Hapet sarkofagu ku besohej se ishte trupi i Aleksandërit të Madh

Hapet sarkofagu ku besohej se ishte trupi i Aleksandërit të Madh, mirëpo arkeologët mohojnë gjetjen e trupit të tij. Në sarkofagu janë gjetur eshtrat e tre personave të tjerë.

Është hapur sarkofagu gjigant prej tre metrash, që është gjendur në Aleksandri të Egjiptit, ku besohej se ndodhej trupi i themeluesit legjendar të qytetit me të njëjtin emër.

Arkivoli nga graniti i lart dy metra e gjysmë, është gjetur pesë metra thellë, derisa po bëheshin disa hulumtime arkeologjike, ndërsa u hap me vështirësi shkaku i peshës prej 27 tonelatash. Përkundër pritjeve që brenda ta gjejnë trupin e Aleksandërit të Madh, egjiptologët mbetën të hutuar kur gjetën tre trupa.

Sekretariati i Ministrisë së Antikiteteve e ka konfirmuar rastin, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet se brenda sarkofagut kishte ndonjë mallkim, i cili do t’i godiste të parët që ndodhen pranë.
“Brenda janë tri trupa, që nuk dihet se kujt i përkasin. Asnjë mallkim nuk ishte brenda dhe punonjësit shpëtuan pa asnjë lëndim”, thuhet shkurt në raport, njofton Gazeta Express.

Në anën tjetër, thuhet se trupat nuk i përkasin familjeve mbretërorë të Polemeut apo Romës, teksa nuk besohet se ishin të pasur apo njerëz të shkuar

Fakti që nuk kishin asnjë stoli ari apo argjendi dhe ishin bashkë në një varr, e bën gjetjen dhe më misterioze, ndërsa nuk pritet të ketë përgjigje së shpejti.

“Të tre trupat janë të meshkujve, që besohet të kenë qenë ushtarë. Njëri prej tyre, e ka një plagë të shigjetës në kafkë”, thuhet shkurt në raport, ku nuk tregohet as për kohën në të cilën kanë jetuar./ KultPlus.com

Arkeologë polakë dhe shqiptarë zbulojnë qytetin e panjohur 2 mijë vjeçar

Ndonjëherë, gurët janë më shumë se sa thjesht copëza të shkërmoqura toke. Ndonjëherë ata japin detaje mbi të kaluarën apo të ardhmen e planetit tonë.

”Arkeologët e antikitetit të Qendrës së Kërkimit për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, zbuluan se gurët në Shkodër ishin rrënojat e qytetit 2 000-vjeçar të Basanias”, shkruan Christina Ayele Djossa në blogun “Atlas Obscura” që i dedikohet zbulimeve nëpër botë.

Në atë kohë, Bassania ishte një fortesë ushtarake dhe ekonomike, pjesë e mbretërisë së Ilirisë, që ka ekzistuar nga viti 400 deri në 100 para Krishtit.

Qyteti antik ka në përbërje shumë banesa dhe fortesa, një prej të cilave arkeologët arritën të zbulojnë.

Ajo që ata gjetën ishin gurë antikë të një fortese të ruajtur nga kulla të mëdha dhe mure prej guri dhe dyer të gjera afërsisht tre metra. Këto ndërtesa mbrojtëse, sipas profesorit Piotr Dyczek të Universitetit të Varshavës, i përkasin arkitekturës helenistike.

Ekipi konfirmoi epokën e rrënojave duke analizuar monedhat e gjetura aty rrotull dhe fragmente të enëve të qeramikës, që i përkasin epokës së mbretërisë Ilire.

Por, nga gurët dolën më shumë informacione në lidhje me qytetin. Muret e gjera prej guri rrethojnë një zonë prej 200 000 metrash katrorë, që do të thotë se Basania ishte tre herë më e gjerë se Shkodra antike, që ishte 70 000 metra katrorë.

Por, ky qytet dhe mbretëria Ilire, u pushtuan nga romakët në fillim të shekullit të parë. Kjo është edhe arsyeja përse arkeologëve iu desh kaq shumë për të gjetur Basanian.

“Arsyeja mund të jetë se qyteti pushoi së ekzistuari për një kohë aq të gjatë sa që emri i tij u harrua”, shkruan Dyczek.

“Arkeologët polakë dhe shqiptarë spekuluan gjithashtu se edhe infrastruktura gjeologjike e vendndodhjes ka lidhje me këtë harresë. Rrënojat janë gjetur në një kodër, që nga banorët e zonës quhet buzët e nepërkës, në fshatin Bushat, pak kilometra larg Shkodrës”, thotë Dyczek.

Pas shumë vitesh erozion, gurët e mbetur dukeshin si pjesë e gurëve që përbëjnë kodrën. Kështu për një kalimtar, mund të dukej si një grumbull me gurë, jo një strukturë e përbërë nga njerëzit.

Tani që qyteti i zbuluar është i dukshëm, do të jetë e mundur që këto rrënojat të vizitohen./G.S/ a.jor./ KultPlus.com