Komunikimi, lëvizja, arti e imagjinata erdhën në jetë në ekspozitën “Komploti i Tiranës”

Uranik Emini

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artisti Ardian Isufi hapi ekspozitën e tij “Komploti i Tiranës”, e cila në thelb kishte interaktivitetin, pra komunikim me publikun dhe lënien e këtij të fundit të elaborojnë imagjinatën e tyre deri në kufijtë e fundit për të arritur në një përfundim, konkretisht për të gjetur një përgjigjje, shkruan KultPlus.

Koha po afronte, muzika po fillonte dhe njerëzit po mblidheshin për të parë nga afër punën e artistit Ardian Isufi dhe ekspozitën e tij “Komploti i Tiranës”, të kuruar nga: Geatano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha, Elton Koritari. 

I pari që bëri hapjen e kësaj ekspozite ishte pikërisht drejtori i Galerisë, Naim Spahiu.

“Kjo është ekspozita e parë personale e Ardian Isufit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, derisa kjo ekspozitë gjithashtu ka edhe tre kuratorë të cilët do të bëjnë edhe prezantimin e tyre”.

Spahiu gjithashtu ka thënë për KultPlus se puna e madhe që është bërë në Galeri, patjetërsisht e ka edhe rezultatin e saj.

Pastaj, për një fjalim rasti u ftua edhe kuratori nga Italia, Geatano Centrone.

“Isufi ka koherencë në punën e tij, është i besueshëm dhe e mbulon mirë skenën sikurse në koncept po edhe në atë të tradicionales së artit. Ajo çfarë është më e rëndësishmja, Isufi i flet komunitetit, flet për komunitetin më shumë sesa për vetveten nëpërmjet artit të tij”.

Centrone shtoi edhe pjesën se Isufi është një artist që e vë në mënyrë të shkëlqyeshme marrëdhënien sociale me publikun.

“Ai e njeh shumë mirë dhe e përzinë filmin mes politikës dhe publikut, duke u bërë pjesë e atij grupi social e asnjëherë nuk pretendon të jap përgjigjje, po vetëm shton shumë pyetje”.

Sipas radhës, Vladimir Myrtezai-Grosha, tregon se lidhshmëria mes këtyre tre kuratorëve është historia.

“Isufi ka një hapësirë të plotë për të shprehur dhe për ta na servirur atë parehatinë e një artisti”, tha ai mes tjerash.

Më pas, edhe Elton Koritari, i cili fillimisht përktheu nga italishtja në shqip, nuk e zgjati shumë rreth aspektet e ekspozitës.

“Ky është bashkëpunimi i dytë i rëndësishëm me këtë Galeri, të cilën e kam shumë për zemër. Bashkëpunimi im me Kosovën po vazhdon vit pas viti. Çdo dy vite po mendoj për të ardhmen dhe se si mund të prezantohemi më mirë. Duam ta falënderojmë Kosovën”, u shpreh Koritari.

Artisti Ardian Isufi deklaroi se komploti më i madh ka qenë mes tij dhe kuratorëve, e githë bashkëpunëtorëve të tjerë.

“Komploti në aspektin intelegjentë të fjalës, për shkak të komunikimit, i cili ka ngjizur këtë ekspozitë, e cila është e ndarë nëpër disa pjesë, pavijone, ku edhe ka vepra që i kam ekspozuar edhe më parë, duke mos lënë anash edhe veprat e reja që janë bërë vetëm për këtë ekspozitë”.

Artisti vlerëson frymën për t’i dhënë një karakter dhe kontribut kulturës në përgjithësi, me ‘ç’rast është frymëzuar për të punuar edhe më shumë.

Të tre kuratorët, të udhëhequr nga Ardian Isufi, falënderuan përzemërsisht Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe bashkëpunimin me ta.

Ndërkaq, artistja Eliza Hoxha, në një prononcim për KultPlu dha përshtypjet e veta mbi këtë ekspozitë.

