Ministri Çeku: Vendosja e terrenit në pronësi të shtetit të Kosovës ka lehtësuar punën për zbulime të reja arkeologjike

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një vizitë në “Parkun Arkeologjik- Ulpiana” ku nga afër kanë parë rezultatet e ekspeditës së këtij viti nga arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja.

Ministri Çeku me këtë rast ka thënë se janë është duke u zgjeruar hulumtimi dhe gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi, dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, vendin e tij të origjinës.

“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti i pamë nga afër rezultatet e ekspeditës së këtij viti, takuam arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja në këtë hapësirë.

Kjo është bërë më e lehtë tashmë që është marrë vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave përreth dhe ato janë në pronësi të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com

Rama: Zbulohet një tjetër varr monumental në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias

Një tjetër varr monumental është zbuluar në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se kjo është një dëshmi e gjallë e ekzistencës së qytetërimeve të lashta ilire dhe një vlerë e shtuar e trashëgimisë e historisë sonë, që shumë shpejt do të jetë pjesë e tureve dhe guidave turistike.

Rama shtoi se, gërmimi arkeologjik u bë nga një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, të cilët zbuluan dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë, ndërkohë që po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin e gjetur.

Varret monumentale kanë një arkitekturë të veçantë dhe histori mijëravjeçare.

Ekzistenca e këtij varri është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.

Brenda hapsirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit.

Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.

Përreth varrit monumental, u gjetën dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë. Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e DRTK Vlorë po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin./atsh/ KultPlus.com

Amantia, ndër thesaret arkeologjike më interesante të Shqipërisë

 Parku arkeologjik i Amantias, vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës. E ndërtuar në shekullin V para Krishtit, Amantia është një ndër thesaret dhe rrënojat më interesante të Shqipërisë, e pozicionuar në një kodër, në një natyrë fantastike dhe e rrethuar nga gjelbërimi.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau së fundmi në rrjetet sociale disa detaje nga ky monument kulture. Nga kërkimet arkeologjike, në murin fortifikues të qytetit antik të Amantias, janë identifikuar rreth 6 hyrje.

Një pjesë e tyre, kanë qenë pajisura me korridore të mbuluara me qemer. E tillë ka qenë edhe hyrja juglindore, apo hyrja nr. 6, siç njihet në literaturë.

Njëri nga harqet e kësaj hyrje, u restaurua në vitin 1990, nga restauratori Lazër Papajani, si dhe arkeologu Burhan Dautaj. Restaurimi i dha vertikalitetin e dikurshëm hyrjes, duke e bërë të perceptueshëm monumentalitetin e saj, për vizitorët e sotshëm të parkut arkeologjik të Amantias.

Nga pikëpamja vizive, ajo është kthyer në simbol të parkut arkeologjik dhe tashmë është një nga atraksionet kryesore në itinerarin e vizitave.

Arkitektura e hyrjes e inkuadruar në një peizazh të egër malor, është një kartolinë e bukur, që fton për të vizituar parkun arkeologjik të Amantias./ atsh/KultPlus.com

Nesër nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut

Nesër, në kabinetin e Ministrit Hajrulla Çeku, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, mes Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në fillim të kësaj ngjarje Ministri Hajrulla Çeku dhe Ambasadori Jeffrey Hovenier do të mbajnë fjalimet e tyre ndërsa më pas do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit.

Ky memorandum bashkëpunimi do të nënshkruhet më 26 shtator 2013 në ora 11:00-11:30, në kabinetin e Ministrit Hajrulla Çeku./KultPlus.com

Gërmimet në parkun arkeologjik “Ulpiana”, Kurti takon ekipin udhëheqës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e ministrit, Nora Arapi Krasniqi, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, në përbërje të Christophe Goddard nga Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe arkeolog, dhe Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Kryeministri Kurti falënderoi për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa u informua për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.

“Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, citohet në komunikatë Kurti.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Ministrisë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, dhe Universitetit në Paris, “Ecole Normale Supérieure”.

“Në korrik të vitit të kaluar ishte nënshkruar vazhdimi i marrëveshjes fillestare të bashkëpunimit nga viti 2017. Projekti ka një shtrirje kohore tre vjeçare dhe buron nga ligji për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 milion euro”, thuhet në njoftim.

Përmes tij është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike.

Në fund të komunikatës thuhet se përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

Presidentja Osmani viziton Ulpianën pas zbulimit të shkrimit monumental: Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, pas zbulimit historik ka vizituar Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana, meqë rast ka thënë se çdo gërmim në Ulpianë zbulon thesare të fshehura të kaluarës tonë si dhe zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani thënë po ashtu se këto zbulime janë evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme.

“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.

Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.

Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, thuhet në postimin e presidentes në facebook./KultPlus.com

Restaurim banesës me dy peristile në Parkun Arkeologjik të Finiqit

Në Parkun Arkeologjik të Finiqit kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit në një tjetër monument kulture kategoria I, banesën me dy peristile.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga puna në këtë monumet.

“Pas hartimit të projektit nga DRTK Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, nisi puna për restaurimin dhe konsolidimin e strukturës murale; konsolidim i disa seksioneve në këtë linjë; restaurim i elementeve dekorativ në muraturë; sistemimin e terrenit etj”, tha Margariti.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën kombëtare Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çojë në kodrën ku ndodhet parku.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës./atsh/KultPlus.com

Dëshmi antike e përpunimit të anijeve në portin e Durrësit

Në muzeun arkeologjik të Durrësit kohët e fundit është restauruar një enë me përmasa të mëdha krejtësisht e veçantë për transportin detar të verës.

Bashkë me rëndësinë historike të trashëgimisë kulturore “dolium”, siç emërtohet ena në latinisht, dëshmon për herë të parë se në portin e Durrësit 1800 vjet më parë përpunoheshin anije për tregtinë e verës së hapur, që lundronin në itinerarin mes Durrësit dhe porteve të tjerë në Francë, Spanjë dhe Itali.

Grupi i restauratorëve nën drejtimin e arkeologut nënujor Adrian Anastasi, i cili zbuloi reliktin e anijes së mbytur jo shumë larg brigjeve të qytetit, punoi më shumë se një vit, fillimisht për shkripëzimin dhe më pas për konsolidimin e 296 pjesëve të enës, që u gjet e copëtuar nën det.

Anijet e specializuara të këtij lloji për transportin e verës së hapur janë quajtur edhe  “anije çisterna” – tha Dr. Adrian Anastasi për Autoritetin Portual Durrës. Në pjesën qendrore të hambareve të tyre ato kishin të sistemuara enë të përmasave të mëdha, “doli”, me një kapacitet mbajtës prej 2.000 litra secila. Bashkë me to, në pjesët e lira të hambarit, kryesisht në kiç dhe në bash sistemoheshin edhe amfora të zakonshme. Këto tipologji anijesh kërkonin edhe porte të specializuar për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre.

“Relikti i zbuluar dëshmon që porti i Dyrrahut i kishte këto struktura përpunuese, pra ishte në kuptimin e plotë një port i rëndësishëm”, -thekson dr. Adrian Anastasi, punonjës shkencor në Institutin e Arkeologjisë. /KultPlus.com

Muzeu arkeologjik i Durrësit magjeps turistët e huaj

Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.

“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.

Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com