Filmi ‘Arbëria’, kushtuar kulturës Italo-Shqiptare, tashmë edhe online në Vimeo

Historia e komunitetit të shqiptarëve arbëreshë në Itali, lidhjet e tyre të forta me origjinën, traditat e kulturën që për gati 6 shekuj i mban të bashkuar me njëri-tjetrin në jetën e tyre të zakonshme në disa qyteze të vogla në jug të Italisë, është rrëfyer në një film kinematografik me metrazh të gjatë me titullin “Arbëria”.

Filmi është shfaqur në sallat kinematografike italiane në territorin e rajonit të Kalabrisë edhe është pritur mjaft mirë nga publiku.

Por, pas kërkesës së njerëzve, filmi “Arbëria” tashmë vjen edhe online në Vimeo për të gjithë ata që duan ta shohin.

Në këtë kohë izolimi, mënyra më e mirë është të kalosh kohën duke parë një film të tillë ku përthekohen tinguj e ngjyra të një prej kulturave më të pasura dhe më të bukura në botë.

“Arbëria” është  realizuar nga skenaristja e regjisorja me origjinë kalabreze Francesca Olivieri, e cila jeton në  Francë dhe është prodhuar nga shtëpia kinematografike Open Fields Production në bashkëpunim Lucana Film Commision, Calabria Film Commision, Ministria italiane e Kulturës e nga Enti Publik i shoqatës së autorëve e botuesve italianë.

Në qendër të këtij filmi është historia e Aidës, një stiliste e suksesshme mode e cila jeton prej vitesh në një qytet metropolitan evropian. Aida me origjinë arbëreshe e lindur dhe e rritur në qytezën e vogël Shën Katerina Arbëreshe, e pozicionuar mes Calabrisë dhe rajonit të Basilicatës, pas vdekjes së babait të saj rikthehet në vendlindje.

Në një takim brezash ekskluzivisht femëror (nga e mbesa tashmë adoleshente të cilën e kishte lënë të sapolindur e deri tek halla e moshuar) Aida zbulon vetëdijen e përkatësisë së saj arbëreshe, krenarinë e harruar e përmes një udhëtimi në vendet e kujtimeve fëminore, gjen gjuhën, traditat e atmosferën e madhështisë së kulturës arbëreshe.

Roli i Aidës interpretohet nga artistja nga Roma por me origjinë kalabreze, Caterina Misasi, e njohur në interpretimin e disa filmave si “100 vitrinat”, “Një mjek në familje”, etj.

Në kastin e aktorëve merr pjesë dhe aktorja me origjinë shqiptare Brixhilda Shqalsi, këngëtarja e njohur arbëreshe Anna Stratigo etj. / KultPlus.com

Arbëreshët në Palermo prezantojnë historinë, kulturën, traditën e veshjet e ruajtura ndër breza

Komuniteti arbëresh (në Piana degli Albanesi) në provincën e Palermos të Italisë, tradicionalisht çdo fillimjanari gjatë festës së Teofanisë prezantojnë historinë, kulturën, traditën e veshjet arbëreshe të ruajtura në breza, transmeton KultPlus.

Kryetari i kësaj komune dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, Rosario Petta, tregon se organizimi i kësaj ceremonie është një nga festat më të përzemërta për komunitetin, pasi përmes saj paraqitet historia dhe origjina e këtij komuniteti arbëresh.

Ministri i Shtetit për Diasporën ka publikuar shkrimin e “Monrealpress.it”, ku theksohet se, edhe këtë vit festivali i Teofanisë u festua në Piana degli Albanesi, një qytet me origjinë Arbëreshe në provincën e Palermos, i cili sjell me vete historinë dhe traditat e veta dhe të paimitueshme.

Ngjarje liturgjike me përmbajtje të lartë fetare, historike dhe tradicionale, unike dhe tejet simbolike, e cila gjithnjë ka tërhequr vizitorë nga pjesë të ndryshme të Sicilisë dhe Italisë.

“Për të pasuruar dhe dhënë ngjyrën dhe çmueshmërinë e festivalit të Teofanisë, janë rrobat tradicionale të traditës arbëreshe, të veshura nga gra, burra dhe fëmijë, tërësisht të qëndisura me dorë në fije ari dhe zbukuruar me bizhuteri ari të punuar me dorë dhe gurë të çmuar. Djemtë dhe vajzat me kostum tradicional shpërndajnë portokallet e bekuara, dhe është e mundur të vizitohen muzetë dhe koleksioni i arit të “Gli Ori di Piana Lucito”, ekspozues të jashtëzakonshëm të argjendarisë së traditës së argjendarisë.

“Kjo është një nga festat më të përzemërta për komunitetin tonë – shpjegon kryetari Rosario Petta – pasi përfaqëson plotësisht sintezën perfekte të traditës sonë fetare, dhe përmbledh në vetvete theksin, solemnitetin dhe respektin e fortë për liturgjitë tona dhe për kulturën tonë karakteristike, plot evokime, histori dhe origjina që e bëjnë atë të pakrahasueshme”. /atsh/ KultPlus.com

Muralet e arbëreshëve në televizionin italian RAI

Muralet e arbëreshëve janë vënë në fokusin e një reportazhi të shfaqur në Televizionin Italian RAI, shkruan KultPlus.

Pamjet dhe rrëfimet për këto murale janë marë nga San Marzanos, nëpërmjet të cilës paraqitet jeta e komunitetit arbëresh.

Për më shumë, këtu është linku italian mbi këto murale. https://www.puglia.com/san-marzano-murales-rai2/?fbclid=IwAR1RaQN45QFSmLjaFd6bM0zWqh0yjpOxG7-06t81WnZ9MMr1VTQZj0TIwzk /KultPlus.com

Arbëreshët rikthehen në Krujë, qendra e tyre shpirtërore

Për të tretin vit radhazi, arbëreshët kthehen në vendin e të parëve të tyre, Krujën.

