Vehbiu: Shqiptarëve u përmendej emri shpesh në kronikën e zezë, si trafikantë droge, shfrytëzues prostitucioni, grabitës dhe vrasës

Shkruan: Ardian Vehbiu

E përbashkëta jonë

Gjithë këto muhabete me Elsa Lilën, më kujtuan se unë nuk ndihem ndonjëherë krenar kur një shqiptar arrin një sukses jashtë Shqipërisë, siç edhe nuk ndihem i poshtëruar, kur një shqiptar përfundon në krye të lajmeve të kronikës së zezë. Kam qenë në Itali në kohën e shfaqjes masive të “elementit shqiptar” atje, dhe njëlloj jam neveritur si kur më kanë parë me përçmim, si “shqiptar”, ashtu edhe kur më kanë lavdëruar, sërish si “shqiptar” (sa gjuhë di, etj.). Në ato kohë më thërrisnin herë pas here të përktheja në hetuesi, në kuesturë ose në burg, dhe bija në kontakt me lloj-lloj bashkatdhetarësh.

Veçanërisht të pështirë për mua ishin shfrytëzuesit e prostitucionit, dhe më shumë se një herë mendoja se çfarë mund të kem unë të përbashkët me këta CJEPËR, veç faktit që flasim shqip. Vallë duhet ta përjetoja shqipen time amtare si mallkim? Sepse përndryshe nuk bashkëndanim praktikisht asnjë vlerë, sociale dhe kulturore. Apo mos duhet të mendoja, duke relativizuar, në kushte të tjera edhe unë do ta bëja punën e PIMP-it dhe do të nxirrja e do të mbikëqyrja vajzat në rrugë? Jo, nuk besoj se do ta bëja kurrë. Pastaj më shkonte mendja se në sytë e hetueses a të detektivit italian, shumë pak dallim kish mes pimp-it dhe meje, të dy ishim – tek e fundit – shqiptarë dhe, në thelb, të huaj.

Më ka rastisur të dëgjoj një zv. prokurore të republikës, në Napoli, të trajtonte mu para meje, me përbuzje të hapur një punëtore shqiptare, te një fabrikë dyshekësh, e cila thjesht ishte dëshmitare e një aksidenti vdekjeprurës në vendin e punës (një kolegen e saj e pat vrarë një makinë industriale, duke e tërhequr për flokësh; por fabrika vetë ishte ilegale). Fare lehtë mund të kisha qenë unë në vendin e asaj punëtores. Dhe besoj se ka një lidhje mes këtij “refuzimi” të Tjetrit thjesht për shkak të paragjykimit dhe krenarisë që jemi gati të ndiejmë, kur një futbollist shqiptar shënon gol në kampionatin anglez. Të dyja situatat janë produkt i një iluzioni de-personalizues.

E kam ndjekur muzikën e lehtë italiane prej dekadash, dhe them se ashtu edhe kam marrë një “edukim” muzikor, por edhe poetik – po të kem parasysh tekstet e kantautorëve të viteve 1970-1990. Janë gjëra që ma kanë pasuruar botën vetjake shumë më tepër se realizmi socialist në Festivalet e Këngës në Radio-Televizion. Dhe me një këngë që më pëlqente, kam vendosur gjithnjë një raport shumë personal, intim, ku edhe kam parë të realizuar identitetin tim. Prandaj edhe nuk mund ta kuptoja si mund të entuziazmohej dikush me Elsa Lilën, kur ajo merrte pjesë në Sanremo, përveçse po t’i pëlqente kënga dhe interpretimi i saj, në vetvete. Është normale që dikush që jeton në Itali, të marrë pjesë në jetën e atij vendi, me të mirat dhe të këqijat e saj: kjo do të thotë se krimi shqiptar në Itali është në fakt problem i rendit publik të atij vendi po aq sa Elsa Lila në Sanremo është fenomen muzikor i muzikës së lehtë të atjeshme. Veç kësaj, italianët nuk është se na pritën atëherë si shpëtimtarë, por edhe racistë nuk është se u treguan. Kish në qëndrimin e tyre si popull frikë nga e panjohura, por kish edhe ankth për ndryshimet sociale që mund të sillte – dhe që solli – emigracioni. Nga ana tjetër, elitat atje sidomos ato të majta u ngutën të “sinjalizojnë virtytin” dhe t’ua hapin dyert e industrisë së spektaklit individëve nga Shqipëria, ndonjëherë edhe duke i prezantuar si “shqiptarë të zbutur”. Nuk është lehtë të normalizosh raportet, në rrethana të tilla.

