Në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit, të mërkurën, më 18 dhjetor 2024, në orën 19:00, KultPlus organizon Mbrëmje Letrare me poetin e njohur, Lulzim Tafa.
Në këtë mbrëmje do të marrin pjesë personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, lexues të poezisë dhe miq të poetit.
Në këtë mbrëmje do të lexohen poezi nga krijimtaria e poetit Lulzim Tafa, poezi që do të shoqërohen me tinguj të kitarës dhe shije të verës.
Edicionin e tij të shtatë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim dhe bashkëbisedim të ngrohtë e intim nga balerini i njohur shqiptar, Eno Peçi. Si fluturimi i një dallëndysheje të brishtë, ka qenë interpretimi që ka dhuruar ai mbrëmë dhe rrëfimi i tij jetësor mbushur me elemente patriotike ka qenë diçka që ka mbushur zemrat e të pranishmëve deri në skutat e fundit, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato të huaja, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me interpretimin e balerinit Peçi. Në linjat e fytyrës së tij shihej një pasion, një dashuri që s’mund të përshkruhet. Këmbët e tij preknin shpesh tokën, edhe gjatë kërcimit por edhe gjatë rrëfimit të tij. Talenti i tij ishte i spikatur qysh si fëmijë teksa mëngjesi e darka e kanë gjetur atë duke vallëzuar, dhe mirë që ka ndodhur pikërisht ajo. Tanimë ne mund ta përjetojmë magjinë e tij, talentin, dhuntinë e pastër si loti, nëpërmjet krijimeve të tij por edhe interpretimeve. Ai mbrëmë për herë të parë ka ardhur në rolin interpretues në Kosovë, dhe e gjitha kjo falë punës së gazetës ‘KultPlus’, nëpërmjet projektit “Ta zbardhi ftyrën”, që vjen si projekt serioz dhe arrin të krijojë mbrëmje magjike që çelin si lule në pranverë.
E gjithë salla jehonte me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. E kjo shënohej nga rrjedha që merrte rrëfimi i jetës së Peçit, që nga fëmijëria e deri më sot. Teksa fliste, dukej qartazi që ai frymon për të bukurën e baletit dhe skena për të është një parajsë të cilën ai e prek çdo herë. Audienca përjetoi një mbrëmje të rrallë ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë ka ardhur si diçka unike dhe tejet e nevojshme për kulturën e vendit.
Salla brenda Teatrit Oda në Prishtinë ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar rrëfimin dhe interpretimin e balerinit Peçi.
Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistit Peçi ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marr parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga ngrohtësia e dy llambave në dy skajet e karrigeve dhe reflektorët që binin poshtë skenës për të potencuar magjinë e interpretimit.
Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt balerinin në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.
Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje mbushur plot shkëlqim e magji.
“Të nderuar të pranishëm, mirë se vini në edicionin e shtatë të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, një ndër mbrëmjet artistike më të dashura në vend, e që këtë vit, sikurse vitet e kaluara, vjen nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë, KultPlus. Përveç audiencës në sallë, këtë mbrëmje artistike do të kenë mundësi të gjithë ta ndjekin në shtëpitë e tyre në RTK. ‘Ta zbardhi ftyrën’ është formati që na sjellë figurat më të mëdha shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë dhe po atë shkëlqim e zbresin në Kosovë, për të ndarë me ne sakrificën, suksesin, dëshpërimin, zhgënjimin e triumfin, pra copëza që e ndërtojnë një artist ndër vite. Këtë vit, në këtë edicion është zgjedhur balerini i njohur, Eno Peçi, i cili është një figurë e çmuar për kulturën tonë. Me punën dhe angazhimin e tij, ai ka performuar në skena të mëdha të teatrove, herë si balerin e si koreograf. Një ngjitje skenike të cilën shpesh e kujtojmë është performanca e tij në koncertin e Filharmonisë së Vjenës, koncert ky festiv i Vitit të Ri, që shpesh e përcjellim edhe ne në Kosovë. Balerini Peçi bart primatin si balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin prestigjioz në Vjenë. Për herë të parë, Enon e kemi rastin ta shohim në skenën e Kosovës me performancë skenike, duke kujtuar se i njëjti ka realizuar koreografi për Baletin Kombëtar të Kosovës. Pra, ‘Ta zbardhi ftyrën’ ka sjell emrat më të spikatur, dhe këtë prurje, me angazhimin, besimin e përgjegjësinë, ka arritur ta bëj të mundur Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës KultPlus”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të shtatë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë falënderimin e saj për prezencën e Enos, duke bëre thirrje që krijimi i skenës së Operës të kalojë në një gjendje më serioze.
“Ky projekt për mua është një mishërim dhe është një kënaqësi shumë e madhe që ta organizojmë këtë mbrëmje tash e shtatë vite, duke sjellë figurat më të rëndësishme të kulturës tonë që veprojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe jo vetëm. Sivjet jemi të privilegjuar që ta kemi balerinin Eno Peçi, i cili më ka mahnitë që nga momenti i parë kur nisëm diskutimet për këtë mbrëmje e deri në fund. Më ka mahnitë me modestinë e tij dhe ai është patjetër një shembull i mirë i cili do të duhej të jetë patjetër një model për ne. Njerëzit sa më shumë që po i prekin skenat e mëdha dhe po e shijojnë shkëlqimin, aq më shumë po bëhen njerëz me dy këmbë në tokë dhe për këtë jam shumë mirënjohëse ndaj Enos për këtë. ‘Ta zbardhi ftyrën’ po vazhdon të jetë formati me një sakrificë shumë të madhe për redaksinë tonë sepse kërkon një mund. Problemi kryesor ka qëndruar tek mungesa e një salle të mirëfilltë dhe unë i kam kërkuar falje Enos kur e kam ftuar, duke marr parasysh se në çfarë salla performon. Unë shfrytëzoj rastin që edhe nëpërmjet kësaj skene, të bëj një thirrje që ndërtimi i një skene operistike duhet të merret seriozisht, për faktin që këta artistë po e “heqin” krenarinë e suksesit dhe po vinë në këto rrethana për të ofruar dashurinë e tyre dhe talentin, vetëm për faktin që nuk i harrojnë rrënjët e tyre”, ka thënë Pajaziti.
Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur balerini Eno Paçi doli në skenë. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me një interpretim, duke krijuar kështu copëza kujtimi që gjatë do mbahen mend për shumëkënd. Balerini Eno Peçi, ka rrëfyer se si e gjeti vetën brenda profesionit të balerinit, ka treguar momente e vështirësi që i ka hasur përgjatë emigrimit në Austri, por ka treguar edhe momente nga jeta e tij që jo domosdo ndërlidhen me baletin. Si një fener në errësirë ka qenë biseda me të. Drita sa shkonte e bëhej më e madhe teksa audienca përjetonte jetën e tij teksa përmendeshin kujtimet jetësore që e skalitën atë në një yll që po shkëlqen në skena të ndryshme të botës.
Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, balerini Peçi ka thënë se në rolin e artistit, pjesa më e mirë për të, mbetet ajo ngrohtësia që e ofron një mbrëmje si ‘Ta zbardhi ftyrën’.
“Është kënaqësi të jem mes juve këtu dhe faleminderit shumë për ftesën. Unë fillimisht mora një telefonatë nga Ardiana dhe folëm bashkë për këtë mbrëmje artistike dhe më pëlqeu shumë formati pasi që ishte diçka që nuk kishte shumë zhurmë por kishte shumë intimitet. Mbase mua si artist më intereson më shumë kjo pjesë sesa ato gjërat e mëdha që bëjnë shumë zhurmë sepse ka atë emocionin e ndjesinë e vetë”, ka thënë ai.
Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Peçit, duke njohur edhe zemrën e vogël të Enos në moshë të re, por edhe dashamirësinë që ai portretizonte tani. Fotografia e parë shpërfaqi Enon e vogël, i buzëqeshur, në sheshin e Tiranës.
Fëmijëria
“Kjo foto është shkrepur në Tiranë tek sheshi Skënderbe. Atëherë në atë kohë ka qenë pak ndryshe pamja e sheshit dhe tani është krejt tjetër. Ka qenë ai momenti kur fëmijët janë dërguar në fundjavë dhe bënin fotografi aty. Unë mbaj mend edhe babin që më thoshte pikërisht në at moment ‘Zogu zogu shiko xhaxhin’, dhe këto kujtime patjetër që mbesin”, ka thënë balerini Peçi.
Fillet e baletit – Tiranë
“Pasioni për baletin erdhi shumë natyrshëm por më vonë. Në fillim nuk kisha ide se çfarë ishte baleti, por kam qenë shumë i lëvizshëm si fëmijë dhe luaja futboll. Në atë kohë fëmijëria ka qenë komplet ndryshe. Ne hipnim nëpër pemë, nëpër mure, hidheshim andej e këtej duke u bërë pis. Në të njëjtën kohë, në vitet e 90-ta më pëlqente të kërceja rok, rep dhe kisha gjithmonë atë kasetën time me muzikën e viteve 90-të. Kur kishim ditëlindjet, ftonim shokët dhe fillonim të kërcenim derisa djersiteshim. Aty e panë edhe prindërit që unë po hidhesha nga mëngjesi e deri në darkë dhe më quan në shkollën e baletit”, ka thënë ai.
Sipas tij, kur fillimisht shkoi në Akademinë e Arteve, aty ka qenë profesori Donald Martin, dhe ai ka qenë me një grup të vetin. Enoja ishte bë gati dhe ishte veshur, pati kasetën me vete e filloi të kërcente derisa i thanë mjaft. E panë që ai kishte shumë vesh për muzikë, e panë që kishte një lloj vazhdueshmërie në lëvizjet që ai bënte. I thanë që të vazhdonte në Shkollën e Baletit, dhe ai e pranoi.
“Në Shkollën e Baletit nuk e dija se çfarë bëhej por e dija se po merr rrugë diçka. Shkuam në Shkollën e Baletit dhe sa hyn aty, djathtas është një dhomë e vogël ku unë prita aty profesorët. Më thanë që të zhvishesha dhe unë e hoqa shallin e xhupin dhe po prisja, derisa më thanë prapë që të zhvishesha komplet që të më shohin trupin. Nuk e imagjinoja dot që baleti ka të bëjë edhe nga ana estetike për pamjen e fizikut. Aty e mora vesh që baleti ka një lloj drejtimi ndryshe por nuk e dija tamam”, thotë ai.
Aty pastaj ishte një konkurs që ai e fitoi mes shumë nxënësve të tjerë dhe për të ishte ballafaqimi i parë ku ai kishte veshur geta.
“I thashë atyre që si është e mundur që një mashkull t’i vishte ato. Unë si balerin do të duhesha që të kapesha te leva, të dëgjoja muzikë klasike, por e gjitha kjo mu dok e çuditshme dhe u thashë atyre se nuk është balet, dhe i pyeta se kur do të fillojmë të kërcejmë. Ky ishte ballafaqimi i parë, por ngadalë me kalimin e kohës, mësova çdo gjë. Mund të them që kam pasur një fëmijëri shumë të mirë, shumë të këndshme”, thotë Peçi.
Trazirat e 90-ta në Tiranë – Emigrimi në Austri
“Kanë qenë vitet e 97-të, 98-të dhe ishin shumë të komplikuara. Kanë qenë shumë të këqija për shqiptarët në atë kohë. Çdo gjë u mbyll dhe nuk funksiononte. U mbyllën teatrot, dyqanet dhe njerëzit filluan të blinin miell për bukë e shumë të tjera. Për mua ishte diçka shumë e trishtë sepse në atë moshë unë isha rreth pesëmbëdhjetë vjeç dhe në atë moshë ke akoma ato shpresat për të arritur diçka në jetë dhe kështu vjen një moment që ta ndalon atë. Pra, është momenti kur ti humbet çdo shpresë dhe sheh bosh. Nuk sheh asgjë dhe ndjehesh si i paralizuar në atë moment”, ka thënë Peçi.
Në ato vitet e trazirave, ai nuk kishte më shpresë për asgjë dhe prindërit në këtë rast u munduan që ta dërgonin jashtë. Ai dëshironte që ta linte atë vend vetëm që të mos dëgjonte më krisma. Ashtu ndodhi, shkoi në Austri dhe i thanë që të fillonte një jetë të re. E vetmja mënyrë për të ishte që ai të linte atë vend. Motra e tij ishte e martuar më herët në Austri, dhe e vetmja shpresë për të ishte që të shkonte në Austri.
“Kur shkova në Austri ishte diçka shokuese. Në fillimet e para, çdo gjë ishte komplet ndryshe. Atje flitej gjermanisht dhe pastaj kultura, mentaliteti, kultura, mënyra e të menduarit, infrastruktura, dhe për moshën time në atë kohë, çdo gjë ishte shumë mbytëse. Thashë me vete që tani jam këtu dhe fillova e hapa librin nga fillimi e mësova shumë. Ishte pikëpyetje e madhe sepse nuk dija çfarë të bëja në Austri. E vetmja gjë që dija të bëja ishte kërcimi, andaj motra ime më tha që të shkoja në Shkollën e Baletit, por unë i thosha që kishte kaluar kohë që ushtroja balet dhe për ata që e dinë, nëse e le një ditë, atëherë e ke lënë një muaj. Baleti është shumë vështirë sepse forma humbet menjëherë. Por, për mua ishte e vetmja mënyrë, andaj vendosa që të shkoja në Shkollën e Baletit”, tregon ai.
Ai tutje rrëfeu për mënyrën se si kishte dy vite pa ushtruar, mirëpo asnjëherë nuk gjeti veten të dorëzuar. Rrëzohej por qohej prapë, njashtu si vetë lëvizjet brenda një baleti.
“Në fillim aty, prisja audicionin dhe ishin pak skeptik kur u thashë që jam nga Shqipëria. Aty pastaj fillova klasën dhe fillova të bëja ushtrimet me ta por më bëheshin gati dy vite pa ushtruar dhe normalisht që të tjerët ishin perfekt. Nuk isha në formën e duhur dhe fillova provat. Nuk e di sa herë kam rënë në tokë sepse nuk e kisha kontrollin e trupit në total. Mundohesha të mos dëmtohesha por nuk funksiononte. Bija në tokë, qohesha prapë, bija në tokë e prapë qohesha në këmbë dhe kjo u përsërit gati mbi tridhjetë herë. Ata më shihnin mua çuditshëm, por e vetmja mënyrë për mua ishte që ta kapja atë vend për të qëndruar në Austri. Doja t’i bëja ushtrimet siç duheshin sepse unë doja të rrija aty. Në fund pastaj erdhi një moment që nuk funksiononte më dot gjë dhe ika pastaj me pak inat. E përplasa derën dhe thashë se baleti nuk është për mua. Ika poshtë sepse motra më printe poshtë. Ndërkohë, ishte një profesor dhe erdhi afër e i tha motrës time në gjuhë tjetër që Peçi ka shumë mangësi por ai ka shumë vullnet. Ai kujtonte që unë i bëja gjërat që më pëlqente baleti, dhe ashtu ishte, mirëpo kisha arsye shtesë që më duhej të qëndroja në atë vend”, rrëfen ai.
Ajo ishte shkaku që pastaj ai vazhdoi aty një muaj tjetër. Ajo ishte bileta e tij të cilën e shfrytëzoi që nga mëngjesi deri në darkë. Kur mbaronte mësimet, ai vazhdonte deri në darkë që t’i bënte ata të bindur që Peçi ka përmirësime.
Një emigrant fiton rolin e Spartakut në moshën 21 vjeçare
Balerini Peçi tutje tregoi për veçantinë që ka një rol kryesor, e sidomos në një periudhë ku vetën nuk e sheh të denjë për një të tillë.
“Ka qenë diçka shumë e veçantë sepse unë atëherë kam qenë si gjysmë-solist dhe kemi pasur një drejtor italian, dhe ai më ka ndihmuar shumë. Më vëzhgonte gjithmonë në Shkollën e Baletit, shikonte ecurinë time dhe nuk thoshte gjë. Erdhi një moment kur më dha kontratën që të futesha në Teatrin e Operës dhe Baletit në Vjenë, dhe më dha mundësinë që të kërceja shumë role. Pastaj, erdhi një moment kur më tha që ta luaj Spartakun, një krijim i ri për vetë drejtorin aty. Më tha që më donte tek ajo pjesë, unë isha akoma 21 vjeç dhe nuk merrja vesh gjë. Normalisht, Spartaku është një rol ku duhej të kishe shumë eksperiencë, shumë përvojë sepse ka elemente shumë nga ana teknike dhe artistike. Unë këto gjëra nuk i kisha por fillova të punoja shumë. U zhvillova nga ana teknike, nga ana artistike, mora shumë mësime nga artistë të tjerë por në anën tjetër më duhej të jepja diçka artistike nga vetja ime. U mundova dhe besoj se ka dalë shumë mirë”, thotë ai.
