Gruaja me lule, murali në Shkollën “Xhevdet Doda” i realizuar nga Argjenda Azemi

Është realizuar një mural në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, i cili është punuar nga Argjenda Azemi e që ka paraqitë një grua me lule, shkruan KultPlus.

Për këtë prurje artistike ka njoftuar drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

“Poetja e piktorja e jashtëzakonshme Frida Kahlo e shihte artin si një mjet për të ndryshuar botën dhe për të mbjellë shpresën.

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, shkolla “Xhevdet Doda” është pasuruar me muralin e mrekullueshëm të një gruaje me lule në duar si simbol i forcës dhe shpresës.

Artistja Argjenda Azemi ka krijuar këtë vepër frymëzuese, për të dhënë një mesazh të fuqishëm: për t’i thënë ndal, femicidit!

Garantimi i barazisë gjinore është domosdoshmëri për një shoqëri të lirë e të drejtë”, ka shkruar Halimi./ KultPlus.com