“Punën e Ardianit e njoh prej më herët dhe ajo çka më pëlqen mund të ndahet në disa pika. Fillimisht, më pëlqen që ai zakonisht me punën e tij i shqyrton fenomenet por e lë publikun ta kuptojë fenomenin duke bërë pyetje, ku gjithësecili mund ta kuptojë vetë veprën. Një vepër arti mund të jetë fluide në kuptimin e plotësimit, ndryshimit, ashtu siç është jeta jonë sot”.

Tute ajo thotë se i ka lënë përshtypje shumë pjesa se si ai përdor jashtëzakonisht shumë situata reale.

“E treta është se ai përdor produkte sikurse sateliti, të cilin e përdori edhe unë, e që nuk është produkt as i imi e as i Ardit, po e përdor si mjet i cili është krejtësisht për diçka tjetër, duke ia dhënë një kuptim të ri”.

E pyetur mbi pjesën se si e vlerëson bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës, Eliza Hoxha thotë për KultPlus se ekziston kalendari formal kulturor, e duhet të jetë në kuptim më të gjërë.

“Është një dimension formal, i atij kalendarit kulturor që bëhet zakonisht, jo në kuptimin negativ të fjalës, por që duhet të jetë në kuptim më të gjërë në aspektin përmbajtësor që të përfshijë më shumë njerëz. Dhe më pas, mënyra se si përcaktohen njerëzit ose ekspozitat, nuk e di nëse ka ndonjë kriterë apo proces, nuk dua të flas pasi nuk e di. Ndërkaq, te bashkëpunimet që bëhen në tjera relata, në punën që e njeh të dikujt, suksesin që e ka dikush, pastaj ka ftesë e konkurim në konkurs të hapur etj, shumica e ekspozitave që janë bërë në mënyrë të tillë, kanë rezultuar gjithnjë më pozitive”.

Revolta e Isufit për shëmtinë urbane, dramën ligjore dhe plagën artistike ndërthurën edhe një herë imagjinatën dhe artin, të cilat së bashku sipërfaqën, në rastin tonë, në mënyrën më të mirë të mundshme realitetin.

“Komploti i Tiranës” do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor. /KultPlus.com

Nesër në Galerinë Kombëtare hapet ekspozita ‘Komploti i Tiranës’

Nesër (12 maj) do të hapet ekspozita “Komploti i Tiranës” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Komploti i Tiranës” e Ardian Isufit, hapet me fillim nga ora 19:30.

Gjithashtu, sipas njoftimit ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor të këtij viti.

Kjo është ekspozita e parë personale e Isufit që hapet në Galerinë Kombëtare.

Gjithashtu, kjo ekspozitë është e kuruar nga Gaetano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha dhe Elton Koritari.

“Kjo ekspozitë heton dhe shfaq proçese krijimi, tundime, përballje publike por edhe pamundësi dhe drama kolektive dhe personale të botës së brishtë të artit bashkëkohor – lokal apo global. Kjo sepse veprat e Ardian Isufit kanë karakter të veprave të angazhuara të cilat ndikojnë drejtpërdrejt mbi opinionin publik si një dialog me mjetet e artit duke na vorbulluar me paqëndrueshmëritë dhe qëndrimet eklektike të artistit si një kostum që me kast e ka veshur për të na destabilizuar përcaktueshmërinë e përkohëshme e të përsëritur që ai propozon..”, përshkruhet shfaqja./ KultPlus.com

Të enjten në GKK hapet ekspozita “Komploti i Tiranës” nga Ardian Isufi


Kuruar nga Gaetano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha dhe Elton Koritari, të enjten në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita e radhës me titull “Komploti i TIranës” nga artisti Ardian Isufi, përcjell KultPlus.

Ekspozita hapet duke filluar nga ora 19:30 dhe do të qëndrojë e hapur nga data 12 maj deri më 12 qershor 2022.