Por, tani që ai e mendonte mbrëmë se nëse sot do e luante atë rol, beson se do ishte më ndryshe pasi tani ai ka eksperiencë, dhe gjithçka do të dukej ndryshe. Ai beson se ai rol ka qenë atëherë një shtytje shumë e fortë në karrierën e tij.
Opera Shtetërore e Vjenës
Kur ai fillonte të krijonte shoqërinë e tij në Vjenë, të gjithë austriakë. E pyetnin se nga vinte, dhe u thoshte se është nga Shqipëria. Ata rrudhën fytyrat dhe e pyetën se ku i binte Shqipëria.
“Në atë moment që më pyetën atë gjë më erdhi një ndjesi e nxehtë dhe i thashë se si ka mundësi që një student në këtë vend të kulturuar të mos e dinte se ku i binte Shqipëria. Këto kanë qenë ballafaqimet e mia në fillim, shto këtu edhe burokracitë e mëdha të tjera, por kuptova një gjë. Unë kisha vajtur në Austri dhe ata nuk kishin ardhur në Shqipëri. U mundova që t’i përshtatesha kulturës sepse isha unë që isha i ardhur”, ka treguar Peçi.
Balerini i parë në Koncertin Festiv në Filharmoninë e Vjenës
Ka qenë në Tiranë kur si i vogël ndiqte koncertin festiv të Vjenës, dhe atë kohë balerini Peçi e kujton me nostalgji.
“Unë e mbaj mend në Shqipëri kur jepej koncerti i Vitit të Ri, e shikonim stemën dhe ka qenë një fotografi me çifte që kërcenin vals. Që atëherë kur e shikoja këtë koncert, e kisha një ndjesi të mira. Pastaj kur shkova në Vjenë, më ra në mend që mbahet ky koncert. Erdhi momenti që më zgjodhën për të performuar në atë koncert dhe u befasova shumë sepse isha shqiptar dhe nuk ma kapte dot mendja. Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë është diçka tradicionale dhe unë u gëzova shumë. Isha i emocionuar që u zgjodha”, tregon ai.
Teknika – Sparkata në ajër
Në pjesën e bashkëbisedimit me balerinin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së tij në ajër, një teknikë kjo e vështirë për t’u arrirë, por ai vetë e konsideron edhe si të lehtë në një farë forme.
“Ta bësh Sparkatën edhe është e vështirë por edhe nuk është. Arrihet nëpërmjet metodave të ndryshme dhe mendoj që çdo balerin profesionist mund ta bëj sparkatën, sigurisht ka mënyra të ndryshme se si mund ta bësh një të tillë.”
Ato vështirësitë që konsiderohen, ai i ka të gjitha në kokë, pavarësisht se në fytyrë duket mirë. Ai beson se për një balerin profesional është shumë e rëndësishme që ana teknike të jetë në rend të parë, pastaj nëse arrin një nivel të anës teknike, atëherë duhet të arrihet ana artistike. Janë dy gjëra që janë shumë vështirë të koordinohen me njëra-tjetrën, pasi që ka balete që duhen luajtur në bazë të njërës apo tjetrës.
“Fati është gjithmonë aty, por fatin duhet të dish ta kapësh, normalisht me shumë punë.”
Ai konsideron se ka teknika të ndryshme por që gjithçka varet nga balerini. Në qoftë se vjen koordinimi i lëvizjes që mund të bësh një hedhje të madhe, atëherë ekziston mundësia që ta mbash në ajër. Në qoftë se ka lëvizje të shkurtra, atëherë mbase është edhe më vështirë. Gjithçka varet nga lëvizjet brenda koreografisë.
“Duhet shumë disiplinë, duhet shumë motivim që të kesh një fizik të mirë. Janë dy gjëra që bashkëpunojnë shumë me njëra-tjetrën por duhet patjetër sepse motivimin nuk e gjen ditë përditë, por ai humbet dhe nuk mund ta marrësh çdo ditë. Prandaj, kur humbet motivimi, ke disiplinën. Nëse aq më shumë ke disiplinë, aq më shumë ke dhe motivim”, shpalos Peçi.
Shfaqja “Exil” – roli i koreografit
Exil-i i Eno Peçit rrëfen trazirat e një vendi, dhe lidhet me temën e emigracionit. Një rrëfim për familjet e shkatërruara, për fëmijërinë e humbur, për nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre dhe tragjedinë e popujve që emigrojnë.
“Exili ka lindur nga një ide. Ka qenë një festival në Zvicër dhe kisha kohë që punoja me drejtorin e festivalit atje dhe ai donte të dinte më shumë rreth historisë time. Fillonte të merrte vesh për fëmijërinë time dhe se si unë shkova atje. Dolëm pak te trazirat e viteve 90-të dhe ideja për një koreografi atij i pëlqeu shumë. Ai donte që unë të krijoja një koreografi me këtë koncept. Ky ishte fillimi i parë, dhe premiera e Exil-it ka qenë në Zvicër, pastaj u mundova ta jap në Tiranë. Pas Tiranës, mendova ta sjellë këtë patjetër edhe në Kosovë”, thotë ai.
Sipas tij, baleti Exil nuk është biografia e tij por i përshtatet shumë asaj kohe. Është një biografi e të gjithë shqiptarëve. Ka elemente të ndryshme dhe ai ka futur shumë intervista të kohës atje, ka adaptuar shumë krisma, shumë tekste, dhe pastaj është bërë koncepti i baletit.
“Elementi shqiptar në baletet e mia jam unë. Pavarësisht mënyrës se si unë mendoj apo kërcej, ka një moment që mua më dërgon tek rrënjët e mia, atje ku unë vij. Kjo më inspiron shumë, edhe nga ana e të shprehurit por edhe nga ana e të zhvilluarit artistikisht, si në kërcim, edhe në krijim. Është shumë e rëndësishme për mua që të dish nga ku vjen, sepse është një bazë shumë e fortë që e ke prapa shpinës që të shtyn përpara”, rrëfen balerini.
Valvimi i flamurit shqiptar në Piazza Degli Albanezi në Itali
“Kjo foto ka qenë në Itali dhe ka qenë një ditë përpara se unë të shkoja në Austri. Kemi qenë me një grup balerinësh, me ish drejtorin e Shkollës së Baletit”, tregon balerini Peçi.
Shkuan në Itali për të kërcyer valle popullore dhe të prezantonin Shqipërinë. Ai mban mend që në këtë foto, ai fillimisht ishte prapa por pastaj doli para për të mbajtur flamurin.
“Më thanë ta ngrija dorën lartë dhe mua mu shtyp një buton brenda dhe fillova ta mbaja lartë dhe nuk e ulja dot aspak. Doli shumë spontan kjo pjesa e krenarisë apo ndoshta ishte diçka që duhej ta bëja patjetër. Shqipëria është identiteti im, është vendi nga i cilin vij unë”, thotë ai.
Çmimet, dekoratat në Shqipëri dhe Austri
Eno Peçi është dekoruar me “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Asutrisë për Shkencë dhe Art”, titull i ndarë në vitin 2019, dhe për këto ai ndjehet shumë mirënjohës.
“Për mua sigurisht që çmimet janë të rëndësishme. Është diçka shumë mirënjohëse që një artist merr në jetë. Jam mirënjohës për shkak se e di që po vlerësohet një punë shumë e madhe që është bërë.”
Takimi me Papën
Për këtë fotografi më lartë, balerini Peçi tregon që ka qenë një event në Vatikan, ku morën pjesë disa shqiptarë dhe mes tyre ishte edhe Inva Mula, Dua Lipa, Lorik Cana, Genc Tukici.
“Kemi qenë një dorë e mirë shqiptarësh aty dhe dhamë një shfaqje dhe pastaj patëm takimin me Papën. Ishte diçka e veçantë.”
Ndërsa, teksa fliste për bashkëpunime të radhës në përgjithësi, balerini na tregoi se baleti është një degë e artit që përshtatet me çdo gjë, andaj për bashkëpunime është i hapur. Ndërsa, na shpalosi se për momentin është duke punuar një projekt me Baletin në Vjenë por që akoma nuk është fiksuar saktë.
“Kërcimi është shpresë të cilën ne e flasim nëpërmjet gjuhës së trupit.”
Po ashtu, teksa u pyet nga moderatorja Çitaku për baletin e tij Exil që e ka sjellë në Shqipëri dhe Kosovë, balerini Peçi tregoi se është ndjerë shumë mirë në dy vendet.
“Janë dy kompani të ndryshme. Në Tiranë kanë qenë balerinët tejet të gatshëm për të krijuar diçka dhe unë këtë e kam ndjerë. Është diçka shumë e bukur dhe të njëjtën gjë e kam ndjerë edhe në Kosovë. E mendoj një provë që e kemi bërë këtu për Exil-in dhe isha duke e parë dhe ishte një moment i anës artistike që ma mori mendjen shumë dhe nuk shikoja më dot gjë tjetër”, thotë ai.
Balerini Peçi në fund të krejt bisedës që qe bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin, e dha një mesazh për të gjithë ata të rinjtë që ëndërrojnë profesionin e njëjtë.
“Mund të them që Baleti nuk ka moshë, kërcimi është për të gjithë dhe shijojeni nga ana fizike dhe shpirtërore që ta vazhdoni sa më gjatë.”
Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum. Balerini Peçi vazhdoi në prapaskenë që të bëhej gati për të interpretuar. Në ndërkohë, në skenë dolën balerinat e vogla të kompanisë “Behi’s Dance” që i dhanë një lezet të këndshëm skenës. Me një vepër me melodi festive, ato interpretuan para audiencës dhe mbushën skenën me një ngrohtësi unike. Fytyrat e tyre, lëvizjet që krijonin, dëshmuan se e ardhmja jonë janë ata fëmijë të cilët e duan artin dhe me art arrijnë të qëndrojnë në këmbët e tyre. Interpretimi i balerinave të vogla arriti që të krijojë buzëqeshje në fytyrën e gjithsecilit në sallë. Dalloheshin prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, teksa artdashësit kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.
Ndërkaq, radha për pushimin e skenës iu lëshua yllit kryesor, balerinit Eno Peçi, i cili shpalosi interpretimin e tij si një pëshpëritje në lëvizje. Trupi i tij tregonte diçka, një histori të gdhendur brenda vetes por që synonte të jetë e përjetshme. Skena për të u bë një kanavacë e bukur në të cilën ai vetë dhuroi ngjyrat më të bukura. Hija e tij, drita e ngrohtë e bën atmosferën akoma më të bukur. Ai erdhi i përgatitur dhe dhuroi një spirale emocionesh që na bën të mendonim që ishim buzë një ëndrre. Krahët e tij lëviznin si petale, çelnin sa majtas e djathtas, teksa ritmet i kapte në çdo moment. Hapat e këmbës së tij që mbulonin skenën, krijonin një jehonë që buroi plotësisht. Çdo lëvizje e tij krijonte një dialog me publikun, teksa dukej se rrëfente thellësitë më të fshehura të shpirtit. Koha në ato vepra, dukej se ngadalësohej dhe i përkulej interpretimit të balerinit Peçi. Tingujt e Chopin-it dhe melodia e këngëtares Elina Duni, zhbllokuan ajrin qartazi. Shprehja e trupit të balerinit krijoi emocione që vështirë se i shohim dot më. Nëpërmjet forcës fizike të madhe erdhi magjia delikate e shpirtit të tij dhe brenda mbretërisë së tij sublime, ai na lejoi që ne të hynim.
Për ta shpërblyer balerinin Peçi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti.
“Kur kam qenë këtu për projektin në TKK, kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe e kam ndjerë energjinë që ata më kanë dhënë mua, dhe për një krijues i cili jep diçka e i kthehet prapa dyfish, është diçka shpirtërore që nuk mund të krahasohet me asgjë”, kanë qenë fjalët që i tha balerini Peçi kur e pranoi këtë çmim.
Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku balerini Peçi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.
Ndërsa për KultPlus, balerini Eno Peçi ka potencuar se mbrëmja “Ta zbardhi ftyrën” ishte një natë e veçantë.
“Për mua ishte një natë e veçantë sepse për mua ishte hera e dytë që erdha në Kosovë dhe ishte diçka intime, një ballafaqim me publikun. Ishte një rrëfim i historisë time që unë kam kaluar dhe fillimet e mia si balerin profesionist dhe si një koreograf. Ishte edhe një performancë që unë i tregova publikut. Atmosfera ishte shumë e këndshme dhe më preku shumë. Performanca që unë bëra ka qenë nën muzikën e Frederic Chopin, nga një projekt që unë me një pianiste në Vjenë e kemi krijuar. Vepra ka humor, ka të gjitha gjendjet emocionale.Pjesa e dytë ishte nën tingujt e Elina Dunit, një këngëtare fantastike dhe brenda albumit ‘Matanë malit’, kënga ime e preferuar është ‘Unë për ty moj’ që unë e zgjodha meqë erdha në Kosovë”, ka thënë ai për KultPlus.
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, Elbenita Kajtazi, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.
Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Ujë Rugove. / KultPlus.com
Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Eno Peçi është figura e edicionit të shtatë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, mbrëmje kjo që organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”, e që do të mbahet nesër në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 20:00.
“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.
“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.
Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.
Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Telvizioni Publik i Kosovës dhe Ujë Rugove./ KultPlus.com
Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Eno Peçi është figura e edicionit të sivetmë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, mbrëmje kjo që organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus.
“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.
“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.
Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.
Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.
“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet në dhjetor të këtij viti, përkatësisht më 7 dhjetor.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Telvizioni Publik i Kosovës dhe Ujë Rugove./ KultPlus.com
Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Në këtë mbrëmje fituese u shpall autorja Kaltrinë Uka me poezinë e saj “Nën timbrin e këtij malli”, shkruan KultPlus.
Përgjatë ceremonisë së mbajtur mbrëmë, janë shpallur dhjetë finaliste gra, poezitë e të cilave do të publikohen kohë pas kohe në gazetën KultPlus.
Po ashtu, diçka e veçantë që ndodhi mbrëmë ishte mirënjohja e ndarë për drejtoreshën e gazetës online për kulturë dhe art, KultPlus, Ardianë Pajaziti, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
Mirënjohja u nda nga kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, Entela Kasi dhe bashkë-themeluesit të PEN-it, Sadik Bejko, të cilët ia dhuruan përgjatë mbrëmjes së konkursit poetik KultStrofa.
“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, ka thënë Kasi.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka falënderuar të dy kyetarët e PEN-it të Shqipërisë për këtë mirënjohje kaq të veçantë e që jo rrallëherë ndodh në konkurse të tilla poetike./ KultPlus.com
Në konkursin mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa” kanë aplikuar mbi 180 poezi nga shtete të ndryshme të rajonit, Evropës dhe nga ShBA-të, shkruan KultPlus.
Ky konkurs vazhdon të mbetet një prej konkurseve më të kërkuar të poetëve në nivel mbarëkombëtar, ku për këtë edicion kanë ardhë poezi nga poetë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, shteteve të ndryshme të Evropës dhe të ShBA-ve.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe njëherit themeluese e këtij konkursi që sivjet po shënon edicionin e shtatë është shprehë të jetë e lumtur me arritjet e shumta të poezive, e cila ka paralajmëruar edhe për ceremoninë kryesore të kësaj ngjarje të madhe kulturore
“Ceremonia e edicionit të shtatë të KultStrofa” do të mbahet më 22 nëntor në KultPlus Caffe Gallery, ku pritet të jetë një mbrëmje e ngrohtë poetike”, ka thënë Pajaziti, e cila ka njoftuar se kjo mbrëmje do të shoqërohet edhe me performancën e “Dhjetorit” dhe Bekës, njëherit edhe fituesit e Festivalit të RTK-së.
Ceremonia e kësaj mbrëmje do të mbahet prej orës 19:00 ku edhe do të shpallen dhjetë finalistët e edicionit të shtatë, sikurse që do të shpërblehen edhe tri poezitë kryesore të këtij edicioni, vendi i parë, i dytë dhe i tretë.
Poezitë e këtij edicioni do të vlerësohen nga juria profesionale në përbërje të: Entela Kasi, kryetare e jurisë, Lulzim Tafa dhe Vlora Konushevci.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Edicioni i shtatë i KultStrofa mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte./ KultPlus.com
Mbrëmë është mbyllë thirrja për konkursin mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa” thirrje që ka pranuar mbi 180 poezi nga shtete të ndryshme të rajonit, Evropës dhe nga ShBA-të, shkruan KultPlus.
