Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore solli në vëmendje një nga monumentet e kulturës që gjenden pranë Tiranës e që fare mirë mund të vizitohen në fundjavë.
E vendosur nën fshatin Brar, që përshkon lumin e Tiranës, “Ura e Brarit” është një strukturë e rëndësishme arkitekturore e klasifikuar tipologjikisht si një urë me qemer rrethor.
Kjo urë guri karakterizohet nga një hark rrethor dhe është ndërtuar në dy faza. Në fazën fillestare, në fillim të shekullit të 18-të, kalldrëmi i urës kishte një pjerrësi më të madhe. Megjithatë, kjo prirje u zbut më vonë me shtimin e mureve në të dy anët.
Historikisht, Ura e Brarit shërbeu si një lidhje jetike midis fshatit Brar dhe Tiranës, si dhe rruga e karvanit Tiranë-Dibër, e cila kalonte përmes fshatit të afërt të Tujanit.
Kjo urë zë një pozicion të spikatur në trashëgiminë kulturore dhe klasifikohet si monument kulture i Kategorisë së parë (I), duke treguar vlerën e saj të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore./atsh/KultPlus.com
Studioja daneze e arkitekturës CEBRA u shpall sot fituese e projektit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë.
Në finalen e garës ndërkombëtare për projektin e stadiumit “Skënderbeu” prezantuan projektet e tyre arkitektonike 3 studio të mëdha ndërkombëtare: ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë).
Pas shpalljes së studios fituese, përfaqësuesi i CEBRA-s u shpreh se “jemi të privilegjuar të zhvillojmë më tej Korçën, që është një qytet i jashtëzakonshëm”.
Falë këtij projekti, stadiumi “Skënderbeu” dhe Pallati i Sportit në Korçë, do të shndërrohen së shpejti në qendra të reja për qytetin, ku jeta sportive do të marrë hov dhe do të zhvillohet përgjatë gjithë ditës dhe vitit.
Stadiumi “Skënderbeu” do të transformohet në një kompleks sportiv me shërbime të ndryshme, duke ndjekur modelin e suksesshëm dhe shumëfunksional të Stadiumit “Air Albania” në kryeqytet.
Kjo falë iniciatës së qeverisë për rikonceptimin dhe rizhvillimin e komplekseve sportive dhe të stadiumeve të futbollit në qytetet Durrës, Korçë dhe Vlorë, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.
Në muajin shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit/ Atelier Albania hapën thirrjen për pjesëmarrje në Konkursin Ndërkombëtar për projektide, ku në finale u përzgjodhën 3 kompanitë finaliste./atsh/KultPlus.com
Me gjithë dëmin që shkaktoi zjarri i Notre Dame në vitin 2019, ai u dha arkeologëve në Paris një mundësi unike për të parë historinë e monumentit.
Pjesë të katedrales së famshme që ishin fshehur për shekuj tani po ndahen dhe bashkohen përsëri, duke ofruar një dritare në risitë arkitekturore që dikur e bënë këtë ndërtesë 32 metra të lartë katedralen më të lartë në epokën e saj.
Kjo lartësi, me sa duket, është kryesisht falë hekurit që kalon nëpër venat e strukturës madhështore.
Arkeologët kanë zbuluar mijëra kapëse metalike në pjesë të ndryshme të katedrales, disa që datojnë në fillim të viteve 1160.
Gjetjet sugjerojnë se përdorimi i gjerë i hekurit në muraturë nuk është aq modern sa supozonin ekspertët dikur. Ndërtuesit mesjetarë që punonin në Notre Dame po përdornin teknikën arkitekturore shumë përpara se të fillonin punimet e restaurimit në shekullin e 19-të.
“Notre Dame tani është padyshim katedralja e parë gotike e njohur ku hekuri u përdor masivisht për të lidhur gurët si një material ndërtimi i duhur,” përfundojnë arkeologët që punojnë në Paris.
Ekipi vlerëson se pajisjet prej hekuri të gjetura në Notre Dame ishin projektuar deri në dy dekada përpara se të ndërtohej katedralja Soisson e Francës dhe katër dekada përpara se të krijohej katedralja Bourges. Deri më tani, të dyja këto ndërtesa gotike konsideroheshin si shembujt e parë të muraturës sistematike të hekurit.
Arkitekti që fillimisht ishte përgjegjës për ndërtimin e Notre Dame ishte dukshëm përpara botës.
Ai duket se ka përdorur me bollëk armaturë hekuri për të lidhur gurët së bashku. Këto kapëse të qëndrueshme janë gjetur në dyshemenë e tribunave të katedrales dhe në kthesat e harqeve të saj të shumta.
“Kjo rrjetë metalike, e instaluar gjatë fazave të para të ndërtimit, duhet të interpretohet si përforcimi inovativ i brinjëve tërthore të majës së jashtme ambulatore në lartësinë pothuajse 11 m, e cila duhej të mirëmbahej pa asnjë mbështetje të brendshme…”, shkruajnë studiuesit. /b.al/KultPlus.com
Vdiq në moshën 84-vjeçare prof. dr. Ali Muka, studiues i njohur i arkitekturës popullore e veçanërisht i artit fshatar të ndërtimit.
“Trashëgimia kulturore dhe kultura shqiptare në përgjithësi humbën një studiues të vyer, që ia dedikoi gjithë jetën hulumtimit dhe dokumentimit të së bukurës shqiptare”, shkruan ministrja Margariti për profesor Mukën, i cili do të lërë një vend bosh në radhët e studiuesve të palodhur.
