Kadareja im

Ishte viti shkollor 1986/87 dhe unë isha në vitin e parë të shkollës së mesme. Profesoresha e lëndës Gjuhë dhe Letërsi shqipe, znj. Igballe Blakaj, në Gjimnazin e atëhershëm të Prishtinës “Ivo Llola Ribar”, (sot “Sami Frashëri”) erdhi e mërzitur atë ditë.

Arbnora Dushi

E pëlqeja shumë profesoreshën se e doja shumë letërsinë, apo e pëlqeja letërsinë se e doja shumë profesoreshën, nuk di ta them sot, por e di se çdo ditë që kishim lëndën e letërsisë unë shkoja me shumë dëshirë në shkollë.  Po, vërtetë ashtu ishte. Erdhi atë ditë ajo dhe sapo e shënoi orën, me fytyrë të ngrysur, na njoftoi se nga Inspektorati i Arsimit kishte ardhë njoftimi se “Librat e shkrimtarit Ismail Kadare duhet të largohen nga lista e lektyrës shkollore!” Por, vazhdoi ajo, –  ju mos i largoni nga lista juaj! Ne nuk mund t’i punojmë në klasë, por ju vazhdoni t’i lexoni librat e Kadaresë, madje jo vetëm këto që i kemi në listë! – dhe e mbylli me kaq për të vazhduar me zhvillimin e një njësie nga gjuhësia. Ishte kohë kur çdo fjali duhej thënë e matur, sepse shumë lehtë krijoheshin nënkuptime, madje edhe atëherë kur ke folur pa nënkuptim. Heshtja matej me ar dhe heshtjen e saj, kësaj radhe, e mirëkuptuam ne. Ishte zgjatim i porosisë së saj edukative se, ndalesa është e panatyrshme dhe e përkohshme, përderisa i përhershëm dhe i natyrshëm është leximi i veprave të Kadaresë dhe një “njoftim” i tillë duhet ta merrnin si të parëndësishëm për iluminimin e mendjes sonë në jetë.            

E kujtoj që ishte “Kronika…” libri i Kadaresë që u hoq nga lista e gjimnazistëve të vitit të parë, ai i cili më futi në shtigjet e rrugëtimit kadarean, bashkë edhe me porosinë e profesoreshës, që ta rris listën me lexime të librave të tij. Në fakt, në atë kohë, për shumëkë “pengesat” që na vini nga lart, arrinin efektin e kundërt. Ne bëheshim edhe më kërkues dhe zhvillues mu aty ku pengoheshim e zhvilloheshim. Ishin kohëra tjera dhe guximin e kishim tjetër… Gjirokastra e Kronikës për mua u bë një qytet përrallor, të cilit ia njihja sterrat e skutat, bashkë me të gjithë personazhet kontravers që lëviznin në kalldërmet e saj. Madje ky imazh fantastik nuk më është shqitur edhe sot, pas dhjetëra herëve që e kam vizituar përfshirë edhe katër festivalet folklorike kombëtare, ku sfidat me akomodimin, sidomos në vitet e fillimit, ishin sakrificë në vete.                          

Listën time e shtova shpejt me “Urën me tri harqe”. Mbeta e mrekulluar me riformatimin e mitit të flijimit. Edhe pas leximit e kujtoj që m’u deshën disa ditë që të dilja nga atmosfera e librit, sepse nga dehja me madhështinë e librit, gjithçka që më rrethonte në realitet filloi të më dukej  triviale dhe të më iritonte. E kujtoj që m’u deshën ditë t’Iipranoja natyrshëm njerëzit rreth meje që flisnin pa figura e pa aluzione artistike. Më dukeshin shumë të varfër shpirtërisht ata që nuk e kishin lexuar Kadarenë. Njësoj, në mos më tepër, më ndikoi “Doruntina” me misticizmin që ia kishte brumosur shkrimtari baladës së besës. Ftohtësia që e përcillte udhëtimin e motrës mbi kalë me vëllain e vdekur, vetëm natën nga frika se zbuloheshin, më bënte të mërdhija edhe unë gjatë leximit. M’u pat shtuar kureshtja t’i lexoj baladat popullore, sepse ky roman përveç kureshtjes ma nxiti dhe ma rrit dashurinë për to. Ndonëse para Kadaresë, ishte Mitrush Kuteli që më pat njoftuar me baladat nëpërmjet  “Tregimeve të  moçme shqiptare”, tani fillova t’i kërkoj ato edhe tek blejtë e botuar, ku baladat jepeshin në vargje.  

