Nagavci uron fëmijët dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor, zotohet për një arsim cilësor

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë.

Në një postim në Facebook, ajo thotë se me punë e përkushtim, do ta realizojnë misionin për një arsim cilësor.

Tutje, Nagavci thotë se në bashkëpunim me shkollat, prindërit e mësimdhënësit suksesi do të jetë i garantuar.

“Të dashur nxënës, të nderuar prindër, mësimdhënës, udhëheqës të shkollave e zyrtarë komunal. Urime dita e parë e vitit shkollor. Një urim i veçantë për fatosat që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Sot fillon një kapitull i ri për nxënësit tanë, shumë mundësi e përvoja të reja! Jam besimplotë për një vit motivues, frymëzues e punë me përkushtim nga mësimdhënësit, andaj dhe plot suksese për nxënësit tanë. Me punë e përkushtim do të realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor. Në bashkëpunim me shkollat, prindërit, mësimdhënësit suksesi do të jetë i garantuar.  Qoftë një vit i mbarë”, ka shkruar ministrja.

Ministrja Nagavci në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve: Ju jeni e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka uruar fëmijët në ditën ndërkombëtare të tyre, 1 Qershorin.

Nagavci në profilin e saj në “Facebook”, ka shkruar se fëmijët janë e ardhmja jonë.

“Në këtë ditë të veçantë, 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dua të ju përcjell urimet më të përzemërta e të falënderoj për energjinë, gëzimin dhe shpresën që sillni në jetën tonë të përditshme. Ju jeni e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë, dhe është obligim i ynë t’u garantojmë fëmijëri të sigurtë e të lumtur dhe të krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët pa dallim”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se “Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të krijojë një sistem arsimor që ju mbështet, frymëzon dhe ju ndihmon të arrini potencialin tuaj të plotë”.

“Ne punojmë çdo ditë për të siguruar që shkollat tona të jenë vende të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të pajisura me mjetet më të mira për të mësuar”, thotë Nagavci.

Ministrja ka pohuar më tej se “Kjo ditë na e rikujton se fëmijët janë pasuria jonë më e madhe dhe se investimi në arsim është investimi më i mirë për të ardhmen”.

“Angazhimi ynë për avancimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve nuk do të ndalet. Do të punojmë shumë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve dhe për të ndërtuar një shoqëri ku secili fëmijë ka mundësinë të zhvillohet e të kontribuojë në mënyrë të barabartë”, thotë mes tjerash ministrja.