Urime Shën Valentinin

Poezi nga Arbër Selmani

E dashtun, urime
Urime që sot e kemi vnu maskën e shëmtueme
Edhe disponimin e një çifti perfekt.

Urime që sonte darkën e kemi t`shtrenjtë
Urime për ullinjtë që ma vonë kemi me i vjellë
Urime buzëqeshja e plastë.

Shih përreth,
Krejt këto çifte sot do të luajnë boks më vonë
Por urime, jemi një kllapë e lumtun.

E dashtun, urime dashnia
Urime kjo dashni që nesër në mëngjes më pret e nemun.

Urime Shën Valentini,
Këta asnjëri se dinë se mukozën në fyt
E kam prej përlamjeve tona si çift i dobët që jemi.

Por sonte, urime
Lehtë puthemi para tyre, ata puthen butë para neve
Më vonë bëjmë seks, nesër divorc.

Urime që veç sonte ne duhemi ma shumë se çdo ditë.
E natën mallkojmë njerëzimin histerik.
Urime për secilën dyshe snobe, urime për shumë si ne dy.

shkurt 2015

Ikona të artit e kulturës shqipe erdhën mbrëmë të dokumentuara në “Kosova në 14 tregime kulturore”

Qendrim Badalli

“Me shumë dashni nga Arbëri” shkruhej nga autori në librat dhuruar të pranishmëve në mbyllje të promovimit të librit “Kosova në 14 tregime kulturore”. Në fakt, me shumë dashni dhe profesionalitet ishte realizuar gjithë ajo punë gjashtë mujore në fushën e kulturës dhe artit, punë e cila kulmoi me botimin e këtij libri, i cili tashmë është pjesë e pashmangshme e korpusit kulturor në vend, shkuan KultPlus.

Promovimi nuk ishte i zakonshëm. Gjithçka dukej sikur i ishte lënë në dorë spontanitetit. Karrige që vazhdimisht shtoheshin paralelisht me shtimin e mysafirëve, një pjesëmarrje e moshave të ndryshme që ofronin një kolorit interesant në sallë, si dhe një realizim i promovimit pa të ftuar në panel apo ndonjë prezantues siç jemi të mësuar të shohim në promovimet tjera. Vetëm një gjë ishte mirë e planifikuar: muzika. Tingujt muzikor ishin zgjedhur me kujdes, ata shoqëruan gjithë mbrëmjen kushtuar kulturës, kushtuar autorit Arbër Selmanit.

Nga mbrëmë, intervistat dhe rrëfimet ku janë përfshirë Pranvera Badivuku, Armend Rexhepagiqi, Anton Pashku, Dilaver Kryeziu, Ali Podrimja e ikona tjera të artit e kulturës shqipe, i janë shtuar fushës së kulturës dhe do të mbesin përgjithmonë të dokumentuara.

Autori i librit, Arbër Selmani, pasi ka bërë një varg falënderimesh ka folur përgjithësisht për realizimin e këtij libri.

“Kosova në 14 tregime kulturore, pak po du me bisedu sepse nuk kam dashtë me marrë askënd afër vetes që me e lujtë rolin e recensentit apo me më komentu sa i mire jam. Këto tekste janë realizuar me një dëshirë shumë të madhe dhe me një vullnet dhe përkushtim. Të gjithë e dimë se jeta në Kosovë nuk është aspak e lehtë dhe përgjatë këtyre muajve normalisht ndodhin plotë peripeci jetësore dhe normalisht kam provu të përthekohem në këto 14 tekste. Edhe 10 tjera janë nisë por nuk kanë përfunduar sepse kanë qenë më vështirë mu realizu.”

Ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kishin bashkëpunuar për tu jetësuar ky libër, teksa i gjithë fjalimi i tij përcillej nën emocione që nuk fshiheshin dot.

“Përmes këtyre teksteve kam sjell Anton Çetën me anë të fëmijëve të tij, Anton Pashkun me anë të fëmijëve, Fitnete Tudën, Armend Regjepagiqin. Kam shkruar për Hamamin e Prizrenit, për Muzeun në Prishtinë. Janë tregime kulturore që kam dashur t’i sjell në një frymë tjetër. Nuk është e lehtë për askënd që të flas për një anëtar të familjes që nuk ekziston më, prandaj mua më vjen mirë që një pjesë e mirë e personazheve më kanë lejuar të hyj në territorin e këtyre njerëzve, në jetën e këtyre njerëzve”.