Ky konkurs vazhdon të mbetet një prej konkurseve më të kërkuar të poetëve në nivel mbarëkombëtar, ku për këtë edicion kanë ardhë poezi nga poetë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, shteteve të ndryshme të Evropës dhe të ShBA-ve.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe njëherit themeluese e këtij konkursi që sivjet po shënon edicionin e shtatë është shprehë të jetë e lumtur me arritjet e shumta të poezive, e cila ka paralajmëruar edhe për ceremoninë kryesore të kësaj ngjarje të madhe kulturore
“Ceremonia e edicionit të shtatë të KultStrofa” do të mbahet më 22 nëntor në KultPlus Caffe Gallery, ku pritet të jetë një mbrëmje e ngrohtë poetike”, ka thënë Pajaziti, e cila ka njoftuar se kjo mbrëmje do të shoqërohet edhe me performancën e “Dhjetorit” dhe Bekës, njëherit edhe fituesit e Festivalit të RTK-së.
Ceremonia e kësaj mbrëmje do të mbahet prej orës 19:00 ku edhe do të shpallen dhjetë finalistët e edicionit të shtatë, sikurse që do të shpërblehen edhe tri poezitë kryesore të këtij edicioni, vendi i parë, i dytë dhe i tretë.
Poezitë e këtij edicioni do të vlerësohen nga juria profesionale në përbërje të: Entela Kasi, kryetare e jurisë, Lulzim Tafa dhe Vlora Konushevci.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Edicioni i shtatë i KultStrofa mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte./ KultPlus.com
Juria profesionale është në këtë përbërje: Entela Kasi, kryetare e jurisë, Lulzim Tafa dhe Vlora Konushevci.
KultPlus ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka thënë se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rinj. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa”.
*Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Thirrja mbetet e hapur deri më 14 nëntor 2024 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e shtatë./ KultPlus.com
Gazeta online për art dhe kulturë KultPlus është në përgatitje intensive për organizimin e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, e që këtë vit do ta sjell balerinin e njohur shqiptar Eno Peçin.
“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.
“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.
Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.
Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.
“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet në dhjetor të këtij viti, përkatësisht më 7 dhjetor. Mbrëmja artistike do të mbahet në Teatrin “ODA”, ndërkaq për detajet e mëtutjeshme, KultPlus do të ju mbajë të informuar.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me një atmosferë poetike që do të ndriçojë mbi të pranishmit.
Sot është bërë publike edhe juria profesionale e këtij edicioni dhe përbëhet nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.
Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 14 nëntor 2024, ora 23:59.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi-finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami-Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. / KultPlus.com
Fotografitë e vendosura në dy muret në ngjyrë të pembe, dukej sikur po tregonin diçka të jashtëzakonshme, diçka të rrallë por të shenjtë që dhuronte ndjenjën se është ruajtur për vite të tëra. Këto fotografi kaplonin vëmendjen e secilit që ishte prezent dhe zgjonin kureshtje të mëtutjeshme për të kuptuar artin madhështor prapa tyre. Krejt kjo atmosferë u krijua nëpërmjet pendës së syve të fotografit të njohur, Fahredin Spahija, i cili mbrëmë u prezantua me ekspozitën personale “Shpirti Dervish” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Brenda një hapësire të ngrohtë, të pranishmit ishin të mbushur me entuziazëm dhe kjo dukshëm vërehej në fytyrat e tyre. Gjithsej 27 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve. “Shpirti Dervish” ka plasaritur përpara publikut një pjesë të traditës që për një pjesë të madhe të njerëzve ka një kuptim më hyjnor se vetë hyjnorja.
Një gjendje paqe shfaqej në secilën fotografi, të cilat ishin të krijuara në ngjyrë bardhë e zi, asisoj që kontrasti të bënte që të përhumbeshe nëpër shkrepjet e bukura të fotografit Spahija. Fytyrat e dervishëve, ritualet e tyre, dhe vallja e famshme rrotulluese, ishin të shkrira plotësisht nën petkun e aparatit të fotografit Spahija. “Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, pati thënë fotografi Spahija, kur edhe bëri paralajmërimin për këtë ekspozitë.
Ora shënoi 19:00, dhe tashmë hapja e ekspozitës gjeti vendin e saj. Mbledhur grumbull, përpara neve, të pranishëm ishin fotografi, Fahredin Spahija, kuratori i ekspozitës, Fahredin Shehu dhe drejtoresha e gazetës online për kulturë dhe art KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Fillimisht, hapjen e bëri drejtoresha Pajaziti, e cila tha se shpirti dervish është ai që në këtë mbrëmje i ka bërë së bashku të gjithë.
“Faleminderit që keni ardhur sonte dhe që na i keni nderuar të dy artistët si dhe KultPlus Caffe Gallery-në. Në këtë mbrëmje, shpirti dervish na ka bërë bashkë, duke sjellë kështu frymën artistike të fotografit të njohur, Fahredin Spahija. Më herët më pyeti dikush për ndjesinë që më dha kjo ekspozitë, dhe i thashë që punën e Fahredinit e njoh mjaftueshëm, duke qenë edhe gazetare shumëvjeçare e kulturës. Për neve ndoshta mundet me qenë një ekspozitë domosdo, mirëpo kjo është një punë kolosale njëzetvjeçare dhe duke i përzgjedhur vetëm 27 fotografi, tregohet mundi dhe përkushtimi i Fahredinit për këtë ekspozitë”, ka thënë Pajaziti.
Fahredin Shehu, kuratori i ekspozitës ka thënë se fotografitë prezantojnë një rezonancë historike që ndërthuret me estetikën bashkëkohore.
“Është një punë që po kurorëzohet tanimë, pas njëzet vitesh. Kjo traditë e shfaqur është një traditë para-religjioze, është në gjenetikun e njeriut dhe mund te kultivohet si shpirtni dhe si art i cili mëton ta unifikojë njeriun me universin. Fahredin Spahija na e prezanton këtë neve duke krijuar një rezonancë historike me estetikën bashkëkohore dhe neve na tërheq në brendësi që ta kujtojmë shpirtin sofist të mirëfilltë. Nuk ka qenë e lehtë që për vite me radhë, t’i përmbledhësh të gjitha këto. E lexushmja, e pamuna, është diçka tjetër nga përjetimi sepse përjetimi është ai që krijon emocion”, thotë ai.
Po ashtu, fotografi Fahredin Spahija është shprehur i kënaqur me punën e tij, që për të është tejet e veçantë.
“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte dhe keni nda kohën për të parë këtë ekspozitë. Është një punë disavjeçare, një tematikë shumë e veçantë për mua, natyrisht kjo nuk përfundon këtu, sepse në këtë bashkësi të dervishëve, ka akoma shumë për të eksploruar në aspektin artistik. Kam diçka që muj me qu përtej relaes, kah abstraktja por planet do i lëmë për më vonë. Më duhet ti falënderoj ata që s’janë këtu si MKRS-në dhe Drejtorinë e Kulturës, edhe pse janë të dy palët mbështetës financiarë”, përfundon Spahija.
Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja vazhdoi me performancën e këngëtarit Petrit Çarkaxhiut, sikurse që edhe u lexuan poezi të poetit të famshëm Rumi, që në këtë mbrëmje erdhën nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.
Një poezi, pastaj një këngë, ishte rrjedha që gjeti vazhdimin në këtë natë të mbushur me një magji të bukur në ajër, që hipnotizoi gjithsecilin, duke bërë që ata të përjetonin të bukurën e artit pamor, këndimit dhe artit poetik.
“Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike”, ka qenë mbishkrimi për këtë ekspozitë, dhe me të vërtetë që fotografi Spahija, me këto fotografi unike, plotë ndjenjë e gjallëri, ka bërë të mundur që publiku t’i shijojë veprat artistike që dëshmojnë për një dhunti, mund dhe përqendrim të paparë.
Ekspozita “Shpirti Dervish”do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. Projekti është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
EXPOART.40 ka njoftuar se ka filluar me aktivitetet e MasterClass të dedikuar për artistët e rinj, aktivitete që po mbahen në Rezidencën 17 në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Me ligjëratë për artistët e rinj që po marrin pjesë në këtë edicion, janë prezantuar Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe profesori universitar Dukagjin Pupovci.
Që të dy kanë ndarë përvojën e tyre para artistëve të rinj, ku Ardianë Pajaziti është prezantuar me temën” Roli i medias në promovimin e kulturës në Kosovë dhe më gjerë”, përderisa Dukagjin Pupovci është prezantuar me temën “Sfida dhe realitete të arsimit në Kosovë”.
E veçanta e këtij MasterClass ishte se në këto ligjërata morën pjesë artistë të rinj në një numër të madh, të cilët edhe shprehën interesimin për të dy temat, në mënyrë që të ju shërbejnë në rrugëtimin e tyre prej artisti.
EXPOART.40 është duke vazhduar edhe më tutje me angazhime të tjera me artistët e rinj pjesëmarrës, angazhim që është duke u bërë nën përkujdesjen e drejtoreshës Majlinda Kelmendi./ KultPlus.com
The Library of Congres, njëherit Biblioteka më e madhe në botë me seli në Washington DC ka përfshirë brenda bibliotekës gazetën e parë për art dhe kulturë “KultPlus”.
Në The Library of Congres janë të përfshira mediet më prestigjioze të botës, sikurse edhe mediet që merren me art dhe trashëgimi në vende të ndryshme.
Ardianë Pajaziti, themeluese e KultPlus është shprehur të jetë më se e nderuar që puna e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus” të jetë vlerësuar me këtë përzgjedhje.
“Jemi më se të nderuar me këtë përfshirje. Të përfshihesh me mediet më prestigjioze në botë, është një lajm që përpos që na gëzon, në të njëjtën kohë na bën edhe më të palëkundur në punën që e bëjmë tash e dhjetë vjet me promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare” ka thënë Pajaziti.
Ajo në të njëjtën kohë ka shtuar se edhe përkundër faktit se puna e KultPlus zhvillohet në një shtet të vogël sikurse është Kosova, puna me përkushtim, sipas saj, mund të depërtojë edhe deri te institucionet elitare, sikurse është The Library of Congres.
Ndërkohë, nga The Library Of Congres është bërë e ditur se përfshirja e KultPlus në kuadër të Bibliotekës më të madhe në botë do të ketë një rol të madh për studiuesit, duke përfshirë rritjen e arsimimit në gjithë botën.
Materialet e KultPlus, brenda vitit do të lansohen në bibliotekën më të madhe në botë The Library of Congres.
KultPlus është themeluar në vitin 2013 nga Ardianë Pajaziti, dhe në kuadër të KultPlus zhvillohen edhe tri shtylla të tjera të promovimit të kulturës: KultPlus Caffe Gallery, qendër kulturore që organizon evente të ndryshme kulturore, mbrëmja artistike “Ta zbardhi ftyrën” që sjell artistë shqiptarë të suksesshëm nëpër botë dhe “KultStrofa”, konkurs mbarëkombëtar i poezisë./ KultPlus.com
Pafika e Gocës së Kaçanikut nuk e ka komoditetin e artisteve të operave të shteteve të zhvilluara, të cilat shijojnë edhe shumë repriza të një shfaqje operistike dhe kalojnë prej njërës në tjetrën shfaqje. Pafika jonë hoqi gërshetat menjëherë pas reprizës së dytë të shfaqjes “Goca e Kaçanikut”, ‘armët’ e shfaqjes dhe u nis për në Pejë, për të vazhduar rutinën e mëhershme, për të mbajte mësim me studentët e muzikës. Sepse, një soprano në Kosovë nuk është vetëm një soprano, për faktin se nuk mund të mbijetojë si e tillë. Një soprano në Kosovë mund të jetë një soprano, mund të jetë edhe një profesoreshë, mund të jetë pjesë e korit shtetëror, mund të jetë pjesë edhe e një projekti tjetër të jashtëm, por asesi nuk mund të jetë vetëm një soprano që mund ta shijojë magjinë e një shfaqjeje edhe për një kohë, edhe përkundër sakrificës e mundit të madh, që në fund audienca me shumë dashuri t’ia shtojë epitetin e dashur “Pafika jonë”.
Pafika jonë nuk i ka mbajt provat në sallën ku edhe është dhënë premiera, sepse Pafikës sonë ende nuk i është ndërtuar shtëpia e saj. Pafikës sonë dhe krejt trupës përcjellëse të shfaqjes “Goca e Kaçanikut” i është dashur të ushtrojnë në Sallën e Kuqe të Prishtinës, e më pas të barten për premierë dhe reprizën e parë në një sallë private, ku vetëm me provën gjenerale, shpejt e shpejt u është dashur të përshtaten me formatin e skenës së re.
Pafika jonë nuk ka pas një dhomë personale në prapaskenë, edhe përkundër peshës së madhe si artistja kryesore e shfaqjes, po prapa perdeve me gjithë trupën e shfaqjes, ata disi struken në qoshe të prapaskenës, e brenda pak minutave duhet të shndërrohen në shkëlqim të saj.
Kjo është Pafika jonë, që shpërfaqë në të njëjtën kohë edhe suksesin edhe sakrificën, edhe buzëqeshjen edhe trishtimin, edhe shkëlqimin në skenë edhe vuajtjet prapa skenës, por e lumtur, shumë e lumtur, për faktin se pikërisht asaj i është besuar ky rol historik për Operën e Kosovës, e cila vazhdimisht do të kujtohet si sopranoja që hapi perdet për këtë institucion me një shfaqje operistike kombëtare, institucion që mëton që në vitet në vijim ta ketë shtëpinë e saj operistike.
E lodhur nga rruga, pas kthimit prej Pejës ku kishte mbajt mësim me studentët e saj, sopranoja Adelina Paloja përderisa fliste me mua, më thoshte se ende po e ka ndjesinë e gërshetave, e besa edhe shumë shpesh po prek brezin e saj, në kërkim të armëve (rekuizita të shfaqjes) .
“Më mungon Pafika”, thotë duke qesh Adelina Paloja, e cila nuk e fsheh kënaqësinë e suksesit të dy mbrëmjeve kur edhe e shfaqën shfaqjen “Goca e Kaçanikut”, shfaqje kjo me muzikë të Rauf Dhomit, regji të Nikolin Gurakuqit, libret të Jusuf Buxhovit e Ajmone Dhomit.
Adelina Paloja nuk ishte fare në këtë botë kur kompozitori Rauf Dhomi para 53 viteve e kishte rrumbullakuar këtë shfaqje operistike, por as kur para 45 viteve ishte shfaqë për herë të parë në Tiranë. Dhe se një rol i tillë do ti besohej pikërisht vajzës nga qyteti me ajrin më të ndotur të Kosovës, Obiliqit, por që po ky qytet çuditërisht ka nxjerr një artiste me zë kaq të kristaltë. Dhe se do ti shkonte roli i Pafikës, jo të gjithë e kishin perceptuar, vetëm për një fakt, se disa menduan se Adelina Paloja ka një fytyrë shumë të butë për karakterin e Pafikës, sepse Pafika në këtë shfaqje paraqitet si një vajzë lozonjare e deri te heroina, dhe kësaj të fundit i druheshin. Por Adelina Paloja përgjatë intervistës kujtoi fjalët e kompozitorit e regjisorit të shfaqjes: Edhe kompozitori Rauf Dhomi, edhe regjisori Nikolin Gurakuqi, të dy të nesërmen më thanë ‘Kjo është Pafika jonë’.
Po jo vetëm shtëpia operistike u mungon këtyre artistëve. Edhe shkollimi i tyre, literatura lë shumë për të dëshiruar. Adelina Paloja tregon për KultPlus se për herë të parë për shfaqjen operistike “Goca e Kaçanikut” kishte dëgjuar përgjatë shkollimit, por vetëm si literaturë, nuk kishin pas rast si studentë që të dëgjonin ndonjë notë nga kjo shfaqje operistike.
“Në momentin kur është vendosë që të punohet për këtë shfaqje, atëherë edhe është filluar të punohet në përpunimin e shfaqjes, sepse ishte një botim i vjetër dhe mezi shiheshin notat”, ka thënë Plaoja.
Ajo vazhdon ta konsiderojë rolin e Pafikës si rol të një shfaqje historike për Kosovën, dhe se ndihet me fat që pikërisht ky rol i është besuar asaj. “Ndonjëherë e ke përshtypjen që karriera e juaj nuk përcillet sa duhet nga të tjerët, sidomos nga profesionistët. Po pikërisht rrugëtimi i artistit nëpër shfaqje të tilla, si brenda dhe jashtë vendit, rrumbullakojnë mozaikun e suksesit dhe të ofrohen edhe role të tilla. Mendoj se mu për këtë arsye mu ofrua roli kryesor i kësaj shfaqje, sepse kanë parë performancat e mia të shumta”, ka thënë Paloja, e cila e vetëdijshme për peshën e shfaqjes, tregon për hezitimet që kishte në fillim, por dëshira dhe dashuria për këtë shfaqje, sipas saj kanë triumfuar në pranimin e rolit, dhe që sipas Palojës mbetet vendimi më i mirë që ka marr në karrierën e saj artistike.
