Pianistja Ardita Statovci me koncert recital në Washington DC

Pianistja kosovare Ardita Statovci do të prezantohet me koncert recital në Washingtom DC, shkruan KultPlus.

Për këtë paraqitje ka njofruar vet Statovci e cila ka njoftuar se koncerti do të mbahet më 3 maj prej orës 19:30 në Washington Conservatory of Music.

Pianistja Statovci është prezantuar me shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit, e cila është vlerësuar lart për performancën e saj pianistike./ KultPlus.com

Mbi dy dekada krahë pianos, Ardita Statovci: Jam krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës sonë në nivel ndërkombëtar

Jeta Zymberi

Historia e saj është një udhëtim emocionues që fillon nga fëmijëria. E lindur në një familje ku pianoja ishte e lidhur me emocionet më të thella dhe momentet më të veçanta të jetës së tyre, Ardita Statovci nuk kishte si t’i ikte magjisë së këtij instrumenti.

Në familjen e Arditës, por edhe sot për vetë Arditën, pianoja, e njohur për vargëzimet e saj të bukura dhe tingullin e saj mahnitës, është më shumë se një instrument – ajo është një mjet që ka shërbyer si një udhërrëfyes i emocioneve të saj, një rrugë e çuditshme për të shprehur gëzimin, dhimbjen, pasionin, dhe ndjenjat e shumta që e kanë përcjellë në rrugëtimin e saj artistik, shkruan KultPlus.

Karriera e saj është një udhë e gjatë që ka përfshirë koncerte të mrekullueshme në skena mjaft prestigjioze ndërkombëtare. Krejt këto me një qëllim të qartë, që të jap kontributin e saj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar.

E lindur në Prishtinë më 2 mars 1982 si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës, ajo filloi mësimet për piano në klasën e Hadije Gjinalit dhe më pas tek Lejla Pula në Prishtinë. Që në moshën 15 vjeçare ajo u pranua në Universitetin me renome “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë ku në vitin 2007 përfundoi studimet e magjistraturës në klasën koncertale të Christoph Lieske, duke marrë vlerësimin maksimal nga juria internacionale.

Në vitin 2009 ajo studio me pianistin legjendar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington/SHBA. Përderisa studimet postgraduale ajo i bëri me Boris Petrushansky dhe Franco Scala në Akademinë Pianistike në Imola të Italisë.

Statovci ka performuar si soliste me orkestra të mëdha nëpër shtete të ndryshme të botës.

Rrugëtimi i saj nuk ka mbetur pa u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme duke përfshirë këtu çmimin “Bösendorfer” nga Universiteti Mozarteum, e garës zgjedhore Yehudi Menuhin Live Music Now në Salzburg si dhe çmimeve “Talent i Kosovës”.

Paraqitjet e saj janë të vazhdueshme dhe tashmë janë bërë më shumë se dy dekada që kur Ardita me pasion dhe vendosmëri ka punuar për të arritur këtë nivel të jashtëzakonshëm të aftësive pianistike, dhe është bërë një figurë e rëndësishme në skenën muzikore.

Kur dëgjon tingujt e pianos së Ardita Statovcit, është e pashmangshme dëshira për të zbuluar më shumë rreth këtij pasioni frymëzues të cilin e nxjerr magjishëm nga ky instrument paqësor.

Në një intervistë për KultPlus, ajo ka treguar për ndjesinë e thellë që përjeton para çdo koncerti dhe përgatitjen e frytshme e momentet e mrekullueshme kur shfaqet para publikut. Në këtë udhëtim artistik, Statovci na ka ofruar pamje nga bota e saj muzikore, ku interpretimi i një note është një udhëtim emocional që e bën publikun të ndihet i lidhur me muzikën në mënyra të jashtëzakonshme.

Një fakt i veçantë është edhe kontributi i Statovcit në ngritjen e emrit të Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike. Ajo ka shpalosur për lexuesit e KultPlus edhe krenarinë e saj kombëtare duke interpretuar vepra të kompozitorëve kosovarë dhe duke i prezantuar ato në skena të mëdha ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, Statovci përvojën e saj mundohet ta ndajë me artistët e rinjë, duke i ofruar njohuri e duke i frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre. Së fundmi, një koncert bashkë me talentet e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Ardita e mbajti në Berlin, në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

KultPlus: Si e filluat karrierën tuaj muzikore dhe çfarë ju frymëzoi për të bërë muzikë profesionale?