Me “vallen” arbërore që nis në Durrës – Lezhë – Krujë – Berat, rreth 60 përfaqësues të komuniteteve arbëreshe kujtojnë triumfet e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe betejën e fundit më 24 prill 1467 në Krujë.

Kruja, si kryeqendra e kryetrimit, siç e quajnë arbëreshët Skënderbeun, është edhe momenti më kulmor i aktivitetit, ku para bustit të tij, ata sollën traditën arbërore dhe kulturën e trashëguar prej 550 vitesh.

Pasardhësi i familjes së Kastriotëve, Loris Castriota Scanderbegh shprehet tejet i emocionuar teksa thekson se, “Kruja është shtëpia e madhe e shqiptarëve, qendra shpirtërore e arbërve, vend ku emocionet të përulin para Monumentit të Skënderbeut”.

Në kalldrëmet që shtruan paraardhësit e tyre, ecin të heshtur me kokën në lart, duke parë muret e gurta, ku etërit e tyre e mbrojtën për 25 vite dhe duke i dhënë Shqipërisë një nga historitë më heroike në Europë.

Në hyrje të Muzeut Kombëtar i pret drejtori Mehfi Hafizi, i cili falenderon për vizitën në Krujë, si shembullin më kuptimplotë të ruajtjes së traditës arbërore. Ndërkohë përfaqësues të bashkisë Krujë i japin simbolin e qytetit dy përfaqësuesve të komunave arbëreshe, Rosa Carbone, Presidente e Pro Logo di Lungro dhe Giuseppe Lacovelli, këshilltar i komunës Casalvecchio.

Gjatë ceremonisë, përfaqësues të bashkisë theksuan se “kurdo e sa herë, jeni të mirëpritur në qytetin tuaj, Krujën dhe shumë krenar për faktin e dëshmisë më të pastër evropiane për Shqipërinë, janë arbëreshët”.

Pas Krujës, arbëreshët vizituan Beratin, duke e mbyllur aktivitetin më datë 29 prill./k.s/ KultPlus.com

Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve, këngë e valle në Durrës

Arbëreshë nga zona e Lungros në Kalabri, Casalvechio dhe San Bebedetto Ulano sollën dje një koncert me këngë e vallë tradicionale në qytetin bregdetar të Durrësit.

Në këtë manifestim të zhvilluar para bashkisë me rastin e përkujtimit të betejave të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, arbëreshët u mirëpritën nga publiku durrsak.

Me interpretimet e tyre, arbëreshët spikatën me një nga veçoritë që i karakterizon më shumë; ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre, të cilin e kanë kuruar me një kujdes të jashtëzakonshëm.

Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet, ritet dhe doket. /k.s/ KultPlus.com

Arbëreshët nga Argjentina përkujtojnë Betejën e Koshares

 

Në Argjentinën e largët kanë emigruar shumë arbëreshë në shekullin e 19-të. Ata edhe sot e kësaj dite nuk e harruan gjuhën dhe identitetin shqiptar, dhe besohet se janë me qindra mijëra arbëreshë që jetojnë në Argjentinë, dhe njëri nga ata është Imzot Aleksandër i Shqiptarëve, në Bueonos Aries, që shume aktiv në rrjetin social Facebook.


ARGJENTINE, 1913: Arbëreshët edhe në fund të botës nuk e harrojnë Identitetin e tyre Shqiptar. Në Buenos Aires, Argentina me flamurin shqiptarë, dhe mbishkrim në gjuhën shqipe.

Ai me një grup të arbëreshëve që mbajnë flamurin shqiptar ka përkujtuar 20 vjetorin e Betejës së Koshares.

Postimi i plotë:

Mirëmëngjesi e javë të mbarë, Miqësi e dashur, i nderuar Patriot dhe Atdhetar, Sot ne kujtojmë mbushen 20 vjet nga Beteja e Lavdishme e Koshares, dhe thyerjes së kufirit Shqiptaro – Shqiptar!!!

Sot Përkujtuar 28 Dëshmorët dhe 32 Martirët e rënë para 20 viteve, në betejën e 9 Prillit 1999, në Lagjen e re dhe te përroi i Rakocit!!! Lavdi dhe Homazhe e Dëshmorëve, rënëve për Çlirimin e Kaçanikut dhe Kosovës!!!

Lavdi të rënëve Dëshmorë, dhe gjithë Luftëtarëve, pjesëmarrës të kësaj Beteje, qe nuk mund te përshkruhet me fjale!!! Shume Respekti të Rënëve dhe Familjarëve, lutem per Bekim hyjnor, ngushëllim e forcë për Familjarëve e Viktimave!!!

Në këtë morën pjesë Luftëtarë nga të gjitha trojet Tona dhe nga Diaspora, dhe kjo vetvetiu u bë Simbolikë e Angazhimit gjithë Kombëtar për përzërjen e armikut Tonë, nga trojet Tona!!! Uroj që gjeneratat e reja mos të harrojnë asnjëherë Sakrificën e Dëshmorëve dhe Martirëve!!!

Kurre mos i humb shpresat per te ardhmen e Kombit tone Martir dhe te gjalle e te pazhdukshem!!! Do vije shume shpejt ajo dite qe do fitojme Lirine dhe Bashkimin Kombtar!!! Lavdi Dëshmorëve dhe Martirëve te 9 Prillit!!! Rrofte gjithe Martirëve dhe Herojte Shqiptarë Kosovës e Kombit tone qe u Sakrifikuan per Lirine e Drejtesine e Kombit tone!!! Rroft Liria, dhe Rroft Dardania Sacra!!!

Gjaku i tyre u bë rrugërrëfyes për Altarin e Lirisë!!! Rroft Kombi Shqiptare!!! Në Lavdinë e Kombit tonë Shqiptar përgjithmonë!!! Rroft Kosovës ërgjithmonë!!! Në Lavdinë e Kombit tonë Shqiptar përgjithmonë!!! Rrofte gjithe Herojte e Kombit tone qe u Sakrifikuan per Lirine e Drejtesine e Kombit tone!!! Une jam krenar per ty, Flamuri Kuq e Zi me i bukur ne bote!!! Rrnoft krejt Shqiptarija – Pelazgo – Illyrian nje nga shtetet me te vjetra nket planet dhe askush smund te na hup faren!!! Ne jete te jeteve, Rrofte Shqipëria dhe ata qe e duan ate!!!

