Edhe sivjet rimbursim për blerjen e librave, aplikimi prej nesër

“Edhe sivjet, tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen si në praktikën e vitit të kaluar duke subvencionuar prindërit”, tha Nagavci në një konferencë për media.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) do t’ua transferojë paratë prindërve edhe sivjet, në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor, tha të martën ministrja Arbërie Nagavci.

Ajo tha se prindërit mund të fillojnë të aplikojnë online qysh nga e mërkura e 14 gushtit në platformën E-Kosova për rimbursim.

Përndryshe, nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë do të subvencionohen me 110 euro, njoftoi ajo./ KultPlus.com

Nagavci paralajmëron prindërit: Do të përballeni me ligjin nëse shpenzoni mjetet për blerjen e librave për diçka tjetër

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar prindërit që keqpërdorin mjetet që MASHT ua ka ndarë për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët, se do të përballen me ligjin.

Nagavci në ATV ka thënë se për të shmangur keqpërdorimet, në formular secili prind apo kujdestar që aplikon konfirmon se mjetet do t’i shpenzoj për blerjen e teksteve sipas ligjit.

“Ne edhe për të siguruar që shmanget cdo keqpërdorim i mundshëm, në aplikim secili prind apo kujdestar që ka aplikuar ka konfirmuar se është prindi apo kujdestari i fëmijës për të cilin aplikon dhe se mjetet të cilat i ka marrë do t’i shpenzoj për të përmbushur obligimin sipas ligjit për blerjen e teksteve shkollore. Nëse këto mjete i shpenzon për diçka tjetër, do të përgjigjet sipas legjislacionit në fuqi. Pra secilli që i keqpërdor këto mjete, mbahet përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë Nagavci në ATV.

Ajo ka përmendur shumën e parave që është shpenzuar ndër vite për tenderët për furnizim me tekste shkollore. Sipas Nagavcit, librat sivjet po shiten më lirë sesa që i janë shitur vitin e kaluar MASHT.

“Në vitin 2008, shuma e shpenzuar për tekste ka qenë mbi 2 milionë euro, vetëm një vit më pas ka qenë mbi 9 milionë, ndërkaq vitin e kaluar kanë qenë mbi 16 milionë. Ka pas rritje të cmimeve sidomos në vitin e fundit pas luftës në Ukrainë e pandemisë”, ka deklaruar Nagavci.

Në Departamentin e Letërsisë Shqipe kanë aplikuar vetëm gjashtë studentë, Apolloni me letër të hapur për ministren Nagavci

E dashur ministre Nagavci,

meqenëse jeni në krye të arsimit, po ju shpalos shqetësimin tim për një departament që është lënë në bisht. Ky departament (Letërsi Shqipe) që ka krijuar identitetin nacional të universitetit publik të Prishtinës, javën e kaluar e ka mbajtur provimin pranues, ku kanë kandiduar vetëm gjashtë studentë. Në departamentet e tjera jofilologjike të Fakultetit të Filologjisë nuk ka krizë, ndërsa në këtë departament ku mësohen edhe metodat e studimit filologjik, ka pasë një rënie të vazhdueshme viteve të fundit, deri sivjet, kur kriza i ra kambanës.

Në afatin e parë, vitin e kaluar kanë konkurruar rreth njëzet studentë, kurse sivjet vetëm gjashtë, dhe kështu s’kishte si të mos më dukej salla si skena e dramës “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit”. Këta gjashtë persona(zhe) mund të jenë të fundit, nëse Autori (ju, rektori, dekanja, shefi) nuk gjen zgjidhje.

Është krejt e qartë që një departament me rënie të tillë të interesimit i ka ‘ditët’ e numëruara. Prandaj, këtë shqetësim para dy muajsh ia kam paraqitur rektorit (sepse e dija që përafërsisht kaq do të ishte interesimi), por ai ka një ftohtësi robotike jo vetëm për një departament nacional si ky për të cilin po flas, por edhe për vetë universitetin, tek i cili e vetmja gjë që i ndez alarmin është emri i Hasan Prishtinës, të cilit ia ka mbledhë betë, por me të cilin, me sa di unë, ende s’ia ka dalë t’i qërojë hesapet.

E dashur ministre, përderisa rektori vazhdon betejën me mullijtë e erës, ju duhet të ndërmerrni diçka për tejkalimin e kësaj krize. Letargjia juaj s’ju bën mirë as ju, as ne. Zgjohuni, çohuni, takoni profesorët, dëgjoni sugjerimet e tyre, jepuni mundësi t’i modifikojnë programet dhe, mbi të gjitha, kthejani departamentit tonë kompetencat që ia kanë marrë fakultetet dhe departamentet e tjera! Pas Letërsisë Shqipe, Gjuha Shqipe është departamenti filologjik i radhës i rrezikuar. Pa këto dy departamente, si mund të quhet filologjik Fakulteti i Filologjisë?