Isha ende nxënëse gjimnazi, ende e papërcaktuar për zgjedhjen e profesionit në jetë, por edhe më pas që u thellova e u specializova në folkloristikë, për mua emri i vërtetë i heroinës së baladës së besës, nuk është as Garentina, as Dhoqina, siç ka variante të baladave kudo ku këndohen ndër shqiptarë. Për mua emri i vërtetë i motrës së Kostandinit mbetet përherë Doruntina, sipas variantit që kishte zgjedhur Ismail Kadare.        

“Gjenerali” ishte i pari dhe kushdo që e lexonte pak Kadarenë, për të fliste, por unë, mu për këtë fakt, i rezistoja leximit të tij. Kurrë nuk më kanë joshur shijet e përgjitshshme! Mahnitjen e radhës ma ofroi “Prilli” me Gjorgun dhe peshën psikologjike të jetës së tij, që i varej nga tharja e plagës së gjakut në këmishën e vëllait, e cila mbetej e ekspozuar në kulm të shtëpisë derisa ai ta merrte gjakun e vëllait. Sa shumë jetë kishte arritur të krijonte nga kodet e ngurta të Kanunit dhe sa të kapshëm e të kuptueshëm e kishte bërë atë për lexuesit. Herë herë të provokonte edhe me këndvështrime urbane, falë komenteve të karakterit të Diana Vorpsit, e cila e ardhur nga kryeqyteti në Malësi, në përballje me dukuritë e jetës kanunore, të ofronte mundësinë e vetidentifikimit e të pjesëmarrjes në ngjarjen e romanit. Çdo faqe e “Prillit”, ose më mirë çdo rresht, më bënte të dehem me gjetjet e shkrimtarit. Dhe dehja vazhdonte sepse unë në secilin roman gjeja tema të reja e trajtime unike. “Kështjella” ishte poaq mahntëse, sa edhe “Dosja H”, më pas  “Eskili” me “Legjendat e legjendave” e me të gjithë të tjerët me radhë që pasuan në vazhdimësi.

Unë duke e lexuar Kadarenë, po rritesha intelektualisht e po aftësohesha për ta dashur e pëlqyer letërsinë, por edhe folkloristikën, siç më erdhi më pas. Zgjodha kështu ta studioj letërsinë dhe t’i shkoj hapave të këtij rrugëtimi. E kujtoj se dikur më pati rënë në dorë “Ftesë në studio” dhe edhe ky më pati mrekulluar me mënyrën si i qasej lexuesve, duke i ftuar në laboratorin e tij krijues. Sa herë që lexoja prej tij unë mrekullohesha. Rritesha. Por edhe e rrisja figurën e tij para meje, i jepja përmasa të një njeriu jo të zakonshëm, të një mbinjeriu, të cilit as kisha menduar ndonjëherë t’i afrohesha. Së paku fizikisht, jo njëherë. Ishte edhe kohë kur mundësia për ta takuar nuk të ofrohej , por as edhe nuk kisha kureshtje. Ai jetonte në një shtet të izoluar siç ishte Shqipëria atëherë, por edhe unë nuk kisha ndonjë psynim  ta takoja. Për mua, që isha takuar me librat e tij, nuk e ndjeja aspak të nevojshme ta takoja fizikisht dhe madje as nuk i lidhja këto dy gjëra. Librat e tij ma plotësonin mjaftueshëm kureshtjen që kisha për shkrimtarin Kadare.

Erdhi koha e studimeve të magjistraturës kur unë duhet të përcaktiohesha për temën. E natyrshme që një temë që lidhej me librat e Kadaresë do të ishte ajo që më flinte më shumë. Zgjidhja më e përshtatshme më doli që të jetë një temë ku do të trajtoj elementet e folklorit në veprën e Kadaresë, meqë përveç që ai e kishte përfshirë dhe përpunuar në mënyrë të përsosur, isha edhe unë që po e orientoja rrugëtimin tim drejt folkloristikës. Epika, si më e përdorura prej  tij në romane dhe novela, që e nënkuptonte prozën, më definoi titullin e projektit tim të temës së magjistraturës, e cila u bë “Elemente të epikës gojore në prozën e Ismail Kadaresë”. Ndonëse ishte titull pune, i cili mund të kondensohej artistikisht e poetikisht për botim, i tillë i plotë edhe u botua. Punova në të për tri vjet, sepse prej fillimit deri te përfundimi ndërmjet më hyri periudha e luftës në Kosovë.

