‘Sinkronizimi tematik i historisë në letërsi’

Shkruan Ardian Haxhaj

-Aspekte nga romanet e Jusuf  Buxhovit, që do të mbesin kronikë letrare balzakiane në letërsinë shqipe.

Një shoqëri, etnitet gjuhësor, kombëtar, apo politik, konsiderohet i konsoliduar së pari kur arrin ta krijojë arealin e vet kulturor, veçmas në letërsinë artistike, më konkretisht me shkrimin e romaneve, që e përçon aktin më të lartë zhvillimor të një kulture kombëtare dhe shtetërore. Letërsia shqipe e Kosovës me përfshirjen e gjithmbarshme të letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe në viset etnike shqiptare nën ish-Jugosllavi, për shkaqe objektive është zhvilluar vonë në kuptimin institucional, por jo edhe historik. Gjenocidi etnokulturor nga pushtuesit që u është bërë shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë londineze e ka pamundësuar zhvillimin e letërsisë në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare. Megjithatë, për një periudhë rekord të shkurtër, vetëm brenda një gjysmëshekulli, pas rrethanave të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, letërsia shqipe në Kosovë hyri në panteonin e letërsisë së përbotshme me vepra emblematike, vlerat e të cilave përçojnë mesazhe universale të përhershme. Në vazhdën e këtij konsolidimi kulturor, veprimtaria letrare e Jusuf Buxhovit shënjoi një momentum reprezentativ kulturor në përgjithësi, e letrar në veçanti, edhe në kuptimin sasior, ku, që me botimin e librit të parë me tregime në vitin 1972, e deri më sot, i ka botuar mbi tridhjetë vepra letrare: romane, libra me tregime dhe drama.

Veprimtaria letrare e Jusuf Buxhovit shquhet për mënyrat dhe format e tematizimit të miteve, historisë dhe dokumentaritetit në funksion të një letërsie me premisa herë sureale, herë me premisa të realizmit magjik, e herë dokumentare, ku kufijtë e kohërave e hapësirave shpërfaqën ndërveprueshëm e spontanisht. Vepra letrare e Buxhovit është një përpjekje për ndërveprimin e të kaluarës me të tashmen, që i ndihmon ta trasojë më lehtë të ardhmen. Tematizimi i historisë së etnisë sonë në veprën e Buxhovit në plotësi shpërfaqet si një lloj filozofie e historisë, e ambalazhuar përmes vijave arkitekturore të romanit artistik. Pa dyshim se në veprimtarinë letrare të Buxhovit, si në shumicën e veprimtarive letrare tëshkrimtarëve të gjeneratës së tij në arealin kulturor të Kosovës së atëhershme, hetohet tendenca iluministe e theksimit të shenjave etnike historike si vlera me premisa kombëtare.

Për t’i theksuar disa prej karakteristikave tematike, mënyrave të funksionalizimit të rrëfimit dhe anëve stilistikore nga gjithë veprimtaria letrare e Jusuf Buxhovit, e kemi bërë një përzgjedhje të katër romaneve që janë shkruar në dekada të ndryshme: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Kujtimet e Zonjës von Braun”, “Kodi i dashurisë” dhe “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”.