Me mbylljen e departamenteve filologjike që studiojnë, krijojnë dhe promovojnë vlerat e kulturës sonë, si mund ta ëndërroni zhvillimin e arsimit shqip në Kosovë?

Reflektoni për këtë!

Me respekt,

Ag Apolloni/ KultPlus.com

Nagavci: Së shpejti lënda zgjedhore Edukimi për Siguri

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar që nxënësit kosovarë së shpejti do ta kenë si lëndë zgjedhore, Edukimin për Siguri.

“Do ta vendosim si lëndë zgjedhore Edukimin për Siguri për t’i njoftuar të rinjtë mbi atë se çka nevojitet për siguri. Është miratuar ligji për Agjencinë e Akreditimit”, ka thënë Nagavci mes tjerash në konferencë për media.

“Do ta veçoja edhe Udhëzimin për këshilltarët për karrierë në shkolla të mesme të larta dhe nëpër gjimnaze. Këshilltari për karrierë ka rëndësi tejet të madhe për ta ndërtuar vetëbesimin e nxënësve dhe për të krijuar mundësi suksesi për ta”.

Nagavci po ashtu foli edhe për testin e arritshmërisë mbarëvajtjen e së cilit e ka cilësuar më të mirë se sa në vitet e shkuara.

“Më lini të filloj me publikimin e rezultateve të maturës shtetërore ku kalueshmëria ka qenë 66.04%. Provimi i dytë do mbahet në afatin e gushtit”.

“Në krahasim me vitet e kaluara menaxhimi ka qenë më i mirë. Sigurisht që ka nevojë për punë të mëtutjeshme për ta ndaluar kopjimin”, ka vijuar ajo./ KultPlus.com

Nagavci: 39 nga 250 aplikantë për inspektorë të arsimit e kanë kaluar rishikimin administrativ

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se MPB ka hapur konkurs për rekrutim të jashtëm të 20 inspektorëve të arsimit.

Ajo tha se nga 250 aplikantë, 39 e kanë kaluar rishikimin administrativ.

“Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, në bazë të legjislacionit në fuqi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për rekrutim të jashtëm të 20 inspektorëve të arsimit. Konkursi ka qenë i hapur nga data 23.11.2022 deri më 07.12.2022. Nga Divizioni përkatës në MPB i cili e ka bërë rishikimin e aplikimeve, kemi pranuar njoftimin se nga 250 aplikantë vetëm 39 e kanë kaluar rishikimin administrativ duke plotësuar kështu kriterin për të vijuar në fazën e dytë të rekrutimit”, ka shkruar Nagavci.

“Të gjithë kandidatët që nuk e kanë kaluar rishikimin administrativ të aplikacioneve, janë njoftuar individualisht përmes emailit për arsyet e moskualifikimit për fazën tjetër të rekrutimit. Afati i ankesave është deri më 10 janar, andaj inkurajoj të gjithë aplikantët që kanë shqetësime për këtë fazë të shqyrtimit administrativ të dokumentacionit, t’i paraqesin ankesat online ose në kopje fizike brenda afatit të ankesës”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Buxheti për vitin 2023, 150 mijë euro ndahen për instalimin e sistemit anti-plagjiat për nevojat e arsimit të lartë

Sot u votua në lexim të parë buxheti për vitin 2023, buxheti më i madh në këto 20 vite, bën të ditur ministrja Arbërie Nagavci, përcjell KultPlus.

Buxheti i MASHTI-it për vitin 2023, është për 12% më i lartë se sivjet, e edhe këtë vit buxheti për arsim ka qenë 12% më i lartë se vitin e kaluar. Qeveria Kurti, për më pak se dy vite qeverisje ka rritur për më shumë se 25% buxhetin për arsimin.

Për vitin 2023 buxheti për arsim parasheh përveç tjerash, gjithpërfshirje, investim në edukimin e hershëm e arsim profesional, digjitalizim të shkollave, integritet akademik e përmirësim të shërbimeve dhe infrastrukturës.

✅ 6.5 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja.

✅ 243 pozita të reja për staf, për çerdhet që pritet të funksionalizohen.

✅6.5 milionë euro për pajisjen e shkollave me teknologji të informacionit dhe komunikimit.

✅2.8 milionë euro nga Granti Specifik për punësimin e:

➡️300 asistentë të rinj për fëmijët me nevoja të veçanta,

➡️59 këshilltarë të karrierës,

➡️30 specialistë të IT për nevojat e shkollave,

✅150 mijë euro për instalimin e sistemit anti-plagjiat për nevojat e arsimit të lartë.

