Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot firmëtarin e pavarësisë, gjuhëtarin dhe patriotin Arisidh Ruçi, burgosur nga diktatura.
Aristidh Ruçi lindi më 11 mars 1875 në Sheper të Zagorisë. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit, më pas u zhvendos në Janinë për të ndjekur studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea”. Për një periudhë 2 vjeçare jetoi në Stamboll dhe u kthye sërish në Janinë gjatë viteve 1899-1904. Këto lëvizje i dhanë mundësinë që të binte në kontakt me figura të mëdha si Naim Frashëri, Shahin Kolonja apo Kadri Gjata dhe të kishte letërkëmbim me anëtarë të diasporës së Bukureshtit, Egjiptit dhe Bostonit.
Në vitin 1906 u vendos në qytetin e Vlorës për të qëndruar aty deri në fund të jetës se tij, ku u bë një ndër tregtarët më të njohur të qytetit. Aristidh Ruçi kthehet në një figurë të rëndësishme dhe më një veprimtari të gjerë kombëtare.
Në 1908 u bë anëtar i klubit patriotik “Labëria” të Vlorës. Emri i tij lidhet me përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe. Sëbashku me Tod Lubonjarin siguronin libra e gazeta shqip dhe i shpërndanin në Lubonjë, Picar, Armen e Treblovë, apo duke çelur kurse të fshehta ku mësohej gjuha shqipe. Në korrik të 1911 ishte ndër organizatorët e Kuvendit të Drashovicës. Po në të njëjtin vit, së bashku me një grup atdhetarësh shkon në Itali për të takuar Ismail Qemalin për organizimin e Lëvizjes Kombëtare.
Në Kuvendin Kombëtar më 28 nëntor 1912 ishte delegat i Tepelenës dhe firmëtar tek Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë. Ndihmoi në ngritjen e administratës në Fier, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër e Delvinë. Veprimtaria e tij patriotike u intensifikua gjatë viteve 1918-1920 kundër pushtuesve italianë. Ishte ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që ndihmoi në organizimin e Luftës së Vlorës në 1920. Në vrullin e kësaj lufte, u krijua shoqëria patriotike “Përlindja Kombëtare”, ku komisioni ngarkoi: Aristidh Ruçin dhe disa atdhetarë të tjerë për hartimin e rregullores se saj. Komiteti ”Mbrojtja Kombëtare” e ngarkoi për të shoqëruar bandën muzikore të Federatës: “Vatra” dhe Komisionin e Kryqit të Kuq Amerikan në frontin e luftës në vitet 1920-1924.
Gjatë viteve në vijim u përfshi në jetën demokratike te vendit, siç ishte federata “Atdheu” dhe shoqëria “Bashkimi” Në vitet 1921-1939 ishte edhe anëtar i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Vlorës. Në vitin 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorë Ali Asllanin dhe mjekët Vasil Dhimitri e Pavlo Pavli krijuan Degën e Kryqit të Kuq për Vlorën. Gjatë pushtimit, si pasojë e veprimtarisë antifashiste, u arrestua dhe internua në Itali.
Me kthimin e tij në Shqipëri u arrestua nga sistemi i vendosur komunist për arsyen e të qenurit tregtar i madh. Pas 2 vitesh burgim lihet i lirë, por duke i sekuestruar çdo gjë që kishte pasur, madje dhe orenditë shtëpiake. Vdiq në 11 prill të vitit 1950 ku vdekja e “Mendjes së Vlorës”(siç e cilësonin bashkëkohësit e tij) u la në hije nga shtypi i kohës. / KultPlus.com