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i shkruar në formë të shënimeve, që autori ia atribuon narratorit, një personazhi të mirënjohur historik, Gjon Nikollë Kazazit, e përshkruan një kohë të jashtëzakonshme të përballjes së qytetit të tij, Gjakovës me rrethinë, me ethet e murtajës, që rezulton të jetë me shumë pikëpyetje se prej nga vinte epidemia.Një personazh historik, zbulues i veprës “Meshari” të Gjon Buzukut në vitin 1748 në Bibliotekën e Kongregacionit për Përhapjen e Fesë në Romë, e përshkruan atmosferën e qytetërimit shqiptar, që jetonte nën trysninë dhe përballjen e dy civilizimeve: të Lindjes dhe të Perëndimit. Përsiatjet e narratorit për pozicionin ekzistencial të një etnie të lashtë, që graviton në kufijtë e perandorive të ndryshme, paraqesin një shtjellim të shkëlqyer eseistik dhe letrar me konotacione aktuale dhe të tejkohëshme. Jo rastësisht miku më i ngushtë i narratorit, njëherazi i afërm “prej gjaku” është Lam Mula, një personazh letrar, që ndërvepron me narratorin, për t’i mbijetuar të keqes. Gjon Nikollë Kazazi dhe LamMula janë të lindur në qytetin e njëjtë, kanë lozur si fëmijë me të njëjtat lojëra, e kanë parë qytetin me botëkuptimin e fëmijëve, ku lumi “Erenik” u është dukur deti më i madh në botë, por që etja për të nxënë dije i çon në dy drejtime: njërin në Vatikan, e tjetrin në Stamboll. Të dy e shohin botën nga prizmi i dy civilizimeve, i asimilojnë dijet e zëna, kthehen në vendlindjen e tyre dhe e krijojnë një sintezë të dy dijeve, dy civilizimeve, një simbiozë kjo simbolike me shumë përshtresime kuptimore. Megjithatë, të dy nxënësit e dijeve të dy civilizimeve e konsiderojnë të nevojshme e të domosdoshme të hulumtojnë nga dijet dhe praktikat e përdorura nga paraardhësit e vet. Këto dije dhe praktika çojnë përtej dijeve të konservuara teologjike. Kozmogonia e vendit të Gjon Nikollë Kazazit dhe Lam Mulës paraqet herezi për të gjithëpushtetshmit, por është pikërisht ky ndërveprim i dijeve të lashta, që i takojnë kohës së “Pellazgjisë”, ajo që i mban gjallë njerëzit para kërcënimit vdekjeprurës të murtajës.

Gjon Nikollë Kazazi dhe Lam Mula janë dalzotësit e etnisë së tyre në mbrojtje nga rreziqet dhe kanosjet që i vijnë nga të huajt. Ata e kuptojnë ndërhyrjen e interesave të perandorive mbi vendlindjen e tyre dhe të dy bëjnë përpjekje të gjejnë forma të përshtatjes për mbijetesë. Gjon Nikollë Kazazi dhe Lam Mula përsiatin për të kaluarën e lashtësisë së këtyre vendbanimeve deri në “Pellazgji”, për trysnitë e civilizimeve Lindje-Perëndim, Perëndim-Lindje, për gjendjen e njerëzve të tyre në mesin e përballjes së këtyre dy civilizimeve, për përshtatjen e nevojshme dhe të domosdoshme për mbijetesë, për dukurinë e laramanisë fetare, koncept i stigmatizuar si heretizëm nga të gjitha kampet e religjioneve, por që del aq pragmatik, human e civilizues për etninë tonë.

Përsiatjet eseistike të narratorit, Gjon Nikollë Kazazit, të kujtojnë përsiatjet e narratorit të romanit “Emri i trendafilit” të UmbertoEco-s, për fasadat e skizmave, për mbishtresimet simbolike të dijeve parakristiane me ato kristiane. Epidemia e murtajës në romanin e Buxhovit kuptohet edhe si luftë speciale e përdorur nga fuqitë madhore për qëllime nënshtrimi, pushtimi, shkatërrimi etj. Shkrimtari Buxhovi guximshëm dhe suksesshëm e ka trasuar temën e mbijetesës së një kombi përmes përshtatjeve dhe sintezave teologjike, botëkuptimore, kulturore dhe materiale. Është me rëndësi të potencohet se përdorimi i referencave me qasje eseistike paraqitet në suaza të narracionit romanesk, në koherencë me rrëfimin, që e bën romanin të lexohet rrjedhshëm, për dallim nga shumë romane që trajtohen në formë të eseve, e të cilëve u humb koherenca e narracionit. Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i shkrimtarit Jusuf Buxhovit ishte dhe mbetet në listën e romaneve më të qëndrueshme në letërsinë shqipe.

