Sot ditëlindja e Ernesto Sabato-s, shkrimtarit argjentinas me prejardhje arbëreshe

Sot janë bërë 113 vite nga lindja e Ernesto Sábato-s, shkrimtarit argjentinas me prejardhje arbëreshe.

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.

Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste dhe në atë kohë takoi bashkëshorten Matilde Kusminsky Richter.

Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomic në Laboratorin Curie në Paris. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë.

Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga univeristeti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba). Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.

Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër Njerëz dhe dhëmbëzorë, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës.

Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin Raport për të verbërit shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.

Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil.

Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë.

Disa prej çmimeve dhe titujve të tjerë që iu dhanë Sabatos janë: çmimin “Gabriel Mistral”, çmimin “Miguel de Cervantes”, “Urdhri për Merita”, “Komandant i Legjionit të Nderit“, “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali. Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare.

Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare./ KultPlus.com

Arbëreshi që e kishte në shpirt Kosovën

Nga Sali Bashota 

(Duke e kujtuar Zef Giuseppe Chiaramonte (1946-2024)

Unë pata nderin të mësoja shumëçka për Arbëreshët e Italisë, sidomos për ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës arbëreshe, pikërisht duke njohur dhe komunikuar me Zef Kjaramonten. Më thoshte vazhdimisht: “shkruaje Kjaramonte, mbiemrin tim”.

Arbëreshi i Sicilisë, miku i madh i shqiptarëve, adhuruesi i veshjes kombëtare, ishte njëri ndër pjesëmarrësit më të rregullt të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Kishte shumë miq në Prishtinë dhe e donte Kosovën deri në pafundësi.

Nga shënimet biografike në librin e tij me poezi me titullin “Vulë uji” (2015), të cilin ma kishte dhuruar me fjalët: “Mikut të vjetër, me gëzim”, i botuar paralelisht në shqip dhe italisht, ndër të tjera, thuhet se Zefi ishte studiues i Evropës Lindore, drejtor i Bibliotekës së Palermos, korrespondent i Radio Vatikanit – programi në gjuhën shqipe, sekretar i Komitetit Italian Pro Kosova, përgjegjës për kulturën arbëreshe dhe shqiptare i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet për Mitin, përkthyes zyrtar, autor i disa veprave etj. Pra, kontributi i tij ishte përqendruar në shumë fusha, duke e dalluar sidomos përkushtimin e tij në mësimin e arbërishtes për gjeneratat e reja.

Në një nga komunikimet e mia me Zefin, më 13 nëntor 2023, më shkruante se ishte duke i rishikuar poezitë e reja që ende nuk i kishte botuar dhe se do t’i dërgonte sa më parë. U pajtua që libri i tij me poezi të botohet nga PEN Qendra e Kosovës me parathënien time. Ishte shumë i lumtur për idenë e botimit. Më shkroi: “Të botohen krejt në Kosovë jam dakord, se me Kosovën më lidhen shume kujtime dhe shumë miqësi”. Gjithashtu, më tha: “Te lutem të ma dërgosh edhe një herë kopjen kompjuterike të numrit të fundit të revistës PEN Kosova, aty ku janë poezitë e mia, ngase nuk i gjej më në kompjuter”.

Ndërsa në komunikimit tim të fundit me Zefin, më 8 shkurt 2024, më shkroi: “Prit do ditë, ngase poezitë i kam te kompjuteri jashtë qytetit. Si shkoj atje për fundjavë do t’i nis menjëherë.

Ndërkohë, zgjidh ato që mendon nga ato të botuara. Mirudëgjoshim”.

Por, pas tri ditëve, pra më 11 shkurt 2024, erdhi befas fundjava bashkë me vdekjen. Erdhi më shpejt së dorëshkrimi i poetit. Zef Kjaramonte iku në amshim. Ai ishte njeri me virtyte të larta. I buzëqeshur. I përzemërt. I afërt me të gjithë. Në kujtimet e miqve të tij të shumtë, pa dyshim, do të mbetet Arbëreshi më i dashur që ushqehej gjithmonë me respektin dhe krenarinë e shqiptarëve, duke qenë vetë protagonist i jetës dhe i historisë sonë, edhe në kohët e vështira, por edhe më vonë.