Vazhdojmë edhe me politikat e filluara sivjet për një arsim cilësor e gjithpërfshirës:

➡️mbështetje për mësimdhënësit me probleme shëndetsore, për studentët e studiuesit, për grupet e margjinalizuara, ofrim të mundësive të barabarta,

➡️ sigurimin për praktikën profesionale,

➡️ miratimi i pozitave për psikologë e pedagogë shkollorë.

Angazhim maksimal për politikat, legjislacionin e strategjinë që qon në përmirësim të cilësisë e avansim të sistemit arsimor. Buxhet më i madh për të implementuar këto politika. / KultPlus.com

U vu gurëthemeli për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovën dhe tha se Qeveria e Kosovës e ka arsimin prioritet, e veçanërisht zhvillimin në fëmijërinë e hershme, kur dihet rëndësia që ka ky nivel i edukimit në zhvillimin e mëtutjeshëm të secilit fëmijë.

Ministrja Nagavci, ndërkaq, theksoi se do të vazhdohet me ndërtimin e çerdheve të reja dhe përmendi faktin që Qeveria ka ndarë dhe e ka rritur buxhetin për ndërtimin e çerdheve dhe shkollave edhe për vitin 2023.

Pasi që tha se po punojmë shumë për të përmirësuar rezultatet në arsim, ministrja Nagavci theksoi synimin për gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Ajo tha se ky nivel i edukimit është parakusht për zhvillimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin.

Objekti i çerdhes, vlera e të cilit është 743 mijë euro, do të jetë me sipërfaqe 1300 metër katror dhe i destinuar për 120 femijë. Çerdhja është projektuar në dy kate dhe përmbanë 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve, 3 dhoma të gjumit për femijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike./ KultPlus.com

Nagavci: Të shtunën mbahet mësimi, inspektorët do të jenë në terren

Me vendim të Ministrisë së Arsimit, inspektorët do të vizitojnë të shtunën shkollat në mbarë vendin për të parë nëse po zhvillohet procesi mësimor, sipas kalendarit të të ri.

Kjo për të plotësuar orët e humbura mësimore, për shkak të grevës së mësimdhënësve gjatë muajit shtator.

Një lajm të tillë e dha ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo tha se 15 shtatori është ditë mësimi në shkollat publike në vend, raporton RTK.

“Mësimdhënësit  duhet të jenë aty për të kryer punën e tyre”, tha Nagavci.

“Nëse mësimdhënësit nuk dalin në punë, nuk do t’i ndëshkojmë, por nuk do t’i paguajmë”.

Këto komente Nagavci i bëri pas nënshkrimit të disa kontratave me nxënësit për kryerjen e praktikës profesionale./ KultPlus.com

Ministrja Nagavci numëron sukseset në fushën e arsimit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka numëruar sukseset në fushën e arsimit në më pak së dy vite punë, përcjellë KultPlus.

Sipas Nagavcit, Raporti i Progresit për Kosovën, në fushën e edukimit dhe arsimit ka identifikuar disa nga përparimet e punës së përbashkët të akterëve të arsimit.

Gjithashtu, Nagavci shprehet e bindur që për vitin e ardhshëm raporti do të jetë edhe më i mirë pasi do të përfshijë edhe shumë punë të cilat janë në procese finale.

Postimi i plotë i ministres Nagavci:

Për më pak se dy vite punë dhe angazhim me shumë përkushtim, janë evidentuar sukseset tona në fushën e arsimit.

Raporti i Progresit për Kosovën, në fushën e edukimit dhe arsimit ka identifikuar disa nga përparimet e punës së përbashkët të akterëve të arsimit, duke konstatuar:

✅Kosova ka përgatitur Strategjinë e re të Edukimit për pesë vitet e ardhshme, ku për herë të parë përfshihet plani për digjitalizimin e shkollave;

✅Kosova ka përfunduar me sukses negociatat me BE-në për t’u bërë anëtare plotësisht e asociuar e programit Horizon Europe;

✅Në kuadër të Horizon Europe, është ndërtuar një sistem funksional i pikave kombëtare të kontaktit dhe janë dhënë incentiva për organizatat dhe individët që kanë aplikuar për fonde evropiane;

✅Miratimin e vendimit për përputhshmërinë e punimeve shkencore dhe publikimeve të personelit akademik me etikën e hulumtimeve, duke i obliguar zotëruesit e programeve të ngarkojnë kërkimet e tyre në platforma të indeksuara përpara akreditimit të programeve të tyre;