Romani “Kujtimet e Zonjës von Braun” (2005) është një formë e romanit eseistik me trajtesa filozofike për një kohë historike. Në këtë roman pretendohet që personazhet të jepen vetëm si ide, që portretizohen me anë të meditimeve të zbërthyera përmes kujtimeve të Zonjës von Braun dhe dorëshkrimit tjetër Një besë për Shqipninë të Kolonelit, të cilat shtjellohen përmes Skulptorit, që në këtë rast e ka rolin e narratorit. Përsiatjet eseistike në formën e romanit trajtesë në “Kujtimet e Zonjës von Braun” gjithsesi kanë të bëjnë me kohë historike, madje me njërën prej kohërave më tëçmendura të historisë dhe të shoqërisë shqiptare, atë të viteve pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë londineze e deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore të vitit 1914. Sintagma për Shqipërinë Shqipëri, e shprehur në të dyja dialektet kryesore, është e njohur dhe e trajtuar që nga rilindësit tanë e këndej, por mënyra filozofike e trajtimit të kësaj sintagme në romanin e Jusuf Buxhovit është jashtëzakonisht e veçantë, origjinale, e pa trajtuar më parë në fushën e letërsisë. Me një njohje erudite për konceptin e dashurisë si term estetik, autori e funksionalizon atë në koncept filozofik e nganjëherë edhe etik, për të sendërtuar një ideal suprem: idealin e bërjes së Shqipërisë Shqipëri. Dashuria njerëzore, që si term në këtë rast i përmban të gjitha shtresat tjera kuptimore përplotësuese, është ana e kundërt e praktisis-it shqiptar çfarë mbretëronte në vitet 1913-1914 (kohë të cilën Ismail  Kadare e ka quajtur si vit i mbrapshtë), me anarki totale, urrejtje e gjakderdhje, me formime të ushtrive shqiptare nën flamuj të të gjitha vendeve dhe ideologjive. Heroi ideor, Koloneli, këtij kaosi dhe kësaj zhbërje etnike dhe shoqërore ia kundërvë armën e vetme që mendon se mund të kryej punë, dashurinë. Koloneli, që përmes figurës së Skulptorit si narrator, dihet se ishte mbyllur për njëzetë e pesë ditë në teqenë e Leqezës, vend në të cilin ditën e fillimit të Luftës së Parë Botërore edhe e merr një plumb në kokë, është idealist. Mbyllja e Kolonelit në teqenë e Leqezës dhe përsiatjet e tij për gjetjen e formulës për bërjen e Shqipnisë Shqipni, ngjyroset me konotacione interliterale. Këtë interliteralitet e hetojmë edhe në romanin “Kujtimet e Zonjës von Braun”. Ky mision i ngjashëm në frymën mesianike deklamon dashuri në vend të urrejtjes, bashkim në vend të ndarjes, njohje të vlerave njerëzore dhe kombëtare në vend shkatërrimit, paqe në vend të luftës.

Misioni që ia ka caktuar vetës Koloneli dhe përkrahësja shpirtërore e tij, Helenore von Braun, është sa idealist, aq edhe tragjik. “Do të vritemi e do të pritemi, do të asgjësohemi dhe vetasgjësohemi nëse e shpërfillim dashurinë dhe ndijimin e saj’, thotë dhe përkujton ‘se e kundërta mund të ndodhë vetëm në rrethanat e krijimit të perandorisë së më të mirës’, për të shtuar se aty dhe ashtu ‘perëndesha dashuri përjeton shfaqjen e saj të plotë…” (f. 30). Pra dashurinë si shpëtim nga kolapsi, Koloneli dhe Zonja von Braun ia atribuojnë një perëndeshe, të cilës në kohërat e lashta paraardhësit e shqiptarëve i janë lutur dhe e kanë adhuruar si një kryezot.Perëndesha del si simbol, pasi që heterogjeniteti fetar i etnisë shqiptare nuk kishte mundësi t’i dilte në krye për të mirë një çështjeje sublime, siç ishte bërja e ShqipnisëShqipni (edhe vetë teqeja në këtë rast nënkupton unifikimin dhe asnjanësinë e këtij tempulli fetar ndërmjet kryqit dhe hënës).