Rroftë Shqipëria Etnike!!! Shpirti i Arbrit nuk vdes kurrë!!! I Liris se Iliris!!! Autoctonus!!! Të gjithë bashkë Vëllezër e Motra deri në përmbushjen e detyrës Tonë të Shenjte!!! Së Bashku nuk do të humbasim kurrë!!! Populli i Bashkuar kurrë nuk do të mposhtet!!! Zoti e Bekofte Kosovës!!! Zoti e Bekofte Shqipërinë dhe Shqiptarët!!! Shërbëtor i përulur i Zot dhe Shqipërisë./ KultPlus.com

Në Greqi ka 4 milionë shqiptarë me origjinë të pastër arvanite dhe arbëreshe (VIDEO)

Në Greqi ka 4 milionë shqiptarë me origjinë të pastër arvanite dhe arbëreshe. Kjo është deklarata që bën gazetari Rafael Floqi në një material për Arvnitasit të shfqaur në televizionin e shqiptarëve të Amerikës, AlbTV USA.

Ai tregon historinë e asimilimit të shqiptarëve në Greqi duke iu referuar dokumenteve, librave dhe studimeve të shqyrtuara nga historiani Arben Llalla. Për të pasur një pasqyrë më të gjerë të shqiptarëve që njihen si grekë në Greqi ndiqni materialin e mëposhtëm. /KultPlus.com

Nga Skrapari, mysafir në paradën e arbëreshëve

Nga Sulo Gozhina
Kthehet në Vendlindje grupi popullor i Isopolifonisë, i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali.

Është kthyer në qytetin e Çorovodës ku dhe është pritur nga kryetari i bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu, grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”, i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali. Me këtë rast kryetari i bashkisë Spahiu falënderoj artistët që përfaqësuan një trevë sa mikpritëse e bujare, po edhe aq artdashësve, ndërsa falënderoj edhe miqtë arbëresh në Itali, për mikpritjen e grupit të artistëve, si dhe “Rai 3” që i kushtoi një rëndësi të veçantë eventit dhe kryesisht grupit të Skraparit që interpretoi mes dhjetëra grupeve në këtë event të rëndësishëm në Kalabri….. Në këtë kontekst kënga skraparase ka bërë jehon në mes të vëllezërve arbëresh. Le t’i urojmë suksese sot, Grupit Folklorik të Skraparit që ishte mes vëllezërve arbëreshë me këngën, traditën dhe krenarinë që na përfaqëson denjësisht në çdo event… Skrapari është një këngë që nuk mbaron ndër shekuj… le ta ruajmë së bashku traditën e bukur popullore.

Nënkryetarja e bashkisë e cila shoqëroj grupin në fjalë Rudina Llango tha për gazetën se ishte një performancë e shkëlqyer e grupit popullor të Isopolifonisë “Riza Cerova”, ku me interpretimin e tij, këngëve dhe valleve në një skenë madhështore e ngritur enkas për këtë event, grupi në fjalë, jo vetëm mori duartrokitjet e atij publiku artdashës e patriot, por me vallet e tij, grupi ngjiti në skenë qindra banorë arbëreshë, ku më e veçanta për publikun arbëresh që duket se ngriti peshë edhe zemrat e tyre, ishte kënga e vogëlushes Keilin Harizaj “Xhamadani Vija –Vija”. Krenar Xhaferri drejtori për turizmin dhe marrëdhëniet me jashtë në këtë bashki tha se pjesëmarrja në event e grupin nga treva Skraparit ishte një ftesë e ardhur në bashkinë Skrapar nga kryetarit të komunës Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla. Në këtë event e veçanta ishte se veç këngëve dhe valleve popullore, grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”, i bashkisë Skrapar, mori pjesë në Paradën e Kostumeve Arbëreshë 2018.

Vlen të përmendet se është hera e parë pas 25 vjetësh që një grup i këngëve dhe valleve popullore të trevës të Skraparit nga Shqipëria merr pjesë në një event të rëndësishëm në Kalabri dhe kjo u mundësua nëpërmjet kontributit të Ish-Ministrit të Turizmit Damiano Gualiardi si dhe mbështetjes së kryetarit të bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla.

Në këtë event merrnin pjesë grupe popullore nga komuna të shumta arbëreshe të veshura me kostume tradicionale popullore. Në këtë event madhështor të pikasur, jo vetëm nga përformancat e shkëlqyera të grupeve të ftuara që ishin veshur me kostumet tradicionale popullore, por dhe nga interpretimi i shkëlqyer në skenën e krijuara enkas që shkonin në harmoni me kostumet, këngët, vallet dhe traditat popullore të secilit grup. Skrapar përbëhej nga grupi i burrave i përbërë nga këngëtarët Nesim Meno, Sefedin Çela, Kastriot Aliohoxha, Nikola Meno dhe i grave i përbërë nga këngëtarët Dashuri Hysaj, Drita Qafoku, Djana Ymeri, Zhaklina Musabelliu, Isabela Kuçi, pjesë e grupit ishte dhe vogëlushja Keilin Harizaj. Parada e kostumeve arbëreshë 2018, filloi me manifestimin e grupeve të ftuara të cilat të veshura me kostume popullore, parakaluan në rrugët e qytetit të zbukuruara me pankarta.