Prof. dr. Ali Muka lindi më 10 dhjetor 1938 në Përmet. Pasi përfundoi shkollën e mesme profesionale (Teknikumin e Ndërtimit) në Tiranë me rezultate të larta, në shtator 1960 u dërgua për të studiuar në Universitetin e Bratislavës (Çekosllovaki), ku studioi vetëm një vit. Pas situatës së krijuar në vitet ’60, i vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit të Inxhinierisë (dega e Ndërtimit) nga shtatori i vitit 1961 deri në korrik 1966 dhe diplomohet si inxhinier për ndërtime qytetare.
Në vitin 1969 emërohet punonjës shkencor për studimin e kulturës materiale e veçanërisht të banesës tradicionale fshatare, pranë Institutit të Historisë e Gjuhësisë (IGJH), pjesë e Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Që nga viti 1978 e derisa doli në pension në vitin 2008 ishte pjesë e Institutit të Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në rolin e punonjësit shkencor.
Përgjatë veprimtarisë së tij shkencore për një periudhë gati 40-vjeçare, prof. Muka u shqua veçanërisht në fushën e gjurmimit, dokumentimit e studimit të arkitekturës popullore, me theks vendbanimet, ndërtimet dhe artin fshatar të ndërtimit. Bilanc i gjurmimeve mbi 30-vjeçare është materiali grafik, fotografik e përshkrimor, i depozituar në Arkivin Etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Falë kësaj veprimtarie të dendur në terren, duke filluar nga viti 1974 e në vazhdim, prof. Muka botoi mbi 140 artikuj në revistat periodike shkencore.
Në veprimtarinë e gjerë kërkimore shkencore dhe botuese të prof. Ali Mukës zënë vend të spikatur dy prej monografive më të rëndësishme në fushën e studimit të banesës tradicionale të zonave rurale shqiptare, siç është monografia (“Banesa fshatare dhe familja e madhe”, (2001) dhe “Ndërtimet tradicionale fshatare-monografi etnologjike” (2007).
Gjithashtu ai ka patur edhe një aktivitet pedagogjik si pedagog e lektor i jashtëm në universitetet shqiptare, duke i drejtuar studentët në ekspedita e praktika në terren apo edhe si udhëheqës i temave të tyre të diplomës. / KultPlus.com
Festivali Botëror i Arkitekturës ka zbuluar listën prestigjioze të ndërtesave dhe projekteve të reja më të mira nga e gjithë bota, transmeton KultPlus.
Lista përfshin projekte komerciale, rezidenciale dhe kulturore, duke përfshirë Qendrën e Ekspozitës Kulturore Kineze në ajër të hapur në Lanzhou dhe një plan për të ruajtur ndërtesën më të vjetër të Abu Dhabit, Kalaja Qasr Al Hosn.
Me çmimet e vitit të kaluar të anuluara për shkak të pandemisë së koronavirusit, lista e këtij viti përmban projekte arkitekturore të përfunduara globalisht midis 2019 dhe 2021. Fituesit do të vendosen në muajin dhjetor, kur më shumë se 100 gjyqtarë do të mblidhen në Lisbonë, Portugali, dhe për të kurorëzuar Ndërtesën Botërore të Vitit.
Muzeu CROX në Changzhou, Kinë.Kjo strukturë trekëndëshe gjendet në një pishinë me ujë në qytetin kinez bregdetar të SanyaShërben si qendër komunitare dhe kuvertë vëzhgimi. Ndodhet në qytetin kinez të Nanchang dhe dallon nga forma e saj si spirale. Park në Sanya, KinëTë banesa shumëngjyrëshe e arkitektëve ZAV. Rezidenca është projektuar për të rritur turizmin me komunitetin lokal në Hormuz, Iran.Një ndërtesë historike në Abu DhabiMuzeu “Audemars Piguet” është një muze në qytetin e largët zviceran malor të Le Brassus.Qendra Maggie siguron mbështetje për pacientët e kancerit. Ajo është e vendosur në kampusin e Spitalit Universitar St. James në Leeds, Mbretëri e Bashkuar.E vendosur në Zhangjiakou, në këtë qendër do të mbahen një pjesë e ngjarjeve të Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022.Egaligilo, është një pavijon në muzeun Tamayo në Meksikë që gjeneron një mikroklimë me re në brendësi të saj.Qendra e Vëzhgimit “The Otzi Peak Observation Deck”, rri pezull në një akullnajë në Luginën Schnalstal, në pjesën veriore të Italisë.Mikrolibraria Warak Kayu, në qytetin indonezian të Semarang, është një hapësirë për të nxitur arsimimin në një lagje të varfërE vendosur në qytetin kinez të Lanzhous, Qendra Kulturore Kineze, është vendosur në mes të fshatrave tradicionale dhe peizazheve natyrore.
Bota vazhdon të luftojë me pandeminë e koronavirusit dhe gjithmonë bëhet thirrje nga instancat përkatëse për të pasur një kujdes të veçantë, duke ruajtur distancimin fizik.
Në një situatë të tillë, arkitektët po përpiqen të projektojnë mënyrat se si hapësirat publike mund t’i lënë njerëzit të bashkohen, duke i mbajtur ata të sigurt.
“The Shape of Things To Come”, një ekspozitë në Dubai, ofron një paraqitje grafike të asaj se si mund të duket arkitektura dhe dizajni në një botë post-Covid.
Një klub nate që mban njerëzit në një distancë të konsiderueshme, instalacione që ndajnë ambientet e punës dhe shkollës apo mure të tejdukshme, priten të jenë pjesë e arkitekturës së ndikuar nga pandemia. / KultPlus.com
Libri më i mirë i arkitektit Arbër Sadiki është “Arkitektura e ndërtesave në Prishtinë: 1945-1990”, në të cilën trajtohen faktorët shoqëror dhe formësues, shkruan KultPlus.