✅Progres në arritjen e kritereve minimale të transparencës (bazuar në normat ndërkombëtare) në institucionet e arsimit të lartë. Të gjitha universitetet publike tani kanë dokumentet e tyre strategjike që do të nxisin zhvillimin e tyre;

✅Për herë të parë, MASHTI ka prezantuar arsimin dual për një numër të kufizuar të profileve, me qëllimin për të zgjeruar tutje në vitin shkollor 2022/2023;

✅Inicimin e zhvillimit të Kurrikulës bazë për profilet e shkollave profesionale dhe në proces implementimin e saj;

✅Zhvillim pozitiv në vendimin për të rritur numrin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla, me 100 asistentë për secilin vit, së paku deri në 2024;

✅Është evidentuar mbështetja për grupet e margjinalizuara me theks në parandalimin e braktisjes së shkollës;

✅Nëntë studentë kanë përfituar bursë studimore, në kuadër të programit Erasmus +.

Po ashtu, duhet përmendur se disa prej rekomandimeve për t’i adresuar, e që lidhen direkt me ngritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë, të evidentuara në këtë raport, tashmë janë arritur si:

📌Angazhimi i suksesshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim në rikthimin e anëtarësimit në Rrjetin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), si anëtare e asocuar;

📌Projektligji për Arsimin e Lartë është finalizuar, ka kaluar të gjitha fazat e diskutimeve dhe shumë shpejt dërgohet në qeveri për miratim;

📌Projektligji për tekste shkollore është finalizuar dhe brenda pak ditësh procedohet për miratim në qeveri;

Jam e bindur që për vitin e ardhshëm raporti do të jetë edhe më i mirë pasi do të përfshijë edhe shumë punë të cilat janë në procese finale, e të cilat janë rekomanduar për t’u shqyrtuar nga ana jonë.

Ne do të vazhdojmë përpjekjet maksimale në përmirësimin e cilësisë në arsim për të gjitha nivelet dhe në planifikim e zbatim të mirëfilltë të reformave gjithpërfshirëse. / KultPlus.com

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka numëruar sukseset në fushën e arsimit në më pak së dy vite punë, përcjellë KultPlus.

Nagavci paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se “shumë shpejt” do të hapet konkursi për rekrutimin e 20 inspektorëve të arsimit, ndërsa shton se edhe për vitin e ardhshëm kanë planifikuar të pranojnë 20 inspektorë të tjerë.

Sipas saj, fokusi është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore.

Nagavci ka treguar se çka synohet me rritjen e numrit të inspektorëve.

“Të sigurojmë cilësi në arsim; Të jemi me afër problemeve në shkolla; Të kemi më shumë  mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore; Të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës.”

Postimi i plotë:

Inspektorati i arsimit deri tash ka funksionuar me kapacitete shumë të limituara, me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën  e Kosovës.

Në mbledhjen e 99 të Qeverisë, kemi votuar komisionin intervistues, për rekrutimin e 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi.

 Fokusi ynë është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë.

Edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar të pranojmë 20 inspektorë tjerë të arsimit.

Me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit synojmë:

Të sigurojmë cilësi në arsim;

Të jemi me afër problemeve në shkolla;

Të kemi më shumë  mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore;

Të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës.

Me qasje gjithpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojmë cilësinë në arsim./ KultPlus.com

Nagavci mirëpret pezullimin e grevës: Me Ligjin për Paga mësimdhënësit kanë koeficientin më të lartë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur ndërprerjen e grevës dhe fillimin e mësimit nga e hëna.

Ajo i ka ftuar të gjitha shkollat që s’i kanë shpërndarë tekstet mësimore, që këtë ta bëjnë të hënën në orën e parë të mësimit.

Tutje, e para e arsimit tha kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, teksa shtoi se të hënën do ta formojnë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ.

“Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës”.

“Do të vazhdojmë vizitat e takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë e ide të nxënësve, mësuesve, prindërve e udhëheqësve të shkollave”.

“Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh”, ka shkruar Nagavci, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Nagavci tha se si qeveri e ministri do të kenë në vëmendje përmirësimin e kushteve të punës në çerdhe e shkolla si dhe ofrimin e mundësive të barabarta për nxënësit e studentët.

“Po ashtu, mbështetjen e punëtorëve të arsimit drejt përmirësimit të mësimdhënies së tyre, bashkëpunimin me komunitetet e institucioneve edukativo arsimore, prindërit e nxënësit dhe angazhimin e përbashkët për përmirësimin e rezultateve në arsim, për shkolla të sigurta e ambiente miqësore”, shkroi ajo, përcjell Klankosova.tv..

Nagavci, më tej tha se punëtorët e me Projektligjin e ri për Paga, punëtorët e arsimit janë trajtuar për herë të parë dinjitetshëm, ku sipas saj, do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë.