Grupi i Iso-polifonisë i bashkisë Skrapar paraprinte paradën i veshur i gjithi me kostume popullore si dhe gjatë paradës valëviste flamurin e bashkisë dhe Flamurin Kombëtar. Ngjyrat e ndezura të kostumeve, ornamentet e tyre, ngjallën kuriozitetin e arbëreshëve të cilët nuk nguronin që të pozonin së bashku me grupin për të shtuar në arkivin e kujtimeve të tyre edhe foto nga grupi i Skraparit i veshur me kostume tradicionale . Gjatë paradës grupet e ftuara si dhe grupi i Skraparit performuan live këngë të ndryshme popullore të cilat krijuan një atmosferë festive . Në mbrëmje grupi popullor i Isopolifonise “Riza Cerova” dha e një Koncert festiv. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla vlerësoi shumë pjesëmarrjen e grupit “Riza Cerova” në event si dhe theksoi faktin që shqiptarët kudo që janë paraqesin vlera dinjitoze njerëzore dhe integruese duke u shndërruar në faktorë zhvillimi dhe shembulli më i mirë i këtyre vlerave ishte komuniteti i shqiptarëve që jetonin në këtë komunë të mirëintegruar që gëzonin vlerësimin dhe mirënjohjen e komunitetit.

Pas fjalës së kryetarit Antonio Pomilla, ishte radha e grupit për të performuar në skenë. Shfaqja e hap me këngën e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj, “djemtë e Skraparit” e cila menjëherë krijojë atmosferë veçanërisht tek komuniteti shqiptar të cilët u ngritën dhe kërcyen së bashku me grupin. Pas saj ishte radha e këngës popullore “O Skrapar mali me lule” e kënduar nga këngëtarët Nesim Meno dhe Sefedin Çela, bilbilave të Skraparit, pasardhësve të denjë të artistit të popullit Demir Zyko, te cilët me fuqinë e zërit, bënë për vete publikun duke marrë duartrokitje të shumta. Atmosfera festive vazhdoi me performancën e këngës “sevdaja mu shtua”, e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj e cila e menaxhon mjaft mirë skenën dhe krijon atmosferë. Kënga isopolifonike “Porositë e mia” e interpretuar nga këngëtaret Drita Qafoku dhe Djana Ymeri u prit me duartrokitje të shumta nga publiku . Mbyllja me interpretimin e vogëlushes Keilin Harizaj me këngën “Xhamadani Vija –Vija” e ngriti në këmbë publikun, i cili festoi së bashkë me grupin e Skraparit në skenë.

Grupi Isopolifonik i Skraparit krahas vlerësimeve kombëtare çmimeve të shumta të marrë në festivale, korri dhe një tjetër sukses të madh në skenat kalabreze duke marrë dhe ftesa për koncerte të tjerë. Vlen të përmendet se mes “ngjyrave” shekullore që flasin shqip, kostumeve, traditave, ritualeve dhe festës arbëreshe, në Vaccarizzo Albanese, Itali – këtë vit mori pjesë edhe grupi folklorik i Skraparit. Edhe rrjeti televiziv Rai 3, në edicionin rajonal foli për vëmendjen që tërhoqi ky event dhe për pjesëmarrjen e grupit tonë folklorik i kësaj bashkie./ KultPlus.com

Figura e Skënderbeut, rol vendimtar në identitetin arbëresh

At Antonio Bellusci, i vlerësuar për veprën e tij si historian, folklorist dhe etnograf shumë i rëndësishëm i traditës arbëreshe dhe arvanite, mbajti ditën e djeshme një leksion të hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet.

“Skënderbeu ndër Arbëreshët” ishte tema e ligjëratës dhe gjithashtu ai bëri dhe promovimin e tre librave me titull “Ricerche e studi tra gli Arberori dell’Ellade”; “Gli Arberori-Arvaniti un popolo invisibile” dhe libri “Antologji Arbëreshe – prozë dhe poezi gojore”.

Në aktivitetin e organizuar morën pjesë At Antonio Bellusci, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, Brizida Gjikondi dheErion Kristo.

Në fjalën e tij Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, ndër të tjera tha se, “muzeu Historik Kombëtar është i nderuar të ketë sot At Antonio Bellusci. Muzeu Kombëtar ka në misionin e tij të promovojë trashëgiminë kulturore dhe historinë e Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Arbëreshët jo vetëm e ruajtën gjuhën dhe kulturën, por kultivuan një histori të lavdishme politike, fetare, letrare, artistike dhe gjuhësore”,u shpreh Koçi.

”Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka luajtur një rol vendimtar në kujtesën historike dhe në rrënjët identitare të popullit arbëresh. Ajo është ura lidhëse mes arbëreshëve dhe shqiptarëve dhe është një nga pikat e referimit që ka sot dhe që ka pasur gjithnjë kultura arbëreshe. Me mitin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, arbëreshët prodhuan një kulturë përtëritëse, pasi përmes figurës së tij u ndërtua dhe jetësua kultura dhe e gjithë kujtesa e kësaj popullate”, theksoi drejtori i muzeut kombëtar Dorian Koçi.

“Përfundimisht, mund të themi se figura e Skënderbeut për kombin tonë dhe për arbëreshët përfaqëson figurën, që i jep kuptim të shkuarës dhe është themel për të ardhmen”,përfundoi Koçi.

At Antonio Bellusci tha se “arbëreshët janë si një muze ku lëviz shpirti i Skënderbeut. Identiteti i arbëreshëve është një fenomen, fenomen i cili është një realitet. Arbëreshët e Italisë kanë ruajtur identitetin e Arbërisë. Komunitetet kanë ruajtur kujtimin historik të origjinës së vendit-nënë”.

”Jam shumë krenar që kam nënshtetësinë shqiptare dhe jam qytetar i vendit nënë të arbëreshëve”, do të përfundonte At Antonio Bellusci.

Për të pranishmit u shfaq, për herë të parë në Shqipëri, dokumentari “Miti i Skënderbeut – Heroi kombëtar i shqiptarëve”.

Gjithashtu, të pranishën në këtë aktivitet ishin dhe shumë personalitete të historisë dhe arkeologjisë, si edhe të interesuar të tjerë. Në fund të takimit të pranishmit i drejtuan pyetje At Antonio Bellusci duke treguar një interes të madh për dijet e tij.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut./ KultPlus.com

Haradinaj: Arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi për shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Itali, zhvilloi sot një takim të veçantë me përfaqësuesit e arbëreshëve të atjeshëm.

