Parku në Tajlandë me mbi 1 mijë statuja të Budës nga ari

Një tempull budist në Tajlandë ofron për vizitorët një pamje spektakulare. Ai është strehë e mbi një mijë statujave të budës, që të gjitha nga ari. Tempulli quhet Phuttha Utthayan Makha Bucha Anusorn, apo në shqip “Parku memorial dedikuar Budizmit”.

Në total atje janë 1 mijë e 250 statuja religjioze, gjatësia e të cilave arrin së paku një metër.

Statujat nga ari në këtë park janë pjesë e provincës e cila quhet Nakhon Nayok.

Në video shohim skulptura në fushë të gjerë. të paraqitura duke iu lutur figurës së madhe, Budës, e cila është e gjatë mbi 12 metra.

Parku Memorial dedikuar Budës në Tajlandë u ndërtua në vitin 2012. Ai rrethohet nga lisa, male dhe ujëvara e cila quhet Sarika. Ai është i hapur për vizitorët filluar nga ora tetë në mëngjes e deri në orën 18.

Me fjalë të tjera, ky park është ndër më të famshmit për turistë në provincën Nakhon Nayok./21Media/KultPlus.com

Kosovarët blenë më shumë ari sivjet

Gona Zeka nga qyteti i Prishtinës, gjatë këtij viti ka blerë ari në vlerë prej rreth 700 eurosh. Ajo tregon se herë pas here, kursen para për të blerë këtë produkt, pasi përveç që e shfrytëzon, konsideron se është një lloj pasurie e kursyer për fëmijët e saj në të ardhmen.

“Unë gjatë këtij viti kam blerë një lirë (aksesorë prej ari që vendoset në qafë) pasi blerja e arit është investim i pasurisë së luajtshme dhe në rast nevoje ka mundësi edhe të shitet, vlera financiare nuk i bie”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë, transmeton KultPlus.

Se gjatë këtij viti ka pasur rritje të importit të këtij metali të çmuar në Kosovë, tregojnë edhe të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës. Nga janari i këtij viti e deri në gusht, janë importuar mbi 72 kilogramë metale të çmuara, apo rreth 30 kilogramë më shumë sesa vitin e kaluar.

Në vitin 2020 ishin importuar rreth 33 kilogramë, më 2019, 45 kilogramë, në vitin 2018 rreth 56 kilogramë dhe në vitin 2017 ishin importuar 44 kilogramë ari.

Për këto pesë vjet, Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës shprehet se janë importuar “rreth 270 kilogramë me vlerë mbi 7 milionë euro. Importi bëhet kryesisht nga Turqia dhe Italia”.

Një kilogram ari, sipas Shoqatës së Artarëve të Kosovës, sillet rreth 49,000 euro.

Kryetari i kësaj shoqate, Enver Pakashtica, thotë për Radion Evropa e Lirë se sivjet ka pasur rritje të shitjes së metalit të çmuar më shumë sesa vitin paraprak.

Vitin e kaluar, Kosova është përballur me masa kufizuese për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 dhe nuk është lejuar organizimi i ahengjeve dhe gjatë pushimeve ka ardhur një numër i vogël i qytetarëve të Kosovës, që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Ndërkaq, sivjet dasmat dhe ahengjet e ndryshme janë lejuar, çka ka bërë që të ketë përmirësim edhe në shitjen e arit. Në këto tubime, zakonisht gratë vendosin më shumë ari, si vathë, unaza, byzylykë dhe aksesorë tjerë.

“Në dallim prej vitit të kaluar, shitje ka pasur mirë. Një fluks më i madh nëpër dyqane ka qenë nga qytetarët e diasporës. Ata 15 muaj nuk kanë qenë në Kosovë dhe sivjet kanë shpenzuar më shumë. Diasporës duhet t’i falënderohemi. Por, ka raste që qytetarët blejnë ari si rezervë sepse investimi më i qëllueshëm është metali i çmuar”, thekson ai.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë numrin e dyqaneve që merren me këtë veprimtari në Kosovë, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë ndonjë përgjigjje.

Gona Zeka jeton dhe punon në Kosovë. Në muajin korrik është martuar vëllai i saj që jeton në Gjermani kurse ceremonia e dasmës është mbajtur në Prishtinë. Dhe si dhuratë për çiftin ajo ka blerë stoli ari në vlerë prej 400 eurosh.

“Me kushtet ekonomike çmimi i arit është i lartë, por ia vlen sepse është produkt që nuk prishet dhe mbetet. Edhe pse martesa ndodhi në kohë pandemie, jemi popull që ndjekim tradita dhe traditat tona janë se në martesë çdo shpenzim që bëhet duket i arsyeshëm”, thotë ajo.

Se interesimi i shteteve të ndryshme, por edhe qytetarëve është rritur në blerjen e arit si rezervë, e thotë edhe profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi. Ari si pasuri ka një likuiditet dhe stabilitet më të madh të çmimit, thotë ai, duke shtuar se qytetarët dhe shtetet që nuk dëshirojnë të pranojnë ndonjë rrisk të lartë, orientohen që si aset të tyre financiar ta ruajnë në rezervat e tyre arin.