Qëllimi kryesor i librit është që të përcaktohet një ndërlidhje në mes të faktorëve shoqëror e formësues si dhe arkitekturës së ndërtesave publike të Prishtinës në periudhën kohore prej vitit 1945 deri në vitin 1990.
Për të qenë e mundur të kuptojmë shpirtin arkitekturor të një epoke, ne duhet paraprakisht ta kuptojmë shpirtin shoqëror të së njëjtës. Në qëllim të kësaj, kërkimi fillimisht është përqendruar në shqyrtimin e karakteristikave thelbësore shoqërore, kulturore dhe politike, në mënyrë që më pas të përcaktohet shkencërisht ndikimi i këtyre faktorëve në arkitekturën e ndërtesave publike në Prishtinë përgjatë periudhës së përcaktuar. Kjo nënkupton qasjen analitike ndaj të gjitha rrethanave shoqërore të kohës.
Ndërtesat më domethënëse të kësaj kategorie të ndërtuara brenda periudhës kohore të cilën mbulon hulumtimi, janë valorizuar, sistemuar dhe krahasuar me ndërtesa të së njëjtës periudhë të ndërtuara në qytetet tjera të ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë.
Duke përdorur metoda të ndryshme shkencore në përputhshmëri me fazën e caktuar hulumtuese, është përcaktuar ndikimi i sistemit shoqëror socialist të pas Luftës së Dytë Botërore në arkitekturën e ndërtesave publike të Prishtinës.
Është përcaktuar gjithashtu edhe ndikimi i trashëgimisë arkitekturore të bollshme të Kosovës, në formësimin e arkitekturor të qytetit socialist. Janë identifikuar faktorë specifik shoqëror, të cilët drejtpërdrejtë ose tërthorazi, ndikuan në formësimin e ndërtesave. Gjithashtu është formuluar edhe një qasje metodologjike, e cila në mënyrë të ngjashme mund të përdoret për hulumtimin e ndërtesave të kategorive të tjera funksionale brenda së njëjtës periudhë që përfshinë studimi.
Moderniteti, të cilin e promovonte rendi i ri shoqëror i pas LDB-së, si mënyrë e “përkryer” e të jetuarit, të cilin duhej ta përqafonte dhe manifestonte secili qytetar i “kombit të ri”, ishte në konflikt direkt me mënyrën tradicionale të të jetuarit nga shumica dërmuese e popullsisë së Prishtinës së atëhershme, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike dhe religjioze.
Kjo ishte edhe një nga arsyet kryesore për skepticizëm dhe refuzim ndaj modernizmit nga ana e tyre sepse, nëse qytetin e pranojmë si një skenë në të cilën zhvillohen aktivitetet e jetës së përditshme, atëherë qytetarët në fazat e para të modernizimit të qytetit, përfshirë edhe ata që pranuan këtë mënyrë të jetesës si të “përkryer”, silleshin ngjashëm si pjesëtarët e familjes Apel, në filmin “Mon Oncle” (1958) të Zhak Tatisë (Jacques Tati).
Ky studim, në asnjë mënyrë nuk pretendon që kjo fushë është ekzaminuar në tërësi, por paraqet vetëm një pikënisje hulumtuese të një epoke arkitekturore, por je vetëm, të rëndësishme të Prishtinës, plotësisht të pa studiuar deri më tani.
Kjo, na obligon që kësaj teme t’i futemi seriozisht, shkencërisht dhe pa kurrfarë paragjykimi, duke i analizuar dukuritë në raport me kohën që u shfaqën, ideologjinë dhe kulturën, por mbi të gjitha përjetimin njerëzor të arkitekturës. Arkitektura e shfaqur gjatë kësaj periudhe kohore, sot, për dikë mund të jetë pjesë e pandashme e jetës, për dikë mund të jetë akoma e paqartë, por askënd nuk e lë indiferent. Ajo është këtu, në mes nesh, duke paraqitur edhe sot pjesën thelbësore të identitetit të qytetit.
Ky libër ka pasur recensentë Armand Vokshin dhe Kujtim Elezin, teksa është publikuar nën mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com
Shqipëria me pozitën e saj gjeografike ishte gjatë gjithë Antikitetit një nga rrugët e ndërlidhjes së qytetërimit perëndimor me atë lindor dhe në një masë apo një tjetër të dy këto qytetërime duke filluar këtu e 20 shekuj më parë, janë në themelet e qytetërimit Evropian.
Pavarësisht se komponentët lindorë apo perëndimorë dhe ndikimet e tyre vinë duke u zbehur në të dy anët e kontinentit, Gadishulli Ballkanik mbetet gjithnjë një fushë e pranisë së ndjeshme të tyre. Kjo bëhet më e theksuar në shekujt kur vendet e Ballkanit janë në perandorinë bizantine dhe më vonë në atë osmane. Studimet historike dhe ato në lëmin e kulturës materiale i kanë evidentuar më së miri këto dukuri. Një nga rrugët e ndërlidhjes së dy botëve dhe të kalimit të këtyre ndikimeve ishte në territorin e Shqipërisë duke patur si portë kryesore Durrësin dhe arterie të rëndësishme – rrugën Egnatia nëpër Shkumbin. Nuk është e rastit që dhe ndarja e Perandorisë në atë të Lindjes dhe atë të Perëndimit kalon në trevat e banuara nga Ilirët duke patur lëkundje të kufirit sipas rrethanave të veçanta historike. Në jetën shumë shekullore të banorëve të këtyre territoreve, ndodhitë historike pasqyrohen edhe në ndryshimet apo përshtatjen e strukturave administrative kishtare me realitetin e ri e për rrjedhojë edhe në ndërtimet e kultit.