Haradinaj “vlerësoi lartë angazhimet e tyre të pareshtura për të ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar shqiptar”, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.

Haradinaj tha se arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët.

“Kosova po i bashkohet familjes së popujve evropian dhe kjo i forcon edhe më shumë lidhjet tona shpirtërore dhe kombëtare”, tha kryeministri Haradinaj.

Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, Haradinaj ftoi përfaqësuesit e organizatave kulturore arbëreshe që të vizitojnë sa më shpesh Kosovën.

“Për mua është një moment domethënës qëndrimi me ju sot. Ju e keni mbijetu ndër shekuj identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane, të trashëguara që atëherë. Dëshiroj të ju them se ne ju çmojmë shumë”, tha Kryeministri Haradinaj në një bashkëbisedim me arbëreshët e Italisë por edhe kosovarë që prej kohësh jetojnë në Itali.

Kryeministri po ashtu tha se marrëdhëniet me komunitetin arbëreshë të Italisë janë shumë të rëndësishme, dhe në këtë drejtim shqiptarët duhet t’i intensifikojnë ato, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie kulturore e kombëtare, por edhe kultivimin e miqësisë së ndërsjellë.

Haradinaj vizitoi edhe Kishën Katolike Abreshe Shën Thanasi dhe Kolegjin Grek, ku u njoftua për së afërmi me vlerën historike dhe kulturore të këtyre dy monumenteve nga intelektuali arbëresh Domenico Morelli. / KultPlus.com

Ilir Meta: Arbëreshët frymëzojnë çdo shqiptarë

Presidenti shqiptar Ilir Meta, ka pritur në takim shoqatën “Vorea” të arbëreshëve të Italisë me qendër në Frascineto, shkruan KultPlus.

Këtë takim Meta, e publikoi edhe në rrjetin social Facebook, duke thënë se është një takim i ngrohtë vëllazëror me tre gjenerata arbresh.

“Mbresëlënës takimi i ngrohtë e vëllazëror me tre gjenerata arbëreshe. Përkujdesja e tyre për të ruajtur e përcjellë brez pas brezi, gjuhën e mrekullueshme shqipe, ritet, kulturën e traditat tona të spikatura dhe në veçanti për të lartësuar figurën e Skënderbeut, frymëzon çdo shqiptar. Mirënjohje për punën e palodhur të shoqatës “Vorea” me qendër në Frascineto, që promovon vlerat tonat kombëtare e punon prej vitesh për ripërtëritjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve të arbëreshëve të Italisë me Shqipërinë. Ju uroj një të diel të mbarë miq!:, ka shkruar presidenti Ilir Meta./KultPlus.com

Dasma e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Donikën, nëpërmjet fotografive (FOTO)

Në mesditën e së dielës, në Kalanë e Kaninës janë mbledhur shqiptarë nga të gjitha anët që të shndërrohen në krushqi të dasmës së Gjergk Kastriot Skënderbeut me Donikën, ceremoni kjo që është përcjellë nga afër edhe nga KultPlus.

Bashkë me 60 arbëreshët e Italisë, Fate Valaj dhe Elida Jorgani kanë organizuar këtë ceremoni që në të njëjtën kohë, për të dytin vit me radhë po shënohet edhe Vallja e Fitores.

Vetë njëri nga organizatorët e kësaj ceremonie sapo ka bërë publike fotografitë e kësaj dasme, ku KultPlus ju sjellë edhe njëherë më afër këtyre emocioneve./KultPlus.com
























Arbëreshët në Lezhë e Krujë: Gjaku nuk prishet

Mëngjesi i së shtunës kishte sjellë në Portin e Durrësit 60 arbëreshë nga Italia, të cilët kanë ardhur në pjesën tjetër të detit të shënojnë Vallen e Fitores, në 557 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Një festë të tillë gjithmonë e kanë shënuar në Itali, në pjesë të ndryshme ku janë shtrirë arbëreshët tash e mbi 500 vjet, por këtë traditë të tyre, të njëjtit po e festojnë tash e dy vite edhe në Shqipëri.

Krejt kjo festë bëhet për shënimin e fitores së betejave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndaj forcave otomane, dhe prijësi i tyre nga ana tjetër e detit, Pirro Qendro ka thënë për KultPlus se kjo iniciativë lindi si dëshirë,më pas për tu shndërruar në një realitet, dhe sipas tij, ansamble të ndryshme të arbëreshëve, të cilët prezantohen edhe me pika të ndryshme muzikore tashmë janë pjesë edhe e shumë festivaleve mbarëkombëtare.

Arbëreshët e Italisë, fillimisht kanë nisë prezantimin e tyre në Kalanë e Prezës, për të vazhduar më pas në Memorialin e Skënderbeut, e krejt në fund të Kalaja e Krujës,për të shënuar kështu paraqitjen e fundit të tyre të ditës së parë, pasi që, prezantime të ndryshme të këtij komuniteti do të paraqiten edhe përgjatë ditës së sotme dhe ditën e hënë.

Gjaku nuk prishet, ne jemi si dallëndyshet, kthehemi cdo herë në pranverë, dhe deklarata të ngjashme që tregojnë se ky komunitet nuk do të harrojë asnjëherë rrënjët, ishin vetëm disa prej deklaratave të cilët shprehën arbëreshët, mu pranë varrit të Skënderbeut, sikurse donin ti tregonin heroit të madh kombëtar, se pasardhësit e tij do të kthehen gjithmonë te rrënjët e tyre.

Noe Andreano, përfaqësues i Kazalvekios në Itali para të pranishmëve ka thënë se janë të nderuar që janë në Shqipëri. “Jemi shumë të nderuar që po shënojmë betejat e Skënderbeut, mbi të gjitha, historinë tonë. Dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet që të rujmë traditën dhe kulturën tonë. Atë që e bëjmë ne, edhe ju e bëni, sepse, gjaku nuk prishet”, ka thënë Andreano.

