“Në vendin tem gratë vriten nji kah nji, për gra s’lypet gjak”

Nga Ardiana Shala Prishtina

Burrat në vendin tem mledhen në fusha
të pajtimit
me falë gjak. Gjak që e kanë marrë
me gjaknxehtësi.
Përpara ka mjaftu nji besë, nji fjalë e dhanun.
Sot blehet me pare besa. Por gjaku falet.
Pasha Kuranin. E pasha Biblën.
Gjaku falet ku ka burrni.

Gratë në vendin tem mledhen në fusha
të dëshprimit.
Me i nalë faljet e gjakut që i mirret grave.
Gjak që mirret me gjakftohtësi.

Dhe burrat kqyren mes vete e thojnë
çka kanë kto budallica? Për gra s’lypet gjak.
Pra s’ka as çka me u falë ktu.
Gjaku i grave asht hallall.
Gjaku i grave asht ngjyrë që lynë kufijtë e burrnisë.
Pa e derdhë, qysh me dijtë na ndryshe që jena burra?

Në vendim tem burrat mlidhen
në kuvend. Dhe valojnë pecat
në muhabete drejtësish.
Në vendim tem gratë mlidhen
në kuvend. Dhe si dele të zeza
për me mbetë gra
ma së pari bahen kurva
që guxojnë me folë.
Me folë, veç me folë
quhet guxim. E tani prehen
në altar të trimnisë
nji kah nji, krejt ato që folën
prehen të ndame në fjalë e në gjak.
Kush mbijeton bahet burrneshë.

Në vendin tem gratë vriten
nji kah nji. E nji kah nji në vendim tem
për çdo gru të vrame nji kurvë lindet
kur lypë burg për burrin.

Në vendin tem burgu asht për burra.
Ama, kur e vranë gruen, burri bahet burrni.
E burrninë nuk don me e shti në burg asnji burrë.

Në vendin tem gratë vriten
dhe vrasësit nuk shkojnë në burg
se burrat e majnë në dorë
shtetin
dhe me dorë në zemër, besën
që e kanë të shejtë sa peci.

Në vendin tem
burrë lind, e nuk bahesh. / KultPlus.com