Unë kisha një punë “dinjitoze” në Institutin Oriental të Napolit, dhe megjithatë gjithnjë ndihesha i trajtuar si ndonjë kafshë cirku. Mbase kjo i detyrohej faktit që edhe unë e shihja veten ashtu. Napoli e kish njohur tashmë emigracionin, por besoj ishte hera e parë që emigrantët në masë nuk i dalloje dot, nga pamja dhe veshja dhe sjellja, prej vendasve. Ndryshe nga marokenët dhe pastaj pa folur për etiopianët, somalezët dhe nigerianët. Prania e elementit shqiptar në jetën e qytetit krijonte një lloj ankthi të ri. Gati-gati, na shihnin si “të infiltruar”. Por kjo karakteristikë, në analizë të fundit, e ndihmoi integrimin e emigrantëve nga Shqipëria – që ndodhi edhe me mirëkuptimin e autoriteteve italiane. Por të jetë edhe kjo arsye për t’u ndier krenar? Për një kohë të gjatë, shqiptarëve – nga Shqipëria dhe Kosova dhe Maqedonia dhe sidomos në zonat e pasura të veriut italian – u përmendej emri shpesh në kronikën e zezë, si trafikantë droge, si shfrytëzues prostitucioni, si grabitës dhe vrasës. Të ishte kjo arsye për t’u ndier me turp? Nuk them se mua nuk më vinte rëndë, por kjo lidhej me atë që prisja prej italianëve të më shihnin shtrembër, mua shqiptarin, sa herë që ndonjë “bashkatdhetar” bënte proçkën e radhës dhe identifikohej si i tillë në mediat. Sikleti im vinte si anticipim i reagimit instinktiv të italianëve, të cilin e supozoja dhe e prisja të ndodhte. Përndryshe, nuk do të më vinte turp, pse një shqiptar kish vjedhur dhe kish vrarë, në qoftë se atë person nuk e njihja, nuk e kisha takuar kurrë, nuk e dija se ç’përfaqësonte dhe nga vinte. Flisnim të dy shqip? Nuk besoj se mjafton, për mua nuk ka mjaftuar kurrë.

Përkundrazi, mjaftonte dhe tepronte vetëdija ime për kufirin midis respektimit dhe shkeljes së ligjit të vendit ku jetoj (jo të ligjit që mund të kisha sjellë unë me vete). E megjithatë, çfarë do të ndieja – deri dje – po të takoja një italian dhe ky të entuziazmohej me mua, si bashkatdhetar i Elsa Lilës? Një situatë e ngjashme është ajo që kam provuar në librari, kur kam parë librat e Kadaresë – frëngjisht – në raft. Jam ndier mirë, por JO ngaqë Kadareja është autor shqiptar. Thjesht ngaqë ai është autori me të cilin jam rritur dhe formuar kulturorisht dhe që tani më lidh me Francën ndryshe nga ç’më lidh, bie fjala, John Lennon-i, të cilin gjithashtu e duan shumë në atë vend. Por mua nuk ma jep dinjitetin, si individ, romani i përkthyer i një bashkatdhetari apo interpretimi i një këngëtareje shqiptare.

Prandaj te historia e Elsa Lilës, që është arrestuar pse dyshohet për pjesëmarrje në një bandë trafiku të drogës, shoh një histori – nga të shumtat – me shqiptarë që duan të pasurohen me rrugë të paligjshme në Perëndim. Që ajo ishte deklaruar dikur “Ambasadore e këngës shqiptare në botë” a diçka e tillë, më flet shumë për cektësinë dhe oportunizmin e politikave tona kulturore, por nuk ma ul konsideratën për muzikën shqiptare, as për vlerën e veprave nga artistë, anembanë botës, që qëllon të jenë shqiptarë dhe të flasin shqip si unë. Ne tregohemi tepër naivë, kur presim prej celebriteteve, madje edhe prej starlet-eve si Elsa Lila, që të shfaqin dhe të promovojnë virtytin, qoftë edhe virtytin tonë kombëtar.

Politika do t’i shfrytëzojë këto për qëllimet e veta, sepse politika atë punë ka. Por le të mos ngatërrohemi me krenarinë dhe turpin, sa kohë që jemi të pjekur dhe ndiejmë përgjegjësi individuale për çfarë bëjmë dhe për çfarë nuk bëjmë. / KultPlus.com

Shqipja dhe greqishtja në lashtësi

Nga: Ardian Vehbiu

Në krye, duke ftilluar disa çështje të metodës.

Së pari, vetëm konvencionalisht mund ta quajmë shqipe “gjuhën” që flisnin stërgjyshët e shqiptarëve në lashtësi; disa autorë e quajnë atë gjuhë “nëna e shqipes”, të tjerë përdorin termin më teknik parashqipja. Raportet e asaj gjuhe me shqipen mund të mendohen si të ngjashme me raportet, të themi, të gjuhës që flisnin fiset saksone në shek. V (gjuha e poemës Beowulf), dhe anglishtes së sotme.

Ja si tingëllonte në saksonishte lutja “Ati ynë”:

Fæder ure þu þe eart on heofonum

Si þin nama gehalgod. To becume þin rice

gewurþe ðin willa, on eorðan swa swa on heofonum.

Urne gedæghwamlican hlaf syle us todæg

and forgyf us ure gyltas, swa swa we forgyfað urum gyltendum

And ne gelæd þu us on costnunge, ac alys us of yfele. Soþlice.

Parashqipja do të ketë qenë madje shumë më e ndryshme nga shqipja e sotme, sesa saksonishtja nga anglishtja e sotme; meqë shqipja u fiksua në shkrim relativisht vonë.