Kurse përfaqësuesi nga Lungro, Gjyzepino Santoniano përpos që ka treguar për gatishmërinë e arbëreshëve për të ardhur në Shqipëri dhe më gjerë, i njëjti ka bërë ftesë që edhe pjesa tjetër këndej detit të vizitojnë këtë komunitet që po ruan me kaq dashuri kulturën shqiptare, sikurse njëjtë është shprehur edhe pasardhësi i Gjergj Kastriot, Loris Castriota Skenderbeg.

Kurse Paulin Zefi nga Qendra Memoriale e Skënderbeut, përpos që ka uruar mirëseardhje për arbëreshët, ai ka shprehur një një mirëseardhje për të gjithë shqiptarët që po marin pjesë në këtë festë.
“Kur ju shohim juve, ne na duket sikur është ndaluar koha, ne në ju shohim se si ishim me të vërtetë para pushtimit osman, dhe domosdo na bëni të ndihemi krenarë në zemrat dhe shpirtat tonë”, ka thënë Zefi, i cili ka shprehur një lutje që një vizitë e tillë të bëhet edhe më shpesh, sepse, sipas tij, arbëreshët janë shembulli më i mirë se si mbahet gjallë kombi shqiptarë.

Kurse Elida Jorgoni, organizatore e këtij manifestimi ka thënë që shqiptarët këndej detit u zgjuan më në fund nga gjumi, pasi që, sipas saj, arbëreshët që 551 vjet festojnë clirimin e Krujës, kurse në Shqipëri, kjo festë po shënohet tash e dy vite. “U zgjuam më në fund nga ky gjumë vrastar”, ka thënë Jorgoni.

Ndërkohë, kjo festë e madhe arbëreshe është mbyllur me këngë dhe valle te Kalaja e Krujës. Përderisa arbëreshët po ngjiteshin rrugës për në Kalanë e Krujës, Ansambli I Këngëve dhe Valleve “Dasma”, nga Pozhorani i Vitisë, me këngë e valle po vinin në drejtim të arbëreshëve, një puqje kjo mu në majë të Kalasë, për të bashkuar shqiptarët andej e këndej detit, nëpërmjet këngës e valles.
Kurse sot pritet të jetë një festë e madhe, pasi që do të shënohet damsa e Gjergj Kastriot Skënderbeut me Donikën, ku krushqit do të shkojnë të marin nusen në Kalanë e Kaninës. /KultPlus.com

Tash e 500 vjet mrekullojnë italianët me kulturë shqiptare, Arbëreshët festojnë Pashkët (FOTO/VIDEO)

KultPlusju sjellë fotografi të realizuara nga fotografi Mario Calivà në Horën e Arbëreshëve ku janë duke u mbajtur manifestime të ndryshme për të shënuar Pashkët.

Festimet për Pashkët nisin që më 25 mars dhe përfundojnë më 1 prill, të dielën e Shenjtë të Pashkëve ku mbahet mesha e celebruar nga peshkopi me ritualin e “tryezës së shenjtë”.

Një regjistrim i kohëve të fundit tregon se ka rreth 800 veshje në Horën e Arbëreshëve, 500 prej të cilëve vishen për Pashkë. Për të shënuar Pashkët, arbëreshët organizojnë parada pas të cilës jepet bekimi dhe shpërndahen vezët e kuqe.





Vezët e kuqe përfaqësojnë një traditë shekullore të Horës së Arbëreshëve dhe në përgjithësi të të gjitha komuniteteve lindore greko-bizantine dhe ritet ortodokse. Ato shprehin jetën, pjellorinë dhe Ringjalljen e Krishtit.

Hora e Arbëreshëve ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).



Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan.
Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëve është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio.


Bashkia përdor në dokumentet zyrtare gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali./KultPlus.com

Arbëreshët i këndojnë Skënderbeut (VIDEO)

Arbëreshët shihen duke i kënduar Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilët me këngët e tyre e nderojnë heroin kombëtar, shkruan KultPlus.

Arbëreshët këtë përvjetor janë duke e shënuar me shumë aktivitete të ndryshme nëpër sheshe të Italisë, komunitet ky që i rezistoi periudhës 500 vjecare për të ruajtur kulturën dhe traditën shqiptare. Shikojeni për të ndjerë emocionet e këtij intepretimi./KultPlus.com


20 arbëreshë të Italisë pushtojnë Shqipërinë për Vitin e Skënderbeut

“Të dua Arbëri” një aktivitet me përmasa mbarëkombëtare pritet të zhvillohet nga data 1 deri ne 6 Maj në Shqipëri në kuadër të shpalljes nga Qeveria Shqiptare, të vitit 2018 si Viti i Skënderbeut.

Aktivitetet do të shtrihen në Tiranë, Krujë, Lezhë, Bulqizë, Peshkopi dhe Dibër të Madhe. Grupeve etnike do t’u shtohen edhe një grup i madh i shqiptarëve të Italisë. Gjatë ditëve të aktivitetit një grup prej të paktën 20 arbëreshësh, do të performojnë në muzikë, teatër, kulinari, traditat më të mira të spikatura, nga enciklopedia njerëzore e arbëreshëve, paraardhësve të shqiptarëve të Italisë, një nga rastet unikale në botë të ruajtjes në këtë formë kaq sublime të jetës së të parëve të tyre.

Në kuadër të shkëmbimit të këtyre traditave dhe aktivieteve të larmishme që do të zhvillohen në Tiranë dhe në rrethe të vendit, Qendra Albanian Excellence në Tiranë dhe Shoqata Vorea, me qendër në Frascineto, Itali, kanë nënshkruar pak ditë më parë në në këtë qytezë të vogël të Kalabrisë një marrëveshje bashkëpunimi. Frascineto banohet nga shumica e një popullate arbëreshe. Sipas Presidentes së Albanian Excellence, Flora Nikolla: “Marrëveshja ka në qendër të saj, evindentimin ,vlerësimin, njohjen dhe përhapjen e traditës arbëreshe, një qëndrese kjo kolektive e admirueshme ndaj të parëve të tyre, që kurse u detyruan të lënë Arbërinë pas shekullit XV, me vdekjen e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”

Kjo marrëveshje u nënshkrua në Komunën e Frascineto-s, në prani të Kryetarit të Komunës, Dr. Angelo Catapano, për Albanian Excellence nga Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës, znj. Flora Nikolla dhe për Shoqatën Vorea nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Lucia Martino.

