Fituesja e çmimit KultStrofa për këtë vit, Arjola Zadrima, ka disa ditë që ka publikuar librin e saj të dytë me poezi të titulluar “Carpe Diem”. Prandaj KultPlus përmes intervistës së realizuar me poeten ju sjellë disa copëza nga ky libër dhe ajo që buron nga ai.
“Carpe Diem” është titulli më i ri i librit me poezi nga Arjola Zadrima. Një titull ky i cili ka lindur nga dashuria që ka poetja pikërisht për këtë shprehje latine të Horacit. Pasi që poezia për Artjolën është një shkrepje, një çast magjik dhe po arrite ta kapësh atë çast atëherë bëhesh drita në terrin e njerëzve, dhe siç shprehet ajo, je me fat. Ideja botimit të librit “Carpe Diem” ka lindur bashkë me dëshirën që poetja me dhanë diçka prej vetes.
“Kur e kupton që ajo çka shkruen prek zemrat e lexuesit, i thue vetes, pse jo , pse mos me dhanë ma të mirën tande , poezinë”, thekson ajo. Carpe Diem vjen si një shkrepje çasti për poeten, një lloj si poezi e saj një dashuri në lexim të parë.
Çast
Ka një çast në jetë
ku qiellin e ndien mes krahëve,
e zemra galop e kapërcen
botën e ktushme.
Asht ai çasti ku andrrat ngjajnë me pambuk engjëjsh
e fryma mbetë ndër kangjella parajse,
si sakrilegji i vetëm
i buzëve
që puthin dashninë.
Mue, shpirt, ky moment
më përngjet me Ty,
që krejt qenies time ia mësove fluturimin.
“Unë jam e dashurume me shprehjen latine të Horacit “grabite ditën , jetoje jetën ose kape çastin” mbi të gjitha jam e dashurume me poezinë e mrekullueshme të poetit dhe gazetarit të mirënjohur amerikan Walt whitman me të njëjtin titull, dhe me një mesazh mjaft domethënës, varg për varg… ku ndër të tjera thotë “Mos e braktis entuziazmin për me ba jetën tande të jashtëzakonshme”. Edhe përbërja e këtij libri është e mbushun me çaste që ikin e nuk kthehen”, shprehet ajo.
E veçanta e këtij botimi është se poezitë shoqërohen së bashku me fotografi, një ndër gjërat më të bukura që do hasni në të. Autorja për të sjellë këtë ka bashkëpunuar me mikën e saj, fotografen Iden Temali, e cila pasi i lexoi, i mbështolli me shpirtin e saj poezitë, krijoi e u dha jetë vargjeve me shkrepjet e saj të mrekullueshme.
“Zgjodha fotografinë sepse mendoj se asht një nga ato arte që ka poezi në shkrepje, ka poezi në çast dhe kur dy zhanre mjaft tërheqëse shkrihen me njëri-tjetrin lind një vepër e bukur”, shprehet Arjola Zadrima për KultPlus.
Carpe Diem përmban brenda vetës 33 poezi të cilat janë shkruar ndër vite duke përfshirë edhe poezi të shkruara së fundi dhe rreth 30 fotografi. Poezitë janë të thurura në gegënishte, e që për poeten është një melodi hyjnore që kur ndërthuret në vargje, të fal ndjesi të papërshkrueshme. “Lum kush mundet me e ndërthure”, potencon poetja Zadrima e cila nuk ka një rutinë të shkrimit thjesht fillon të thurë vargje atëherë kur i dridhen telat e shpirtit të saj pasi që pikërisht atëherë lind poezia për të.
Magdalena
S’jam grue sot.
ma shifni bluzën ,
format e saj,
nën të kam gjoksin,
çoj peshë stuhi,
thyej mendjet e verbueme.
Fshij jargët
ky gjoksi i shenjtë mëkon jetë,
a mundesh me iu gjunjëzue ?
Para ktyne syve që dinë me të dëftue botën,
je i vogël,
i pambrojtun,
unë s’i përdori duert,
shikimin.
Ai të përbuzë,
të don,
të rrokë,
të ngjesh edhe me tokën.
Krej forca jote asht ai çast që m’ke zgjue bishën.
Drueje,
jam përbindëshi që ti s’e njeh.
Ti, krijesë e ashpër, e pabesë,
je aq i vogël sa aty ku lindesh,
zhytesh
zhgrryhesh
shtyhesh
zgjahesh
aty qan,
kullon
pikon e zvoglohesh.
Të sundoj ,
edhe kur para syve të mi
zhburrnohesh,
njisoj sikur atë ditë që u linde i paburrë.
Unë s’jam grue sot,
por prej asaj dite kur nën kambë çilen lulëkuqe,
qeshë grue edhe pse e virgjën.
Sot jam Magdalena!
Poezia është një lum, me një rrjedhë të fortë, ku poetja Arjola Zadrima ka frikë që të zhytet se e merr me vete, por që gjendet shpesh brenda kësaj rrjedhe. Një rrjedhë prej të cilës buron çdo herë DASHNIA, kryefjala e poezisë së Arjolës. Por brenda saj lexuesi gjen më shumë se dashuri, gjen një forcë, një forcë e cila lind pikërisht nga dashnia, këtë më së miri e shfaq edhe poezia e saj fituese në KultStrofë, “Po të due unë”. Një poezi që ngjallë gjysmën tjetër të poetes e që jeton me poezinë. “Po të due Unë” asht edhe një thirrje , “ej miq, ba me dashtë të gjithë së bashku e bajmë botën një vend të mrekullueshëm me u jetu”.
“Ah , atë natë kam me e ruejtë gjatë në kujtesën time, sapo kisha rilindë për së dyti, dhe mu dha lajmi i fitores së çmimit “KultStrofa”, di që i kam thanë vetes, që duhet me u kapë edhe me thonj mbas jetës… Ishte shtysa drejt rrugëtimit jetë, drita në fund… shpresa që unë mundem, patjetër që po”, janë fjalët me të cilat poetja kujton momentin kur kishte kuptuar se ishte fituese e çmimit KultStrofa.
Bass
Kur dielli lindë,
qepallat shkundin akujt e natës.
Ende strukem nën velenxën e nji andrre.
E duert tueja përkundin gjumin
që imagjinoj të qetë.
Zani bass më flet për nji dritë,
dashninë
e një jete ku ende s’jam…/KultPlus.com