Shkruan: Arbër Sadiki, arkitekt, 09 06 2021, Prishtinë
Ishte viti 1996. Isha student në vitin e parë në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit në Tiranë, dega Arkitekturë. Profesori i Historisë së Artit na dha për detyrë kursi që të mblidhim materiale, ta analizojmë dhe pastaj të shkruajmë një punim seminarik për një artist apo arkitekt simbas përzgjedhjes sonë të lirë. Të gjithë filluan të mblidhnin libra, të cilat në atë kohë, ishin të pakta. Disa huazonin nga bibliotekat e familjarëve të tyre, kush-kush shkëmbente ndonjë me njëri-tjetrin. Unë s’kisha kujt t’i drejtohesha. Si i sapo shkuar në Tiranë, atë kohë njihja vetëm kujdestarin e konviktit, nga i cili mund të huazoje me vështirësi ndonjë sustë apo dyshek, por asesi libër. Kështu, vendosa të shkoj në Bibliotekën Kombëtare për të parë nëse mund të gjeja gjë. Në mesin e jo shumë vitrinave të drunjta ishte edhe një që shkruante “Artet”. Fillova ti shikoja me radhë të gjithë kartonat jo lehtë të lexueshëm nga dëmtimet që kishin pësuar nga kushedi sa duar që ishin prekur. Në mesin e tyre më ra në sy një libër biografik për Kolë Idromenon, piktor, arkitekt – siç shkruante në kartonin e librit, e që të jem shumë i sinqert, nuk kisha dëgjuar asgjë për të më parë. Nisur nga kurreshtja për të njohur një arkitekt shqiptar, e mora pa e shikuar se çfarë formati apo numër faqesh kishte dhe u drejtova drejt tek bibliotekistja e cila të siguronte librin në bazë të kartonit. Pas pak minutash, gjersa me padurim po prisja një libër voluminoz të një formati të madh, kolor me plotë imazhe dhe fotografi, siç isha mësuar t’i shihja rëndom librat e artistëve të mëdhenj, nga bibliotekistja mu ofrua një libërth i një formati xhepi numri i faqeve të të cilit nuk mbërrinte në treshifror. Pak i dëshpruar, edhe për faktin se nuk e dinja se si do ti mbushja faqet minimale që kërkonte profesori, e mora dhe u ktheva në konvikt. Edhe pse fillimisht duhej prezentur librin profesorit që të jepte fizën që të mund të vazhdoje me hulumtimin, megjithate libërin e lexova që atë natë. Fundja nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe, punë dy-tre orësh lexim.
Të nesërmen filluan ti prezentonin secili prej studentëve se çka kishte përzgjedhur. Dikush kishte marrur Mikelanxhelon, dikush Albertin e Da Vinçin, shumica me materiale serioze në italishte, me libra pikërisht siç e paramendoja edhe atë të Kolë Idromenos para se ta merrja. Profesori po i përgëzonte për përzgjedhjet që kishin bërë. Dikur nga fundi i orës, mora guximin edhe unë të prezentoj përzgjedhjen time. U ofrova tek profesori gjer sa ai po shikonte mbi një libër gjigant të Mikelanxhoelos të cilin i a mbajti studentit paraprak për ta parë më gjatë dhe i thash se kam zgjedhur Kolë Idromenon. Në çast ndërpreu shikimin mbi librin që po shihte dhe rrufeshëm kthehu kokën në drejtim timin. “Pse m’o s’gjete dot ndonjë artist a arkitekt italian ti, po merresh me kshu gjonash… (veç sa s’tha: koti)”! Edhe pse nuk e kuptova nëse m’a aprovoj apo jo autorin që po hulumtoja, unë vazhdova me Kolë Idromenon. Natyrisht që librat e Mikelanxhelos, Da Vinçit e Albertit, me të cilat megjepsej profesori, i kisha gjetur në raftet e bibliotekës familjare që kur kisha lindur, por ja që tani më tërhiqte Kola, ndoshta edhe për faktin se planprogramet jugosllave që zbatoheshin në Kosovë asokohe, nuk përfshinin artistët shqiptar.
Ta lëmë për një çast ndodhinë time personale me profesorin, edhepse nuk është e parëndësishme për temën që po trajtoj. T’i kthehemi njohjes time me Kolën. Sado i vogël që ishte ky libër, tek unë bëri një kthesë të madhe. Për herë të parë po ballafaqohesha me një personalitet të nivelit intelektual fare të pazakont për kohën dhe vendin ku jetoi i cili përpos pikturës, skulpturës, fotografisë e regjisurës, jo pak kishte kontribuar edhe në arkitekturë. Në fakt, nuk mu desht të lexonja më shumë se faqet e para për ta kuptuar se për rrethanat shqiptare të kohës, unë para vetes kishta pikërisht një Mikelanxhelo, Da Vinç, Albert shqiptar.