“Kjo marrëveshje parashikon një bashkëpunim dyvjeçar mes dy shoqatave të njohura për aktivitetin e tyre konkret në favor e në mbështetjes të vlerave më të mira shqiptare dhe arbëreshe, në kulturë, art dhe turizëm , një sferë për të cilën dy shoqatat do të angazhohen përmes shumë iniciativa të reja, nisur edhe nga që turizmi është më pak i zhvilluar mes dy vendeve në kohën e ushtrimit të turizmit kulturor, elitar dhe emocional me nota argëtimi:”, tha Flora Nikolla për “Shqiptarja.com”.

Marrëveshja, parashtron njëherazi edhe organizimin e aktivitetit shumëdimensional. Në bazë të kësaj Marrëveshje, gjatë këtyre ditëve , grupi prej të paktën 20 arbëreshësh i bashkohet projektit “Të dua Shqipëri ! ” Kryetari i Komunës së Frascinetos, Dr . Catapano , ka përgëzuar palën shqiptare për nënshkrimin e kësaj marrëveshje duke e cilësuar si “një hap më shumë më afrimin mes Arbëreshëve të Italisë dhe Shqipërisë”.

Ai falënderoi gjithashtu të dy shoqatat , për vullnetin e tyre të mirë në organizmin e aktivitetit “Të dua Arbëri “ në muajin Maj në Shqipëri, duke u shprehur optimist që ky aktivitet kaq domethënës , do të vijojë edhe me aktivitete të tjera nga të dyja shoqatat , shqiptare dhe italo-arbëreshe.

Zonja Lucia Martino, aktiviste e njohur edhe në bashkëpunimet e mëparshme dhe një zonjë e rrallë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditës arbëreshe tha se, ishte e emocionuar dhe priste me padurim zhvillimin e “Të dua Arbëri”, ku ajo do të prezantonte njëherazi me grupin e saj të gjithë atë punë të vullnetshme e plot dashuri, që ka bërë për një kohë të gjatë, në krijimin e traditës teatrore , të ruajtjes së kulturës së gjithë kahershme shqiptare përfshirë edhe kulinarinë të cilën ajo me shumë zell, dëshiron t’ua bashkëngjisë edhe menuve të restoranteve shqiptare.

Flora Nikolla, drejtuese e Qendres Albanian Excellence është shprehur se projekti, “Të dua Arbëri”, është një projekt i ndërtuar, me dhe mbi dashuri e vlerësim për këtë pjesë shqiptaro-italiane, të cilët me devotshmëri kanë ruajtur deri më tani, gjuhën, traditat, doket shkrimin e shqipes, ashtu sikundër edhe ritet fetare.

Flora Nikolla është shprehur më tej se “në të gjitha fushat sikundër edhe letërsia arbëreshe, ka shumë krijues, poetë, shkrimtarë, intelektualë të njohur, jo vetëm në Itali e Shqipëri por kudo edhe në mërgatë dhe kjo është një detyrë më shumë e shoqatës që ajo drejton për evidentimin dhe botimin e tyre në një të afërme, në vëllime të veçanta, si një vlerë e shtuar e këtij fenomeni historik dhe me vlera unikale”./ KultPlus.com

Kënga arbëreshe “Na martohet Jurendina” e lashtë sa gjuha shqipe (VIDEO)

Këngetari Pino Kakoca (1957), është një arbëresh nga katundi Shënd Dimitër Koroni në Kalabri, prej nga ishte edhe shkrimtari e poeti, Jeronim de Rada. Fakti se kjo pjesë e ka ruajtur më shumë fanatizëm traditën shqiptare dëshmohet edhe përmes kësaj këngë arbëreshe e cila është e lashtë po aq sa gjuha shqipe, shkruan KultPlus.com

Kjo këngë flet për martesën e Jurendinës, ndërsa fton burra, gra e vasha të stolisura që të jenë pjesë e këtij ahengu për ta përcjellur martesën e saj me dhurata, valle, daulle, çifteli e dolli.
KultPlus po ju përcjellë këtë këngë arbëreshe të shoqëruar me pamje të jetës dhe kulturës arbëreshe në Itali, atje ku ata ruajtën traditën për 600 vite me radhë.

“Ngini (ngitni, ngani), oj gjindë të mira
Me dhurat’ e me dafina
Se martohet Jurendina
E ju, gra më të mëdha
Vjershëroni ju në dasmë
Lumturinë e Jurendinës
E ju, vashës të stolisur
Dridhni vallet të nisur
Me daull e çifteli
Ngrëni qelqet për dolli
Më fund e helqni këta raki
Për harenë e Jurendinës
Dehëni burra se na ndodhet
Një ditë çë s’mënd harrohet
Na martohet Jurendina
Qesh, oj më’, pa lot ndër sy
Nusja vete në Venetì
E Kostandini është besnik”.

Arbëreshët e Italisë Jugore (pjesa më e madhe) janë me prejardhje nga Shqipëria Jugore nga emigrimet e viteve 1400-1500-ës, si dhe nga viset arvanite të Greqisë jugore të po atyre viteve (pjesa më e madhe e tyre nga Labëria/Viset Çame nën Sarandë (Xarra, Butrinti, Markati apo Konispoli)./KultPlus.com

Arbëreshët po fascinojnë me ruajtjen e kulturës shqiptare (FOTO)

Është një ndër komunitetet që po fascinon botën me paraqitjen e tyre nëpër rrugët dhe sheshet e Italisë, të cilët, me rastin e festave të ndryshme ata prezantojnë edhe kostumet e tyre, shkruan KultPlus.

