Si shpëtoi thesari i kulturës shqiptare të arbëneshët e Zarës?

Prof. Aleksandër Stipçeviç, i njohur si studiues i shquar i historisë së Ilirëve, si studiues i të dhënave arkeologjike të këtij populli të lashtësisë, nga i kanë rrënjët e prejardhjes Arbërit e Mesjetës e në vazhdimësi dhe shqiptarët e kohës së re e të sotme; është marrë dhe me kërkime shkencore e kulturore në fusha të tjera të dijes, jo të largëta nga e para.

Është autor manualesh bibliografike në fushë të arkeologjisë, duke qenë se ka punuar në biblioteka të mëdha e shumë të njohura, madje dhe si përgjegjës në departamente të caktuara, ose dhe si drejtor biblioteke. Ka shkruar libra shkencorë me shumë vlerë, si “Historia e librit”, “Çensori i përsosur”, “Doracaku për rregullimin e diskotekave” e kështu me radhë. Pra, sipas vendit e fushës ku ka punuar, është marrë dhe me studime e botime të caktuara.

Kuptohet, fusha kryesore e studimeve të tij ka qenë arkeologjia e në përgjithësi historia e lashtë. Në arkeologji ka kryer studimet e larta e ka bërë specializime pasuniversitare, pra dhe veprat e tij kryesore e jo të pakta, janë nga arkeologjia, historia, jeta e simbolet e kultit ndër Ilirë; bashkë me jetën e Ilirëve janë përfshirë dhe besimet e mitologjia e këtij populli. Librat për Ilirët janë të shumtë e me mjaft vlera e për to çdo gjë është e qartë.

Duke qenë se ka lindur në Zarë të Dalmacisë (më 1930) (arbëneshë të Zarës) dhe aty ka kaluar dhe fëmijërinë e rininë, me shumë përkushtim ka shkruar për Zarën, për arbëneshin e këtij vendi ku jeton prej gati 300 vjetësh kjo bashkësi arbënore me banorë të ardhur nga fshatra jo larg nga Liqeni i Shkodrës, pra të përfshirë në rrethinë të Shkodrës e që ikën prej këtej në vitet 1726-‘33, për të shpëtuar nga persekutimet e pushtuesve Osmanë.

Stipçeviç edhe më parë ka shkruar jo pak për historinë e Zarës, për monumentet historike ku u vendosën e jetuan për qindra vite këta arbëneshë; ka shkruar dhe më parë për doke e tradita të tyre, për lidhjet e tyre me vendin e prejardhjes e ruajtjen e veçorive të tyre etnike arbërore, ashtu si kanë ruajtur dhe emrin që e morën me vete prej këtej, nga dheu i stërgjyshërve, që kur u larguan.

Këto vitet e fundit vërejtëm e shfletuam librin me shumë vlera, botuar tre vite më parë nga ky dijetar: “Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës”. Është një botim krejt i veçantë që zbërthen me saktësi shkencore atë etnokulturë që kjo bashkësi e Arbëneshëve e ruajti dhe e zhvilloi ndër shekuj, si identitet i dheut nga i cili ka qenë larguar nga tragjeditë tronditëse të atyre kohëve.

Për arbëneshët e Zarës, për historinë, jetën e etnokulturën e tyre kanë shkruar disa udhëtarë të huaj që erdhën kalimthi në këtë bashkësi arbënore, ose dhe njerëz të tjerë vendës (në arbënesh), po ata shkruan përciptas e pa u thelluar në dukuri të ndryshme, ku shumë prej tyre, si etnokulturë as që u ranë në sy. Ata kanë shkruar tepër shkurt e pa bërë zbërthime shkencore e gjithëpërfshirëse.

Në rrugë shkencore, krejt ndryshe, bëri kërkime Stipçeviç, duke gjurmuar çdo dukuri të jetës e të trashëgimive kulturore të hershme. Me këto synime, për të njohur sa më në thellësi të vërtetat e ndryshme, bëri eksplorime për njohje gjithandej; mori të dhëna për tradita të hershme nga shumë pleq e plaka të këtij vendi. Shfrytëzoi të dhëna nga folklori. Gjurmoi për shumë të dhëna në arkiva të ndryshme, ndër libra, në shkrime të eksploruesve të ndryshëm që bënë kërkime në arbënesh të Zarës.