“Në dekadën e fundit, çmimi i arit ka qenë shumë stabil. Njerëzit kanë besim, kanë pritshmëri më të mëdha se në rast të krizave apo të ndonjë katastrofe të mundshme, qytetarët më lehtë pasurinë e tyre të krijuar, mund ta ruajnë përmes arit sesa përmes valutave të tjera, si euro, dollarë, kriptovaluta apo letrave tjera me vlerë. Kjo është arsyeja pse kërkesa për ari gjithnjë e më shumë po rritet”, thekson Bektashi.

Përveç qytetarëve që, në mënyrë individuale sigurojnë rezerva të arit, një veprim të tillë e bëjnë dhe shtetet. Republika e Kosovës është i vetmi vend në rajon që nuk ka rezerva të arit. Serbia ka 19.8 tonë rezerva ari, Maqedonia e Veriut 6.9 tonë, Bosnje dhe Hercegovina 3 tonë dhe Shqipëria 1.6 ton. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Zbulohet vendi me 28 ton flori që i fshehu Hitleri

Vendndodhja e 28 ton ari të epokës naziste të fshehur në periudhën e Luftës së Dytë Botërore është gjendur në një pallat në Poloni. Ari me vlerë miliarda euro, si dhe sendet e tjera po me vlerë thuhet se janë 60 metra nëntokë në fund të një pusi në bazat e Pallatit Hochberg në Roztoka, afër Wałbrzych. Pallati është vendi i familjes së famshme Hochberg, pronarë të pasurive të shumta në zonë.

Studiuesit kanë gjetur informacionin rreth vendit të fshehjes së sendeve të çmuara duke analizuar ditarin e një oficeri. Ditari u shkrua nga Egon Olenhauer, të cilin Hitleri e urdhëroi të fshihte thesarin nazist.

Aty përshkruhet operacioni për të fshehur thesarin e kontrolluar si dhe detaje për njëmbëdhjetë vendndodhjet në Silesian e Poshtme dhe Opole, ku gjërat e vlefshme, përfshirë këtu artin, artefaktet fetare dhe depozitat bankare, si dhe artet nga Gjermania, Polonia, Franca, Belgjika dhe Rusia thuhet se gjenden.

Nëse supozimet e studiuesve janë të vërteta, sendet e vlefshme me vlerë rreth 1.3 miliardë euro mund të jenë fshehur në Poloni. Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë marrë ende leje për të gërmuar në vendin e fshehjes, transmeton Shekulli raportimin e Daily Mailit.

Përfaqësuesit e fondit pretendojnë se ata kanë marrë tashmë miratimin paraprak për zbatimin e punimeve nga pronari i kështjellës.

Ditari i Egon Olenhauer u bë i famshëm në vitin 2018. Sipas studiuesve, kur Ushtria e Kuqe filloi ofensivën. / KultPlus.com

Kosovarët të dhënë pas “dukatit”, për 8 muaj blenë 360 kg në vlerë të 1.5 milionë eurove

Dita-ditës vendi më i varfër në rajon po mbushet me ari. Vetëm gjatë këtij viti në vend kanë hyrë mbi 360 kilogramë metale të çmuara, vlera e të cilave sillet rreth 1.5 milion euro.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës në pesë vitet e fundit janë importuar metale të çmuara në vlerë prej më shumë se 7 milionë euro, derisa vendet ku blehet më shumë ar  dhe metale tjera janë Turqia dhe Italia.

Përderisa një pjesë e madhe e qytetarëve në vend e kalojnë gjithë ditën me vetëm 1 euro e 70 centë, të tjerë po i shpenzojnë paratë e tyre në luks. Një pjesë të mirë të hyrave vjetore, kosovarët i shpenzojnë çdo vit duke blerë ari.

Madje, nëse shikohen statistikat e Doganës së Kosovës del se për çdo vit ata shpenzojnë mbi 1 milionë euro në metale të çmuara.

Miliona në ari, kosovarët po del të kenë shpenzuar edhe gjatë viteve të kaluara.

Sipas statistikave të Doganës, vetëm gjatë pesë viteve të fundit ata kanë shpenzuar hiç më pak se 7 milionë e 340 mijë e 467 euro në ari. Me gjithë këto para janë blerë mbi 2 mijë e 600 kilogramë metale të çmuara.

Ndërkohë, vendet prej të cilave janë importuar janë kryesisht Turqia dhe Italia, por jo vetëm.

Kosovarët blejnë ari edhe nga Austria, Zvicra, Kina, Gjermania, Spanja, Polonia, Republika Qeke e Tajlanda. Ndërkohë, një sasi e arit viteve të fundit është blerë edhe nga Tajvani, Kamboxhia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës./gazetaexpress/KultPlus.com