“Ne si artistë kemi pas mundësi që të performojmë me vepra botërore, por asnjëherë më nuk do të përsëritet shfaqja e parë operistike kombëtare e Kosovës. Kjo shfaqje për jetë do të mbetet në histori, dhe për mua nuk do të kishte një moment më briliant. Rolit të Pafikës ia dhash hakun, e po besoj që edhe muzikës operistike kosovare”, ka thënë Paloja.
Sopranoja Paloja është e lumtur për këtë prurje operistike, shfaqje kjo që ka përfshirë solistë të rinj e energji të re.
“Po uroj që Opera e Kosovës të shihet me shumë prioritet, në mënyrë që solistët të angazhohen sa më shumë. Edhe pse arritëm ta realizonim këtë shfaqje, për shkak të kostove të larta që ka një shfaqje, ne e mbyllëm këtë sezon me vetëm dy repriza, në mënyrë që të kthehemi prapë edhe me disa repriza në vjeshtë. E uroj që këto repriza të jenë më të shpeshta, me qëllim që tu jepet shansë të rinjve”, ka thënë Paloja, e cila ka shpjeguar se kjo shfaqje operistike, si e para kombëtare për Operën e Kosovës do të shfaqet edhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, me qëllim që të prezantohet trupa e Operës së Kosovës edhe përtej Kosovës.
Paloja, e cila qysh e vogël është marr me muzikë, një vajzë që e para në familjen e saj ka qarë rrugën e karrierës artistike, pa pas atë bagazhin e privilegjeve familjare, tashmë është prezantuar edhe në skena të ndryshme të Evropës, e përgjatë këtij viti ka projekte edhe në Austri e Itali. Ajo vazhdon të punojë brenda Kosovës e herë pas herë të lëvizë edhe jashtë shtetit, por asnjëherë se ka parë si opsion që karrierën ta realizojë vetëm jashtë Kosovës.
“Nuk është zgjidhje që secili të synojë për të performuar vetëm jashtë vendit. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se në vendet e jashtme ka shumë shtëpi operistike e shumë produksione, që shumë më lehtë se këtu mund të marrim edhe oferta. Por unë nuk e shoh atë zgjidhje, unë po besoj që institucionet e tona dita ditës po forcohen, dhe me patjetër bashkërisht duhet ti rrisim edhe profesionalisht. Unë do të vazhdoj të kem performanca jashtë vendit, por vetëm me lëvizje, asesi të shkëputem prej Kosovës”, ka thënë Paloja.
Duke kujtuar sfidat e shumta nëpër vite, qysh prej moshës së vogël ku i është dashur ti ndërrojë dy autobus për të ndjekur shkollën e muzikës, e deri të mosha e rritur, ku sipas saj shpesh herë i është bërë e padrejtë, ajo thotë se vetëm këmbëngulja të sjell role të mëdha, sikurse rolin e Pafikës, pasi që, sipas saj padrejtësitë e shumta përgjatë rrugëtimit, sidomos në fushën e artit, pothuajse janë shumë të shpeshta.
Duke bart mbi supe rolin kryesor që shënjon rrugëtimin e Operës Kombëtare të Kosovës, ajo tashmë ëndërron diçka tjetër. Skenat e mëdha prestigjioze sikurse “La skala” apo skena të ngjashme të mëdha, por sipas saj, jo me sforcim, se kërkesat e sforcuara sipas saj asnjëherë nuk e reflektojnë magjinë e skenës, por do të punojë shumë deri në një ngjitje të tillë skenike.
“Sikurse deri më tash që kam punuar pa sforcime, punë e angazhim që më solli rolin më të dashur që do ta ëndërronte çdo artiste, sepse si grua, unë me këtë rol përfaqësova heroinën tonë Pafikën, duke personifikuar shumë vajza e gra heroina shqiptare, e sukses më të madh nuk di që mund të ëndërrojë një artiste, sidomos kur kemi të bëjmë me sukës kombëtar. Pafika më ka plotësuar rrugëtimin në karrierën time artistike, dhe si të tillë do ta ruaj me shumë xhelozi”, ka thënë Paloja, e cila këtë sukses, thellë thellë ia dedikon prindërve e bashkëshortit të saj, që sipas Palojës, vetëm artistët e kuptojnë më së miri sakrificën e familjes, të cilët ndihmojnë aq shumë për një grimcë shkëlqimi skenik./ KultPlus.com
Sibel Halimi, drejtoresha e sapo emëruar në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka filluar pritjet dhe vizitat nëpër institucione, me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe problemet që mund të ballafaqohet sektori i kulturës në kryeqytet, shkruan KultPlus.
Një pritje të tillë ka bërë për një pjesë të redaksisë së gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, ku ka pritë drejtoreshën e këtij mediumi Ardianë Pajaziti, redaktoren përgjegjëse Jeta Zymberi dhe përgjegjësen për marrëdhënie me publikun, Liridona Spahiu.
Sibel Halimi në këtë takim ka thënë se KultPlus është një medium tepër i rëndësishëm për promovimin e kulturës, dhe se një bashkëpunim i tillë me redaksinë e KultPlus është më se i domosdoshëm.
Ajo ka treguar gatishmërinë e saj për mbështetjen e zhvillimeve kulturore në cdo segment, dhe se me këtë dinamikë do të vazhdojë deri në fund të kryerjes së mandatit.
Kurse drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se sikurse edhe në vitet e mëparshme, KultPlus do të jetë i hapur për të gjitha ngjarjet kulturore, duke përfshirë edhe ato që organizohen nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Gazetarja dhe artistja ukrainase Liudmyla Makei e mbështetur nga KultPlus Caffe Gallery ka mbajte punëtorinë artistike për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, të cilët, në shenjë të 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë realizuar një pikturë të përbashkët, shkruan KultPlus.
Me dominim të ngjyrës së kaltër, shumë fëmijë të dy shteteve kanë shfaqë talentin e tyre përgjatë kësaj punëtorie, të cilët në në një pëlhurë të përbashkët kanë shkrirë imagjinatën e tyre me ndihmë të Liudmyla Makei por edhe të artistes nga Kosova, Bija Jasiqi.
Kjo pikturë do të qëndrojë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery si shenjë e mbështetjes të grupit të gazetarëve ukrainas që i bën tash e sa kohë kjo galeri.
“Jam e lumtur që po jap këtë kontribut për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, iniciativë kjo që do të ishte e pamundur pa mbështetjen e Ardianë Pajazitit, drejtoreshë e KultPlus, e cila na mbështeti këtë projekt”, ka thënë për KultPlus, Liudmyla Makei, e cila këtë punëtori e caktoi me qëllim në ditën e shtetësisë së Kosovës, që të jetë një shenjë mirënjohje për dashurinë që kanë marrë dhe po vazhdojnë ta marrin në këtë vend./ KultPlus.com
Librat e babës në familjen tonë ishin një ceremoni në vete. Gjithçka sillej rreth librave të babës. Nuk mbaj mend të ketë qenë ndonjë temë më e shpeshtë se sa ajo për librat, rreth librave dhe me librat.
Edhe kërkimet brenda shtëpisë kanë pas pikë reference librat e babës. Ku janë syzet? – te librat e babës; Ku janë dokumentet? te librat e babës; ku, ku, ku- ka pas gjithmonë një përgjigje të njëjtë në shtëpinë tonë, te librat e babës.
Ky ishte komunikimi më i zakonshëm për familjen tonë. Librat e babës ishin bërë pjesë e jona, si të ishin qenie të gjalla.
Dhe ne asnjë nuk i referoheshim si bibliotekë, po krejt ato libra tashmë kishin marr epitetin “Librat e babës” se me të vërtetë ishin të babës.
Panairi i librit dhe blerja e një libri të ri ishte solemnitet për të. Kurrë se kam pa babën që një libër të ri ta merr me nguti. Vështrimi i tij mbi kopertinën zgjaste më shumë se sa duhej. E shikonte sikurse ta kishte dizajnuar vet, dhe se nëse Shtëpia Botuese ta ketë lëshuar ndonjë gabim. E krejt vonë, vonë pas një soditje të gjatë, ai fillonte ta shfletonte me një kujdes, që nuk e kam pa te një tjetër.
Baba lexoi shumë, deri në fund të jetës së tij. Disa prej librave i kanë mbete pa lexuar fare, ato nuk e patën fatin që të përzienin aromën e letrës me aromën e babës. Nuk do të mbeteshin në gjendje të tillë, sikur mos të kishte problemin me sy. Me një palë syze goxha të rënda, me ndihmën edhe të një llupe dhe me përshtatjen e rrezeve të diellit në rreshtat e librit, bukur sfidues, baba vazhdoi leximin e librave të tij deri në fund te jetës së tij.
Dhe tashti, sa herë që shoh një bibliotekë, e kam fjalën për bibliotekat personale, në shikim të parë më duket një bibliotekë e zakonshme, një bibliotekë e pluhurosur ose e pastër, por në fakt, këto biblioteka janë thesar të paçmuar, sepse, nëpërmjet kësaj biblioteke njoh shijen e personit që ka blerë përgjatë gjithë jetës së tij/saj, ndjej aromën e librit, diku-diku edhe aromën e personit koleksionues, shoh ndonjë shënim aty këtu: datë, vend, diku-diku ndonjë dedikim, dhe fletët e zverdhura të kohës, që dëshmojnë vjetërsinë.
Pata fatin të rritem në mes të librave, duke qenë vajza e një adhuruesi të madh të librit. Ku shumicën e shkrimtarëve, sidomos emrat, i mësova përtej moshës së vogël që kisha. E më pas të thellohesha edhe në krijimtarinë e tyre.
Të kesh fatin të rritesh mes librave është edhe një përparësi tjetër, se qysh herët e sofistikon shijen, jo se ti ke shije të hollë, por ke një gjeneratë para teje që të mëson të jesh një seleksionuese e thellë.
Sepse, në këtë kohë dinamike, ti falësh kohën një ‘libri’ apo ‘autori’ nuk është vetëm humbje kohe, është shtrembërim i shijes, e sidomos për ata që janë në ndërtim e sipër të përzgjedhjes së autorëve, zhanreve…
Po sikurse që ka përparësinë të rritesh mes një biblioteke, ka edhe defektin tjetër. Në raport me librat e babës kam një obsesion ta pashpjeguar. Librat e tij nuk dëshiroj që ti prek dikush tjetër. Mes tyre, përpos aromës së vjetërsisë së librit, më ngjason që nuhas edhe aromën e tij. Deri sa shpalosë fletët e librave, kam ndjesinë se më puqen prekjet me prekjen e tij. Dhe jo një gjësend tjetër ta jep këtë ndjesi, ku përpos tregimit që të sjell po ai libër, të sjell kujtimet e shtëpisë së vegjëlisë, hijen e rënd të babës dhe diskutimin për librin.
Më mësoi se si duhet të jemi të rreptë me përzgjedhjen e librit, përzgjedhjen e autorëve. Fatkeqësisht, jo të gjitha librat janë libra që vlen të shpenzohet për to, sikurse që ka libra që do të dëshiroje me çdo kusht ti kesh pjesë të bibliotekës.
Unë i përulem babës, se ai më ndërtoi një shije të mirë për librin, më ndërtoi një lidhje të mirë me librin, dhe ajo më e rëndësishmja, edhe përkundër faktit që nuk është më në mesin tonë, unë ende kam kontakt me të, po nëpërmjet librit. Dhe, sa herë që diskutohet për librin, unë humbem në mendime. Copëza të diskutimeve me të, gjithnjë dhe gjithmonë janë më dominuese se çdo diskutim në tavolinat e ditëve të sotme./ KultPlus.com
Edicionin e tij të gjashtë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim me shumë emocione nga sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, e cila u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Camille Lemonnier dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”.
Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato gjermane, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Kajtazit, e cila si asnjëherë më parë, derdhi gjithë dashurinë, mallin, talentin e vuajtjet ndër vite, nga zëri i saj i ëmbël, për të krijuar një atmosferë që s’harrohet dot më.
Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë ardhur në një formë të atillë që bëri që gjithë salla të jehojë me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. Pasioni i saj qysh nga fëmijëria, duket se nuk ka humbur e nuk do të humbasë deri në frymën e fundit, andaj audienca përjetoi një mbrëmje ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë, për shqiptarët, ka dalë përtej limitit, shkruan KultPlus.
Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të sopranos Kajtazi.
Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistes Kajtazi dhe korit “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe, kaltërt e bardhë në prapavijë dhe ato të ngrohtat në pjesën e tavanit që kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Lemonnier dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.
Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artisten në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.
Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje plot gjallëri.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Një mbrëmje që sjell magjinë e artistëve shqiptarë të suksesshëm në botë, magji që ata shpalosin para publikut të tyre nëpërmjet këtij formati. Sonte “Ta zbardhi ftyrën” do të mirëpresë në skenë një emër të madh të artit, një artiste e shquar e cila ka shfaqë talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës. Është fjala për sopranon Elbenita Kajtazi.”
Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë mirënjohjen për gjithë këta artistë të suksesshëm shqiptarë, që asnjëherë nuk i kanë thënë jo ftesës së KultPlus.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur, kësaj mbrëmjeje i keni dhënë magji me prezencën e juaj dhe Elbenita e ka dëshiruar këtë mbrëmje, sepse ajo është mësuar me skena prestigjioze, por ka nevojë për ngrohtësinë e vendit të vetë. “Ta zbardhi ftyrën” është një format shumë i veçantë për stafin e KultPlus, është një format që sjell artistë nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e parë, nga Amerika kemi sjell Sislej Xhafa, nga Parisi, Imer Kutllovci, nga Vjena, Flaka Goranci, pastaj Erza Muqollin nga Parisi, Gjon’s Tears nga Zvicra, Gëzim Myshketën e kemi sjellë nga Milano e Elbenitën nga Gjermania. Elbenita vjen nga ato skenat magjike në një vend ku ende mungon salla prestigjioze. Unë jam shumë e lumtur që kam arrit me i sjell këta emra së bashku me ekipin e KultPlus-it, ekip që edhe tash është duke punuar brenda kësaj salle. Shpesh them që Kosova ka pasaportën më të pafuqishme në botë, por këta artistë na krijojnë një pasaportë më vete. Jemi shumë me fat që kemi nxjerr artistë kaq të mëdhenj. Unë ju uroj një mbrëmje shumë të këndshme, shijojeni”, ka thënë Pajaziti.
Në emër të Komunës së Prishtinës, për një fjalë rasti doli edhe Pëllumb Bajqinovci, i cili i uroj gazetës KultPlus, suksese të mëdha tutje.
“Ardianë, përgëzime për gjashtë vite, është me të vërtetë e vështirë pasi që kultura në kryeqytet në përgjithësi në këto vitet e fundit ka pësuar një ulje dhe ka nevojë për evente të tilla. Mendoj që gjashtë vite me artistë të mëdhenj por shqiptarë, e madhështon këtë ngjarje. Ne me në krye me kryetarin Përparim Rama, do të bëjmë çmos që ngjarjet e tilla të jenë prezente edhe më shumë. Gjeneratat e reja duhet të mësohen me art dhe kulturë të nivelit më të lartë, andaj juve KultPlus ju dëshiroj sukses”, ka thënë ai.
Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur sopranoja Elbenita Kajtazi doli në skenë, e shoqëruar më pastaj edhe nga pianistja Lemonnier. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me këndime, që krijuan kujtime të paharrueshme. Sopranoja Elbenita Kajtazi ka rrëfyer shumëçka nga jeta e saj qysh nga fëmijëria e deri më sot, copëza që kanë ndërtuar po këtë Elbenitë, po këtë shkëlqim të kësaj artisteje që po mbërthen teatro të mëdha nëpër botë.
Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, sopranoja Kajtazi ka thënë se dashuria për vendin e saj është krejtësisht tjetër. Ajo tha se nëpër shfaqjet nëpër botë, ndjen respekt shumë të madh për publikun që vjen dhe i përcjell shfaqjet por këtu ajo ndjen një dashuri të pakrahasueshme për publikun, andaj dallimi për të është i dukshëm.
Biletat për koncertin ishin rezervuar brenda vetëm ditëve. Dhe krejt kjo për vajzën që vjen nga Mitrovica, një talent që siç e thotë edhe ajo vetë: buron nga uji i Ibrit.
