Tentativa e autoriteteve irakiane për të kënaqur egon e kryeministrit të tyre Mohammed Shayya’ Sabbar al Sudani, duke i sjellë një ari për ta mbajtur në pallatin e tij në Bagdad, ka dështuar.
Ariu që ndodhej brenda një kafazi në një avion që fluturonte nga Dubai për në kryeqytetin irakian me një avion të “Iraqi Airways”, çuditërisht është “arratisur”.
Kompania ajrore pretendon se nuk janë ata fajtorë për arratisjen e ariut nga kafazi i tij teksa avioni priste të ngrihej nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait të premten.
Por, raportimet e mediave sqarojnë se kryeministri i Irakut është “tërbuar” pasi mori vesh lajmin duke urdhëruar një hetim mbi mënyrën se si ariu iku nga kafazi.
Lideri irakian tani kërkon të dijë se kush është përgjegjës për nxjerrjen e ariut të tij nga vendi ku imbarkohen bagazhet në avion.
Sa i përket fluturimit në fjalë, ai u vonua pasi autoritetet dërguan specialistë për të qetësuar kafshën dhe për ta hequr atë nga avioni.
Një videoklip që qarkullon në mediat sociale tregoi kapitenin e avionit duke u kërkuar falje pasagjerëve për vonesën e ngritjes të së premtes për shkak të çështjes së ariut.
Linja ajrore tha se ariu po transportohej nga Bagdadi në Dubai, por një zyrtar i Iraqi Airways, duke folur në mënyrë anonime, konfirmoi se ariu po transportohej në drejtimin e kundërt, pra drejt kryeqytetit irakian.
Mbajtja e kafshëve grabitqare si kafshë shtëpiake në Irak – veçanërisht në Bagdad – është bërë e njohur në mesin e të pasurve dhe autoritetet kanë luftuar për të zbatuar dispozitat ligjore për të mbrojtur kafshët e egra.
Sakaq, aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, më i ngarkuari në botë për udhëtime ndërkombëtare, nuk pranoi të komentojë rastin. /A2CNN