Ardita Statovci: Piano luaj që nga fëmijëria e hershme. E kishim pianon në shtëpi, nëna dhe motrat e mia kishin vijuar shkollën e muzikës, ndërsa babi luante në mënyrë autodidakte. Loja në piano ishte fascinuese, frymëzuese dhe më rrëmbente tërë vëmendjen. Ishte mënyra më e bukur për të shprehur të gjitha emocionet, e këto ishin nga më të ndryshmet.

KultPlus: Mund të na tregoni për eksperiencën tuaj në koncertin e fundit në Berlin dhe reagimin e publikut aty? U prezantuat në këtë koncert bashkë me talente të rinj, si ishte ky bashkëpunim për ju?

Ardita Statovci: Koncerti në Berlin u realizua për të paraqitur gjeneratat e reja e të suksesshme të pianistëve të Kosovës. E veçanta e kësaj ishte Çmimi special “Chopin Piano Fest” i cili tash e 5 vite i është ndarë një pianisteje/pianisti të ri nga Kosova. Në bashkëpunim me një nga festivalet më të mira e më të respektuara të Kosovës, Chopin Piano Festin dhe drejtoreshën artistike prof. Lejla Pula dhe drejtoreshën menaxheriale prof. Besa Luzha, kemi formuar këtë çmim për t’i hapur dyert në botën e muzikës një pianisteje/pianisti të ri për të koncertuar në vendet gjermanofone dhe për të mbajtur masterklasë në një nga Universitet në këto vende. Çmimi është sponsorizuar dhe është mundësuar nga Herbert Groeger, një njohës dhe përkrahës i madh i të rinjve gjithandej nëpër botë nga fusha e muzikës klasike. Për të kurorëzuar punën 5-vjeçare, erdhi ideja që të mbajmë një koncert në Berlin dhe isha e nderuar dhe e lumtur që kësaj radhe pata rastin të ndaj skenën së bashku me të rinjtë tanë. Është ndjenjë e mirë që koncerti shkoi për mrekulli, ishte bukur dhe audiencë ishte shumë e këndshme. I jemi mirënjohëse institucioneve tona, Ambasadës së Kosovës në Gjermani, MKRS dhe MPJD që mundësuan realizimin e koncertit.

KultPlus: Keni pasur rastin të performoni në disa skena ndërkombëtare, na fol pak mbi këtë përvojë?

Ardita Statovci: Performimi në skena të ndryshme ndërlidhet jo vetëm me lojën para publikut por edhe me një sërë udhëtimesh dhe lëvizjesh nga vendi në vend. Takimet me njerëz nga kultura e prejardhje nga më të ndryshmet janë inspiruese. Ndjehem fatlume që kam koncertuar në pjesën më të madhe të shteteve europiane, në vende aziatike si Kina, India, Japonia dhe në SHBA. Ndër skenat e veçanta ku kam luajtur do përmend Elbphilharmonie në Hamburg, KKL në Luzern, Musikverein në Vjenë, Mozarteum në Salzburg, Pallati Mbretëror në Stockholm, Shtëpia e koncertit në Ankara, Sallat e koncertit në Shanghai, Nanchang, Mumbai dhe ka edhe shumë të tjera ku rikthehem me dëshirë.

KultPlus: Cilat janë inspirimet dhe influencat tuaja kryesore në muzikë?

Ardita Statovci: Mendoj që nga fëmijëria kam pasur fatin për të mësuar nga figura e personalitete të jashtëzakonshme vendore e ndërkombëtare. Ndonëse pjesën më të madhe të shkollimit muzikor e kam bërë në Austri, Itali dhe SHBA, ku kisha fatin të mësoja me pianistë e pedagog legjendar Menahem Pressler, Christoph Lieske, Boris Petrushansky, unë me endje i kujtoj mësimet e para të pianos në Prishtinë me profesoreshat e mia Lejla Pula dhe Hadije Gjinali.

KultPlus: Si e përshkruani stilin tuaj muzikor dhe repertorin tuaj të preferuar?