Sulmet barbare dhe ato të popujve sllavë e sidomos këto të fundit, në shekujt VI-VII përmbysin jo vetëm organizimin shtetëror, por sjellin edhe ndryshime të popullsisë në trevat ballkanike duke qënë territoret e sotme të banuara nga shqiptarët në provincat e Dardanisë, Prevalit, Epirit të Vjetër e të Ri ato që i qëndruan këtyre invazioneve. Në këto shekuj të errët për historinë e Evropës e të vështirë në të gjitha aspektet për popullsinë autoktone, dokumentacioni historik është i mangët, po kështu edhe dokumentacioni për organizimin kishtar në këto troje. Një ndihmesë për të ndriçuar historinë japin dhe të dhënat e ndërtimeve të kultit. Ne e kemi trajtuar gjetkë historinë e organizimit të kishës në trojet e arbëreshëve e shqiptarëve dhe këtu duam të përmendim vetëm ato aspekte që dëshmojnë pozitën e veçantë të vendit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, midis Romës dhe Kostandinopojës e më vonë midis katolicizmit dhe ortodoksisë. Që nga fundi i shekullit IV kisha e Ilirikut Oriental ishte nën juridiksionin e kishës së Romës, një e drejtë që papati vazhdonte ta kërkonte deri në shekullin e IX, megjithëse në mesin e shekullit të VIII Perandori ikonoktast Konstandini V i përfshiu provincat perëndimore nën Konstandinopojën. Me sa duket kjo nuk u bë me lehtësi dhe menjëherë. Sidoqoftë, në këta shekuj të vështirë Durrësi (Dyrrahion) ka qënë përherë një qendër e rëndësishme peshkopate e me lidhje të forta me Romën. Gjatë kësaj periudhe Durrësi luante një rol të rëndësishëm për ruajtjen e pushtetit bizantin në bregdetin lindor të Adriatikut. Durrësi ishte porti dhe baza më e rëndësishme e Perandorisë në Adriatik, sepse rruga detare detyrimisht kalonte në bregun lindor, i cili kishte kushte të favorshme: e rrihnin erërat e nevojshme për lundrim, si dhe rrymat detare, kishte gjire të favorshëm për t u fshehur në rast furtune dhe kishte ujë të pijshëm. Për këto arsye perandoria nuk u tërhoq nga bregdeti dhe prapatoka, pavarësisht nga rrethanat të cilat bënin që këto territore të lëkundeshin nga vartësia e plotë në autonomi. Në këtë periudhë historike popullsia vendase, sipas ndarjeve të veta krahinore si dhe qytetet e tjera të bregdetit shqiptar, kishte lidhje dhe bashkëpunonte me qendrën kryesore të pushtetit bizantin – Dyrrahun, i cili nuk mund të qëndronte pa një prapatokë që e furnizonte deri dhe me njerëz dhe për më tepër e mbronte në rast rreziku. Nga ana tjetër, krahinat arbëreshe mbroheshin nga Dyrrahu dhe qytetet e bregdetit, të cilat dukej se kishin garnizone të fuqishme.
Pas aneksimit të peshkopatave të perëndimit në Patriarkatin e Konstandinopojës, të dhënat më të plota i kemi në Noticien e Leonit të VI që i takon fillimit të shekullit IX, nga e cila mësojmë se pjesët veriore të vendit nuk ishin përfshirë nën kishën lindore dhe vareshin nga Roma nëpërmjet Kotorit. Po kështu, edhe peshkopatat e territoreve të pushtuara nga Bullgarët vareshin nga Ohri. Kemi për këtë rast dëshmi të pranisë së kishës së Romës që bëhet e qartë në “qortimin” e perandorit Vasili i dytë për metropolitin e Dyrrahut në vitin 1020. Me skizmën e vitit 1054, kjo ndarje bëhet më e thellë, ashtu si vërehet dhe prania e kultit katolik për “Latinët“ e Dyrrahut që shtohet me rënien e Perandorisë Bizantine në 1204 dhe sidomos në periudhën që vijon krijimin e të ashtuquajturës “Mbretëri e Shqipërisë” të Anzhuinëve nga viti 1273-1304 (në pjesët jugore deri në Artë), e shoqëruar me shtrirjen drejt Jugut të territoreve nën vartësinë e krypeshkopatës katolike të Tivarit (Antivarensis). Duhet theksuar gjithashtu që ky kufi ndarës i dy kishave ndryshonte në kohë në vartësi të shtrirjes së pushtetit bizantin në trojet veriore të shqiptarëve apo të pushtimit të territoreve jugore nga Balshajt dhe më vonë Stefan Dushani.
Këto lidhje të karakterit fetar apo të vartësisë administrative me rrënjë që në Antikitetin e Vonë vërehen dhe në ndërtimet e kultit, d.m.th. në përkatësinë në drejtimet e mëdha arkitekturore që zhvillohen në Evropë apo në ndikimet e tyre në elementë të veçantë të formave. Problemin e lidhjeve me arkitekturën perëndimore e shohim në dy aspekte. Së pari, veprimtara ndërtimore e shkollës arkitekturore të bregdetit jugor Dalmatin dhe të Shqipërisë së Veriut, ku mjeshtrat shqiptarë zinin vendin kryesor. Së dyti, kemi ndikimet arkitektonike që takohen fillimisht në Durrës e në Veri (Rubik) e më vonë, gjatë periudhes së dytë, në Shqipërinë e Jugut, në zonat e ulta dhe bregdetare. Grupit të parë i takojnë kisha e Shën Stefanit në Shkodër, kisha e Shën Sergjit e Bakut në Shirgj, Shën Mëria në Vaun e Dejës, kambanorja e kishës së manastirit të Shën Gjonit në Rrashkullë të Shkodrës dhe mjaft ndërtesa kulti, sot të zhdukura krahas fortifikimeve të shumta dhe ndërtimeve të tjera që këta mjeshtra kanë ngritur. Ndërtimet e tyre përfshihen brenda arkitekturës romanike-gotike, sepse edhe në Italinë e Jugut, prej nga ndikohen këto atëlie dhe prej nga, me sa duket, në raste të veçanta merren edhe modelet, nuk kemi arkitekturë të mirëfilltë gotike dhe arkitektura romanike me elementë dhe struktura të gotikut takohet deri vonë. Pikërisht këta elementë dhe forma, do të thoshim të vonuara, janë mjetet e shkollës së Veriut.