Njëra nga personazhet që është pjesë e këtij libri, Fitnete Tuda, për KultPlusin ka thënë se është e nderuar që është pjesë e këtij libri krah figurave eminente të fushës së kulturës në Kosovë.

“Të them të drejtën për mua ishte një befasi shumë e këndshme, sepse fillimisht kur Arbëri më tha për intervistën unë mendova se është një intervistë vetëm për KultPlusin, sepse me KultPlusin kemi pasur bashkëpunim kohë pas kohe, mirëpo sot kur e shoh këtë libër në dorë, të them të drejtën ndihem shumë shumë e nderuar që jam në mesin e këtyre njerëzve të kulturës që kanë dhënë shumë për kulturën”.

Tutje, ajo ka thënë se ky kontribut është i veçantë dhe do të shërbejë edhe për brezat tjerë dhe për gjithë vetëdijen kulturore kombëtare.

“Është një kontribut për kulturën dhe botimet e kësaj natyre i mungojnë skenës sonë. Unë them se në fushën e publicistikës ka pak botime të tilla, dhe kjo është një memorie shumë e mirë për brezat e rijnë për traditën dhe vetëdijen tonë kulturore, një kontribut shumë i veçantë për Kosovën dhe më gjerë dhe unë e uroj Arbërin për këtë punë që e ka bërë”.

 Drejtoresha e KultPlusit, Ardianë Pajaziti, ka vlerësuar librin dhe ka folur për kontributin e KultPlusit në realizimin e këtij libri teksa ka thënë se është kënaqësi për redaksinë e kësaj medie që një redaktor ka botuar një libër për fushën e kulturës.

“Faktikisht të gjitha këto rrëfime që u prezantuan sot në libër paraprakisht janë publikuar në KultPlus dhe do të thotë që ata që kanë dashtë me përcjellë këtë përmbajtje të librit paraprakisht i kanë lexuar edhe në KultPlus. Natyrisht se është kënaqësi për redaksinë e KultPlusit që një redaktor dhe gazetar i KultPlus-it si Arbër Selmani të promovojë librin e tij duke marrë parasysh edhe figurat që i ka përzgjedh brenda librit që jo shpesh janë të pranishëm qoftë në libër apo në media dhe duke marrë parasysh këtë përzgjedhje kaq të sofistikuar puna është shumë e veçantë”.

 Tutje, ajo ka thënë se KultPlusi do të vazhdojë të ofrojë hapësirën e nevojshme për autorët e rinjë në mënyrë që të kalohet hendeku midis emrave të rinjë dhe sferës publike.

“Shumë të rinjë e kanë pengëstë madhe karshi emrave të mëdhenj në fushën e kulturës. KultPlusi e zhvillon një politikë tjetër, që do të thotë se ne vlerësojmë cilësinë duke mos u bazuar në emër. Kjo është ajo që gjithmonë i kemi dhënë, jemi duke ju dhënë dhe do të vazhdojmë të ju japim hapësirën e nevojshme në të gjitha fushat që përfshinë në art dhe kulturë që të rinjët ta kenë primatin por asnjëherë duke e anashkaluar kriterin tonë kryesor që cilësia të jetë primare”.

Mbrëmja vazhdoi me një koktej rasti nën tingujt e hiteve të viteve të 90’ta në shenjë përkujtimi, në shenjë rikthimi të pasurisë kulturore që siç është shprehur autori, është njëri nga synimet e tij në jetën profesionale si gazetar. / KultPlus.com

Promovohet sonte ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ nga Arbër Selmani

Sonte në Europe House – Shtëpia e Evropës në Prishtinë do të promovohet ‘Kosova në 14 tregime kulturore’, shkruan KultPlus.

“Kosova në 14 tregime kulturore” është një përmbledhje e teksteve gazetareske shkruar nga Arbër Selmani, nga muaji mars 2019 deri në gusht 2019. Tekstet janë realizuar në gjuhën shqipe dhe angleze, në këtë libër do t’i gjeni vetëm ato në gjuhën shqipe.