Ardita Statovci: Repertori im pianistik përfshin vepra nga baroku e deri te kompozitorët e kohës së sotme. Ka shumë vepra që adhuroj, jo domosdoshmërisht vetëm pianistike, por edhe nga literatura simfonike, vokale, korale etj. Më pëlqen Bach, Schubert, Brahms, Gershwin… e shumë e shumë të tjera.

KultPlus: Cilat janë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj muzikore deri më tani?

Ardita Statovci: Secila paraqitje e ka një veçanti dhe një rëndësi në rrugën artistike e cila nganjëherë vjen në pah tek më vonë. Për një artist është e rëndësishme që ta tejkalojë veten në secilin koncert dhe secilën herë të jetë më mirë se ajo e kaluara. Paraqitja në salla të mëdha e të njohura ngërthen një rëndësi dhe përgjegjësi të madhe. Më kanë lënë mbresa paraqitja në Elbphilharmonie – një institucion gjigand kulturor i ndërtuar së fundmi, në Konzerthaus në Dortmund si soliste me orkestër derisa luaja koncertin për piano, trompetë e orkestër nga Shostakovich, koncertet në Kinë e shumë të tjera.

KultPlus: Si përgatiteni për një koncert të madh dhe si e menaxhoni emocionin para performancës?

Ardita Statovci: Mundohem të fokusohem jo vetëm në piano, por edhe në punën e analizës së partiturës dhe leximit të saj me vëmendje. Është e natyrshme që përgjegjësia e lartë, si paraqitjet në skenë të mëdha e të njohura, bëjnë që emocionet të jenë gjithashtu të forta – është ky një lloj gëzimi dhe një synim për të cilin njeriu punon – ai momenti unik i paraqitjes në skenë.

KultPlus: Cilat janë planet dhe projektet e ardhshme për ju në botën e muzikës?

Ardita Statovci: Do të kem koncerte në vende të ndryshme, do paraqitem me recitale solistike, si dhe me piano me katër duar së bashku me kolegen time zvicerane Ariane Haering me të cilën kemi duon pianistike Ariadita Duo. Krahas koncertimit do vazhdoj të jap kontributin tim edhe në fushën e mësimdhënies në piano në Washington Conservatory of Music në SHBA.

KultPlus: Si ndiheni për kontributin tuaj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar?

Ardita Statovci: Janë bërë tani më shumë se 25 vite që luaj muzikën e kompozitorëve tanë në nivel ndërkombëtar, nisur që nga viti 1997 kur shkova të studioja në Universitetin Mozarteum në Salzburg të Austrisë. Sot ka shumë e shumë kolegë që kanë studiuar jashtë dhe kanë krijuar karriera të respektuara. Ndërsa në atë kohë kur unë nisa studimet në Austri ka pasur fare pak ose gati se hiç muzikantë nga vendi jonë. Nuk është gjë e lehtë, meqë gjithçka duhet bërë në baza individuale, duke u nisur edhe nga ajo që të bindësh drejtorët artistik ose organizatorët e festivaleve që të luash muzikë nga kompozitor që ata mund të mos i njohin. Por unë me dëshirën më të madhe vazhdoj ta bëj këtë kudo që kam mundësi dhe jam shumë krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës dhe vendit tonë në nivel ndërkombëtar tani për dy dekada e gjysmë.

KultPlus: Si do të përshkruani marrëdhënien tuaj me publikun dhe përkrahjen që keni marrë nga komuniteti i muzikës në Kosovë?

Ardita Statovci: E them gjithmonë që publiku në Kosovë është shumë i dashur, janë njerëzit që më kanë njohur dhe më kanë përcjellur që nga fëmijëria, andaj secila herë është një ndjenjë shumë e veçantë të koncertosh para këtyre njerëzve kaq të dashur.

KultPlus: Çfarë këshillash keni për të rinjtë që ndjekin ëndrrën e tyre në muzikë?