Cili nga ne, pa qenë specialist i historisë së anglishtes, do të mund të dallonte në tekstin e mësipërm një formë të hershme të asaj gjuhe?

Së dyti, duhet pasur parasysh që greqishtja dhe shqipja (së bashku me parashqipen) kanë pasur kontakte për një periudhë shumë të gjatë; dhe kanë shkëmbyer fjalë mes tyre në lashtësi, në Mesjetë dhe në kohët e reja. Zakonisht, etimologët zotërojnë mënyra e teknika mjaft precize për të përcaktuar kronologjinë e huazimeve, por në rastin e gjuhëve të dokumentuara vonë, si shqipja, këto mënyra jo gjithnjë mjaftojnë.

Nuk është vendi këtu për të hyrë në hollësi, por mjafton të kujtoj se sa më të vjetra të jenë huazimet, aq më shumë ndryshime fonetike dhe kuptimore kanë pësuar në gjuhën pritëse. Gjithashtu, një fjalë me prejardhje nga greqishtja, e përhapur në të gjitha dialektet e shqipes, do të jetë, pas gjase, më e vjetër sesa një fjalë që ndeshet vetëm në dialektin e Gjirokastrës.

Tani, kush i ka qëmtuar huazimet e (para)shqipes nga greqishtja e lashtë, e mesme dhe e re, ka vënë re që numri i fjalëve që kanë hyrë në parashqipe nga greqishtja e lashtë është shumë i pakët. Disa autorë numërojnë jo më shumë se 20-25 huazime të tilla. Ky numër është skandaloz, po të krahasohet me mijëra fjalë që kanë hyrë në parashqipe nga latinishtja!

Arsyet e skandalit duan kërkuar në praninë masive të kolonive greke në bregdetin shqiptar: Butrinti, Apollonia e Durrësi ishin qytete të mëdha e të dëgjuara, qendra kulturore e tregtare ku greqishtja përdorej në të gjitha nivelet; por kishte edhe të tjera qendra më të vogla.

Nuk ka dyshim që popullsitë ilire dhe epirote të zonave përreth kanë dhënë e kanë marrë me grekët e kolonive, duke shkëmbyer jo vetëm mallra, por edhe fjalë dhe institucione. Nëse shqipja e sotme do të ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i një dialekti ilir që flitej në afërsi të kolonive greke të bregdetit, numri i huazimeve greke të vjetra do të ishte shumë i madh se 20-25 që kanë gjetur etimologët…

Për ta thënë ndryshe: Shqipëria e sotme, sidomos në jug të Shkumbinit, është e mbushur me elemente të kulturës materiale greke të lashtë: ndërtesa, poçeri, zbukurime, armë, sende të kultit, mbishkrime e kështu me radhë, të cilat vërtetojnë se banorët vendas dhe grekët në kolonitë e bregdetit kanë dhënë e kanë marrë rregullisht e për një kohë të gjatë.

Ku kanë përfunduar, atëherë, huazimet nga greqishtja e vjetër?

Disa gjuhëtarë, për ta shpjeguar këtë mungesë, kanë dalë me hipotezën se atdheu i shqiptarëve të sotëm ka qenë disi më në veri të Shqipërisë sot, në një zonë që nuk kishte kontakte të drejtpërdrejta me kulturën dhe gjuhën greke të lashtësisë.

Të tjerë mungesën e huazimeve nga greqishtja e vjetër e kanë konsideruar si provë që shqipja nuk mund të jetë vazhdim i një dialekti ilir të folur në trojet e Shqipërisë së sotme; dhe se shqiptarët rrjedhin prej trakëve, dako-mizëve, ose edhe ndonjë popullsie tjetër të mëvetësishme, të Ballkanit parahistorik.

Po a mund të shpjegohet kjo mungesë me ndonjë mënyrë tjetër?

Ndoshta po. Mund të parashtrohen së paku edhe dy hipoteza të tjera, sado të diskutueshme, të cilat i japin shpjegim numrit të vogël të huazimeve të parashqipes nga greqishtja e vjetër.

E para nga këto hipoteza do të formulohej pak a shumë kështu: ata parashqiptarë që jetonin në kontakt të ngushtë me qendrat greke të bregdetit, me kohë u greqizuan krejt; madje edhe ata që nuk u greqizuan plotësisht, përfunduan më pas të romanizuar. Shqipja e sotme është vazhdim i një dialekti të afërt me atë të parashqiptarëve të zonave të ulëta e të bregdetit, por që flitej nga një fis më i izoluar, në brendësi të vendit, i cili nuk iu ekspozua shumë ndikimit grek.

E dyta hipotezë lidhet drejtpërdrejt me metodat e përdorura për qëmtimin e huazimeve greke të vjetra në shqipe. Natyrisht, të gjithë ata gjuhëtarë që kanë etimologjizuar shqipen, duke filluar nga Gustav Meyeri, i kanë pasur mjetet dhe përgatitjen teknike për të dalluar elementin grek të vjetër në këtë gjuhë. Mirëpo, dihet edhe se ka shumë fjalë anase të shqipes të cilat afrohen etimologjikisht me fjalë të greqishtes së vjetër, por jo aq sa të thuhet me siguri se janë huazime, jo thjesht përkime leksikore; siç mund të bindet kushdo që shfleton një fjalor etimologjik të shqipes.

