Arbnor Karaliti me ekspozitë personale në Hamburg të Gjermanisë

Arbnor Karaliti do të prezantohet me ekspozitë personale në Hamburg të Gjermanisë, përkatësisht në Oel-Fruh Gallery, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Can You Hear The Nighthaëks Whispering” do të hapet më 8 shtator dhe do të rri e hapur deri më 23 të po këtij muaji.

Kjo është ekspozita e parë personale e Karalitit që do të prezantohet në Gjermani, kurse në punën e tij ai veçohet për pikturën dhe eksperimentimin me mediume të ndryshme. Në publikimet rreth kësaj ekspozite është shkruar se Karaliti është ndikuar nga përvoja personale, çështjet ekzistenciale, izolimi, tabutë e ndryshme…

Deri më tash është prezantuar në Kosovë, Shqipëri dhe Zvicër./ KultPlus.com

Arbnor Karaliti vjen me ekspozitë, ju fton t’i bashkoheni në një udhëtim të vetë-zbulimit

Arbnor Karalitit po sjell ekspozitën “Echoes of Solitude: Between Self and Society” e cila shfaq punën thellësisht personale dhe introspektive të artistit, përcjell KultPlus.

Ekspozita do të hapet në Tillt Radio & Community Bar, një hapësirë e dashur kulturore në Prishtinë, e njohur për koleksionin e saj të gjerë të vinylave dhe dashurinë për muzikën. Kjo ekspozitë është kuruar me kujdes nga Adrian Berisha, i cili sjell një sy të mprehtë dhe kuptim të thellë të temave që kërkon të eksplorojë Karaliti.

Si artist, Karaliti përdor artin e tij për të eksploruar dhe përballur përvojat e tij të vetmisë dhe tabutë shoqërore që mund t’i shoqërojnë ato. Nëpërmjet pikturave dhe instalacioneve të tij, Karaliti fton shikuesit t’i bashkohen atij në një udhëtim të vetë-zbulimit, duke përdorur artin si një urë për t’u lidhur me të tjerët dhe botën përreth nesh. Qasja e tij e orientuar drejt procesit dhe përdorimi i mediumeve të ndryshme pasqyrojnë natyrën e vazhdueshme të të mësuarit për veten përmes artit.

Në qendër të ekspozitës qëndron ideja se arti mund të jetë një mjet i fuqishëm për lidhje dhe komunikim, duke ofruar një hapësirë për dialog dhe reflektim mbi sfidat e lundrimit të identiteteve personale dhe sociale. Me “Echoes of Solitude: Between Self and Society” në Tillt Radio & Community Bar, Karaliti ofron një eksplorim prekës dhe empatik të përvojës njerëzore, duke prekur tema që janë thellësisht të rëndësishme për të gjithë ne.

Vizioni dhe ndjeshmëria e kuratorit Adrian Berisha ndaj temës sigurojnë që ekspozita të lërë një ndikim të qëndrueshëm tek të gjithë ata që e përjetojnë atë.

Ekspozita hapet më datë 30 prill, nga ora 18:0 në Tillt Radio & Community Bar dhe do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për vizita prej datës 30 Prill – 30 Maj, me orar të rregull prej orës 10:00-00:00, e hanë – e diel. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita “Arti gjatë pandemisë”, kuratori Ejupi: Arti funksionon vetëm kur ka kaos

Era Berisha

Gjithsej 9 artistë vendor janë përzgjedhur për të shpalosur historitë e tyre personale të përjetuara gjatë pandemisë nëpërmjet krijimeve artistike të cilat përmes ekspozitës “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” të kuruar nga Gazmend Ejupi, erdhën në një formë kaotike e krejtësisht të veçantë, me ç’rast secila pikturë, instalacion dhe performancë shfaqi një histori, një mendim e edhe ndjenja që hynin e bridhnin nëpër shpirtrat e pranishëm të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ora shënoi 19:00 kur dyert u hapën e një numër i madh i audiencës të cilët ndaheshin në grupe, po hynin dalëngadalë brenda ku fillimisht ata patën rastin që të shohin veprën e artistëve si Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, të cilët fillin e ekspozitës kishin vendosur të shndërrojnë në një gjendje kaotike, ashtu edhe siç ishte përjetimi i pandemisë. Një atmosferë e ndezur nga dritat me ngjyrë rozë ku teknologjia kishte zënë vendin dhe hapësirën në çdo kënd e që njëkohësisht portretizonte një përdredhje të ndjenjave njerëzore që digjeshin ngadalë si një kujtim i vyshkur.