Mes veprash që përmendeshin, ishte edhe Kafja e Madhe në Shkodër e përcjellur edhe me një fotografi bardh e zi të një kualiteti shumë të dobët por që mjaftonte të dalloheshin element të spikatur të neoklasicizmit austro-hungarez, vlera këto që nuk i takonja shpesh në Tiranën që kisha gjetur. Imazhi im i zbehtë mbi qytetet e Shqipërisë ishte ai që më ishte krijuar mbi ato pak libra ideologjik që kishin depërtuar në Kosovë në fund të shtatëdhjetave dhe fillimin e tetëdhjetave. Ky imazh ishte ai i një Shqipërie të uzinave, tymtarëve, brezareve dhe ca blloqeve monotone me fasada të papërfunduara pa kurrfar intence arkitektonike. Këtë imazh, në masë të madhe ma vërtetoi edhe Tirana që kisha gjetur. Shtresëzime arkitektonike të tipologjisë që përfaqësonte Kafja e Madhe, për mua ishin një befasi e këndëshme. Kjo më bëri që kërrshëria për këtë ndërtesë të rritej. Shpejt kuptova se ajo përpos vlerave arkitekturore, me dekada të tëra kishte përfaqësuar vendin kryesor në kryeqytetit kulturor shqiptar, brenda dhe rreth mureve të cilës ishin zhvilluar debatet e intelektualëve më të mëdhenj të kohës nën tingujt e lehtë të muzikës klasike. Këtu kishin lindur barcoletat më të këndëshme mbarshqiptare, maloditë e pavdekshme të këngës shkodrane. Si e tillë, ajo nuk përfaqësonte vetëm një ngrehinë me vlera estetike fizike për edhe më shumë një institucion kulturor dhe shpirtëror me të cilin qytetarët ishin të ludhur emocionalisht. Ajo nuk ishte më vetëm ndërtesë por edhe vend. Qarqe të tëra intelektualësh, artistësh, lënin takim tek vendi, pa i nxënë emrin, e vendi ishte Kafja e Madhe. Fuqia e një ndërtese që të krijojë vend është arritja më e madhe në arkitekturë.
Sado e dërmuar, fillimisht përgjatë dekadave të komunizmit duke u lënë pasdore sepse nuk paraqiste “vlera të arrira të pushtetit të proletariatit por një trashëgimi borgjezie”, e më pastaj duke e shëndërruar në kazino ku gumzhinte muzika tallava përgjatë dalldisë kolektive të viteve të para të rënijes së komunizmit, si për çudi ajo erdhi deri në ditët tona. Në vitin 2007 ajo u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë duke dhënë shpresë se shkëlqimi i saj i dikurshëm do të kthehet. Fatkeqësisht, për më shumë se një dekadë përpos një pllakeje të shëmtuar që tregon se ndërtesa gëzon statusin e Ndërtesës së Mbrojtur, asnjë intervenim të paktën për të ndalur degradimin, nuk u bë. Një shkëndi shprese u shfaq në vitin 2017, eshe pse fare e dyshimt sepse vinte si pjesë e fushatës elektorale për njëfar “rilindje” të gjithëçkaje, por që megjithate sikur na pëlqente t’a besonim. Sot, katër vite më pas, kuptuam se projekti i “rilindjes” paska nënkuptuar shembjen tërësisht të ndërtesës. Zhdukjen e përhershme të shushurimave të intelektualëve dhe artistëve më të mëdhenj shqiptar të cilat ishin strukur diku në mes fugave të tullave të mureve të ndërtesës për të na bekuar më praninë e tyre të përhershme. Rindërtimi i saj rishtaz nuk është asgjë më shumë se një pornografi arkitektonike, një akt i kriminelit që hedh acid mbi ftyrën e përkryer të gruas me premtimin se do i bëjë një të mirë prej silikoni, një vrasje me paramendim se do t’i bëjë viktimës një gurë varri prej ari.
Jo pa qëllim, këtë akt të trisht të shembjes së Kafes së Madhe e lidha me një eksperiencë timen në fillimet e studimeve të mia për arkitekturë. Edukimi i brezave duke mësuar ata të përbuzin vlerat burimore dhe autorët kombëtar dhe të vlerësojnë vetëm ata ndërkombëtar, na shpie detyrimisht në veprime që zhdukin çdo gjurmë që mund të kenë lënë këta të tanët. Është vështirë të presësh që një gjeneratë studentësh të cilëve profesori u ka mësuar se vetëm Mikelanxheloja, Da Vinçi dhe Alberti vlejnë dhe se Idromeno, Butka, e të tjerët janë… (gati se kot), t’i dalin në mbrojtje të vlerave që kanë krijuar këta të fundit.
Këtu një gjë ka lidhje edhe me profecinë. Kafja e Madhe ndërroi shumë emra. U quajt “Adriatik”, “Kafe-Hotel Park”, “Grand Hotel Savija”, për tu kthyer përsëri tek “Kafja e Madhe”, sikur të parandjente diçka të madhe me fundin e saj, një TURP TË MADH kolektiv./ KultPlus.com