Libri u realizua si pjesë e projektit/grantit “Kontribut në forcimin e gazetarisë së pavarur, hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe në lirinë e shprehjes në Kosovë”, projekt i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga BIRN – Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese dhe AGK – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Si një prej përfituesve të grantit, gazetari Arbër Selmani ka depërtuar në tregime të ndryshme kulturore, prej Anton Çettës e deri te Hamami i Prizrenit, prej Istref Begollit e deri te Muzeu Etnologjik në Prishtinë, prej Armend Rexhepagiqit e deri te Ali Podrimja. Këto katërmbëdhjetë tregime dhe rrëfime përmbajnë njerëz të fateve të ndryshme, që shënuan dhe ende shënojnë kulturën dhe artin shqiptar. / KultPlus.com

Nuk do të më përqafosh kurrë më

Idea Vilarino

Tash nuk do të jetë njëjtë
Tash jo
Nuk do të jetojmë më bashkë,
As djalin tënd më nuk do ta rris
Nuk do ti laj këmishët tua
Nuk do ti qep rrobat tua
Nuk do të të kem afër netëve
Nuk do të puthemi kur dal nga banesa,
Nuk do ta dish kurrë cila isha,
Sepse të tjerët më dashuruan më shumë.

Asnjëherë nuk do ta di,
As pse, as si, kurrë,
A ishin të vërteta
Fjalët
A ishte ti ai që thoje 
Që ishe
As cila isha unë për ty
As si do të ishte të jetonim bashkë për pak. 
Duke u dashuruar,
Duke pritur
Duke qenë.
Tash nuk jam më shumë se vetja
Përgjithmonë
Dhe ti për mua do të jesh asgjë më shumë se ti.
Tash je veç dita, jo e ardhmja
Nuk do ta di ku do të jetosh 
Me kë
Ose nëse kujtohesh ndonjëherë për mua.
Nuk do të më përqafosh kurrë si kjo natë, kurrë.

Nuk do të të prekë më kjo dora ime,
Nuk do ta shoh as vdekjen tënde.

   Përktheu: Arbër Selmani

Çelësat mos i merr asnjë, dhe largohu…

Arbër Selmani

Të parën, merre vazon e kaftë
merre edhe atë afër saj, vazon me motive orientale që u bë copë kur nisën grindjet tona
merri dy jastëkët ku zunë vend dy koka boshe
merri pjatat që na dhuruan 
në ditëlindjen e tretë
të fëmiut tonë të parë 
Merre aparatin e hekurosjes, 
që kurrë nuk e zbuti zemrën tënde të zezë si mustaqet e Hitlerit
merri patikat e verës, sandalet e pranverës, fustanet, syzet, setrat, të brendshmet, intimet, kukullat
merri dy goblenët që i blemë në Taksim
merre kasafortën e kursimeve, ku nuk kurseve kurrë pak lumturi
ku nuk na kurseve as mua e as ty.
Diplomën e Fakultetit të Drejtësisë
fjalës që ti ia humbe kuptimin
sinonimet, esencën
e ke poshtë tepihut
merre
shih si shkëlqeve në secilin provim, në secilën datë shkollore
në çdo definicion
pos në definimin e asaj çka ishte mes nesh.
merre atë pleh letre
merre edhe tepihun e korridorit

merri pikturat që nuk i dalin ballë shoqja shoqes
e majta, lule e Van Gogut
djathtake, Guernica

urrehen, duan të dalin prej kornizave e ta plasin njëra tjetrën
Si unë e ti.
Merri çadrat e ditëve tona pa Diell
merri shallat e kashmirit që ti bleva në Strasburg
merre radion e vogël, dhuratën time kur të ngritën në pozitën e punës
merri të gjitha këmishat
të gjitha ngjyrat që prapë nuk e dritësojnë shpirtin tënd 
të thatë, 
si jogurt me datë të skaduar
merre pasaportën, anipse nuk të hyn në punë
se nuk ka shtet në botë që pranon dokument kaq të rënduar prej trishtimit
e ke poshtë televizorit,
në raftin e dytë
zbrazi të gjitha raftet e dollapit
të cilin s’ta jap dot se e bleva për shtatë palë qejfe.

Merri lapsat, fletoret
çantat
faturat e energjisë elektrike, e papaguar prej kur morri fund lufta
faturat e bërllogut, 
faturat e ujit, ujit që për të mirë nuk të lau kurrë.
merri erëzat e mëlmesat e shafranit,
unazat qesharake,
merri kartolinat

