Ministri Çeku priti kryetarin e Arkivave Shtetërore të Turqisë, diskutojnë për mundësinë e shkëmbimit të dokumenteve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim kryetarin e Arkivave Shtetërore të Presidencës së Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Uğur Ünal.

Bashkë diskutuan për marrëveshjen aktuale të bashkëpunimit në mes të Agjencionit të Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe Kryesisë së Arkivave Shtetërore të Turqisë, punët e përbashkëta që janë bërë deri tani dhe planet për të ardhmen.

Shkëmbimi i përvojave për zhvillimin e arkivave shtetërore, rritja e kapaciteteve profesionale, digjitalizimi dhe shkëmbimi i dokumenteve ishin disa nga temat konkrete që u folën.

Në takim ishin të pranishëm po ashtu drejtori i Arkivave Shtetërore të Kosovës, Bislim Bislimi, zëvendës ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Şeyda Çimeli Aydın, drejtoresha për politika zhvillimore në AShAK, Shpresa Mekaj, Hatixhe Mehmeti, zyrtare për dokumente të huaja në AShAK dhe Onur Canhas, këshilltar i ministrit Çeku./KultPlus.com

Arkiva Qendrore Shtetërore e filmit rinis botimet pas 10-të vitesh ndërprerje

Ministri i  Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja njofton rifillimin e punës së Arkivës Qendrore Shtetërore të Filmit pas 10-të vitesh ndërprerje.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja deklaron se kjo drejtori rinis traditën e botimeve të librave dhe materialeve të tjera publicistike.

“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit Pas 10 vitesh ndërprerje, AQSHF rinis traditën e botimeve të librave e materialeve të tjera publicistike që kanë në përmbajtjen e tyre të dhëna arkivore mbi kinematografinë shqiptare. Dhe, e filluam me “fillimet”…”, shkruan Gonxhja.

“Në vitin 1898, Janaq Manaqi (1878-1954) çeli në Janinë të parën studio fotografike. Një vit më pas, më 1899, u bashkua me të edhe vëllai i tij i vogël, Miltiadhi (1880-1964). Në vitet 1903-1904, vëllezërit Manaqi e zhvendosën studion nga Janina në Manastir, duke qenë se Manastiri në atë kohë ishte kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike. Aty njihen me kineastin anglez Charles Rider Noble të shoqërisë kinematografike “Charles Urban Trading Company” dhe mësojnë nga ai përdorimin e kamerës”, vijon Gonxhja.

“Janaqi udhëton për në Londër dhe blen atje të parën kamerë Bioscop 300, me të cilën nisin të xhirojnë filma dhe t’i shfaqin në Janinë e Manastir. Filmi i parë i xhiruar në Ballkan është “Tjerrëset” ku vëllezërit Manaqi kanë fiksuar në kamera gjyshen e tyre 114 vjeçare, Dhespina, dhe gratë e tjera të fshatit të tyre të lindjes, Avdela, duke punuar leshin”, shprehet Gonxhja.

“Këto dhe të tjera fakte interesante i gjeni në librin e studiuesit Abaz Hoxha “Fillimet e kinemasë në trevat shqiptare (1897 – 1945)”, botim i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit”, nënvizon Gonxhja.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit sqaron po ashtu se në fotot e publikuara në rrjetin e tij sociale janë  Miltiadh dhe Janaq Manaqi me paratë e biletave të kinemasë së tyre. Ato janë të marra nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit, Fondi 580: Vëllezërit Manaki.

“Libri mund të studiohet pranë bibliotekës së AQSHF-së si dhe pranë librarisë Berk. Së shpejti edhe në e-Book”, përfundon Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Digjitalizohet arkiva fotografike e Ristanëve

Për herë të parë digjitalizohet dhe publikohet arkiva fotografike e Ristanëve. Ministria e Kulturës dhe “Fototeka” publikuan arkivat e fotografëve Vasil e Petrit Ristani, babë e bir, që ia kanë dedikuar jetën e tyre fotografisë, duke fiksuar në celuloid 60 vjet të historisë shqiptare. Tashmë arkiva e tyre do të ruhet në formatin digjital. Janë gjithsej 1200 negativë nga vitet 1930 deri në 1990. Në to shfaqen pamje të rralla të ngjarjeve, njerëzve e personazheve historike, të cilat u bënë të mundura falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës dhe Fototekës.

Siç shkruan “Fototeka”, Vasil Ristani, i lindur me 1908, në Lliar të Zagorisë, krahas punës si fotograf në studio ka punuar edhe si fotoreporter i gazetës “Drita”. Deri në mbylljen e gazetës për shkak të pushtimit Italian, Ristani ishte një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm të kohës dhe dokumentoi thuajse të gjitha ngjarjet kryesore në vend.

Këtë pasion të tijin, Vasili ia transmetoi edhe të birit, Petritit, lindur më 1942.  Petriti u diplomua në Tiranë për Matematikë-Fizikë, por punoi si fotoreporter në Laboratorin Fotografik të Ushtrisë./atsh/KultPlus.com

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, detaje nga Lëvizja Studentore e vitit 1990 në Shqipëri

Më 13 dhjetor 1990, në vijim të lëvizjes studentore, Këshilli i Ministrave vendosi për ngritjen e një komisioni pune.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, përmes këtij komisioni synohej zgjidhja e problemeve të ngritura nga studentët për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre në “Qytetin e Studentit”.

Ky qëllim iu ngarkua një grupi pune të përbërë nga: Leonard Nano (kryetar), sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Ndërtimit, Robert Gjini (anëtar), sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë së Brendshme, Vladimir Meksi (anëtar), nëndrejtor i Përgjithshëm i Ekonomisë Komunale, Qamil Talka (anëtar), drejtor në Ministrinë e Arsimit, Ilir Kodra (anëtar), funksionar i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme etj.

Lëvizja studentore do të finalizohej në muajin shkurt të vitit 1991, me një nga arritjet e saj që do të ishte heqja e emrit të diktatorit Hoxha nga emërtesa e Universitetit të Tiranës./atsh/KultPlus.com

“Arkiva” thirrje shkencëtarëve për botime me fokus figurat historike

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka nxjerrë një njoftim ku u bën thirrje  studiuesve për pjesëmarrjen në botimet e financuara prej institucionit.

Në njoftimin e bërë thuhet se në fokus të botimeve do të jenë figurat historike në vendin tonë, nga Mesjeta e deri në ditët tona.

Të gjithët të interesuarit kanë afat deri në datë 14 mars.

“Kjo thirrje i adresohet çdo anëtari të bashkësisë shkencore, që ka interes të hulumtojë mbi tematikat që DPA-ja ka propozuar për botim. Mes temave të përzgjedhura bëjnë pjesë përvjetorët e lindjes apo të vdekjes të disa prej figurave më të rëndësishme në historinë e kombit, sikurse janë: Marko Boçari, Memet Pashë Dërrala, Nikolla Naço, Shtjefën Gjeçovi, Hilë Mosi, Gjon Shllaku, Hasan Prishtina etj.

Gjithashtu, është i mirëpritur edhe botimi i dokumenteve apo i punimeve monografike për çështje dhe personalitete historike të periudhave të ndryshme, duke nisur nga Mesjeta e deri në ditët tona.

Për vitin 2022, DPA-ja ka marrë përsipër shpenzimet për 5 (pesë) botime, secili prej të cilëve do të ketë një vëllim deri në 120.000 fjalë dhe 300 faqe daktilografike. Thirrja për pjesëmarrje do të qëndroje e hapur deri më datën 14 mars, 2022”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com