Madje dhjetëra faqet e para të dorëshkrimit në kompjuter më patën mbetur në kompjuterin e shtëpisë, të cilin e gjeta të demoluar kur u kthyem pas deportimit në Maqedoni. Atëherë çdo faqe e shkruaja një herë me dorë dhe pastaj e daktilografoja në kompjter dhe kjo teknikë më pati shpëtuar kur nuk e gjeta kompjuterin, sepse i gjeta dorëshkrimet. I ripërpunova e i rishkrova edhe shumë herë derisa e mbrojta temën më 2001, por botimin nuk arrita ta bëj para vitit 2004. Nuk ishin të lehta vitet e para të pasluftës as për botimet nga institucionet publike. Por, takimet ndërmjet shqiptarëve u lehtësuan. Ismail Kadare filloi të vijë në Kosovë dhe shqiptarët filluan të bëjnë çmos për ta takuar. Takimi me të u bë preferencë e përgjithshme, por unë nuk shquhesha për shijet e përgjithshme. Madje preferoja të mungoja aty ku ishin të gjithë. Ndoshta veprat nuk ia kishin lexuar, por shkrimtarin e kishin takuar shumë herë. Unë nuk i takova kurrë asaj kategorie. U ndjeva e plotësuar dhe e përmbushur mjaftueshëm duke e lexuar dhe studiuar Kadarenë, pa e pasë nevojën ta takoj ndonjëherë./KultPlus.com

Folklori në kohën e karantinës

Nga Arbnora Dushi

            Në kohë krizash, fatkeqësish natyrore, pandemish, luftërash apo edhe lëkundjesh të sistemeve politike, kur funksionaliteti i veprimtarive të përditshme del nga rregulli, krijohen kushte më të favorshme për lulëzimin e një veprimtarie tjetër, asaj shpirtërore. Mungesat, dhembja për humbjet, pamundësia për lëvizjen e lirë, izolimi në shtëpi, pamundësia për shprehjen e lirë, komunikimi i penguar e të gjitha rrethanat e tjera që e vështirësojnë apo e pamundësojnë natyrshmërinë e shprehjes njerëzore, sikur i japin edhe më shumë krahë kreativitetit shpirtëror, i cili do ta bëjë të pamundurën që ta gjejë rrugën për të dalë në sipërfaqe, për të arritur tek publiku.

            Kjo krijimtari shpirtërore, e cila më shumë se asnjëherë tjetër, në këtë kohë karantine, po gjen shteg, jo vetëm për të depërtuar por edhe për të shpërthyer, e për të na mbushur jetën me shpirt këto ditë, është një formë e shprehjes së folklorit, por të cilën nuk jemi mësuar shumë ta shohim dhe ta kuptojmë si të tillë. Folklori në këto ditë karantine po na shfaqet në një formë tjetër e në një medium tjetër, por që gjithsesi është aty ku jemi ne dhe ku po e krijojmë ne. Sot ne jemi duke qëndruar në shtëpi dhe duke u shprehur në rrjete sociale dhe padyshim se aty është edhe folklori. Është aty, gjithmonë dhe përherë. Se folklori është ai që i jep shpirt jetës së njerëzve, gjithherë, madje edhe në kohë karantine si kjo e tashmja.

            Folklorit, kësaj krijimtarie shpirtërore të pandalshme, të cilës nuk i duhet (domosdoshmërisht) një paradije a një përgatitje paraprake për t’u krijuar, të cilës nuk i duhet as terren dhe as detyrim për ta nxitur të prodhohet, në kohën e karantinës po dëshmon se mund ta krijojë secili edhe duke qëndruar në shtëpi, edhe duke e shkruar, edhe pa audiencë fizike, edhe pa cenzurë preventive, edhe në qytet, edhe në kohën e sotme, dhe mund ta krijojë secili e secila, edhe pa pasë reputacion publik si krijues i njohur. Madje folklori mund të krijohet dhe të bartet edhe pa pasur nevojë të jetë verbal, sepse lehtësisht mund të jetë digjital. Në kohë karantine, e falë teknologjisë për mundësinë virtuale të përhapjes, folklori sot, edhe tek shqiptarët sikur tek çdo popull tjetër në botë, po krijohet e po përhapet në rrjete sociale. Jo që nuk po rrezikohet prej teknologjisë, por po zhvillohet edhe më shumë, siç ka thënë edhe folkloristi amerikan Dundes, që teknologjia nuk e zhduk folklorin, përkundrazi, ajo është një faktor vital në transmetimin e tij duke u bërë kështu burim ekzistues për gjeneratat e reja që ta krijojnë atë.

