Agjencia Kombëtare e Diasporës sjell grupin arbëresh “Shega” në Tiranë

Më 25 gusht 2021, në orën 20:00, Grupi “Shega” do të zhvillojë koncert tek “Reja” në Tiranë. Koncerti organizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe traditave kombëtare. Grupi i të rinjve arbëresh do të prezantojnë për publikun një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe nga albumi i tyre i parë.

Grupi “Shega” është themeluar nga Giorgio Fusco, Saverio Guzzetta, Rosa Alongi, Giorgio Ciulla dhe Alessandro Ferrantelli nga Hora e Arbëreshëve të Sicilisë. Pak ditë më parë grupi përuroi albumin e tyre të parë me të njëjtin emër. Albumi është një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe prej një grupi të rinjësh, të cilët na përcjellin në një udhëtim të mallit të rrënjëve dhe një kulture të jetuar me sy të rinj.

“Shega” është albumi i parë i bendit me të njëjtin emër, nga katundi arbëresh Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), në Sicili. Shega është fruti i ri i muzikës arbëreshe: shumësia e kokrrave dhe njësia e frutit kujton një komunitet; ai arbëresh, që pas pesë shekujsh jo vetëm ruan gjuhën, kulturën e traditat e të parëve, por edhe di të jetë bashkëkohor. Kjo është shega: një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe prej një grupi të rinjësh, të cilët na përcjellin në një udhëtim të mallit të rrënjëve dhe një kulturë të jetuar me sy të rinj.

Në mozaikun e 9 këngëve të Shegës, gjenden këngë dashurie (Drita, Arianna), tekste ku lidhen përvojat biografike e pamje sociale (Niko, Jarruri hera – feat. Hardiinusah), atmosfera misterioze (Kalivar), hymne të vëllazërisë e poezi udhëtimi (Botë e Paqe, Lumturi – homazh poetit arbëresh Paskal Renda), kënga ironike (Zëmbra jime) dhe ripërpunimi i një kënge tradicionale arbëreshe (Qifti). Muzika pop/folk e bendit arbëresh shega është autentike dhe e tejkalon me emocion cdo pengesë gjuhësore, duke marrë insipirim nga jeta e përditëshme e duke i dhënë dritë një kulture minoritare që në itali sot e kësaj dite nuk është e njohur si duhet.

Bandën muzikore “Shega” e themeluan disa të rinj e të reja nga Hora e Arbëreshëvet të Sicilisë. Fshati i tyre, Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) qe themeluar nga mërgimtarë shqiptarë para pesë shekujsh dhe ende sot e kësaj dite ruan gjuhën, adetet, zakonet, kulturën e traditat arbëreshe.

Në vitin 2014 ata themeluan grupin me emrin “The Daggs”, pastaj filluan të shkruajnë tekste për këngët e tyre, në gjuhën arbëreshe. Në nëntor të vitit 2015 “pagëzimi” i tyre, në Suns Europe, festivali evropian i këngës në gjuhë minoritare (Cagliari). Edhe pse grup i ri, sukseset e tyre s’kanë të ndalur, kështu, në maj të vitit 2017 në Festivalin që mbahet në Favara (Agrigento) fitojnë OPP. Këtu nderohen me “Çmimin e Festivalit”. Ky çmim iu dha zemër atyre për të bërë hapat e mëtejme, ata regjistruan këngën e parë të tyre, me emrin e bukur “Drita”.

Me artin e tyre muzikor, ata shumë shpejtë kapërcyen kufijtë lokalë, krahinorë e shtetërorë. Në janar të vitit 2018 përfaqësojnë muzikën arbëreshe bashkëkohore në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë, të ftuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Në maj të vitit 2020 publikojnë videoklipin e parë “Lumturi”, një homazh për poetin arbëresh Paskal Rendas, i përberë me imazhet e tour-it të parë të bendit në fshatrat arbëreshe në Kalabri.

Në repertorin e grupit “Shega” zënë vend të rëndësishëm këngët “Drita”, “Lumturi”, Arianna” e shumë këngë të tjera të cilat kanë lënë mbresa të thella te publiku arbëresh, shqiptar dhe italian. / KultPlus.com

Grupi arbëresh, ‘Shega’ publikon këngën e re (VIDEO)

Grupi i 5 arbëreshëve të Sicilisë, “Shega” kanë lansuar projektin më të ri muzikor, “Arianna”, shkruan KultPlus.

Me një melodi të qetë dhe me një tekst lirik, “Arianna” është një këngë dashurie.

“Tematika është dashuria, ajo fije që të ndan nga përditshmëria e të bën të fluturosh. Flet për dy persona që takohen në një udhëtim, pastaj ndahen në tokat e veta. Deti njëkohësisht i afron e i ndan. Kënga flet për distancë, për një ëndërr që nuk u bë realitet, e malli që lind nga kjo”, kishte treguar Giorgio Fusco për KultPlus më parë.

