Arjeta Mala me ekspozitë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Më 13 qershor në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Tensione të Dukshme dhe të Fshehta” e autores Arjeta Mala.

Kjo ekspozitë me vizatime e cila ndahet në dy cikle, për autoren Arjeta Mala, paraqet gjithashtu dy botë, atë të “macros” dhe të “micros”. Kallamet ishin ato që Arjeta Mala i zgjodhi nga natyra si pikënisje e botës “macro”. Për Arjeta Malën, fillimi i këtij projekti shënon periudhën e mërgimit të miliona njerëzve nëpër botë, gjë e cila u përjetua emocionalisht nga autorja e kësaj ekspozite.

Këto vizatime të realizuara në letër, akril dhe tush, paraqesin pastaj evoluimin në një dimension të ri të krijimtarisë artistike të saj. Botën e saj të re, të vogël, “botën micro”, e cila është më intime, më e lehtë, thuajse minimaliste dhe pa ngarkesa.

Arjeta Mala (1964) u lind në Pejë. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve, drejtimin e dizajnit grafik, në Universitetin e Prishtinës. Për shkak të luftës së vitit 1999, mërgon në Holandë ku edhe punon sot si artiste e lirë. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit si në Rotterdam, Piershil, Binnenmaas, Hagë, Eindhoven, Dordrecht, Bochold, Prishtinë, etj.

Ndërkaq ekspozita personale ka realizuar në Galerinë e Ambasadës së Shqipërisë në Hagë (2017), në Piershil (2006), pastaj në Galerinë e Arteve të Komunës së Pejës (2017), në Rotterdam (2017), si dhe tani në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (2018). Jeton dhe vepron në Holandë. Ndryshe, kjo ekspozitë financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është Zeni Ballazhi./ KultPlus.com