Romani “Kujtimet e Zonjës von Braun” pretendon të ngrejë në nivel teorie një koncept estetiko-filozofik për t’iu kundërvënë një sociologjie të egër çfarë ishte ajo shqiptare në vitet 1912-1914. Madje relacionet ideore që i ngërthen në vete ky roman janë universale edhe për shoqërinë e sotme shqiptare dhe më gjerë.Gjuha poetike është e domosdoshme për zbërthimin e koncepteve filozofike, siç janë: dashuri-urrejtje, mirësi-ligësi. Sintaksa në romanin “Kujtimet e Zonjës von Braun” dallon me periudhat e stërgjata, me fjali bashkërenditëse e nënrenditëse, që nganjëherë e kapin edhe një faqe të tërë.

Romani “Kodi i dashurisë” (2006) duket si një thirrje profetike për një dashuri universale. Duke dashur t’i paraqesë në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më kundërthënëse njëkohësisht antipodin e dashurisë dhe të mirësisë, siç janë urrejtja dhe lufta, kësaj here autori fillin e ngjarjeve të syzheut e vendos në kohën më të re të luftës dhe të krimit që ka ndodhur në Kosovën e vitit 1999. Në këtë roman vazhdohet të prekën vitet më kritike të etnisë sonë, duke filluar nga Lufta Ballakanike e deri te lufta e fundit. Megjithatë edhe në “Kodi i dashurisë” autori nuk pretendon të kategorizojë shkrimin e prozës si roman historik apo epope, por mundohet të elaborojë me konceptet etike, filozofike dhe politike që dalin nga lufta dhe konflikti.

Meqenëse forma arkitekstuale është çelësi i interpretimit të romanit “Kodi i dashurisë”, atëherë edhe interpretimi për të duhet të përmbajë referenca me romanet pararendëse të Jusuf Buxhovit. Kështu, misioni i Kolonelit që defilon edhe në romanet paraprake është vazhdim i misionit të tij me përfundim tragjik. Si një misionar që mundohet t’i pajtojë dhe përbashkojë konceptet e kundërta etike, filozofike dhe politike (dashuri-urrejtje; mirësi-ligësi; paqe-luftë; diktaturë-liri; komunizëm-demokraci), fryma iluministe, romantike dhe nganjëherë mistike e Kolonelit bartet në mënyrë asociative edhe në “Kodi i dashurisë”. Është Kujtim Kosova, heroi i korrespodencave ditore me një gazetë të njohur gjermane gjatë golgotës kosovare, që flet me shumë zëra; herë si Kujtim Kosova, herë si Gjin Bardhi fatkeq nga derë princore e Dukagjinasve, herë si Nikë Bardhi, herë si Mendim Drini e herë si Gjon Nikollë Kazazi, ai që i shpërfaq tre shekuj histori të një etnie të rrezikuar nga shfarosja.

Në mesin e kaosit që shkakton urrejtja dhe lufta, zëri i Kujtim Kosovës është edhe zë i një arsyeje universale, që mëton të ndërtojë një frymë të re profetike e nganjëherë edhe romantike të mirëqenies dhe të dashurisë. Ai është i preokupuar së pari më Kodin e Luftës që tani më ishte i hapur dhe, si oponencë ia vë Kodin e Dashurisë. Është kjo një thirrje profetike për dashuri, një dashuri në kohën e urrejtjes. Këtë kohë ai e cilëson si shpallje të kohës së dashurisë së përhershme dhe të përgjithshme, të ngjashme me atë ndijimin hyjnor, që përendesha dashuri ua kishte dhuruar krijesave me rastin e shfaqjes së mbretërisë së tokës. Frymës mesianike të heroit që proklamon dashuri në vend të urrejtjes, autori i jep atribute profetike kur Kujtim Kosova e zgjon nga vdekja e sigurt të dashurën e tij, Verën, apo kur flet me një formë teknikisht të panjohur më parë, me një telefon me lidhje të pazbuluara. Kjo frymë profetike që mëton të shpallet përmes një idealisti, shpirti i të cilit flet në disa kohë, e ka një përfundim tragjik sikur shumica e profetëve dhe idealistëve që i njeh qytetërimi botëror. Pikërisht në momentin e shpalljes së kësaj dashurie universale, dalin forcat e tjera kundërshtuese, që janë të barasvlershme me luftën, urrejtjen dhe smirën, ato që e shuajnë atë zë. Vdekja e Kujtim Kosovës pranë një teqeje, që predikon lidhjet spirituale të drejtpërdrejta më Krijuesin, mbetet enigmë, ashtu siç mbetet enigmë vrasja e Kolonelit (Kujtimet e zonjës VonBraun) pikërisht në këtë teqe. Kjo e vë në pah edhe një çështje tjetër: zërat që trumbetojnë bashkim në vend të ndarjes, dashuri në vend të urrejtjes, paqe në vend të luftës, sikur shuhen dhunshëm, pa arritur të përhapen, apo të konsolidohen. Është ky një zë që pëson tragjikisht edhe në romanet paraprake të Buxhovit. Në një rast personazhi enigmë Kujtim Kosova deklarohet se “këtë luftë do ta bëjmë në emër të dashurisë dhe vetëm të dashurisë, e kundër urrejtjes dhe çmendjes së saj”.