Është kënaqësi shumë e madhe të jem këtu, sepse mua më mungon shumë publiku i Kosovës, por nuk kam kohë të vij më shpesh. Gjithmonë i gjej disa momente të veçanta dhe vij gjithmonë me shumë qejf. Këtu çdonjërin në publik e njoh dhe është ndjenjë e mrekullueshme. Është kënaqësi me këndu për ata njerëz që ma kanë zgjatë dorën të parët dhe për mua është emocion i papërshkrueshëm. Këtë dashni mundohem me e dërgu në krejt botën, andaj suksesi është prezent”, ka thënë Kajtazi.
Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Kajtazit, duke njohur edhe qoshet më të vogla të saj. Fotografia e parë shpërfaqi Elbenita Kajtazin si shitëse të qumështit, një fotografi e largët në kohë, por që sjell shumë emocion te artistja e skenave të mëdha, që Kosovën e bart tatuazh në krahun djathtë të saj.
“Flokët na i patën pre në luftë, megjithatë është një moment shumë i bukur i jetës sime. Para pak kohe, fotografinë ma dërgoi po kojshia që ia pata dërgu qumështin. Pas fotografisë qëndron një histori dhe dua ta ndaj me ju. Ishte një dasmë dhe unë isha duke e dërguar qumështin që më duhej t’a shisja. Dhe para disa kohe isha në Hamburg duke gatu, dhe për një moment më cingëroi telefoni, ma dërgoi po këtë fotografi, dhe fillova me qajtë kur e pashë fotografinë. Ne nuk kemi pasë shumë, por kemi pasë shumë dashni dhe me shumë qejf e kam dërgu këtë qumësht. Kam shumë dashni për kafshët dhe ato lopët që i kemi pasë, unë i kam dashtë shumë”, shpjegon sopranoja Kajtazi historinë e kësaj fotografie ku na shpërfaqë Elbenitën si shitëse të qumështit, dashurinë e saj për lopën, kafshë që u ka ndihmuar në mirëqenien e familjes së Elbenitës, por edhe krijimin e kontakteve me fqinjët, duke shitur qumështin në lagje.
Sipas saj, ajo kohë është një kohë që e ka bërë Kajtazin atë të cilën është sot. Kajtazi tutje u shpreh se ka dëshirë të flasë vetëm për kujtime të mira sepse ato të këqijat që janë përjetuar në luftë, secili i din dhe nuk ka nevojë me u përkujtu. Por, ato kujtime zakonisht i përmendin gjithmonë me shumë vendosmëri nëpër botë, nëpër çdo intervistë që ajo jep nëpër gazeta.
“Moment tjetër që e mbaj mend me shumë dashni është kur e kemi marr viqin e asaj lope dhe e kemi vendos në gepekun e kerrit. S’patëm mundësi me e mbajtë më dhe na u desh t’i hiqnim të dyja. Rrugës për Drenicë, viqi ish prapa neve, unë edhe tri motrat në kerr, babai dhe nëna para neve. Na ndali KFOR-i francez, për një moment ne u munduam mos me e lanë viqin me qu kryet por e qoi kryet. Ky është një nga momentet më të bukura të jetës sime, sepse pastaj na dhanë rroba, dhe ne arritëm tek halla, të lumtur të gjithë”, ka thënë Elbenita për shpjegimin e fëmijërisë së saj.
Një foto tjetër doli në ekran dhe në atë foto, ishte e gjithë familja e Kajtazit, të buzëqeshur e të kapur për njëri-tjetrin.
“Këtu jemi të gjithë së bashku. Për mua, vlera më e madhe është familja ime. Meqenëse, fëmijëria ime më është cenu gjatë luftës, nuk mendoj që kam qenë fëmijë ndonjëherë. Gjithmonë kam mendu si e rritur, andaj në shtëpi motrat dhe vëllau më thërrasin ‘bac’. Edhe prindërit e mi të mrekullueshëm, kanë sakrifikuar shumë, por me shumë mundime na kanë rritë e na kanë shkolluar. Unë i kam pesë motra dhe një vëlla. Unë jam shumë krenare për motrat e mia. Motra ime e dytë është avokate që punon në Nju Jork, motra ime e tretë largon bombat e Luftës së Dytë Botërore në Hamburg, motra ime e katërt ka lindë në ditën që ka përfundu lufta në Kosovë dhe për momentin është duke studiuar regji të Operës dhe piano në Hamburg, motra e pestë ka përfunduar për infermieri dhe motra e gjashtë është duke përfunduar për infermiere, kurse vëllau im, Bardhi, dëshiron të shkoj në Amerikë.”
Ndonëse nuk kanë pasur edhe shumë fotografi në sitrarin e familjes, sopranoja Kajtazi e ka zgjedhë atë fotografi pikërisht ku aty shihen buzëqeshjet e secilit dhe e mban mend si moment shumë të bukur. Ajo ka thënë se prindërit e saj janë shembuj se si duhet të edukohen fëmijët.
“Babai im çdo javë ka ardhë në shkollën e muzikës me ditë se çfarë po bëj. Kurse nëna ime është po ajo grua që më ka inkurajuar për mësim. Nëse më ka parë duke punuar tentene, të njëjta mi ka shti në zjarr, sepse më ka thënë që librat janë për mua, dhe jo tentenet. Nëna më ka thënë që duhesh me lanë një pikë në këtë botë, duhesh me qenë e pavarur.”
Rrugëtimi nga Mitrovica në Prishtinë
Sopranoja Kajtazi më pas para të pranishmëve kujton ëndrrat e saj për Prishtinën, po për atë Prishtinë që nuk i përmbushi ëndrrat e saj.
“Kur kam qenë në Mitrovicë mendoja se si të arrij në Prishtinë, se a thua si do të jetë, dhe kur arrita aty mua më pëlqeu gjallëria e qytetit, por gjithmonë më ka mungu Mitrovica. Gjithsesi, kohën e studimeve e kam pas me shumë turbulenca emocionale. Kam qenë studente e mirë, por mu ka dukur pak Prishtina. Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha. Nuk ka qenë e vështirë që unë të angazhohesha në Filharmoninë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve, prej gjithë profesorëve të fakultetit, ne kemi mësuar shumë dhe kemi qenë si shpuza, duke thithur informacione”, ka thënë Kajtazi, e cila po prej skenës bëri edhe një thirrje sa i përket po Fakultetit të Arteve. Sipas saj, ky institucion ka nevojë për një rigjenerim total, pasi që sipas saj, artistët duhet ta kenë hapësirën e duhur për të studiuar. “Sepse unë për vete shumë shpesh kam hyrë në depresion dhe të gjitha gjërat më janë dukur gabim. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të larta dhe pastaj kur nuk kam hasur në ato, jam dëshpëruar shumë”, ka thënë Elbenita po për periudhën e studimeve në Prishtinë.
Dashuria e saj, Ardiani
Dhe ndërtimi i karrierës opersitike do të ishte i pamundur pa mbështetjen e partnerit të saj, Ardianit, që sipas Elbenitës, bashkë më të i ka ndërtuar ëndrrat.
“Unë dashurinë time të jetës e kam takuar në Mitrovicë. Në shkollë të mesme, Ardianin e kam taku dhe e kam vërejtur se është djalë shumë i mirë. Ne kemi fillu lidhjen në bankat e shkollës së rokut në Mitrovicë. Ai është një person shumë i rëndësishëm i jetës sime, ai është shtëpia ime dhe qetësia ime. Asnjëherë se harroj momentin kur ishim të ulur dhe më pyeti për një katalog që e mbaja me vete të Maria Callasit, dhe më pyeti se kush është, iu përgjigja duke thënë se është diva e Operës dhe unë do të bëhem si ajo. Unë kam ëndërruar shumë dhe dore përdore ne jemi ngritur së bashku, por kemi pas edhe momente shumë të vështira, pasi që kemi qenë të ndarë për një kohë të gjatë për shkak të studimeve”, ka thënë Elbenita, e cila falënderuese ishte për Ardianin edhe nga skena e Prishtinës, duke shpjeguar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në skenë, ai ishte i pranishëm me punën për këtë mbrëmje, pasi që, aranzhmanin e dy këngëve të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ishin realizuar po nga Ardiani.
Ermonela Jaho – drita e fundit e tunelit
Në pjesën e bashkëbisedimit me Elbenita Kajtazin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së sopranos së famshme Ermonela Jahos, që për Elbenita Kajtazin vazhdon të jetë motra e saj e madhe, pasi që, ajo vazhdon të jetë mbështetësja më e madhe në karrierën operistike.
“Unë Ermonelën e ndjej si motër. Ajo e ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse e kam takuar në një prej momenteve më të vështira psikologjike të jetës sime. Ka qenë viti i fundit i studimeve, dhe kur erdhi ajo për një koncert, unë paraprakisht i pata thënë nënës se doja ta lija punën e studimeve. Në atë moment në televizion, kishte intervistë Ermonela dhe në atë kohë ajo debutoi në Londër, dhe unë e shihja me admirim ngaqë nuk e kisha njohur më herët. E dëgjova intervistën dhe më la përshtypje shumë intervista. Në atë moment nëna më tha pse nuk po kontakton me të, dhe e bëra pas insistimit të saj. E lash telefonin mbi piano, dhe derisa isha duke dalë prej dhomës, mora përgjigje menjëherë nga ajo. Ajo më dha shpresë të madhe dhe ajo mbetet për mua drita në fund të tunelit”, ka thënë Kajtazi, e cila fuqishëm ka vazhduar me bindjen se nëse për ëndrrat e tua punon fortë, do ia dalësh.
Karolina dhe Vera – shtyllat e forta të jetës
Dhe pos Ermonela Jahos, edhe dy gra të tjera kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Elbenita Kajtazin. Karolina dhe Vera vazhdojnë të jenë çelësi i suksesit të sopranos shqiptare, e cila edhe më tej vlerëson përkushtimin e tyre në ndriçimin e karrierës së saj.
“Ndodhi një masterklasë në Kosovë dhe u zgjodha si studente që me shku në Amerikë. Atje takova Verën, ajo është regjisore dhe puna me të ka qenë shumë e thellë, shumë emocionale. Ajo e dalloi talentin tim e më tha se kam potencial, dhe më luti që të marr një vizë për Evropë. Më premtoi që do të mi organizoj audicionet. Falë Verës, unë jam këtu ku jam, kam depërtuar në vende të ndryshme. Në anën tjetër, Karolina është profesoresha ime gjermane e këndimit që 15 vite. Ajo e bën një punë të shkëlqyer me këngëtarët operstikë si në Kosovë e Shqipëri, e që shumë njerëz nuk e dinë. Ajo i merr këngëtarët mbi supet e veta, i ushqen dhe i ushtron pa asnjë cent. Falë saj, unë jam këtu ku jam. Andaj, e falënderoj shumë, sepse është një pjesë e rëndësishme e muzikës klasike në Kosovë.”
Shtëpia operistike në Prishtinë – ëndërr e venitur
Dhe ëndrrat për një artist janë më se të natyrshme, por Kajtazi një ëndërr të venitur e quan ndërtimin e një salle operistike në Kosovë.
“Unë nuk pushoj së ëndërruari, por një ëndërr që e kam pikë është me këndu në shtëpinë operistike në Prishtinë. Gjithë ëndrrat e tjera kam përshtypjen se do të realizohen, por kjo është e vetmja ëndërr që shpresën e kam pak të venitur. Nuk e di se a do të bëhet, por këtë e ëndërroj”, ka thënë ajo.
Titulli “Ambasdore nderi”, ndarë nga presidentja Vjosa Osmani
Elbenita Kajtazi tashmë kishte mbërthyer audiencën me rrëfimin e saj, dhe natyrshëm ndau me ta edhe për emocionet që i dha presidentja Vjosa Osmani, kur i dha titullin “Ambasadore Nderi”.
“Është një kënaqësi shumë e madhe. Kam një vlerësim shumë të lartë për presidenten Osmani dhe për mua ajo ka qenë inspirim qysh një kohë të gjatë, sepse ka qenë nxënëse e babait tim. Gjithmonë e kam pasur pikësynim me qenë e edukuar si ajo, e shkolluar. Unë pata një takim me të, dhe shkova aty me babin tim. Më pyeti se a e kam marr pasaportën gjermane dhe i thashë jo. Sepse ata kërkonin që kjo e Kosovës të më hiqej. Natyrisht, nëse merr pasaportë gjermane, duhesh me e fshi identitetin kosovar dhe unë natyrisht që nuk kam pranu. Tash, në bisedë e sipër presidentja më tha shiko se çfarë duhet me bë për ta arritur atë, dhe ne të ndihmojmë. E pyeta një avokat dhe më tha se nëse në shtetin tënd vlerësohesh si artist i vendit atëherë asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë me ta heq shtetësinë. Dhe, tashmë sot i kam tri pasaporta, të Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Kajtazi, artistja që dikur kishte problem për një vizë e tashmë posedon tri pasaporta.
Eksluzivisht për KultPlus
Dhe se puna do angazhim, dhe se angazhimi të bën ëndrrat realitet, Elbenita e dëshmoi në këtë rrëfim me ndarjen e një ekskluzivieti, që për ta jetësuar këtë ëndërr, punon tash e 15 vjet.
“Në sezonin e ardhshëm do të këndoj në Operën Shtetërore të Vjenës. Që 15 vite jam duke punuar për me arrit aty dhe më në fund e arrita”, ka shpalosur Kajtazi në fund të krejt bisedës, bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë e saj, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin.
Më pas, me një video mesazh është lajmëruar baritoni Gëzim Myshketa, protagonisti i edicionit të vitit të kaluar të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” i cili ka përshëndetë organizatoren Ardianë Pajaziti, mysafiren Elbenita Kajtazin dhe gjithë të pranishmit.
“Mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma Prishtinë. Ju përqafoj të gjithëve, por në veçanti Ardianë Pajazitin, e cila është një mike e shtrenjtë që u bë shkas për një mbrëmje, emocionet e së cilës i mbaj akoma thellë në shpirt, edhe pse ka kaluar një vit nga edicioni i pestë i ‘Ta zbardhi ftyrën’. Kam marr vesh me shumë kënaqësi që kjo mbrëmje i dedikohet sopranos me vlera të jashtëzakonshme, siç është Elbenita. E re nga mosha, por me një karrierë të shkëlqyer. Kam në kujtimet e mia momentet e para të takimit tim me të dhe nga ai moment dallova talentin e saj, dëshirën e saj për të kënduar. Mikja ime, të uroj suksese. Ju përqafoj me shumë mall, toka ime e shtrenjtë”, ka thënë mes të tjerash Myshketa.
Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum zërin e veçantë të sopranos Elbenita Kajtazi. Notë pas note, lëvizje pas lëvizje, ajo na dhuroi një mbrëmje që doli përtej imagjinatës. Duke kënduar vepra të mëdha siç është ajo gjermane “Për të gjithë shpirtrat”, një këngë që u dedikohet jetëve të humbura në luftë, deri tek kënga e dytë nga opera Manu, një rol që i ka dhënë asaj suksesin më të madh në jetë, e deri tek këngët shqipe si: Mallëngjimi, E duam lumturinë dhe Për ty atdhe.
Kënga “Mallëngjimi” nxori në skenë edhe një artiste tjetër, ku me ftesë të Elbenita Kajtazit, Zana Abazi Ramadani interpretuan këtë këngë, të cilat shkëlqyen dhe sollën shumë emocion tek publiku.
“Çdo kangë shqipe ma dridhë zemrën”, ka thënë Kajtazi para se të marr skenën e t’a pushtoj atë me gjithë qenien e saj.
Ndërsa, në këtë mbrëmje krejt në fund ajo ndau një kujtim që e kishte nga fëmijëria e saj.
“Kur kam qenë e vogël kam fillu me këndu në shkollën Ismail Qemali në Mitrovicë, aty ku ka dhënë mësim babai im në lëndën e gjeografisë. Gjithsesi, këngën “Lumturia” e kam këndu shumë herë në korin e shkollës dhe si e vogël e kam mendu që një ditë në jetën time do e marr korin e fëmijëve dhe do e këndoj këtë këngë. Andaj, sonte kam kënaqësinë që dy këngë t’i këndoj me Korin e fëmijëve ‘Okarina’.”
Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me sopranon Kajtazi. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pandalura u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.
Për ta shpërblyer sopranon Elbenita Kajtazi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti. Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku sopranoja Elbenita Kajtazi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.
Ndërsa për KultPlus, profesoresha e muzikës, Besa Luzha ka thënë se projekti “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, është një platformë e shkëlqyeshme ku artistët bashkëbisedojnë më së miri.