Pas kësaj copëze hyrëse të instalacionit, të pranishmit vazhduan rrugëtimin drejt një hapësire ku magjia e pikturave të artistëve si: Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Renea Begolli  dhe Valdrin Thaqi, mbizotëronte në secilën moment që syri i njeriut mund të kapte e të përjetonte.

Ishte radha e pikturave të titulluara: “Proof of life”, “Aidofska” dhe “Jane playing ëith the cat”, të artistit Arbnor Karaliti, të cilat jepnin iluzionin se çdo ngjyrë e errët, çdo vështrim i pranishëm dhe çdo teknikë e ngjyrosjes, po hynte brenda zemrës së njeriut e po rrëmbente vëzhgimin e saj, duke mos e lëshuar në asnjë sekondë të vetëm.

Tutje, vepra “Definition” e artistit Valdrin Thaqi, nuk la vend për përcaktim e as përkufizim të ndjenjës së papërshkrueshme që piktura përçonte. E vendosur si një rastësi e veçantë, piktura solli elegancën e vdekjes pranë natyrës të qetë e aromës të dëlirë të një gjelbërimi unik. Ndryshe nga ngjyrat e ndezura e të dukshme të natyrës që zakonisht shfaqen në piktura, ishin ngjyrat pothuajse të përafërta e të një intensiteti të njëjtë që shpalosën një qetësi të çrregulluar e krejtësisht origjinale.

Ndërkohë, instalacioni “Dëgërrgjik 18,2021” i artistit Jetullah Sylejmani dhe skulptura “Pa titull” e artistit Luan Bajraktari, ishin të vendosura në një linjë horizontale ku një mur i vetëm e i bardhë ndante veprat nga njëra tjetra. Dy veprat në veçantitë e tyre portretizuan një gjendje nëpërmjet së cilës, njeriu i pranishëm tashmë veçse ishte i familjarizuar me të e i cili në këtë rast pati rastin të ndërveprojë me veprat artistike e ti shijojë nga afër në secilin kënd.

Ndërsa, pikturat e përmasave të mëdha të artistëve si: Brilant Milazimit dhe Renea Begollit, si dhe performanca e artistit Avdi Hajdari, futi publikun në ndjenjën e habisë, ku vezullimat e syve të tyre po dalloheshin që në momentin kur ata vunë sytë mbi këto vepra. Unike në stilin e tyre, pikturat kapluan vëmendjen e atyre që adhuronin ngjyrat e ndezura e kuptimet e fshehura. Ndërsa, performanca unike e vetë artistit Hajdari, vulosi mbrëmjen me prezencën fizike të njeriut në veprën artistike, me ç’rast aroma e dheut, luleve dhe vetmia e vendosjes së veprës, përqafoi publikun në një ngrohtësi admirimi të pandierë më parë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth krijimit të ekspozitës dhe përshtypjeve të tij për KultPlus foli kuratori Gazmend Ejupi.

“Ideja erdhi nga Galeria Kombëtare për të pasur një ekspozitë kolektive me artistët e Kosovës. Koncepti i ekspozitës thirret: bazuar në ngjarje të vërtetë, ku trajtohet një temë që kur filloi pandemia dhe ideja ka qenë shumë e thjesht se si kemi funksionuar. Ndërsa, instalacioni në hapësirë fillon me kaos dhe punimet brenda në hapësirë janë shumë minimale dhe realizmi i veprave të artistëve ka njëfarë peshe që shndërrohet më shumë në një mesazh”, thotë Ejupi.