Ardian Isufi ekspozon për herë të parë në një ekspozitë personale pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe do të sjellë për publikun e Kosovës një perzgjedhje nga karriera e tij e gjatë artistike si edhe vepra të reja e të krijuara ‘site specific’ për këtë ekspozitë, ku veçojmë pavijonet e Veprave të
Pamundura, atë të Komplotit të Tiranës apo Interpelancën e Artistit me Raino Isto dhe Genti
Gikola.

Rreth artistit:

Ardian Isufi është ndër artistët më të rëndësishëm të skenës bashkëkohore shqiptare, me një
karierrë të gjatë në të nëpërmjet artit, kritikës, organizimit të aktiviteteve artistike dhe kurimit të
ekspozitave dhe me pjesëmarrje në shumë veprimtari artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. Si
artist por edhe si kurator dhe kritik arti, veprimtaria e tij është shumë e gjërë, artisti përfaqëson më
së miri brezin e artistëve dhe intelektualëve shqiptarë të impenjuar dhe aktivë në të gjithë spektrin
e veprimit publik. Në punën e tij Ardian Isufi ka krijuar një marrëdhënie konstante me publikun
shqiptar, si artist apo kurator, duke tentuar përherë ta ballafaqojë atë me problematika akute socialshoqërore por përherë të hetuara nga një këndvështrim dhe një qasje bashkëkohore dhe globale.
Rreth punëve prezantuar në këtë ekspozitë:

Ardian Isufi sjell në këtë ekspozitë një pjesë të mirë të “galaktikave fluturuese të universit të tij” –
cit. nga Vladimir Myrtezaj. Nëpërmjet të veprash të realizuara ndër vite, realizohet kështu një
retrospektivë e punës së tij për publikun e Kosovës por kjo gjë vjen e ndërthurur konceptualisht si
një proçes artistik me propozime të reja të pashfaqura më parë. Ekspozita vazhdon pra rrugëtimin
e artistit me çdo kusht për të qenë në garë me kohën dhe me çdo mënyrë për të qenë në një shtrat
të ndryshueshëm në një lëvizje perpetum që të sillet në kokë ngjashmërisht me galaktikat fluturuese
si një energji e pandërprerë pa u kujdesur për pikë-presje apo sjellje etike si formalitet. Ardian Isufi
është një lloj energjie e motorrizuar për ndryshimin e përhershëm në kërkim të kohës së humbur.
Një subjekt në një parehati pamjaftueshmërisht të zgjatur që në të shumtë i ngjan një makinerie të
automatizuar nga tërheqjet e shpeshta e shpesh përmbysëse saqë të le të mendosh që ky rrugëtim
në fundin e tij do ti përngjajë një urie e eksitimi anormal për të na blatuar një model të ri e të
pazakontë si një ngjashmëri e shumë “koverave” që sa vijnë e shfaqen në referenca të ndërmjetme
me artistët më të spikatur e në zë të kohës.

Koncepti:

Kjo ekspozitë heton dhe shfaq proçese krijimi, tundime, përballje publike por edhe pamundësi
dhe drama kolektive dhe personale të botës së brishtë të artit bashkëkohor – lokal apo global. Kjo
sepse veprat e Ardian Isufit kanë karakter të veprave të angazhuara të cilat ndikojnë drejtpërdrejt
mbi opinionin publik si një dialog me mjetet e artit duke na vorbulluar me paqëndrueshmëritë
dhe qëndrimet eklektike të artistit si një kostum që me kast e ka veshur për të na destabilizuar
përcaktueshmërinë e përkohëshme e të përsëritur që ai propozon. Përballë veprave të këtij lloji,
në kufirin mes mediumeve të ndryshëm,shikuesi përfshihet drejtpërdrejt nga artisti, i cili e përdor
produktin e tij vizual si gjenerues të paqartësive dhe pyetjeve mbi të cilat është legjitime të
reflektohet. Më tej, Ardian Isufi çan murin e asaj çfarë është perceptim mbi punën e artistit sot jo
vetem në trevat tona por kudo, ai pra e vendos vizitorin në një rol aktiv gjatë eksperiencës së
ekspozitës e akoma më shumë, gjatë jetës së përditshme. / KultPlus.com