Jeta dhe veprimtaria e tij i kanë shenjat e veçanta që ndërlidhen, në radhë të parë, me gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Zefi ishte njëri nga idealistët më të përkushtuar që dëshironte ta kurorëzonte dijen, kulturën, besimin, misionin e tij në relacion me arbëreshët dhe shqiptarët. Me shpirt. Me zemër. Me dashuri.

Qoftë gjithmonë i ndritur dhe i paharruar kujtimi për të.

Poezi nga Zef Chiaramonte

SI KOSOVA U’

pranvera të varfëra
vitet tanë pa të kora
tue pritun vapën
dogja fletë* e dru
milikurë** t’i bëj ballë dimrit

(1989)

* formë arb. për gjethe
** formë arb. për lakuriq

SHTËPIA E ËNDRRAVE

shpinë e ëndrrave
dje e pashë
dhe stipin* besnik
që në shishe të bardha
pangara
dendur ruan lëngun
e pemëve të kuqe
dhe djellore të bëra**
në stina të ngrohta
e të lumta
kur në zemër
ti më pëlcisje

* dollapi, fjalë arb. e huazuar nga areali italian.
** të pjekura

VULË UJI

e detit
kur ti lahesh
vale të isha
dhe shkumë
një ishull
ne të dy
ta bëjmë
ishullin që
duket
zhduket
e prapë riduket
lojë e pangopur
e ujit dhe e zjarrit

DONIKA

si u leve e u leve ti*
vajza ime e pare
nata m’u bu ditë
t’errëtit dritë
tregimet arbëreshe
arbërisht
me ty morën hov
anekdotat e Çettës
gjetën veshë

* formë arb. për si lindeshe ti, përdorur te vjershat e Zef Skiro-it senior.

KODRA E DIELLIT

të këputura degë
gjak i shprishur
këtu erdhëm tok
një ditë gushti
abetari largesë për të sfiduar
dhe drejtshkrimi
vajza të dalldisura
në dritare na prisnin
secila kalorësin e saj
me sy duke pirë
fshehurazi
ajo  nga kati i parë
një cigare ma kërkoi
flutur paketa
ime e kuqe Pallmali
gjirit në lulëzim
i bëri gol
pesë shekuj vetmi
u zhdukën si me magji

TI

larg prej teje
këtu n’Prishtinë
kur ti n’ëndërr më fanite
më bën të lumtur si atë ditë
kur në dhomzën tone të pastër
m’u dhurove vajzë e re
si përtekë je mes e hollë
sytë e tu flasën pa fjalë
ende folmë më ka ënda
ëndrra e ëmbël të vazhdojë
dhe me germat tona sot
Luc Gliqinin* të gjallëroj
tërë lëkurën të përshkoj
më ngjitet nëpër gishta
erë myshku po më vjen
buzët etura qëmoti
potisen** pa kufi
gjuha veshin të palos
ti dridhe si një dhri***
dy kapronj porsi n’livadh
bredhën lehtë në gjirin tend
janë si molla sisët tote
kur më dorën t’i limoj
lart prej qafe shpina jote
deri poshtë te rehjet-shalë
duket fushë bore pashkelur
rrafsh mëndafshi levantin
buzët gjuha dhëmbët sytë
ta lëvrojnë pa pushim
mes dy shtyllave të buta
atje lart ku ato bashkohen
skaj trikëndshit magjik
lulja jote e fshehur vlon
sevdalli si unë ta mbledh
loton vesë e dëshirim
era e saj më ngazëllon
ti e bukur kur më prek
hapekrahë n’grykë më merr
gjaku çmendet më përvëlon
si lum trupin më përshkon
te deti yt i thellë
rrjedhën shuan dhe pushon

*krs. Demetrio Camarda, Appendice al Saggio di grammatologia camparata…, Prato, 1866, f.195-197
**formë arb. për vaditen
***formë arb. për hardhi

(Marrë nga libri me poezi “Vulë uji”/”Marca d’acqua”, Nuova Ipsa, Palermo, 2015). / KultPlus.com