deodorantin që kutërbon qen i ngordhur
merr gjithçka që është e jotja
gjithçka që ti mendon se është e jotja dhe e ke përvetësuar,
Merri copat e metalta me të cilat mendon se po kërkon falje
futu në dhomë, merre llambën që e blemë bashkë, 
ditën e katërt kur nisëm bashkëjetesën
jetesën e zymtë së bashku
bashkimin e dërrmuar të dy jetëve
merre çdo libër që e lexova 
merre edhe këtë televizor
që u bë dëshmitari gojëmbyllur, shurdhi e memeci i shtëpisë
i kacafytjeve tona
merri krejt drojat tua për divorc
merri ëmbëlsirat që këtë mëngjes t’i përgatita me përulje,
merri targat e vjetra të veturës së vjetruar 
merre tavolinën
merre çdo fjalëkryq të paplotësuar
merre shtypin ditor
merri revistat pornografike poshtë orendive shtëpiake
merri makinat për rroje
që pa sukses provuan pastërtinë e atij trupit tënd
merri fotografitë tua prej albumit familjar
merre buzëkuqin e kalbur,

çelësat, as mos guxo,
mos i merr asnjë, 
dhe largohu.

I dashuri im rom


Nga Arbër Selmani.

A është dikush që e zë vendin tim
kur unë do t`jem bërë hi?

Ndoshta zogjtë e malit, ose poezitë e Rumit
ndoshta pasazhet e qiellit
ose gurrat e ujit.

Kush do të të dojë si unë
Kur do të jesh ti instrumenti dhe vetë dora e jetës tënd?
ndoshta fjalët e bukura ose Dielli i përvluar
ndoshta fati i të mirëve dhe nata e madhe e Zotit.

I dashuri im rom, ti absoluti
buzëqeshun natë e ditë
i shëtitun në rrugët e braktisura të botës.

tkam puthë e tkam la me duart e dashnisë
por, kush pas meje?
cili i bardhë do ta dojë të zezën lëkurë, e të bardhën zemër që ma ke?

Kush pas meje?

Kush pas meje
nga ma e thella pikë e jotja do ta zgjojë ndjesinë, bishën e njeriut që u shtyp përjetë.

Cila ngjyrë e bardhë, rrena e madhe e kësaj bote
do të jetë krah supit tënd aq lehtë t`lëndueshëm?

Cili do të të kujtojë si unë
Kush do ti lexojë sytë e tu e kush do ta këndojë këngën më të bukur sic bënim ne dy
Kush e pin ujin e dhomës ku dytë u bëmë qull prej dorëzimit…

Ndoshta të nemunat e popullit tënd
ose andrrat që kurrë nuk mbytën asgjë
ose perënditë që duhet me të kërku falje me ceremoni
ndoshta engjëjt të kanë marrë për dore,

E njëjtë ki me fluturu kur unë do të jem bërë shok me trupat që ecin në eterin magjik?

Kujto, mëngjeset të lehta t’i kam ba unë
një gotë kumësht, dy vezë të thyera
tri puthje në faqe dhe një bashkim i turpshëm i gojës
idenë e dashnisë e kemi gatue bashkë, pikë për pikë, romi im.

Pas meje, kam frikë
a ka dikush që do të të përqafojë
ti puthë këmbët
ti puthë buzët
ti dëgjojë këngët që dalin vrullshëm prej syve tu
ta këndojë ninullën e romëve të Stojkës…


Kam frikë për ty
I dashuri im më i dëlirë
Vesa që përcjellë lumin, agimi që përcjellë hanën.

Pak të duan
Me arsyen më të panjerëzishme
pa pasë nerva me u marrë me ty
më duket se të urrejnë aq sa e urrejnë veten.

Të kam pa të pikëlluar
duke u harrllisë në vetvete
duke shiku në hapësirë për të mos u harru në nënshtrim
duke mbështetë kokën për murin që rëndon,
duke qenë racist i vetvetes.

Kush, i dashuri im
Do të të shtrëngojë
Kur unë dhe Zoti do të jemi duke luajtur në piano së bashku…
Kush ka fuqinë të të përplasë për muri
e të ti shërojë plagët e trupit?

E ti shëtitë,
kur ata duhet ti harrojë toka ku shkelin….

Prej skute në skutë,
As dhimbjet nuk ti lanë të shtegtojnë,
vallet ti urrejnë, se urrejnë që vetë nuk dijnë të vallëzojnë …

Mbrëmje e poezive me Arbër Selmanin, me 26 shkurt

Shkrimtari, gazetari dhe redaktori i gazetës KultPlus, Arbër Selmani, me datë 26 shkurt do të lexojë poezitë e tij në një mbrëmje poetike.

Tetë: Poetry Night me Arbër Selmanin do të mbahet në hapësirën Shtatëmbëdhjetë, shumë afër gjimnazit Sami Frashëri në Prishtinë.

