Në kujtim të Arbën Xhaferit

Shkruan: Donika Hoti

Mendimi filozofik shqiptar dhe vizioni i tij në pikëpamjet politike e bëri të njohur para opinionit mbarëshqiptar si mendimtarin më të çmuar pas viteve të ’90-ta. Veprimtaria e tij intelektuale posedonte një diapazon dhe një aftësi për t’i zbërthyer në mënyrë thelbësore proceset shoqërore të cilat i tejkalonin shoqëria mbarëshqiptare.

Personaliteti i tij njihej si kontribuues për faktorizimin e politikës shqiptare në Republikën e Maqedonisë, sidomos në kohën e ballafaqimeve në mes arrogancës së politikës maqedonase dhe inferioritetin e politikës shqiptare, duke ndërmarrë hapat për të ecur drejtë së ardhmes që duhet të vinte një ekuilibër në mes ëndrrave irracionale maqedonase dhe ambicieve shumëtokësore të shqiptarëve.

Figura e Arbën Xhaferit ishte dhe mbetet si njëri ndër mendimtarët më të çmuar dhe origjinalë në mbarë botën shqiptare. Mendimet e tij të qarta intelektuale rreth proceseve shoqërore dhe mendimeve filozofike-politike e bëjnë atë që të mbetet njëri ndër figura më të çmuara të mendimit filozofik shqiptar.

Mendimi i tij filozofik e bën atë figurën më të çmuar pas sociologut të parë në Kosovë, profesor Fehmi Aganit dhe politikologut të parë shqiptar, Mr. Ukshin Hotin, të cilët vlerësohen lart si studiues dhe argumentues të mendimit sociologjik dhe filozofik shqiptar të shekullit XX.

Arbën Xhaferi u lind më 24 janar të vitit 1948 në qytetin e Tetovës të Republikës së Maqedonisë. Shkollën fillore dhe të mesme e përfundoi në vendlindje, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filozofik, në Drejtimin e Filozofisë, në Universitetin e Beogradit. Në fillim të viteve të ’70-ta, përpara se të hynte në botën e gazetarisë dhe të politikës Arbën Xhaferi për opinionin publik njihej si kritik i filmit, duke pasur botën artistike si pasion.

Me përfundimin e studimeve universitare në Degën e Filozofisë Xhaferri nga mesi i viteve ’70-a deri në vitet ’90-a punoi si gazetar komentator dhe më pastaj si redaktor përgjegjës në programin e kulturës, në Televizionit e Prishtinës. Në mesin e viteve ’90-a është ndër të parët të cilët u përjashtuan nga Televizioni i Prishtinës nga regjimi i instaluar i politikës së Sllobodan Milosheviqit.

Pas përjashtimit të tij nga Televizioni i Prishtinës filloi të punonte në të përjavshmen “Koha”, me redaktor Veton Surroin dhe në “Forum”, i cili drejtohej nga veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi, si dhe në disa medie të tjera shqiptare, duke përfshirë edhe shumë gazeta prestigjioze në botë. Pas vitit 1993 Xhaferri vendosi të luftonte me një mision pa ndonjë çmim, përkatësisht të kontribuonte me diapazonin e tij intelektual me elitën e politikës së Republikës së Maqedonisë.

Me daljen e tij nga politika, për arsye shëndetësore nga vitit 2007 deri 2012, u rikthye në botën e gazetarisë duke u marrë me opinione dhe me debate televizive mbi çështjen e politikës dhe të kulturës shqiptare. Arbën Xhaferi ndërroi jetë më 15 gusht 2012 në Klinikë Neurokirurgjike të Shkupit, rreth orës 16:00, si pasojë e hemorragjisë cerebrale të pësuar një javë më parë edhe pse prej vitit 1992 vuante nga sëmundja e Parkinsonit, kjo ishte arsyeja e tij kryesore pse vendosi të kthehej në Tetovë.

Me kthimin e tij në Tetovë, në vitin 1993, u rikthye në skenën politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë, duke u zgjedhur një vit më vonë si kryetari i subjektit politik Partia Demokratike Shqiptare, e themeluar së bashku me Menduh Thaçin.

Ky subjekt u formua pas përçarjes së subjektit politik Partia për Prosperitet Demokratik, e cila u nda në dy fraksione politike, Partia për Prosperitet Demokratik, e vjetra, u përkrah nga organet e larta shtetërore të Republikës së Maqedonisë, ndërsa fraksioni i dalë nga Partia për Prosperitet Demokratik, e cila doli me kandidimin e kandidatëve të pavarur, me kryetarin Arbën Xhaferin u manifestua me përkrahje masive të shqiptarëve në Maqedoni.

Me ardhjen e tij në pushtet arriti ta instalonte një gjeostrategji të re në skenën politike maqedonase. Duke u njohur si ndërtues i platformës për demokraci konsensuale, si një parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundër respektimit të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe si mjet efikas kundër ndarjes territoriale që ende edhe sot i kanoset Maqedonisë.

Roli i Xhaferrit në Negociatat e Ohrit ishte njëri ndër firmëtarët e kësaj marrëveshjeje, e cila i dha përfundim konfliktit të armatosur në Maqedoni, por që nuk e zgjidhi problematikën në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, siç edhe vetë e pranoi më vonë.

Gjatë veprimtarisë së tij në botën e politikës ka publikuar dy vepra“PDSH-ja jo në letër” dhe “Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike”, ndërsa nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama, Qendra Kulturore e “Klan Kosova”, në Prishtinë dhe “Dudaj” në Tiranë, botoi pesë vëllime me mbi 2000 faqe ese dhe analiza të shkëlqyera të Arbën Xhaferrit mbi “Çështjen kombëtare”, ”Identitetin”, “Demokracinë”, “Sfidën nga ekstremizmi fetar”, “Kauzën shqiptare në Maqedoni”, “Çështjen e Kosovës”.

Figura e Arbën Xhaferit ishte dhe mbetet një ndër figurat më të çmuar të politikës mbarëshqiptare. / KultPlus.com

Presidentja ka dekoruar post mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ideologun, politikanin, filozofin dhe liderin Arbën Xhaferi



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar sot post mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ideologun, politikanin, filozofin dhe liderin Arbën Xhaferi, në një ceremoni të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Shkup, ku të pranishëm ishin edhe disa nga pjesëtarët e familjes së tij.


“Arbën Xhaferi do të kujtohet e vlerësohet përherë për vetëdijen e lartë intelektuale, artikulimin politik largpamës, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe sidomos në Maqedoninë e Veriut si dhe për afirmimin e orientimit properëndimor të kombit shqiptar në frymën e rilindësve tanë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në emër të familjes së Arbën Xhaferit, i biri i tij Iliri, falënderoi Presidenten Osmani për respektin institituconal të treguar ndaj filozofit, intelektualit dhe liderit Arbën Xhaferi. / KultPlus.com