Materialet e Arkivës Teknike të Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) së shpejti do të digjitalizohen, falë mbështetjes të qeverisë zvicerane dhe asistencës së zyrës së UNESCO-s në Venecia.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila e cilëson këtë arkivë “gardiane” e një pasurie të jashtëzakonshme të trashëgimisë tonë kulturore.
“Për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, qeveria shqiptare i ka mëshuar fort revolucionit digjital, i cili ka përfshirë çdo institucion, edhe ato që lidhen me kulturën”, shprehet Margariti.
Ajo thekson se materialet e shumta e me vlerë të madhe që mban ky arkivë duhet të dixhitalizohen jo vetëm në funksion të institucionet por dhe për të apasionuarit pas trashëgimisë, të cilët mund të gjejnë aty informacione që nga arkitektura deri tek artefaktet.
“Arkiva Teknike e IKTK është më e rëndësishmja në llojin e vet, një “gardiane” e një pasurie të jashtëzakonshme, lidhur me trashëgiminë tonë kulturore. Ajo ruan:
– rreth 4100 dosje teknike;
– rreth 47,700 filma dhe mikrofilma negativë;
– rreth 256,200 fotografi me ngjyra dhe bardh e zi
Të cilat duhet të digjitalizohen, jo vetëm në funksion të institucionit – IKTK-së, por edhe studiuesve, studentëve, të apasionionuarve pas trashëgimisë, që mund të gjejnë aty një informacion të bollshëm mbi mënyrën se si kanë ndërtuar shqiptarët, informacione mbi arkitekturën, artefakte, histori monumentesh, me një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për historinë në vetvete, por edhe për restaurimin dhe rijetëzmin e një objekti të trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.
Ministrja bërë të ditur se procesi i dixhitalizimit të këtyre materialeve do të nis së shpejti në një sistem të integruar përmes skanimit me cilësi të lartë.
“Falë mbështetjes së çmuar të qeverisë zvicerane, përmes përfaqësuesve të saj në Tiranë dhe me asistencën e Zyrës së UNESCO-s në Venecia, po arrijmë që të ndërmarrim këtë proces. Pas sigurimit të fondit (80 mijë dollarë) për sigurimin e pajisjeve të posaçme, do të nisë digjitalizimi i dokumentacionit dhe materialeve arkivore, në një sistem të integruar përmes skanimit me cilësi të lartë, katalogimit në databazë të personalizuar dhe ruajtjes në servera të posaçëm. Është një erë e re për këtë institucion dhe shpresoj që të përhapet edhe në institucionet e tjera kulturore”, përfundoi Margariti. /ata/ KultPlus.com