Selmani do t’i lexojë disa prej poezive të tij ndërsa edhe të tjerë njerëz në audiencë do të mund të lexojnë krijimet e tyre. Ngjarja mbahet me 26 shkurt në ora 19:00, në Prishtinë.

Ky është përshkrimi i ngjarjes në fjalë:

Prej dashnisë, te vuajtja, prej andrrave tek copëtimi i tyre, prej përlamjeve tek përqafimet, prej fantazmave te realiteti, prej babait tek nëna, prej detit te rëra, janë temat që Arbër Selmani i trajton në poezitë e tij. Numri tetë (8) ka një domethënie për Arbërin. Ai thotë se është numër i dashurive të humbura dhe të poezive të gjetura. Ka kohë që Arbëri nuk i ka lexuar copëzat e tij para publikut. Për herë të parë atij poezive të tij i kushtohet një natë e vetme. Ai do të vjen në Project Space të martën me datën 26 i përthekum me ndjenjat e tij të cilat janë të shpërndame, bipolare, herë në letër e herë as aty jo.

Shtatëmbëdhjetë ju sjell edhe këtë muaj Natën e Poezisë. Sikur herën e kaluar ju ftojmë që t’i merrni poezitë me vete dhe pas Arbërit të ngjiteni në skenë dhe t’i ndani ato me të gjithë neve.

Pjella mizore si ai

(Mbi rastin e Zejnepe Berishës) / Botuar edhe për ta kujtuar rastin e fundit me të miturën në Drenas!

Dëgjo,
E para, ti nuk ke faj për asgjë,

Nuk është fajësia jote ndjenja e nënës,
as ndjenja e një gruaje që bota iu përmbys,
as loti që sa e sa herë e ke derdhur e ne tjerët jemi cjerrë prej gëzimit të paditunisë,
as fati që të ra hise prej perëndisë.

Sa herë netëve je lutur të vdesësh,
ti, para se viktima ti shohësh përpëlitur fëmijët e tu,

Dëgjo mirë, Zejnepe,
Ti je grua, e grua është fatkeqësi në botën e burrave me mëngët lart.
Ti je nënë,
E nëna është mizori për burrat si ai, që mos e pafshin kurrë dritën e jetës, kanë zemër prej guri.
Ti je grua, e grua është e tmerrshme për burrat e ringut të boksit në familje.
Ti je nënë,
E nënat kurrë nuk kanë dashur ti rrisin këto pjella mizore si ai.

Ti je grua,
E për burrat si ai, që besa i kemi plot, një grua do të jetë fshisë elektronike përgjithmonë.
Dhe ishalla shiu i botës bie furishëm mbi ta,
mbi sytë e mbi fjalët e mbi kokat e tyre.
Ti Zejnepe, na shiko nga lartë e duartrokit me komedinë tonë.
Ti je ankthi që do t`i kthehet atij në ëndrra.
Ti je ëndrra që, nëse ka drejtësi pa gjyqtarë e çekanë, do të kthehet në ankthin e burrave si ai.

Dëgjo Zejnepe,
Je e padenjë në këtë kafene ku jetojnë burrat me mendime shpellare.
Njëjtë, si ai.
Nuk ke ti faj që 20 herë dashni tu kthyen shuplakë për 20 goditje thikë.

Unë, të kërkoj falje në emër të perëndisë,
nënës natyrë,
sepse kaq i padrejtë është rendi i burrave si ai.
Kjo botë u dha fuqi burrave, si ai, të mendojnë se preja e tyre është zemra e nënës së dikujt, vajzës së dikujt, si ti.
Lotët e nënës tënde u bëfshin bekimi yt,
e palumturia e tij.
Zejnepe, çfarë sy të përvuajtur këta tutë,

Të vësh dorë mbi ty është si të vësh dorë mbi të shenjtën,
mbi shpirtëroren,
mbi nënën e harruar, që qëndron si ushtar në këmbë sa herë sulltani futet në dhomë,
ai që ka guxuar të pështyjë mbi ty, e mbi të tjerat si ti
ka mallkuar veten, ka thirrë hyjnitë ta godasin me rrufe shpirtin e tij,

Të vësh dorë mbi ty,
është jo legjitime, nuk matet me letër e me laps,
as me ligje, as me fjalë, as me farë e me fis,
as me kokë fëmijësh, as me kanun e as me plis
as me shpirtngurtërsi, shpirtngushtësi,
as me dobësi nuk matet, as me fjalë burrnie që na shpifin erë stërvine.
Zejnepe, nuk ja pate borxh botës një burrë që ta copëtoi dritën e syve.