Autorit i është dashur një punë e bërë me shumë përkushtim e me shumë mundime marramendëse. Është thelluar në anë teorike e historike që dhe të dhënat e marra nga burime të ndryshme, të vlerësohen me vështrime kritike. Në jo pak raste, Stipçeviç e thekson se disa dukuri është e vështirë të zbërthehen deri në rrënjët e tyre të para 2-3 shekujve, ose se cila është zanafilla e elementëve të ndryshëm etnikë. Arbëneshët jetuan për shekuj në tokën kroate, të lidhur në anë ekonomike, shoqërore, kulturore me Kroatët. Kur në Zarë sundoi Venediku, ose për jo shumë kohë qenë nën pushtetin e Austro-Hungarisë, me këta popuj patën detyrimisht lidhje ekonomike, administrative, kulturore, në sistemin arsimor. Deri në 10 vjetshin e fundit të shek. XIX nuk kanë pasur as edhe një lidhje, as edhe një komunikim me dheun e të parëve të tyre, me vendin e shqiptarëve.

Të tërë këta faktorë që u përmendën më lart, kanë qenë shkaqe që të marrin dukuri të ndryshme etnokulturore nga të tjerët. Ndikimi i këtyre popujve, i këtyre pushteteve nga vareshin vjen dhe nga fakti se ata kanë qenë dhe vende qartësisht të qytetëruara për kohën.

Por, nga ana tjetër, me gjithë ndikimet që ua detyronin kushtet e vendit e të kohës, abëneshët e Zarës, për gati 3 shekuj e ruajtën mëvetësinë etnike shqiptare në gjuhë, në doke e tradita, në lidhjet shoqërore me dheun prej nga ishin larguar. Këto vlera etnokulturore e etnike shqiptare i sqaron më së miri dhe ky dijetar arbënesh. Edhe ato që u dhanë më parë në këtë libër sqarohen më së miri e në rrugë shkencore nga ky dijetar i arbëneshit të Zarës.

Libri në fjalë, përveç parathënies dhe një hyrjeje të gjatë, ndahet, sipas problematikave në tre pjesë: në të parën flitet për jetë e doke në familje, në fqinjësi dhe në tërë bashkësinë e arbëneshëve. Në të dytën janë dhënë besime, rite, mite, qenie mitike ndër arbëneshë. Në të tretën jepen dëshmi folklorike: këngë popullore, tregime legjendare, anektoda, fjalë të urta nga populli, të ruajtura në shekuj, marrë nga dheu mëmë.

Ata që jetojnë brenda trojeve të arbëneshit e kanë ruajtur të folmen, me theksim ashtu si e ka vendi prej nga kanë ardhur, fshatra të Shkodrës: Shestan, Brisk, Larje, edhe pse ka hyrë ndonjë fjalë a shprehje nga popullsia pranë së cilës kanë bashkëjetuar. Natyrisht, lidhjet ekonomike e shoqërore kanë bërë të vetën.

Ruajnë me shumë përkushtim e të shprehur me krenari emrin “arbënesh” e vendbanimin “Arbëni”. Kanë ruajtur dhe mbiemrat e tyre, në një masë të madhe, sipas vendit prej nga e kanë prejardhjen.

Në të dhënat e autorit vërehet se kanë ndryshuar marrëdhëniet në jetën familjare, si marrëdhëniet në çift, martesat, si një përparim qytetërimi, me marrje dhe nga popujt me të cilët kanë bashkëjetuar në marrëdhënie ekonomike e shoqërore.