            A nuk jemi dëshmitarë në këtë kohë karantine, se folklorin e gjejmë edhe pa e kërkuar në dasma e tubime masive familjare, ose në you-tube në performanca të regjistruara, pra a nuk jemi dëshmitarë se kësaj radhe folklori po krijohet dhe po ofrohet për t’u mbledhur edhe pa pasë nevojë të dalim në terren për ta kërkuar?  Më shumë se asnjëherë tjetër në rrethana të natyrshme, sot në rrethana izolimi, po lexojmë barsoleta e anekdota që po qarkullojnë në Facebook: për gjakovarët, për drenicakët, për llapjanët, për protagonistët e politikës (të brendshme e të jashtme), për burrat e për gratë, për shqiptarin-amerikanin-e-gjermanin, e për gjithkë tjetër që pa dallim janë bërë personazhe të komunikimit të përditshëm në shtëpitë tona. Më shumë se asnjëherë tjetër kemi parë, por edhe krijuar, meme (imitimet kulturore që shpërndahen sikur gjenet, nga njëri person tek tjetri dhe bëhen virale, por që sot më shumë me emër të tillë njihet fotografia a pamja me tekst e cila  bart një mesazh, dhe që përhapet në rrjete sociale), të cilat si origjinale ashtu edhe të përkthyera, nuk lënë cep të botës pa arritur. Shpesh me kuptim lokal, por jo rrallë edhe global, këto tipe barsoletash vizuale nuk lënë personalitet e dukuri pa vënë në spikamë apo edhe fshikulluar, duke e bërë kështu të mundur frymën e një humori të përgjithshëm apo bartjen e nje mesazhi të kuptueshëm në gjithë botën.

            Më shumë se asnjëherë më parë, sot në rrethana izolimi, jemi bërë më kreativë me punë artizanale, ku çfarëdo prirjeje të punës së dorës që e kemi pasë apo edhe vetëm e kemi dëshiruar në një kohë, këto ditë e kemi nxjerrë në sipërfaqe dhe i kemi dhënë shpirt. Më shumë se asnjëherë më parë, në këtë kohë karantine, kemi parë e dëgjuar krijime origjinale e imitime këngësh në kushte shtëpie, ku këngëtarë profesionistë nëpërmjet video-kombinimeve kanë realizuar edhe koncerte në nivel botëror. Por hiç më pak nuk mund të themi edhe për amatorë të cilët janë inkurajuar ta provojnë veten nga shtëpia, qoftë vetëm ose me familjarë të ngushtë, për të performuar një pikë muzikore, apo një vallëzim, çfarëdo qoftë ai.

            Folklori në kohë karantine, përveç që po bartet me një intenzitet të shtuar, ai edhe po krijohet duke u furnizuar me temat nga karantina e nga virusi COVID19, pandemia që e ka përfshirë botën. Maskat, dorëzat, distanca sociale e fizike, mjekët dhe infermierët me humanitetin e tyre në vepër, dezinfektuesit, letrat e toaltetit, por edhe teoritë konspirative se ku filloi e kur do të përfundojë kjo pandemi, janë temat më të shpeshta të memeve. Nga mjekët që krahasohen me heronjtë e përrallave e të filmave me shpëtimtarët e njerëzimit e deri tek pikturat e kryeveprave botërore që po i ‘shijojnë’ ditët e qeta në ekspozitat pa vizitorë për shkak të mbylljes së këtyre të fundit nëpër shtëpia; nga talljet me pushimet verore sivjet në ballkone e dhoma me pamje të detit  e deri tek birrat Corona që e kanë ndërruar emrin prej se po luftohet virusi me të njëjtin emër, janë të gjitha meme që po qarkullojnë globalisht për shkak të lehtësisë së kuptimit të imazheve dhe teksteve në anglisht. Por jo vetëm këto, memet në gjuhën shqipe krahas edhe shumë barsoletave me kuptim lokal, që lidhen me pushimet verore në Los Dhomas, Las Kuzhinas e Santa Sallonis apo të tjera që lidhen me traditat shqiptare si mikpritja që pamundësohet  për shkak të karantinës, apo kurorëzimi që tash e tutje do të bëhet me kompjuter për shkak të izolimit të familjeve në shtëpi, e deri tek ato që i nxjerrin në pah tiparet lokale të qyteteve e zonave karakteristike si Gjakova, Drenica e Llapi, duke i rikontekstualizuar në situatat e pandemisë, që të gjitha sjellin risi në lëndën folklorike duke bërë kështu që të lindë një cikël i ri i folklorit. Mund ta quajmë folklori i pandemisë apo folklori i karantinës, i virusit Corona apo sido që ta quajmë, ai do të shënojë një grupim të ri të materialit folklorik shqiptar, i cili tash e tutje do të zë një vend të ri në rendin e cikleve të folklorit, që i ka evidentuar folkloristika shqiptare.