A.Selmani – prill 2017

‘Demaçi nuk ka as mundësi të klonohet në këtë depresion kosovar’

Arbër Selmani – bursist i Sakharov 2018

Si njëri prej Sakharov bursistëve për këtë vit, reflektova shumë këto ditë mbi karrierën e Demaçit. Sidomos kur prej udhëtimit në Bruksel muajin e kalum i pata së paku dhjetë biseda të ndryshme me njerëz të tjerë rreth Demaçit, i cili kishte qenë i ftuar në ceremoninë e 30-të vjetorit të ndarjes së çmimit, por shkaku i shëndetit të përkeqësuar nuk erdhi.

Demaçi e ka marrë çmimin Sakharov në vitin 1991, vitin kur linda unë.

Ma shumë e dojshin Demaçin në Bruksel, se në Kosovë. Ose së paku, ma shumë atje fola për Demaçin sesa këtu. Në Facebook, ku bën roje gjithëdijësia e shqiptarëve, me rastin e vdekjes së Demaçit pashë komente prej “pak i ngushtëm” deri te “edhe ky ia ka huqë shpesh”, përfshirë këtu ngushëllimet për familjen. Në Bruksel, treguan për shëndetin e tij të përkeqësuar, për punën e tij, burgosjen disa herë, plus ishte interesant prej tyre me e taku dikë prej Kosovës për faktin se në tri gjenerata të bursistëve unë jam i vetmi prej Kosovës. Aspak i krahasueshëm me Rugovën e Demaçin që kanë marrë çmimin e madh Sakharov në vite të ndryshme. Në Bruksel Demaçin e përshkruanin si njeri të qetë, të butë, një mendje që e pati mahnitur edhe Parlamentin Evropian kur e pranoi çmimin Sakharov. Demaçin në Bruksel e pashë të barazuar me njerëz që kanë luftuar për kauzat e njëjta si ai, pa analizën shqiptare e cila shpesh është e vakët.

***
Demaçi ka kalu vite në burg, duke pasë ëndrra.
Demaçi nuk është Nelson Mandela i askujt. Ai është Adem Demaçi – një jetë si disident dhe një harresë kolektive e shqiptarëve në vitet e fundit të jetës së tij. Mandela poashtu e ka marrë Sakharovin, në vitin e parë të ndarjes. Demaçi dhe Mandela e kanë secili karrigen e vet në atë botë ku drejtësia ekziston dhe ku pishtarët e luftës për drejtësi e barazi kanë kolltukun e tyre pa komentet e të gjithëdijshmëve shqiptarë e kosovarë.
Politikanë, Demaçin kujtojeni, duke ndjerë pështirosje për veten tuaj dhe kuazi-kulturën që e shitni për njerëzillak.
Demaçi ka shkruar “Gjarpijt e Gjakut”, politikanët tanë që po i bëjnë nderime nuk i kanë lexuar as fletat e bardha që ju servohen në Parlament.

– Në momentin që më kanë tregu për bursën Sakharov 2018, dy emra më janë kujtu: Demaçi e Rugova. Duke i zhveshur prej çdo mangësie terciare, Rugova e Demaçi nuk ka as mundësi të klonohen në këtë depresion kosovar, edhe për shumë vite. Personalisht për mu janë dy prej emrave që të drejtat e njeriut në Kosovë i patën mendimin e parë të mëngjesit dhe misionin e vetëm në jetë. / KultPlus.com

Demaçi dhe Rugova në videon e prezantimit të Çmimit Sakharov në Bruksel

Ka nisë sot Konferenca e 30-vjetorit të Çmimit Sakharov në Parlamentin Evropian në Bruksel, shkruan KultPlus.

Pjesë e kësaj konference është edhe Arbër Selmani, redaktor në KultPlus, i cili është një prej 12 fituesve të Bursës Sakharov për vitin 2018-të.

Me rastin e këtij 30-vjetori është hapë edhe një ekspozitë e po ashtu është prezantuar një video me fituesit e Çmimit Sakharov, ku ndër ta janë edhe dy figura të mëdha shqiptare si Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi.

Rikujtojmë se edhe këtë vit sikur vitin e kaluar, 12 avokues të të drejtave të njeriut e marrin këtë bursë dhe shpallen fitues të saj.