Karakteristikat e tyre janë format planimetrike njënefshe, teknika e ndërtimit të mureve me gurë të skuadruar, fillimisht më të gjatë se të lartë, por që gjatë shek. XV priren drejt formave katrore, muret me pilastra që lidhen me harqe të verbër, harqet dhe qemerët me profil të mprehtë, ngritja vertikale e godinës dhe mungesa e kupolave. Me futjen në vendin tonë të urdhrave kishtare domenikane dhe françeskane, ndërtohen disa godina kulti që kanë të mbuluar me qemer vetëm mjedisin e altarit. Të tilla janë katedralja e Shën Stefanit në kalanë e Shkodrës dhe kisha e Shën e Premtes në Çetë të Kavajës. Ndërsa e para i takon shkollës së Shqipërisë së Veriut, e dyta është një ndërtim i ndikuar nga arkitektura perëndimore e Durrësit, ku së pakut që në shek XI dokumentohen kolonitë e Venedikut dhe Amalfit me ndërtimet e tyre të kultit, një popullsi e besimit katolik dhe një kryepeshkopatë katolike në shek. XIII-XV. Me rëndësi të veçantë për këtë problem janë edhe elementë të shumtë të skulpturës arkitektonike (kapitele, friza, pllaka) që datohen nga fillimi i shek. IX deri në shek. XV, si dhe pjesë të harqeve të brinjëzuar të mbulesës së kishës, dëshmi e arkitekturës gotike. Krahas tyre kemi ndërtime të thjeshta, ndërtime të mjeshtrave popullorë, të cilat i takojmë gati kudo në fshatrat e Veriut. Këto, siç e pamë, ishin ndërtime të thjeshta të ndërtuara gjithmonë me gurë, ku harqet e mrehta i takojmë vetëm te dritaret (Shën e Premtja në Pllanë, Shën Kolli në Lezhë) apo te absidat (Shën Mëri, Krujë).
Aspekti i dytë, ai i ndikimeve të arkitekturës perëndimore, shpjegohet me dy rrugë : Së pari, ndikimet që vijnë nga lidhjet e drejtpërdrejta të zonave bregdetare dhe të ulta të Shqipërisë me bregdetin perëndimor të Adriatikut, bregdetin dalmatin dhe Venedikun. Së dyti, nga vendosja në vendin tonë, duke filluar nga shek. XIII, të peshkopatave katolike me anzhuinët dhe feudalët e tjerë perëndimorë në zonat e mitropolisë ortodokse të Durrësit e në Jug të saj. Të tilla janë kambanorja Shën Kollit e Perhondisë, skulpturat e Shën Kollit të Mesopotamit dhe të Shën Mërisë të Pojanit, këto të fundit ndikime nga Raguza dhe Tivari, harqet e mprehtë në Pojan, Berat (Shën Triadha, Shën Mëhilli, çisterna) dhe në Shën Kollin në Kurjan, harqet e varura në korniza në Kurjan, Zvernec, Linzë. Një element me mjaft rëndësi për studimin dhe vlerësimin e kishave është dhe teknika e ndërtimit. Vijueshmëria e ndërtimeve dhe e traditës ndërtimore të së njëjtës popullsi vërehet edhe në këtë aspekt duke qënë ajo një ndër përbërësit më të qëndrueshëm që, në aspektin e formës, lidhet edhe me kërkesat estetike ndaj arkitekturës. Ndërsa në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme materiali bazë ndërtimor është guri, në Shqipërinë e Jugut përdoren edhe gurët, edhe tullat, ose të dyja së bashku. Në Veri, guri gëlqeror i papunuar apo dhe i skuadruar është më tepër se material rrethanor, duke
përbërë një traditë ndërtimi që vijon dhe pas pushtimit osman.
Në Shqipërinë e Jugut diku edhe në atë të Mesme, ku ndërtohet në suazën e arkitekturës bizantine, guri është përdorur atje ku ka qënë material rrethanor dhe ku kërkesat estetike e mundësitë materiale kanë qënë të pakta. Dukuri të ndikimeve vërehen dhe në pikturën murale ku janë jo të pakta gjurmët e pikturës bizantine në Veri të Shqipërisë, në varësi të futjes së strukturave kishtare ortodokse si rezultat i përfshirjes në perandorinë bizantine të këtyre trevave. Marrja në studim njëherazi e ndodhive historike (përfshi këtu dhe ndryshimet në kohë në strukturat administrative të kishës) dhe i dukurive arkitekturare, tregon mjaft qartë se Shqipëria, d.m.th.trevat e banuara nga shqiptarët, ka qënë rrugë kalimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe urë ndërlidhëse e të dy qytetërimeve. Vija ndarëse e përkatësisë në strukturat kishtare të Romës apo Bizantit, si dhe në drejtimet e mëdha arkitekturare ndryshon në kohë në vartësi të ndodhive historike (lidhjet me struktura shtetërore) apo me përfshirjen në qendra të rëndësishme kishtare. Po kështu,
duke qënë kjo vijë ndarëse “imagjinare” në territore të banuara nga e njëjta popullsi, vërejmë dhe ndikime të formave të ndryshme përtej kësaj vije që shpjegohet me marrëdhëniet njerëzore e tregëtare, lëvizjen e atëlieve dhe mjeshtrave, porosi të sundimtarëve dhe dinjitarëve të kishës etj. Shembujt e shumtë të arkitekturës, elementeve të formës e teknikës së ndërtimit, të dekoracionit (skulptura dhe piktura) dëshmojnë më së miri qënien e Shqipërisë në udhëkryqin e Perëndimit e Lindjes, duke mbetur gjithnjë një popull evropian dhe ndërtimet e shumta të kultit janë një shembull i mirëfilltë.