Në këtë kontekst, më bëri përshtypje tani së fundi një pasazh që lexova në veprën “Athina e Zezë” (vol. III), të Martin Bernalit, ku autori vëren se, kur vjen fjala për marrëdhëniet e greqishtes së vjetër me parashqipen, këto marrëdhënie u referohen shkëmbimeve që janë kaq të vjetra në kohë, sa është praktikisht e pamundur të dallohen bashkëpërkimet leksikore prej huazimeve. Ky përfundim i hyn në punë atij autori për të mbështetur hipotezën e vet, gjithnjë të diskutueshme, se bashkëpërkimet leksikore të greqishtes së vjetër me shqipen dhe armenishten (mjaft të njohura në indoevropianistikë) nuk mjaftojnë për të vërtetuar natyrën indoevropiane të fjalëve përkatëse – meqë këto mund të kenë hyrë në greqishte nga një gjuhë semitike dhe pastaj prej greqishtes të jenë përhapur edhe në dy gjuhët e tjera.

Nuk më interesojnë hipotezat e Bernalit, por ideja e tij për një zonë etimologjike të shqipes ku kufijtë midis fondit indoevropian dhe huazimeve tepër të hershme nga greqishtja e vjetër nuk mund të hiqen aq qartë, meriton vëmendje të posaçme.

Nëse është kështu; me fjalë të tjera, nëse ka vend për të kërkuar, në shqipen, një shtresë huazimesh greke të vjetra ende të padiktuara prej etimologëve, atëherë kjo mund të hapte një fushë të re, jashtëzakonisht intriguese, në studimet, sepse këto huazime mund të ndihmonin, sado tërthorazi, për të ravijëzuar edhe një dialektologji sado rudimentare të parashqipes, duke pranuar reflekse të shumëfishta të fonemave të greqishtes së vjetër në këtë gjuhë.

Këtë arsyetim të fundit po e ilustroj me një shembull, disi teknik, nga marrëdhëniet e parashqipes me latinishten. Dihet se grupi bashkëtingëllor ct në huazimet latine është reflektuar, në shqipen, në dy mënyra të ndryshme: jt, në fjalë si drejt (directu), shenjt (sanctus), fryt (frujt > fructus), pajtoj (pactare), trajtë (tracta), shujtë (suctus); dhe si ft, në fjalë të tipit luftë (lucta), ftua (cotoneum), dëftoj (dictare), troftë (*trocta); në një kohë që në rumanishten refleksi i këtij grupi ka qenë rregullisht pt: lupta (lucta), drept (directu), frupt (fructus), etj. Një gjuhëtar italian, Paolo Di Giovine, refleksin e dyfishtë të grupit latin ct në shqipen e ka shpjeguar si rezultat të dallimeve gjeografike ose dialektore; duke parë te ct > ft një rezultat më “lindor” (të krahasueshëm edhe me ct > pt të rumanishtes), dhe te ct > jt një rezultat më perëndimor, të krahasueshëm me forma të latinishtes që flitej në perëndim të Ballkanit, e pikërisht në Dalmaci.

Siç ndodh rëndom në shkencë, një anomali u bë kështu shkas për të çelur rrugë të reja në analizat gjuhësore e për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë dinamikat, ose baticë-zbaticat e parashqipes në Ballkanin e lashtësisë. Në këtë fushë, jam i sigurt se studimi i përkimeve leksikore midis shqipes dhe greqishtes së vjetër do t’u japë përgjigje shumë pyetjeve të mbetura ende pezull në albanologji; madje edhe në helenistikë e më tej, në dialektologjinë indoevropiane. /Peizazhe të fjalës/KultPlus.com

“La Repubblica” për librin e Ardian Vehbiut

“La Repubblica” ka botuar një recesion për librin e Ardian Vehbiut “Cose portate dal mare” përkthyer në italisht nga Valentina Notaro dhe botuar nga shtëpia botuese Besa.

ARTIKULLI I “LA REPUBBLICA”

Eseisti shqiptar Ardian Vehbiu ktehet në marrëdhëniet mes dy brigjeve të Adriatikut me pjesët e shkurtra të mrekullueshme të “Gjërat e sjella nga deti”, botuar nga Besa Muçi.

Deri në vitin 1991, Italia ishte aq e paarritshme në sytë e shqiptarëve sa që mori tipare pothuajse metafizike. Sapo ra Muri (i komunizmit). u bë reale në pak muaj: Perëndimi kishte pushtuar Shqipërinë, dhe shqiptarët pushtuan Perëndimin. Për dekada, duke parë televizionet italiane, ata ishin “paralizuar nga kotësia e shpresës për të qenë në gjendje të jetonin atë realitet”.

Përkundër të gjithë pritjeve, ajo shpresë ishte realizuar. Por nuk i la pa diku tjetër. Duke folur për veten e tij, Vehbiu duket se flet për shumë si ai: “Edhe pse jam arratisur, ëndrra e arratisjes ka mbetur e paprekur”. Për të mos u humbur.