Ardita Statovci: Profesioni i pianistit kërkon shumë pasion, punë, përqendrim dhe një karakter të fortë. / KultPlus.com

Pianistja Ardita Statovci bashkë me talentet e rinj me koncert në Berlin, u vlerësua lartë nga të pranishmit

Në Berlin, Ambasada e Kosovës organizoi një koncert shumë të veçantë me pianisten e mirënjohur Ardita Statovci, së bashku me talentët e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Fortesa Jusufi, Andi Duraku, Lisa Sahatçiu, Melisa Ibrahimi dhe Rron Bakalli.

Koncerti u mbajt në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

Loja e artistëve dhe i gjithë programi u vlerësua shumë lartë nga të pranishmit. Të mahnitur mbetën edhe dy personalitete të veçanta, Herbert Groeger, sponsor i Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina Prishtina dhe Johannes Neukirchen nga bordi i Young Euro Classic, një organizatë e rëndësishme për muzikantët e rinj.

Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe MPJ. / KultPlus.com

Ardita Statovci dhe Ariane Haering nga Vjena, koncert me piano në Solothurn

Pianistet nga Vjena, Ariane Haering dhe Ardita Statovci kanë themeluar një duo shumë të veçantë të pianos, të quajtur “Ariadita”.

Që nga paraqitja e tyre e parë e përbashkët në verën e vitit 2015 në Mattsee, dyshja ka realizuar turne të suksesshme të koncerteve dhe është përshkruar si një “dyshe pianoje e klasit të lartë”, shkruan sogenda.ch.

Duoja ka marrë shumë vlerësime entuziaste nga shtypi ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.

Dy pianistet kanë qenë  mysafire që atëherë, në qendra të njohura të muzikës klasike si Musikverein në Vjenë, Teatri në Kempten (Allgäu), Société de Musique de La Chaux-de-Fonds (Zvicër), Festivali Tirol, Kitzbühler Sommer, Musiktage Mondsee, Jardins Musicaux (Zvicëdr) etj. Me

Repertori i Ariaditës përfshin veç tjerash, vepra të rëndësishme dhe të rralla të luajtura për piano me katër duar, si Simfonia e 7 -të e Beethovenit, si dhe një nga veprat më kërkuese në literaturën muzikore për “dyshe” të shekullit të 20 -të, “Le Sacre du Printemps” nga Igor Stravinsky. Interpretimi i kësaj të fundit, nga duoja nga Vjena ka bërë jehonë të veçantë.

Në sezonin e ardhshëm, Duo Ariadita do të dëgjohet përsëri në festivale të ndryshme në Gjermani dhe jashtë saj, përfshirë Diabelli Sommer në Mattsee / Austri, Chopin Fest në Prishtinë, koncerte në Francë, Gjermani dhe Zvicër.

Në Solothurn Ariadita do të performojë vepra nga Mozart / Grieg, Smetana, Debussy / Saint Säens dhe Rachmaninov, në dy piano të mëdha dhe katër duar.

Koncerti jepet më 31 tetor, duke filluar nga ora 17, në Konzertsaal Solothurn (Grosser Konzertsaal)
Untere Steingrubenstrasse 1, 4500 Solothurn./ KultPlus.com

Ardita Statovci dhe Ariane Haering do të interpretojnë në skenën prestigjioze ”Elbphilharmonie Hamburg”

Pianistja nga Kosova, Ardita Statovci, do të performojë në ”Elbphilharmonie Hamburg”, në Gjermani. Së bashku me të do të performojë edhe pianistja zvicërrane Ariane Haering.

Pianistet do të prezantohen nën emrin ”Ariadita Duo”, shkruan KultPlus

Lajmin e bëri të ditur pianistja nga Kosova përmes një statusi në llogairnë e saj personale në Facebook.

Statusi i plotë:

”Ndonjëherë ka momente të veçanta në jetë dhe unë mezi po e pres debutimin e javës tjetër në kryeveprën arkitekturore të sapo ndërtuar ”Elbphilharmonie Hamburg”
Koncerti në ”Elbphilharmonie” mbahet më datë 22 shtator, duke shfaqur një program me vepra për dy piano dhe ansambël nga Schumann dhe Saint-Saëns
Ndërsa tashmë disa ditë para se të dëgjoni Ariadita Duo, më 18 Shtator, me një program tjetër (katër vepra nga Mozart dhe Mendelssohn) në Laeiszhalle Hamburg (një nga shtëpitë më të vjetra dhe më të bukura të muzikës në Evropë, e ndërtuar në vitin 1908!”