Selmani është njëri prej këtyre fituesve, bashkë me emra të aktivistëve nga Jordania, Bolivia, Kirgistani, Armenia, Libani, Meksiko, Maqedonia, Sudani, Tajlanda, Turqia dhe Venezuela.

Bursa Sakharov është bursë që jepet për individët që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe ndihmojnë në kauzat e ndryshme që lidhen me të drejtat elementare njerëzore./ KultPlus.com

Kultura si pika e fortë e Kosovës

Arbër Selmani

Vitin e kaluar, në Bienalen e Venecias në Itali, Petrit Halilaj morri një Mirënjohje Speciale për punën e tij si artist. Çdokush që e njeh artin e Kosovës e njeh edhe emrin Petrit Halilaj. Petriti, me disa pjesëmarrje të tija në këtë Bienale arti, bëri që Kosova të depërtonte në këtë organizim artistik prestigjioz, kësisoj duke thyer kufijtë e arritjeve.

Halilaj, me disa punë të tij në këtë Bienale, mbushi hapësirën e Arsenale – lokacionit të madh ku vendosen punët e artistëve pjesëmarrës. Ai punoi disa qilima tradicionalë, me ndihmën e nënës së tij e cila është bashkëudhëtare tanimë e Petritit në disa punë artistike. Në një Bienale ku përfaqësohen mbi 80 shtete dhe qindra artistë bëjnë të pamundurën të marrin vëmendjen e vizitorëve, lëngojnë për pak kritikë të shikuesve apo profesionistëve, Petrit Halilaj i la të gjithë pas tij. Dikur një refugjat dhe djali i vogël nga fotografia legjendare e refugjatëve, Petriti i theu kufinjtë edhe për Kosovën.

Edhe këtu dua të dal. Artistët e tejkalojnë limitin gjeografik, shkëmbejnë përvoja por edhe reflektojnë, dhe e vendosin Kosovën në hartën kulturore të kontinentit. Dhe kjo hartë nuk është një hartë dosido, por është një soj i arenës së boksit ku etnitë e ndryshme vijnë me luftëtarët e tyre më të fortë – në këtë rast artistët, me anë të të cilëve mund të ndërrohet pse jo edhe një mendësi kolektive dhe mentalitet popullor.

Dhe ja pra, kaq afër Evropës jemi ne.

Jo vetëm me Petritin, por me anë të kulturës më shumë sesa me anë të sektorëve tjerë të jetës, kemi arritur të futemi mirë në skenën – arenën kulturore të Evropës.

Ta përmendim këtu Sislej Xhafën. Punët e tij fokusohen në turizëm, në varfëri, në statusin legal të Kosovës, në siguri e në qëndrueshmëri. Së fundmi, një telefon që nuk cingëron asnjëherë, më përpara një varr prej graniti, një anije kozmike, dhe punë të tjera të Sislejit nga Peja që jeton midis Evropës e Nju Jorkut, janë dëshmia e gjallë se si një shtet i vogël si Kosova mund të futet në listë me shtetet ku arti është kryefjala dhe djepi i shoqërisë, kjo me anë të emrave që çdo ditë e më shumë nga Kosova po e prezantojnë veten në ekspozita e në ngjarje kulturore të rëndësisëshme.

Kompleksitetet e Kosovës kësisoj po i shfaqen syve të Evropës, dhe kjo mbetet një meritë e kulturës. Realiteti social, ekonomik e politik i Kosovës po prezantohet përmes artit e kulturës vis-à-vis modernitetit evropian. Mund të themi lirshëm që artistët nga Kosova kanë bërë më shumë sesa që është pritur nga ta, në aspektin e diplomacisë. Ata, nëse jo diç tjetër, kanë krijuar një “autoritet kulturor” në Kosovë, duke i treguar Evropës se një shtet i vogël dhe i sapo-lindur ka potencial të shëndrisë artistikisht, edhe me problemin e vizave dhe me problemet tjera financiare.

Dhe kjo është mbi të gjitha, fuqia e kulturës, kur çon kanarinat dhe dheun e Kosovës në Bienalen e Venecias (Petrit Halilaj), kur shkronja N nga NEWBORN prezantohet në ekspozitë në Londër (Fisnik Ismaili), kur i fton refugjatët për një gotë çaj dhe për diskutim (Alketa Xhafa Mripa), kur Placido Domingo lavdëron një tenor shqiptar dhe shprehë dëshirën të koncertojë në Kosovë (Ramë Lahaj), kur billbordat me gratë e vrara nga Kosova bëhen lajm në The Guardian (HAVEIT) dhe shembuj e shembuj të tjerë ku kultura nga Kosova po futet në ekspozita e në ngjarje në të cilat diçka e tillë as nuk do të paramendohej para rreth dy dekadave.

