Arif Muharremi bën sot promovimin e librit ‘OH’

Në mbrëmjen e 13 dhjetorit me fillim nga ora 19:00 në Kino Armata do të bëhet promovimi i librit “OH!” nga Arif Muharremi , shkruan KultPlus.

“OH!” është krijesë letrare që ka lindë natën nga zbavitjet e kllapisë, krejtësisht e paplanifikume, në hijeshinë që mundet me e zje vetëm një spontanitet i lodhun i një hapsine pa puls, që përpiqet me ngre kryet përpjetë brenda një vorbulle oh! sa përmbytëse paradoksesh, aty ku njerëzit pshtojnë veç tuj u mahitë me fatin në sytë e të cilit vizatohet jeta e tyne.

Ky libër është kanga e përpjekjeve me ikë nga ky sallon ondulimi.

Botimi i “OH!” u botua nga kolektivi alternativ Defy Them dhe u mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Nge


Arif Muharremi

Fjalët ma s’miri përkthehen natën:
kur roja të ndal për një cigare.
Kur shiun e ke afër,
po shtëpinë ma ngat.
Kur t’vjen me u pshurrë te kantat e bërllogut,
e macat t’kqyrin seri.
Kur t’ shkon buza n’gaz se e din arsyen,
pse një dritë është e ndezun në shtëpinë e kojshive.
Kur llava e qenve të mahallës të përcjell deri te dera.
Kur ia ban me dorë kamionit që i lan rrugët.
Kur t bjen n’mend që ke harru qe dy ditë me pagu rrymën.
Kur e merr vesh që nesër duhesh me u zgju herët,
e me qenë i bukur,
për atë.
Se fjalët ma s’miri përkthehen
kur s’ka nevojë
me u thanë./ KultPlus.com