Një tip krejt tjetër i romanit me prosede dokumentar është romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” (2011).Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” shënjon formën pluraliste të përdorimit të gjuhës dhe të teknikave të rrëfimit, që së bashku e ndërtojnë një roman me prosede dokumentar. Meqenëse romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” e ka një syzhe ciklik, pika nismëtare e romanit, që është edhe pika zero, vazhdon në trajektoren e saj deri sa të përfundon përsëri në pikën nismëtare.Ky roman është i strukturuar në tri perspektiva narrative. Në pjesën e parë flitet për jetën e personazhit Bashkim Kosova nga narratori i gjithëdijshëm, ku shpaloset autobiografia dhe auto-ideografia e personazhit nga perspektiva reale (është fjala për portretizimin e tij sipas rrugës jetësore, që nga lindja e deri te vrasja). Në pjesën e dytë me nëntitull “Çfarë u tha për Bashkim Kosovën”, autori i fut në funksion format e artikujve gazetareskë si pjesë strukturore të fabulës (një shembull ky shumë i rrallë në prozën shqipe ku format e shkrimit ndërthurën sipas një montazhe koherente). Kjo pjesë e romanit përmban edhe artikuj realë të gazetave shqiptare dhe serbe, të shkruara gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Ndërkaq në pjesën e tretë me nëntitull “Çfarë tha Bashkim Kosova” perspektiva e rrëfimit del nga un-i, ku Bashkim Kosova rrëfen për vetveten, nga e cila shpaloset edhe këndi më emocional i jetës dhe veprës së personazhit.

Edhe pse romani Lufta e fundit e Bashkim Kosovëse shpërfaq imazhin e një romani me premisa dokumentare, e nganjëherë edhe gazetareske, në substratin e tij tekstor vërehet përshtresimi i arketipit sipas Jungut. Vetë emërtimi Bashkim Kosova është bashkëdyzim semantik i dy emërtimeve të cilat krijojnë arketipin e Bashkimit, si nocion atdhetar dhe nocionit tjetër Kosova, si toponimi, etno-gjeografi shpirtërore. Është pikërisht ky bashkëdyzim emërues që do t’ia përcaktojë fatin Bashkim Kosovës, si kur ai lufton në ring për ta mbajtur dhe madhëruar emërtimin e tij për hir të vetvetes dhe tifozëve bashkatdhetarë, si kur ky emërtim bëhet pikënisje e kërcënimeve dhe shantazheve nga të tjerët, që e shihnin Kosovën dhe njerëzit e saj si Gogol.

Bashkim Kosova është prototipi i një personaliteti shqiptar, idealet sublime të të cilit çdoherë bien ndesh me ata që e donë të kundërtën. Madje, personazhi Bashkim Kosova në formën interliterale është vazhdim i personazheve ide të romaneve të mëparshme të shkrimtarit Buxhovi. Ky interliteralitet konceptesh është vazhdim i idealeve të Kolonelit për bërjen e Shqipnisë Shqipni në romanin Kujtimet e Zonjës von Braun, pastaj vazhdim i idealeve të personazhit Kujtim Kosova (ku edhe këtu kemi bashkëdyzim semantik të emërtimit që ndërtojnë arketip) në romanin Kodi i dashurisë, ku koncepti i luftës së tij ndaj të keqes është dashuri kundër urrejtjes, etj.

