Medina Pasoma
Kolonia ndërkombëtare e artit pamor ‘Art Tirana’ bashkoi në Tiranë artistë nga vende të ndryshme, duke i bërë që të thellohen në kombinimet e ngjyrave përgjatë datave 4-8 nëntor, shkruan KultPlus.
Artistë nga vende të ndryshme duke përfshirë kështu Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kazakistanin, Francën, Turqinë, Bosnjën dhe Bullgarinë u bënë bashkë në qëndrimin e tyre katër ditor në koloninë ‘’Art Tirana’’, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e krijimtarisë pavarësisht situatave.
Përderisa kurator i kolonisë ishte Fehmi Hoxha, drejtor artistik Amarildo Ruçi dhe organizatore Ina Kollçakun, ky organizim bëri që artistët pjesëmarrës të frymëzohen në ambientet e amfiteatrit të Liqenit në Tiranë dhe të largojnë dallimet kulturore nëpërmjet artit.
Një nga pjesëmarrëset ishte edhe skulptorja Arjeta Miftari, e cila ndau me KultPlus përshtypjet e saja për këtë organizim.
‘Ky organizim ka qenë i jashtëzakonshëm me faktin që ka bashkur artistë të mëdhenj në këtë kohë të vështirë. Është hera e parë që po organizohet diçka e tillë me një ambient të hapur dhe frymëzues’, vlerësoj Miftari.
Fituesja e çmimit “Skulptorja e vitit 2018” në Tiranë, nga të gjitha organizimet ku ka marrë pjesë, këtë e vlerëson si të veçantë.
‘’Unë kam qenë pjesë e shumë simpoziumeve, kolonive, eventeve ndërkombëtare por, konsideroj se kjo ka qenë një organizim i nivelit të lartë’’, thekson Arjeta Miftari.
Në anën tjetër kolonia kishte ndikuar pozitivisht që Arjeta të krijonte diçka të bukur. Ajo shprehet se frymëzimin e gjen në jetën e përditshme, madje edhe në ngjarjet kulturore ndërkaq në këtë organizim ka përfunduar 3 vepra arti.
‘’Unë kam ralizuar 3 piktura me tema të ndryshme duke perfshirë edhe figura nga artefaktet e ndryshme’’, thotë Miftari.
Përderisa organizimi i kësaj kolonie në kohë pandemie ka qenë i vështirë, për Miftarin ishte tejet e mirëpritur dhe me një mesazh të fuqishëm.
‘’Mesazhi i kësaj kolonie ka qenë të bashkohen të gjithë përmes artit dhe sensibilizimi i gjeneratave të reja’’, shprehet skulptorja Miftari.
Miftari në koloni kishte pasur rastin t’i takoj miqtë e saj artistë, ndërkaq me ata të cilët i njohu në këtë koloni, ajo thekson se shkëmbeu përvoja interesante.
‘’Secili nga artistët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm duke bërë që secili nga ta të pasqyroj ngjyrat , format me plot dashuri’’, tha Miftari.
Disa nga artistët shqiptarë të pranishëm ishin Saimir Strati, Arif Lushi, Azem Kucana, Saimir Ahmeti, Adriana Pelushi, Jona Davidi dhe shumë të tjerë. Kolonia ‘’Art Tirana’’ është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës. / KultPlus.com