Ndërkaq, vetë autori në rrjett sociale shpreh më së miri marrëdhënien e tij me këtë media dhe median italiane në përgjithësi. Me “La Repubblica” për herë të parë është njohur në vitin 1987, kur sapo kishte mbërritur në Romë për të studiuar në La Sapienza.

“I kisha kaq të ulëta të ardhurat, sa as gazetën nuk e bleja dot përditë, prandaj prisja me padurim të premten, kur mund të merrja jo vetëm gazetën, por edhe një revistë fantastike, me të cilën do të kaloja pastaj javën. I pata koleksionuar të gjithë numrat, deri në korrik të vitit 1988, sepse nuk më bënte dora t’i hidhja. Isha ende i mendimit se një revistë aq e vyer nuk mund të hidhet në plehra. Në atë kohë ne deri edhe shishet plastike nuk na bënte dora t’i hidhnim. Vinim nga një varfëri e madhe dhe nuk e kuptonim dot si funksiononte kultura “usa e getta”. Ne ruanim gjithçka. Prandaj edhe më mbushej dollapi, në apartamentin në Romë, me gjithfarë gazetash e revistash, përfshi edhe “Il Venerdi”. Më ish bërë një pako e madhe, të cilën sërish nuk dija ç’ta bëja, kur më erdhi ora për t’u kthyer. Me vete nuk e merrja dot, sepse nuk do të ma linin në kufi. Për ta flakur tutje as që bëhej fjalë. I kërkova një mikut tim italian, nëse mund t’ia lija. Ma pranoi me gjithë qejf. Them se e bëri se i erdhi keq për mua. Edhe mua më erdhi keq për veten”, shkruan ai./ gazeta diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Avullimi i 10.000 eurove, replikë mes Alda Bardhylit dhe Ardian Vehbiut

Alda Bardhyli, koordinatore e çmimit “Kadare”, në një replikë të zhvilluar me Ardian Vehbiun, “me këtë çmim fitojnë të gjithë”, ky titull i Ardian Vehbiut shoqëronte një shkrim mbi çmimin “Kadare”, në “Peizazhe të fjalës”, marrë shkas nga një status publik i profesorit Agron Gashi, ku fliste për “avullim” të shumës prej 10 mijë eurosh, që duhet të kishte shkuar në llogarinë e fituesit të edicionit të tretë të këtij çmimi, shkrimtarit Musa Ramadani.

Nëse nuk do të shkonim më tej tekstit të Vehbiut, titulli do të dukej i justifikuar për një çmim që, më shumë se për autorët që janë kurorëzuar në këto vite, ka fituar letërsia shqipe. 

Nuk është hera e parë që Vehbiu kërkon ta shohë këtë konkurs të letrave shqipe, i cili është kthyer në këto vite në projektin më të rëndësishëm kulturor në hapësirat shqiptare, jo në vlerën që mbart si iniciativë dhe si një shërbim ndaj autorëve dhe letërsisë, por për grantin (ashtu siç e quan në një shkrim të vitit 2017) që mbart. (Dua vetëm të vërej se ky çmim vjen kaq fort në vëmendjen e publikut ngaqë lidhet me emrin e Kadaresë, por edhe për shkak të honorarit relativisht të majmë [10 000 euro] që merr fituesi, shkruan Vehbiu në shkrimin “Çmimi i përfolur”, dy vite më parë.) 

Për një studiues të letërsisë e shkrimtar si Vehbiu, analiza mbi bilance financiare e jo mbi analiza mbi prurjet e këtij çmimi, pasi janë 5 romane të botuara në këto vite nga ky konkurs, thjesht konfirmojnë qëndrimet e tij të njohura për të mohuar çdo gjë që lidhet me emrin e Kadaresë. 

Çmimi “Kadare”, iniciativë e Institutit Europian “Pashko”, mbylli këtë vit edicionin jubile (edicionin e pestë), duke shpallur fitues shkrimtarin e ri Loer Kume. Përgjatë këtyre viteve, në një hapësirë letrare, ku duket se nuk ndodh asgjë, ky çmim ka pasur meritën jo vetëm në krijimin e një gare motivuese për më shumë se 300 autorë, por dhe në nxitjen e një debati mbi letërsinë. Marrëdhëniet tona me autorët fitues të këtij çmimi kanë qenë korrekte jo vetëm sipas një kontrate të nënshkruar, por dhe sipas parimeve të pashkruara që njerëzit e letrave ndërtojnë. Përgjatë një periudhë 18 – 24-mujore, autorët kanë obligim ta promovojnë këtë iniciativë e në të njëjtën kohë veprat e tyre sipas modaliteteve të shkruara në statusin e çmimit “Kadare” në evente e takime të ndryshme. Ky proces ka përfunduar plotësisht me fituesin e edicionit të parë, Rudolf Marku. Është në përfundim e sipër me Shkëlqim Çelën dhe Musa Ramadanin, përkatësisht fituesit e edicionit të dytë dhe të tretë, por për shkak të largësisë gjeografike, pasi Çela jeton në SHBA, apo për shkak të gjendjes shëndetësore të mjeshtrit Ramadani, disa elemente të procesit të promovimit të veprës, çmimi dhe institucioneve që e akordojnë, kanë mbetur më pas. Kurse për Virgjil Muçin dhe fituesin më të fundit, Loer Kume, eventet janë në vazhdim. Për shembull, Loer Kume zhvilloi një bisedë brilante me lexues të rinj së fundi, në Muzeun Studio Kadare në Tiranë. Të gjitha këto janë detaje që mes palësh vazhdojnë, sepse çmimi “Kadare” nuk është thjesht një mandatpagese, është një projekt kulturor që synon të gjallërojë, të nxisë dhe të ruajë një debat kulturor për letërsinë bashkëkohore shqipe. Kaq për detajet teknike, që janë proces rutinë për autorin dhe Institutin Europian “Pashko”.

