Në kuadër të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë së Tiranës janë ekspozuar për publikun 60 fotografi të vjetra nga Arkiva Qendrore e Shtetit, kartolina, objekte autentike nga koleksionistët dhe elementë të veshjeve tiranase.
Në çeljen e ekspozitës “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive” të pranishëm ishin Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave; Andi Seferi, Zv/Kryetar i Bashkisë Tiranë; Klodiana Toptani, Administratore e Kalasë; Mirela Bogdani, kryetare e Shoq. Tirana Intellectum.
Ardit Bido, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën.
“101-vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh Bido.
Në fjalën e tyre Klodiana Toptani dhe Andi Seferi theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë.
Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirana Intellectum” tha se, “shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotiografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”.
Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike. /ata/ KultPlus.com