Duke përfshirë: gra, burra e fëmijë, arbëreshët me paraqitjen e tyre vazhdojnë të tregojnë një kulturë të ruajtur 500 vjeçare, të trashëguar brez pas brezi.

Të njëjtit kanë iniciuar edhe mbrojtjen nga UNESCO, gjithnjë duke potencuar këto elemente, bartja e kulturës nëpër shekuj dhe ruajtja e vlerave të këtij komuniteti që është i shtrirë në vende të ndryshme të Italisë./KultPlus.com

“25 gërsheta”, tre arbëreshë në Tiranë sjellin këngët e traditës me motive rok (VIDEO)

Janë arbëreshë dhe këndojnë në gjuhën e tyre. Këngë që ne dhe ata përtej detit, i kanë trashëguar brez pas brezi.

Njihen në Itali si Peppa Marriti Band dhe janë unikë në atë që bëjnë. Sepse nuk bashkojnë vetëm muzikën rrok dhe atë reage, por edhe sepse këndojnë në një gjuhë të veçantë. Ata këndojnë këngë arbëreshe.

https://www.youtube.com/watch?v=GWHlV8N4gYk

“Unë kam mësuar arbërisht nga nëna ime. Ajo është me origjinë shqiptare e në shtëpi më fliste gjithnjë në gjuhën arbëreshe. Madje edhe kur dilnim jashtë komunikonim në këtë gjuhë. Ne që kemi lindur në vendet arbëreshe, gjithnjë pyetemi nga fqinjët e qytetarët e vendit ku jetojmë: Si ka mundësi që flisni një gjuhë si kjo? Çfarë gjuhe është? Është një gjuhë e vjetër? Arkaike, i përgjigjem gjithnjë. Është një shqipe e vjetër kjo që flasim ne, një shqipe që ka 5 shekuj që mbijeton. Kush jam unë që të mos ia përcjell fëmijëve të mi?”

Thonë se për brezin e ri muzika arbëreshe duke më interesante kështu, pra, pak më rrok.

Angelo Conte nuk është i vetmi që kupton, flet dhe këndon në gjuhën arbëreshe. Edhe violinisti i bandës Pino Murano rrëfen për Vizion Plus se muzika e trashëguar e ka ndihmuar të mos e harrojë gjuhën e gjyshërve dhe prindërve të tij.

Francesko nuk është i vetmi Italian në bandë. Demetro është rritur me shokët e tij arbëreshë dhe pjesë të kohës së lirë kishin jo pak herë këngët arbëreshe.

“Kur regjistruam këngët e para isha shumë entuziast, edhe pse ishin këngë që nuk vinin nga tradita ime. Tani jam përfshirë në to. Ndoshta edhe sepse janë krijimet tona. Secili nga ne ka një pjesë muzike në to. Sepse ne të gjithë punojmë bashkë me tekstin, me muzikën, me alternimin e rrokut dhe elementeve rege. Jemi të gjithë në një, me emrin Peppa Marriti”.

https://www.youtube.com/watch?v=yG7RFA-7Fz0

Për tre arbëreshët kjo nuk është hera e parë që vizitojnë Tiranën. Dëshira për të njohur trojet e të parëve i ka sjellë edhe më herët në Shqipëri. / KultPlus.com

Roli i arbëreshëve, i pazëvendësueshëm për ruajtjen e gjuhës shqipe

“Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave, dokeve e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj”, u shpreh presidenti Meta gjatë takimit me personalitetet e shquara arbëreshe, Imzot Giorgio Demetri – Gallaro, Arqipeshkv i “Piana degli Albanesi”, Profesor Mateo Mandala – Universiteti Palermos dhe Profesor Francesko Altimari – Universiteti i Cozencas.

Presidenti Meta vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesorëve të nderuar arbëreshë në fushën e studimit të gjuhës shqipe dhe të shkencave të Albanologjisë dhe rolin frymëzues shpirtëror në “Piagna degli Albanesi” të Arqipeshkvit Imzot Gallaro.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka jo vetëm për arbëreshët dhe shqiptarët, por edhe për Italinë si dhe për kulturën botërore, trashëgimia e komunitetit arbëresh, historia, traditat e tyre si një vlerë jomateriale e kulturës botërore në kuadër të UNESCO-s.

Meta vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin arbëresh, intelektualët dhe shoqatat e tyre në Itali për të organizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të vitit të Skënderbeut, të kësaj figure përbashkuese dhe emblematike për kombin tonë./KultPlus.com

Besnikëria e Arbëreshës me plis, kitarë e harmonikë (VIDEO)

Arbëreshët e Italisë vazhdojnë të mrekullojnë me performnca të ndryshme, qoftë me muzikë apo valle, gjithnjë duke i kombinuar edhe me kostumet tradicionale, që janë shumë të vecanta, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, arbëreshët kanë zgjedhë të këndojnë në hapësirë publike këngën “Besnikëria e Arbëreshës”, ku shihen intsrumentistët të kenë vendosur edhe plisin. Për më shumë, ndiqeni emocionin që sjellin arbëreshët./KultPlus.com

Vazhdojnë traditën e të parëve, vajza arbëreshe me veshje tradicionale

Arbëreshët e Italisë po mrekullojnë botën me ruajtjen e kulturës së tyre, edhe përkundër faktit se tash e 500 vite janë duke jetuar jashtë trojeve shqiptare, shkruan KultPlus.

Pikërisht për specifikat e tyre, në ruajtjen e gjuhës, traditës e kulturës, së fundi është bërë edhe kërkesa që kultura e tyre të mbrohet edhe nga UNESCO.

Janë komuniteti më aktiv në Itali, të cilët shumë shpesh organizojnë edhe performanca në sheshe të ndryshme të Italisë, duke promovuar kështu edhe kostumet mbresëlënëse.

Në këtë foto shihen disa vajza të vogla, të cilat janë veshur me kostume tradicionale, dhe pa dyshim vihet në pah edhe bukuria e rrallë e tyre./KultPlus.com