Arbëneshët, njerëz me temperament hijerëndë, krenarë dhe tepër fisnikë

Nga ana tjetër kanë ruajtur në përdorim shumë tradita të mira që i veçojnë si shqiptarë, si lidhje me traditat e dheut mëmë nga i cili u larguan shumë kohë më parë. Kanë pasur në përdorim, sidomos deri pas Luftës së Dytë Botërore: veshje ose së paku elementë të veçantë të veshjeve të krahinës prej nga kanë pasur origjinën, traditën e ndihmës së ndërsjellë, në vuajtje, nevojë, lindje, martesa, vdekje, por edhe në mënyrën e gatimit të bukës, duke miellzuar drithin me anë të mokrës me gurë të poshtëm konkav e me gurin shtypës në formë vezoreje. Më së voni u fut dhe mokra me gurë të rrafshët e ku gruri a misri miellzoheshin me rrotullim.

Në porta a oxhakë të shtëpive, në disa raste vëren simbole që i njëjtësojnë me dheun e tyre të prejardhjes së stërgjyshërve të tyre, si identitet i dheut të Arbërisë në Mesjetë e në Kohë të Re.

Qytetërimi i sotëm i arbëneshëve, me një ndryshimesh tepër të shpejtë, marramendës, me komunikim flakërues që na ka prurë zhvillimi i sotëm evropian e botëror, e ka bërë të vështirë që të saktësohen shumë dukuri të etnokulturës, të trashëguar për shumë e shumë shekuj. Po, nga ana tjetër, kujtesa popullore e pleqve dhe e plakave, të dhënat e shkruara, të botuara a të ruajtura në arkiva, na sqarojnë jo pak gjëra, na i saktësojnë për aq sa është e mundur. Sot koha ka prurë shumë gjëra të reja.

Sipas burimeve ku mbështetet Stipçeviç, arbëneshët ishin njerëz me temperament hijerëndë, krenarë, por ishin dhe tepër fisnikë: fjalën e dhënë, besën, qëndrimin burrëror, mikpritjen, ndihmën për nevojtarët, punët ndihmëse të ndërsjella, ishin veçori shpirtërore e veprimeve të tyre të patjetërsueshme. Dashuria për armët e paraqitja me to në krah e në brez, ishte identiteti i burrërisë së tyre, i paraqitjes së tyre si arbëneshë, si shqiptarë, si njerëz të panënshtruar nga pushtuesit, nga përdhunuesit.

Dukuri e virgjëreshave, siç ka qenë në malësitë tona shqiptare, ka qenë e pranishme dhe ndër arbëneshë.

Sjellja ndaj të moshuarve, pleq a plaka, dashuria e respekti për ta e për mësimet për punë e për sjellje në familje e në shoqëri, ishin shumë të vlerësuara e në veprim në këto bashkësi arbëneshe. Organizimi ekonomik e shoqëror në familje e në bashkësi vendore, ato më të hershmet, ishin ashtu siç kanë qenë në malësitë shqiptare në përgjithësi e këto nuk mund të rreshtohen e të qartësohen të tëra, nga që janë të shumta e të ndërthurura: e vjetra me të renë.

Të tërheq vëmendjen dukuria e së drejtës dokesore ndër arbëneshë që në një farë mënyre, në të kaluarën bënte shërbime të organizimit shoqëror në bashkëjetesë të këtyre njerëzve. Me drejtimin e urdhërimet e proveditorit të Venedikut, çdo 4 vjet zgjidhej e drejtonte një kryeplak në bashkësinë e arbëneshëve ku funksiononin dhe doke popullore vendëse, po dhe në bindje të pushtetit e të ligjeve që ishin në veprim në Zarë. Shumë probleme të brendshme arbëneshët i zgjidhnin sipas dokeve të tyre, por dhe duke iu nënshtruar dhe ligjeve shtetërore. Ndihma në punë për njëri-tjetrin (upria) ka qenë gjithnjë në veprim deri tani së voni.

Ritet popullore, të njëjta me ato të Malësive të Veriut në Shqipëri

Festat e ritet popullore të vitit kanë qenë deri vonë të thuash se të njëjta me ato të Malësive të Veriut në Shqipëri.

Besimet popullore e ritet me zanafillë pagane, po të ndërthurura me dukuri të besimeve krishtere, edhe pse me ndonjë ndryshim emri, në pjesën më të madhe të tyre, i vërejmë si të përafërta ose dhe krejt të njëjta me ato të Malësive të Veriut.