“Elbenita është një soprano shumë e talentuar, me një zë të bukur e mirë të formësuar, atiste e cila mishërohet me rolin plotësisht, duke qenë shumë emocionale e temperamente. Pra, kur talenti dhe puna, kombinohen me përkrahje e mbështetje, suksesi është i garantuar. Elbenita, Marigona, Graniti e shumë të tjerë, që ishin studentë të UP, tash po korrin suksese në shfaqjet e ndryshme të shtëpive operistike, e neve po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Një ditë, në të ardhmen e afërt këta artistë do t’i shohim duke performuar në shtëpinë operistike të Kosovës poashtu. Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i KultPlus është një platformë e shkëlqyeshme ku këta artistë bashkëbisedojnë për jetën dhe profesionin e tyre, para publikut, për të cilin pastaj artistët edhe performojnë pjesë të zgjedhura, si një format unik. Elbenitës i uroj t’i realizohet ëndërra e saj shtytëse për t’u marr me këndimin-që ajo të bëhet një Maria Kallas e dytë, dalur nga trojet shqiptare e të vazhdojë të na bëjë krenarë ne dhe atdheun që ajo aq shumë e don.”
Po ashtu, dirigjenti Memli Kelmendi potencoi se gazeta KultPlus i ka sjellë një freski artit në Kosovë.
“Dua të përgëzoj Ardianën dhe KultPlus për organizimin dhe freskinë dhënë artit në Kosovë. Me Elbeniten jemi miq që nga studimet, çdoherë e ka dashur suksesin dhe sot ndihemi të gjithë krenarë për Elbeniten dhe suksesin e saj. Ishte një mbrëmje ndryshe prej të tjerave, e shijuam.”
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.
Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania dhe Agrocop. / KultPlus.com
KultPlus ka hapur sot thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka shprehur se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.
Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa'”.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. Thirrja mbetet e hapur deri më 26 nëntor 2023 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e gjashtë./ KultPlus.com
“Shuni se lajmet”, titullohet ekspozita që mbrëmë ka frymuar për herë të parë, krejt ëmbëlsisht në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery. Kuruar deri në detajet më të imëta nga drejtoresha e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti, ekspozita na çon prapa në kohën e lajmeve të Radio Televizionit të Prishtinës, një periudhë kjo që ka shërbyer si shtyllë e vetme, prej ku janë informuar qytetarët tanë, me vite të tëra. Nëpërmjet kësaj ekspozite, është shënuar njëkohësisht edhe përvjetori i dhjetë i themelimit të gazetës së parë për art dhe kulturë, KultPlus.
Tashmë ka kaluar një dekadë, por puna, përkushtimi, e mbi të gjitha dashuria për shkrimin, informimin dhe krijimin e një vendi në të cilin lexuesi ndjehet i sigurtë, ka bërë që këto plotë dhjetë vite, të jenë fole e dashamirëve të artit. Këtë më së miri e dëshmoi mbrëmë edhe ceremonia që mblodhi afër vetes një numër të lartë të komunitetit artistik e jo vetëm. Ata nëpërmjet ekspozitës, përjetuan një rikthim në një kohë ku fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu, kanë qenë indikatorë në formimin e një mediumi si RTP, shkruan KultPlus.
Këto figura të shquara, me një pasion të paparë në vete, kanë krijuar një rrugëtim të cilin zor se e harrojmë dot, e prej të cilit janë krijuar qindra kujtime thellë brenda kujtesës së popullit. Nostalgjia, si emocion që rrëqeth deri në asht, ka qenë ajo vija kryesore nëpër të cilën kanë ecur mbrëmë trupat e të pranishmëve. Gjithsej 18 fotografi të vendosura nëpër muret e KultPlus Caffe Gallery, kanë shfaqur fytyrat e personave që kanë prezantuar lajmet, çdo herë, fiks në orën 19:30. Vëzhgimi i fotografive bardh e zi, të ngjallte emocione të llojllojshme. Laramania e tyre të dërgonte direkt tek kohët kur dëgjimi i lajmeve nuk ka qenë edhe gjëja më e bukur e mundshme, por tejet e domosdoshme për secilën familje.
Kurimi i “Shuni se lajmet” nga Ardianë Pajaziti, e cila vjen për herë të parë në rolin e kuratores, ka qenë tejet unik. Duke shkuar në çdo shtëpi të këtyre personazheve të RTP-së, duke mbledhur çdo fotografi, shpesh edhe të turbullta, për të vazhduar me qartësimin dhe rikthimin e shkëlqimit brenda fotografive, e deri tek një pozicionim i këndshëm i kornizave në mure, është thjeshtë për t’u mahnitur. Në rolin e kuratores, Pajaziti ka çelur një kuti kujtimesh për qytetarët, që asnjëherë nuk ka qenë e mbyllur shpirtërisht për ta.
Përveç hapjes së ekspozitës, u festua edhe ceremonia e një rrugëtimi prej dhjetë vjetëve të KultPlus-it, një rrugëtim ky që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës. Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus vazhdon të mbetet një dritare e hapur e fjalës së lirë, një shtëpi e korrektësisë dhe strehë për zhvillimin e kreativitetit individual.
Nën moderimin e gazetarit e poetit, Arbër Selmani, njashtu si lajmet e kohëve të hershme, nisën edhe disa fjalime fiks në orën 19:30.
“Unë kam punuar në KultPlus, për gjashtë vite shumë të mira të jetës time. Nëpër këto vite, e kam zhvilluar veten si gazetar, por gjithmonë me ndihmën e shoqes dhe koleges time, Ardianë Pajaziti, e cila na ka mbledhur sonte të gjithëve, këtu. Ju falënderoj secilin që keni gjetë kohën me ardhë, që keni lënë angazhimet anash dhe jeni bashkuar në këtë ekspozitë që lidhet shumë mirë me atë se çfarë bëhet në KultPlus, për këto dhjetë vite”, thotë Selmani.
Sipas tij, kjo gazetë është përkujdesur që gjithmonë krahas lajmeve të momentit, realitetit, të mos i lë në në harresë as ato figura që ndoshta historia pakëz i ka lënë anash.
“Jetojmë në një kohë komplet ndryshe prej kohës që paraqitet në këto fotografi”, thotë ai.
Ndërsa, për këtë mision fisnik të sajin dhe shënimin e 10 vjetorit të gazetës të krijuar nga ajo vetë, kuratorja e ekspozitës, Ardianë Pajaziti është shprehur tejet e lumtur.
“Faleminderit për prezencën e juaj këtu sonte, sepse ky moment është shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe për krejt ekipin e KultPlus-it. Unë dua t’i falënderoj edhe të gjithë gazetarët e tjerë që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në formësimin e KultPlus-it. Kam menduar që mjaftueshëm jam gazetare por ky vend më ka rritur tejet shumë profesionalisht, duke pasur parasysh që kam hasur në lajme të ndjeshme, në një komunitet shumë të ndjeshëm, siç është arti dhe kultura. Andaj, sa ka përfituar lexuesi, aq ka përfituar edhe ekipi jonë dhe unë së bashku me ta, për plot 10 vite, duke e sjellë KultPlus-in aty ku është sot”, thotë ajo.
Sipas saj, kjo është hera e parë që i ka dhënë të drejtë vetes për të marrur titullin e kuratores e për të jetësuar ekspozitën “Shuni se lajmet”.
“Unë këtu po shoh njerëz që e dinë shumë mirë shprehjen ‘Shuni se lajmet’, sepse aq e rëndësishme ka qenë ajo periudha e kohës 19:30. Realizimi i ekspozitës ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua, gjithmonë duke e falënderuar familjen e Drita Gërmizajt, që ka qenë realisht një shtysë për pikënisjen e kësaj ekspozite. Drita nuk është në mesin tonë, por kam dashur që fillimisht aty të sigurohem për mbledhjen e këtyre fotografive të vjetra. Së pari, fotografitë janë marrë në një format ‘hardcopy’, pastaj fotografi Hazir Reka ka qenë një ndihmë e madhe për mua, pasi që më ka ndihmuar për t’i qartësuar këto fotografi e për t’i sjellë në nivelin që po i shihni sot”, përfundon Pajaziti.
I pranishëm në “Shuni se lajmet”, ka qenë edhe prezantuesi i njohur i lajmeve, Mustafë Muçaj, i cili me zërin e tij plot zhurmë e tejet të njohur për veshin e dëgjuesve, ka thënë se tashmë me shumë dëshirë, i lexon lajmet që shfaqen për sukseset e Kosovës, përkundër atyre që ai vetë është dashur t’i lexonte në kohën e RTP-së.
“46 vjet kam qenë mu në atë karrigen aty në fotgrafi, asnjëherë nuk kam lëviz. Kam pasur oferta të ndryshme punësimi, mirëpo kam mbetur besnik i fjalës dhe njeri i popullit. I kam kalu të mirat e të këqijat me gjithë spektatorët. Përpara, e kemi pasur vetëm një televizion, vetëm një dritare informimi, që niste në orën 19:30, dhe unë i kujtoj shumë mirë krejt këto fotografi e personazhe. Televizioni i Prishtinës dikur dhe ai sot, janë gur themeli i fryteve që ne sot i gëzojmë. Në kohën time, kam luftuar për çdo gjë që ka qenë kundër Kosovës, andaj sot me shumë dëshirë i lexoj lajmet e sukseseve të shtetit tonë”, ka thënë Muçaj.
Në një prononcim për KultPlus, piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se kjo gazetë vazhdon të jetë një muze virtual e praktik.
“KultPlus është një medium që asnjëherë nuk len që kujtesa të zbehet. Ekspozita ishte mjaft atraktive dhe më se e dëshiruar nga artdashësit, qytetarët e njerëzit intelektualë. Ne jemi rritë me ata persona që kanë prezantuar lajmet qendrore, por atëherë ata kanë pasur një pa-përpunim natyral dhe nuk ka qenë teknologjia që është sot. Kanë pasur thjeshtë, një puro talent për prezantim, andaj kanë krijuar një arkiv të rëndësishme të bazave të para. KultPlus, në anën tjetër është rikthyer me një angazhim publik, mendor dhe një hulumtim të ri të periudhave kohore. Asnjëherë nuk është dorëzuar, edhe pse me ngritjet e uljet e veta. Çdo herë ka prezantuar njohuri të rëndësishme, qoftë nga e kaluara, e tashmja apo e ardhmja. Hulumtimi në terren është i fuqishëm dhe i uroj jetë të gjatë KultPlus-it, sepse puna e tyre është e domosdoshme për rrethin në të cilin jetojmë. KultPlus-i është një muze virtual e praktik”, thotë ajo.
Po ashtu, poetja Sibel Halimi është shprehur se KultPlus-i është një dritare krijuese që i ka qëndruar besnike të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në art.
“”Shuni se lajmet” është frazeologjia e kujtesës sonë individuale në rëndesën e ngjarjeve të vështira që i kaluam si shoqëri. Ekspozita me portretet e folësve ikonikë të RTP, na kthyen në të kaluarën ku fati ynë varej në atë çfarë na prezantonin në lajmet qendrore Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Poashtu, kënaqësi që së bashku kremtuam edhe një dekadë pune e angazhimi të portalit ‘KultPlus’. Për plot 10 vite, ‘KultPlus’ u bë dritarja jonë krijuese që na qëndroi besnike të gjithë neve që duam sado pak të kontribuojmë në kulturë dhe art”, ka thënë Halimi.
Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk ka munguar as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ka ardhur para nesh një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.
Nata nën dritën e hënës ka vazhduar me rikthimin e kujtimeve të bollshme, festimin e arritjeve të ndryshme si dhe muzikë të mirëfilltë shqiptare e të huaj. Kështu, i erdhi fundi një dekade dedikim ndaj artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë, për të nisur me këmbë të mbarë, dekadën e radhës, akoma të panjohur për ne.
Ky event është mbështetetur nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com
Sirenat e policisë, bombardimet, zhurmët e armëve e të ndërtesave të shkatërruara janë ato që e shoqërojnë Ukrainën dhe popullin e saj tash e më shumë se një vit që prej sulmeve të para të filluara nga Rusia, e që përveç shkatërrimeve, la pas vetes edhe shumë viktima, shkruan KultPlus.
Por kjo situatë, nuk i ndaloi shumë njerëz nga mbarë bota t’ia mësyjnë këtij vendi, për të dokumentuar vetë tmerrin që lufta sjell pas vetes.
E një veprim të tillë e bëri edhe gazetarja maqedonase Kristina Atovska e cila për tre muaj rresht qëndroi në Ukrainë, e në këtë periudhë qëndrimi ngriu momente me aparatin e saj, si një nismë e vogël për t’i treguar botës imazhe që pasqyrojnë realitetin që tashmë po e jetojnë ukrainasit.
E disa nga këto fotografi të realizuara që në ditën e 20-të të luftës në Ukrainë, u ekspozuan në KultPlus Caffe Gallery, në ekspozitën që u hap mbrëmë, për të sjellë përpara publikut kosovar një histori jo të panjohur për të. Kjo ekpozitë transmetoi dhe pasqyroi frikën dhe luftën për mbijetesë, ku mes shkatërrimeve në të gjitha anët, dëshira për t’u ringjallur tejkalon gjithçka.
Përveç fotografive që dëshmojnë tmerrin në Ukrainë, në këtë ekspozitë u shfaq edhe traileri i filmit dokumentar ‘Silent Lullabies’ e që është një përmbledhje e shkurtër dhe e dhimbshme e gjithë situatës në këtë vend.
E pikërisht hapjen e kësaj ekspozite e bëri producenti i filmit, Viktor Petreski, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, tha se në këto fotografi mund të shihet vetëm një pjesë e vogël e tmerreve nëpër të cilat jetojnë ukrainasit për më shumë se një vit.
“Autorja e kësaj ekspozite, vendosi të bëjë çmos që të arrijë sa më shpejt në Ukrainë dhe mundësoi që të dëgjohej zëri i njerëzve të prekur nga lufta. Në ditën e njëzetë të luftës, ajo shkoi në Ukrainë me mjete minimale, krejtësisht e vetme dhe qëndroi atje për tre muaj. Shumë nga historitë prekëse që ajo dëgjoi gjatë qëndrimit të saj atje, përfunduar në filmin dokumentar të saj të quajtur ‘Silent Lullabies’, që tashmë ka fituar nëntë çmime dhe 14 përzgjedhje në festivalet ndërkombëtare të filmit. Fotografitë e shfaqura këtu janë vetëm një paraqitje e shkurtër e këtij filmi”, u shpreh Petreski i cili mes tjerash tha se kjo ekspozitë bashkë me filmin janë një mënyrë për të treguar mbështetje për popullin ukrainas dhe një frymëzim për të tjerët që të mbështesin ata në çdo mënyrë që munden.
Më pas, fjalën e mori vetë autorja Kristina Atovska, si rezultat i punës së së cilës u realizua edhe kjo ekspozitë, e cila përveç se në Prishtinë, është hapur edhe në Shkup e Tiranë.
“Një nga padrejtësitë më të mëdha që mund t’i ndodhë një personi është të zgjohet me një ushtri armike në oborrin e tij. E kalova gjithë karrierën time duke luftuar padrejtësitë, prandaj ishte shumë e rëndësishme për mua t’u jepja zë ukrainasve që kanë ngecur në një realitet të tmerrshëm, jo prej zgjedhjes së tyre. Miliarda civilë të pafajshëm po bien në gjumë me sirena dhe alarme nga bombardimet. Ka vende ku sirenat janë të heshtura dhe vetëm sepse bombardimet atje nuk ndalen kurrë. Të gjithë këta civilë kanë vetëm një dëshirë gjatë ditës, të mbijetojnë. Fatkeqësisht për mijëra njerëz, kjo dëshirë nuk u realizua”, rrëfen Atovksa momentet e tmerrshme që i përjetoi në Ukrainë.
Përveç ekspozitës, publiku pati mundësinë ta shohë edhe trailerin e filmit dokumentar, për të cilin, Atvoska thotë se ka vendosur t’i ekspozojë të gjitha historitë që pasqyrojnë të gjitha format e rezistencës së ukrainasëve.
“Historitë që kam vendosur t’i shfaq në film, janë ato që tregojnë të gjitha format e rezistencës që ukrainasit përdorën për t’u përballur me tmerret e imponuara nga okupatori”, tha mes tjerash Atovska.
Në hapjen e ekspozitës “#StandWithUkraine” e cila u mundësua nga KultPlus dhe Flori Zaevi, foli edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila vlerësoi lart ekspozitën dhe punën e gazetares Kristina Atovska, e cila pavarësisht rreziqeve shkoi në fronin e luftës, për të dëshmuar horrorin që po ndodhte atje.
