Filmi artistik “I treturi” nga Arben Thaçi do të luhet në TIFF në Tiranë

Filmi artistik “I treturi” me skenar dhe regji të Arben Thaçit, do të tregohet në programin zyrtar të TIFF – Tiranë në kategorinë e filmave shqiptarë ku do të garojë edhe me 11 filma tjerë shqiptarë. Festivali filmik ndërkombëtar në Tiranë këtë vit do të mbahet nga data 24 deri më 30 shtator.

TIFF-Tiranë është festivali i parë shqiptar që e fitoi shenjën e kualifikimit OSCAR në kategorinë e filmave të shkurtër. Gjithashtu në kategorinë e konkurencës në kategorinë e filmave të shkurtër ëshrë filmi i shkurtër i Marija Apçevska “Poli verior” i cili këtë vit ishte në Festivalin e Kanës, ndërsa në programin kryesor ndërmjet shtatë filmave do të luajnë edhe dy filma artistik nga Kosova “Zgjoi” nga Blerta Basholli dhe “Në kërkim të Venerës” nga Norik Sefa.

Filmi “I treturi” e kishte premierën në kinemanë Sinepleks në Shkup në qershor të këtij viti, më 26 gusht ishte luajtur në kategorinë “projeksioni special” në Prifilm Fest në Prishtinë, ndërsa më 28 gusht e bëri hapjen solemne të festivalit TIFF ODA në Tetovë./KultPlus.com