitorët dhe as nga deklarata tua optimiste. Unë habitem me cilësimet që ti i bën punës tënde, arritjeve tua, veprës tënde madhore. Ti ma ofendon inteligjencën, sepse më trajton si të paditur. Si miop. Që s’arrij të shikoj atë që shikon ti. Mjaft me këto mediokritete të rafinuara. Mjaft më me “brain pollution”. Ka kohë që ne kemi humbur aftësinë për t’i gëlltitur gënjeshtrat. Edhe “macchiato society” e qytetit është vetëdijesuar. Dëshmi janë rezultatet e fundit…

Mjaft u solle si Rock Star. Dil nga membrana jote dhe “ekzaminoje” qytetin. Shikoje se ç’gjendje është, në realitet. Ti, (me punën tënde) je kontribuues madhor i kaosit dhe anarkisë. Ti (me të arriturat tua) je kontribuuesi kryesor i dhimbjes konstante që na shkakton përditshmëria. Ti (me projektet tua madhore) je kontribuuesi më i madh i depresionit kolektiv. Ti (me eksperiencën tënde) je kontribuuesi kryesor i gjendjes se mjerë artistike dhe kulturore.

Por, ti për çdo mossukses ke arsyetim. Çdo “sukses” ia atribuon vetes. Paralelisht, je shndërruar në krekosës profesionist dhe vajtues profesionist. Duhet të jesh shumë naiv për të qenë i lumtur. Qeverisja jote, nëse mund të quhet qeverisje, quhet: zhgënjim dhe dëshpërim.

Ka kohë që je shndërruar në politikan profesionist, vetëm flet dhe asgjë s’punon. Ka kohë që e konsideron veten gjigant. Ti je një gjigant, por një gabim gjigant.

Besoj që e ke arritur moshën kur duhet të hysh në fazën e shqyrtimit të ndërgjegjes. Merr shembull kryeqytetet e rajonit dhe bëj krahasime. Zgjohu. Dil nga bota jote imagjinare në realitet. Dhe fillo nga pastrimi. Por, fillimisht nga pastrimi i mendjes tënde.

****

P.S.

Sa për të ta kujtuar. Ti nuk fitove se kishe program dhe do t’i sillje të mira Prishtinës. Ti fitove sepse qytetarët deshën ta ndëshkonin tjetrin, që pretendonte se do të vazhdonte të qeveriste me duar në xhepa. Sepse në zgjedhjet parlamentare, ti dhe partia yte FER, fituat pak mbi 1 %. Ti qëllove të ishte kundërkandidat në një moment të caktuar. Rrethanat të sollën në krye të Prishtinës. Që pastaj të na dënoje me të “arriturat” tua.

Arroganca di të të ndëshkoj. E provove. Fitorja jote e dytë është fitore e hidhur. Dhe nuk e pate atë buzëqeshje të gdhendur në fytyrë. Trete disa kilogram në pritje të rezultateve. (Dhe shumë të tjera ke për të tretur deri në fund, me këtë përbërje dhe këtë mentalitet…)