            Praktikat e këtilla të krijimit të një cikli të ri të folklorit, duke e identifikuar atë më kohën e krijimit, siç është kjo e pandemisë, po gjejnë vend në shumë shtete, por edhe shoqata e organizata të folkloristëve nëpër botë, të cilët kanë hapur faqe publike në internet për të mbledhur llojet e këtilla të krijimeve të cilat i quajnë “COVID folklore”. Duke inkurajuar rrjetet e anëtarëve që të dërgojnë materiale online, krahas mundësisë së lehtë të mbledhjes nxitet edhe krijimi, dukuri këto të reja që po lindin dhe krijohen në një kohë të re të zhvillimeve teknologjike. Veç ta mendojmë sa është e ndryshme dhe e lehtë kjo metodë në krahasim me mbledhësit e folklorit (në të gjitha kulturat) që është dashur të shkojnë nëpër fshatra, derë më derë, të mbledhin folklor duke e regjistruar me laps e letër e më vonë me diktafonë, për ta transkriptuar më pas çdo fjalë. Teknologjia ka lehtësuar gjithçka në jetën tonë duke i bërë që të lehtësohen edhe shumë procese e e të lindin dukuri të reja, madje të njëjta dhe njëkohësisht në mbarë botën. Në këtë vazhdë jam e prirur ta shoh edhe iniciativën e kryetarit të Prishtinës, i cili me inkurajimin e garës së qytetarëve për të dërguar barsoleta duke qëndruar në shtëpi, aksion ky që mobilizoi një numër të madh të qytetarëve të Prishtinës të ofrojnë numër enorm të barsoletave për disa ditë, me shkrim ose me video, ishte një formë simpatike e prodhimit dhe e mbledhjes së folklorit në kohë pandemie. Një trend global në nivel lokal!

            Për ta përmbyllur këtu, por për ta hapur si risi në folkloristikën shqiptare, krahas kësaj pandemie që na ka përfshirë edhe neve duke na bërë pjesë me të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë në botë, dua ta theksoj edhe folklori shqiptar që po krijohet këto ditë, si asnjëherë më parë, po ndikohet dhe po krijohet sipas trendeve globale. / KultPlus.com

Arbnora Dushi

Raporti i të vetëkënaqurve

Shkruan: Arbnora Dushi- drejtuese e Degës së Folklorit

(Reagim ndaj Raportit të Integra-s me titull “Instituti i vetizoluar”)


Jemi dëshmitarë, këto ditë, të prezantimit publik të raportit të organizatës joqeveritare “Integra”, e cila nën financimin e KFOS – Fondi i Kosovës për Shoqëri të hapur, po e implementon projektin  “Rishikim i shoqërisë civile dhe dialog publik për insitucionet e heshtura të Kosovës të financuara nga fondet publike”. Ky raport i publikuar në media, në fokus të llupës së tij kësaj here e kishte Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në parim, besoj të gjithë jemi dakord, që të monitorohet puna e institucioneve publike që financohen nga buxheti i shtetit, sepse është e drejtë e secilit qytetar të Republikës të dijë për financat e shtetit të vet. Madje shumë mirë që ka njerëz që e bëjnë këtë punë dhe na hapin sytë të gjithëve, sepse jo gjithkush është i motivuar të merret me një hulumtim të këtillë. Por, megjithatë, hulumtimi është dashur të jetë profesional e jo shkel e shko. Jo duke i injoruar burimet qëllimisht e duke i lënë mënjanë ato fakte e dëshmi që e rrënojnë pretendimin prejudikues të Integra-s – diskreditimin e Instituti Albanologjik. Ky pretendim shihet që në titullin bombastik dhe mediatiko-atraktiv “Instituti i vetizoluar”, i cili titull nuk do të justifikohej ndryshe pos duke i lënë jashtë raportit të dhënat që e dëshmojnë të kundërtën. “Institut i vetiozular” e nënkupton që Instituti Albanologjik po e izoluaka veten?! Një tendencë e qëllimshme për ta vënë Institutin  në pozitë inferiore të “fajtorit” para mediave dhe publikut,  se “këta vetizolohen duke mos punuar gjë, por vetëm i hanë kot paratë e shtetit!”  Epo si do të provokoheshin ndryshe mediat për të fituar shikueshmëri e portalet pëlqime e si do të justifikohej buxheti për projektin “hulumtues” mbi “institucionet e heshtura” nëse Instituti nuk do të paraqitej i tillë, “i vetizoluar”? Si do ta kënaqnin veten “hulumtuesit” dhe fondacionet po t’iu dilte ndryshe raportimi për Institutin? Intenca e tyre duket prej aeroplanit!                              