E vërtetë, Kosova ka plot tregime, ka plot kujtesë, ka plot drejtësi që nuk erdhi asnjëherë e ka plot telefona që nuk cingëruan kurrë. Megjithatë, kemi artistët që shumë qartë e kanë shprehur mesazhin e tyre gjithandej, që Kosova është e pasur kulturalisht dhe e fuqishme artistikisht të jetë pjesë e hartës kulturore të Evropës, pa marrë parasysh çmimin.

Marrë nga EUICC ( http://euicc-ks.com/sq/kultura-si-arma-e-forte-e-kosoves/ )

KultPlus, pjesë e Forumit Global “Truth, Justice and Remembrance” në Berlin

Organizuar nga Fondacioni Robert Bosch Stiftung, po mbahet në Berlin Forumi Global “Truth, Justice and Remembrance” – E vërteta, drejtësia dhe kujtesa. Pjesë e këtij Forumi është edhe KultPlus – e para gazetë shqiptare që trajton vetëm artin dhe kulturën.

Redaktori Arbër Selmani, si alumni ( ish pjesëmarrës ) i Seminarit të Berlinit në vitin 2014-të, është ftuar të jetë një nga 120 pjesëmarrësit në Forum, nga Brazili, Franca, Gjermania, Serbia, Argjentina dhe rreth 35 shtete tjera.

Selmani gjatë ditës së djeshme e ka ndihmuar debatin mbi drejtësinë dhe të vërtetën në Serbi, debat i moderuar nga Milia Kostiq nga Humanitarian Law Center në Serbi.

Forumi në fjalë mbledhë aktivistë, gazetarë, politikanë dhe antarë të shoqërisë civile të cilët punojnë në temën e kujtesës kolektive, drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën, brenda shoqërive pas konflikteve, luftërave dhe gjenocidit.

Mbrëmë në një nga kinematë e Berlinit, në kuadër të Forumit, u transmetua filmi “Year Zero36”, ku tregohet krijimi i një trupe teatrale cirku me të rinjtë e Kamboxhias. Aktori shqiptar Arben Bajraktaraj ishte pjesë e filmit si një mësues i të rinjve drejt suksesit dhe paraqitjeve në shtetet tjera.

Ky është edicioni i parë i Forumit, që nisi me 15 nëntor dhe përfundon sonte. KultPlus edhe në të kaluarën, por edhe tani dhe në të ardhmen publikon shkrime të ndryshme që kanë të bëjnë me kujtesën kolektive, memorialet, statujat, ballafaqimin me të kaluarën dhe luftën në Kosovë. / KultPlus.com

KultPlus në Forumin Botëror të Demokracisë në Strasburg

KultPlus në këtë Forum përfaqësohet nga redaktori Arbër Selmani, i cili punon tash e katër vite në gazetën e vetme kulturore shqiptare KultPlus.

Në mesin e medieve më të rëndësishme si: The Guardian, Politiko, CrossCheck, AFP, Associated Press, edhe KultPlus është i pranishëm në Forumin Botëror të Demokracisë i cili po mbahet në Strasburg. Forumi Botëror i Demokracisë kësaj radhe diskuton mbi popullizmin dhe mediet, lidhjen mes tyre, por edhe mbi fact-che king, vërtetimin e lajmeve të pavërteta dhe multilateralizmin, lëvizjet populliste dhe artin e kulturën si përgjigjje ndaj popullizmit. KultPlus në këtë Forum përfaqësohet nga redaktori Arbër Selmani, i cili punon tash e katër vite në gazetën e vetme kulturore shqiptare KultPlus.

Forumi Botëror i Demokracisë mbahet çdo vit në ndërtesën e Këshillit të Evropës, dhe në të marrin pjesë politikanë, gazetarë, shoqëri civile, aktivistë dhe artistë të ndryshëm nga mbarë bota.
Redaktori i KultPlus këtë vit është ftuar nga Forumi për të qenë pjesë e diskutimeve të ndryshme, në tri ditë sa zgjatë ky Forum, i cili këtë vit ka prekur edhe artin dhe kulturën, ndonëse në intensitet më të vogël se vetë demokracinë./KultPlus.com