Ardita Statovci në Prishtinë ka interpretuar edhe më parë me pianisten zvicerane me ftesë të Zyrës së BE-së.

Ardita Statovci ndër vite ka interpretuar me dirigjentët më të njohur botërorë e ka ndarë skenën me orkestrat më të njohura ku ka interpretuar si soliste dhe është prezantuar me recitale pianistike dhe muzikë kamertale në shtete të ndryshme si Austri, ShBA, Zvicër, Itali, Maqedoni, Spanjë, Kroaci, Francë, Angl, Bosnjë, Hungari, Gjermani, Francë, Kinë dhe Slloveni./KultPlus.com

“Pranvera në Prishtinë” erdhi me katër duar nga “Duo Ariadita”, befasuan publikun me interpretimin e tyre në piano

Një atmosferë e mrekullueshme u krijua mbrëmë në natën e gjashtë të festivalit “Chopin Piano Fest” nga dy pianistet Ardita Statovci dhe Ariane Haering, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur përplot me artdashës. Pasi që ajo natë ishte më ndryshe nga të tjerat, sepse piano e vendosur në mes të Amfiteatrit ishte në dispozicion që të luhej nga katër duar.

Për dy orë mjeshtëria e lojës me piano me katër duar, të cilat luajtën vepra të mëdha që rrallë herë luhen me katër duar, mbajti publikun të vëmendshëm dhe me një qetësi shumë të madhe. E këtë qetësi dhe mikpritje të publikut e vlerësoi shumë pianistja zvicerane Ariane Haering, e cila tha se publiku ishte i mrekullueshëm dhe se e ka shijuar çdo moment të asaj mbrëmje.

“Kjo ishte një audiencë e mrekullueshme, e dua çdo moment të saj, ishte audiencë mjaftë e ngrohtë dhe publiku ishte shumë i vëmendshme duke na dëgjuar duke luajtur. Ata ishin shumë të heshtur, kështu që unë me të vërtetë u kënaqa sonte këtu”, tha Haering për KultPlus.

Gjatë mbrëmjes u luajtën vepra të ndryshme si Sonatina e G. Ligetit, vepra “Prapëseprapë” e V. Beqirit, po ashtu dy vepra të mëdha nga literatura simfonike në verzionin për piano me katër duar, simfonia e shtatë e L. V. Bethovenit dhe poemën simfonike Moldau nga B. Smetana.

E shumë e kënaqur nga kjo mbrëmje u nda edhe pianistja kosovare Ardita Statovci, e cila për KultPlus tha që është kënaqësi të performoj ne Prishtinë, pasi që publiku prishtinas është shumë entuziast për muzikën klasike.

“Është kënaqësi gjithmonë të performoj këtu, publiku i Prishtinës gjithmonë është entuziast për këtë lloj muzike artistike ose klasike siç e quajmë, dhe me të vërtet është inspiruese. Gjatë interpretimit ekziston ai shkëmbimi i energjisë mes interpretuesit, kompozitorit dhe publikut, ai trekëndëshi që krijohet në Prishtinë është i jashtëzakonshëm”, u shpreh Statovci për KultPlus.

E në fund të koncertit, pasi që ky festival po organizohej në stinën e pranverës, pikërisht për këtë stinë, dyshja e mrekullueshme “Duo Ariadita” patën një befasi për publikun. Ato kishin përpunuar këngën “Pranvera në Prishtinë” të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.

Pianistja Ardita Statovci tha se kjo ishte një befasi dhe premierë për nderë të edicionit të 10-të të “Chopin Piano Fest”.

“Befasi e mbrëmjes edhe për festivalin edhe për publikun ishte përpunimi i këngës “Pranvera në Prishtinë” të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj dhe në këtë formë si pjesë pianistike për piano me katër duar sot erdhi si premierë në edicionin e 10-të të Chopin Festit”, tha ajo për KultPlus.

