Filmi “Alexander”, i Ardit Sadikut, kandidatura e Shqipërisë për në çmimet Oscar

Filmi “Alexander” është kandidatura e Shqipërisë për në edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi se komisioni i saj, i përbërë nga 5 anëtarë, përzgjodhi filmin dokumentar me regji të Ardit Sadikut.  QKK shprehet se dokumentari “Alexander” nga Ardit Sadiku, do të përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në kategorinë “International Feature Film”.

Përzgjedhja u bë nga Komisioni i ngritur me Urdhër nr.332, datë 23.08.2023, të Mbikëqyrësit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Zerina Bruci. Komisioni përbëhet nga Arben LAMI (kryetar) dhe 4 anëtarë: Gerta Qurku, Eno Milkani, Genc Përmeti dhe Florenc Papas.

“Një ngjarje sa e rrallë, dhe po aq përfaqësuese e shumë të tjerave që dëshmojnë sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve për liri, është subjekti i këtij dokumentari”, shkroi Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Dokumentari rrëfen historinë e mekanikut të flotës detare Aleksandër Gruda, i cili në vitin 1990 rrëmbeu një anije luftarake dhe u arratis nga Shqipëria. Liria për të dhe familjen e tij, erdhi vetëm në këmbim të një sakrifice të madhe.

Çmimet Oscar do të akordohen nga The Academy of Motion Pictures Arts and Sciences në ceremoninë e përvitshme, më 10 mars 2024./ atsh / KultPlus.com