Nga vuajtjet e emigrimit deri tek historia frymëzuese, binjaket Zalli sjellin librin ‘Good Morning, Hope’

Flonja Haxhaj

Pothuajse çdo njeri ëndërron të ketë një mirëqenie ekonomike, sociale dhe shpirtërore në vendin e tij të origjinës, mirëpo, kur ajo të pamundësohet, si pasojë e shumë shkaqeve, njeriu e kërkon dhe e ëndërron atë mirëqenie në vende të tjera, shkruan KultPlus.

I tillë ishte fati i shumë shqiptareve që që u detyruan të largohen nga Shqipëria në vitet 90-ta si pasojë e Luftës Civile që filloi në vitin 1997, apo siç  quhej ndryshe Kriza Piramidale.

Shume personave tashmë u ishte rrënuar jeta pasi çdo ditë ndesheshin në rrugë me njerëz të armatosur, e po aq e vështirë ishte edhe për fëmijët, për të cilët vendi ishte bërë shumë agresiv dhe shokët e tyre me të cilët kishin luajtur bashkë, qoftë edhe ata të moshave 12-vjeçare, ishin të pajisur me armë.

E kjo situatë, bëri që shumë shqiptarë të kërkonin largimin nga vendi, e sigurisht kjo mund të bëhej vetëm nëpër rrugë ilegale.

Histori të tillë kishin përjetuar edhe binjaket Detina dhe Argita Zalli. Ato ishin vetëm 9 vjeç, kur në Shqipëri filloi Lufta Civile, e pas kësaj jeta e tyre mori kahje komplet ndryshe. Prindërit e tyre kërkuan me çdo kusht të largoheshin nga Shqipëria, por kjo rrugë nuk ishte aspak e lehtë për ta. Pas dy vitesh përpjekje, familja Zalli ishte nisur drejt vendeve të perëndimit, por i gjithë ky rrugëtim ishte i shoqëruar me shumë frikë  gjatë udhëtimeve me traget, tren e kamion.

Kur më në fund pas shumë sakrificave, ata mbërritën në Angli, jeta atje nuk është se iu përmirësua menjëherë, sepse jeta prej emigranti u solli atyre shumë vështirësi të tjera. Prindërit e tyre e kishin të vështirë të punësoheshin për shkak të mosnjohjes së gjuhës, në anën tjetër motrat Zalli aso kohe 12-vjeçe u detyruan që të visheshin si më të mëdha në moshë për të punuar.

Ato rrëfejnë se pjesë tjetër e vështirë e jetesës atje, ishin fyerjet, racizmi dhe diskriminimi që u bëhej nga shokët e klasës. Por e gjithë kjo histori frike e sakrifice, motrave Zalli u shërbeu si frymëzim për të punuar shumë e për të arritur suksese të mëdha sidomos në fushën e shkencës duke u bërë një histori frymëzuese e suksesi.

Ato patën mundësi të studiojnë e të punojnë në universitet më të njohura në botë si ato të Harvardin, Oksfordit dhe Kembrixhit. Ndonëse u bënë shkencëtare në një moshë shumë të re, ato patën rastin të punojnë me shume shkencëtarë të njohur e laureatë të çmimit Nobel.

Binjaket Zalli janë edhe themeluese të organizatës ‘We speak Science’, e cila ndihmon studentë në të gjithë botën në fushën e shkencës. Po ashtu ato kanë themeluar edhe qendrën e bamirësisë për njerëzit që vuajnë nga kanceri e të cilën e kanë titulluar ‘Afërdita Ime’. Po ashtu, ato së fundi janë bërë edhe pjesë e programit ‘Star’ të ‘Nasa’.

E këto janë vetëm disa nga sukseset që motrat Zalli kanë arritur gjatë karrierës së tyre e që është gjithnjë e në rritje.

Ato së fundi kanë shkruar edhe librin e tyre ‘Good Morning, Hope’, e në të cilin ato rrëfejnë historinë e tyre, tmerrin e përjetimeve gjatë rrugës kur po largoheshin nga Shqipëria, e jetesën në Angli, e cila fillimisht nuk ishte aspak e lehtë.

Motrat Zalli thonë për KultPlus se në këtë libër rrëfehet e gjithë historia e shqiptarëve që në vitet e 90-ta u larguan nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë. Disa shkuan në Itali, Greqi e Angli duke rrezikuar jetën.

“Kjo është historia jonë, e të gjithe “neve” që sakrifikuam kaq shumë, që ditëm t’i bënim ballë situatave, racizmit, diskriminimit dhe që çdo herë qe na rrëzonin, na qëllonin, na diskriminonin, ngriheshim perseri në kembe. Kjo është historia e të gjithë shqiptarëve që po nderojnë Shqipërinë kudo që janë në botë.”, thanë ato për KultPlus.

Ndërkaq,libri ‘Good Morning, Hope’ do të të ketë promovimin më 7 mars, 2023, kurse të gjithë ata që janë të interesuar mund ta bëjnë pre book nga java tjetër./ KultPlus.com

Dy motrat shqiptare pas Harvardit në Oxford, kësaj radhe në ndihmë kundër luftës me Covid19

Detina dhe Argita Zalli janë dy motra shqiptare të cilat sëfundi po ushtrojnë profesionin e shkencëtarëve në London University College, shkruan KultPlus.

Motrat Zalli sëfundi kanë njoftuar se së shpejti do të publikojnë një broshurë informative rreth Covid19. Disa muaj më parë ato kanë publikuar një libër mbi sëmundjet tumorale.

Ndër të tjera, vlen të ceket se motrat Zalli kanë qenë tejet aktive gjatë kësaj periudhe pandemike duke ofruar shumë shpesh informacione e këshilla për diasporën dhe jo vetëm.

Dy motrat Detina dhe Argita Zalli në vitin 1999 emigruan si shumica e shqiptarëve duke shkuar në Angli, ku tashmë atje jetojnë dhe veprojnë me një karrierë të suksesshme. / KultPlus.com