“Kjo ekspozitë është më e pakta që kemi mundur të bëjmë ne si KultPlus, duke e marrë parasysh që para më shumë se 20 viteve e kemi kaluar të njëjtën përvojë, të njëjtën dhimbje, por shpresa që jeta të mos të ndalet tregojnë pikërisht këto fotografi, shumë prej të cilave shfaqin dhimbje, por edhe fotografi që tregojnë se njeriu është forca e jetës. Ne si shqiptarë, e kemi pasë fatin që ta përjetojmë luftën në Kosovë, e Kristina e ka bërë detyrën e saj në një nivel tjetër, ka shkuar si gazetare në një vend lufte, për t’iu treguar botës, atë që po ndodh në Ukrainë”, u shpreh Pajaziti.
E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe Lyudmila Makey, gazetarja e parë e cila u strehua në Kosovë pas luftës në Ukrainë. Ajo falënderoi gazetaren Atovska, që po e vendos në sytë e të tjerëve, atë që shohin çdo ditë ukrainasit.
“Unë dua t’ju tregoj juve rreth historisë së familjes time. 70 vite më parë, nëna ime ishte një vajzë e vogël dhe ajo ishte nje refugjate. Dhe pas kaq vitesh, unë dhe vajzat e mia jemi prapë refugjate sepse Ukraina jonë është në zjarr. Çdo fotografi këtu është një mesazh i fortë, ashtu siç edhe populli i Ukrainës është”, u shpreh Makey për KultPlus.
Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita ‘#StandWithUkraine’, e hapur më 5 prill në KultPlus Caffe Gallery, do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com
Konferenca Ndërkombëtare “Suksesi i Zonjave shqiptare dje dhe sot, sfidat e se ardhmes” për tri ditë ka mbledhë mbi 100 gra nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Londra në Tiranë, të cilat me ftesë të Flora Nikolla në kuadër të Albanian Ecxellence, këto gra nga profile të ndryshme kanë shpërfaqë rrugëtimin e tyre drejt suksesit, gra të cilat shpalosën sfidat, sakrificën, guximin e ballafaqimin deri në shkëlqimin në shumë profile.
Muziciente, bankiere, shkrimtare, politikane, mjeke, gra nga biznesi, gra nga aviacioni, të medias, artit, aktiviste dhe shumë profile të tjera janë prezantuar për këto tre ditë, rrëfime dhe sfida që sipas Flora Nikollës do të botohen edhe nëpërmjet një libri, libër që do të ketë një promovim të një formati surprize nga Albanian Ecxellence.
“Jam shumë e lumtur që Albanian Ecxellence bëri bashkë gratë e suksesshme nga shumë vende të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, e që për shumicën e tyre rrugëtimi nuk ishte i lehtë, por që sot janë inspirim jo vetëm për vajzat dhe gratë, po për të gjithë”, ka thënë Flora Nikolla.
Por jo vetëm rrëfimet e grave të suksesshme ishin pjesë e kësaj konference tre ditore, por brenda saj ishte gërshetuar edhe gastronomia dhe kultura shqiptare, ku me këtë rast gratë pjesëmarrëse kanë pas rast të shijojnë vajin e ullirit, të shihnin nga afër kreacionet e Joni Brahos dhe pikturat e Marjana Goxhabelliut, ku kjo e fundit ishte inspirim për të gjitha gratë pjesëmarrëse që të jenë pjesë e e artit ë përbashkët në një tablo të vetme.
Por vëmendja e kësaj konference kishte dy emra: Vera Bekteshin dhe Flora Brovinën, të cilat promovuan librat: Pusulla të verdha nga Bekteshi dhe krijimtaria e Brovinës në përgjithësi, të cilat me gratë prezente ndanë edhe rrugëtimin e tyre, që krijoi shumë emocione te pjesëmarrëset.
Ndërkohë, nën patronazhin e ministres së Shtetit për Standardet dhe Shërbimet Milva Ekonomi , gratë pjesëmarrëse të konferencës ndërkombëtare kanë marr pjesë edhe në një prezantim tradicional në Muzeun Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Krujë, sikurse që kanë vizituar edhe Pazarin e Krujës.
Konferenca Ndërkombëtare “Suksesi i Zonjave shqiptare dje dhe sot, sfidat e se ardhmes” është vetëm një nga aktivitetet e shumta të Flora Nikollës që i organizon në kuadër të Albanian Ecxellence, e që promovimi dhe mbështetja e grave është jashtëzakonisht i madh në kuadër të këtyre aktiviteteve./ KultPlus.com
Fytyra e saj është një fytyrë si e një kukulle porcelani. Dhe jo vetëm, por edhe një fytyrë kukulle e habitur. Dhe me sytë e saj të mëdhenj sikurse edhe më ma vërteton këtë ndjesi që ma jep figura e Ornela Vorpsit.
Në pamje të jashtme ta le përshtypjen e një gruaje të fortë, që është në gjendje të thyej çdo barrikadë, po në shpirt, sikurse e thotë edhe vet, është e vrarë, shumë e vrarë nga jeta që e rropati brenda dhe jashtë Shqipërisë.
E përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, mu kjo Ornela e Shqipërisë që doli nga ky vend dhe vazhdon të bëj nam nëpër botë me librat e saj, akoma nuk e ka shkruar një libër në gjuhën shqipe, po gjithë krijimtarinë e saj e ka të shkruar o në italisht, o në gjuhën frënge. Dhe ka një arsye pse nuk ka shkruar dhe nuk dëshiron të shkruajë në gjuhën shqipe.
Përgjatë një bisede të gjatë, pashë shumë Ornela rreth meje, e mezi arrija të përmblidhja mu atë Ornelën që kisha para syve të mi, që padyshim është një zonjë e madhe, dhe nuk do të ishte e tillë po të kishte pas një jetë ndryshe.
Për mbi dy orë përgjatë intervistës pashë Ornelën e vogël të Tiranës e cila lumturohej në familjen e saj të vogël, pastaj pashë Ornelën e topitur, mu këtë Ornelën me fytyrë porcelani, hije që mori që nga vdekja e gjyshes, vdekje që ndodhi në prani të saj, hije që u bë edhe më e rëndë me burgosjen e babait. Pashë Ornelën e vetmuar rrugëve të Tiranës, vetmi dhe refuzim që e mbështolli regjimi i Enver Hoxhës, pashë Ornelën duke vrapuar pas ngjyrave, pikturës, pastaj atë Ornelën e Milanos e të Parisit, Ornelën në romane që edhe më tej refuzon ti shkruaj në gjuhën e nënës, e deri te kjo Ornela e fundit që i janë përkthyer romanet e saj në mbi 20 gjuhë të botës, këtë Ornelën e ekspozitave e të pikturës, e cila prap më jep ndjesinë e një portreti të një figureje porcelani, e cila edhe e thotë vetë, që këtë figurë apo ndjesi të majës së ajsbergut, e mori që nga përplasja e gjyshes para këmbëve të saj, vdekje që ja dha një nur përgjatë gjithë jetës.
Përderisa kujton fëmijërinë e saj, e cila e konsideron fëmijëri të lumtur, rritën e saj me dashurinë e gjyshes dhe prindërve të saj, Ornela Vorpsi e kujton atë periudhë si periudhën më të ëmbël, e cila rritej në një shtëpi në mes të Tiranës, me një kopsht shumë të madh me hurma e ullinj, e cila shumë më vonë kuptoi se babai i saj kishte prona, shumë prona, por që ata e rritnin pa ia kujtuar se ishin një familje e kamur, duke vënë në plan të parë dashurinë që kishin për njëri tjetrin, e sidomos për gjyshen.
“Kam pas një gjyshe jashtë mase të dashur, dhe mbaj mend se deri në moshën gjashtë vjeçe kam gëzuar dashurinë e saj të pafund. Dhe vdekja e saj, besoj se ishte një nga goditjet më të mëdha që kam pas në jetë. U rrëzua para syve të mi, ra në tokë, mbaj në mend që më tha “koka, më dhemb shumë koka” dhe vdiq, para syve të mi vdiq”, kujton Ornela dashurinë për gjyshen, dashuri që më pas u shndërrua në atë topitjen, akullnajën jetësore, pasi që këtë vdekje e kapërceu ftohtë, pa lot dhe pa bërtima, me një mur në mes, mur të madh mes dhimbjes shpirtërore dhe reagimit të jashtëm.
Ornela kujton më pas se kishte vazhduar jetën në atë Tiranën e atëhershme, Tiranë që bashkë me Shqipërinë ishin super të izoluara nga bota, me makina të pakta, e edhe më pak racione ushqimi, por me një dashuri të madhe për artin, dashuri që e kishte qysh nga vegjëlia e saj.
Dhe kjo artiste e madhe, rrugëtimin drejt artit e kishte nisë në piano. Prindërit e saj e kishin detyruar të ngulitej në atë instrument, tinguj që kurrë se plotësuan shpirtin e saj të madh artistik, që në periudha të ndryshme jetësore ndryshonin formë, herë pikturë, herë fotografi e herë letërsi.
Dhe përderisa Ornela kërkonte art, apo dhimbja e saj kërkonte të shpërfaqej nëpërmjet artit, në kohën kur ende mësonte piano, por që nuk përmbushte dëshirën e saj për të bukurën, me vetëm shtatë vjet ajo pëson edhe një goditje.
Dhe si me rastin e vdekjes së gjyshes, edhe kësaj radhe, nuk qau, as lëvizi e as nuk reagoi. Ishte zhdukja e babait, dhe ajo që dinte në atë kohë ishte vetëm kjo, babai i saj iku me motorin.
“Mbaj mend mamin, e priste. Por babai u zhduk, kishte një motor dhe po me atë motor u zhduk. Unë si fëmijë nuk reagoja, nuk merrja pjesë në këto goditje, nuk lëvizja, nuk qaja dhe nuk prekesha”, shpjegon Ornela Vorpsi duke kujtuar këtë goditje si shtatë vjeçe, e cila më pas ka shpjeguar se pas bisedave dhe konsultave më të vonshme me psikoanalistë, i kishin shpjeguar se ky mos reagim i saj ishte më shumë si një mur, si një mbrojtje e vetvetes karshi zhvillimeve.
“Dhe babai nuk u kthye, kaluan gjashtë muaj dhe nuk kuptuam asgjë. Brenda këtyre gjashtë muajve mami shkonte në polici të pyeste, dhe ata i thoshin se nuk dinin gjë. Të njëjtit kërcënonin mamanë time se ajo duhej tu tregonte se ku ishte burri i saj” tregon Ornela për atë periudhe të rëndë për familjen e saj, të cilës familja e saj veç po i zvogëlohej, dhe tani kishte ngelur me mamanë e saj, e që atë kohë ishte 29 vjeçe.
Dhe regjimi i Enver Hoxhës sapo kishte trokitur në portën e familjes së Ornela Vorpsit, dhe shija e hidhur e komunizimit kishte kaluar përmasat për të dhe për mamanë e saj, të cilat vuanin në palcë ndarjen e familjes, distancimin e njerëzve nga to dhe vuajtjet e kësaj kohe që kishin shndërruar një grua dhe një vajzë të vogël si dy njerëz tmerrësisht të padëshiruara nga të tjerët.
Babain e dënuan për politikë pa u marr asnjëherë me politikë, kishin për qëllim sekuestrimin e pronave
Ornela Vorpsi kujton që babain e saj e kishin gjykuar me dyer të mbyllura, e kishin akuzuar për politikë, edhe pse, sipas Ornelës, babai i saj kurrë nuk ishte marr me politikë. Sipas saj, arsyeja e burgosjes së tij ishte diku tjetër, sekuestrimi i pronave të shumta që kishte kjo familje. Dhe me rënien e tij në burg, krejt këto prona u sekuestruan dhe lanë këtë familje në dyer të botës.
Ornela kujton se dy herë e kishte vizituar babain e saj në burgun e Spaçit, njëherë kishte shkuar me gjyshin, nga ana e babit, dhe njëherë kishte shkuar me mamin. Të dy vizitat kishin lënë vragë të thella në memorien e Ornelës, duke nisë nga kontrollet e rrepta të gardianëve e deri te takimi me babain, që për të ishte shumë i panjohur.
“Nuk e njoha fare babain tim, ishte dobësuar jashtë mase, ishte me pizhame me vija, si ato të Auschwitz. Dhe mbaj në mend që mamit tim i dha një qese të vogël, kur u ktheva në shtëpi, si kurreshtare që isha e hapa atë qese. Në të gjeta dhëmbët e thyer të babit, sepse më vonë e kam kuptuar se kur e kishin arrestuar, e kishin futur në një thes, dhe e kishin rrahur aq fortë sa që ia kishin thyer edhe dhëmbët”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe një takim tjetër me babain e saj në burg, po këtë herë më shumë kujtime të hidhura i kishte lënë rruga deri në Spaç, sesa vet Spaçi.
“Nuk kishte makina, mbaj mend se patëm shkuar me autostop me një kamion që barte derra, mami ishte ulur me shoferin para, unë isha pas, me derrat. Para syve të mi shihja se si tentonte shoferi ta puthte mamin tim, ishin kohë të tmerrshme, ishte një Shqipëri që nuk të le qetë as sot”, kujton Ornela.
Dhe përgjatë kohës sa babai i saj vuante dënimin, mamanë e saj e detyruan ose të divorcohej ose do ti internonin, por sipas Ornelës, mamaja e saj zgjodhi të parën, dhe pas sekuestrimit të pronave, Ornela bashkë me mamanë e saj u detyruan të ktheheshin te dajët, ku u vendosën të dyja në një dhomë të vogël, dhomë e cila u shndërrua në shtëpinë e tyre për shumë vite.
“Të gjithë njerëzit na u larguan, mbaj mend edhe kushërirat e mia të cilat bëheshin se nuk më shihnin në rrugë. Tirana ishte e vogël atëherë, dhe bënim pjesë te shoqëria margjinale. Ndërkohë, Shqipëria në atë kohë ishte kaq injorante, me mentalitet shumë të rëndë, sa po të ishe një grua pa burrë, sikurse ishte ime më, ishe direkt kurvë”, kujton Ornela, e cila mentalitetin e Shqipërisë edhe sot e sheh si të ngecur në vend, me shumë pak ndryshime.
Nga një inxhinere mekanike, mamanë e Ornelës e vendosën në punë në një fabrikë me tre turne. E dërmuar nga rrethanat, e larguar nga shoqëria, sipas Ornelës, mamaja e saj për një muaj e gjysmë u shtri në psikiatri.
“U shtri në psikiatri vetëm që të flinte, nuk flinte dot nga puna që bënte në tri turne. Dhe si e vogël unë mbeta vetëm me gjyshen te dajët”, rrëfen Ornela, të cilës çdo ditë po i zvogëlohej bota, e krejt këtë çmenduri që e kishin kaluar shqiptarët që i prekte regjimi i Enver Hoxhës, Ornela e shpjegon me një fjali “Ishte një Shqipëri e çuditshme, mos ta jetoje, nuk e koncepton dot”.
Ornela shpjegon se babai i saj vuajti shtatë vjet dënim, dhe pas burgut ajo e takoi si 14 vjeçe. Si vajzë e një të burgosuri politik, përgjatë kohës sa babin e kishte në Spaç, i kishin thënë shumë fjalë të këqija për babain e saj. Aq keq i kishin fole, sa që Ornela tregon se kur dikush i thoshte se sa shumë i ngjante babit të saj, ajo nuk ndihej mirë, ndihej shumë keq.
“E kam takuar edhe dy tri herë, fshehtas prej mamit. Sepse ajo nuk donte që të takohesha me të, asaj i ishte ngulitur në mendje se ai ishte shkaktari që na shkatërroi jetën. E në fakt nëna kishte probleme mendore, sepse i vuajti shumë pasojat”, tregon Ornela më tej.
E adhuroja vizatimin, pikturën, po sistemi i atëhershëm nuk më lejonte të futesha në Liceun Artistik, isha vajza e një të burgosuri politik
Dhe përderisa jeta i kishte rropatë sa poshtë e lart këtë familje tironse, lufta e artit brenda shpirtit të Ornelës nuk gjente paqe. Përderisa bënte shkollë për piano, brenda saj ajo kishte zbuluar pasionin për vizatimin, pasion që u bë aq i fuqishëm sa mori edhe vendimin për braktisjen e pianos.
Ajo kujton se vet kishte shkuar të Pallati i Pionierit për tu regjistruar për vizatim, pastaj përfundoi shkollën tetë vjeçare të normales, institucion në të cilin poashtu ndjeu distancën e shokëve, shoqeve dhe mësimdhënësve.