Nisur nga shkrimi i detraktorit të vjetër të Ismail Kadaresë dhe tanimë dhe i çmimit “Kadare”, Ardian Vehbiu, ndoshta është rasti për të bërë një bilanc jo vetëm financiar të këtij çmimi.

Së pari: I krijuar në vitin 2015, çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, qendra e studimeve shqipe “Kadare”, klubi letrar “Kadare”, Ditët Letrare të Razmës, suplementi letrar “Leteratura”, që çdo të hënë del bashkë me gazetën “Liberale”, kolona “Leteratura” pranë botimeve UET PRESS kushtuar botimit të letërsisë shqipe, bursat “Kadare” për humanitetet në UET. Të gjitha këto iniciativa me një histori të tyren kanë treguar se kanë pjesë të filozofisë së tyre mbështetjen e kulturës shqipe. Si të tilla, ato janë kontributoret e rëndësishme, që edhe pse vijnë nga një ent privat, misioni i tyre është publik.

Së dyti: Çmimi “Kadare” synon të kthehet në një traditë me një kontribut të përhershëm letrar. Duke parë mënyrën sesi çmimet letrare janë shfaqur e zhdukur këto vite në jetën publike, qëllimi i këtij çmimi, që në krijimin e tij është vazhdimësia. Ai ka mbushur tashmë 5 vjeç dhe kjo nuk është pak.

Së treti: Çmimi “Kadare” është kthyer në këto vite në një institucion të rëndësishëm të gjykimit të letërsisë. Juritë tona në këto vite janë kryesuar nga emra të njohur në hapësirat letrare shqiptare, duke përfshirë dhe Kosovën (Mehmet Kraja), Maqedoninë (Kim Mehmeti), apo shkrimtarë si Bashkim Shehu, Preç Zogaj etj., e në përbërje të jurisë kanë qenë profesorë, shkrimtarë apo studiues të letërsisë. Serioziteti me të cilin është trajtuar gjykimi i dorëshkrimeve (pasi ky është një konkurs për dorëshkrime), duke ua besuar leximin dhe gjykimin autoriteteve të fushës, rrit kredencialet dhe besueshmërinë e këtij çmimi. Këtë e ka treguar dhe numri i autorëve në rritje që nga viti në vit i bashkohen këtij konkursi.

Së katërti: Në një kohë kur skena letrare prej vitesh e ka humbur atë që më parë e zotëronte më së miri, tablonë e plotë të asaj çfarë ndodhte me letërsinë, ky çmim prej pesë vitesh ka rikthyer tablonë letrare në vend. Përmes këtij konkursi ne shohim jo vetëm prurjet e një viti, por dhe nivelin e letërsisë që shkruhet sot, autorët në rritje, e sidomos të rinjtë. 

Së pesti: Një nga meritat e këtij çmimi është motivimi i autorëve të rinj. Përgjatë këtyre viteve kanë dalë në sipërfaqe emra që përmes konkurrimit në këtë çmim, kanë arritur të evidentohen, motivohen e të vijnë me librat e tyre të parë. Shpesh niveli i të rinjve ka qenë befasues, këtë e tregoi dhe edicioni i këtij viti, i cili shkoi për një përfaqësues të një gjenerate të re. 

Së gjashti: Për herë të parë një konkurs i dedikuar dorëshkrimeve, pasuron letërsinë e një vendi çdo vit me një vepër të re të botuar. Përgjatë pesë viteve janë botuar pesë romane, që janë pjesë e qenësishme e letërsisë bashkëkohore shqipe. Pasi vepra fituese e këtij konkursi botohet nën kolonën “Leteratura”, botimet UET PRESS.

Për një çmim letrar që ka vetëm pesë vite jetë, jo vetëm gjashtë pikat që përmenda më lart, por dhe një sërë kontributesh të tjera që ky çmim jep në jetën e çdo autori që i është bashkuar këtij konkursi, mbart një vlerë të çmuar për botën kulturore në vend. E më shumë se si një mandatpagese, ky çmim, që i ka dhënë kaq shumë letërsisë shqipe dhe vazhdon të frymëzojë çdo autor shqiptar, duhet parë në atë çfarë i sjell një kulture, përkundër filozofisë së vjetër të delegjitimimit të Ismail Kadaresë, apo të çdo gjëje që lidhet me emrin e tij. Në këtë rast edhe të çmimit “Kadare”.

