Artistët e mëdhenj po zvogëlohen

Ardianë Pajaziti

Mbaj mend, kur pat vdekur aktori i madh Bekim Fehmiu, komuniteti i artistëve shpejt e shpejt pat organizuar ndezjen e qirinjve para Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe një grup i vogël i njerëzve u mblodhën në muzgun e mbrëmjes dhe ndezën qirinj, për të bërë homazh për figurën e madhe të Bekim Fehmiut.

Organizime të tilla, kur janë spontane dhe pa organizim shtetëror,  shpesh të lënë edhe një shije të keqe, sepse, në këto homazhe ka qasje gjithsecili, dhe pikërisht ata që do të duhej të pëshpëritnin një lutje apo ndonjë kujtim, mungonin, e disa që pikërisht vdekjet shfrytëzojnë që të tregojnë afri me të vdekurin ishin aty ballëhapur.

Bekim Fehmiu pat vdekur në qershor, dhe ishte një mbrëmje bukur e nxehtë. Mbaj mend që një aktor erdhi vetëm me pantallona e pa këmishë. Lart kishte të veshur vetëm një fanellë të brendshme. Dhe kur e mendoje elegancën skenike të Bekim Fehmiut, sharmin dhe suksesin e tij, më vinte të bërtisja kur shihja këtë burrë të djersitur që ndizte qiriun në emër të shpirtit të aktorit të madh.

Dhe me këtë homazh të vogël, ku në mesin e tyre kishte ‘artist’ me shpatulla të djersitura, përfundoi homazhi për artistin e madh Bekim Fehmiu, ndërkaq,  deputetët e Kuvendit të Kosovës refuzuan kategorikisht që të mbanin një minutë heshtje për aktorin më përmasa të mëdha botërore.  

Dhe artistët e mëdhenj po zvogëlohen, bashkë me ta edhe familjet e tyre. Injoranca e shtetit, naiviteti i komunitetit edhe thurja e lavdeve nga jo meritorët, këto familje i detyron të mbyllen në guacën e tyre, dhe të përcjellin më të dashurit e tyre me një grup të vogël të njerëzve, por me një elegancë pothuajse sa të skenës.

Njësoj veproi familja e Bekim Fehmiut, të qetë erdhën nga Beogradi dhe ia mësynë Prizrenit, dhe shpërndanë hirin e trupit të Bekim Fehmiut te Drini i Bardhë, njësoj po vepron sot edhe familja e Nexhmije Pagarushës.

Duke respektuar amanetin e saj, edhe kjo artiste e madhe do të përcillet drejt vendlindjes së saj në Pagarushë të Malishevës, vetëm nga rrethi i ngushtë i familjes.  

Edhe përkundër faktit se jeta e saj ishte shumë e bujshme, e pa krahasueshme, jo vetëm për kohën por edhe për ditët e sotme, ajo ka zgjedhë një ceremoni të thjeshtë, sepse ka parë shembuj e shembuj se si janë trajtuar figurat e mëdha të Kosovës, dhe si duket kanë qenë mjaftueshëm sa të përkujdeset vet për mënyrën se si do të varroset.

Megjithatë, vdekja e Nexhmije Pagarushës ishte një tjetër kambanë edhe për shtetin, presidenti i vendit mori vendim që 9 shkurti të jetë ditë zie për Kosovën, vendim që nuk mbahet mend të ketë ndodhur për vdekjen e një artisti në Kosovë.

Por nuk mjafton as një ditë zie, artistët e mëdhenj si Bekim Fehmiu e Nexhmije Pagarusha kanë merituar tjetër tretman, edhe nga shteti edhe nga shoqëria. Bekim Fehmiu shkëlqeu në botë, por iu kthye Drinit të Bardhë, e Nexhmije Pagarusha shkëlqeu me muzikën e saj, dhe si një perëndeshë po i kthehet Pagarushës, aty prej nga edhe na ka ardhë./KultPlus.com

Ardianë Pajaziti, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Ardianë Pajaziti  është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel. 

Ardianë Pajaziti, themeluese dhe kryeredaktore e gazetës së parë online për art dhe kulturë, është përzgjedhur për titullin “Zonja që bën Shqiptarinë”, nga  bordi i Albanian Excellence, titull që do të jepet në natën Gala të 12 dhjetorit në Mak Albanian Hotel në Tiranë, ku do të mbahet një mbrëmje homazh, në kujtim e respekt të viktimave tragjike të 26 nëntorit, ku 21 Zonjat bashkë me Albanian Excellence do të kenë në fokus për vitin 2020,  rikthimin e buzëqeshjes së venitur.

“Urimet  më të mira familjare, profesionale dhe personale,  nga Albanian Excellence për ju zonja Ardianë  Pajaziti, drejtoreshë dhe kryeredaktore në gazetën e parë shqiptare online  për art dhe kulturë www.kultplus.com”, thuhet në njoftimin e Albanian Exellence.

Në vendimin për dorëzimin e këtij titulli, Albanian Exellence, Ardianë Pajazitin e ka vlerësuar si këmbëngulëse me punën e saj, e cila ka arritur që nëpërmjet KultPlus të hapë një portë të re të promovimit të kulturës në nivel mbarëkombëtarë dhe më gjerë, duke i dhënë një dimension tjetër qasjes mediale në raport me kulturën .

Po nëpërmjet platformës www.kultplus.com, Ardianë Pajaziti ka themeluar konkursin e poezisë “KultStrofa”, që poashtu ka karakter mbarëkombëtar, sikurse që ka themeluar eventin e madh për rikthimin e artistëve shqiptarë nga Evropa dhe më gjerë, nëpërmjet projektit “Ta zbardhi ftyrën”, duke përfshirë edhe projekte të tjera të rëndësishme kulturore./KultPlus.com