Në këtë libër na dëshmohet se besimet e ritet e ndryshme për lindjen e fëmijëve, për martesën, për vdekjen, për shpirtin e të vdekurit, shenjat e paralajmërimit të vdekjes, vajtimet në vdekje e me radhë, na dëshmohen të njëjta në përgjithësi, sepse: ashtu si dhe në gjuhë: ka shqipe të përbashkët, ka dialekte, po dhe të folme krahinore. Këto dallime të vogla janë krejt të natyrshme.

Besimet e ritet lidhur me objekte të ndryshme, në kuptime e veprime kultike si: buka, zjarri, vatra, qeni, macja, shtriga, mësyshi, amuletet (talismanët), totemizmi, tabutë, simbolet e vezëve, numrat kultikë, mbrojtja nga e keqja (nga moti i keq – rrufeja), mallkimet e me radhë, janë të thuash se të përafërta a të njëjta me të njëjtat dukuri besimesh e ritesh të malësive të Shqipërisë. E njëjta gjë vërehet te kulti i gjarprit, i ujit, i maces, tek Ora, te Zana, Kuçedra, Dragoi e me radhë.

Në këngët e tregimet legjendare vërehen veçori artistike shqiptare, po dhe simbole, dukuri mitike e të besimit si në vise të ndryshme malore në Shqipëri.

Stipçeviç ka bërë një punë të jashtëzakonshme në mbledhjen e dëshmive, në klasifikimin e sistemim të librit, veprimtari shkencore që ka dashur kohë të shumtë e mundime të mëdha. Zbërthimi i kuptimeve, i simbolikave, i ndryshimësive të dukurive të veçanta dëshmon për një punë të madhe të tij, për dije në kërkime shkencore. Këto shfaqje të etnokulturës shqiptare tek arbëneshët e Zarës, nuk i ka marrë si dukuri të shkëputura nga njëra-tjetra, po në gjithanshmëri, ku njëra shpjegon tjetrën. I ka marrë në lidhje të ngushtë historike e sociale.

Në këto përsiatje nuk ka vetëm përshkrim, po në një masë të madhe, zbërthime të thella shkencore. Këto flasin shumë për ruajtjen e identitetit, si shqiptarë: arbëneshë të Zarës, qëndresë e fuqishme e etnike. Dijetari A. Stipçeviç ka shpëtuar nga zhdukja një thesar të madh të etnokulturës arbënore-shqiptare.

Nga Prof. Dr. Mark TIRTA / KultPlus.com

Arbneshët e Kroacisë dhe veçantia e veshjeve të tyre tradicionale

Arbanasit janë një popullsi që flasin gjuhën shqipe dhe i përkasin kryesisht fesë së krishterë katolike, të cilët janë vendosur që prej vitit 1700 në rrethinat e Borgo Erizzo në qytetin e Zarës në Kroaci. Arbanasi i Kroacisë (Arbneshi) është vendbanimi në juglindje të gadishullit të Zarës, sot pjesë e qytetit të Zarës.

Ky vendbanim është krijuar në shek. e XVIII me ardhjen e shqiptarëve nga viset jugore të Liqenit të Shkodrës në tri faza të shpërnguljes (në vitin 1721, 1726-27 dhe 1733). Banorët e këtij vendbanimi e kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën e të parëve. Rreth mesit të shek. XVIII, pikërisht në vitin 1721 nga fshatrat rreth liqenit të Shkodrës, sidomos Ljarje dhe Shestan u shpërngulën disa familje shqiptare dhe u vendosën në fshatin Zarë të Dalmacisë. Lëvizja e tyre e padëshiruar, ishte e lidhur me shkaqe historike ku më të mundshmet ishin luftrat e shpeshta, sëmundjet e ndryshme, kërkesat e qeverisë osmane për nizamë, kushtet e papërballueshme ekonomike, kërkesat e qeverisë osmane për tu asimiluar në fenë myslimane, por edhe pazarllëqet që bënin qeveritarët turq me ata venedikas ose sllavë për interesa të ngushta dhe meskine. Familjet shqiptare u vendosën në Zarë, qytet kroat me një histori të lashtë 3 mijë vjeçare, që në literaturën historike njihet si qendër e fisit ilir të Liburnëve. Kolonitë shqiptare në brigjet Dalmate përbëjnë një rast të veçantë të ruajtjes së identitetit arbëror.