“Ashtu siç kam vepruar që nga dita e parë e detyrës, jam e hapur për dialog social, angazhim të përbashkët në përmirësim të kushteve të punës, rezultateve në arsim si dhe avancim të pozitës së mësimdhënësve”.

“Mirëpresim dialogun social e bashkëpunimin e sinqertë, ashtu si urojmë që për të gjithë interesi më i mirë i fëmijëve të jetë në radhë të parë”.

“Një falënderim i veçantë për të gjitha edukatoret, mësueset e mësuesit, arsimtarët, drejtorët/eshat që megjithatë vendosën të jenë me nxënësit e tyre, në vendet e punës e punuan pa u ndalur”, është shprehur Nagavci, përcjell Klankosova.tv.

Kujtojmë se sot SBAShK-u ka njoftuar për pezullimin e grevës deri në janar të viti të ardhshëm.

Ministrja Nagavci ka një lutje për punëtorët e arsimit

Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, sot në një konferencë për media ka “lutur dhe ftuar” punëtorët e arsimit që mos të ketë grevë në sektorin e arsimit. Ajo tha se gjatë mandatit të saj si ministre janë përfshirë të gjitha kërkesat e SBASHK-ut.

“Unë pres dhe kërkoj të mos ketë grevë as në sektorin e arsimit, sidomos në sektorin e arsimit në çerdhe dhe shkolla. Gjatë mandatit tim janë përfshirë të gjitha kërkesat për sigurinë dhe mirëqenien e stafit arsimor. Iu kemi përgjigjur çdo kërkese të SBASHK-ut për takime, sa herë që ata kanë kërkuar”, deklaroi Nagavci.

Ajo pati edhe një lutje tjetër për punëtorët e arsimit.

“Ftoj dhe lus të gjithë punëtorët e arsimit që vendimet t’i marrin me kujdes dhe pa presion nga askush. Ju lus që ta analizoni me vëmendje gjithë legjislacionin, të drejtat dhe pushimin e këtyre të drejtave dhe obligimeve gjatë kohës së punës ose të grevës. Jam e bindur që këtë mund ta bëni vetë të pa ndikuar”, u shpreh ministrja

“E kam thënë edhe në vitin 2019, kur sistemi i arsimit ishte në greva për tri javë, mësuesit në shumicën e tyre nuk është se e duan grevën. Kam punuar dhe vetë me ditar në dorë dhe e di situatën e pakëndshme e  tensionet e ngarkesën emocioanle që krijohet në shkolla në kohë greve”, tha ajo.

“Andaj si MASHT kemi tejkaluar edhe kërkesat e sindikatës për ligjin për pagat. Ne kemi një pozicionim më të mirë se ajo që ka kërkuar SBASHK-u , por edhe me të cilën kreysia e SBASHK-ut ishte pajtuar me qeverinë e kaluar”, deklaroi Nagavci.

Ajo ka përmendur disa nga “punët që janë ndërmarrë që lehtësojnë punën e mësuesve”.

“Për herë të parë kemi  ndarë buxhet për mësuesit me probleme shëndetësore, rreth 1 milion e 700 mijë euro; kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit që janë rreziku të mbesin pa punë për shkak të zvogëlimt të numrit të nxënësve; kemi punësuar 100 asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta; kemi zgjidhur problemin me normat; fuqishëm jemi duke punuar në avancimin e kuadrit ligjor të licencimit të mësimdhënësve…”, tha Nagavci. /GazetaExpress/ KultPlus.com

MASHTI ndan 170 mijë euro për nxënësit me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti

Ministria e Arsimit do të ndajë 170 mijë euro për OJQ-të që merren me provimin e nxënësve me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në Facebook, duke thënë se MASHTI do të vazhdojë të financojë projektet që kanë në fokus talentët.

Postimi i plotë:

Angazhimi ynë për nxënësit do të jetë i vazhdueshëm dhe nuk do të ndalet.

Me qëllim të përkrahjes dhe promovimit të nxënësve me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti, kemi marrë vendim për përkrahje financiare për projektet e OJQ-ve që punojnë në këto fusha.

E lumtur që edhe këtë vit po ofrojmë mbështetje për organizatat të cilat merren me përkrahjen e këtyre talentëve.

Si Ministri do të vazhdojmë të financojmë projektet që kanë në fokus talentët tanë sepse përgatitja e tyre është hap i rëndësishëm edhe për fuqizimin e shtetit tonë.

Vlera totale e kësaj përkrahjeje të MASHTI është rreth 170 mijë euro ndërkaq, përfituese të kësaj thirrjeje janë këto organizata.

