“Kënga Magjike” bëri së bashku Saimir Pirgun me Ardit Gjebrenë dhe Pirro Çakon

Saimir Pirgu i cili është duke zhvilluar një karrierë të suksesshme jashtë Shqipërisë, është rikthyer sonte me një befasi të këndshme në Kënga Magjike, shkruan KultPlus.

Saimir Pirgu dhe Ardit Gjebrea sollën fillimisht këngën e titulluar “Ajo”. Para se të këndonte këtë këngë Gjebrea tha se këtë këngë ia kushton nënës së tij. Në anën tjetër Pirgu mori zemrat e dëgjuesve me zërin e tij të mrekullueshëm.
“Isha te studio e Florit dhe dëgjoja këngën dhe më pëlqeu. I them Florit ma jep mua këtë këngën, sepse unë do të këndoj një duet me Saimir Pirgun në natën finale. I them Florit të vjen keq ta bëj me një tekst tjetër timin dhe kështu krijova tekstin ‘Kur them ajo’. E gjithë ideja që një ditë një njeri i shtrenjtë largohet nga jeta jote, ikën gjithçka, por a mund ta fshish emrin dhe të thuash ‘ajo’? Është e pamundur”, u shpreh Gjebrea.

Pas këngës për të pranishmit u lëshua edhe një video e cila tregoi disa nga pikat kulmore të karrierës së tenorit Saimir Pirgu kalendari i të cilit është i rezervuar edhe për pesë vitet e ardhshme. Tutje Pirgu tha se është i lumtur që rikthehet në Shqipëri dhe që ka mundësin të nderojë edhe tenorin Gaqo Çako.

Saimir Pirgu solli këngën “Këputa një gjethe Dafinë” të cilën ai ia dedikoi tenorit virtuoz Gaqo Çako. Këtë këngë ai e këndoi së bashku me Pirro Çako./ KultPlus.com