Duke përfunduar do deshëm të theksojmë se sot, në kushtet e reja politike e me mundësi tejet të mëdha në krahasim me të kaluarën, studimet duhet të thellohen në të dy fushat : histori e organizimit kishtar dhe atë të ndërtimeve të kultit për të patur përfundime më të shumta, më të plota, më të sakta. /Albert Vataj /KultPlus.com
Kur grupi londinez post-punk “Omi Palone” në vitin 2014 po kërkonte një stil të shkëputur artistikisht dhe krejtësisht të identifikueshëm qartaz nga të tjerët, ata vendosën që video-klipin e tyre ta përcillnin me ndërtesat më ikonike të arkitekturës brutaliste të qytetit. Natyrisht që këtë nuk e bënë aksidentalisht, por se besonin se nga të gjitha rrymat arkitektonike, ajo brutaliste është më e rrepta në ritëm dhe teksturë mu ashtu siç e konideronin edhe muzikën e tyre. Të realizuara në një videoklip bardh e zi, ndërtesat manifestuan aq fuqishëm lojën dritë-hije mbi teksturën e vrazhgët të brut-betonit, duke plorësuar maksimalisht idenë e grupit për të qenë lehtësisht të identifikueshëm, sa që në fund edhe vet këngën vendosën ta quajnë “Arkitektura” (“Architecture”).
Për fatin tonë të keq, ky potencial i muzikës së ngrirë siç e përkufizonte Gëte arkitekturën, kurr nuk u shfryrëzua nga muzikbërësit tanë si një mundësi e jashtëzakonshme për të plotësuar tungullin muzikor me imazhin muzikal. Në kulturën tonë muzikore kur përmendim nocionin video-klip, në çast na shfaqet në mendje një krijesë me buzë dhe gjoks silikoni në plan të parë, e përcjellur në prapavi me një grup femrash me prapanicë të të njëjtit material kimik të kthyera nga publiku. Ose, në një variant tjetër, një grumbull makinash superluksoze, që ngiten nga disa kokë e xhep bosh që pas përfundimit të inçizimeve vështirë se mund të kenë ca cent për të shkuar me taksi në shtëpi. Ajo që i bashkon të dyja rastet është varfëria estetike dhe zbrazëtia përmbajtësore.
Një shembull krejtësisht i kundërt i cili shfaqet si një rreze dielli në një qiell tmerrësisht të turbullt e të kontaminuar artistikisht, është videoklipi i këngës “Të kam thënë mos i bje’ bukës me këmbë/Këndoj, ekzistoj” i kult grupit “Gjurmët”, ribërë rishtas nga Tomor Kuçi dhe Edona Vatoci, me regji dhe kamera të Leart Ramës.
Se arkitektura është menduar të jetë boshti thelbësor i formësimit të imazhit që pëcjell muzikën, kuptohet që në sekondën e parë. Në fakt tingulli i parë muzikor që vjen i pastër, i zhveshur nga çfardo përcjellje orkestrale, përcillet me imazh të të njëjtës pastërti dhe fuqi që ndjek ritmin e tingullit në përpikmëri me linjat ekspresive të Monumentit të të rënëve në Velani. Mbushja e visë melodike me element tjerë orkestral në vazhdim të këngës, përcillet me imazhin dinamik të të njëjtës masë me malodinë që krijon silueti i magjishëm i Bibliotekës Kombëtare. Ritmin e saktë dhe të njëtrajtshëm që përcjell gjithë vinë melodike, fizuelisht e përcjell dhe mbanë në të njëjtën frekuencë me muzikën shfaqja e herpashershme e siluetit të “Boro e Ramizit” me brinaket masive të saja si elemente thelbësore të krijimit të ritmit arkitektonik përmes përsëritjes. Vija e thjesht melodike dhe ritmike në asnjëmënyrë nuk kalon në një përjetim monoton, as muzikal falë koloritit zanor të vokalistëve, e as arkitektonik falë plastikës që manifeston kompozicioni vëllimor i Ndërtesës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Për t’i qëndruar besnik deri në fund arkitekturës si bartëse identitare e këtij video-klipi kontribon jashtëzakonshëm edhe qasja e kostumografit Arbnor Brahimi. Linjat e drejta me konture qartësisht të lexueshme të kostumeve janë plotësisht në sinkrozë me arkitekturën që i përcjell në prapavi solistët e shfaqur me kostumet e tij në plan të parë. Këtu Arbnori është plotësisht në ujërat e Oskar Shlemerit (Oskar Schlemmer) i cili qysh para 100 vitesh në Bauhaus zhvilloi teorinë e tij se baleti, kostumografia dhe arkitektura janë një dhe të pandara dhe se çdo lëvizje trupore determinon linjën e kostumit dhe hapsirës që e rrethon atë.