Pa dashur të polemizoj për gjetjet e shkeljeve që janë thënë në Raport, për të cilat besoj që keni pasë argumente të mjaftueshme për t’i publikuar (ju përgëzoj për këtë, sepse i kemi problematizuar edhe vetë në Këshillin shkencor), unë ndihem e obliguar të reagoj për gjetjet që nuk janë thënë, apo edhe janë shtrembëruar, injorimi dhe keq-informimi i të cilave nga ana e juaj, më bën të mendoj mbi tendenciozitetin e këtij raporti. Ndihem e obliguar ta paraqes pjesën e mirë të punës së Institutit, e cila qëllimisht nuk është vënë në fokusin tuaj.

Po shkruaj në cilësinë e drejtueses së tanishme të Degës së Folklorit, por edhe të punonjëses mbi njëzet vjeçare në këtë degë, çka më bën mjaftueshëm kompetente për të reaguar ndaj të dhënave të pathëna për Degën e Folklorit në këtë raport. Për të justifikuar temën e predispozuar të Raportit tuaj mbi “vetizolimin’ e Institutit Albanologjik”, ju nuk e keni paraqitur aktivitetin dhe veprimtarinë e punonjësve të Degës së Folklorit në planin ndërkombëtar që nuk është e paktë, madje mjaft e frytshme krahasur me institucionet e tjera akademike, në nivel të shtetit. Ju keni zgjedhur ta injoroni, sepse ky fakt do t’ju bënte të padenjë ndaj projektit që keni marrë! Gjithashtu, e quani projektin e ribotimit të veprës së profesor Anton Çettës, të papërfunduar vetëm pse nuk ka dalë nga shtypi (për shkak të pamundësive finansiare të deritanishme), gjë që nuk është në dorën e punonjësve të kësaj dege. Madje merrni edhe guximin t’ia kontestoni rëndësinë shkencore këtij projekti.                     

Për dijeninë tuaj, (të cilën e keni injoruar edhepse drejtuesja e Degës së Folklorit (në kohën e përgaditjes së raportit), Leontina Gega – Musa,  ju ka informuar në detaje me veprimtarinë e Degës së Folklorit, madje në ditën kur në Institut po mbante ligjëratë publike për traditat dhe baladat japoneze, studiuesja Keiko Wells nga Universiteti i Kyotos në Japoni) dhe për informimin e saktë të mediave dhe të publikut, detyrohem të shtoj në këtë formë aktivitetin ndërkombëtar si edhe botimet e punonjësve shkencorë të Degës së Folklorit në publikimet ndërkombëtare, të cilat mungojnë (me qëllim) në raportin e Integras për Institutin Albanologjik.          

Dega e Folklorit aktualisht ka tetë punonjës, tre e mbajnë titullin e këshilltarit shkencor, dy të bashkëpunëtorit shkencor, dhe tre të hulumtuesit të pavarur (që dmth janë kandidatë për doktorë shkence). Në dy  tituj e parë shkencorë të sipërpërmendur, që të pesë punonjësit kanë të kryera të gjitha nivelet e studimit deri në doktoraturë, madje njëra ka edhe post-doktoraturë të kryer në Departamentin e Folkloristikës në Universitetin e Turku-t në Finlandë. Tre nga punonjësit kanë doktoruar në Universitetin e Prishtinës e dy në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Nga tre kanditatët për doktoraturë, dy etnomuzikologët po i kryejnë momentalisht studimet jashtë shtetit. Njëri në Universitetin Gazi në Ankara të Turqisë e tjetri në Institutin e Folklorit dhe të Etnologjisë në Sofje të Bullgarisë. Të vetizoluar a? Prej tetë punonjësve të kësaj dege katër janë femra dhe katër janë meshkuj, që besoj janë në harmoni me parametrat tuaj gjinorë!                           