Në përgjithësi, në romanet e Jusuf Buxhovit historia dhe dokumentarja dalin të sinkronizuara, premisë të cilën semiologu Roland Barthes e shpjegon me faktin se “si te Romani ashtu edhe te Historia kemi ndërtim të një bote autarkike, që vetë i prodhon dimensionet e veta dhe kufijtë e vet, duke vënë aty kohën e vet, hapësirën e vet, popullsinë e vet, koleksionin e objekteve dhe të miteve të veta”. Kështu, në romanet e Buxhovit dokumentarja dhe historia i hyn në punë për ta ndërtuar “botën autarkike” nëpër të cilën ecin, jetojnë, dashurohen, urrehen dhe vriten personazhet e romanit.

Atë që e ka thënë historiani Buxhovi përmes librave historikë, shkrimtari Buxhovi përmes romaneve e ka përforcuar me krijimin e realiteteve artistike, pasi që, thënë me fjalët e shkrimtarit dhe teoricienit çek, MilanKundera: “e vetmja arsye e ekzistencës së romanit është ta thotë atë që vetëm romani mund ta thotë”. Veprimtaria letrare në mijëra faqe romane, tregime e novela e Jusuf Buxhovit do të mbetet kronikë letrare balzakiane në letërsinë shqipe.

(I lexuar me rastin e aktivitetit letrar “JusufBuxhovi – krijimtaria letrare”, i organizuar nga “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit” në Tiranë, më 12 tetor 2021.)./KultPlus.com

Çmitizim romanesk i narrativave heroike

Del nga shtypi romani më i ri i autorit Ardian Haxhaj, “Mirë se vini zoti ambasador”, i cili prek në thelb realitetin kosovar të pasluftës.

Shkrimtari Ardian Haxhaj tashmë është konsoliduar si një lëvrues i mirë i romanit, me pesë romanet e tij të shkruara në periudha të ndryshme. Megjithatë ai nuk ndalet, vazhdon të shkruajë pandërprerë dhe sapo ka dalë nga shtypi romani i tij i gjashtë. “Mirë se vini zoti ambasador” titullohet romani më i ri i romancierit Ardian Haxhaj, i porsabotuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” në Prishtinë. Ky roman është paksa më ndryshe ndaj atyre pararëndës të autorit, pasi që ka një qasje sarkastike që ta ngrin buzëqeshjen me ironinë e zezë, ashtu siç shfaqen sarkastike fatet e shumë e shumë personazheve që veprojnë nëpër situata tragjikomike.

Romani më i ri i Haxhajt, me 350 faqe, është një tragjikomedi e shoqërisë sonë e ndërthurur mjeshtërisht përmes personazheve e situatave që paraqiten e ndërlidhen aq natyrshëm, është një çmitizim brilant romanesk i narrativave heroike. Të rralla janë veprat letrare, në të cilat ngërthehet kompleksiteti i tërë një shoqërie sa në romanin “Mirë se vini zoti ambasador”.

Romani “Mirë se vini zoti ambasador” prek në thelb realitetin kosovar të pasluftës, duke shfaqur reminishenca edhe të së kaluares jo shumë të largët.

Sikurse me romanet pararëndëse, me të cilat autori Haxhaj ka fituar edhe çmime, edhe me romanin e radhës, “Mirë se vini zoti ambasador”, ai e dëshmon dhuntinë dhe përkushtimin par excellence për krijimin e romanit, prandaj me të drejtë mund të themi se Ardian Haxhaj është një prej romancierëve më të mirë të letërsisë së sotme.

Romanin “Mirë se vini zoti ambasador” tashmë mund ta gjeni te libraria Dukagjini dhe libraria Artini./ KultPlus.com