Për fund, nuk mund të lë pa përmend edhe një gjë, që mund të jetë krejtësisht personale. Titulli dhe teksti i këngës, që në fakt janë e njëjta gjë, më tingëlluan si një rikujem për ato ikona arkitektonike që pëcjellin video-klipin, e që po zhduken çdo ditë para syve tanë. Pavarsisht se teksti është shkruar para disa dekadash, për fatin tonë të keq ai është më aktual se kurrë në raport me ndërtesat në fjalë. Këmba primitive e dy dekadave të fundit ka shkelë dhe po shkelë pamëshirshëm mbi to. Atë që mundë dhe duhet të bëjmë është të vazhdojmë ti këndojmë që ato të ekzistojnë, ashtu siç bënë Tomori dhe Edona me këtë këngë.
Që t’i kthehemi atje ku e nisëm, marrëdhënijes muzikë – arkitekturë. Gëte, në fakt, përpos që kishte thënë se: “Arkitektura është muzikë e ngrirë”, në të njëjtën kohë kishte thënë se edhe “Muzika është arkitekturë likuide”. Videoklipi muzikor në fjalë na e vërteton këtë më së miri. /KultPlus.com
Interesimi në arkitekturën e vrazhdë të ish-Jugosllavisë është raportuar të jetë rritur pas një ekspozite të mbajtur në Muzeun e Artit Modern në New York, shkruan REL.
Kulla Karaburma në Beograd, e cila njihet edhe si “Ndërtesa Toblerone”, është ndërtuar më 1963. Ky bllok i apartamenteve është vetëm një nga monumentet e ndërtura në kryeqytetin e ish-Jugosllavisë në stilin e arkitekturës së vrazhdë.
Kulla Genex gjendet në periferi të Beogradit. Arkitektura brutale ka qenë stil i përhapur në vitet 1950 dhe 1960, që ekspozon copëza të mëdha të betonit.
Zyra e Postës Qendrore në Shkup, Maqedoni e Veriut. Stili i vrazhdë që ishte pëlqyr nga arkitektët jugosllavë, ishte përhapur shumë në ndërtimin e rajonit pas Luftës së Dytë Botërore.
Apartamentet në lindje të Beogradit, të finalizuara më 1976. Sipas agjencisë së lajmeve, Reuters, arkitektura brutale në ish-Jugosllavi ishte “supozuar të tregonte fuqinë e shtetit në mes të të dyja botëve, demokracisë perëndimore dhe lindjes komuniste, me qëllim të krijimit të rrugës së vet dhe një utopie shoqërore”.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Prishtinë. Disa dekada pas përfundimit të luftërave, shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe mbajtjes së një ekspozite në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, interesimi në arkitekturën brutale të Ballkanit është rritur djeshëm.
Një pjesëtar i sigurisë duke ecur brenda një salle të panairit në Beograd.
Zyrtarët e Beogradit janë duke konsideruar mundësinë e përfitimit nga interesimi për arkitekturën e ish-Jugosllavisë, duke hapur për vizitorë Pallatin e Serbisë (që po shihet në fotografi).
Enterieri i pallatit, që është kompletuar më 1959, aktualisht hap dyert për publikun një herë në vit.
Qilimat me gjela brenda Pallatit të Serbisë. Përgjegjësi për krijim të ndërtesës qeveritare ka mirëpritur vendimin për hapje të Pallatit të Serbisë, duke thënë se “është turp që të mbahet kjo kryevepër larg syrit të publikut”.
Si krijime ikona të ish-Jugosllavisë përmenden edhe përmendoret, sikurse kjo në Petrova Gora në Kroaci, që përkujton betejat dhe masakrat nga Lufta e Dytë Botërore.
Një përmendore varri në Tjentishte në Bosnje Hercegovinë, e quajtur “Beteja Sutjeska”.
Miodrag Zhivkoviq, arkitekti i famshëm i përmendores në Tjentishte, e cila është kompletur më 1971. Zhivkoviq, 91-vjeçar, i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters se ai ka vendosur të përdorë betonin sepse “është material stabil, dhe më i lehtë për të punuar”.
Një restorant rrotullues mbi Kullën Genex në Beograd.
Spitali në Dubravë të Zagrebit. Alan Braun, mësues në kryeqytet i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters: Tani ka kaluar shumë kohë prej kur kanë përfunduar luftërat e vitit 1990 dhe njerëzit kanë filluar të vlerësojnë arkitekturën e Jugosllavisë”.
Ka nisur aktivitetet njëri ndër organizimet më të mëdha të arkitekturës në Kosovë, “Kosovo Architecture Festival”.
Edicioni i shtatë i këtij festivali këtë vit ka paraqitur programin e larmishëm, ku do të ligjërojnë emra të njohur të arkitektëve botërorë.
Jeffrey Shumaker, Marcus Fairs, Jessica Bizzoni, Celine Baumann dhe Dean Lah janë vetëm disa nga arkitektët të cilët eksperiencën dhe sfidat e arkitekturës do t’ua paraqesin të gjithë arkitektdashësve në Kosovë.
Ditën e enjte në kinemanë “Armata” është mbajtur punëtoria e parë e këtij aktiviteti. Jessica Bizzoni, artiste e përkushtuar për mjedisin e ndërtuar, teknologjinë dhe përdorimin e hapësirës, që pasqyron sjelljet bashkëkohore të jetës së përditshme, në punëtorinë e zhvilluar ka folur për “Diellin Elektrik”.
Një pjesë e projektit të saj “Electric Sun” është ekspozuar në Itali, në Gjermani dhe në lokacione të ndryshme në Antwerp.
Punëtoria ka ngjallur interesim e debat, studentët e arkitekturës shtruan vazhdimisht pyetje rreth çështjeve preokupuese të temës.