OJQ-të që merren me këta fëmijë i përgëzoj për punën dhe i inkurajoj që të vazhdojnë edhe më tutje në përkrahjen dhe promovimin e talentëve./ KultPlus.com

Nagavci e shqetësuar për rastet e plagjiaturës nga ana e personelit akademik të UP-së

Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbëria Nagavci ka shprehur sot shqetësimin e saj pasi ka pranuar njoftime për verifikim të rasteve të plagjiaturës nga ana e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Sipas Nagavcit, plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike dhe se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues, andaj ka kërkuar që këto raste të merren në shqyrtim nga Këshilli i Etikës së UP-së.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

Ndonëse plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike, jam e vetëdijshme se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues.

Mirëpres shqyrtimin e rasteve nga Këshilli i Etikës të UP, por konsideroj se masat e shqiptuara të pezullimit nga mentorimi i punimeve të diplomës nuk janë adekuate, sepse nuk shpërfaqin gjykimin shoqëror në raport me praktikat e tilla brenda komunitetit akademik dhe nuk i dekurajojnë ato.

Andaj pres nga organet përgjegjëse të Universitetit që t’i rishikojnë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës, duke siguruar respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit.

Si Ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjajshme.

Me Projektligjin e ri për arsimin e lartë, i cili së shpejti do të jetë në diskutim publik kemi paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik, përmes formimit të Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligimit që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës.

Po ashtu, Projektligji parasheh një afat të arsyeshëm brenda të cilit i gjithë personeli akademik duhet të jetë në gjendje t’i arsyetojë thirrjet akademike, në pajtim me standardet e përcaktuara me ligj.

Gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë dhe kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, sipas të cilës vazhdon rënia e UP-së në rangim. Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë. Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime që të përmirësojmë këtë gjendje.

Stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal. Andaj dhe angazhimi ynë për të përmirësuar këtë gjendje do të jetë këmbëngulës e pa hezitim./ KultPlus.com

Për herë të parë, fëmijët tanë do të përgatiten në tri profile të ndryshme profesionale, përmes arsimimit dual

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka lajmëruar se për herë të parë në vendin tonë, fëmijëve do tu ofrohet mundësia që të përgatiten në tri profile profesionale, përmes arsimit dual, shkruan KultPlus.

Kjo nismë po fillon në dy shkolla në Komunën e Prishtinës, “7 shtatori” dhe “Shtjefën Gjeçovi”.

Profilet në të cilat fëmijët kanë mundësi të përgatiten, janë: Kuzhinier, asistent i restorantit dhe floktar.

“Këtë vit, për herë të parë fëmijëve tanë po ua ofrojmë mundësinë që të përgatiten në tri profile profesionale, përmes arsimit dual. Po e fillojmë në dy shkolla në Komunën e Prishtinës, “7 Shtatori” dhe “Shtjefën Gjeçovi”. Të dashur nxënës, shqyrtojeni këtë mundësi dhe aplikoni për këto profile”, shkruan Nagavci.

Konkursi do të hapet më 22 gusht 2022. / KultPlus.com

Në mbledhjen e Qeverisë u votua sot Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka njoftuar se ka përfunduar me sukses Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili u votua sot në mbledhjen e Qeverisë.

“Shumë e lumtur që përfunduam me sukses Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili u votua sot në mbledhjen e Qeverisë”, ka shkruar Nagavci.

Përmes këtij projektligji do të rregullohet për më të vegjlit tanë, ofrimi i edukimit në të gjitha format e organizimit që nga lindja deri në moshën 6 vjeçare.

Ndër të tjera, ky projektligj do të përfshijë:

Koordinim ndërsektorial

Edukim në familje

Ushqyeshmëri, Krijim të menyve ushqimore

Sigurim e rregullim të materialit didaktik

Monitorim të punës edukative

Aftësim i dadove

Nga viti shkollor 2023-2024 Edukimi Parafillor do të bëhet i obliguar.

“Me miratimin e këtij projektligji shënojmë edhe një hap drejtë zhvillimit të përgjithshëm të sistemit edukativ e arsimor, social e ekonomik.  Investimi në fëmijërinë e hershme garanton të nesërme më të sigurt për fëmijët, familjet dhe gjithë vendin”, shkruan Nagavci. / KultPlus.com

Nagavci ndryshon mënyrën e vijimit të vitit shkollor: Me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se viti shkollor do të ndahet në dy periudha kohore (gjysmëvjetori i parë dhe gjysmëvjetori i dytë), për, siç tha ajo, vlerësim sa më objektiv, të drejtë, transparent, valid e më praktik, të nxënësve.

Sipas Nagavcit, ky ndryshim është iniciuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve.

“Ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm, është inicuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve, pasi që është vlerësuar se ndarja e vitit shkollor në tri periudha, siç ka qenë deri më tani, paraqet sfida dhe vështirësi të shumta, ngarkesë të panevojshme formale e administrative dhe rrezikon përmbajtjen e materies vlerësuese”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci tha se udhëzimi i ri administrativ reflekton në përmbajtje cilësore të vlerësimit të nxënësve, shkarkimin e ngarkesës administrative për mësimdhënësit, informimin me kohë të nxënësve dhe prindërve për suksesin dhe rezultatin e nxënësve në lëndët e caktuara.

“Ky Udhëzim Administrativ për vlerësimin e nxënësve sipas Kornizës së Kurrikulës është në diskutim publik deri më 23 qershor 2022, prandaj ftoj të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë edhe gjatë këtyre ditëve me komente profesionale, në mënyrë që këtë dokument të rëndësishëm ta kemi sa më cilësor”, ka shtuar ajo. / KultPlus.com

Kosova dhe Greqia në gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në arsim, kulturë e sport

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci u takuan me ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, shkruan KultPlus.

Bashkë zhvilluan një diskutim konstruktiv për fushën e arsimit, rinisë, kulturës e sportit, duke parë mundësinë rreth thellimit të bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojave në mes të dy vendeve, bëhet e ditur nga MKRS.

Në fund të takimit u theksua gatishmëria për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci vizitoi Qendrën me bazë në komunitet në Fushë Kosovë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Qendrën me bazë në komunitet në Fushë Kosovë, e cila udhëhiqet nga organizata “The Ideas Partnership”, ku ka parë nga afër punën që bëhet në këtë qendër dhe ka biseduar me fëmijët që e frekuentojnë dhe me udhëheqësit e saj.

Ministrja Nagavci është informuar nga drejtori Arbon Osmani dhe stafi i organizatës për punën që bëhet çdo ditë me rreth 70 fëmijë të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, si dhe planet për ta zhvilluar këtë qendër e cila një nga fushat kryesore të punës e ka edukimin.

Pasi që i përgëzoi për punën, ministrja Nagavci theksoi se organizata si kjo janë partnerë të rëndësishëm në synimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit për gjithëpërfshirje në arsim.

Ministrja tha se e kemi vullnetin dhe gatishmërinë që të përmbushim obligimin për të ofruar mundësi të barabarta për secilin fëmijë përmes avancimit të politikave arsimore që e mundësojnë këtë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi bursat që ndahen nga MAShTI për nxënësit e shkollave të mesme të larta të këtyre komuniteteve, ndërsa tha se këtë vit janë planifikuar edhe bursa për studentë, me fokus në Fakultetin e Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më shumë mësimdhënës nga komunitetet.

Arberie

Ministrja Nagavci tha se Ministria e Arsimit është e hapur për bashkëpunim me secilën organizatë, e cila ka në fokus edukimin e gjeneratave të reja, veçanërisht sa i përket fëmijëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, për t’i ndihmuar ata në forma të ndryshme që të jenë pjesë e sistemit arsimor dhe të mos e braktisin shkollën.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka vizituar edhe një klasë parafillore dhe një klasë ku marrin mësim plotësues nxënësit e klasëve të para, ndërsa më pas ka vizituar edhe objektin në ndërtim të Qendrës./ KultPlus.com

Ministrja Nagavci po merr pjesë në Forumin Botëror të Arsimit 2022 në Londër

,,Arsimi: Ta ndërtojmë të ardhmen së bashku – më të fortë, më të guximshëm, më të mirë”, është tema e sivjetme e Forumit Botëror të Arsimit 2022, i cili po mbahet në Londër, e ku po merr pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në këtë Forum, po marrin pjesë ministra të arsimit nga vende të ndryshme, politikbërës dhe ekspertë, të cilët po diskutojnë për çështje dhe sfida të përbashkëta të arsimit.Me këtë rast, ministrja Nagavci shprehu kënaqësinë e saj që gjendet në këtë panel, që fokusohet në përmirësimin e arsimit dhe të të mësuarit, ndërsa tha se kjo kërkon që nxënësit të besojnë në veten e tyre, në suksesin e tyre në shkollë dhe është detyrë e sistemit arsimor t’i ndihmojë ata të krijojnë besimin në aftësitë e tyre.

Në këtë drejtim, Ministrja theksoi nevojën e ndërtimit të besimit mes institucioneve arsimore, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojnë në përmirësimin e performancës në arsim.Duke folur për vështirësitë aktuale me të cilat po ballafaqohet arsimi, ministrja Nagavci përmendi se Kosova ka një sistem të vlerësimit të performancës së mësuesve, por për momentin ai nuk është i lidhur me ndonjë skemë shpërblimi dhe zbatimi i plotë i tij mbetet sfidë.Po ashtu, Ministrja tha se mundësitë për zhvillim profesional të mësimdhënësve janë të kufizuara dhe planifikojmë ta rishikojmë shumë shpejt për ta bërë më funksional dhe efikas.Ajo theksoi se Qeveria po mbështetë mësimdhënësit dhe nxënësit në punën e tyre dhe ngritjen e performancës, ndërsa tha se duhet të punojmë në atë drejtim duke mësuar edhe nga përvojat e sistemeve të tjera arsimore dhe duke përshtatur praktikat e mira me kontekstin tonë.Forumi Botëror i Arsimit sivjet po shqyrton se si vendet kanë kërkuar të rivendosin pjesëmarrjen e të rinjve në arsim, duke përfshirë përdorimin efektiv të mësimit në distancë aty ku është e nevojshme; çfarë strategjishë plotësuese janë përdorur për të trajtuar humbjen e të nxënit; si vendet kanë adresuar nevojat e më të cenuarve dhe më të pafavorizuarve dhe masat për të mbështetur mirëqenien e komuniteteve shkollore./ KultPlus.com

Nagavci viziton shkollën ‘Xhemajl Kada’ në Pejë: Diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian, përcjell KultPlus.

Këtë njoftim ministrja e dha përmes një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë:

Vizitova sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian.

Me këtë rast, vizitova disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe bisedova me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.

Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona.

Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona. Është  e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile.

Për rastin e e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme.

Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar./ KultPlus.com

Nagavci për Festën e Abetares ku u lanë anash fëmijët nga pakicat: Dënoj çdo formë diskriminimi

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me rastin ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e abetares, në një organizim në Pejë.

Nagavci thotë se shpreh shqetësimin e thellë për këtë rast dhe se të njëjtin do ta shqyrtojë me prioritet.

“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie  si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e Festës së Abetares, në Pejë. Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës”.

Mes tjerash, Nagavci thotë se si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës.

“Parimi i mos diskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet. Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës”, ka shkruar Nagavci në Facebook. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci: I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) mbajtën sot protestë me moton “S’po shkohet n’shkollë”.

Përmes kësaj protesë në të gjitha qytetet e Kosovës, KNK synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit tonë ballafaqohen në baza ditore.

Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave, janë vetëm disa prej pikave të cilat i kanë shtyrë nxënësit të marrin një hap të tillë.

Menjëherë pas kësaj protestë ka reaguar edhe Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nagavci është shprehur e lumtur për aktivizmin e të rinjëve për përmirësimin e cilësisë në arsim. Sipas saj, angazhimi ditor në Ministrinë e Arsimit ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët,

Të dashur nxënës, mësimdhënës, prindër e qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim.

Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Po ndajmë me juve disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët:

• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;

• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;

• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;

• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);

• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;

• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;

• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;

• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;

• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët;

• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;

• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;

• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;

• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;

• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;

• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;

• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;

• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;

• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;

• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër.

Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim. / KultPlus.com

Nagavci: Qendra e Kompetencës së TIK-ut në Prishtinë, jetësim i një pune dinamike

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, bashkë me ministrin e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, Franz Fayot kanë biseduar për progresin dhe sfidat në zbatimin e mbështetjes së Luksemburgut për Kosovën në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe integrimit në BE.

Nagavci ka treguar që ndër të tjera kanë biseduar edhe për një Marrëveshje të re dypalëshe 2023-25 dhe një Memorandum të ri Mirëkuptimi për 3 vitet e ardhshme.

“Vizituam objektin ku po zhvillohen punimet për ta ngritur Qendrën e Kompetencës së TIK-ut në Prishtinë, e cila është investim në kuadër të projektit LuxDev, financuar nga Dukata e Madhe e Luksemburgut. Kjo Qendër do të funksionalizohet duke rinovuar shkollën e vjetër të Ekonomisë në Prishtinë, e më pas do të pajiset me mjete më të sofistikuara për realizimin e mësimit dual për përgatitjen e të kualifikuarve për tregun e punës”, është shprehur Nagavci.

Tutje ajo ka treguar se në këtë Qendër të Kompetencës, e cila pritet të finalizohet në shtator të këtij viti, do të hapen këto profile: Teknik i grafikës, Teknik i informatikës së biznesit, Teknik i sistemeve të TIK, Teknik për dizajnim të mediave interaktive, Zhvillues i aplikacioneve, programe tre veçare.

Krejt për fund, Nagavci ka falënderuar ministrin Fayot për mbështetjen që i ka dhënë shteti i tij në zhvillimin e arsimit, veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional. / KultPlus.com