‘U përzgjodh arkitekte e huaj’, nënkryetarja Pashako flet për sfidat e “Shtëpisë Studio Kadare-Agolli”: Hera e parë që muzealizohet letërsia!

Frida Pashako, nënkryetare e Bashkisë Tiranë, në një intervistë për “Exclusive” në Top Channel foli për projektin “Shtëpia Studio Kadare- Agolli”.

Ajo u shpreh se për projektin u zgjodh një arkitekte e huaj, ndërsa shtoi se kjo ishte një mundësi për bashkinë për të krijuar një shtëpi muze. Ndër të tjera ajo foli për sfidat dhe vështirësitë e projektit, por që çdo gjë shkoi më së miri.

“U përzgjodh një arkitekte e huaj që kishte punuar te “Shtëpia e Gjetheve”. Është hera e parë që muzealizohet letërsia dhe figura e personave shumë të rëndësishëm. Prania e një arkitekti të huaj ishte shumë e rëndësishme, pasi i jepte distancën dhe ftohtësinë e duhur për të interpretuar. Duke dhënë sa më shumë informacion, lë vizitorin të gjejë konkluzionet e tij.

Ishte një mundësi e madhe për bashkinë për të krijuar një shtëpi muze, pasi ne e kemi nisur punën kur Ismaili ishte gjallë. Muzetë janë menduar për njerëzit që nuk ekzistojnë më, ishte një punë shumë delikate. E shpjeguam që s’do bënim një fetiçizëm të shkrimtarit, por më shumë vepra e tij. Të ruanim brenda mureve veprat dhe atmosferën.

Për ne ka qenë një projekt shumë i rëndësishëm, i shtrirë ndër vite. Ka filluar në vitin 2017. Këto janë apartamente ku bashkohen dy njësi banimi.”, u shpreh Pashako./ Top Channel/ KultPlus.com