Duke u mjaftuar vetëm nën “larjen e duarve” se lajmi qarkullon në media, apo thashetheme, komenti pas gjoja lajmit nuk ka asnjë rresht për vlerën letrare të çmimit në fjalë, për librat fitues apo autorët pjesëmarrës, duke e injoruar siç thotë vetë. Në fakt, nëse do ta injoronte, i bie që të mos merrej edhe me mandatpagesat, kalendarin e kryerjes së tyre etj., etj., si këto. Detraktorët nuk heqin dorë kurrë me sa duket!/NewsBomb/ KultPlus.com

Modele elitash totalitare

Nga Ardian Vehbiu

Përzgjedhur nga Bujar Meholli

Cave do t’iu kujtohet, nga 1984-a e Orwell-it, se anëtarëve të kupolës së partisë (“members of the Inner Party”), si O’Brien-i u lejohej që ta fiknin “telekranin”, ose aparatin dy-krahësh që, në çdo shtëpi, ia mundësonte regjimit totalitar edhe propagandën, edhe përgjimin 24-orësh të shtetasve (“the telescreen reveived and transmitted simultaneously”). Ajo elitë totalitare ia lejonte vetes privilegjin e shkeljes së tabusë, të cilën përndryshe ua impononte dhunshëm të tjerëve. Duket si e natyrshme, për një elitë që sundon arbitrarisht, që ta gëzojë këtë privilegj, edhe pse në fakt nuk është kështu. E kam vështirë të përfytyroj një teokraci myslimane edhe bashkëkohore, ku elita të nginjet me mish derri; përkundrazi, mund të mendoj një elitë fanatike që t’ia imponojë vetes tabutë dhe arbitraritetet përkatëse edhe më rreptë, se ç’bën me popullin poshtë. Nga ana tjetër, në Shqipërinë totalitare, Enver Hoxha dhe rrethi i tij me familjarët ia lejonin vetes disa privilegje, që për të tjerët ishin tabu; p.sh televizionin italian, ose ndonjë udhëtim herë pas here jashtë shtetit, për arsye të sajuara. Në bibliotekën e Hoxhës gjeje gjithfarë librash që në Shqipëri përndryshe nuk i gjeje dot – madje ky lexonte rregullisht materiale që shtetasve nuk u lejoheshin. Kjo tingëllon sërish banale, por nuk është. Tregon diçka esenciale, për hierarkitë e atij regjimi. Në krahasim me si jeton sot elita në Shqipëri, privilegjet e Hoxhës & Co. tingëllojnë modeste, madje qesharake; por në të vërtetë rëndësi për privilegjin ke ekskluziviteti, jo natyra e tij. Këtu më vjen në ndihmë një tjetër roman i afërt me 1984-ën e Orwell-it: Brave New World, i Huxley-t, që e fut lexuesin në një botë utopike (distopike?) ku tradita është praktikisht, tabu (“History is bunk!”). E megjithatë, Mustapha Mond, “The Resident Controller for Western Europe”, një nga dhjetë guvernatorët e planetit, ia lejon vetes – mes të tjerash – Shekspirin. “Meqë unë i bëj ligjet këtu”, i thotë Mond-i Të Egrit, “unë mund edhe t’i thyej”. Kontrollori Mond ia lejon vetes të ketë një bibliotekë të Kanonit Perëndimor – duke filluar me Biblën, në një shoqëri dhe kulturë që ia kanë kthyer tashmë shpinën fesë. Kontaktin me traditën Mond-i e përjeton si barrë, ose si haraçin që paguan për t’i shërbyer komunitetit; i pyetur nga I Egri për Zotin, ai i thotë: “unë besoj se ka Zot, por në këtë moment Ai ka vendosur ta shfaqë veten si mungesë”. Duke e shpjeguar deri në fund arsyen që mbështet parimet e shoqërisë së atjeshme, Mond-i e vë kështu veten deri edhe mbi Zotin, duke shpjeguar pse për Të nuk po ka më kush nevojë. Paradoksi këtu është se këtë “më të mirë të botëve” e drejtojnë njerëz për të cilët nuk u binden parimeve (tabuve) që u kanë imponuar të tjerëve. I vetmi koncesion i Mond-it, në këtë mes, është se ai përnjëmend e konsideron shkeljen e tabuve si pjesë të detyrës së vet. Bota e re e Huxley-t është edhe ajo emanacion i së vjetrës, por që i është ndaluar vetëdija e traditës. Freud-i do të kish thënë, ndoshta, se nuk mund ta ndalosh nënë, si rol social, pa e dëshiruar. Pa çka se ajo botë ngrihet mbi hedonizmin dhe mungesën e dhimbjes. Ndryshe nga, të themi, stalinizmi puritan, që ia diktonte modelet e tabuve edhe Hoxhës në Shqipëri. Madje edhe Stalini, që jetonte një epokë teknologjisht më pak të ndërlidhur se ajo ku jetonte Hoxha, ia lejonte vetes disa shkelje tabush – duke filluar nga filmat Western, që projektonte