Kjo këngë është e para nga grupi me emërtimin e ri, teksa më parë ata kishin kënduar nën emërtimin e grupit “The Daggs”. / KultPlus.com

Nuk i harrojnë rrënjët, arbëreshët e grupit “Shega” do të prezantohen me këngën “Arianna”

Medina Pasoma

Atdhedashuria dhe admirimi i gjuhës arbëreshe kishte bërë bashkimin e 5 artistëve nga Sicilia në caqet e muzikës. Ata kishin dhënë premtimin se në çdo tingull do të buçiste qetësia shpirtërore përmes promovimit të vlerave kulturore, shkruan KultPlus.

Kështu kishte nisur historia e grupit “The Daggs” në vitin 2014, teksa vokali i Giorgio Fusco dhe Saverio Guzzetta ishin gërshetuar me violinën e Rosa Alongi, bas-kitarën e Giorgio Ciulla dhe bateritë e Alessandro Ferrantelli.

Ndërkaq, rrugëtimit të tyre muzikor tanimë këta të rinj të talentuar kanë vendosur t’ia falin emrin “Shega”, në mënyrë që edhe në emërtim të ndjejnë diçka nga prejardhja e tyre.

Më 19 shkurt, “Shega” do të publikojë këngën më të re, të quajtur “Arianna”, për të cilën KultPlus ka biseduar me solistin dhe pjesëtarin e grupit, Giorgio Fuscon.

 “Arianna” është kënga e parë që del nga grupi jonë me emër të ri “Shega” dhe do të jetë projekti i parë i albumit tonë, që është gati”, rrëfen për KultPlus ish-studenti i gjuhëve, duke përfshirë edhe shqipen.

Ajo që do ta bëj këngën “Arianna” të paharrueshme për dëgjuesit e këtij grupi do të jetë frymëzimi nga mitologjia greke, gjegjësisht dashuria e princeshës së Kretës, Ariannës me Teseon.

“Tematika është dashuria, ajo fije që të ndan nga përditshmëria e të bën të fluturosh. Flet për dy persona që takohen në një udhëtim, pastaj ndahen në tokat e veta. Deti njëkohësisht i afron e i ndan. Kënga flet për distancë, për një ëndërr që nuk u bë realitet, e malli që lind nga kjo”, tregon me emocion Giorgio Fusco.

“Arianna” do të jetë në gjuhën arbëreshe, ashtu siç Fusco e quan, gjuhën e zemrave të tyre që qëndis mendimet dhe i bën që ta përqafojnë botën përmes saj. Në anën tjetër, siç gëzohet prindi për fëmiun, po të ‘njëjtat’ ndjesi i gëzon edhe ai si artist për krijimtarinë e tij.

 “Jam shumë i emocionuar për publikimin e kësaj kënge sepse jam shumë i lidhur me të dhe e dua shumë. Kjo këngë është shkruar në bashkëpunim, duke lidhur përvojat e anëtarëve të grupit”, thotë Fusco.

Tutje, ai tregon se edhe artdashësit e tyre janë admiruar kur kanë dëgjuar interpretimin e drejtpërdrejtë të kësaj kënge në koncerte, teksa Fusco beson se ata e presin me padurim versionin e incizuar në studio.

Në anën tjetër, tingujt muzikorë kishin lënë gjurmë në shpirtin e tij qysh moti, prej nga ku më vonë jeta ia kishte trasuar fatin në këtë rrugëtim.

“Si çdonjëri, u rrita me muzikën. Më këngët arbëreshe tradicionale, me këndimet bizantine në kishë. Pastaj kam njohur muzikën ndërkombëtare dhe sidomos atë italiane”, shprehet këngëtari.

Kur flet për muzikën, Giorgio Fusco ka një rrëfim tejet emocional dhe poetik, që dallohet në çdo fjalë që ia thotë goja.

“Për ne muzika është ‘motra’ që na ndihmon në momentet e vështira, është një mike që na thotë ‘bravo’ kur kemi nevojë, është ajo që na bën të kërcejmë të vetmuar sipër shtratit dhe ajo që na bën të qajmë me lot malli”, përshkruan artisti nga Italia.

Por, përpara se të quhej “Shega”, grupi i 5 muzikantëve quhej “The daggs”. Ata kishin publikuar këngën e dashurisë me një përfundim jo të mirë, të quajtur “Drita”  dhe “Lumturi”, e cila e frymëzuar nga vargjet e poetit arbëresh Paskal Renda, e që erdhi si një homazh për të.

Ai e tregon edhe arsyen e ndërrimit të emërtimit, teksa thotë se e kanë zgjedhur fjalën “Shega”, e cila nga arbërishtja, për ta simbolizon bashkimin.

“Shega” është djali qe ndihmon plakun në mes të rrugës, një koncert ku të gjithë përqafohen e vallëzojnë, një shishe vere me shokët, një mikpritje në fshatin tënd”, shpjegon Giorgio Fusco.

Grupi “Shega” së shpejti do të bëj publikimin e këngëve tjera dhe albumit të ri, në të cilën përveç 8 këngëve origjinale të grupit, do të jetë edhe një këngë tradicionale e ripërpunuar.

5 arbëreshët e pasionuar pas muzikës, shpresojnë që të bëjnë turne në Kosovë e Shqipëri pas pandemisë. / KultPlus.com