Sipas tij, përzgjedhja e artistëve ka qenë shumë e vështirë sepse ka pasur shumë artistë të talentuar që zgjodhën të aplikojnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Për neve ka qenë me rëndësi se si janë trajtuar shfrytëzimi i konceptit, hulumtimi, shfrytëzimi i materialeve dhe paramendimet e tyre rreth shfrytëzimit të hapësirës që ne si kuratorë të kemi qasjen e të menduarit kritik paralel me artistin”, thotë ai.

Për Ejupin, pjesëmarrja e madhe e të pranishmëve për të parë ekspozitën dhe ndjenja e ringjalljes që ai ka marrë përgjatë natës, ishte përshtypja më e madhe që ai ka ndjerë.

“Arti funksionon vetëm kur ka kaos, kjo është fuqia më e madhe”, përfundon Ejupi për KultPlus.

Kurse, artisti Arbnor Karaliti për KultPlus tregoi idenë pas veprës artistike të tij.

“Në ekspozitën që veç e kemi parë sot, morra pjesë me katër punë të mija që janë krijime gjatë periudhës së karantinës për çka edhe është krijuar ekspozita. Punët në konceptin e tyre janë disa momente të kapura gjatë kësaj periudhe të izolimit që e kemi përjetuar secili nga ne dhe janë thjesht çaste përditshmërie ku mund të shihen disa njerëz që janë në fakt shoqëri e imja në pozitat e tyre gjatë asaj periudhe që ishin të mbyllur si pasojë e karantinës”, thotë Karaliti.

Sipas tij, piktura “Jane playing ëith the cat”, ka qenë vepra e tij e preferuar për arsye se ishte e para vepër në fazën e izolimit dhe se shijimi i procesit ishte në një nivel tjetër për arsye se mbyllja totale e tij në një dhomë ku vetëm pikturimi frymonte, ishte e dëshiruar për një kohë të gjatë për tiu përkushtuar punës.

“Vështirësia më e madhe ndoshta do të ishte puna e materialit sepse kemi qenë aq të izoluar saqë nuk kemi pasur mundësi të furnizohemi me material kurse si ekspozitë nuk ka pasur ndonjë vështirësi por thjesht ka qenë njëfarë kurorëzimi i krejt kësaj pune të artistëve të Kosovës gjatë pandemisë duke iu përmbajtur temës së izolimit”, thotë ai.

Për Karalitin, emocionet e mëdha për arsye të pranisë së madhe të njerëzve, malli i thellë për diçka të tillë në Galerinë Kombëtare si dhe ekspozimi i veprave të tij, ishin në një nivel jashtëzakonisht të madh e të dëshirueshëm tash e sa kohë.

Po ashtu, artisti Shkamb Jaka për KultPlus foli rreth konceptit të veprës së tij dhe artistes Laureta Hajrullahut.

“Ideja për të bashkëpunuar ka ardhur qysh moti por tani e gjetëm mundësinë që në këtë ekspozitë të aplikojmë së bashku. Idenë e kemi filluar për të sjell diçka organike dhe njëfarë estetike të programit ‘TikTok’ pasi që ka qenë influencë e madhe gjatë pandemisë. Disa drita dhe lule ishin si diçka organike që na kanë munguar gjatë kohës së pandemisë e që kanë qenë të vetmet gjëra organike që kemi mundur të përjetojmë në mbyllje e së bashku me videot tona që kanë treguar punët tona, kemi shfaqur përjetimin tonë të pandemisë”, thotë Jaka.

Sipas tij, ekspozita e tërë ka lënë përshtypjen e vetë për arsye se të gjithë artistët kanë qenë në bashkëpunim me njëri-tjetrin në mënyrë që të funksionojë tema e njëjtë, pra ajo e izolimit.

Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” ka ftuar artistët me mediumet e tyre të përzgjedhura të paraqesin punët e tyre të krijuara gjatë kohës së pandemisë dhe në përgjigje ndaj saj. / KultPlus.com

‘Nothing like home’, ekspozita që bëri bashkë gjashtë artistë

Hapet ekspozita “Nothing like home” me Blerta Hashani, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Dardan Murseli, Valdrin Thaqi & Ermir Zhinipotoku

E titulluar pas pikturës së Brilant Milazimit, ekspozita në grup
“Nothing like home” mbledh gjashtë pozicione nga brezi i ri i artistëve
kosovarë që janë të lidhur me kolektivin “Hap” ose duke qenë pjesë e tij
ose duke qenë bashkëpunëtorë / miq të ngushtë *

Piktura e Milazimit “Nothing like home” është si shëmbëlltyrë e
peizazhit politik dhe shoqëror në Kosovë. Artisti përdor metaforën e
krokodilëve që fshihen, sepse ata nuk gjuajnë në mënyrë aktive për
ushqim, por përkundrazi me plogështi qëndrojnë në pritje të preve të
tyre, duke parashikuar që ajo të bëjë një gabim. Kjo metaforë aludon në
organet në pushtet, të cilët nuk krijojnë në mënyrë aktive, por
pasivisht presin që dikush tjetër të bëjë një gabim, i cili nga ana
tjetër shfrytëzohet për shkatërrimin e këtij të fundit. Fluturat dhe
lepuri në skenë ndezin nocione shprese dhe lirie, por njëkohësisht
dikush është i vetëdijshëm se ata do të rrëmbehen nga krokodilët çdo
sekondë.

Brenda kësaj ekspozite ekzistojnë disa metafora – edhe të paqëllimshme –
qofshin çorapet e mbushura pa kokë të ngjashme me njeriun që lëvizin në
ritmin e një fshirësi të xhamave nga Dardan Murseli; Dora robotike e
Valdrin Thaqit duke numëruar rruaza (Tespih); shkrimi i automatizuar pa
kuptim nga Blerta Hashani; Zogjtë e Arbnor Karalitit nga seria e tij e
fëmijërisë; Silueta e Ermir Zhinipotokut si macet; ose qentë endacakë,
krokodilët ose lulet e Brilant Milazimit.

Brilant Milazimi, Dardan Murseli, Valdrin Thaqi, Ermir Zhinipotoku
janë bashkëthemeluesit e kolektivit “Hap”, i themeluar nga katër miqtë
gjatë studimeve të tyre në 2018. “Hap” përkthehet në “të shkel”, “në të
hapura ”dhe“ pilula ”në të njëjtën kohë dhe ishte menduar si një mjet
për të reaguar ndaj ngjarjeve në Kosovë, qoftë përmes ekspozitave apo
ngjarjeve.

Ekspozita është e hapur deri me 10 Prill, çdo të shtunë deri të dielën
nga 14:00-18:00 dhe me termine. / KultPlus.com

Veprat e Arbnor Karalitit në Artsy.net, tregu më i madh virtual i artit në botë

Artsy është tregu më i madh virtual i artit në botë. Platformë kjo me mbi 1 milion vepra arti nga artistë ikonikë dhe artistë në zhvillim, të prezantuar nga mbi 4000 galeri dhe kompani të larta ankandi në mbi 100 vende te botes.

https://www.artsy.net/search?term=arbnor+karaliti

Instituti Shqiptar në New York i ka kushtuar një hapësirë të veçantë në Artsy, punës që bënë artisti Arbnor Karaliti.

Instituti Shqiptar në New York është një institucion artistik dhe kulturor që mbështet, prodhon dhe prezanton spektër të plotë të arteve performuese, arteve vizuele dhe kulturës bashkëkohore.

https://www.albanianinstitute.org/artist/arbnor-karaliti/

Arbnor Karaliti (lindur më 1996, Gjilan, Kosovë) është artist vizual që jeton dhe vepron në Prishtinë.