Tek këta koloni pasqyrohen elemente të veçanta dhe tepër të rralla të identitetit shqiptar. Kolonia e parë që daton në vitin 1721, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e familjeve shqiptare që vërshuan në vitet e mëpasme drejt Kroacisë duke i strehuar dhe duke i ndihmuar bashkëkombasit e tyre për të mbijetuar nga përndjekjet e pushtuesve turq ose nga shantazhet e fqinjëve shovinistë sllavë, duke mos harruar asnjëherë origjinën e tyre shqiptare dhe duke mos shkëputur lidhjet me tokën e tyre mëmë. Kjo për faktin se pas shpërnguljes së parë, kemi edhe shpërngulje të tjera masive në vitet 1726, 1727, 1733, ku të gjitha familjet e shpërngulura ishin shqiptarë. Duhet theksuar se kolonitë shqiptare të Zarës në Dalmaci i kanë rezistuar rebeshëve të kohës, nuk janë asimiluar nga fiset sllave, por kanë ruajtur gjuhën, doket, zakonet, emrat, mënyrën e jetesës. Ata e pohojnë kurdoherë prejardhjen e tyre arbërore dhe në përgjithësi flasin shqip, sidomos brenda familjes duke synuar të ruajnë dhe transmetojnë brez pas brezi gjuhën e tokës amë.

Veç gjuhës, arbneshi i Zarës ka ruajtur edhe emrat e mbiemrat shqiptarë. Kështu, në Zarë takojmë emra të tillë si Gjon, Gjergj, Mark, Pjetër, Teutë, ndërsa për mbiemrat ata kanë ruajtur tradicionalisht mbiemrat e vendilindjes së tyre si Kamsi, Gjergji, Deshpali, Petani, Çoba, Nikpali, Luka, Gjini, Gjoni, Vuka, Nika etj, por kanë ruajtur edhe shumë toponime me origjinë shqipe. Kështu, në Zarë takon emra vendesh si: Fusha e varreve, Fusha e Arbneshit, Gropa Shkamip, Kisha, Kullat etj, duke ruajtur kështu emërtime të pastra shqipe. Arbneshët e Zarës janë njerëz me kulturë, traditë dhe shije.

Shkolla shqipe në Arbneshët e Zarës u hap në vitin 1901 dhe qëndroi e hapur për 17 vjet deri më 1918. Interesant është fakti se mësuesit e parë të saj kanë qenë prelatët e nderuar të fesë katolike si atë Shtjefën Gjeçovi, atë Pashk Bardhi, prof. Anton Paluca, prof. Pal Gjergji. Në fund të shek. XIX edhe arbëreshët e Zarës dhanë një kontribut të shquar në lëvizjen për çlirimin kombëtar. Idetë e tyre patriotike intelektualët arbneshë i publikuan përmes gazetës së tyre “Zani i Shqyptarit” që u botua në disa numra në Zarë. Katundi Arbnesh i Zarës në Dalmaci ishte një vend i bukur, plot jetë dhe dritë, ndërtuar nga duar mjeshtrash me origjinë shqiptare. Duke qenë një fis me tradita kulturore dhe atdhetare, nga arbneshët e Zarës dolën edhe figura të shquara që përfaqësuan denjësisht kulturën, artin dhe letërsinë arbneshe.

Të tillë mund të përmendim Shime Deshpalin, Aleksandër Stipçeviç, Josip Rela, Zef Duka, Pal Gjergji etj. Kanë qenë të paktë ata studiues apo biografë që janë marrë me këta figura të shquara, prandaj mbetën gati të panjohura nga sfera të ndryshme të kulturës në vendin tonë. Sot në Kroaci jetojnë rreth 19 mijë shqiptarë që pushteti kroat ka synuar ti asimilojë, por ata kanë mbajtur gjithmonë traditën dhe karakterin e tyre shqiptar.

Nga Ariola Prifti / KultPlus.com