Ndërsa sonte me fillim nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të performoj pianisti Istvan Lajko, nga Hungaria . G. Mujaj / KultPlus.com

Ardita Statovci u prezantua edhe me vepra kosovare në Tokyo të Japonisë

Pianistja kosovare që po interpreton në skenat më të njohura botërore së fundmi ka prezantuar Kosovën në Tokio të Japonisë. Ky koncert u organizua me rastin e 10 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Japonisë si dhe 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ngjarja qendrore e këtij organizmi ishte koncerti i pianistes Statovci, ndërsa mysafirë të mbrëmjes ishin edhe pianistja japoneze Mikako Yanagisaëa dhe perkusionisti Yuichi Isse.

 Pianistja Ardita Statovci ka treguar se për këtë koncert është ftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni, ndërsa e ka cilësuar si një bashkëpunim shumë të mirë.  

“Koncerti është pritur jashtëzakonisht mirë nga të  pranishmit në publik, përfshirë këtu personalitete të larta nga sfera diplomatike, politike e huaj dhe vendore dhe dashamirë tjerë të artit dhe vendit tonë. Është përherë një nder dhe përgjegjësi e madhe për të paraqitur vendin tone në mënyrë dinjitoze, ndërsa është kënaqësi që pas një pune me ngulm, rezultati është pozitiv përderisa të pranishmit falënderohen dhe ndahen me mbresat më të mira për vendin tonë të bukur, Kosovën”, ka thënë Statovci për KultPlus.

Programi me të cilin është prezantuar Statovci atje ka përfshirë vepra të rëndësishme të literaturës pianistike, duke përfshirë vepra të  kompozitorëve Mozart, Schubert, Liszt, Takemitsu dhe Rachmaninov. Në programin e koncertit, Statovci ka përfshirë edhe vepra të kompozitorëve kosovarë, ajo ka interpretuar pjesën për piano  ‘Allaturka’ nga Fahri Beqiri, kurse  artistët japonezë kanë interpretuar veprën “Në shpirtin e traditës” nga Valton Beqiri.

Ardita Statovci ndër vite ka  interpretuar me dirigjentët më të njohur botërorë e ka ndarë skenën me orkestrat më të njohura ku ka interpretuar si soliste dhe është prezantuar me recitale pianistike dhe muzikë kamertale në shtete të ndryshme si Austri, ShBA, Zvicër, Itali, Maqedoni, Spanjë, Kroaci, Francë, Angl, Bosnjë, Hungari, Gjermani, Francë, Kinë dhe Slloveni. / KultPlus.com

Pianistja Ardita Statovci me tur të koncerteve nëpër Evropë

Tri koncerte në Maltë, një në Austri, një në Zvicër dhe i fundit në Gjermani, tashmë janë në agjendën e pianistes kosovare Ardita Statovci, e cila do të paraqitet prej 17 nëntorit deri më 5 dhjetor të këtij viti, shkruan KultPlus.

Ardita Statovci ka shpjeguar për KultPlus edhe për veprat me të cilat do të prezantohet në këto koncerte, dhe sipas saj, në Maltë do të paraqitet me veprat e Satie, Steve Reich, John Cage, sipas të cilës, në këto koncerte ajo do të performojë edhe solo, por edhe me kolegë maltezë. Ndërsa, sa i përket koncerteve në Gjermani, Austri e Zvicër ajo ka thënë se do të prezantohet me veprat e Beethoven, Gershëin, Müllenbach, Wagner-Debussy dhe Saint-Saens.

“Ndjehem e nderuar të jem e ftuar nga festivale e teatro të njohura. Koncerti që di të mbahet në Gjermani, është vendosë në Teatrin e Kempten, i cili është edhe monument i mbrojtur kulturor dhe në histori përmendet që nga viti 1392”, ka shpjeguar Statovci.

Ajo poashtu ka potencuar edhe paraqitjen e saj në Kitzbuhel të Austrisë, e cila ka thënë se në Festivalin “Tiroler Festspiele”, ftohen artistë të përzgjedhur nga qytete të ndryshme.
“Turnetë janë intensiv, kërkojnë shumë disiplinë, pasion dhe kondicion fizik e mendor, sidomos kur repertori dallon nga vendi në vend, siç do të jetë për mua tani. Kënaqësi e madhe është veçantia e publikut, pasi në çdo vend, energjia e përcjellë nga audienca e bën secilën eksperiencë dhe secilin qytet unik”, ka thënë Statovci për fund./KultPlus.com