                                                                                                           

Këta studiues, rezultatet e hulumtimeve të tyre albanologjike i publikojnë në revistat shqiptare, por jo vetëm. Revista më relevante për albanologjinë se ato që publikohen në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, nuk e di që ka diku tjetër, por pavarësisht këtij fakti folkloristët dhe etnomuzikologët e Institutit Albanologjik, përpos pjesëmarrjes individuale në konferenca ndërkombëtare ku botojnë punime në aktet e këtyre konferencave  (nga 1-3 në vit secili), marrin pjesë rregullisht edhe si pjesëmarrje grupore në konferencat ndërkombëtare të përvitshme ose të çdo-dyvitshme që i organizon Organizata e Antropologëve të Evropës Juglindore  (InASEA), Instituti i Folklorit “Marko Cepenkov “ në Maqedoni, si edhe Komisioni Ndërkombëtar i Baladës (Kommission für Volksdichtung) në vende të ndryshme të Evropës. Madje në këtë Komision prej vitit 2018, me mandat katërvjecar, postin e nënkryetares e mban një studiuese nga Dega e Folklorit të këtij Instituti. Kosova përfaqësohet në këtë Komision ndërkombëtar me traditë 50 vjeçare nëpërmjet studiueses nga Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik. Të vetizoluar a?  Këtu duhet vënë në spikamë, organizimin e konferencës ndërkombëtare të baladës (të 45-tën me radhë) në Prishtinë, në vitin 2015, kur kjo degë dhe ky institut qenë nikoqirë të folkloristëve e etnomuzikologëve nga tridhjetë vende të botës, nga Meksika e Afrika e Jugut deri në Irlandë e Rumani. Si rezultat i kësaj konference, të një cilësie të lartë të organizimit e të punimeve që u prezantuan (natyrisht jo të gjithave, por me përzgjedhje te punimeve cilësore), u publikua botimi i materaleve të konferencës, në anglisht dhe në shqip (për shkak të respektimit të gjuhës së nikoqirit), nën standardin “double blind peer review” që është standard i botimeve të këtij komisioni, kudo që publikohen materialet e këtyre konferencave. Studiuesit nga Dega e Folklorit e IA, janë pjesëmarrës të rregullt të këtyre konferencave si edhe të pranishëm në publikimet e tyre që nga viti 2012. Të vetizoluar a?                                                                                           

Publikimet e studiuesve të Degës së Folklorit, botohen në revistën “Gjurmime Albanologjike” të serisë Folklor dhe Etnologji (gjithmonë me rezyme në anglisht që është e lehtë të vërtetohet), të cilën e nxjerr Instituti Albanologjik bashkë me dy seritë e tjera (Filologjia dhe Historia), dhe  që të gjitha publikohet online rregullisht në Platformën elektronike të revistave të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEOL), që nga numri 25 i vitit 2005 (fakt ky që ju e keni injoruar në Raport, për të dëshmuar qëllimisht të kundërtën se Instituti nuk i publikon në internet punimet e veta), dhe  gjendet lehtësisht në platformën www.ceeol.com. Hulumtimi juaj për këtë është i pamjaftueshëm ose fshihen të dhënat qëllimisht! Në këtë platformë folkloristët e Institutit i gjeni me publikime në anglisht edhe krahas revistave të tjera në gjuhën angleze siç është “Ethnologia Balkanica”. Gjithashtu në revistën GJA-Folklor dhe Etnologji janë botuar edhe përkthime nga anglishtja në shqip të studimeve të autorëve të huaj, të cilët kanë ligjëruar në Institut në kuadër të projektit të kësaj dege me titull “Konsultimi me ekspertë rajonalë e ndërkombëtarë nga sfera e studimeve të kulturës tradicionale”, ku profesorë nga Finlanda, Bullgaria, Skocia e Sllovenia kanë referuar modele nga studimet e tyre, krahas diskutimeve me studiuesit vendorë.                                                                                                             

Hulumtimet nga shkencat humane që trajtojnë kulturat nacionale nuk publikohen detyrimisht në platformat Scopus dhe Web of Science, dhe në rrjedhim nuk matet puna e tyre sipas standardeve të shkencave ekzakte apo ekonomike e medicinale. Kjo çështje është problematizuar tek kjo kategori e studiuesve në shumë shtete të rajonit dhe më gjerë, ku disa prej tyre (Sllovenia e Kroacia, me sa jam ne dijeni) kanë arritur ta zgjidhin me futjen në standard për vlerësim të revistave të veçanta nacionale që publikojnë studimet nga këto fusha. Integra-s është i është dashur pak më shumë hulumtim në këtë drejtim, por me atë rast nuk të arrinte ta siguronte këtë raport të të vetëkënaqurve!                                                                                       

Publikime të tjera të standardit të leximeve të punimeve nga dy autorë me identitet të fshehur (“double blind peer review” sipas Integra-s) folkloristët i kanë realizuar në publikimin më të madh të studimeve për eposin shqiptar, i botuar më 2016 nga Instituti Albanologjik, si rezultat i konferencës që u mbajt më 2010, ku 2/3-tat e pjesëmarrësve qenë ndërkombëtarë. Nuk mund të besoj se nuk e keni parë këtë publikim 2-vëllimësh me mbi tetëdhjetë punime të studiuesve shqiptarë dhe botërorë të epikës?                                                                                                                      

Gjithashtu për hir të informimit tuaj, krahas kundërargumentimit të tezës suaj për ‘vetizolim të Institutit’ më duhet t’ia shtoj vetëm edhe dy të dhëna. Autorja e këtyre rreshtave që në vitin 2006, pas një pune gati dy vjeçare, publikoi zërin për folklorin shqiptar (artikull 20 faqesh), në kuadër të publikimit më të madh botëror për folkloret e botës ku përfshihen 200 popuj (me botues Greenwood Publishing House, nëse ju ka rënë të dëgjoni?). Gjithashtu, vetëm këtë muaj në enciklopedinë e Groove Music Online të Oxfordit u publikua zëri enciklopedik për muzikën tradicionale në Kosovë, me autor Visar Munishin, etnomuzikolog nga kjo degë. Të vetizoluar a? Kësaj vazhde kam për t’i shtuar edhe shumë dëshmi të tjera, të cilat ju i keni pasur në dispozicion, por i keni injoruar qëllimshëm!                                                                                                   

Dhe në fund, por i një peshë dhe rëndësie të veçantë, i shkruar pasaktësisht në  raportin e Integra-s, ishte cilësimi i projektit për ribotimin e vëllimeve të veprës së prof. Anton Çettës, si i vetmi projekt i kësaj dege dhe madje i papërfunduar??!! Pasaktësia e kësaj të dhëne nuk ka arsyetim, por ndoshta mund t’ju kuptoj kur e shoh se e keni vënë në diskutim rëndësinë e këtij projekti, të cilin e keni pasur krahas edhe të gjitha dëshmive të tjera të punës sonë, të cilat i keni mohuar, injoruar e shtrembëruar si fakte?! Përgatitja e këtyre vëllimeve nga punonjësit e Degës së Folklorit në bashkëpunim me familjen e profesorit, ka dy vite që ka përfunduar dhe pret në CD, e gatshme të dërgohet në shtyp. Vonesa deri tani është e pajustifikueshme. Kjo është dashur  të bëhet shumë më përpara. Është e vërtetë se korpusi 13 vëllimësh i punës së profesor Anton Çettës, prej projektuesi, mbledhësi e përgatitësi të vëllimeve të folklorit shqiptar e themeluesi të folkloristikës në Kosovë, i ka tetë vëllime të riobotuara të këtyre materialeve dhe pesë botime të reja dhe të ristruktuara, por grupimi dhe sistemimi i tërë punës së tij në folkloristikë, në krijimtari për fëmijë, intervista e letërkëmbime, e i veprimtarisë së tij në Aksionin e pajtimit të gjaqeve (vetëm njëri vëllim e përfshin këtë veprimtari të tij), si një tërësi bëhet për herë të parë.  Parë në këto përmasa, tërësia e veprës së tij flet për një figurë qendrore të shtet-ndërtimit tonë dhe karakterit kombëtar e shtetëror. Vlera e tyre historike dhe materiale e tubuar në një grup vëllimesh, është e pakontestueshme për trashëgiminë tonë kulturore, arsimore e shkencore, dhe kjo nuk don shumë mend për ta ditur, por siç shihet qenka e pamjaftueshme për Integra-n. Epo s’ka si të jetë ndryshe, kur në 50 faqe raportim synohet të vlerësohet puna 66 vjeçare e një institucioni me afër 600 vepra të botuara. Kuptohet se i izoluar do t’u duket Instituti, se as që e keni idenë për punën e tij! Veç përpara Integra! Uroj t’i keni përmbushur standardet që ju kanë kërkuar!

/KultPlus.com