Ardita Sinani akuzon Vullinin se e ka futur në ‘blacklist’, thotë se ndalohet sa herë kalon kufirin e Serbisë

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se sa herë e kalon kufirin e Serbisë ndalohet dhe mbahet nga zyrtarët kufitarë serbë.

Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se ndalimi i saj nuk është një rastësi, por është në kuadër të një listë të zezë, sipas saj, të cilën e ka krijuar zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin.

“Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vullinit. Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi”.

“Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka pranuar hapur krijimin e një ‘liste të zezë – blacklist’ të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë. Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit”.

“Kjo listë është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve. Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar”, ka thënë Sinani në Facebook. /Klankosova.tv/ KultPlus.com