Pa asnjë respekt për ty
Arben I Kastrati

50 vjet

Kosova ishte një dashuri imja që s’më solli asgjë përpos shqetësimeve. U desh shumë dashuri për ta urryer kaq shumë. Dhe janë vetë shqiptarët shkaktarët e kësaj gjendjeje të trazuar shpirtërore.
Besova se tetëmbëdhjetë vitet e fundit të pasluftës në Kosovë qe e pamundur të përmblidheshin në një shkrim të vetëm, por kur e mendova që shumë e thjeshtë, madje përmblidheshin në një fjalë të vetme – TURP.
****
Unë rroj në vendin që ka mungesë të qartësisë. Unë rroj në vendin me aftësi të kufizuara. Njeriu i vendit e kohës sime, lëngon më shumë nga realiteti se sa dhimbjet e shkaktuara nga sëmundjet. Ndonjëherë, nevojitet ajo që të vetmen kemi – kohën, që t’na i shëroj plagët e shkaktuara nga koha.
Kosova, me statusin e saj gjysmak, as-as (as Europë, as Arabi), ka hyrë në shekullin e dytë të robërisë. Pasi pavarësia ishte – Hyrje në injorancë. Këtë shekull e karakterizon pushtimi nga vetvetja. Dhe në këtë shekull, më shumë se për çdo gjë, Kosova ka nevojë për cmitizues. Dhe instalim të ndëshkueshmërisë.
Ka kohë që alfabeti i gjuhës shqipe është reduktuar në tridhjetë shkronja. Ka kohë që fjalori i gjuhës shqipe është reduktuar në dyqind fjalë. Ka kohë që ne jemi shndërruar i tëri në popull intelektual. Ka kohë që jemi shndërruar në popull ekspertësh, pa klase punëtore. Ka kohë që gjenitë janë ndaluar me ligj. Duhet ti kundërvihemi varfërisë së kulturës sonë. Nuk mund të lejojmë kthimin e edukimit në privilegj.
****
Ndërkohë që gjysma e shqiptarëve po vdesin nga infarktet, në pritje të rezultateve finale të ndeshjeve futbollistike nëpër bastore, në Kosovë vetëm këndohet në duete dhe bëhen spote, ma ndryshe. Dhe koalicione, të panatyrshme. Dhe “krijohet Art”?!!!
Me fjalën Art, sot, abuzohet më shumë se me pushtetin. Fjala art dhe artist, sot, shërben për t’u etiketuar njeriu me ves. Unë nuk kam fjalë t’a përshkruaj artin. Por s’kam fjalë as t’a përshkruaj artin – sot. Dhe si i pafjalë, në të dyja rastet, më mbetet të hesht dhe të shikoj se ç’po ngjet. Paqartësitë i kam me veten. Kam besuar se i takoj një komuniteti të privilegjuar, siç është vetë arti, por paskam qene i gabuar.
Artistët e keqtrajtuan artin më shume se politikanët. Le të më falin pak, fare pak artistë të dinjitetshëm dhe meritor për punën që bëjnë, por pjesa tjetër shumicë, janë keqbërësit më të mëdhenj të krijimit. Ata abuzuan me artin. E shëmtuan. E sollën në nivele komprometuese. Në të tilla nivele, që të kesh turp të identifikohesh me ata, si ushtrues të të njëjtit profesion. Krijimi i tyre i vetëm ishte dhe mbetet – Persiflazha.
Fatkeqësisht, shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur nevojë për marri. Është e vetmja gjë që e kanë pasur me tepri.
****
Philip Roth thoshte: “Diktatura nuk krijon kryevepra, ajo nxit sulme në zemër, pezmatim të lëkurës, astme, krijon alkoolistë, depresion, dështim si dhe sëmundje mendore”. Aristoteli thoshte se meritore për krijimin e kryeveprave është talenti që nuk mund të shtypet.
Në këtë vend, ku Aristoteli me siguri është emër fellnesh, Artit dhe Kulturës i bëhet trajtim grotesk. Ose thënë më mire, Arti nuk ekziston më si profesion. Është shndërruar në amatorizëm. Është shndërruar në dhimbje. Ekziston vetëm kultura materialiste.
****
Artistët sa vete e pakësohen. (Edhe pse sa vete e më shumë “shkollohen” dhe shtohen). Por, fatkeqësisht, dallimi qëndron në ambicie. Të paktë janë ata që duan të krijojnë. Shumica dërmuese dëshirojnë të krijojnë famë.
Prandaj, natyrshëm më lind pyetja: a duhet të vazhdoj të krijoj? Për kë të krijoj? A ia vlen të krijosh në standardet e vëna?
Vendi ku rroj, atdhe që nuk ka vend për artistë (edhe pse fare të paktë në numër), si politikisht ashtu edhe artistikisht më ngjanë me dëftimin në vazhdim. Një aktor po interpretonte Hamletin e Shekspirit në një skenë teatri. Interpretimi i aktorit ishte shume i dobët. Publiku po e vërshëllente në vazhdimësi. Kur i erdhi radha monologut të famshëm të Hamletit: “Të rrosh apo të mos rrosh, kjo është pyetja”, publiku filloi ta hudhte me gjësende në skenë. Aktorit që iu lëndua sedra, ndaloi. U kthye nga publiku dhe ju tha: ç’faj kam unë që autori s’di të shkruaj…
Më mbetet ti jetoj vitet e mbetura duke vegjetuar (dinjitetshëm), me dëshirën e madhe që t’mos ju takoj, përjetësisht.
Urime ditëlindjen e 50-të, Arben I. Kastrati./KultPlus.com