në kinemanë e vet private. Të gjithë ne, që jemi rritur në kohën kur duhani për moshën tonë konsiderohej ves  i përbuzshëm, e dimë tashmë se sa më të rrepta dhe absurde të jenë tabutë, aq më të pafajshme do të jenë transgresionet: Stalini shihte filma amerikanë, Hoxha lexonte romane frënge, ne pinim cigare në nevojtore dhe dëgjonim “I Wanna Hold Your Hand” të Beatles-ave. Ishte kulturë me volum të ulur. Edhe pse kjo nuk lidhet doemos me hipokrizinë e elitave, që ishin pajtuar me ekzistencën e një palë tabuve për vete, dhe një palë tabuve të tjera për “miletin”. Obscene, në këtë mes, nuk është shkelja e tabuve, por morali i dyfishtë, i tipit “bëni si them unë” mos bëni siç bëj unë”, pa çka se regjimit të Hoxhës një farë diskrecioni, në këtë lëmë, i duhet njour. Një lloj aversioni mikroborgjez ndaj konsumit të spikatur (conspicuous consumption), ose vullneti – dei në ç’masë hipokrit – për t’i dhënë popullit një shembull. Për djemtë e Hoxhës thoshin se ishin të shkëlqyer në sjellje: sa hipokrite mund të ketë qenë kjo? Prandaj, nëse duam të kuptojmë vetëdijen e asaj elite, le të pyesim sa fajtorë ndiheshin të gjithë ata që i thyenin tabutë; ose më mirë, që e gëzonin thyerjen e tabuve si privilegj. Nëse nuk ndienin ndonjë lloj faji – siç nuk ndiente me siguri Hoxha – atëherë le të flasim për një elitë që nuk e mban veten për pjesë të shoqërisë; por që parazitin mbi të. Model i përhapur, por jo absolut. Solla më lart shembullin e një regjimi teokratik: nëse liderët janë vërtet  fanatikë, atëherë respekti i tyre për tabutë do të jetë pjesë e identitetit të tyre: jo vetëm e imazhit, por edhe e jo-imazhit; e publikes dhe e privates. Për ta shpjeguar më mirë – këta liderë nuk do të jenë në gjendje të fikin  telekranin në shtëpitë e tyre; madje edhe më tej, këta liderë do të kenë edhe telekranet më eficente. Do t’i japin shembull vetes, para se t’ua japin të tjerëve. Ka momente të caktuara, në histori, kur shoqërive u lind dëshira për regjime të tilla – ose që të udhëhiqen nga urdhra murgjish. Njerëz që vuajnë, gjejnë ngushëllim në idenë se edhe liderët e tyre vuajnë. Shoqëritë totalitare, që kanë në krye elita të tilla homorganike, më ngjajnë me ushtritë – ku gjenerali jeton në një çadër mes çadrave dhe pi çaj nga kazani i përbashkët. Te Dimri i madh,  Enver Hoxha kujton takimin e vet të parë me Stalinin: “Stalini u takua me të në kohë të muzgut. Biseda ishte e shkurtër. E di që jeni ngushtë për vete, tha Enver Hoxha në mbarim të saj, por ne jemi edhe më keq. S’kemi bukë. Stalini dëgjonte. Ai e ftoi të hanin darkë bashkë. Ai ishte vetëm. Në një tryezë druri dikush kishte vënë ca kupa të mbuluara. Ishin gjellët. Stalini u ul dhe i tha atij: Ulu të hamë. Enët e mbuluara dukeshin si enigma. Stalini zbuloi njërën prej tyre. “Ha,” tha ai përsëri…” (Onufri 2012, f. 160). Episodi rrëfehet në vazhdim të një dialogu ku Enver Hoxha, ende i zemëruar, përmend batutën e Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri: “Aq grurë sa prodhon Shqipëria, te ne, në Bashkimin Sovjetik e hanë minjtë” (po aty, f. 138). Nëse ka ndonjë vërtetësi ky rrëfim a është përrallë propagandistike, kjo nuk ngre peshë për argumentin këtu: Stalini që ha supë nga një tas nuk ka shumë të përbashkët me Stalinin e orgjive legjendare në Kremlin, për të cilat ka shkruar gjerë e gjatë Hrushovi në kujtimet. Por supë nga tasi ha ai gjeneral, që sapo e ka fituar luftën me ushtrinë e vet. Dhe unë e kam njëfarësoj më të lehtë të besoj te murgjëria e seminaristit fanatik Xhugashvili, se tek ajo e dandy-t të vogël Hoxha, me ombrellë të arnuar. Çfarë më tërheq, te kjo histori, është lehtësia relativisht e madhe me të cilën elitat kalojnë nga puritanizmi në hedonizëm (por jo viceversa). Që nuk lidhet vetëm me dobësinë e natyrës njerëzore, por mbase edhe me bindjen se një elitë qeveris më mirë, po ta parazitojë, ose po të ketë vetëdijen e privilegjit të përzier me ndjenja faji.

Marrë nga Peizazhe të fjalës, 2019