“Si Artist, praktika ime krijuese trajtohet nga piktura në mediumet e reja, për të gjetur dhe formuar një identitet artistik si proces i njohjes së vetvetes përmes artit. Dhe duke e bërë atë, unë besoj se e dimë kush jemi ne. Në këtë kontekst unë përdorë vaj dhe pëlhurë për të komunikuar me publikun nëpërmjet vrojtimit të personazheve të mia, duke bërë një analizë të pozitës së tyre fizike e subjektit shpirtërore, si metafizike për ekzistencën në hapësirë dhe kohë për shkakun dhe efektin e tyre”, thotë Karaliti për KultPlus.

Puna e tij është e ndikuar nga përvojat personale, problemet ekzistenciale siç janë izolimi ose tabu të ndryshme. Ndërsa, mënyra e tij teknike e të punuarit është e ndarë në faza si në pikturë ashtu edhe në mediat e reja.

“Në pikturë fillimisht skicoj me një vijë të kuqe e cila më ndihmon të vendosë subjektin tim nëpërmjet personazhit dhe të ndajë planet nga prapavija. Kështu duke përdorur vaj e terpentinë, vazhdoj të ripikturoj gjithë hapësirën si një lloj gdhendje derisa të arrij tek faza finale e karakterit dhe gjërave tjera.”

“Kurse tek mediet e reja, zgjedhë fillimisht problemin e pastaj gjatë procesit të hulumtimit, vendosë për mediumin të cilin përdorë, si instalacion, video apo materiale të gatshme, të cilat i përshtaten hapësirës ekspozuese dhe transmetojnë më së miri atë përvojë time personale si rezultat i reagimeve drejt marrëdhënieve shoqërore.”

Arbnori fëmijërinë e kaloi në një fshat mes maleve, të quajtur Zllatar. Ai ndjeki Gjimnazin për Matematikë dhe Informatikë në “Kuvendi i Arbërit” Ferizaj. Në vitin 2019 përfundoi studimet për Pikturë në Akademinë e Arteve në Prishtinë. / KultPlus.com

Arbnor Karaliti, me 19 janar vjen me ekspozitë në Destil Hostel në Tiranë

Artisti Arbnor Karaliti do të sjellë këtë të shtunë një ekspozitë fantastike në Tiranë.

Ekspozita do të përmbajë disa mediume artistike me të cilat punon Karaliti, përfshirë pikturën, vizatimin, fotografinë, videon e instalacionin.

Ekspozita hapet me 19 janar, e shtunë, në ora 20:00 në Galerinë alternative të Destil Hostel në Tiranë, ndërsa është kuruar nga Sovran Nrecaj.

Punët e artistit janë përmbledhur në ekspozitën e cila titullohet ‘”Emotions and thoughts, a feeling just by making eye contact.” – Emocione dhe mendime, ndjenjë që vjen vetëm me anë të shikimit.

Kur i takon njerëzit për herë të parë, a e din si t’i lexosh? A i din ndjenjat e tyre dhe emocionet? A mund ta dish çka ndjen një person vetëm duke u shikuar mes vete? Pak a shumë rreth këtyre pyetjeve sillen përgjigjjet që Karaliti do t’i sjellë në ekspozitën e tij.

Karaliti ka lindur në vitin 1996 në Gjilan ndërsa ekspozitën e parë personale e hapi në vitin 2014-të.

Vizitojeni Galerinë alternative të Destil Hostel në Tiranë, nga e shtuna e 19 janarit, për të zbuluar më shumë punën dhe artin e tij. / KultPlus.com

Arbnor Karaliti sjellë ekspozitën “4minute walk”

Arbnor Karaliti këtë të premte do të hapë ekspozitën e tij personale “4minute walk”, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e titulluar “4minute walk” do të kurohet nga nga HAP – contemporary art community.
Një nga fjalitë kqye që e përshkruan këtë ekspozitë është “Walk walk walk , things I never said, things I never did!”

Ekspozita e artistit Arbnor Karaliti hapet të premten në Galerinë e Arteve në Ferizaj, duke filluar nga ora 19:00./KultPlus.com