“Pastaj kisha dëshirë të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, por ishte e pamundur, sepse isha fëmija i një të burgosuri politik, dhe në Shqipërinë e atëhershme, arti ishte propagandë, dhe nuk kisha të drejtë, kisha të drejtë vetëm në gjimnaz”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton se përgjatë asaj kohe, ajo kishte vijuar gjimnazin, përderisa pikturën e vazhdonte në shtëpi.
Dhe me përfundimin e gjimnazit, si duket po përfundonte edhe një regjim i tmerrshëm në Shqipëri. Ornela Vorpsi ishte në vitin e tretë të gjimnazit kur kishte vdekë Enver Hoxha, dhe Ornela kujton edhe sot kumtin e zysheve të asaj kohe dhe histerinë kolektive për vdekjen e Enver Hoxhës.
Por me vdekjen e tij, vendi kishte filluar pak të merrte frymë. Më në fund, Ornela Vorpsi arrin të futet në Institutin e Arteve, tash Akademia e Arteve të Bukura, garë të cilën e synonin mbi 400 të rijnë, e pranoheshin vetëm 25 studentë.
“Kisha përballë fëmijë të artistëve, fëmijë që ishin rritur me art, fëmijë që ishin mirë politikisht dhe që ishin mirë me talent. Po pata një fat të jashtëzakonshëm, dhe pata një mbështetje nga Hektor Dula, i cili mbështeste talentin tim, dhe kështu që e fitova atë konkurs. Mbaj në mend që për një javë kam pirë vetëm ujë dhe nuk haja asgjë, aq isha e emocionuar”, tregon Ornela Vorpsi për këtë vulë jetësore, vulë që e kërkonte pothuajse që nga fëmijëria dhe më në fund ia kishte dalë që të jetë pjesë e këtij institucioni që pas përfundimit do ta nxirrte si piktore.
Ika me mamin në Itali, kapitalizmi mu duk gjëja me e egër që kisha parë në jetën time, nuk i kuptoja lëvizjet e gjithë atyre makinave, sikurse nuk e kuptoja dashurinë e tyre për macet dhe qenët. Atëbotë në Shqipëri nuk kishte as veterinar
Dhe portat po hapeshin për piktoren e re. Në fakt nuk u hapën portat, po shqiptarët po i hapnin ato dhunshëm, duke u futë nëpër ambasada dhe duke kërkuar një jetë më të mirë.
“Meqë jam esteiste, Shqipëria nuk u hap bukur, po ky ishte realiteti i jonë”, kujton Ornela lëvizjet e shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, e që Ornelën ajo periudhë e kishte gjete 22 vjeçe dhe me titullin piktore e diplomuar.
Ornela kujton se kjo dyndje e shqiptarëve e kishte provokuar edhe mamanë e saj, dhe sipas saj, kërkesa e saj ishte që të iknin nga Shqipëria dhe të shkonin ne Milano. “Ishte një shoqëri që nuk na kishte lënë vend, nëse njerëzit tjerë kishin vend, ne nuk kishim një të tillë”, tregon Ornela, duke e krahasuar Shqipërinë e atëhershme si një moçal dhe si një vend të kalbur.
“Ne morëm një vizë për dy javë, unë kisha një gocë tezeje e cila duke qenë nxënëse shembullore, duke pas babin komunist, me të drejtë e shkreta, rrinte larg meje, ajo mbaroi me medalje ari, dhe e cila duke qenë kaq e shkëlqyer, Shqipëria i qonte jashtë shtetit. Edhe atë e kishin dërguar në Romë, kështu që unë me mamin tim duke mos e pas fare idenë e një vendi të huaj, siç ishte Italia, marrim biletën dhe shkojmë tek ajo. E ke parasysh, ajo ishte në kolegj universitar, ishte në konvikt, dhe ne i shkuam në konvikt”, tregon Ornela duke qeshur, e cila shpjegon se këto ishin pasojat e izolimit 50 vjeçar, dhe një izolim i tillë reflekton më pas edhe budallallëqe të tilla.
Ajo tregon se për dy javë sa patën vizë, qëndruan fshehurazi në konvikt, dhe pas asaj kohe ishte lufta tjetër, se nëse do të ktheheshin në Shqipëri, apo do të vazhdonin të kërkonin tokën e premtuar. Zgjodhën këtë të fundit, edhe pse, sipas Ornelës me shumë frikë, sepse sipas saj, kapitalizmi ishte gjëja me e egër që kishte parë në jetë.
“Mu duk një tmerr, ishte një gjuhë e huaj që nuk e njihja fare, por nuk kishte gjë që mamin tim ta kthente në Shqipëri”, tregon Ornela rreth vendimit të qëndrimit në Itali.
Por 50 vjet izolim ishin shumë për dy gratë shqiptare, të cilat po përpinin habinë dhe magjinë e Milanos.
Ornela atëbotë kishte kujtuar se të gjitha gratë e Milanos janë si Sophia Loren, por edhe pse nuk ishin si Sophia, sipas saj dallonin shumë nga vajzat dhe gratë shqiptare.
“Ishin vajza të holla, ne në Shqipëri na donin me gjoks e me vithe, me flokë të zeza, ndërkohë ato të gjitha ishin bërë bionde, ishin të nxira nga dielli, nuk kuptoja se çfarë ishte kjo. Pastaj nuk i kuptoja makinat që shkonin e vinin, sepse në Tiranë ishin katër makina që rrotulloheshin në krejt Tiranën, dhe ishin aso makina që shkonin e vinin për punë. Ishte një shoqëri që e nuk e kuptoja në asnjë gjë, nuk e kuptoja as dashurinë që kishin për qentë dhe macet, përderisa ne në Shqipëri nuk kishim atë kohë as veterinar. Çdo gjë ishte një tronditje e madhe, unë do të isha kthyer në Tiranë, por mami nuk deshi”, tregon Ornela për goditjen me perëndimin, duke u detyruar që pas vendimit të qëndrimit në Milano, të bënte hapin e radhës, të bënte një copë vend për vete.
Në Milano ma thyen ëndrrën, profesori më tha: Piktura tashmë ka vdekur
Pasioni për pikturën e ndiqte edhe këtu, dhe duke pas parasysh se Shqipëria atëherë kishte ngelur te realizimi socialist, dhe shkollimi i saj po në atë pikë, Ornela Vorpsi kishte një tjetër ëndërr. Të përfundonte Akademinë e Arteve edhe në Milano.
“Dhe mbaj në mend, konkursin e fitova pa asnjë tmerr në Milano, në Aakademinë e Arteve të Bukura të Brerës, dhe pyesja vetën se si ka mundësi, sepse në Shqipëri shumë pata heqë që të pranohesha në atë Institut”, tregon Ornela, por duke mos qenë e përgatitur se furtuna e radhës veç sa se kishe goditë.
Ajo kujton se kishte marr një pikturë të saj për t’ia prezantuar profesorit të saj, dhe përgjigja e tij se piktura tashmë kishte vdekur, dhe se art tash janë instalacionet, artet konceptuale, video instalacionet e performancat e kishte goditur jashtë mase. Një jetë të tërë kishte luftuar për vizatimin dhe pikturën, dhe në mes të Milanos, Ornela e kupton se ajo që e kishte ëndërruar kaq shumë, tashmë kishte vdekur.
“Dhe kështu vendosa të bëja disa hulumtime në këtë art konteporan dhe të shoh se si më fle. Dhe bëra këto katër pesë vjet, që për mua ishte humbje e kohës komplet, sepse nëse në Shqipëri mësova se si të pikturoj, aty te arti konteporan, mu duk një spekulacion, dhe edhe sot e kësaj dite mendoj se është një punë koti, por njerëzit nuk kanë guxim ta thonë. Dhe unë nuk e ndjeva, nuk isha fare e kësaj udhe, njoha instalacionet, provova fotografitë, dhe nuk ma mbushi mendjen”, tregon Ornela Vorpsi për ballafaqimin me artin konteporan.
Dhe përderisa kishte mbetë pa atdhe, përderisa piktura kishte vdekur, po sipas profesorit italian, dhe përderisa nuk kishte një copë vend në Itali, Ornela Vorpsit me nguti i duhej të bënte një zgjidhje, sepse i duhej të ekzistonte në një vend të huaj.
Ornela përgjatë kohës sa ‘varroste’ pikturën, dashurinë më të madhe te jetës, bëri fotografi mode, mënyrë elementare për të siguruar jetën.
“Dhe më erdhi shkrimi, mu dhuru kjo dhuratë e madhe e shkrimit, pa asnjë lloj mendimi se mund të bëhesha shkrimtare, apo ti publikoja, pasi që ëndrra ime ishte piktura. Fillova të shkruaj, dhe fillova të shkruaj kur isha në Paris, pasi që isha pjesë e një shkëmbimi universitar mes atij të Milanos dhe Parisit. Shkova ne Paris për gjashtë muaj në Erasmus, dhe nuk u ktheva më në Milano, dhe mbaj në mend që fillova të shkruaj në Paris”, tregon Ornela për fillimin me shkrimin, e cila tash njihet për romanet e saj në 20 shtete, përderisa ajo kishte dashuri të pa kompromis pikturën.
“Vendi ku nuk vdiset kurrë” u shkrua në italisht, kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time
Dhe një shqiptare që kishte jetuar për gjashtë vjet në Itali, dhe sapo ishte vendosë në Paris dhe po provonte kulturën e ushqimin francez, kishte filluar ti lëshonte rrënjët e para të romanit bestseller “Vendi ku nuk vdiset kurrë” por jo në gjuhën shqipe, por ajo pavetëdijshëm kishte filluar ta shkruante në italisht.
“Qëndrova në Itali për gjashtë vjet dhe gjuha italiane ishte shumë e kollajshme, veshi ma kishte dëgjuar që kur isha në Shqipëri dhe për atë nisa të shkruaj në italisht. Shumë më kanë pyet se pse nuk e shkrova në gjuhën e nënës, në gjuhën shqipe. Nuk mund të shkruaja në shqip, sepse të gjithë demonët e së kaluarës ngrihen dhe më hanë, e gjithë e kaluara më mbytë, nuk do të shkruaja dot emocionalisht. Kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time. Italishtja ime nuk e barte fëmijërinë time, frëngjishtja nuk e bartë fëmijërinë time, nuk mbytem në to, ka një lloj distance, në shqip s’do të kisha shkruar kurrë atë që kisha shkruar në italisht”, thotë Ornela, e cila përpos që po fitonte distancën me gjuhën shqipe, ajo po fitonte edhe një distancë tjetër, me nënën e saj, e cila kishte mbet në Milano, përderisa Ornela po qëndronte në Paris, por që pavarësinë e saj nuk e fitonte dot, se ishin të lidhura si mish e thua.
“Fillova ta shkruaj, sepse nuk dija çfarë të bëja me ditët e mia. Mbaj në mend se si u ula aty afër shpisë, më erdhi të shkruaj dhe shkrova një tregim dhe më pëlqeu disi, po pa i bërë pyetje vetës se pse po shkruaj në italisht, më erdhi në mënyrë organike, ato gjëra që i kam treguar në këtë libër dhe që janë të vërteta, në shqip nuk do ti tregoja kurrë, do të kisha vdekë, do të isha djegë. Shkrova një tregim të vogël, dhe ja përktheva keq e keq një shokut tim shkrimtar që ishte francez. Edhe ai është goxha i njohur, dhe më tha ‘e di që është fantastik’. Dalëngadalë shkrova, edhe mbarova këtë libër, që tashmë është i përkthyer në shumë gjuhë të botës, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe shumë gjuhë të tjera, dhe gjuha e fundit që do të përkthehet së fundi është në gjuhën serbe”, ka thënë Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe detajin tjetër, se iu deshën vite të tëra që të jepte dritën e gjelbër që të përkthehej edhe në gjuhën shqipe.
Babai mu lut që mos ta përktheja romanin në gjuhën shqipe, i kishin thënë se kisha shkruar shumë keq për Shqipërinë dhe nuk dëshironte që ky libër të fliste në shqip
“Mora shumë kohë deri sa vendosa ta botoj në gjuhën shqipe, sepse im atë më luti që mos ta përktheja. I kishin thënë që kisha shkruar tmerre për Shqipërinë, dhe nuk donte që ky libër të fliste edhe shqip. Por më në fund vendosa, ka tri vjet që është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe”, thotë Ornela.
Dhe përgjatë këtyre viteve të krijimtarisë në fushën e librit, Ornela ndër vite prap e ka bindë vetën se piktura nuk ka vdekur, dhe se piktura është ringjallë më shumë se kurrë, dhe paralelisht punon në të dyja, herë në libër e herë në pikturë, e me raste edhe në fotografi.
Ajo është duke shkruar në librin e ri, por është duke e shkruar në gjuhën frënge, pasi që, sipas saj, duke jetuar që një kohë të gjatë në Francë, italishtja, sipas saj ka filluar ti brishtësohej, dhe nuk ndihet mjaftueshëm e sigurt në këtë gjuhë.
Ndërkohë, përderisa shkruan dhe pikturon, Ornela Vorpsi tregon edhe një detaj që e vuan si pasojë nga Shqipëria. Ajo synon prestigjiozen për ti bindë të tjerët se arti i saj vlen. Së fundi ka fituar qëndrimin në një rezidence shumë prestigjioze, sikurse që ka ndërruar shtëpinë botuese që vlerësohet të jetë poashtu shumë prestigjioze.
“Në Shqipëri më kanë rrahur aq keq, sa që kisha dëshirë të kapja këto maja prestigjioze, është njësoj sikur të vësh pak balsam mbi trup. Sepse, në Shqipëri ngaqë kisha një natyrë të çuditshme dhe nuk më kuptonin, më konsideronin keq, sepse në Shqipëri po të jesh gocë e bukur të vlerësonin si budallaqe, dhe ky mentalitet, për mu ishte një ravansh me Shqipërinë, po për mua ishte një ravansh i madh, sepse vija nga një Shqipëri ku më copëtuan, më dërmuan në të gjitha dimensionet. Por në të njëjtën kohë pata fatin ti them këto mrekulli, dhe falënderoj Zotin, misterin që bën jetën, edhe pse ngelem njeri jashtë mase i vrarë, gjërat që kanë ndodhë nuk shërohen më”, ka thënë Vorpsi, e cila tregon se në Shqipëri e kishin quajtur tradhtare, për faktin se nuk kishte shkruar në shqip.
“Unë e ndjej vetën tërësisht shqiptare, dhe fakti që kam jetuar në Itali dhe Francë nuk më bën as italiane e as franceze. Të përdorësh një gjuhë të huaj është një mjet, që për mua ishte i shëndetshëm”, ka thënë Ornela.
Ornela Vorpsi që ka mbi supe tetë tituj të librave dhe shumë ekspozita, që nuk ka asnjë shtëpi në Tiranë, edhe përkundër faktit se babai i saj posedonte shumë prona, që vishet vazhdimisht me ngjyrë të zezë, që edhe këtë detaj e adreson te Shqipëria, sepse ky vend e la pa ngjyra dhe pa lule, që sheh akoma ëndrrat në Shqipëri, edhe pse dëshiron që ti rri larg saj, që humbi nënën gjatë pandemisë dhe që nuk arriti as ta shoh në momentet e fundit, edhe sot nuk e konsideron vetën të suksesshme, dhe sipas saj ajo e vuan këtë pjesë si njeri që ka bërë shumë pak.
Ornela Voprsi ka dëshirë që të bënte shumë më tepër, jo në nivelin e shkrimit e të pikturës. Po ëndrra e saj do të ishte që të mund të krijonte azile për të moshuar dhe të ndihmonte njerëzit e rrugëve. “Kur i shoh njerëzit nëpër rrugët e Parisit, janë pamje që më vrasin, sepse unë isha rrugëve bashkë me nënën time”, përfundon Ornela, e cila vazhdon të jetojë dhe krijojë në zemër të Parisit, bashkë më bashkëshortin, vajzën e saj dhe tri mace, tri mace në shtëpinë e kësaj Ornele që në fillet e migrimit të saj nuk i kuptonte perëndimorët për dashurinë ndaj maceve dhe qenve./ KultPlus.com
Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.
Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.
Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.
Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri, forcë, dhimbje dhe krenari për të.
Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin.
Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë
Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.
“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.
Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.
Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.
“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.
Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.
Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb
Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak, kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.
“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.
“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.
“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.
“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.
Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.
Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej
Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.
“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë. I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.
Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb, udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.
Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.
“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria.
Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.
“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.
Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.
Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.
Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.
Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.
Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.
Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike
“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij. Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria.
Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.
Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.
Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.
“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.
Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.
Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.
“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.
Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.
“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.
Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.
Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin
Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.
“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.
Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.
“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.
Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.
Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.
“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.
Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi
“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.
Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.
Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com