Bizzoni, e cila në Prishtinë po qëndron në kuadër të Festivalit të Arkitekturës, ka folur për ndikimin e dritës elektrike në kohën tonë, si dhe përdorimin e saj, theks të veçantë i ka drejtuar edhe mënyrës sesi i përshtaten banorët e Prishtinës dritës artificiale. Ky interesim ka çuar në studim Bizzonin, ajo ka bërë një analizë, ku sipas studimeve kryeqytetasit nuk po dalin të jenë shumë dashamirë të dritës artificiale. “Ne analizuam edhe si sillen njerëzit në errësirë. Nëse ata ecin gjatë dritës artificiale ose preferojnë të qëndrojnë në errësirë. Ajo çfarë kuptuam është se në bulevardin kryesor njerëzit preferojnë të qëndrojnë më shumë në errësirë, bile-bile shumica prej tyre”, u shpreh ajo.
Pjesë tjetër fokusi ishte edhe rëndësia e madhe që ka laramania e ngjyrave.
Sipas Bizzonit, laramania do të mundë të krijonte një identitet të caktuar për Prishtinën, i cili nuk ishte menduar të krijohej më parë. “Një tjetër gjë që e analizuam në Prishtinë janë edhe ngjyrat e dritës, sepse ngjyra dhe rrezatimi krijojnë një atmosferë të caktuar dhe në këtë mënyrë krijohet edhe identiteti i qytetit. Kur filloni të luani me më shumë ngjyra ju mund të krijoni një identitet, i cili nuk ishte planifikuar më parë të krijohet”, theksoi ajo.
Sipas studiueses, në kontrast me Kosovën holandezët e preferojnë më shumë dritën elektrike. Kjo për shkak se Bizzoni përmendi edhe shtëpitë e gjelbra në Venlo të Holandës, që përdorin dritë artificiale. Sipas saj, ato janë tejet të ndriçuara dhe mund të shihen nga një largësi prej 10 deri në 20 kilometrash.
Jessica Bizzoni ka përmendur edhe disa nga rreziqet e përzgjedhjes së gabuar të ngjyrave te drita artificiale. Ajo ka theksuar se një formë shumë e zakonshme ndaj së cilës i ekspozohemi më shumë rrezikut ndaj dritës artificiale është edhe drita e kaltër nëpër ekrane të telefonit ose të kompjuterit.
Artistja 29-vjeçare nga Italia ka përmendur dy ngjyra të tjera alternative, të cilat do të mund ta zëvendësonin ngjyrën e kaltër. “Ekziston aplikacioni i cili e bllokon ngjyrën e kaltër në telefon. Ekrani i telefonit dhe i kompjuterit emeton ngjyrën e kaltër. Ngjyra e kaltër në këto pajisje nuk është e mirë për njerëzit, veçanërisht gjatë natës. Tashmë është një opsion për ta shmangur emetimin e ngjyrës së kaltër. Opsioni është që të bëhet ekrani i verdhë ose ngjyrë portokalli, sepse kur përcillet ngjyra e kaltër gjatë natës balanca në mes srotoninës dhe melatonins nuk është më stabile dhe nuk prodhojmë më serotonin, për këtë arsye duhet t’i mbajmë gjithmonë larg vetes”, vlerësoi ajo.
Rikujtojmë se “Electric Sun” është pjesë e projektit “Inhabit the artificial night scape” dhe është ekspozuar ndër të tjera edhe gjatë Equilibrio Sottiles në “Fotografica 2018”, e kuruar nga Denis Curti dhe në Muajin Evropian të Fotografisë në Berlin, në vitin 2018.
Në vrazhdën e aktiviteteve Festivali i Arkitekturës do të vazhdojë ligjëratat e punëtoritë edhe me Robert Potokarin, i cili është fitues i 19 çmimeve të para në garat publike. Në vitin 2015 Potokar ka fituar titullin profesor në Universitetin e Mariborit.
Celine Baumann, arkitekte e peizazhit me bazë në Zvicër, do të paraqitet me ligjëratë para publikut kosovar. Ligjërata do të paraqesë studimin më të fundit të studios, duke vënë në pyetje nocionet e gjithëpërfshirjes, barazinë gjinore dhe sociale. Hulumtimi i saj është i bazuar në një qasje praktike për të diskutuar çështjet shoqërore brenda praktikës arkitekturore, ka për qëllim të vërë në pyetje vendin e individit në sferën publike.
Dean Lah ka themeluar zyrën arkitektonike “Enota”, ku punon si arkitekt dhe partner. Jeffrey Shumaker udhëheq konsullencën e tij “URBANscape” që nga viti 2002, ai punon në krijimin e ambienteve të mira për të jetuar, punuar e studiuar dhe këtë festival do të mbajë punëtori të veçantë për arkitektët e rinj.
Festivali i Arkitekturës partnerë ka kinemanë “Armata”, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Inovation Centre Kosovo” dhe “Dezeen”./Zeri
Kosova para disa dite është bërë pjesë e shpërblimit të madh të arkitekturës Europiane “European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe”.
Pjesëmarrja e Kosovës në shpërblimin më të madh të Europës vjen pas pranimit të Kosovës në programet e grandeve kulturore të Unionit Europian dhe lobimit të komunitetit arkitektonik pranë organizatorëve të shpërblimit.
Shpërblimi “Mies van der Rohe” jepet çdo dy vite dhe shpërblen projektet më të mira në kontinentin e Europës. Shpërblimi ka për qëllim promovimin e cilësisë së arkitekturës Europiane. Nga çdo shtet nominohen një numër i caktuar i projekteve kurse nominues për Kosovën është emëruar udhëheqësi i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës Bekim Ramku.
Javën e parë të korrikut përgjatë Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, sekretari dhe kuratori i shpërblimit “Mies van der Rohe”, Ivan Blasi do të mbajë një ligjëratë për shpërblimin si dhe do të jetë pjesë e një punëtorie dy javore.
Këtu mund të shihni më shumë informata rreth shpërblimit dhe rreth kuratorit: